Kapitulli 39: Pagëzimi dhe mbushja me Frymën e Shenjtë
Lesson 41 Chapter 9 Module 7
Pagëzimi dhe mbushja me Frymën e Shenjtë
A duhet të kërkojmë një “pagëzim në Frymën e Shenjtë” pas kthimit në besim? Çfarë do të thotë të jesh i mbushur me Frymën e Shenjtë?
Librat e teologjisë sistematike, tradicionalisht nuk kanë përfshirë një kapitull mbi pagëzimin në Frymën e Shenjtë apo mbushjen me Frymën e Shenjtë si pjesë e studimit të “rendit të shpëtimit,” që është studimi i hapave të ndryshëm me të cilat dobitë e shpëtimit zbatohen në jetën tonë.[103]1 Por, me përhapjen e Pentakostalizmit që filloi më 1901, me ndikimin e gjerë të lëvizjes karizamatike në vitet 1960 dhe 1970, si dhe me rritjen mbresëlënëse të Pentakostalizmit dhe kishave karizmatike[104]2 në mbarë botën që prej vitit 1970 deri më sot, çështja e “pagëzimit me Frymën e Shenjtë” si tjetër gjë nga rigjenerimi, është bërë gjithnjë e më mbizotëruese. Këtë kapitull e kam vënë në këtë pikë të studimit tonë të zbatimit të shpengimit për dy arsye: (1) Një kuptim siç duhet i kësaj çështjeje, duhet të supozojë një kuptim të rigjenerimit, birësimit dhe shenjtërimit, të cilat janë diskutuar të tëra në kapitujt e mëparshëm. (2) Të tërë kapitujt e mëparshëm të zbatimit të shpengimit, kanë diskutuar ngjarjet të cilat ndodhin (apo në rastin e shenjtërimit, që fillon) në atë pikë në të cilën një person bëhet i krishterë. Por, kjo çështje, ka të bëjë me një ngjarje e cila ndodh ose në pikën e kthimit në besim (sipas njërës pikëpamjeje) ose dikur pas kthimit në besim (sipas një pikëpamjeje tjetër). Për më tepër, njerëz nga të dyja anët e kësaj çështjeje, janë dakord që një lloj përjetimi i dytë u ka ndodhur shumë njerëzve pas kthimit në besim dhe për rrjedhojë, një pyetje shumë e rëndësishme është se si ta kuptojmë këtë përvojë në dritën e Shkrimit, dhe cilat kategori të Shkrimit gjejnë me të vërtetë zbatim tek ajo.
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
A. Kuptimi Tradicional Pentakostal
Tema e këtij kapitulli është bërë e rëndësishme sot për shkak se shumë të krishterë thonë se kanë përjetuar një “pagëzim në Frymën e Shenjtë” që u ka ardhur pasi ata u bënë të krishterë dhe që solli një bekim të madh në jetën e tyre. Ata pretendojnë se lutja dhe studimi i Biblës janë bërë shumë më domethënëse dhe efikase, se kanë gjetur gëzim të ri në adhurim, dhe ata shpesh thonë se kanë marrë dhurata të reja frymërore (veçanërisht, dhe më shpesh, dhuratën e të folurit në gjuhë të panjohur).
Kjo pozitë tradicionale Pentakostale apo karizmatike, është mbështetur nga Shkrimi në mënyrën e mëposhtme:
(1) Dishepujt e Jezusit ishin besimtarë të rilindur sërish, shumë kohë përpara ditës së Rrëshajëve, ndoshta gjatë jetës dhe shërbesës së Jezusit, por padyshim që në kohën që Jezusi pas ringjalljes së Vet, “hukati mbi ta dhe u tha: ‘Merrni Frymën e Shenjtë”’ (Gjoni 20:22).
(2) Jezusi gjithsesi i urdhëroi dishepujt e Tij “të mos largoheshin nga Jerusalemi, por të prisnin premtimin e Atit” (Veprat 1:4), duke u thënë: “do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh” (Veprat 1:5). Ai u tha atyre: “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju” (Veprat 1:8). Dishepujt pastaj iu bindën urdhëresës së Jezusit dhe pritën në Jerusalem që Fryma e Shenjtë të vinte mbi ta, në mënyrë që ata të merrnin fuqizim për dëshmim dhe shërbesë.
(3) Pasi dishepujt kishin pritur për dhjetë ditë, erdhi dita e Rrëshajëve, dhe gjuhë flake zunë vend mbi kokën e secilit prej tyre, “Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin” (Veprat 2:4). Kjo tregon në mënyrë të qartë se ata morën një pagëzim në (ose me)[105]3 Frymën e Shenjtë. Paçka se dishepujt qenë rilindur sërish përpara Rrëshajëve, në ditën e Rrëshajëve ata morën një “pagëzim me Frymën e Shenjtë” (Veprat 1:5 dhe 11:16 i referohen kësisoj) që erdhi pas kthimit në besim e që çoi në një fuqizim të madh për shërbesë si dhe në të folurin në gjuhë të panjohura.[106]4
(4) Të krishterët sot, ashtu sikurse apostujt, duhet t’i kërkojnë Jezusit për një “pagëzim me Frymën e Shenjtë” dhe kështu të ndjekin modelin e jetëve të dishepujve.[107]5 Nëse ne marrim këtë pagëzim në Frymën e Shenjtë, kjo do të çojë në një fuqi shumë më të madhe për shërbesë për jetën tonë, ashtu sikurse bëri në jetën e dishepujve, dhe shumë shpesh (apo gjithnjë, sipas disa mësuesve) do të çojë gjithashtu në të folurin në gjuhë të panjohura.
(5) Mbështetje për këtë model, në të cilin njerëzit së pari rilinden e pastaj më vonë pagëzohen në Frymën e Shenjtë, shikohet në një sërë rastesh të tjera në librin e “Veprave”. Për shembull, shikohet tek “Veprat” 8, ku samaritanët fillimisht u bënë të krishterë kur ata “i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, u pagëzuan burra dhe gra” (Veprat 8:12), por vetëm më pas morën Frymën e Shenjtë kur apostujt Pjetër dhe Gjon erdhën nga Jerusalemi dhe u lutën për ta (Veprat 8:14–17).[108]6
Një shembull tjetër gjendet tek “Veprat” 19, ku Pali erdhi dhe gjeti “disa dishepuj” në Efes (Veprat 19:1). Por, “kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan” (Veprat 19:6).
Të tërë këto shembuj (Veprat 2, 8, nganjëherë 10, dhe 19)[109]7 janë cituar nga Pentakostalët me qëllim për të treguar që një “pagëzim me Frymën e Shenjtë” pas kthimit në besim, ishte një ndodhi shumë e përhapur për të krishterët e Besëlidhjes së Re. Për rrjedhojë, ata arsyetojnë, se nëse ishte e zakonshme për të krishterët tek “Veprat” që të kishin këtë përvojë të dytë dikur pas kthimit në besim, a nuk duhet të jetë kjo e zakonshme edhe për ne sot gjithashtu?
Këtë çështje të pagëzimit në Frymën e Shenjtë, mund ta analizojmë duke ngritur tri pyetje: (1) Çfarë do të thotë fraza “pagëzim në Frymën e Shenjtë” në Besëlidhjen e Re? (2) Si duhet t’i kuptojmë “përvojat e dyta” që u ndodhin besimtarëve të rilindur sërish në librin e Veprave? (3) A ka shprehje të tjera biblike si për shembull “mbushja me Frymën e Shenjtë,” të cilat janë më të përshtatshme për të përshkruar një fuqizim me Frymën e Shenjtë që vjen pas kthimit në besim?
B. Çfarë do të thotë “pagëzim me Frymën e Shenjtë” në Besëlidhjen e Re?
Në Besëlidhjen e Re, ka vetëm shtatë pasazhe kur lexojmë për ndokënd që pagëzohet në Frymën e Shenjtë. (Përkthimet anglisht të cituara këtu, përdorin fjalën me e jo në.) [110]8 Këto shtatë pasazhe, janë të mëposhtmit:
Në katër vargjet e para, Gjon Pagëzori flet për Jezusin dhe po parashikon se Ai do t’i pagëzojë njerëzit në (apo me) Frymën e Shenjtë:
“Mateu” 3:11: “Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i mbaj sandalet; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.”
“Marku: 1:8: “Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë.”
“Luka” 3:16: “Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t'ia zgjidh rripat e sandaleve; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.”
“Gjoni” 1:33: “ai, që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: ``Ai, mbi të cilin do të shikosh të zbresë Fryma dhe të qëndrojë mbi të, ky është që pagëzon me Frymën e Shenjtë.”’
Është e vështirë të dalësh në ndonjë përfundim duke u nisur nga këto katër pasazhe në lidhje me çfarë është në të vërtetë pagëzimi me Frymën e Shenjtë. Shikojmë se Jezusi është Ai i Cili do ta kryejë këtë pagëzim e do të pagëzojë pasuesit e Tij, por nuk jepen specifikime të mëtejshme të këtij pagëzimi.
Dy pasazhet e tjerë i referohen drejtpërsëdrejti Rrëshajës:
“Veprat” 1:5: [Këtu, Jezusi thotë] “Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh.”
“Veprat” 11:16: [Këtu Pjetri i referohet të njëjta fjalëve të Jezusit të cilat u cituan në vargun e mëparshëm. Ai thotë:] “Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit që thoshte: ``Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë.’”
Këto dy pasazhe na tregojnë se pavarësisht se si mund ta kuptojmë pagëzimin e Frymën e Shenjtë, padyshim që ai ndodhi në ditën e Rrëshajave, siç është dokumentuar tek “Veprat” 2, kur Fryma e Shenjtë ra me fuqi të madhe mbi dishepujt si dhe ata që ishin me ta, dhe ata folën në gjuhë të tjera, dhe rreth tremijë vetë u kthyen në besim (Veprat 2:14).
Është e rëndësishme që të kuptojmë se të gjashtë këto vargje përdorin pothuajse ekzaktësisht të njëjtën shprehje në greqisht, ku i vetmi dallim është një ndryshim në rendin e fjalëve apo në kohën e foljeve për t’iu përshtatur fjalisë, dhe me një shembull me kuptimin e parafjalës e jo të shprehur shkoqur.[111]9
E vetmja referencë që mbetet në Besëlidhjen e Re, është letra e Palit:
“1 Korintasve” 12:13: “Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në një trup, qofshin hebrenj apo grekë, skllevër a të lirë, dhe të gjithë jemi ujitur në një Frymë.”
