General
Text

Kapitulli 7: Katër karakteristikat e Shkrimit: (3) Domosdoshmëria

Lesson 9 Chapter 6 Module 3

Për ç’qëllim është Bibla e domosdoshme? Sa mund të dinë njerëzit rreth Perëndisë pa patur Biblën?

A na duhet të kemi një Bibël, apo dikë që të na tregojë se çfarë thotë Bibla me qëllim për të njohur që Perëndia ekziston? Apo që jemi mëkatarë e që kemi nevojë të shpëtohemi? Apo që të mësojmë se si të gjejmë shpëtim? Apo që të njohim vullnetin e Perëndisë për jetën tonë? Këto janë ato lloj pyetjesh të cilat një shqyrtim i domosdoshmërisë së Shkrimit ka për qëllim t’i japë përgjigje.

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMI

Domosdoshmëria e Shkrimit mund të përkufizohet si vijon: Domosdoshmëria e Shkrimit do të thotë që Bibla është e domosdoshme për të njohur ungjillin për të mbajtur gjallë jetën shpirtërore e për të njohur vullnetin e Perëndisë, por nuk është e domosdoshme për të njohur që Perëndia ekziston apo për të ditur diçka rreth karakterit të Perëndisë si dhe ligjeve morale.

Ai përkufizim tani mund të shpjegohet në pjesët e tij të ndryshme.[79]1

A. Bibla është e domosdoshme për njohurinë e Ungjillit

Tek “Romakëve” 10:13–17 Pali thotë:

Sepse, “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet. Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, pa predikues?... Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.

Kjo deklaratë tregon linjën e mëposhtme të arsyetimit: (1) Së pari supozon që personi duhet të thërrasë në emrin e Zotit që të shpëtohet. (Në mënyrën se si e përdor Pali, si dhe në këtë kontekst specifik [shiko v. 9], “Zotit” i referohet Zotit Jezus Krisht.) (2) Njerëzit mundet vetëm që të thërrasin emrin e Krishtit nëse ata besojnë tek Ai (d.m.th., që Ai është një Shpëtimtar i denjë për t’u thirrur, dhe një i cili do t’u përgjigjet atyre që e thërrasin). (3) Njerëzit nuk mund të besojnë tek Krishti nëse nuk e kanë dëgjuar. (4) Ata nuk mund ta dëgjojnë Krishtin nëse nuk është dikush që t’u tregojë atyre për Krishtin (një “predikues”). (5) Përfundimi është që besimi shpëtues vjen përmes dëgjimit (d.m.th. përmes dëgjimit të mesazhit të ungjillit), dhe ky dëgjim i mesazhit të ungjillit, vjen përmes predikimit të Krishtit. Rrjedhoja duket se është që pa dëgjimin dhe predikimin e ungjillit të Krishtit, askush nuk mund të shpëtohet.[80]2

Ky pasazh është një nga disa syresh që tregojnë që shpëtimi i përjetshëm vjen vetëm përmes besimit tek Jezus Krishti, e në asnjë mënyrë tjetër. Duke folur për Krishtin, “Gjoni” 3:18 thotë: “Ai që beson në të nuk gjykohet, por ai që nuk beson, tashmë është gjykuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.” Po kështu, tek “Gjoni” 14:6 Jezusi thotë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”

Pjetri, në gjyq përpara Sinedrit, thotë: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell, që u është dhënë njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat 4:12). Sigurisht, ekskluziviteti i shpëtimit përmes Krishtit, është për shkak se Jezusi është i Vetmi i Cili vdiq për mëkatet tona e i vetmi që mund ta kishte bërë këtë. Pali thotë: “Sepse një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus, i cili e dha veten e tij si shpërblesë për të gjithë...” (1 Tim. 2:5–6). Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’u pajtuar me Perëndinë përveçse përmes Krishtit, sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër se si të merresh me fajin për mëkatet tona përpara një Perëndie të shenjtë.[81]3

Por nëse njerëzit mund të shpëtohen vetëm përmes besimit tek Krishti, dikush mund të pyesë se si besimtarët nën besëlidhjen e vjetër mund të ishin shpëtuar atëherë. Përgjigja duhet të jetë se ata që u shpëtuan  nën besëlidhjen e vjetër, u shpëtuan gjithashtu përmes besimit në Krishtin, paçka se besimi i tyre ishte një besim që shikonte drejt të ardhmes mbi fjalën e premtimit të Perëndisë që një Mesi apo një Shpengues do të vinte. Meqë jemi tek besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër të tillë si Abeli, Enoku, Noa, Abrahami dhe Sara, autori i “Hebrenjve” thotë: “Të gjithë ata vdiqën në besim, pa marrë premtimet, por i panë ato për së largu dhe u bindën dhe i përshëndetën...” (Heb. 11:13). Po ky kapitull vazhdon duke thënë që Moisiu “Duke e çmuar fyerjen e Krishtit (apo Mesisë) si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi” (Heb. 11:26). Dhe Jezusi mund të thotë për Abrahamin: “Abrahami, ati juaj, ngazëllehej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua” (Gjoni 8:56). Kjo përsëri duket se i referohet gëzimit të Abrahamit që shikonte në të ardhmen për ditën e Mesisë së premtuar. Kështu, edhe besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër kishin besim shpëtues tek Krishti, ardhjen e të Cilit ata pritnin, jo me një njohuri precize të detajeve historike të jetës së Krishtit, por me besim të madh në besueshmërinë absolute të fjalës së premtimit të Perëndisë.

