General
Text

Kapitulli 17: Mrekullitë

Lesson 19 Chapter 9 Module 4

Mrekullitë

Çfarë janë mrekullitë? A mund të ndodhin ato sot?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Një shqyrtim i temës së mrekullive, është i lidhur ngushtë me provaninë e Perëndisë e cila u trajtua në kapitullin e mëparshëm. Atje ne argumentuam se Perëndia ushtron një kontroll të gjerë, të vazhdueshëm e sovran mbi të tëra aspektet e krijimit të Tij. Ky kapitull do të supozojë se diskutimi i mëparshëm i provanisë është kuptuar dhe do të ndërtojë mbi të në qasjen ndaj çështjes së mrekullive.

A. Përkufizim

Mrekullinë mund ta përkufizojmë si më poshtë: Një mrekulli është një lloj më pak i zakonshëm i veprimtarisë së Perëndisë, në të cilën, Ai krijon mahnitje dhe mrekullim tek njerëzit dhe dëshmon për Vetveten.[159]1 Ky përkufizim merr në konsideratë kuptimin tonë të mëparshëm të provanisë së Perëndisë nëpërmjet të cilës, Perëndia ruan, kontrollon dhe qeveris gjithçka. Nëse e kuptojmë kësisoj provaninë, ne natyrshëm do të shmangim shpjegimet e tjera të zakonshme apo përkufizimet e mrekullive.

Për shembull, një përkufizim i mrekullisë është: “një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Perëndisë në botë.” Por ky përkufizim merr anën e një pikëpamjeje deiste të marrëdhënies së Perëndisë me botën, në të cilën bota vazhdon më vete dhe Perëndia ndërhyn në të vetëm me raste. Kjo padyshim që nuk është pikëpamja biblike sipas të cilës Perëndia bën që shiu të bjerë (Mat. 5:45), bën që bari të rritet (Psa. 104:14), dhe në mënyrë të vazhdueshme mban gjithçka përmes fjalës së fuqisë së  Tij (Heb. 1:3). Një përkufizim tjetër i mrekullisë, është “një veprimtari më e drejtpërdrejtë e Perëndisë në botë.” Por, të flasësh për një punë “më të drejtpërdrejtë të Perëndisë, do të thotë të sugjerosh që veprimtaria e Tij e zakonshme provanore, është në një farë mënyre jo e “drejtpërdrejtë” dhe përsëri aludon për një soj shkëputjeje të tipit deist të Perëndisë nga bota.

Një përkufizim tjetër është: “Perëndia, duke punuar në botë, pa përdorur mjete natyrore për të arritur rezultatet që Ai dëshiron.” Megjithëkëtë, të flasësh për Perëndinë që punon “pa mjete” na lë në Bibël me shumë pak, për të mos thënë aspak mrekulli, sepse është e vështirë të mendosh për një mrekulli që ndodhi pa asnjë element tokësor: në shërimin e njerëzve për shembull, disa prej vetive fizike të trupit të të sëmurit, padyshim që u përfshinë në shërim. Kur Jezusi shumëfishoi bukët dhe peshqit, Ai të paktën përdori pesë bukët dhe dy peshqit e parë që kishte atje. Kur shndërroi ujin në verë, Ai përdori ujë dhe e bëri verë. Ky përkufizim duket inadekuat.[160]2

Një përkufizim tjetër i mrekullisë, është “Një përjashtim ndaj një ligji natyror” apo “Perëndia vepron në kundërshtim me ligjet e natyrës.” Por fraza “ligjet e natyrës” në mënyrën se si kuptohet zakonisht, nënkupton se ka disa cilësi të caktuara të brendaqenësishme në gjërat që ekzistojnë, “ligjet e natyrës” të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur nga Perëndia, dhe që Perëndia duhet të ndërhyjë apo t’i “shkelë” këto ligje me qëllim që një mrekulli të ndodhë.[161]3 Edhe një herë tjetër, ky përkufizim nuk shpjegon në mënyrë adekuate mësimin biblik rreth provanisë.

Një përkufizim tjetër i mrekullisë është: “një ngjarje e pamundur për t’u shpjeguar me shkaqe natyrore.” Ky përkufizim është inadekuat sepse (1) ai nuk përfshin Perëndinë si shkaktarin e kësaj mrekullie; (2) supozon se Perëndia nuk përdor disa shkaqe natyrore kur punon në një mënyrë të pazakontë dhe të mahnitshme, dhe kësisoj supozon përsëri se Perëndia ndërhyn vetëm me raste në botë; dhe (3) do të rezultojë në një minimizim të ndjeshëm të mrekullive aktuale si dhe në një rritje të skepticizmit përderisa shumë herë, kur Perëndia punon si përgjigje ndaj lutjes, rezultati është i mahnitshëm ndaj atyre që u lutën, por nuk është absolutisht e pamundur të shpjegosh përmes shkaqeve natyrore, veçanërisht për një skeptik i cili refuzon të shikojë dorën e Perëndisë në veprim.

Për rrjedhojë, përkufizimi i parë i dhënë më lart, ku një mrekulli është thjesht një mënyrë më pak e zakonshme e punës së Perëndisë në botë, duket më i preferueshëm dhe më i përputhshëm me doktrinën biblike të provanisë së Perëndisë. Ky përkufizim nuk thotë se një mrekulli është një lloj tjetër i punës nga Perëndia, por vetëm se ai është një mënyrë më pak e zakonshme e punës së Perëndisë, dhe se bëhet për të habitur, mahnitur apo befasuar njerëzit në një mënyrë të atillë që Perëndia dëshmon kësisoj për Veten.

Terminologjia biblike për mrekullitë, shpesh herë tregon për nga kjo ide e fuqisë së Perëndisë në punë, për të krijuar mahnitje dhe mrekullim tek njerëzit. Kryesisht janë përdorur tre grupe termash: (1) “shenjë” (Heb. אֹות, H253; Gk. σημεῖον, G4956), që do të thotë diçka që tregon apo nënkupton diçka tjetër, veçanërisht (me referencë ndaj mrekullive) veprimtarinë dhe fuqinë e Perëndisë; (2) “çudi” (Heb. מֹופֵת, H4603; Gk. τέρας, G5469), një ngjarje që i bën njerëzit të mahniten apo çuditen;[162]4 dhe (3) “mrekulli” apo “vepra të fuqishme” (Heb. גְּבוּרָה, H1476; Gr. δύναμις, G1539), një veprim ky që shpalos një forcë të madhe, veçanërisht (me referencë ndaj mrekullive) fuqi hyjnore.[163]5 Shpesh “shenja dhe mrekulli” përdoret si një shprehje shabllon për t’iu referuar mrekullive (Eks. 7:3; L. i P. 6:22; Psa. 135:9; Veprat 4:30; 5:12; Rom. 15:19; etj.), dhe nganjëherë të tre këto terma janë të ndërthurur, “me vepra të fuqishme dhe mrekulli dhe shenja” (Veprat 2:22) apo “me shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme” (2 Kor. 12:12; Heb. 2:4).

Përveç kuptimeve të termave të përdorura për mrekullitë, një arsye tjetër mbështetëse e përkufizimit tonë, është fakti që mrekullitë në Shkrim krijojnë mahnitje dhe mrekullim tek njerëzit dhe tregojnë se fuqia e Perëndisë është në funksionim. Bibla shpesh herë na thotë se Perëndia Vetë është Ai i Cili kryen “mrekulli” apo “gjëra të mrekullueshme.” “Psalmi” 136:4 thotë se Perëndia është Ai “vetëm ai bën mrekulli” (kr. Psa. 72:18). Kënga e Moisiut deklaron:

Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot?

Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri,

i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës? (Eks. 15:11)

Kësisoj, shenjat e mrekullueshme të cilat Moisiu kreu kur bastuni i tij u kthye në gjarpër dhe përsëri në bastun, apo kur dora iu bë e lebrozur, dhe pastaj e pastër përsëri (Eks. 4:2–8), u dhanë që Moisiu të mund të demonstronte ndaj popullit të Izraelit që Perëndia e kishte dërguar. Në mënyrë të ngjashme, shenjat e mrekullueshme që Perëndia bëri përmes dorës së Moisiut dhe Aaronit përmes plagëve, duke tejkaluar ku e ku mrekullitë e pavërteta apo shenjat imituese të bëra nga magjistarët në oborrin e faraonit (Eks. 7:12; 8:18–19; 9:11), treguan se njerëzit në Izrael ishin ata të cilët adhuronin Perëndinë e vetëm të vërtetë. Kur Elija ballafaqoi priftërinjtë e Baalit në Malin Karmel (1 Mbretërve 18:17–40), zjarri nga qielli demonstroi se Zoti ishte Perëndia i vërtetë.