Tani, pyetja është nëse “1 Korintasve” 12:13 i referohet të njëjtës veprimtari si këto gjashtë vargjet e tjera. Në shumë përkthime në anglisht, duket se është ndryshe sepse shumë përkthime janë të ngjashme me Biblën në versionin anglisht të titulluar [112]RSV, që thotë: “Sepse përmes një Fryme të tërë ne u pagëzuam në një trup.” Ata të cilët mbështetin pikëpamjen Petankostale të pagëzimit në Frymën e Shenjtë pas kthimit në besim, janë mjaft të zellshëm ta shikojnë këtë varg si referencë ndaj diçkaje ndryshe nga pagëzimi në Frymën e Shenjtë, dhe ata shpesh herë theksojnë dallimin që vjen në përkthimet në anglisht. Tek të tëra gjashtë vargjet e tjera, Jezusi është Ai i Cili i pagëzon njerëzit dhe Fryma e Shenjtë është “elementi” (paralel me ujin në pagëzimin fizik) në të Cilin (apo me të Cilin) Jezusi pagëzoi njerëzit. Por këtu, tek “1 Korintasve” 12:13 (kështu e ka shpjegimi Pentakostal) ne kemi diçka mjaft të ndryshme—këtu personi që bën pagëzimin nuk është Jezusi por Fryma e Shenjtë. Për rrjedhojë, ata thonë:“1 Korintasve” 12:13 nuk do të merret parasysh kur ne pyesim se çfarë nënkupton Besëlidhja e Re me “pagëzim në Frymën e Shenjtë.”
Kjo pikë është shumë e rëndësishme për pozitën Pentakostale, për shkak se nëse ne pranojmë se “1 Korintasve” 12:13 i referohet pagëzimit në Frymën e Shenjtë, atëherë është shumë e vështirë për t’i qëndruar mendimit se kjo është një përvojë e cila vjen pas kthimit në besim. Në këtë varg, Pali thotë se ky pagëzim në/me/nga Fryma e Shenjtë, na bëri pjesëtarë të trupit të Tij—“Ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në një trup” (1 Kor. 12:13). Por, nëse ky është me të vërtetë një “pagëzim në Frymën e Shenjtë,” e njëjta me ngjarjen e referuar në gjashtë vargjet e mëparshme, atëherë Pali po thotë se kjo u ndodhi të tërë Korintasve kur ata u bënë pjesëtarë të trupit të Krishtit; d.m.th., kur ata u bënë të krishterë. Sepse ishte ai pagëzim që rezultoi në qënien e tyre pjesëtarë të trupit të Krishtit, kishës. Një përfundim i tillë do të ishte shumë i vështirë për pozitën Pentakostale që beson se pagëzimi në Frymën e Shenjtë është diçka që ndodh pas kthimit në besim, e jo njëherësh me të.
A është e mundshme të mbajmë pikëpamjen Pentakostale që gjashtë vargjet e tjera i referohen një pagëzimi nga Jezusi në të cilin Ai na pagëzon në (apo me) Frymën e Shenjtë, por që “1 Korintasve” 12:13 i referohet diçkaje tjetër, një pagëzimi me Frymën e Shenjtë? Paçka se ky dallim bazuar tek disa përkthime në anglisht, duket se ka kuptim, në të vërtetë ai nuk gjen mbështetje nga një shqyrtim i tekstit në greqisht, sepse atje, kjo shprehje është pothuajse identike me shprehjen që kemi parë në gjashtë vargjet e tjera. Pali thotë ἐν ἑνὶ πνεύματι...ἐβαπτίσθημεν (“në një Frymë...ne u pagëzuam”). Përveç një ndryshimi të vogël (ai i referohet “një Fryme” e jo “Frymës së Shenjtë”),[113]10 të tërë elementët e tjerë janë të njëjtët: folja është βαπτίζω (G966) dhe fraza parafjalore përmban të njëjtat fjalë (ἐν, G1877, plus emrin në dhanore πνεύματι nga πνεῦμα, G4460). Po ta përkthejmë po të njëjtën shprehje greqisht “pagëzoj në Frymën e Shenjtë” (apo “pagëzoj me Frymën e Shenjtë”) në gjashtë përmendjet e tjera në Besëlidhjen e Re ku e hasim, atëherë duket me vend që ta përkthejmë në të njëjtën mënyrë edhe në përmendjen e shtatë. Nuk ka rëndësi se si e përkthejmë, duket e vështirë të mohojnë se lexuesit e parë do ta kishin parë këtë frazë si referencë ndaj të njëjtës gjëje me gjashtë vargjet e tjera, për shkak se për ta, këto fjalë nënkuptonin të njëjtën gjë.
Por përse përkthimet moderne në anglisht e kanë përkthyer këtë varg me kuptimin: “Nga një Frymë ne jemi pagëzuar të tërë në një trup,” duke i dhënë kështu një mbështetje të dukshme interpretimit Pentakostal? Ne duhet që në radhë të parë të vërejmë që versioni në anglisht i Biblës [114]NASB e jep “në” si një përkthim anash faqes, dhe NIV anash faqes e jep edhe “me” edhe “në” si alternativa. Arsyeja përse këto përkthime kanë zgjedhur fjalën “me anë të” është e qartë se është dëshira për të shmangur një dukje të dy vendeve për pagëzim në të njëjtën fjali. Fjalia e thotë tashmë që ky pagëzim ishte “në një trup,” dhe ndoshta përkthyesve iu duk jo shumë e përshtatshme që të thonin: “në një Frymë ne u pagëzuam të tërë në një trup.” Gjithsesi, kjo nuk duhet parë si një vështirësi e madhe, sepse Pali thotë duke iu referuar izraelitëve: “të gjithë u pagëzuan mbi Moisiun në re dhe në det” (1 Kor. 10:2)—një shprehje shumë e afërt paralele ku reja dhe deti janë “elementët” të cilët rrethuan apo kapluan popullin Izraelit dhe Moisiu do të thotë jeta e re e pjesëmarrjes në besëlidhjen e Moisiut si dhe në përbashkësinë e njerëzve të Perëndisë (të drejtuar nga Moisiu) ku izraelitët u gjendën pasi kishin kaluar nëpër renë dhe detin. Nuk është se për të njëjtin pagëzim kishte dy vende, por se njëri ishte elementi në të cilin ata u pagëzuan, ndërsa tjetri qe vendi në të cilin ata e gjetën veten pas pagëzimit. Kjo është shumë e ngjashme me “1 Korintasve” 12:13: Fryma e Shenjtë qe elementi në të cilin ata u pagëzuan, dhe trupi i Krishtit, kisha, ishte vendi në të cilin ata e gjetën veten pas atij pagëzimi.[115]11 Kështu, duket e përshtatshme të dalim në përfundimin se “1 Korintasve” 12:13 i referohet gjithashtu pagëzimit “në” apo “me” Frymën e Shenjtë, dhe i referohet të njëjtës gjë me gjashtë vargjet e tjera të përmendura më lart.
Por kjo ka një rrjedhojë të rëndësishme për ne: do të thotë se, për sa i takon apostullit Pal, pagëzimi në Frymën e Shenjtë ndodh në kthimin tonë në besim. Ai thotë se të tërë të krishterët u pagëzuan në Frymën e Shenjtë dhe rezultati ishte që ata u bënë pjesëtarë të trupit të Krishtit: “Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në një trup” (1 Kor. 12:13). Me “pagëzimin në Frymën e Shenjtë,” për rrjedhojë, ne duhet t’i referohemi veprimtarisë së Frymës së Shenjtë në fillim të jetës së krishterë, kur Ai na jep jetë të re frymërore (në rigjenerim) dhe na pastron e na jep një shkëputje të qartë nga fuqia dhe dashuria për mëkatin (faza fillestare e shenjtërimit). Në këtë mënyrë “pagëzimi në Frymën e Shenjtë” i referohet gjithçkaje që Fryma e Shenjtë bën në fillim të jetës tonë të krishterë. Por, kjo do të thotë se nuk mund t’i referohet një përvoje pas kthimit në besim siç e paraqesin interpretimet Pentakostale.[116]12
Por atëherë, si e kuptojmë referencën ndaj pagëzimit në Frymën e Shenjtë tek “Veprat” 1:5 dhe 11:6, të cilat të dyja i referohen ditës së Rrëshajëve? A nuk ishin këto raste në të cilat dishepujt, duke qenë se më përpara qenë rigjeneruar nga Fryma e Shenjtë, tani përjetuan një fuqizim të ri prej Tij që i bëri ata të aftë që të shërbenin me efikasistet?
Është e vërtetë që dishepujt qenë “të rilindur” që shumë kohë përpara Rrëshajës, dhe faktikisht, me shumë mundësi që përpara se Jezusi të frynte mbi ta e t’u thoshte të merrnin Frymën e Shenjtë tek “Gjoni” 20:22.[117]13 Jezusi kishte thënë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44), por dishepujt padyshim e kishin pranuar Jezusin dhe e kishin ndjekur Atë (paçka se niveli i kuptimit prej tyre se kush ishte Ai, po rritej gradualisht me kalimin e kohës). Padyshim që kur Pjetri i tha Jezusit: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Mat. 16:16), kjo ishte provë e një lloj pune rigjenerimi të Frymës së Shenjtë në zemrën e Tij. Jezusi i tha atij: “këtë nuk ta zbuloi as mishi, as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mat. 16:17). Gjithashtu Jezusi i kishte thënë Atit në lidhje me dishepujt e Tij: “sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe besuan se ti më dërgove.... Unë i ruajta ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.” (Gjoni 17:8, 12). Dishepujt ishin “besimpakë” (Mat. 8:26) nganjëherë, por nuk është se nuk kishin besim! Padyshim që ata ishin rigjeneruar shumë kohë përpara ditës së Rrëshajës.[118]14
Por, ne duhet të kuptojmë se dita e Rrëshajës është shumë më tepër se një ngjarje individuale në jetën e dishepujve të Jezusit, si dhe të atyre që ishin me ta. Dita e Rrëshajës ishte pika e kalimit mes punës së besëlidhjes së vjetër si dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë nga njëra anë, si dhe veprës së besëlidhjes së re si dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë nga ana tjetër. Sigurisht që Fryma e Shenjtë po punonte përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër, duke lëvizur mbi ujërat e ditës së parë të krijimit (Zan. 1:2), duke i fuqizuar njerëzit për shërbesë ndaj Perëndisë dhe për udhëheqësi e profeci (Eks. 31:3; 35:31; L. i P. 34:9; Gjyq. 14:6; 1 Sam. 16:13; Ps. 51:11, etj.). Por gjatë asaj kohe, vepra e Frymës së Shenjtë në jetët individuale, në përgjithësi ishte një vepër me më pak fuqi.