Atëherë, në këtë kuptim, Bibla është e domosdoshme për shpëtimin: njeriu ose duhet ta lexojë vetë mesazhin e ungjillit në Bibël, ose ta dëgjojë atë nga një person tjetër. Edhe ata besimtarë që arritën shpëtimin në Besëlidhjen e Vjetër, arritën aty duke i besuar fjalëve të Perëndisë i Cili premtoi se një Shpëtimtar do të vinte.

Faktikisht, këto raste të përsëritura të njerëzve që u zënë besë fjalëve të premtimit të Perëndisë, së bashku me vargjet e mësipërme të cilat afirmojnë domosdoshmërinë e dëgjimit dhe besimit në Krishtin, duket se lënë të kuptohet që njerëzit mëkatarë, kanë nevojë për më shumë gjëra mbi të cilat të mbështetin besimin e tyre sesa thjesht një hamendësim intuitiv sipas të cilit Perëndia mund të sigurojë një mjet shpëtimi. Duket sikur i vetmi themel aq i fortë sa duhet ku ne mund të mbështesim besimin tonë, është fjala e Perëndisë Vetë (qoftë e folur apo e shkruar). Kjo, në kohët më të hershme, erdhi në një formë të shkurtuar por që nga fillimi, ne kemi prova të fjalëve të Perëndisë i Cili premton një shpëtim të ardhshëm, fjalë të cilat u besuan nga këta njerëz të cilët Perëndia i thirri tek Vetja.

Për shembull, edhe në kohën e Adamit dhe Evës, ka disa fjalë të Perëndisë të cilat tregojnë për një shpëtim të ardhshëm: tek “Zanafilla” 3:15 mallkimi mbi gjarprin përfshin një premtim që fara e gruas (një prej pasardhësve të saj) do të shtypte kokën e gjarprit, por në proces e sipër ai do të lëndohej vetë, premtim ky që u përmbush më së fundi në Krishtin. Fakti që dy fëmijët e parë të Adamit dhe Evës, Kaini dhe Abeli, i ofruan flijime ZOTIT (Zan. 4:3–4) nënkupton vetëdijësimin e tyre për një nevojë për të bërë një lloj pagese për fajin e mëkateve të tyre, si dhe për premtimin e Perëndisë rreth pranimit të flijimeve të ofruara në mënyrën e duhur. “Zanafilla” 4:7, “Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh?” nënkupton përsëri në formën më të shkurtuar të mundshme, një fjalë nga Perëndia që ofroi sigurimin e një lloj shpëtimi përmes besimit në premtimin e Perëndisë të ofruar në atë fjalë. Me përparimin e historisë së Besëlidhjes së Vjetër, fjalët e premtimeve të Perëndisë u bënë gjithnjë e më shumë specifike, dhe besimi që shikonte drejt së ardhmes i popullit të Perëndisë, u bë në përputhje me këtë gjithnjë e më shumë i përcaktuar. Megjithëkëtë, ai duket gjithnjë të ketë qenë një besim i cili bazohej specifikisht tek fjalët e Perëndisë Vetë.

Kështu, paçka se më poshtë do të argumentohet që njerëzit mund ta dinë që Perëndia ekziston dhe se disa prej ligjeve të Tij mund t’i njohin edhe pa Shkrimin, duket se nuk ka asnjë mundësi të arritjes tek besimi shpëtues pa njohurinë specifike të fjalëve të premtimeve të Perëndisë.[82]4

B. Bibla është e domosdoshme për vazhdimësinë e jetës shpirtërore

Tek “Mateu” 4:4 Jezusi thotë (duke cituar L. i P. 8:3), “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por  me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”. Këtu, Jezusi nënkupton që jeta jonë shpirtërore, ruan vazhdimësinë e vet përmes ushqimit të përditshëm me Fjalën e Perëndisë, njëlloj sikurse edhe jetët tonë fizike ruajnë vazhdimësinë e tyre mbi bazën e ushqimit të përditshëm fizik. Të lësh pas dore leximin rregullisht të Fjalës së Perëndisë, është po aq rënduese ndaj shëndetit të shpirtit tonë sa edhe shpërfillja e ushqimit fizik është përkeqësuese e shëndetit të trupave tanë.