Tani, nëse ne pranojmë përkufizimin se një mrekulli është “një lloj më pak i zakonshëm i veprimtarisë së Perëndisë në të cilin Ai ngre drojën dhe mrekullimin e njerëzve dhe dëshmon për Veten,” atëherë ne mund të ngremë pyetjen se çfarë lloje gjërash duhet të konsiderohen mrekulli. Sigurisht, është e saktë ta konsiderojmë mishërimin e Jezusit si Perëndi-njeri, si dhe ringjalljen e Jezusit nga të vdekurit, si mrekullitë qendrore dhe më të rëndësishmet në të tërë historinë. Ngjarjet e eksodit, si për shembull ndarja e Detit të Kuq dhe rënia e Jerikos, ishin mrekulli mbresëlënëse. Kur Jezusi shëroi njerëz dhe pastroi lebrozë apo kur dëboi demonë, këto ishin padyshim mrekulli gjithashtu (shiko Mat. 11:4–5; Luka 4:36–41; Gjoni 2:23; 4:54; 6:2; 20:30–31).

Por, a mund t’i konsiderojmë mrekulli përgjigjet e pazakonta ndaj lutjeve? Duket se po, po qe se janë aq mbresëlënëse sa duhet për të krijuar mahnitje dhe mrekullim tek njerëzit dhe për t’i bërë ata që të pranojnë se në funksionim është fuqia e Perëndisë: përgjigjja ndaj lutjes së Elijës që Perëndia të dërgonte zjarr nga qielli, ishte një mrekulli (1 Mbretërit 18:24, 36–38), siç ishin edhe përgjigjet ndaj lutjeve të tij që djali i vdekur i një vejushe të rikthehej në jetë (1 Mbretërit 17:21), apo që shiu të ndalte dhe më pas të fillonte sërish (1 Mbretërit 17:1; 18:41–45 me Jakobin 5:17–18). Në Besëlidhjen e Re, lirimi i Pjetrit nga burgu si përgjigje ndaj lutjeve të kishës, pa dyshim që qe një mrekulli (Veprat 12:5–17; vini re gjithashtu lutjen e Palit për babanë e Publiusit tek “Veprat” 28:8). Por, duhet të ketë patur shumë mrekulli aspak të kësaj shkalle dramatike sa ç’ishin këto, sepse Jezusi shëroi qindra njerëz, “të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme” (Luka 4:40). Pali shëroi “edhe të tjerë të ishullit, që kishin sëmundje” (Veprat 28:9).

Nga ana tjetër, të krishterët shikojnë për çdo ditë përgjigje ndaj lutjeve, dhe ne nuk duhet ta zbehim përkufizimin që i bëjmë mrekullisë, aq sa çdo përgjigje ndaj lutjes të quhet mrekulli. Por kur një përgjigje ndaj një lutjeje është aq mbresëlënëse saqë njerëzit e përfshirë në të janë të mahnitur dhe e pranojnë fuqinë e Perëndisë në funksionim në një mënyrë të pazakontë, atëherë duket e përshtatshme që këtë ta quajmë mrekulli.[164]6 Kjo është e përputhshme me përkufizimin tonë dhe duket se është e mbështetur nga provat biblike që veprat e Perëndisë të cilat krijojnë mahnitje dhe mrekullimi të njerëzve u quajtën mrekulli (Gk. δύναμις, G1539).[165]7

Por pavarësisht nëse ne adaptojnë një përkufizim të gjerë apo të ngushtë për mrekullitë, të tërë ne duhet të biem dakord se nëse Perëndia vërtetë punon duke iu përgjigjur lutjeve tona, qoftë në mënyra të zakonshme, qoftë të pazakonshme, është e rëndësishme që ne ta kuptojmë këtë dhe ta falënderojmë Atë, si dhe që të mos e shpërfillim apo të shkojmë larg duke sajuar “shkaqe natyrore” të mundshme për ta kaluar me shpjegime atë që faktikisht e ka bërë Perëndia si përgjigje ndaj lutjes. Ndërkohë që ne duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos e ekzagjerojmë me raportimin e detajeve të përgjigjeve ndaj lutjes, ne duhet që gjithashtu të shmangim edhe gabim e kundërt me këtë, të mos përlëvdimit dhe falënderimit të Perëndisë për atë që Ai ka bërë.

B. Mrekullitë si karakteristikë e epokës së besëlidhjes

Në Besëlidhjen e Re, shenjat e mrekullueshme të Jezusit vërtetuan që Ai kishte ardhur nga Perëndia: Nikodemi e kuptoi se: “Askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të” (Gjoni 3:2). Shndërrimi i ujit në verë nga Jezusi, qe një “shenjë” e cila “shfaqi lavdinë e tij; dhe dishepujt e tij besuan në të” (Gjoni 2:11). Sipas Pjetrit, Jezusi ishte “njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme dhe mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të tij” (Veprat 2:22).

Pastaj, në kishën e hershme, apostujt si dhe të tjerët të cilët predikonin ungjillin, kryen mrekulli të cilat e mahnitën popullin dhe jepnin konfirmim të ungjillit që po predikohej (Veprat 2:43; 3:6–10; 4:30; 8:6–8, 13; 9:40–42; etj.). Edhe në kishat ku apostujt nuk ishin të pranishëm, ndodhnin mrekulli. Për shembull, Pali, duke u shkruar një sërë kishash në rajonin e Galacisë (shiko Gal. 1:1), merr këtë si të vërtetë kur pyet: “Ai, pra, që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën prej veprave të ligjit apo prej të dëgjuarit të besimit?” (Gal. 3:5). Në mënyrë të ngjashme, ai përmend në kishën e Korintit “vepra të fuqishm” (1 Kor. 12:28) dhe emërton “për të kryer mrekulli të fuqishme” (1 Kor. 12:10) si një dhuratë të shpërndarë nga Fryma e Shenjtë. Këto dy vargjet e fundit, janë veçanërisht të rëndësishme për shkak se “1 Korintasve” 12:4–31 nuk është duke diskutuar një situatë specifike në Korint, por natyrën e kishës në përgjithësi si “trupi i Krishtit” me shumë gjymtyrë, por gjithsesi një trup.[166]8

Në fakt, duket se është karakteristikë e kishës së Besëlidhjes së Re që mrekullitë ndodhin.[167]9 Në Besëlidhjen e Vjetër, mrekullitë dukej se ndodhnin kryesisht në lidhje me një drejtues të spikatur në një kohë të caktuar, siç ishte për shembull Moisiu apo Elija apo Eliseu. Në Besëlidhjen e Re, ka një rritje të beftë dhe të paprecedent të mrekullive, kur Jezusi fillon shërbesën e Tij (Luka 4:36–37, 40–41). Megjithëkëtë, në ndryshim nga modeli i besëlidhjes së vjetër, autoriteti për të kryer mrekulli si dhe për të dëbuar demonë, nuk ishte i kufizuar vetëm tek Jezusi. Gjithashtu, mrekullitë nuk u shuan kur Jezusi u kthye në parajsë. Edhe gjatë shërbesës së Tij, Jezusi dha autoritet për të shëruar të sëmurët dhe dëbuar demonët, jo vetëm ndaj të Dymbëdhjetëve, por edhe shtatëdhjetë dishepujve të Tij (Luka 10:1, 9, 17–19; kr. Mat. 10:8; Luka 9:49–50). Për më tepër, pasazhet e shënuara më lart nga “1 Korintasve” dhe “Galatasve” të lënë të kuptohet se kryerja e mrekullive nuk qe kufizuar tek shtatëdhjetë dishepujt, por qe karakteristikë e kishave të Galacisë si dhe e kishave të Besëlidhjes së Re në përgjithësi. Kjo sugjeron se ndodhja e mrekullive është një karakteristikë e kishës së Besëlidhjes së Re, dhe mund të konsiderohet si një tregues i punës së fuqishme të re të Frymës së Shenjtë, e cila filloi gjatë Rrëshajave, dhe mund të pritet të vazhdojë përgjatë gjithë epokës së kishës.[168]10

C. Qëllimet e Mrekullive

Një qëllim i mrekullive, padyshim që është autentikimi i mesazhit të ungjillit. Kjo qe evidente edhe në vetë shërbesën e Jezusit, siç u pranua edhe nga njerëz të tillë si Nikodemi: “Mësues, ne e dimë se ti je mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat, që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të” (Gjoni 3:2). Është gjithashtu evidente që ndërkohë që ungjilli qe shpallur prej atyre të cilët e dëgjuan Jezusin, sepse ndërkohë që ata predikonin, “Perëndia bashkëdëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish dhe me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me të ndara dhuntish të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij” (Heb. 2:4). Nëse ky qëllim qe i vlefshëm vetëm kur ungjilli u predikua për herë të parë (përpara se të shkruhej Besëlidhja e Re), apo nëse ai vlen përgjatë gjithë epokës së kishës, kjo varet nga ajo që ne mendojmë se çfarë po konfirmojnë mrekullitë: a janë ato duke konfirmuar vetëm vërtetësinë absolute të fjalëve të Shkrimit (si fjalët e Perëndisë Vetë), apo mrekullitë jepen për të konfirmuar vërtetësinë e ungjillit në përgjithësi, kurdoherë që ai predikohet? Me fjalë të tjera, a e konfirmojnë mrekullitë Shkrimin në tërësi apo ungjillin? Siç do ta shikojmë më poshtë, mrekullitë nuk qenë kufizuar tek ata të cilët shkruan Shkrimin apo që folën me autoritetin absolut apostolik.[169]11 Kjo sugjeron se mrekullitë që u dhanë si konfirmim i ungjillit, mund të pritet të vazhdojnë përgjatë gjithë epokës së kishës.