Ka një sërë treguesish të një pune më pak të fuqishme e më të zgjeruar të Frymës së Shenjtë në besëlidhjen e vjetër: Fryma e Shenjtë erdhi vetëm tek pak vetë me një fuqi të ndjeshme për shërbesë (Num. 11:16–17, për shembull), por Moisiu me zor priste ditën kur Fryma e Shenjtë të derdhej tek të tërë njerëzit e Perëndisë: “Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e ZOTIT dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!” (Num. 11:29). Pajisja që Fryma e Shenjtë bën për shërbesa të veçanta, mund të humbasë, ashtu sikurse ndodhi në jetën e Saulit (1 Sam. 16:14), dhe ashtu sikurse Davidi pati frikë se mund të ndodhte në jetën e tij (Ps. 51:11). Në lidhje me fuqinë frymërore në jetën e njerëzve të Perëndisë, kishte pak fuqi mbi mbretërinë e Satanit, gjë që çon në një ungjillëzim shumë pak efikas të kombeve rreth Izraelit, si dhe nuk ka shembuj të aftësisë për të dëbuar demonë.[119]15 Vepra e besëlidhjes së vjetër e Frymës së Shenjtë, ishte pothuajse tërësisht e kufizuar tek kombi i Izraelit, por në besëlidhjen e Re, është krijuar një “banesë e Perëndisë në Frymë” (Efe. 2:22) që është e re, që është kisha që bashkon dhe johebrenjtë edhe hebrenjtë në trupin e Krishtit.
Për më tepër, populli i Perëndisë në Besëlidhjen e Vjetër priste për një epokë “besëlidhjeje të re”, në të cilën vepra e Frymës së Shenjtë do të ishte shumë më e fuqishme si dhe shumë më të përhapura (Num. 11:29; Jer. 31:31–33; Ezek. 36:26–27; Joel 2:28–29).[120]16
Kur Besëlidhja e Re ngre siparin e saj, shikojmë Gjon Pagëzorin si profetin e fundit të Besëlidhjes së Vjetër. Jezusi tha: “Ndër ata që janë lindur prej grave nuk ka dalë kurrë një më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai... të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni. Dhe, në daçi ta pranoni, ai është Elia që duhej të vijë” (Mat. 11:11–14). Gjoni e dinte se ai vetë pagëzonte me ujë, por Jezusi do të pagëzonte me Frymën e Shenjtë (Gjoni 3:16). Atëherë, Gjon Pagëzori po jetonte ende në përvojën e “besëlidhjes së vjetër” të të punuarit të Frymës së Shenjtë.
Në jetën e Jezusit, ne fillimisht shikojnë fuqinë e besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë në punë. Fryma e Shenjtë zbriti tek Ai kur u pagëzua (Luka 3:21–22), dhe pas tundimit të Tij, Jezusi “në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile” (Luka 4:14). Pastaj ne fillojmë të shikojmë se si do të jetë kjo fuqi e besëlidhjes së re e Frymës së Shenjtë, për shkak se Jezusi dëbon demonët me një fjalë të vetme, shëron të tërë që i sjellin Atij, dhe jep mësim me një autoritet të cilin njerëzit nuk e kishin dëgjuar më përpara (shiko Luka 4:16–44, etj.).
Gjithsesi, dishepujt, nuk e marrin këtë fuqizim të plotë të besëlidhjes së re për shërbesë, deri sa vjen dita e Rrëshajëve, sepse Jezusi u thotë që të presin në Jerusalem, dhe u premton: “do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju” (Veprat 1:8). Ky qe një tranzicion në jetët e dishepujve gjithashtu (shiko Gjoni 7:39; 14:17; 16:7; Veprat 2:16). Premtimi i Joelit që Fryma e Shenjtë do të vinte në plotësinë e Besëlidhjes së Re, u përmbush (Vep. 2:16) ndërkohë që Jezusi u kthye në qiell e pastaj iu dha autoritet që të derdhte Frymën e Shenjtë në një plotësi dhe fuqi të re (Veprat 2:33).
Cili ishte rezultati në jetën e dishepujve? Ata besimtarë të cilët kishin patur një përjetim të besëlidhjes së vjetër të Frymës së Shenjtë, përjetim ky më pak i fuqishëm në jetën e tyre, morën në Ditën e Rrëshajës një përjetim më të fuqishëm të besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë që punonte në jetën e tyre.[121]17 Ata morën një “fuqi” shumë më të madhe (Veprat 1:8), fuqi për jetimin e jetës së krishterë si dhe për kryerjen e shërbesës së krishterë.
Ky kalim nga një përjetim i besëlidhjes së vjetër të Frymës së Shenjtë tek një përjetim i besëlidhjes së Re të Frymës së Shenjtë, mund të shikohet tek figura 39.1.[122]18
Rrëshaja Epoka që do të vijë Kthimi i Krishtit
Kjo Epokë Përjetimet në Besëlidhjen e Vjetër Përjetimet në Besëlidhjen e Re
të Frymës së Shenjtë të Frymës së Shenjtë
Figura 39.1: Në ditën e Rrëshajëve, besimtarët përjetuan një kalin nga një përjetim i Besëlidhjes së Vjetër i Frymës së Shenjtë tek një përjetim më i fuqishëm i Besëlidhjes së Re i Frymës së Shenjtë
Në këtë diagram, vija më e hollë në fund përfaqëson punën më pak të fuqishme të Frymës së Shenjtë në jetën e individëve gjatë besëlidhjes së vjetër. Vija më e trashë e cila fillon në ditën e Rrëshajëve, tregon veprën e cila është më e fuqishme e Frymës së Shenjtë në jetët e njerëzve pas asaj kohe. Linjat për “këtë epokë” si dhe për “epokën që do të vijë” mbivendosen tani për shkak se fuqitë e epokës që do të vijë janë thyer në këtë epokë të ligë të tashme, kështu që të krishterët jetojnë gjatë një “mbivendosjeje epokash.” Vijat e ndërprera përpara Rrëshajëve, tregojnë se në jetën e Jezusit, vepra më e fuqishme e Frymës së Shenjtë tashmë kishte filluar në një mënyrë e cila krijonte pritshmërinë (e madje edhe tejkalonte) atë që do të vinte në ditën e Rrëshajës.[123]19
Kjo fuqi e re besëlidhore u dha dishepujve më shumë efikasitet në dëshmimin dhe shërbesën e tyre (Vep. 1:8; Efe. 4:8, 11–13), një fuqi shumë më të madhe për të patur fitore mbi ndikimin e mëkatit në jetën e të tërë besimtarëve (vëre theksin që i vihet fuqisë së ringjalljes së Krishtit i Cili punon brenda nesh tek “Rom.” 6:11–14; 8:13–14; “Gal.” 2:20; “Fil.” 3:10), dhe fuqi për fitore mbi Satanin dhe forcat demonike të cilat do t’i sulmonin besimtarët (2 Kor. 10:3–4; Efe. 1:19–21; 6:10–18; 1 Gjonit 4:4). Kjo fuqi e besëlidhjes së re e Frymës së Shenjtë çoi gjithashtu në një shpërndarje të gjerë e të re të fuqisë së Frymës së Shenjtë, çoi gjithashtu në një shpërndarje të gjerë e deri atëherë të panjohur të dhuratave për shërbesë ndaj të tërë besimtarëve (Veprat 2:16–18; 1 Kor. 12:7, 11; 1 Pjetrit 4:10; kr. Num. 11:17, 24–29). Këto dhurata kishin gjithashtu rrjedhoja të përgjithshme edhe për të tjerët për shkak se ato kishin për qëllim të mos përdoreshin në mënyrë individualiste, por për ndërtimin e përgjithshëm e trupit të Krishtit (1 Kor. 12:7; 14:12). Kjo do të thotë gjithashtu se ungjilli nuk ishte më i kufizuar në mënyrë efikase tek vetëm judenjtë, por që të tëra racat si dhe të tërë kombet do të dëgjonin ungjillin me fuqi si dhe do të bashkoheshin në kishë, për lavdi të Perëndisë (Efe. 2:11–3:10).[124]20 Dita e Rrëshajëve qe padyshim një kohë mbresëlënëse tranzicioni në të tërë historinë e shpengimit, ashtu sikurse ajo dokumentohet tek Shkrimi. Ishte një ditë mbresëlënëse në historinë e botës, për shkak se në atë ditë, Fryma e Shenjtë filloi të funksiononte ndër njerëzit e Perëndisë me një fuqi të re besëlidhjeje.
Por ky fakt na ndihmon të kuptojmë atë që u ndodhi dishepujve në ditën e Rrëshajëve. Ata morën këtë fuqizim mbresëlënës të ri nga Fryma e Shenjtë për shkak se ata po jetonin në kohën e tranzicionit mes veprës së besëlidhjes së vjetër të Frymës së Shenjtë si dhe punës së besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë. Paçka se ishte një “përvojë e dytë” e Frymës së Shenjtë, që erdhi shumë kohë pas kthimit të tyre në besim, ajo nuk duhet marrë si një model për ne, sepse ne nuk po jetojmë në një kohë tranzicioni në punën e Frymës së Shenjtë. Në rastin e tyre, besimtarët me një fuqizim nga besëlidhja e vjetër prej Frymës së Shenjtë, u bënë besimtarë me një fuqizim të besëlidhjes së re nga Fryma e Shenjtë. Por ne sot nuk bëhemi së pari besimtarë me një vepër më të dobët të besëlidhjes së vjetër të Frymës së Shenjtë në zemrat tona dhe të presim derisa ca kohë më vonë që të marrim një vepër të besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë. Përkundrazi, ne jemi në të njëjtën pozitë me ata të cilët u bënë të krishterë në kishën e Korintit: kur ne u bëmë të krishterë, të tërë u “pagëzuam në një Frymë të vetëm në një trup” (1 Kor. 12:13)—njësoj si edhe korintasit, dhe ashtu sikurse ndodhi edhe me besimtarët e rinj në shumë kisha të cilët u kthyen në besim kur Pali ndërmori udhëtimet e veta misionare.