Po kështu, Moisiu i tregon popullit të Izraelit për rëndësinë e fjalëve të Perëndisë për jetën e tyre: “Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj; dhe me këtë fjalë do të zgjasni ditët tuaja në vendin ku po hyni për ta pushtuar, duke kapërcyer Jordanin” (L. i P. 32:47). Dhe Pjetri i inkurajon të krishterët të cilëve u shkruan: “Si foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij” (1 Pjetrit 2:2). “Qumështi i pastër i fjalës” në këtë kontekst, duhet t’i referohet Fjalës së Perëndisë për të cilën Pjetri ka qenë duke folur (shiko “1 Pjetrit” 1:23–25). Atëherë, Bibla është e domosdoshme për ruajtjen e vazhdimësisë së jetës shpirtërore dhe për rritjen në jetën e krishterë.

C. Bibla është e domosdoshme për një njohuri të caktuar të vullnetit të Perëndisë

Më poshtë, do të argumentohet se të tërë njerëzit e lindur ndonjëherë, kanë një farë njohurie rreth vullnetit të Perëndisë përmes ndërgjegjes së tyre, por kjo njohuri është shpesh e paqartë dhe nuk mund të japë siguri. Në fakt nëse nuk do të kishte Fjalë të shkruar të Perëndisë, nuk do të mund të fitonim siguri rreth vullnetit të Perëndisë përveçse përmes ndërgjegjes, këshillave nga të tjerët, një dëshmie të brendshme të Frymës së Shenjtë, ndryshimit të rrethanave, si dhe përdorimit të një arsyetimi të shenjtëruar dhe logjik. Të tëra këto mund të japin një vlerësim të përafërt rreth vullnetit të Perëndisë në një mënyrë pak a shumë të besueshme, por përmes këtyre mjeteve, nuk mund të arrihet asnjë siguri rreth vullnetit të Perëndisë, të paktën jo në këtë botë të rënë ku mëkati shtrembëron perceptimin tonë të të duhurës dhe të gabuarës, shkakton arsyetim të gabuar në procesin tonë të mendimit dhe na bën që hera herës të shuajmë dëshminë e ndërgjegjes tonë (kr. Jer. 17:9; Rom. 2:14–15; 1 Kor. 8:10; Heb. 5:14; 10:22; gjithashtu 1 Tim. 4:2; Titit 1:15).

Megjithëkëtë, në Bibël, kemi deklarata të qarta dhe të sakta rreth vullnetit të Perëndisë. Perëndia nuk na i ka zbuluar të tëra gjërat, por Ai na ka zbuluar mjaftueshëm për ne që ta njohim vullnetin e Tij: “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë përgjithnjë, me qëllim që të zbatojmë tërë fjalët e këtij ligji” (L. i P. 29:29). Ashtu sikurse ishte në kohën e Moisiut, kështu është edhe tani me ne: Perëndia na i ka zbuluar fjalët e Tij në mënyrë që ne të mund t’u bindemi ligjeve të Tij e që kësisoj të bëjmë vullnetin e Tij. Të jesh i “pa njollë” përpara Perëndisë, është të “ecësh në ligjin e Zotit ” (Ps. 119:1). Njeriu i “bekuar” është dikush i cili nuk ndjek këshillën e njerëzve të ligj (Ps. 1:1), por që gjen kënaqësi “në ligjin e Zotit,” “dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij” (Ps. 1:2). Të duash Perëndinë (dhe për rrjedhojë të sillesh në një mënyrë që është e kënaqshme për Të) do të thotë të “të mbash urdhërimet e tij” (1 Gjonit 5:3). Nëse ne dëshirojmë të kemi njohuri për sa i takon vullnetit të Perëndisë, atëherë ne duhet ta fitojmë atë përmes studimit të Shkrimit.

Në fakt, në një farë mënyre, mund të argumentohet që Bibla është e domosdoshme për një farë njohurie rreth çfarëdo gjëje. Një filozof mund të thotë se: Fakti që ne nuk dimë gjithçka, na shtrëngon të jemi të pasigurt për gjithçka që ne pretendojmë të dimë. Kjo ndodh për shkak se ndonjë fakt i panjohur për ne, mund të dalë se vërteton që ajo që ne kemi menduar se është e vërtetë, faktikisht është e pavërtetë. Për shembull, ne mendojmë se e dimë ditën e lindjes, emrin, moshën tonë e kështu me radhë, por ne duhet ta pranojmë se është e mundshme që një ditë mund të marrim vesh që prindërit na kanë përcjellë një informacion të pavërtetë dhe njohuria jonë “e sigurt” atëherë do të dilte të ishte e pasaktë. Për sa u takon ngjarjeve të cilat ne personalisht kemi përjetuar, të tërë ne e kuptojmë se sa e mundshme është për ne që të “kujtojmë” fjalët apo ngjarjet në mënyrë të pasaktë dhe ta gjejmë vetën më vonë të korrigjuar nga informacione më të sakta. Zakonisht ne mund të jemi më të sigurt rreth ngjarjeve të përvojës sonë të tanishme për sa kohë që ato mbeten të tanishme (por edhe kjo, mund të thotë dikush, mund të jetë një ëndërr, dhe ne do ta zbulojmë këtë fakt vetëm kur të zgjohemi!). Sido që të jetë, është e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes së filozofit: Nëse ne nuk i dimë të tëra faktet e universit, të kaluarat, të tashmet, dhe të ardhshmet, si do mund të arrijmë ndonjëherë sigurinë se kemi informacionin e saktë rreth ndonjë fakti të jetës?