Kur ndodhin mrekulli, ato japin prova që Perëndia është me të vërtetë në veprim dhe kështu që shërbejnë për çuarjen përpara të ungjillit: gruaja samaritane i shpalli fshatit të saj: “Ejani, shikoni një njeri që më ka thënë gjithë sa kam bërë” (Gjoni 4:29), dhe shumë samaritanë besuan në Krishtin. Kjo qe vlen të thuhet shpesh herë gjatë shërbesës së Jezusit, por qe gjithashtu e vërtetë në kishën e hershme: kur Filipi shkoi në një qytet në Samari,

Turmat, me një mendje të vetme, u kushtonin vëmendje gjërave që thoshte Filipi, duke duke dëgjuar dhe duke parë shenjat që ai bënte. Sepse, frymëra të ndyra, dilnin nga shumë veta që ishin të pushtuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe, shumë të paralizuar e të çalë, u shëruan. Dhe në atë qytet u bë një gëzim i madh. (Vep. 8:6–8)

Kur Enea i paralizuari u shërua, “të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti” (Veprat 9:35). Kur Tabitha u ringjall, “U mor vesh në mbarë Jopën dhe shumë veta besuan në Zotin” (Veprat 9:42).[170]12

Në Besëlidhjen e Re, një qëllim i dytë i mrekullive është të dëshmojnë për faktin që mbretëria e Perëndisë ka ardhur, dhe ka filluar të zgjerojë rezultatet e saj të dobishme në jetën e njerëzve, sepse rezultatet e mrekullive të Jezusit, tregojnë karakteristikat e mbretërisë së Perëndisë: Jezusi tha: “Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj” (Mat. 12:28). Ngadhënjimi i Tij mbi forcat shkatërrimtare të Satanit, tregoi se si qe mbretëria e Perëndisë. Kësisoj, çdo mrekulli shërimi apo çlirimi nga shtypja demonike, çonte përpara mbretërinë dhe ndihmonte në përmbushjen e shërbesës së Jezusit, sepse Ai erdhi me Frymën e Zotit në Vetvete “për të ungjillizuar të varfërit....për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të dërguar në liri të shtypurit” (Luka 4:18).

Po kështu, Jezusi u dha dishepujve të Tij “fuqi dhe pushtet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet. Dhe i dërgoi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët” (Luka 9:1–2). Ai i urdhëroi ata: “Shkoni dhe predikoni duke thënë: ``Mbretëria e qiejve u afrua''. Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët” (Mat. 10:7–8; kr. Mat. 4:23; 9:35; Veprat 8:6–7, 13).

Një qëllim i tretë i mrekullive, është të ndihmojë ata që janë në nevojë. Dy të verbrit afër Jerikosë, thirrën: “Ki mëshirë për ne,” dhe Jezusi “pati dhembshuri” dhe i shëroi ata (Mat. 20:30, 34). Kur Jezusi pa një turmë të madhe njerëzish, “pati dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre” (Mat. 14:14; shiko gjithashtu Luka 7:13). Këtu, mrekullitë japin prova të dhembshurisë së Krishtit ndaj atyre që janë në nevojë.

Një qëllim i katërt i mrekullive, i lidhur me të dytën, është të largojë pengesa ndaj shërbesave të njerëzve. Sapo Jezusi kishte shëruar vjehrrën e Pjetrit, “ajo u ngrit dhe u shërbeu atyre” (Mat. 8:15). Kur Perëndia kishte mëshirë ndaj Epafroditit dhe ia riktheu shëndetin (qoftë përmes një mrekullie, qoftë jo, Pali ia atribuon atë mëshirës së Perëndisë tek “Fil.” 2:27), Epafroditi qe pastaj në gjendje t’i shërbente Palit dhe në kthim, të kryente funksionin e tij si lajmëtar tek kisha e Filipisë (Fil. 2:25–30). Paçka se teksti nuk thotë shkoqur që Tabitha (apo Doraki) iu rikthye “veprave të mira dhe të jepte shumë lëmoshë” (Veprat 9:36) të saj pasi Zoti, përmes Pjetrit, e ringjalli atë (Veprat 9:40–41), duke përmendur veprat e saj të mira si dhe ata që dëshmonin për kujdesin e saj vetë-sakrifikues ndaj nevojave të të tjerëve (Veprat 9:39), kjo sugjeron se ajo do të rifillonte një shërbesë të ngjashme mëshire kur u ringjall nga të vdekurit. E lidhur me këtë kategori do të ishte fakti që Pali pret që njerëzit të ndërtohen kur dhurata mrekulli-bërëse përdoren në kishë (1 Kor. 12:7; 14:4, 12, 26).

Së fundmi, një qëllim i pestë për mrekullitë (dhe një tek i cili kontribuojnë të tërë të tjerët) është t’i sjellin lavdi Perëndisë. Pasi Jezusi e shëroi një paralitik, turmat “u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve” (Mat. 9:8). Po kështu, Jezusi tha se njeriu që kishte qenë i verbër që nga lindja, qe i verbër që “tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë” (Gjoni 9:3).

D. A Qenë Mrekullitë të Kufizuara tek Apostujt?

1. Një Përqendrim i Pazakontë i Mrekullive tek Shërbesa e Apostujve. Disa kanë argumentuar se mrekullitë qenë të kufizuara vetëm tek apostujt, apo vetëm tek apostujt dhe ata që ishin të lidhur ngushtë me ta. Përpara se të shqyrtojmë argumentet e tyre, është e rëndësishme që të vërejmë se ka disa tregues që një përqendrim mbresëlënës i mrekullive, qe karakteristik për apostujt, si përfaqësues të veçantë të Krishtit. Për shembull, Perëndia deshi dhe lejoi që mrekulli të jashtëzakonshme të kryheshin përmes Pjetrit dhe Palit. Në ditët e para fare të kishës,

Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve.... Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash, aq sa i binin të sëmurët në rrugë, i vinin në shtroje dhe në shtretër, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata. Por dhe një turmë nga qytetet përreth mblidhej në Jerusalem dhe sillte të sëmurë dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin. (Veprat 5:12–16)

Po kështu, kur Pali qe në Efes, “Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit, aq sa mbi të sëmurët sillnin rizë dhe përparëse, që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre” (Veprat 19:11–12).[171]13 Një shembull tjetër gjendet tek ringjallja e Tabithës: kur ajo kishte vdekur, dishepujt në Jopë i Çuan fjalë Pjetrit që të vinte dhe të lutej për të që të ngjallej (Veprat 9:36–42), me sa duket ngaqë ato menduan se Perëndia kishte dhënë një përqendrim të pazakontë fuqie mrekulli-bërëse Pjetrit (apo ndaj apostujve në përgjithësi). Dhe shërbesa e Palit në përgjithësi, qe karakterizuar nga ngjarje mrekulli-bërëse, për shkak se ai e përmbledh shërbesën e tij duke u treguar romakëve për gjërat që Krishti kishte kryer përmes tij, për të kthyer johebrenjtë në bindje ndaj Perëndisë “me fuqi shenjash dhe mrekullish, me fuqi të Frymës së Perëndisë” (Rom. 15:19).

Megjithëkëtë, përqendrimi i pazakontë i mrekullive në shërbesat e apostujve, nuk provon që asnjë mrekulli nuk u krye nga të tjerët! Siç e kemi parë qartësisht “mrekulli të fuqishme” (1 Kor. 12:10) si dhe dhurata të tjera mrekulli-bërëse (1 Kor. 12:4–11 përmend disa) ishin pjesë e funksionimit të zakonshëm të kishës korintase, dhe Pali e di se Perëndia kryen “vepra të fuqishme” edhe në kishat e Galacisë gjithashtu (Gal. 3:5).