Si përfundim, dishepujt padyshim që përjetuan “një pagëzim në Frymën e Shenjtë” pas kthimit në besim në Ditën e Rrëshajëve, por kjo gjë ndodhi për shkak se ata po jetonin në një pikë unikale të historisë, dhe kjo ngjarje në jetën e tyre, për rrjedhojë nuk është një model që ne duhet të kërkojmë ta imitojmë edhe ne.
Ç’të themi për frazën: “pagëzim në Frymën e Shenjtë”? Ajo është një frazë të cilën autorët e Besëlidhjes së Re e përdorin për të folur për hyrjen në fuqinë e besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë. Kjo ndodhi në ditën e Rrëshajëve për dishepujt, por ndodhi në kthimin në besim për korintasit si dhe për ne.[125]21
Ajo nuk është një frazë të cilën autorët e Besëlidhjes së Re do ta përdornin për ndonjë përjetim pas kthimit në besim të fuqizimit prej Frymës së Shenjtë.
C. Si duhet t’i kuptojmë “Përjetimet e dyta” tek “Veprat”?
Por, edhe nëse e kemi kuptuar siç duhet përvojën e dishepujve në ditën e Rrëshajës, ashtu sikurse ajo është dokumentuar tek “Veprat” 2, a nuk ka shembuj të tjerë të njerëzve të cilët kanë patur një “përjetim të dytë” të fuqizimit prej Frymës së Shenjtë pas kthimit në besim, si ato tek “Veprat” 8 (në Samari), “Veprat” 10 (familja e Kornelit), si dhe “Veprat” 19 (dishepujt efesianë)?
Këto nuk janë me të vërtetë shembuj bindës të cilët vërtetojnë doktrinën Pentakostale të pagëzimit në Frymën e Shenjtë. Pikë së pari, shprehja “pagëzim me Frymën e Shenjtë” nuk përdoret zakonisht për t’iu referuar ndonjërës prej këtyre ngjarjeve,[126]22 dhe kjo gjë duhet të na bëjë të ngurrojmë në zbatimin e kësaj fraze ndaj tyre. Por, ajo që është më e rëndësishme, një shqyrtim i kujdesshëm i secilit rast, do të zbulonte më qartë atë që po ndodhte në këto ngjarje.
Tek “Veprat” 8:4–25 samaritanët “i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit” dhe “u pagëzuan burra dhe gra” (Veprat 8:12). Disa kanë thënë se ky nuk ishte besim shpëtues i mirëfilltë nga ana e samaritanëve.[127]23 Sidoqoftë, nuk ka asnjë tregues në këtë tekst që të na bëjë të mendojmë se Filipi kishte një kuptim të mangët të ungjillit (ai kishte qenë një figurë e spikatur në kishën e Jerusalemit) apo se Filipi vetë mendoi se besimi i tyre në Krishtin qe i pamjaftueshëm, sepse ai lejoi që ata të pagëzoheshin (Veprat 8:12).
Një kuptim më i mirë i kësaj ngjarjeje do të ishte që Perëndia, në provaninë e Tij, në mënyrë sovrane priti që t’u japë fuqizimin e besëlidhjes së re prej Frymës së Shenjtë samaritanëve drejtpërsëdrejti përmes duarve të apostujve (Veprat 8:14–17)[128]24 në mënyrë që të mund të ishte e dukshme për udhëheqësinë më të lartë në kishën e Jerusalemit që samaritanët nuk ishin qytetarë të dorës së dytë por pjesëtarë me të drejta të plota të kishës. Kjo qe e rëndësishme për shkak të armiqësisë historike mes judenjve dhe samaritanëve (“judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët,” Gjoni 4:9), dhe për shkak se Jezusi kishte specifikuar që përhapja e ungjillit në Samari do të ishte hapi tjetër madhor pasi të ishte predikuar në Jerusalem si dhe në rajonin e Judesë që shtrihej përreth Jerusalemit: “do të më bëheni dëshmitarë në Jerusalem dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8). Kështu, ngjarja tek “Veprat” 8 qe një lloj “Rrëshaje samaritane,” një derdhje e veçantë e Frymës së Shenjtë mbi samaritanët të cilët ishin një racë e përzierë judenjsh dhe johebrenjsh, në mënyrë që të ishte e dukshme për të tërë se bekimet dhe fuqia e plotë e besëlidhjes së re dhe fuqia e Frymës së Shenjtë, kishin ardhur edhe mbi këtë grup njerëzish gjithashtu e nuk ishin të kufizuara vetëm tek judenjtë. Për shkak se kjo është një ngjarje e veçantë në historinë e shpengimit, ndërkohë që modeli i “Veprave” 1:8 kryhet në librin e “Veprave”, ky nuk është një model i cili duhet të përsëritet prej nesh sot. Është thjesht pjesë e tranzicionit mes përvojës së besëlidhjes së vjetër të Frymës së Shenjtë, si dhe përvojës së besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë.
Situata tek “Veprat” 10 është më pak e ndërlikuar, sepse nuk është aq e qartë nëse Korneli ishte një besimtar i mirëfilltë përpara se Pjetri shkoi dhe i predikoi ungjillin. Padyshim që ai nuk i kishte besuar Krishtit për shpëtim. Ai është përkundrazi një johebre i cili qe një nga shembujt e parë të mënyrës në të cilën ungjilli do të shkonte “deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8).[129]25 Padyshim që Korneli nuk kishte besuar fillimisht në vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit për ta shpëtuar atë e më pas të kishte patur një përvojë të dytë pas kthimit të Tij në besim.
Tek “Veprat” 19, edhe një herë tjetër ne hasim një rast ku disa njerëz me të vërtetë nuk e kishin dëgjuar ungjillin e shpëtimit përmes Krishtit. Ata ishin pagëzuar me pagëzimin e Gjon Pagëzorit (Veprat 19:3), kështu që me shumë mundësi ata ishin njerëz të cilët e kishin dëgjuar Gjon Pagëzorin të predikonte, apo kishin folur me të tjerë njerëz të cilët kishin dëgjuar Gjon Pagëzorin të predikonte, dhe ishin pagëzuar “Në pagëzimin e Gjonit” (Veprat 19:3) si shenjë që ata po pendoheshin për mëkatet e tyre dhe se po përgatiteshin për Mesinë që do të vinte. Ata padyshim që nuk kishin dëgjuar për vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, sepse ata nuk kishin dëgjuar as që kishte një Frymë të Shenjtë (Veprat 19:2)!—fakt ky që askush nga ata që ishin të pranishëm në ditën e Rrëshajave apo që kishte dëgjuar ungjillin pas ditës së Rrëshajave nuk do të kishte se si mos ta dinte. Ka të ngjarë që ata nuk kishin dëgjuar madje as se Jezusi kishte ardhur, jetuar dhe vdekur për shkak se Palit i ishte dashur t’u shpjegonte se: “Gjoni pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtin” (Veprat 19:4). Për rrjedhojë, këta “dishepuj” në Efes, nuk kishin një kuptim të besëlidhjes së re apo besim të besëlidhjes së re, dhe ata padyshim nuk kishin një fuqizim të besëlidhjes së re prej Frymës së Shenjtë—ata ishin “dishepuj” vetëm në kuptimin e të qenurit pasues të Gjon Pagëzorit, të cilët ishin ende duke pritur për Mesinë. Kur ata dëgjuan për Të, e besuan, dhe pastaj morën fuqinë e Frymës së Shenjtë që ishte e përputhshme me ungjillin e Zotit Jezus Krisht të ringjallur.
Për shkak të kësaj, këta dishepuj në Efes, padyshim që nuk janë një model as për ne sot, edhe sepse ne nuk është se fillimisht kemi besim në një Mesi për të cilin po presim, e pastaj më vonë mësojmë se Jezusi ka ardhur dhe jetuar, vdekur e ringjallur. Ne vijmë në një kuptim të ungjillit të Krishtit aty për aty, dhe ne, ashtu sikurse korintasit, hyjmë menjëherë në përvojën e besëlidhjes së re të fuqisë së Frymës së Shenjtë.[130]26
Për rrjedhojë duket se nuk ka tekste të Besëlidhjes së Re të cilat na inkurajojnë të kërkojmë për një përjetim të dytë të “pagëzimit në Frymën e Shenjtë” që vjen pas kthimit në besim.
D. Çfarë termash do të përdorim për t’iu referuar një fuqizimi nga Fryma e Shenjtë që vjen pas kthimit në besim?
Seksionet e mëparshme kanë argumentuar se “pagëzim me Frymën e Shenjtë” nuk është termi që autorët e Besëlidhjes së Re do të përdornin për të folur për një punë të Frymës pas kthimit në besim, dhe se shembujt e “përjetimeve të dyta” të marrjes së Frymës së Shenjtë në librin e “Veprave” nuk janë shembuj për ne për t’u imituar në jetën tonë të krishterë. Gjithsesi, mbetet pyetja: “Çfarë po ndodh faktikisht me ata miliona njerëz të cilët pretendojnë se kanë marrë këtë “pagëzim në Frymën e Shenjtë’ e që ai ka sjellë shumë bekime në jetën e tyre? A mund të ketë qenë kjo një vepër e mirëfilltë e Frymës së Shenjtë por që kategoritë biblike si dhe shembujt biblike të përdorur për ta ilustruar kanë qenë të pasaktë? A ka mundësi që të ketë shprehje të tjera biblike si dhe mësime biblike të cilat tregojnë për tek kjo lloj pune e Frymës së Shenjtë pas kthimit në besim e që na ndihmon ta kuptojmë atë në mënyrë më të saktë?” Unë mendoj se po, por përpara se t’i shikojmë këto, është me vend që të komentojmë rëndësinë e të paturit një kuptim të saktë në këtë pikë.