Si përfundim, ka dy zgjidhje të mundshme ndaj këtij problemi: (1) Ne duhet të mësojmë të tëra faktet e universit, me qëllim që të sigurohemi që asnjë fakt i zbuluar më vonë nuk do të vërtetojë që idetë tona të tanishme janë të gabuara; apo (2) dikush që i di të tëra faktet e universit, e që nuk gënjen kurrë, mund të na tregojë disa fakte të vërteta për të cilat pastaj ne mund të jemi të sigurt se nuk do të kontradiktohen kurrë.

Kjo zgjidhje e dytë është në fakt ajo që na mbetet tani që kemi fjalët e Perëndisë në Shkrim. Perëndia i di të tëra faktet që kanë ekzistuar apo që do të ekzistojnë. Gjithashtu, ky Perëndi i Cili është i gjithëdijshëm, ka në mënyrë absolute njohuri të sigurt. Nuk mund të ketë kurrë asnjë fakt të cilin Ai nuk e di tashmë, kështu, nuk mund të ketë kurrë ndonjë fakt i cili do të vërtetonte që diçka që Perëndia mendon, është faktikisht e gënjeshtërt. Tani, është pikërisht nga kjo depozitë e pafundme njohurie të sigurt që Perëndia i Cili kurrë nuk gënjen, na ka folur në Shkrimin, në të cilin Ai na ka treguar shumë gjëra të vërteta rreth Vetes së Vet, rreth vetes tonë, si dhe rreth universit që Ai ka krijuar. Asnjë fakt nuk mund të dalë që do të kontradiktonte të vërtetën e folur nga ky Perëndi i gjithëdijshëm.

Kësisoj, është me vend për ne që të jemi më të sigurt rreth të vërtetave për të cilat lexojmë në Shkrimin sesa për çfarëdo njohurie tjetër që kemi. Nëse do të flisnim për shkallët e sigurisë së njohurisë që kemi, atëherë, njohuria që përftojmë nga Shkrimi do të kishte shkallën më të lartë të sigurisë: nëse fjala “e sigurt” mund të zbatohet tek të gjitha njohuritë njerëzore, atëherë ajo mund të zbatohet edhe ndaj kësaj njohurie.[83]5

Ky koncept i sigurisë së njohurisë në të cilin ne arrijmë nga Shkrimet, pastaj na jep një bazë të arsyeshme për pohimin e saktësisë së një pjese të mirë të njohurisë tjetër që kemi. Ne lexojmë Shkrimin dhe shikojmë se pikëpamja e tij për botën që na rrethon, për natyrën njerëzore si dhe për veten, i korrespondon ngushtësisht informacionit që kemi fituar nga përvojat tona shqisore të botës që na rrethon. Kësisoj ne inkurajohemi t’i besojmë përvojave tona shqisore të botës që na rrethon: vëzhgimet tona korrespondojnë me të vërtetën absolute të Shkrimit. Për rrjedhojë, vëzhgimet tona, janë gjithashtu të vërteta dhe përgjithësisht, të besueshme. Një bindje e tillë në besueshmërinë e përgjithshme të vëzhgimeve të bëra me sytë dhe veshët tanë, konfirmohet edhe më tej nga fakti që është Perëndia Ai që i ka bërë këto aftësi tonat e i Cili në Shkrim shpesh herë na inkurajon që t’i vëmë ato në përdorim (krahaso gjithashtu me “F. e Urta” 20:12: “Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti”).

Në këtë mënyrë, i krishteri i cili e merr Biblën si Fjalë të Perëndisë, shpëton nga skepticizmi filozofik rreth mundësisë së arritjes së një njohurie të sigurt me mendjet tona të fundme. Në këtë këndvështrim atëherë, është e saktë të thuash që për njerëzit të cilët nuk janë të gjithëdijshëm, Bibla është e domosdoshme me qëllim për të patur një njohuri të caktuar rreth çfarëdo gjëje.