2. Cilat janë “Shenjat e një apostulli” tek “2 Korintasve” 12:12? Përse atëherë kanë argumentuar disa që mrekullitë qenë në mënyrë unikale shenja të cilat dallonin një apostull? Argumenti i tyre bazohet kryesisht tek “2 Korintasve” 12:12, ku Pali thotë: “Shenjat e apostullit u kryen ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme” (2 Kor. 12:12).[172]14 Ata thonë se kjo nënkupton se të tjerët të cilët nuk ishin apostuj (apo shoqëruesit e tyre të afërt), nuk kishin atë autoritet, apo nuk mund t’i kryenin këto shenja e mrekulli.[173]15 Ata për më tepër thonë se mrekulli-bërja reshti kur apostujt dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, vdiqën. Për rrjedhojë, ata dalin në përfundimin se sot nuk mund të priten mrekulli të tjera. (Ata të cilët mbajnë këtë pozitë, nganjëherë njihen si “reshtësit” përderisa ato janë të mendimit për pushimin apo “reshtjen” e mrekullive që herët në historinë e kishës.)

Në shqyrtimin e kësaj pyetjeje, duhet mbajtur mend se në pasazhin kyç të përdorur për të vërtetuar këtë argument në të cilin Pali flet për “Shenjat e apostullit” tek “2 Korintasve” 12:12, ai nuk është duke u përpjekur që të provojë se Ai është një apostull në dallim nga të krishterët e tjerë të cilët nuk janë apostuj. Ai është më tepër duke u përpjekur që të vërtetojë se është një përfaqësues i vërtetë i Krishtit, në dallim nga të tjerët të cilët janë “apostuj të rremë” (2 Kor. 11:13), përfaqësues të rremë të Krishtit, shërbëtorë të Satanit të cilët maskohen si “shërbyes të drejtësisë” (2 Kor. 11:14–15). Me pak fjalë, kontrasti nuk është mes apostujve të cilët mund të kryenin mrekulli dhe të krishterëve të zakonshëm që nuk mundeshin, por mes apostujve të mirëfilltë të krishterë, përmes të cilëve Fryma e Shenjtë punoi dhe shtiracakëve jo të krishterë për postin apostolik përmes të cilëve Fryma e Shenjtë nuk punonte aspak. Për rrjedhojë, edhe nëse ne i marrim “shenjat e apostullit” sikur të nënkuptonin mrekullitë, ne duhet të kuptojmë se ata të cilët e përdorin këtë pasazh për të argumentuar se mrekullitë nuk mund të bëhen sot përmes të krishterëve, janë duke e nxjerrë frazën “shenjat e apostullit” nga konteksti i vet dhe duke e përdorur në një mënyrë që Pali nuk e synonte kurrë të përdorej. Pali me këtë po bënte një dallim të tij nga jo të krishterët, ndërkohë që ata e përdorin këtë pasazh për ta dalluar Palin nga të krishterët e tjerë.

Për më tepër, një shqyrtim nga afër i “2 Korintasve” 12:12 tregon se kjo duhet të jetë shumë më e dyshimtë sesa fraza: “shenjat e apostullit” në këtë pasazh, do të thotë shenja mrekullishë. Në pikërisht këtë varg, Pali bën dallimi mes “shenjave të apostullit” prej mrekullive, të cilat ai i quan: “shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme,” duke vërejtur se mrekullitë qenë kryer bashkë me shenjat e një apostulli: “Shenjat e apostullit u kryen ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme.”[174]16 Kjo frazë e mëpasshme, “me shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme,” ka një mbivendosje të të tre termave të përdorura për mrekullitë dhe për rrjedhojë duhet t’u referohet mrekullive (vëre “shenja dhe mrekulli” tek “Veprat” 4:30; 5:12; 14:3; 15:12; “Rom.” 15:19; “Heb.” 2:4; etj.). Për rrjedhojë, fraza e mëparshme, “shenjat e apostullit,” duhet t’i referohet diçkaje ndryshe, diçkaje që qe shoqëruar nga (bërë “me”) shenja dhe mrekulli.

Në fakt, paçka se fjala shenjë në greqisht (σημεῖον, G4956) shpesh i referohet mrekullive, ajo ka një gamë shumë më të gjerë kuptimi sesa thjesht mrekulli: semeion do të thotë thjesht “diçka që tregon apo që i referohet diçkaje tjetër.”[175]17 Tek “2 Korintasve” 12:12, “shenjat” e një apostulli kuptohen më mirë si gjithçka që karakterizon misionin apostolik të Palit dhe si ajo gjë që e tregoi atë të jetë një apostull i vërtetë.[176]18 Ne nuk kemi nevojë që të hamendësojmë se çfarë ishin këto shenja, sepse gjetiu, tek “2 Korintasve” Pali na tregon atë që vërtetonte se ai ishte një apostull i vërtetë:

1.     Fuqi shpirtërore në konflikt me të keqen (10:3–4, 8–11; 13:2–4, 10)

2.     Përkujdesje me xhelozi për mbarëvajtjen e kishave (11:1–6)

3.     Njohuri e vërtetë për Jezusin si dhe planit ungjillor të Tij (11:6)

4.     Vetë-mbështetje (vetëmohim) (11:7–11)

5.     Mos shfrytëzimi i kishave; mos goditja fizikisht e njerëzve (11:20–21)

6.     Vuajtje dhe vështirësi të duruara për Krishtin (11:23–29)

7.     Rrëmbimi në qiell (12:1–6)

8.     Kënaqja dhe besimi për të duruar një gjemb në mish (12:7–9)

9.     Marrje forcë nga dobësia (12:10).

Artikulli i parë mund të ketë përfshirë mrekulli, por padyshim që ky nuk është fokusi kryesor i referencës së tij ndaj “shenjave të apostullit.”

Një provë tjetër që “shenjat e apostullit” tek “2 Korintasve” 12:12 ishin të tëra këto gjëra dhe jo thjesht mrekullitë, është fakti që Pali thotë: “Shenjat e apostullit u kryen ndër ju me durim të madh.” Tani, do të kishe pak kuptim të thoshe që mrekullitë u kryen “me durim të madh,” sepse shumë mrekulli ndodhin mjaft shpejt, por do të kishte shumë më tepër kuptim të thoje që durimi i ngjashëm me të Krishtit që Pali tregoi në vështirësi për hir të korintasve, u realizua “me durim të madh.”

Duhet të vërejmë se Pali asgjëkund në këtë listë nuk përmend mrekullitë me qëllim për të vërtetuar se ishte apostull i vërtetë. Në fakt, pjesa më e madhe e gjërave të cilat ai përmend, nuk do ta dallonin atë nga të krishterët e tjerë të vërtetë. Por, këto gjëra e dallojnë atë nga shërbëtorët e Satanit, apostujt e rremë të cilët nuk janë aspak të krishterë: jeta e tyre nuk karakterizohet nga përulësia, por nga krenaria; jo nga vetëmohimi por nga egoizmi; jo nga bujaria, por nga lakmia; jo nga kërkimi i të mirës së të tjerëve, por nga shfrytëzimi i të tjerëve; jo nga pushteti shpirtëror në dobësi fizike, por nga besimi në forcën e tyre natyrale; jo nga durimi i vuajtjes dhe vështirësive, por duke kërkuar lehtësinë dhe rehatinë e tyre.[177]19 Kur Pali veproi në një mënyrë të ngjashme me Krishtin ndër ta, veprimet e Tij ishin “shenja” që pretendimi i tij se ishte apostull, ishte një pretendim i vërtetë: kështu, këto gjëra ishin “shenjat e apostullit .” Në këtë kontekst, “shenjat” dalluese të një apostulli të vërtetë nuk është nevoja të jenë gjëra të cilat tregonin një ndryshim absolut mes tij dhe të krishterëve të tjerë, por më tepër gjëra të cilat treguan se shërbesa e Tij ishte e mirëfilltë, në ndryshim kjo nga shërbesat e rreme të të tjerëve. Ai këtu nuk është duke u treguar korintasve se nga ta dinin se kush ishte apostull në dallim nga të krishterët e tjerë (këtë ai e bëri tek “1 Kor.” 9:1–2; 15:7–11; “Gal.” 1:1, 11–24, duke përmendur për këtë qëllim shikimin e Krishtit të ringjallur, dhe mandatimin prej Tij si një apostull), por këtu ai po tregon se si të dallohet se cila ishte një shërbesë e mirëfilltë e miratuar nga Krishti.