1. Kisha dëmtohet nga mësimet mbi krishterimin me dy klasa. Në kohë të ndryshme të historisë së kishës, të krishterë të caktuar janë përpjekur ta ndajnë kishën në dy kategori besimtarësh. Kjo është praktikisht ajo që ndodh me doktrinën pastorale të pagëzimit në Frymën e Shenjtë. Kjo mund të paraqitet si në figurën 39.2, që tregon botën të ndarë në të krishterë dhe jo të krishterë, dhe pastaj tregon të krishterët të ndarë në dy kategori, besimtarë të zakonshëm si dhe besimtarë të pagëzuar në Frymë.
Të krishterë Të krishterë të pagëzuar në frymë Të krishterë të zakonshëm Jo të krishterë |
Figura 39.2: Të krishterët e ndarë në dy kategori: Të zakonshëm dhe të pagëzuar në Frymë
Por një ndarje e tillë e të krishterëve në dy kategori nuk është një kuptim unikal që gjendet në mësimin e pentakostalëve të shekullit të njëzetë. Në fakt, një pjesë e mirë e mësimit Pentakostal doli nga grupet e mëparshme të shenjtërisë të cilat jepnin mësim se të krishterët mund të ishin ose besimtarë të zakonshëm, ose besimtarë të “shenjtëruar”. Grupet e tjera i kanë ndarë të krishterët duke përdorur kategori të ndryshme, si për shembull, besimtarë të zakonshëm dhe ata të cilët janë “të mbushur me Frymën,” apo besimtarë të zakonshëm dhe ata të cilët janë “dishepuj,” apo të krishterë “mishorë” dhe “frymërorë”. Në fakt, Kisha Katolike Romake prej shumë kohësh nuk ka patur dy por tre kategori: besimtarë të zakonshëm, priftërinj si dhe shenjtorë. Të tëra këto ndarje në kategori të ndryshme të të krishterëve, mund të shikohen në figurën 39.3.[131]27
Të krishterë të mbushur me Frymën | Të krishterë frymërorë | Të krishterë të “Shenjtëruar” | “Dishepuj” | Shenjtorë | |
Priftërinj | |||||
Të krishterë | Të krishterë të zakonshëm | Të krishterë që jetojnë sipas mishit | Të krishterë të zakonshëm | Të krishterë të zakonshëm | Të krishterë të zakonshëm |
Jo të krishterë |
Figura 39.3: Mënyra të tjera se si njerëzit i kanë klasifikuar të krishterët, duke i ndarë ata në dy (apo tri) kategori
Paçka se ata të cilët japin mësim pikëpamjen klasike Pentakostale të pagëzimit në Frymën e Shenjtë mund të mohojnë se po synojnë t’i ndajnë të krishterët në dy kategori, një ndarje e tillë është e nënkuptuar për çdo herë që ata pyesin nëse dikush është pagëzuar në Frymën e Shenjtë apo jo. Një pyetje e tillë sugjeron me forcë se ka dy grupe të krishterësh, ata të cilët e kanë patur këtë përvojë të “pagëzimit në Frymën e Shenjtë” dhe ata që nuk e kanë patur.
Çfarë problemi ka t’i shikosh të krishterët sikur ekzistojnë në dy kategori të tilla? Problemi është se kjo kontribuon tek një mendësi e llojit “ne—ata” në kisha, si dhe çon në xhelozi, krenari dhe ndasi. Nuk ka rëndësi se sa shumë këta njerëz të cilët kanë marrë këtë fuqizim të veçantë nga Fryma e Shenjtë përpiqen të jenë të kujdesshëm dhe përfillës të atyre që nuk e kanë, nëse ata me të vërtetë i duan vëllezërit dhe motrat e tyre në Krishtin, dhe nëse kjo ka qenë një përvojë shumë ndihmuese në jetën e tyre të krishterë, ata nuk mund të mos lënë përshtypjen se ata do të donin që të tjerët të ndajnë gjithashtu përvojën e tyre. Edhe nëse ata nuk janë krenarë në zemrat e tyre (dhe mua më duket se shumica nuk janë) në lidhje me këtë përvojë, një bindje e tillë sipas të cilës ka një kategori të dytë të krishterësh, në mënyrë të pashmangshme do të lërë një përshtypje krenaria apo epërsie frymërore. Megjithëkëtë, do të ketë një ndjenjë xhelozie nga ana e atyre të cilët kanë patur një përvojë të tillë. Kësisoj, nxitet një pikëpamje e dy grupeve përbrenda kishës dhe akuza e përsëritur për ndasi që është ngritur kundër lëvizjes karizmatike, fiton kësisoj një farë besueshmërie. Në fakt, ndasitë hasen shpesh në kisha.
Kundërshtia kryesore ndaj kësaj pozite, është se vetë Besëlidhja e Re nuk na mëson për një krishterim me dy nivele apo klasa. Ne nuk lexojmë asgjëkund tek Letrat që Pali apo Pjetri t’i thotë një kishe e cila ka hasur në probleme: “Të tërë ju duhet të pagëzoheni në Frymën e Shenjtë.” Asgjëkund nuk lexojmë se Zoti Jezus i ringjallur t’u ketë thënë kishave të trazuara e të dobëta tek “Zbulesa” 2–3, “Më kërkoni t’ju pagëzoj me Frymën e Shenjtë.” Është e vështirë të shmangësh përfundimin që pikëpamja me dy nivele apo dy klasa që na jepet mësim nga të tëra këto grupe përgjatë gjithë historisë, nuk ka një themel të fortë në vetë Besëlidhjen e Re.
2. Ka shumë shkallë fuqizimi, përbashkësie me Perëndinë, si dhe pjekurie personale kristiane. A ka një model më të mirë për kuptimin e shkallëve të ndryshme të pjekurisë dhe fuqisë dhe përbashkësisë me Perëndinë që të krishterët përjetojnë? Nëse ne jemi të gatshëm që të eliminojmë kategoritë të cilat na bëjnë t’i mendojmë të krishterët si të njërit grup a të një grupi tjetër, një model më i mirë është i mundshëm, ashtu siç tregohet në figurën 39.4.
Të Krishterët Rritja e krishterë Jo të krishterët |
Figura 39.4: Një figurë më e mirë: Të krishterët kanë përjetuar shkallë të ndryshme rritjeje, por ata nuk duhet të ndahen në kategori të ndryshme
Kjo figurë e tregon botën të ndarë në jo të krishterë si dhe të krishterë, por ndër të krishterët nuk ka kategori në të cilat ne mund t’i vëmë besimtarët dhe t’i ndajmë ata në grupe të caktuara. Faktikisht, ka të krishterë në të gjitha etapat e një shkalle të gjatë të bërjes gjithnjë e më i pjekur si i krishterë (shenjtërim), një afërsi gjithnjë e më e madhe përbashkësie në ecjen e tyre me Perëndinë (një aspekt i birësimit), si dhe përvoja më të mëdha të fuqisë së Frymës së Shenjtë që punon në jetën dhe shërbesat e tyre.
Jeta e krishterë duhet të jetë një jetë rritjeje në të tëra këto fusha ndërkohë që ne përparojmë në jetë. Për shumë vetë, ajo rritje do të jetë graduale dhe progresive, dhe do të shtrihet përgjatë tërë viteve të jetës së tyre. Këtë mund ta tregonim përmes shigjetës në figurën 39.5.[132]28
Të krishterët | Rritja si i krishterë | |
Jo të krishterët | ||
Vitet e jetimit të jetës së krishterë |
Figura 39.5: Për pjesën më të madhe të të krishterëve, rritja do të jetë graduale dhe progresive, dhe ajo do të shtrihet përgjatë gjithë jetës së tyre
a. Si duhet ta kuptojmë përvojën bashkëkohore? Çfarë u ka ndodhur atëherë njerëzve të cilët thonë se kanë përjetuar një “pagëzim në Frymën e Shenjtë” i cili ka sjellë një bekim të madh në jetën e tyre? Në radhë të parë ne duhet të kuptojmë atë që jepet rëndom mësim rreth nevojës për t’u përgatitur për pagëzimin në Frymën e Shenjtë. Shumë shpesh, njerëzve u thuhet se u duhet të rrëfejnë të tëra mëkatet që dinë, të pendohen për çfarëdo mëkati që mbetet në jetën e tyre, t’i besojnë Krishtit për faljen e atyre mëkateve, t’ia dorëzojnë çdo fushë të jetës së tyre shërbimit të Zotit, t’ia nënshtrojnë veten plotësisht Atij, dhe të besojnë se Krishti do t’i fuqizojë ata në një mënyrë të re e se do t’i pajisë ata me dhurata të reja për shërbesë. Pastaj, pas kësaj përgatitjeje, ata inkurajohen t’i kërkojnë Jezusit me lutje t’i pagëzojë ata në Frymën e Shenjtë. Por çfarë bën kjo përgatitje? Ajo është një formulë e garantuar për një rritje të ndjeshme në jetën e krishterë! Një rrëfim, pendesë, përkushtim i ripërtërirë, dhe besim dhe pritshmëri të përlartësuara, nëse ato janë të vërteta, mund të sjellin vetëm rezultate pozitive në jetën e personit. Nëse ndonjë i krishterë është i sinqertë në këto hapa të përgatitjes për të marrë pagëzimin në Frymën e Shenjtë, padyshim që do të ketë rritje në shenjtërim si dhe një përbashkësi më të thellë me Perëndinë. Përveç kësaj, mund të presim që në shumë prej këtyre herëve që Fryma e Shenjtë me hir do të sjell një masë plotësie shtesë si dhe një fuqizim që të krishterët e sinqertë janë duke kërkuar, paçka se kuptimi i tyre teologjik si dhe fjalori i tyre mund të jetë jo i përsosur kur e kërkojnë. Nëse kjo gjë ndodhë, ata fare mirë mund të gjejnë një fuqi gjithnjë e më të madhe për shërbesë si dhe rritje gjithashtu në dhuratat frymërore. Do mund të thoshim se një person ka kaluar nga pika A në pikën B në figurën 39.6 dhe se ka bërë një hap shumë të madh përpara në jetën e krishterë.