Ky fakt është i rëndësishëm për diskutimin e mëposhtëm, ku ne pohojmë që jobesimtarët mundet që të dinë diçka rreth Perëndisë nisur nga zbulesa e përgjithshme që shikohet në botën rreth tyre. Paçka se kjo është e vërtetë, ne duhet që të kuptojmë se në një botë të rënë, njohuria e fituar përmes vëzhgimit të botës, është gjithnjë e papërsosur si dhe gjithnjë e prekshme nga gabimet apo keqinterpretimet. Për rrjedhojë, njohuria e Perëndisë dhe e krijimit, e përfituar nga Shkrimi, duhet të përdoret për të interpretuar me saktësi krijimin që na rrethon. Duke përdorur termat teologjikë të cilët do t’i përkufizojmë më poshtë, ne mund të themi që na duhet një zbulesë e veçantë për të interpretuar siç duhet zbulesën e përgjithshme.[84]6

D. Por Bibla nuk është e domosdoshme për të ditur që Perëndia ekziston

Çfarë mund të thuhet për njerëzit të cilët nuk e lexojnë Biblën? A mund të fitojnë ata ndonjë njohuri rreth Perëndisë? A mund të dinë ata ndonjë gjë rreth ligjeve të Tij? Po, pa Biblën është e mundur që të kesh një farë njohurie rreth Perëndisë, paçka se nuk është njohuri e sigurt në mënyrë absolute.

Njerëzit mund të përfitojnë një njohuri që Perëndia ekziston dhe një njohuri për disa atribute të Tij, thjesht nga vëzhgimi i vetes dhe i botës që i rrethon. Davidi thotë: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Ps. 19:1). Të shikosh qiellin do të thotë të shikosh prova të një fuqie, mençurie dhe madje bukurie të pafundme të Perëndisë, do të thotë të vëresh një dëshmi madhështore të lavdisë së Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme, Barnaba dhe Pali i thonë banorëve grekë të Listrias për Perëndinë e gjallë që krijoi qiejt dhe tokën: “Në brezat e kaluar, ai i lejoi të tëra kombet që të ecin në rrugët e tyre; megjithëkëtë Nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim” (Veprat 14:16–17). Shira dhe stinë të frytshme, ushqim i prodhuar nga toka dhe gëzim në zemrat e njerëzve, të tëra këto dëshmojnë për faktin që Krijuesi i tyre është një Perëndi mëshire, dashurie dhe madje gëzimi. Këto prova të Perëndisë janë kudo rreth nesh në krijimin që mundet të kundrohet nga ata që janë të gatshëm për ta shikuar.

Edhe ata të cilët përmes ligësisë së tyre ia zënë frymën të vërtetës, nuk mund të shmangin provat e ekzistencës së Perëndisë dhe të natyrës së Tij në rendin e krijimit:

Sepse, ajo që mund të dihet për Perëndinë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësueshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim, u errësua. (Rom. 1:19–21)

Këtu Pali thotë se jo vetëm që krijimi jep prova të ekzistencës dhe karakterit të Perëndisë, por gjithashtu që madje edhe njerëzit e ligj i kuptojnë këto prova. Ajo që ata mund të njohin rreth Perëndisë është “e dukshme në ta” dhe faktikisht “e njohën Perëndinë” (duket se ata e dinin se kush ishte Ai), por “nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi.” Ky pasazh na lejon të themi që të tërë njerëzit, edhe ata më të ligjtë, kanë një farë njohurie të brendshme apo perceptim që Perëndia ekziston, dhe që Ai është një Krijues i fuqishëm. Kjo njohuri shikohet tek “veprat e tij ,” një frazë kjo që i referohet të tërë krijimit. Megjithëkëtë, me shumë mundësi, tek shikimi i njerëzimit si të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, d.m.th. tek shikimi si i vetes, ashtu edhe i njerëzve të tjerë, ndodh që edhe njerëzit e ligj shikojnë provat më të mëdha të ekzistencës dhe natyrës së Perëndisë.[85]7

Kështu, edhe pa Biblën, të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë kanë patur prova në krijimin përreth, që Perëndia ekziston, që Ai është Krijuesi e që ata janë krijesat, dhe kishin gjithashtu prova të karakterit të Tij. Si rezultat, ata vetë kanë njohur diçka rreth Perëndisë nga kjo provë (edhe pse kjo nuk thuhet kurrë se është një njohuri që mundet t’i sjellë ata në shpëtim).

E. Për më tepër, Bibla nuk është e domosdoshme për të njohur diçka rreth karakterit të Perëndisë dhe ligjeve morale

Pali vazhdon tek “Romakëve” 1 duke treguar se edhe jobesimtarët që nuk kanë një dokument të shkruar të ligjeve të Perëndisë, kanë gjithsesi në ndërgjegjet e tyre një kuptim të kërkesave morale të Perëndisë. Duke folur për një listë të gjatë mëkatesh (“smirë, vrasje, grindje, mashtrim...”), Pali thotë për njerëzit e ligj që i praktikonin ato: “Ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e drejtë  të Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë” (Rom. 1:32). Njerëzit e këqij e dinë që mëkati i tyre është gjë e gabuar, të paktën kur është në masë të madhe.