Përse atëherë shton ai se të tëra këto shenja të një apostulli të vërtetë, qenë bërë ndër korintasit “me shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme”? Ai thjesht po shton një faktor shtesë ndaj të tëra shenjave të mëparshme të apostullimit të mirëfilltë. Sigurisht që mrekullitë kishin një funksion të rëndësishëm në konfirmimin e vërtetësisë së mesazhit të Palit, dhe Pali këtu thotë shkoqur atë që korintasit, mundet ose jo të kishin supozuar se mund të përfshihej në frazën: “shenjat e apostullit”: si shtesë ndaj të tëra këtyre shenjave të tjera të një apostulli të vërtetë, shërbesa e tij tregoi edhe demonstrime të mrekullueshme të fuqisë së Perëndisë gjithashtu.[178]20

Ka edhe një arsye shumë të rëndësishme përse mrekullitë nuk vërtetonin që dikush ishte apostull. Në kontekstin më të madh të Besëlidhjes së Re, është e qartë se mrekullitë qenë bërë edhe nga të tjerë veç apostujve, si për shembull Stefani (Veprat 6:8), Filipi (Veprat 8:6–7), të krishterët në disa kisha në Galaci (Gal. 3:5), si dhe ata me dhuratat e “mrekullive” në trupin e Krishtit përgjithësisht (1 Kor. 12:10, 28). Mrekullitë në vetvete, nuk mundet që pastaj të konsiderohen si shenja ekskluzive të një apostulli. Në fakt, ata të cilët kryenin “vepra të fuqishme” dhe “shërime” faktikisht janë dalluar nga “apostuj” tek “1 Korintasve” 12:28: “Dhe Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimeve....”

Një provë e ngjashme me këtë vërehet tek “Marku” 16:17–18: Paçka se ka pyetje serioze rreth autenticitetit të këtij pasazhi si pjesë e ungjillit të Markut,[179]21 teksti është gjithsesi shumë i hershëm[180]22 dhe të paktën dëshmon për një motiv të traditës përbrenda kishës së hershme. Ky tekst tregon që Jezusi thotë:

Dhe këto janë shenjat që do t'i përcjellin ata që do të besojnë: në emrin tim ata do t'i dëbojnë demonët, do të flasin gjuhë të reja; do t'i kapin me dorë gjarpërinjtë edhe nëse do të pinë diçka që shkakton vdekjen, nuk do t'i dëmtojë; do t'i vënë duart mbi të sëmurët dhe ata do të shërohen.

Edhe këtu, fuqia për të kryer mrekulli supozohet të jetë rëndom në zotërim nga të krishterët. Ata të cilët shkruan dhe transmetuan këtë traditë të hershme dhe të cilët menduan se ajo përfaqësonte mësimin e vërtetë të Jezusit, padyshim që nuk ishin të vetëdijshëm për ndonjë ide që mrekullitë duhet të kufizoheshin tek apostujt dhe tek bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë.[181]23

Argumenti sipas të cilit edhe shumë të krishterë të tjerët në Besëlidhjen e Re kryen mrekulli, nganjëherë merr përgjigjen nga deklarata se ishin vetëm apostujt dhe ata që ishin të lidhur ngushtë me ta apo ata tek të cilët apostujt kishin vënë duart, që mund të bënin mrekulli.[182]24 Sidoqoftë, kjo në të vërtetë vërteton pak gjë për shkak se historia e kishës së Besëlidhjes së Re, është historia e asaj që u bë përmes apostujve dhe atyre që ishin të lidhur ngushtë me ta. Një argument i ngjashëm mund të thuhet rreth ungjillëzimit apo themelimit të kishave: “Në Besëlidhjen e Re, kishat u themeluan vetëm nga apostujt apo bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë; për rrjedhojë, ne nuk duhet të themelojmë kisha sot.” Ose, “Në Besëlidhjen e Re, puna misionare në vende të tjera qe bërë vetëm nga apostujt apo bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë. Për rrjedhojë, ne nuk duhet të bëjmë punë misionare në vende të tjera sot.” Këto analogji tregojnë pamjaftueshmërinë e argumentit: Besëlidhja e Re tregon në radhë të parë se si kisha duhet të kërkojë që të veprojë, e jo se si nuk duhet të kërkojë të veprojë.

Por nëse shumë të krishterë përgjatë kishës së shekullit të parë po kryenin mrekulli përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, atëherë, fuqia për të kryer mrekulli nuk mund të jetë një shenjë për të dalluar apostujt nga të krishterët e tjerë.

3. Përkufizimi kufizues i Normën Gislërit (Norman Geisler) për mrekullitë. Një përpjekje e kohëve tona për të mohuar që mrekullitë ndodhin sot, është bërë nga Normën Geisleri.[183]25 Geisleri ka një përkufizim shumë më të kufizuar të mrekullisë sesa ai i paraqituri në këtë kapitull, dhe ai e përdor atë përkufizim që të argumentojë kundër mundësisë së mrekullive bashkëkohore. Geisleri thotë se “mrekullitë (1) janë gjithnjë të suksesshme, (2) janë të menjëhershme, (3) nuk kanë kthim të situatës së para-mrekullisë, dhe (4) konfirmojnë lajmëtarin e Perëndisë” (fq. 28–30). Për këtë tezë, ai gjen mbështetje kryesisht në shërbesën e Jezusit, por kur ai kalon përtej jetës së Jezusit si dhe përpiqet të tregojë se të tjerët që kishin autoritetin për të kryer mrekulli, nuk qenë kurrë të pasuksesshëm, teza e tij është shumë më pak bindëse. Në lidhje me djalin me një demon të cilin dishepujt nuk mund ta çlironin nga demoni (Mat. 17:14–21), Geisleri thotë se “dishepujt thjesht harruan për momentin që të ushtronin me besnikëri autoritetin që Jezusi u kishte dhënë tashmë” (f. 150). Por ky është një argument jobindës: Geisleri thotë se fuqia për të kryer mrekulli, qe gjithnjë e suksesshme dhe se kur Bibla flet rreth disave të cilët ishin të pasuksesshëm (dhe të cilët kontradiktojnë tezën e tij) ai thjesht thotë se ata “harruan.” Jezusi ama, jep një arsye tjetër nga ajo e Geislerit: “Prej mosbesimit tuaj” (Mat. 17:20). Një besim më i pakët çoi në një fuqi më të pakët për të kryer mrekulli.

Në lidhje me mosarritjen e Palit për të shëruar Epafroditin (Fil. 2:27), Geisleri detyrohet të bëjë i luhatur deklaratën se ndoshta Pali nuk synoi ndonjëherë që ta shëronte Epafroditin (paçka se ai i kishte ardhur në burg e ishte aq i sëmurë saqë pothuajse vdiq), apo se “Pali nuk zotëronte më dhuratën e shërimit në këtë kohë” (f. 150). Ai përdor të njëjtën pretendim për të shpjeguar faktin që Pali e la Trofimin të sëmurë në Milet (2 Tim. 4:20). Në këto raste, Geisleri shkon shumë përtej pretendimit të zakonshëm reshtësor sipas të cilit mrekullitë morën fund me vdekjen e apostujve. Ai po deklaron se mrekullitë reshtën në jetën e apostullit më të madh, përpara burgosjes së tij të parë në Romë. Ky është thjesht një argument jo bindës në lidhje me apostullin shërbesa e të cilit qe karakterizuar në mënyrë të përsëritur “me fuqi shenjash dhe mrekullish, me fuqi të Frymës së Perëndisë” (Rom. 15:19), dhe i cili mund të thoshte me ngadhënjim në letrën e tij të fundit: “Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” (2 Tim. 4:7).

Përshkrimi që Geisleri u bën mrekullive, nuk i përshtatet rastit të të verbrit mbi të cilin Jezusi vuri duart, pasi në fillim ai njeri nuk pa qartë, por tha se i shikonte njerëzit “si pemë që ecin.” Pasi Jezusi i vuri duart mbi të për herë të dytë, ky njeri “shikonte qartë gjithçka” (Marku 8:24–25). Geisleri përgjigjet duke thënë se Jezusi kishte për qëllim që ta shëronte me dy faza, me qëllim që t’i mësonte dishepujt e Vet, duke përdorur një ilustrim rreth rritjes graduale të jetës së tyre shpirtërore (fq. 153–154). Paçka se teksti nuk thotë asgjë në këtë drejtim, mund të ketë qenë e vërtetë, por edhe po të ketë qenë, kjo hedh poshtë tezat e Geislerit, sepse nëse Jezusi do të kishte patur vërtetë qëllim për të shëruar me dy faza, atëherë, mund të jetë gjithashtu qëllimi i Tij që të shëronte njerëzit në dy faza sot—apo në tre, katër apo më shumë faza. Sapo Geisleri ta pranojë se mund të jetë qëllimi i Perëndisë të kryejë një mrekulli me disa faza, me qëllim për të realizuar qëllimet e Tij, atëherë i tërë pretendimi i tij që mrekullitë duhet të jenë të menjëhershme dhe të plota, humbet.[184]26