Të Krishterët Jo të krishterët |
Figura 39.6: Një përjetim i vetëm, mund të çojë në një hap të madh rritjeje në jetën e krishterë
Sigurisht që lutja, studimi i Biblës dhe adhurimi do të duket më kuptimplotë. Sigurisht që ungjillëzimi do të jetë më i frytshëm ashtu sikurse edhe llojet e tjera të shërbesës. Por, është e rëndësishme të kuptojmë se dikush i cili kalon nga pika A tek pika B në tabelë, tani nuk është në një kategori të veçantë të krishterësh, si për shembull një grup i atyre që janë “pagëzuar në Frymën e Shenjtë” dhe që për rrjedhojë janë ndryshe prej atyre të cilët nuk kanë patur një përvojë të tillë. Mund të ketë një të krishter tjetër në të njëjtën kishë i cili nuk ka patur kurrë një hap të tillë të madh rritjeje, por që gjithsesi ka bërë një përparim të vazhdueshëm për dyzet vitet e fundit të jetës së tij apo të saj të krishterë e që ka ardhur në pikën C të tabelës më lart. Paçka se ai person nuk ka patur kurrë një përvojë të vetme të cilën Pentekostalët do ta quanin “pagëzim në Frymën e Shenjtë,” ai ose ajo është ende shumë më larg shtegut të rritjes së krishterë sesa i krishteri i ri i cili kohët e fundit është “pagëzuar në Frymën e Shenjtë” (sipas terminologjisë Pentakostale) e të kalojë nga pika A në pikën B. Paçka se të krishterët të cilët kaluan nga pika A në pikën B nuk janë larg nga jeta e krishterë sesa një person tjetër i cili është në pikën C, personi i cili kaloi në pikën B është padyshim më përpara se ai apo ajo ishte përpara dhe kjo është padyshim një rezultat pozitiv në jetën e tij apo të saj. Kështu, me këtë kuptim të jetës së krishterë, nuk kemi ndarje të të krishterëve në dy kategori.
Përpara se ta lëmë këtë tabelë, duhet vërejtur edhe diçka tjetër: në shumë raste, lëvizja karizmatike ka sjellë mësimin mbi pagëzimin e Frymës së Shenjtë në kisha më liberale ku, për shumë vite, nuk ka patur një shpallje të qartë të ungjillit të shpëtimit nëpërmjet besimit vetëm në Krishtin, dhe ku njerëzve nuk u është mësuar që ata mund të besojnë Biblën tërësisht si Fjalën e Perëndisë ndaj nesh. Në raste të tilla, shumë prej njerëzve në këto kisha nuk kanë përjetuar kurrë një besim shpëtues. Ata janë në pikën N në lidhje me tabelën e mësipërmes, faktikisht jo të krishterë dhe jo të rilindur.[133]29 Tani, kur një përfaqësues i ripërtëritjes karizmatike vjen tek këto kisha dhe u thotë se mund të përjetojnë një vitalitet të ri në jetën e krishterë të tyre, dhe pastaj u thotë se përgatitja për këtë është të pendohen për të gjitha mëkatet që dinë se kanë bërë, t’i kërkojnë Krishtit falje për ato mëkate e të besojnë se Ai ua fal, si dhe t’ia përkushtojnë tërësisht jetën e tyre Krishtit si Zoti i tyre, ata me zell reagojnë ndaj këtyre direksioneve. Pastaj ata luten dhe i kërkojnë Jezusit t’i pagëzojë me Frymën e Shenjtë. Rezultati aktual është që ata kalojnë nga pika N në tabelë, tek pika A apo ndoshta madje tek pika B, për shkak të sinqeritetit dhe zellit të tyre të madh për t’u afruar më shumë me Perëndinë. Ndërkohë që ata mendojnë se janë pagëzuar nga Fryma e Shenjtë si një përvojë e dytë në jetën e krishterë, ajo që ka ndodhur në fakt është se ata janë bërë të krishterë për herë të parë. (Ata janë “pagëzuar me Frymën e Shenjtë” në kuptimin e vërtetë të Besëlidhjes së Re!) Të nesërmen është pothuajse e pamundur t’i bësh të heshtin. Ata janë kaq të entuziazmuar. Papritur, leximi i Biblës është bërë kuptimplotë. Papritur lutja është bërë reale. Papritur ata e njohin praninë e Perëndisë në jetën e tyre. Papritur adhurimi është kthyer në një përvojë gëzimi të thellë dhe shpesh herë ata kanë nisur të përjetojnë dhurata frymërore të cilat nuk i kishin njohur më përpara. Nuk është për t’u habitur që ripërtëritja karizmatike ka sjellë një entuziazëm të tillë (dhe shpesh edhe shumë polemika) në shumë famulli Katolike Romake si dhe në shumë denominacione të pranuara gjerësisht e njëherësh më liberale Protestante. Paçka se ne mund të kemi dallime me mënyrën se si ky mësim paraqitet faktikisht, askush nuk duhet të bëjë me faj rezultatet e mira që kanë ardhur si rezultat i tij në këto kisha.
b. Çfarë termash duhet të përdorim sot? Tani ne mund të kuptojmë përse përdorimi prej nesh i termave për të përshkruar këtë përvojë si dhe kategorizimi që i bëjmë mënyrës se si e kuptojmë është kaq e rëndësishme. Nëse përdorim terminologjinë tradicionale Pentakostale të “pagëzimit të Frymës së Shenjtë,” atëherë pothuajse në mënyrë të pashmangshme përfundojmë me krishterim me dy kategori, sepse kjo shikohet si një përvojë e zakonshme e cila mundet dhe me të vërtetë që duhet t’u ndodhë të krishterëve në një pikë të caktuar kohore, dhe sapo të ketë ndodhur, nuk ka nevojë të përsëritet. Ajo shikohet si një përvojë e vetme e fuqizimit për shërbesë që është ndryshe nga përvoja e të kthyerit në të krishterë, dhe njerëzit ose e kanë marrë atë përvojë ose jo. Veçanërisht kur kjo përvojë është përshkruar në lidhje me atë që u ndodhi dishepujve në ditën e Rrëshajëve tek “Veprat” 2 (gjë që është e qartë se qe një përjetim i një here të vetme për ta), Samaritanët tek “Veprat” 8, si dhe dishepujt nga Efesi tek “Veprat” 19, nënkuptohet qartë se kjo është një ngjarje e ndodhur vetëm një herë e cila i fuqizon njerëzit për shërbesë por që gjithashtu i vë ata në një kategori apo grup tjetër nga ai në të cilën ata ishin përpara këtij përjetimi. Përdorimi i termit “pagëzimi në Frymën e Shenjtë” në mënyrë të pashmangshme nënkupton dy grupe të krishterësh.
Por nëse ne jemi të saktë në kuptimin e përvojës që u ka ndodhur miliona njerëzve në ripërtëritjen karizmatike si një hap i madh rritjeje në jetën e krishterë, atëherë një term tjetër nga “pagëzim në Frymën e Shenjtë” do dukej se do ishte më i përshtatshëm. Mund të ketë disa terma që ne do mund të përdornim, për sa kohë që ato lejojnë përsëritje, shkallë të ndryshme intensiteti si dhe zhvillim të mëtejshëm përtej asaj përvoje, dhe për sa kohë që ato nuk sugjerojnë se të tërë të krishterët me të vërtetë të bindur duhet të kenë të njëjtën përjetim.[134]30 Ne e kemi përdorur tashmë njërën shprehje, “një hap i madh rritjeje në një sërë aspektesh të jetës së krishterë.” Për shkak se kjo frazë bën fjalë për “një hap të madh rritjeje” ajo nuk mund të keqkuptohet si referencë ndaj një përjetimit të vetëm që i vë të krishterët në një kategori të re. Gjithashtu, për shkak se asaj i jemi referuar si një hap të madh rritjeje, kjo nënkupton qartësisht që edhe të tjerë njerëz mund të përjetojnë një rritje të tillë në hapa më të vegjël përgjatë një periudhe më të gjatë kohore, por që arrijnë të njëjtën pikë në jetën e krishterë.[135]31
Një term tjetër që mund të jetë i dobishëm, është “një fuqizim i ri për shërbesë.” Është padyshim e vërtetë që shumë vetë të cilët kanë marrë një përvojë të tillë karizmatike, gjejnë vërtetë fuqi të re për shërbesë në jetën e tyre të krishterë, përfshi këtu aftësinë për të përdorur dhurata frymërore të cilat nuk kanë qenë të tyret më përpara. Sidoqoftë, problemi me këtë frazë është se kjo nuk na thotë asgjë rreth përbashkësisë së thelluar me Perëndinë, efikasitetin më të madh në lutje dhe në studimin e Biblës, si dhe gëzimin e ri në adhurim, që shpesh vijnë nga kjo përvojë.
c. Çfarë është “Të qenurit i mbushur me Frymën”? Megjithatë, një term i përdorur rëndom në Besëlidhjen e Re, është: “të jesh i mbushur me Frymën e Shenjtë.” Për shkak të përdorimit të tij të shpeshtë në kontekstet të cilat flasin për rritjen në krishterim dhe shërbesë, ky më duket se është termi më i mirë për t’u përdorur në përshkrimin e “përjetimeve të dyta” të mirëfillta sot (apo përjetimeve të treta apo të katërta, etj.). Pali u thotë efesianëve: “Mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymën” (Efe. 5:18). Ai përdor një folje urdhërore të kohës së tashme e cila në mënyrë më të shkoqitur mund të përkthehet kështu: “Ji vazhdimisht i mbushur me Frymën e Shenjtë,” duke nënkuptuar se kjo është diçka e cila duhet t’u ndodhë në mënyrë të përsëritur të krishterëve. Një plotësi e tillë e Frymës së Shenjtë do të çojë në adhurim dhe mirënjohje të ripërtërirë (Efe. 5:19–20), si dhe në marrëdhënie të ripërtërira me të tjerët, veçanërisht me ata që janë në autoritet mbi ne apo me ata që janë nën autoritetin tonë (Efe. 5:21–6:9). Plus kësaj, përderisa Fryma e Shenjtë është Fryma që na shenjtëron, një mbushje e tillë shpesh do të rezultojë në më shumë shenjtërim. Për më tepër, përderisa Fryma e Shenjtë është Ai i Cili na fuqizon për shërbesën e krishterë e na jep dhurata frymërore, një mbushje e tillë shpesh do të çojë në fuqi të shtuar për shërbesë si dhe efikasitet të rritur e ndoshta larmi në përdorimin e dhuratave frymërore.