Pali pastaj flet për veprimtarinë e ndërgjegjes tek johebrenjtë të cilët nuk e kanë ligjin e shkruar:

Sepse, kur kombet që s'kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s'kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre akuzojnë ose edhe mbrojnë njëri-tjetrin....” (Rom. 2:14–15)

Vetëdijet e jobesimtarëve dëshmojnë për standardet morale të Perëndisë, por ka raste që këto prova të ligjit të Perëndisë në zemrat e jobesimtarëve janë të shtrembëruara apo të ndrydhura.[86]8 Nganjëherë, mendimet e tyre i “akuzojnë” ata dhe nganjëherë mendimet e tyre i “shfajësojnë” ata, thotë Pali. Njohuria e ligjit të Perëndisë e derivuar nga burime të tilla, nuk është kurrë e përsosur, por mjafton për të na bërë të vetëdijshëm rreth kërkesave morale të Perëndisë ndaj njerëzimit. (Kjo nuk është baza mbi të cilën Pali argumenton që i tërë njerëzimi mbahet fajtor përpara Perëndisë për mëkatin, e madje as ata të cilët nuk i kanë ligjet e shkruara të Perëndisë tek Shkrimi.)

Njohuria e ekzistencës së Perëndisë, të karakterit dhe ligjit moral të Tij, të cilët vijnë përmes krijimit tek gjithë njerëzimi, shpesh herë quhet “zbulesë e përgjithshme” (ngaqë ajo u shkon të tërë njerëzve në përgjithësi).[87]9 Zbulesa e përgjithshme vjen përmes vëzhgimit të natyrës, duke parë ndikimin udhërrëfyes të Perëndisë në histori, si dhe përmes një ndjenje të brendshme të ekzistencës së Perëndisë dhe ligjeve të Tij që Ai ka vendosur brenda çdo personi. Zbulesa e përgjithshme është ndryshe nga “zbulesa e veçantë” që i referohet fjalëve të Perëndisë të cilat u drejtohen njerëzve të caktuar, sikurse fjalët e Biblës, fjalët e profetëve të Besëlidhjes së Vjetër si dhe të apostujve të Besëlidhjes së Re, si dhe fjalët e Perëndisë të folura në një fjalim personal, si për shembull në Malin Sinai apo në pagëzimin e Jezusit.[88]10

Zbulesa e veçantë përfshin të tëra fjalët e Shkrimit, por nuk është e kufizuar tek fjalët e Shkrimit, sepse për shembull ajo përfshin edhe shumë fjalë të Jezusit të cilat nuk janë dokumentuar në Shkrim, dhe me shumë mundësi ka patur shumë fjalë të folura nga profetët e Besëlidhjes së Vjetër si dhe prej apostujve të Besëlidhjes së Re të cilat gjithashtu nuk janë dokumentuar tek Shkrimi.

Fakti që të tërë njerëzit dinë diçka për ligjet morale të Perëndisë, është një bekim i madh për shoqërinë, sepse po të ishte ndryshe, nuk do të kishte një frenim shoqëror ndaj të keqes që njerëzit do të kryenin, dhe as frenim nga ndërgjegjet e tyre. Për shkak se ekziston një njohuri e përgjithshme për të duhurën dhe të gabuarën, të krishterët shpesh herë mund të gjejnë shumë dakordësi me jo të krishterët në çështjet e ligjit civil, standardeve të komunitetit, etikave bazë për biznesin dhe veprimtaritë profesionale si dhe modele të pranueshme sjelljeje në jetën e përditshme. Për më tepër, ne mund t’i drejtohemi sensit të të drejtës përbrenda zemrave të njerëzve (Rom. 2:14) kur përpiqemi të miratojmë ligje më të mira apo të shfuqizojmë ligjet e këqija, apo për të ndrequr ndonjë padrejtësi tjetër në shoqërinë rreth nesh. Njohuria e ekzistencës dhe karakterit të Perëndisë, siguron gjithashtu bazën e informacionit që i jep mundësi ungjillit të bëhet i kuptueshëm për zemrën dhe mendjen e jo të krishterit. Jobesimtarët e dinë që Perëndia ekziston e që ata i kanë shkelur standardet e Tij, kështu që lajmi që Krishti vdiq për të paguar për mëkatet e tyre, duhet që me të vërtetë të vijë si lajm i mirë për ta.