Në vend që të pranojmë përkufizimin e Geislerit, duket që do ishte më mirë të dilnim në përfundimin se edhe ata të cilëve Perëndia u jep dhuratat me aftësinë për të kryer mrekulli, mund të mos jenë në gjendje që t’i kryejnë ato kurdoherë që dëshirojnë, sepse Fryma e Shenjtë në mënyrë të vazhdueshme është duke i shpërndarë ato tek çdo person “ashtu si do vetë” (1 Kor. 12:11; fjala shpërndan është një pjesore e kohës së tashme në greqisht, që tregon një veprimtari në vazhdim të Frymës së Shenjtë). Për më tepër, nuk duket se ka arsye për të përjashtuar (siç duket se dëshiron Geisleri të bëjë) përgjigje të pazakonta apo mbresëlënëse ndaj lutjeve nga kategoria e “mrekullive,” duke e bërë kësisoj përkufizimin në fjalë, shumë kufizues. Nëse Perëndia u përgjigjet lutjeve që bëhen me këmbëngulje, për shembull, për një shërim fizik për të cilin nuk ka një shpjegim të njohur mjekësor, dhe këtë e bën vetëm pas disa muajsh apo vitesh lutjeje, e megjithëkëtë, e bën këtë në një mënyrë të atillë saqë duket mjaft e qartë se është përgjigje ndaj lutjes, aq saqë njerëzit janë të mahnitur dhe përlëvdojnë Perëndinë, duket se nuk ka arsye për të mohuar që një mrekulli ka ndodhur, vetëm e vetëm sepse lutjet e mëparshme nuk morën përgjigje të menjëhershme. Së fundi, Geisleri nuk arrin të kuptojë që një sërë tekstesh nga Besëlidhja e Re tregojnë se dhuratat shpirtërore, qoftë me natyrë mrekulli-bërëse, qoftë me natyrë jo mrekulli-bërëse, mund të variojnë në forcë, shkallë apo intensitet.[185]27

4. “Hebrenjve” 2:3–4. Një pasazh tjetër i cili nganjëherë është përdorur për të mbështetur idenë që mrekullitë ishin të kufizuara tek apostujt dhe bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë, është “Hebrenjve” 2:3–4. Atje, autori thotë se mesazhi i shpëtimit “u shpall në fillim nëpërmjet Zotit, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, ndërsa Perëndia bashkëdëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, 28dhe me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me të ndara dhuntish të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij.”

Përderisa për mrekullitë këtu thuhet se vijnë përmes atyre që e dëgjuan Zotin drejtpërsëdrejti (“ata që e dëgjuan”), është thënë se ne nuk duhet të presim që ato të bëhen përmes të tjerëve të cilët nuk ishin dëshmitarë të dorës së parë të mësimeve dhe shërbesës së Zotit.[186]29

Por ky argument përpiqet gjithashtu të nxjerrë nga ky pasazh më shumë se ç’ka me të vërtetë atje. Së pari, fraza “ata që e dëgjuan” (Heb. 2:3) padyshim që nuk është e kufizuar tek apostujt, sepse edhe shumë të tjerë e dëgjuan Jezusin gjithashtu, por më e rëndësishme është se kjo pozitë po pretendon diçka të cilën teksti thjesht nuk e thotë: fakti që (1) mesazhi i ungjillit u konfirmua përmes mrekullish kur u predikua nga ata të cilët e dëgjuan Jezusin të mos thoshte asgjë për (2) nëse do të konfirmohej nga mrekulli kur predikohej nga të tjerët të cilët nuk e dëgjuan Jezusin. Së fundi, ky pasazh thotë se mesazhi u konfirmua, jo vetëm me anë “shenjash e mrekullish dhe me vepra të ndryshme të fuqishme” por gjithashtu me “të ndara dhuntish të Frymës së Shenjtë.” Nëse dikush thotë se ky pasazh i kufizon mrekullitë tek apostujt si dhe bashkëpunëtorët e tyre, atëherë ai apo ajo duhet të thotë gjithashtu se dhuratat e Frymës së Shenjtë po ashtu janë të kufizuara tek vetëm kisha e shekullit të parë. Por pak kush do të thoshte se sot nuk ka dhurata të Frymës së Shenjtë.[187]30

5. Përfundim: A qenë mrekullitë të kufizuara tek vetëm apostujt? Nëse shërbesa në fuqinë dhe lavdinë e Frymës së Shenjtë është karakteristike e epokës së besëlidhjes së re (2 Kor. 3:1–4:18), atëherë, pritshmëria jonë do të ishte pikërisht e kundërta: ne do të prisnim që të krishterët e brezit të dytë, të tretë dhe të katërt, të cilët e njohin gjithashtu Krishtin dhe fuqinë e ringjalljes së Tij (Fil. 3:10), të cilët janë në mënyrë të vazhdueshme duke u mbushur me Frymën e Shenjtë (Efe. 5:17), të cilët janë pjesëmarrës në një luftë të kësaj bote, por një e cila luftohet me armë të cilat kanë fuqi hyjnore për të shkatërruar fortesa (2 Kor. 10:3–4), që nuk u është dhënë një frymë frike por një “frymë force, dashurie dhe mendjekthjelltësie” (2 Tim. 1:7), që janë të fortë në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij, dhe të cilëve u është thënë: Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni... kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të përbotshëm të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore (Efe. 6:10–12), do të kishim gjithashtu aftësinë për të shërbyer ungjillin jo vetëm në të vërtetë dhe dashuri, por gjithashtu me demonstrime mrekullish shoqëruese të fuqisë së Perëndisë. Është e vështirë të shikosh, nga faqet e Besëlidhjes së Re, ndonjë arsye përse vetëm predikimi i apostujve duhet të vijë jo “me fjalë mbushamendëse nga urtësia njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë që besimi juaj të mos qëndrojë në urtësinë e njerëzve, po në fuqinë e Perëndisë” (1 Kor. 2:4–5).

Paçka se duket të ketë patur një përqendrim të pazakontë të fuqisë mrekulli-bërëse në shërbesën e apostujve, kjo nuk është arsye për të menduar se do të kishte pak apo aspak mrekulli pas vdekjes së tyre. Përkundrazi, apostujt ishin drejtuesit në një kishë të besëlidhjes së re, jeta dhe  mesazhi i të cilëve, qe karakterizuar nga fuqia e Frymës së Shenjtë që funksionon në mënyra të mrekullueshme. Për më tepër, ato shikojnë një model të cilin kisha përgjatë gjithë historisë së saj, mundet fare mirë të kërkojë ta imitojë në jetën e saj, deri në atë shkallë që Perëndia Frymë e Shenjtë, dëshiron që të kryejë mrekulli për ndërtimin e kishës.[188]31

E. Mrekullitë e pavërteta

Magjistarët e faraonit qenë në gjendje që të kryenin disa mrekulli të pavërteta (Eks. 7:11, 22; 8:7), paçka se shumë shpejt atyre iu desh që të pranonin se fuqia e Perëndisë qe më e madhe (Eks. 8:19). Simon magjistari në qytetin e Samarisë, i mahniste njerëzit me magjinë e tij (Vep. 8:9–11), paçka se mrekullitë e bëra përmes Filipit ishin shumë më të mëdha (Veprat 8:13). Në Filipi, Pali hasi një vajzë skllave “që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj” (Vep. 16:16), por Pali e qortoi frymën dhe fryma doli prej saj (Vep. 16:18). Për më tepër, Pali thotë se kur të vijë njeriu i mëkatit, “me çdo vepër të fuqishme, shenja dhe mrekulli të rreme, dhe me çdo mashtrim padrejtësie për ata që humbin” (2 Thes. 2:9–10), por ato që do të veprojnë kështu janë ato që do t’i ndjekin ata e që janë mashtruar “sepse nuk pranuan dashurinë për të vërtetën që të shpëtoheshin” (2 Thes. 2:10). Kjo gjë nënkupton se ata të cilët kryejnë mrekulli të gënjeshtërta në kohët e fundit përmes fuqisë së Satanit, nuk do të flasin të vërtetën por do të predikojnë një ungjill të gënjeshtërt. Së fundi, “Zbulesa” 13 tregon se një bishë e dytë do të ngjitet “nga dheu,” një e cila ushtronte “gjithë pushtetin e bishës së parë” si dhe që “bënte shenja të mëdha, saqë edhe zjarr bënte të zbresë prej qiellit mbi tokë në sy të njerëzve; dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave, që iu dhanë asaj për të bërë përpara bishës” (Zbu. 13:11–14). Por, edhe një herë tjetër, një ungjill i pavërtetë shoqëron këto mrekulli: ky autoritet është ushtruar në lidhje me bishën e parë e cila flet “gjëra të mëdha dhe blasfemi... Dhe hapi gojën e saj në blasfemi kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij dhe tabernakullin e tij” (Zbu. 13:5–6).