Tek libri i “Veprave” shikojmë shembuj të mbushjes së përsëritur me Frymën e Shenjtë. Tek “Veprat” 2:4, dishepujt si dhe ata që qenë me ta, “të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë.” Më pas, kur Pjetri po qëndronte përpara Sinedrit, lexojmë se: “Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre...” (Veprat 4:8). Por pak më vonë, kur Pjetri si dhe apostujt e tjerë ishin kthyer në kishë për të treguar atë që kishte ndodhur (Veprat 4:23) ata u bashkuan të gjithë në lutje. Pasi ishin lutur, ata u mbushën përsëri me Frymën e Shenjtë, një sekuencë ngjarjesh kjo që Luka e bën të qartë: “Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe flisnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi” (Veprat 4:31). Edhe pse Pjetri qe mbushur me Frymën e Shenjtë në ditën e Rrëshajëve (Veprat 2:4) dhe se më vonë ai qe mbushur me Frymën e Shenjtë përpara se t’i drejtohej Sinedrit (Veprat 4:8), ai u mbush edhe një herë tjetër me Frymën e Shenjtë pasi grupi i të krishterëve me të cilët ai qe takuar u lut.
Për rrjedhojë, është me vend që mbushjen me Frymën e Shenjtë ta kuptojmë jo si ngjarje që ndodh një herë në kohë por si një ngjarje e cila mund të ndodhë vazhdimisht në jetën e krishterë. Ajo mund të përfshijë një fuqizim të momentit për një shërbesë specifike (ashtu sikurse me sa duket ndodhi tek “Veprat” 4:8; 7:55), por mundet që gjithashtu t’i referohet një karakteristike të gjatë të jetës së personit (shiko Veprat 6:3; 11:24). Sido që të jetë, një mbushje e tillë mund të ndodhë shumë herë në jetën e një personi: edhe pse Stefani, si një dhjak i hershëm (apo ndihmës apostull), ishte një njeri “i mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi” (Veprat 6:3, 5), kur po e vrisnin me gurë, duket qartë se mori një mbushje të freskët e të re me Frymën e Shenjtë e me fuqi të madhe (Veprat 7:55).
Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se një person i cili është tashmë “plot” Frymën e Shenjtë, nuk mund të mbushet edhe më tepër. Nëse një gotë është plot me ujë, ajo nuk mund të nxërë edhe më tepër ujë. Por gota është një analogji e dobët për ne si njerëz realë, sepse Perëndia është në gjendje të na bëjë të rritemi e që të jemi në gjendje që të përmbajmë gjithnjë e më shumë plotësi dhe fuqi të Frymës së Shenjtë. Një analogji më e mirë mund të jetë një tullumbace që mund të jetë “plot” me ajër, edhe pse ka shumë pak ajër brenda. Kur i fryn më shumë ajër, tullumbaci zgjerohet e në një farë mënyre është “më plot.” Kështu është me ne: ne mund të jemi të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe njëkohësisht të jemi në gjendje të marrim më shumë prej Frymës së Shenjtë gjithashtu. Vetëm Jezusi ishte Ai që Ati i dha Frymën pa masë (Gjoni 3:34).
Kjo ndasi e cila vjen me termin: “pagëzim në Frymën e Shenjtë” mund të shmanget lehtësisht duke përdorur cilindo prej termave alternativë të përmendur në këtë seksion. Njerëzit mund të jenë mirënjohës për “një plotësi të re në Frymën e Shenjtë” apo “një fuqizim të ri për shërbesë” apo “një hap domethënës drejt rritjes” në disa aspekte të jetës së një të krishteri tjetër. Nuk do të kishte ndarje në “ne” dhe “ata,” sepse do të kuptonim se jemi të tërë pjesë e një trupi pa kategori të ndara.[136]32 Në fakt, shumë karizmatikë e madje edhe disa Pentakostalë tradicionalë sot, janë duke përdorur termin “pagëzim në Frymën e Shenjtë” shumë më rrallë, duke preferuar të përdorin terma të tjerë të tillë si: “të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë” në vend të saj.[137]33
Për e më tepër, shumë njerëz të cilët nuk kanë patur një përjetim të vetëm dramatik (një si ai të cilin Pentakostalët e kanë quajtur pagëzim në Frymën e Shenjtë) gjithsesi kanë filluar të përjetojnë liri dhe gëzim të ri në adhurim (shpesh me ardhjen e adhurimit modern apo këngëve të lavdërimit në kishat e tyre), si dhe që të përdorin një larmi më të gjerë dhuratash frymërore me efikasitet si dhe ndërtim frymëror për veten si dhe kishat e tyre (përfshi dhurata të tilla si shërim, profeci, kryerje e mrekullive, dallimi i frymëve, aftësia për të ushtruar autoritet mbi forcat demonike me lutje, si dhe një fjalë qortimi e folur drejtpërsëdrejti ndaj frymëve të këqij). Nganjëherë, dhurata e të folurit në gjuhë të panjohura si dhe dhurata e interpretimit, janë përdorur gjithashtu, por në raste të tjera, jo. E gjitha kjo është për të thënë se dallimet mes Pentakostalëve dhe karizmatikëve nga njëra anë, si dhe e të krishterëve ungjillorë tradicionalë dhe të qendrës nga ana tjetër, mua më duket se po sqarohen gjithnjë e më shumë, dhe ka gjithnjë e më pak dallime mes tyre.
Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se është specifikisht kjo përvojë e lutjes për një pagëzim në Frymën e Shenjtë që i katapulton njerëzit në një nivel të ri fuqie në shërbesë si dhe efektivitet në përdorimin e dhuratave frymërore. Përderisa ky përjetim ka qenë kaq i dobishëm në jetën e miliona njerëzve, a duhet që ta kalojmë kaq shpejt? Si përgjigje, duhet thënë se, nëse terminologjia “pagëzim në Frymën e Shenjtë” ndryshohet duke përdorur diçka më përfaqësuese të mësimit të Besëlidhjes së Re, nuk duhet të ketë kundërshtime ndaj të tërë njerëzve që vijnë në kisha, si dhe për t’i inkurajuar njerëzit që të përgatisin zemrat e tyre për një ripërtëritje frymërore përmes pendesës së sinqertë si dhe një përkushtimi të ripërtërirë ndaj Krishtit si dhe duke besuar që Fryma e Shenjtë mund të punojë në një mënyrë shumë më të fuqishme në jetën e tyre.[138]34 Nuk është aspak gabim t’u mësosh njerëzve të luten e që të kërkosh këtë mbushje më të madhe me Frymën e Shenjtë, apo të presësh e t’i kërkosh Zotit për një derdhje të më shumë dhuratave frymërore në jetën e tyre, për të mirën e trupit të Krishtit (shiko 1 Kor. 12:31; 14:1, 12). Faktikisht, pjesa më e madhe e të krishterëve ungjillorë në çdo denominacion, me të vërtetë që me zor presin për një fuqi më të madhe në shërbesë, një gëzim më të madh në adhurim, si dhe një përbashkësi më të thellë me Perëndinë. Shumë vetë gjithashtu do të mirëprisnin një kuptim më të madh të dhuratave frymërore si dhe një inkurajim për t’u përmirësuar në përdorimin e tyre. Nëse të krishterët pentakostalë dhe karizmatikë do të ishin të gatshëm që të jepnin mësim këto gjëra pa gjërat shtesë të krishterimit me dy nivele që nënkuptohet nga termi “pagëzim në Frymën e Shenjtë,” ata mund të arrijnë në një nivel të ri efikasiteti të rritur ndjeshëm në dhënien mësim në këto fusha të jetës së krishterë për ungjillorët në përgjithësi.
3. Të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë nuk rezulton gjithnjë në të folur në gjuhë të panjohura. Duhet sqaruar edhe një pikë tjetër në lidhje me përjetimin e të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë. Për shkak se kishte një sërë rastesh tek “Veprat” ku njerëzit morën fuqinë e besëlidhjes së re të Frymës së Shenjtë dhe filluan të flitnin njëherësh në gjuhë të panjohura (Veprat 2:4; 10:46; 19:6; me shumë mundësi e nënkuptuar edhe tek 8:17–19 për shkak të paralelizmit me përjetimin e dishepujve tek “Veprat” 2), mësimi Pentakostal ka thënë rëndom se shenja e jashtme e pagëzimit në Frymën e Shenjtë, është të folurit në gjuhë të panjohura (d.m.th., të folurit në gjuhë të cilat nuk kuptohen e as janë mësuar nga personi që i flet, qofshin këto gjuhë të njohura njerëzore ose lloje të tjera gjuhësh engjëllore apo qiellore apo të dhëna nëpërmjet mrekullish).[139]35
Por, është e rëndësishme që të kuptojmë se ka shumë raste ku të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë nuk rezultoi në të folurin në gjuhë të panjohura. Kur Jezusi u mbush me Frymën tek “Luka” 4:1, rezultati qe marrja forcë për të ngadhënjyer mbi tundimet e Satanit në shkretëtirë. Kur tundimet mbaruan, dhe Jezusi “në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile” (Luka 4:14), rezultatet ishin mrekullitë e shërimit, dëbimit të demonëve dhe mësimit me autoritet. Kur Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, ajo foli një fjalë bekimi ndaj Marisë (Luka 1:41–45). Kur Zakaria u mbush me Frymën e Shenjtë, ai profetizoi (Luka 1:67–79). Rezultate të tjera të të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë ishin predikimi i fuqishëm i ungjillit (Veprat 4:31), (ndoshta) mençuri dhe pjekuri e Krishterë si dhe arsyetim i shëndoshë (Veprat 6:3), predikim i fuqishëm dhe dëshmi në rastet kur të krishterët nxirreshin përpara gjyqit (Veprat 4:8), një vegim i qiellit (Veprat 7:55), dhe (me sa duket) besim dhe pjekuri në jetë (Veprat 11:24). Një sërë prej këtyre rasteve mund të nënkuptojnë gjithashtu plotësinë e Frymës së Shenjtë për të fuqizuar një lloj shërbese, veçanërisht në kontekstin e librit të Veprave, ku fuqizimi i Frymës së Shenjtë, shpesh herë shikohet të çojë në mrekulli, predikim si dhe në vepra të mëdha të fuqie.[140]36
Për rrjedhojë, ndërkohë që një përvojë e të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë mund të çojë në dhuratën e të folurit në gjuhë të panjohura apo në përdorim të disa dhuratave të tjera të cilat nuk ishin përjetuar më përpara, mundet që gjithashtu të vijë pa dhuratën e të folurit në gjuhë të panjohura. Në fakt, shumë të krishterë përgjatë gjithë historisë, kanë përjetuar mbushje të fuqishme të Frymës së Shenjtë të cilat nuk janë shoqëruar nga të folurit në gjuhë të panjohura. Në lidhje me këtë dhuratë si dhe me dhurata të tjera, ne duhet që thjesht të themi se Fryma e Shenjtë vepron “duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç, ashtu si do vetë” (1 Kor. 12:11).