Sidoqoftë, duhet theksuar fakti që Shkrimi nuk nënkupton askund që njerëzit mund ta njohin ungjillin apo ta dinë rrugën e shpëtimit përmes një zbulese të tillë të përgjithshme. Ata mund të dinë që Perëndia ekziston, që Ai është Krijuesi i tyre, që ata janë të detyruar të tregojnë bindje ndaj Tij, dhe se kanë mëkatuar kundër Tij. Ekzistenca e sistemeve të flijimit në fetë primitive përgjatë gjithë historisë, vërteton faktin që këto gjëra mund të njihen qartë nga njerëzit edhe pa Biblën. Hasjet e përsëritura të “shira dhe stinë të frytshme” të përmendura tek “Veprat” 14:17 mundet që madje t’i shtyjnë disa të arsyetojnë duke thënë se Perëndia jo vetëm që është i shenjtë dhe i drejtë, por gjithashtu i dashur dhe falës. Por si do të mundet shenjtëria dhe drejtësia e Perëndisë të pajtohet ndonjëherë me gatishmërinë e Tij për të falur mëkatet, ky është një mister që nuk është zgjidhur kurrë nga ndonjë fe jashtë Biblës. Gjithashtu, Bibla nuk na jep ndonjë shpresë se kjo mund të kuptohet pa zbulesën specifike nga Perëndia. Fakti që Perëndia Vetë ka siguruar rrugën e shpëtimit duke dërguar Birin e Tij i Cili është edhe Perëndi edhe njeri, për të qenë përfaqësuesi ynë dhe për të mbajtur ndëshkimin për mëkatet tonë, duke ndërthurur kësisoj drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë me një akt pafundësisht të mençur dhe të mahnitshëm, është mrekullia e madhe e shpengimit tonë. Ky fakt, që duket se haset rëndom për veshin e të krishterit, nuk duhet ta humbë shijen e mahnitshme që ka tek ne. Ai nuk do mund të ishte kuptuar kurrë nga njeriu vetëm, pa zbulesën e veçantë e verbale të Perëndisë.

Për më tepër, edhe nëse një ithtar i një feje primitive mund të mendojë që Perëndia në një mënyrë a një tjetër duhet të ketë paguar Vetë për ndëshkimin për mëkatet tona, një mendim i tillë do të ishte një spekulim i jashtëzakonshëm. Ai nuk do të besohej kurrë me qartësi të mjaftueshme se do ishte baza mbi të cilën të bazoje besimin shpëtues, nëse Perëndia Vetë konfirmon spekulime të tilla me fjalët e Tij, konkretisht, fjalët e ungjillit që shpall që ose kjo me të vërtetë do të ndodhte (nëse zbulesa erdhi në kohën përpara Krishtit) apo që me të vërtetë ka ndodhur (nëse zbulesa erdhi në kohën pas Krishtit). Bibla nuk i konsideron kurrë spekulimet njerëzore të shkëputura prej Fjalës së Perëndisë, si një bazë të mjaftueshme mbi të cilën të bazojmë besimin shpëtues: një besim i tillë shpëtues, sipas Shkrimit, është gjithnjë një bindje e fortë apo mirëbesim tek Perëndia, e që bazohet në vërtetësinë e fjalëve të Perëndisë Vetë.[89]11

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Kur po i dëshmon një jobesimtari, cila është ajo gjë e vetme të cilën do të donit më shumë që ai apo ajo të lexonte? A njeh ndokënd që u bë i krishterë pa lexuar Biblën apo pa dëgjuar dikë që t’i ketë shpjeguar se çfarë thotë Bibla? Cila është atëherë detyra kryesore e misionarit ungjillor? Si duhet që domosdoshmëria e Shkrimi të ndikojë tek orientimi ynë misionar?

2.     A e ushqen shpirtin tënd me ushqimin shpirtëror të Fjalës me aq kujdes dhe me aq zell sa ç’ushqen edhe trupin me ushqim fizik? Çfarë na bën kaq të ndjeshëm nga ana shpirtërore saqë të ndjejmë një uri më të madhe fizike që është shumë më akute sesa uria shpirtërore? Cila është zgjidhja për këtë problem?

3.     Kur në mënyrë aktive ne kërkojmë të njohim vullnetin e Perëndisë, ku duhet të kalojmë pjesën më të madhe të kohës dhe përpjekjeve tona? Praktikisht, ku e kalon pjesën më të madhe të kohës dhe ku i shpenzon përpjekjet e tua kur kërkon të dish vullnetin e Perëndisë? A duket se kondradiktohen ndonjëherë parimet e Shkrimit me shtysat që marrim nga ndjenjat, ndërgjegjja, këshillat, rrethanat, arsyetimet njerëzore apo nga shoqëria në përgjithësi? Si duhet të përpiqemi t’i zgjidhim këto kontradikta?

4.     A është punë e kotë të punosh për legjislacionin civil bazuar në standarde që janë në harmoni me parimet morale të Shkrimit? Përse ka arsye të shëndosha për të shpresuar se ne si përfundim do të jemi në gjendje që t’i mbushim mendjen një pjese të madhe të shoqërisë tonë, për të adaptuar ligje të cilat janë të përputhshme me normat e Shkrimit? Çfarë do ta pengonte këtë përpjekje?