Nga kjo analizë e shkurtër, bëhen të qarta dy përfundime për sa i takon mrekullive të rremë në Shkrime: (1) Fuqia e Perëndisë është më e madhe sesa fuqia e Satanit për të kryer shenja mrekullish, dhe njerëzit e Perëndisë ngadhënjejnë në ballafaqimet e fuqisë me ata të cilët kryejnë të keqen. Në lidhje me këtë, Gjoni i siguron besimtarët se “ai në ju është më i madh se ai në botë” (1 Gjonit 4:4).[189]32 (2) Identiteti i këtyre bërësve të mrekullive të rreme njihet gjithnjë përmes mohimit që ato i bëjnë ungjillit. Nuk ka asnjë tregues ndokund në Shkrim që të krishterët e mirëfilltë që kanë Frymën e Shenjtë në ta, do të kryejnë mrekulli të gënjeshtërta. Në fakt, në një qytet të mbushur me idhujtari dhe adhurim të demonëve (shiko 1 Kor. 10:20), Pali mund t’u thotë besimtarëve korintas, shumë prej të cilëve kishin dalë nga kjo lloj e kaluare pagane, që “asnjë nuk mund t'i thotë Jezusit, Zot, veçse në Frymën e Shenjtë” (1 Kor. 12:3). Këtu, ai u jep atyre siguri që ata të cilët bëjnë një shpallje të mirëfilltë të besimit në Jezusin si Zot, faktikisht e kanë Frymën e Shenjtë brenda tyre. Është domethënëse që ai menjëherë kalon tek një diskutim i dhuratave shpirtërore të zotëruara nga “secili” besimtar i vërtetë (1 Kor. 12:7).

Kjo gjë duhet të na sigurojë se nëse shohim mrekulli që kryhen nga ata të cilët bëjnë një shpallje të mirëfilltë të besimit (1 Kor. 12:3), të cilët besojnë në mishërimin dhe hyjninë e Krishtit (1 Gjonit 4:2), dhe të cilët tregojnë frytin e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre dhe që japin fryte në shërbesën e tyre (Mat. 7:20; kr. Gjoni 15:5; Gal. 5:22–23), ne nuk duhet të tregohemi dyshues se mos ato janë mrekulli të gënjeshtërta, por duhet të jemi mirënjohës ndaj Perëndisë që Fryma e Shenjtë është duke punuar, edhe tek ata të cilët mund të mos kenë ekzaktësisht të njëjtat bindje që kemi ne në çdo pikë të doktrinës.[190]33 Në fakt, nëse Perëndia do të priste që të kryente mrekulli vetëm përmes atyre të cilët do ishin të përsosur si në doktrinë ashtu edhe në sjelljen në jetë, asnjë mrekulli nuk do të kryhej derisa Krishti të kthehet.

F. A duhet të krishterët të kërkojnë mrekulli sot?

Tjetër gjë është të thuash që mrekullitë mund të ndodhin sot, e tjetër gjë është t’i kërkosh Perëndisë për mrekulli. A është gjë e duhur atëherë për të krishterët që t’i kërkojnë Perëndisë të kryejë mrekulli?

Përgjigjja e kësaj varet nga qëllimi për të cilin kërkohen mrekullitë. Padyshim që është e gabuar të kërkosh për fuqi mrekulli-bërëse për të rritur autoritetin apo famën personale, ashtu sikurse bëri Simon magjistari: Pjetri i tha: “zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë. Pendohu, pra, për këtë ligësinë tënde dhe lutju Perëndisë që, ndoshta, të mund të të falet synimi i zemrës sate” (Veprat 8:21–22).

Është gjithashtu e gabuar të kërkosh mrekulli thjesht sa për t’u argëtuar, ashtu sikurse bëri Herodi: “kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; sepse prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë shenjë të kryer prej tij” (Luka 23:8). Por Jezusi as që nuk iu përgjigj pyetjeve të Herodit.

Është gjithashtu gabim që jobesimtarët skeptikë, të kërkojnë mrekulli thjesht për të gjetur arsye për të kritikuar ata të cilët predikojnë ungjillin:

Dhe iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t`u tregojë një shenjë nga qielli. Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: «...Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon shenjë, dhe nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona». (Mat. 16:1–4)

Ky qortim kundër kërkimit të shenjave e mrekullive, është përsëritur gjetiu tek Ungjijtë, por është e rëndësishme të vërejmë që qortimet kundër kërkimit të shenjave, janë drejtuar gjithnjë kundër jobesimtarëve armiqësorë të cilët kërkojnë një mrekulli vetëm si e si të gjejnë mundësi për të kritikuar Jezusin.[191]34 Jezusi nuk qorton kurrë askënd që vjen me besim, apo si nevojtar, duke kërkuar shërim apo çlirim apo ndonjë lloj tjetër mrekullie, qoftë për vete, qoftë për të tjerët.

Çfarë do të themi atëherë për “1 Korintasve” 1:22–24, ku Pali thotë: “Sepse judenjtë kërkojnë një shenjë dhe grekët kërkojnë urtësi, por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për judenjtë dhe marrëzi për grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin judenj ose grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe urtësia e Perëndisë;”? Mos do Pali që me këtë të thotë se ai nuk kreu mrekulli (“shenja”) në Korint apo ndoshta gjatë punës së tij ungjillëzuese në përgjithësi?

Këtu, Pali nuk mund të jetë duke mohuar se ai kreu mrekulli në lidhje me shpalljen e ungjillit. Në fakt, tek “Romakëve” 15:18–19, një pasazh ky të cilin ai e shkroi ndërkohë që ishte në Korint, ai tha:

Sepse nuk do të guxoj të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjellë në bindje kombet me fjalë dhe me vepër,  me fuqi shenjash dhe mrekullish, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu që, prej Jerusalemit e përqark gjer në Iliri kam përmbushur shpalljen e ungjillit të Krishtit.

Edhe “2 Korintasve” 12:12 pohon qartësisht se Pali kreu “shenja e mrekulli dhe vepra të fuqishme” ndër ta.

Kështu, “1 Korintasve” 1:22–24 nuk mund të ketë kuptimin që Pali po mohonte vlefshmërinë e urtësisë apo vlefshmërinë e shenjave dhe mrekullive sepse përmes Krishtit ai kreu shenja dhe dha mësim gjëra të mençura. Përkundrazi, këtu ai po thotë se shenjat dhe urtësia nuk është se i shpëtojnë në vetvete njerëzit, por është ungjilli ai që i shpëton njerëzit. Shenjat si dhe mençuria që judenjtë dhe grekët po kërkonin, nuk ishin shenjat dhe mençuria e Krishtit, por thjesht shenja për të zbavitur dhe ushqyer armiqësinë, skepticizmin dhe mençurinë e tyre, e cila qe mençuria e botës e jo mençuria e Perëndisë.

Nuk ka asgjë të papërshtatshme në kërkimin e mrekullive për qëllimet e duhura për të cilat ato janë dhënë nga Perëndia: për të konfirmuar vërtetësinë e mesazhit të ungjillit, për të ndihmuar ata që janë në nevojë, për të larguar pengesat nga shërbesat njerëzve, dhe për t’i sjellë lavdi Perëndisë (shiko Seksionin C më lart). Tek Ungjijtë, shumë njerëz vijnë tek Jezusi duke kërkuar mrekulli, dhe Ai i shëroi ata për këto qëllime. Për më tepër, kur Ai dërgoi dishepujt e Tij për të predikuar që mbretëria e qiellit qe afër, Ai u tha: “Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët” (Mat. 10:7–8). Si mund ta bënin këtë gjë ata pa i kërkuar Perëndisë për mrekulli ngado ku shkuan? Urdhëresa e Jezusit kërkon prej tyre që të kërkojnë që mrekulli të ndodhin.