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. Përpara se të lexoje këtë kapitull, si e kuptoje “pagëzimin në Frymën e Shenjtë”? Si ka ndryshuar mënyra se si e mendoje (nëse ka ndryshuar sadopak)?
2. A ka përfshirë jeta jote e krishterë një apo më shumë ngjarje të cilat do mund t’i quaje “një hap i madh rritjeje” në ndonjë fushë të jetës së krishterë? Apo ka qenë një seri hapash të vegjël por të njëpasnjëshëm në shenjtërim, në përbashkësi me Perëndinë si dhe në përdorimin e dhuratave frymërore si dhe me fuqi në shërbesë?
3. A ke njohur njerëz të cilët kanë pretenduar se kanë marrë një “pagëzim në Frymën e Shenjtë” pas kthimit në besim? Sipas vlerësimit tënd, a ka qenë më shumë pozitiv apo negativ rezultati i kësaj në jetën e tyre, apo ka qenë diçka e përzierë? Nëse ke patur edhe vetë një përvojë të tillë, a e mendon se po ta kuptosh si një “pagëzim në Frymën e Shenjtë” i bërë vetëm një herë qe thelbësor për këtë përjetim, apo ka mundësi që të njëjtat rezultate do mund të ishin shfaqur në jetën tënde të krishterë po të ishte quajtur “të mbushur me Frymën e Shenjtë”? A mendon se do të ishte gjëja e duhur të kërkoje për një përjetim të mbushjes me Frymën e Shenjtë në jetën tënde tani? Si mundet dikush që të vazhdojë të bëjë këtë?
4. Të tërë e kuptojmë se është e mundshme që të theksojmë më shumë nga ç’duhet diçka të mirë në jetën e krishterë deri në atë masë që jeta jonë të humbasë baraspeshën dhe të bëhet jo aq efektive në shërbesë nga ç’mund të jetë. Nëse mendojmë për mënyrat e ndryshme në të cilat ne mund të rritemi në jetën e krishterë (njohuri e Fjalës dhe doktrinës së shëndoshë, lutje, dashuri për Perëndinë, dashuri për të krishterët e tjerë si dhe për jo të krishterët, besim tek Perëndia për çdo ditë, adhurim, shenjtëri e jetës, përdorim i dhuratave frymërore, fuqi efikase e Frymës së Shenjtë në dëshminë dhe shërbesën tonë, përbashkësi e përditshme me Perëndinë, etj.), në cilat fusha mendon se ke nevojë t’i kërkosh Perëndisë për më tepër rritje në jetën tënde? A do të ishte e përshtatshme t’i kërkosh Atij për një plotësi të re të Frymës së Shenjtë gjë e cila të shoqëronte rritjen në këto fusha?
5. Në lidhje me këtë temë të pagëzimit apo të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë, a mendon se kishat ungjillore në përgjithësi kanë lëvizur drejt një ndasie më të madhe apo drejt unitetit mbi këtë çështje?
TERMA TË VEÇANTË
pagëzimi nëpërmjet Frymës së Shenjtë
pagëzimi në Frymën e Shenjtë
pagëzimi me Frymën e Shenjtë
të qenurit i mbushur me Frymën e Shenjtë
përjetimi i besëlidhjes së re i Frymës së Shenjtë
përjetim i besëlidhjes së vjetër i Frymës së Shenjtë
Rrëshajat
Krishterim me dy klasa
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.) Shënim: Shumë pak vepra të teologjisë sistematike kanë përfshirë një trajtim të hollësishëm të kësaj teme përderisa ajo është bërë një çështje e debatueshme vetëm në këtë shekull.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)
1983 Carter, 1:435–447
3. Baptiste
1983–1985 Erickson, 879–880
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 6:138–161
1986 Ryrie, 362–366
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1962 Buswell, 2:208–212
7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)
1988–1992 Williams, 2:177–179, 181–207, 271–321
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
(pa trajtim të hollësishëm)
Vepra të Tjera
Bennett, Dennis dhe Rita. Fryma e Shenjtë dhe Ti (The Holy Spirit and You). Plainfield, N.J.: Logos, 1971.
Bruner, Frederick Dale. Një Teologji e Frymës së Shenjtë: Përvoja Pentakostale dhe Dëshmia e Besëlidhjes së Re (A Theology of the Holy Spirit: The Pentecostal Experience and the New Testament Witness). Grand Rapids: Eerdmans, 1970.
Dunn, James D.G. Pagëzimi në Frymën e Shenjtë (Baptism in the Holy Spirit). London: SCM, 1970.
Ervin, Howard M. Kthimi në Besim-Fillimi në Jetën e Krishterë dhe Pagëzimi në Frymën e Shenjtë: Një Kritikë e James D.G. Dunn, “Pagëzimi në Frymën e Shenjtë” (Conversion-Initiation and the Baptism in the Holy Spirit: A Critique of James D.G. Dunn, “Baptism in the Holy Spirit.”) Peabody, Mass.: Hendrickson, 1984.
_______. Pagëzimi në Frymë (Spirit Baptism). Peabody, Mass.: Hendriksen, 1987.
Gaffin, Richard. Pikëpamje mbi Rrëshajët (Perspectives on Pentecost). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1979.
Green, Michael. Pagëzimi: Qëllimi, Praktika dhe Fuqia e Tij (Baptism: Its Purpose, Practice and Power). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1987, fq. 127–141.
_______. “Pagëzimi në Frymë (The Spirit’s Baptism).” Tek Unë Besoj në Frymën e Shenjtë (I Believe in the Holy Spirit). London: Hodder and Stoughton, and Grand Rapids: Eerdmans, 1975, fq. 123–147.
Hoekema, Anthony A. Pagëzimi në Frymën e Shenjtë (Holy Spirit Baptism). Grand Rapids: Eerdmans, (1972).
Lloyd-Jones, Martyn. Gëzim i Patreguar; Fuqi dhe Ripërtëritje në Frymën e Shenjtë (Joy Unspeakable: Power and Renewal in the Holy Spirit). Red. nga Christopher Catherwood. Wheaton, Ill.: Shaw, 1984.
McGee, Gary B., r[141]ed. Provat Fillestare (Initial Evidence). Peabody, Mass.: Hendrickson, 1991.
Packer, J.I. “Pagëzim në Frymë (Baptism in the Spirit).” Tek FRT ([142]NDT) fq. 73–74.
_______. Mbaj Hapin me Frymën (Keep in Step With the Spirit). Old Tappan, N.J.: Revell, and Leicester: Inter-Varsity Press, 1984.
Stott, John. Pagëzim dhe Plotësi (Baptism and Fulness). Leicester and Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1976.
Unger, Merrill F. Puna Pagëzuese e Frymës së Shenjtë (The Baptizing Work of the Holy Spirit). Wheaton, Ill.: Van Kampen Press, 1953.
White, R.E.O. “Pagëzimi i Frymës (Baptism of the Spirit).” Tek FUT ([143]EDT) fq. 121–122.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“1 Korintasve” 12:12–13: Sepse ashtu si trupi është një, dhe ka shumë gjymtyrë, edhe të gjitha gjymtyrët e të njëjtit trup, megjithëse janë shumë, janë një trup i vetëm, kështu është edhe Krishti. Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në një trup, qofshin hebrenj apo grekë, skllevër a të lirë, dhe të gjithë jemi ujitur në një Frymë.
HIMN
“FRYMË E PERËNDISË, ZBRIT MBI ZEMRËN TIME (SPIRIT OF GOD, DESCEND UPON MY HEART)”
Zbrit mbi zemrën time o Frymë e Perëndisë,
Në çdo rrahje të saj lëviz dhe me botën bëje të ftohet;
Sado i fuqishëm që je dobësitë e mia Ti i begenis
Dhe më bëj të të dua ashtu sikurse të dua duhet.
A nuk na ke kërkuar të të duam o Perëndi dhe Mbret?
Fryma, zemra, forca dhe mendja ime, të gjitha të Tuat konsidero.
E shikoj kryqin Tënd, atje mësoje zemrën time të priret:
Oh, më lër të të kërkoj, oh të të gjej më lejo.
Më mëso të ndjej që Ti je gjithnjë pranë meje;
Vështirësitë e frymës, si t’i mbaj më jep mësim,
Të mbaj nën kontroll dyshimet që ngrihen, psherëtimat kryeneçe;
Për lutjet që nuk marrin përgjigje, më mëso të bëj durim.
Më mëso të të dua siç të duan engjëjt e Tu,
Një pasion i shenjtë gjithë qenien time e mbush;
Pagëzimi i pëllumbit të zbritur prej qiellit këtu
Zemra ime një altar, dhe dashuria jote prush.
Autor: George Croly, 1854
Himn alternativ: “Frymë e Perëndisë së Gjallë (Spirit of the Living God)”