TERMA TË VEÇANTË

     Zbulesa e përgjithshme

     Zbulesa natyrore

     Domosdoshmëria e Shkrimit

     Zbulesa e veçantë

BIBLIOGRAFIA

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton (pa trajtim të hollësishëm)

1930 Thomas, 258–260

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1983 Carter, 1:288–289

3. Baptiste

1767 Gill, 1:32–36

1976–1983 Henry, 1:17–29; 2:91–123; 4:494–522; 6:360–369

1983–1985 Erickson, 153–174

1987–1994 Lewis/Demarest, 1:59–92

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 1:48–60

5. Luterane

1934 Mueller, 90–98

6. E reformuar (apo presbiteriane)

1559 Calvin, 1:69–74, 838–849 (1.6; 3.19.6–16)

1724–1758 Edwards, 2:479–485

1861 Heppe, 31–33

1871–1873 Hodge, 1:18–60, 364–365

1878 Dabney, 64–78

1938 Berkhof, Intro. 128–133; 165–166

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/pentekostale)

1988–1992 Williams, 33–36, 239–241

  1. Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
  2. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott (pa trajtim të hollësishëm)

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:151–161; 245–281

Vepra të tjera

Berkouwer, G.C. Zbulesa e Përgjithshme (General Revelation). (Pa emër përkthyesi.) Grand Rapids: Eerdmans, 1955.

Demarest, Bruce A. Zbulesa e Përgjithshme (General Revelation). Grand Rapids: Zondervan, 1982.

_______. “Zbulesa, e Përgjithshme (Revelation, General).” Tek FUT ([90]EDT) fq. 944–-945.

Henry, Carl F.H. “Zbulesa, e Veçantë (Revelation, Special).” Tek FUT fq. 945–948.

Kuyper, Abraham. Parimet e Teologjisë së Shenjtë (Principles of Sacred Theology). Përkth. nga J.H. de Vries. Grand Rapids: Eerdmans, 1968, fq. 341–405 (botuar fillimisht nën titullin Enciklopedia e Teologjisë së Shenjtë (Encyclopedia of Sacred Theology) më 1898).

Packer, J.I. “Shkrimi (Scripture).” Tek FRT ([91]NDT) fq. 627–631.

Van Til, Cornelius. Hir i Përgjithshëm dhe Ungjilli (Common Grace and the Gospel). Nutley, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1973.

_______. Në Mbrojtje të Besimit (In Defense of the Faith) [92]vol. 1: Doktrina e Shkrimit (The Doctrine of Scripture). Ripon, Calif.: den Dulk Christian Foundation, 1967, fq. 1–15.

_______. Në Mbrojtje të Besimit (In Defense of the Faith) vol. 5: Një Hyrje në Teologjinë Sistematike (An Introduction to Systematic Theology). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1976, fq. 62–109.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Mateu” 4:4: Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ``Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.”’

HIMN

“MË MËSO O ZOT, RRUGËN TËNDE TË TË VËRTETËS (TEACH ME, O LORD, YOUR WAY OF TRUTH)”

(Përdor vijën e njohur melodike të “Jezusi do të mbretërojë (Jesus Shall Reign).”)

Më mëso o Zot, rrugën tënde të të vërtetës,

Dhe prej saj nuk do të largohem;

Në mënyrë që të bindem pa u lëkundur,

një zemër të arsyeshme më bëj të kem.

Më bëj të eci në urdhëresat e Tua,

Sepse gëzim do gjej në ligjin Tënd;

Më jep një zemër që e do vullnetin Tënd,

Ku pakënaqësia apo zilia, aty nuk kanë vend.

Largomi sytë nga kotësitë,

në rrugët e Tua më bëj të shkoj;

Oh bëj që shërbëtori Yt të shijojë Fjalën Tënde

E kësisoj në frikë të perëndishme të jetoj.

Largoje prej meje turpin dhe frikën time;

Gjykimet e drejtësisë Tënde unë do të pohoj;

Më ripërtëri në drejtësinë Tënde;

Të njoh parimet e Tua unë dëshiroj.

Nga Psalteri (The Psalter) 1912 (marrë nga “Ps.” 119:33–40)

Një himn alternativ për këtë kapitull, është një këngë e kohës tonë me tekst nga Shkrimi, e titulluar: “Kërkoni së Pari Mbretërinë e Perëndisë (Seek Ye First the Kingdom of God).” Vargu i dytë i kësaj kënge (“Njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë (Man shall not live on bread alone...)”) është një citim nga “Mateu” 4:4 dhe ai shpreh domosdoshmërinë e Shkrimit për ruajtjen e vazhdimësisë së jetës tonë shpirtërore. Ne jetojmë me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë. Vargjet e tjera të këngës, nuk flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë për doktrinën e domosdoshmërisë së Shkrimit, por përmbajnë fjalë për ftesën e ungjillit (vgj. 1, 4, 5). Të tëra vargjet e kësaj kënge, janë citime të drejtpërdrejta nga Shkrimi, dhe, si të tilla, do të jenë ushqim shpirtëror për të cilin ia vlen të këndojmë e që rreth tij të përsiatemi.

Pen
>