Pas Rrëshajave, kisha e hershme u lut edhe për guxim për të predikuar ungjillin, edhe që Perëndia të kryente mrekulli për të shoqëruar predikimin e tij. Ata i thirrën Perëndisë:

Dhe tani, Zot, vështro kërcënimet e tyre dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çdo çiltërsi, duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit. (Veprat 4:29–30)

Duke qenë larg nga mësimi që ne nuk duhet t’i kërkojmë Perëndisë mrekulli, ky shembull i kishës së hershme, na jep ca inkurajime për ta bërë këtë. Në mënyrë të ngjashme, dishepujt në Lidia, i dërguan fjalë Pjetrit që të vinte dhe të lutej për Tabithën pasi ajo kishte vdekur, duke kërkuar kësisoj një ndërhyrje mrekulli-bërëse nga Perëndia (Veprat 9:38). Gjithashtu Jakobi udhëzon që pleqtë e kishës duhet të luten e të kërkojnë shërim për ata që janë të sëmurë (Jakobi 5:14). Sigurisht, ne nuk duhet të supozojmë se një mrekulli e dukshme që ka ardhur si përgjigje ndaj lutjes, është disi më e mirë se një e cila vjen përmes mjeteve të zakonshme (si për shembull ndihma mjekësore për sëmundjet), dhe ne duhet të kuptojmë gjithashtu që fakti që po i kërkojmë Perëndisë për të na përmbushur një nevojë të caktuar, nuk na garanton që lutja do të marrë përgjigje. Nga ana tjetër, besimi ynë që Perëndia do të punojë në mënyra të fuqishme dhe madje të mrekullueshme, mund të jetë tepër i vogël. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi infektuar nga një botëkuptim shekullar që supozon se Perëndia i përgjigjet shumë rrallë lutjeve, për të mos thënë kurrë. Gjithashtu, ne padyshim që nuk duhet të vihemi në siklet për të folur për mrekulli nëse ato ndodhin, apo të mendojmë se një përgjigje jo me mrekulli ndaj një lutjeje është më e mirë! Mrekullitë janë vepër e Perëndisë, dhe Ai i kryen ato për t’i sjellë lavdi Vetes si dhe për ta forcuar besimin tonë. Kur ne hasim nevoja serioze në jetën e njerëzve sot, është e duhur për ne që të kërkojmë Perëndinë për një përgjigje, dhe atje ku ndërhyrjet me mrekulli duket se nevojiten, atëherë, ta pyesim Perëndinë nëse do të donte të punonte në atë mënyrë.[192]35 Kjo do të dukej veçanërisht e përshtatshme kur motivimi ynë, është një dhembshuri e ngjashme me Krishtin për ata që janë në nevojë, dhe një dëshirë e zjarrtë për të parë mbretërinë e Krishtit që të përparojë si dhe emrin e Tij të përlëvduar.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Kur sapo erdhe në besimin tek Krishti, a patën ndonjë ndikim tek ti historitë e mrekullive në Bibël (qoftë negativisht, qoftë pozitivisht) tek besimi prej teje i mesazhit të Shkrimit?

2.     Përpara se të lexonit këtë kapitull, a keni menduar më përpara për kishën në kohën e Besëlidhjes së Re si një kishë me mrekulli të shpeshta? A keni menduar për kishën bashkëkohore si një kishë me mrekulli të shpeshta? Pasi keni lexuar këtë kapitull, si ka ndryshuar pozita juaj, nëse ka ndryshuar ndopak?

3.     Nëse mendon se mrekullitë duhet të jenë karakteristike për kishën derisa Krishti të kthehet, atëherë përse nuk kemi parë shumë mrekulli në pika të ndryshme të historisë së kishës, dhe përse nuk po shikojmë shumë mrekulli në seksione të mëdha të kishës së krishterë sot?

4.     Nëse ti mban anën e një pozite “reshtëse” çfarë lloje përgjigjesh të pazakonta ndaj lutjes mund të mendoni ende si të mundshme sot? (Për shembull, lutje për shërim fizik, për çlirim nga rreziku, fitore mbi sulmin demonik përmes lutjes dhe/ose qortimin verbal të një fryme të keqe, apo thellimeve të papritura dhe të pazakonta në një pasazh të Shkrimit apo një situate në jetën e dikujt.) Si do t’i dalloje këto gjëra të cilat ti mund t’i mendoje të mundshme sot nga “mrekullitë” në përputhje me përkufizimin e dhënë në këtë kapitull? (Ti mund të dëshirosh të argumentosh për një përkufizim të ndryshëm edhe për “mrekullinë” gjithashtu.)

5.     A duhet që mrekullitë të jenë të mëdha dhe “mbresëlënëse” (si për shembull ringjallja nga të vdekurit apo shërimi i një njeriu të verbër që nga lindja) për të realizuar qëllime të dobishme në kishë sot? Çfarë lloje mrekullish “në shkallë të vogël” mund të shoqërojnë gjithashtu disa prej qëllimeve për mrekullitë e renditura në këtë kapitull? A di ndonjë përgjigje ndaj lutjes në kishën tënde (apo në jetën tënde) të cilën do ta karakterizoje si “mrekulli” në përputhje me përkufizimin e dhënë në fillim të kapitullit?

6.     A do të doje të shikoje më tepër prej fuqisë mrekulli-bërëse të Frymës së Shenjtë (apo më shumë përgjigje të pazakonta ndaj lutjes) të dhëna në vetë kishën tënde sot, apo jo? Nëse do të ndodhnin më shumë mrekulli, cilat mund të ishin rreziqet? Cilat mund të ishin dobitë?

TERMA TË VEÇANTË

reshtës

vepra të fuqishme

mrekulli

ligji natyror

shenja

shenjat e një apostulli të vërtetë

çudi

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton (pa trajtim të posaçëm)

2. Arminiane (Wesleyane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:63–76

1940 Wiley, 1:149, 150, 153, 154

1983- Cottrell, 2:229–604

3. Baptiste

1907 Strong, 117–133

1917 Mullins, 172, 193

1983–1985 Erickson, 406–410

1987–1994 Lewis/Demarest, 1:100–109, 115–118

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 7:239

1949 Thiessen, 11–13

1986 Ryrie, 350–351, 372–373

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 1:459–460

1934 Mueller, 174

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:14–18, 85–88; 2:1453–1455, 1465–1467 (PA 3; 1.8.5–8; 4.19.6, 18)

1861 Heppe, 263–265

1871–1873 Hodge, 1:617–636

1887–1921 Warfield, SSW 2:167–206

1889 Shedd, 1:533–546

1937–1966 Murray, CW 3:210–214

1938 Berkhof, 176–178

1962 Buswell, 1:176–183

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:141–168

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott (pa trajtim të posaçëm)

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 1:325–328

Vepra të tjera

Berkouwer, G.C. “Provania dhe Mrekullitë (Providence and Miracles).” Tek Provania dhe Mrekullitë (The Providence of God). Përkth. nga Lewis B. Smedes. Grand Rapids: Eerdmans, 1952, fq. 188–231.

Boice, James Montgomery. “Një Mënyrë më e Mirë: Fuqia e Fjalës dhe e Frymës (A Better Way: The Power of Word and Spirit).” Tek Feja e Fuqishme: Devijimi i Kishës Ungjillore? (Power Religion: The Selling Out of the Evangelical Church?) Michael Scott Horton, r[193]ed. Chicago: Moody Press, 1992.

Bridge, Donald. Shenjat dhe Çuditë Sot (Signs and Wonders Today). Leicester: Inter-Varsity Press, 1985.

Brown, Colin. “Mrekulli (Miracle).” Tek FRT ([194]NDT) fq. 433–434.

_______. Që të Mund të Besoni: Mrekullitë dhe Besimi—Asokohe dhe Tani (That You May Believe: Miracles and Faith—Then and Now). Grand Rapids: Eerdmans, 1985.

Carson, D.A. “Qëllimi i Shenjave dhe Çudive në Besëlidhjen e Re (The Purpose of Signs and Wonders in the New Testament),” Tek Feja e Fuqishme: Devijimi i Kishës Ungjillore (Power Religion: The Selling Out of the Evangelical Church?) Michael Scott Horton, red. Chicago: Moody Press, 1992.

Deere, Jack. I Befasuar nga Fuqia e Frymës: Një Ish Profesor i Seminarit Teologjik Dallas Zbulon që Perëndia Ende Flet dhe Shëron Sot (Surprised by the Power of the Spirit: A Former Dallas Seminary Professor Discovers That God Still Speaks and Heals Today). Grand Rapids: Zondervan, 1993.

Geisler, Norman. Shenja dhe Çudi (Signs and Wonders). Wheaton: Tyndale, 1988.

_______. Mrekullitë dhe Mendimi Modern (Miracles and Modern Thought). Me një përgjigje ndaj R.C. Sproul. Grand Rapids: Zondervan, and Dallas: Probe Ministries, 1982.

Greig, Gary S., dhe Kevin N. Springer, red. Mbretëria dhe Pushteti (The Kingdom and the Power). Ventura, Calif.: Regal, 1993.

Gross, Edward N. Mrekullitë, Demonët dhe Lufta Shpirtërore: Një Thirrje Urgjente për Dallim (Miracles, Demons, and Spiritual Warfare: An Urgent Call for Discernment). Grand Rapids: Baker, 1990.

Grudem, Wayne. Fuqia dhe e Vërteta: Një Përgjigje ndaj Kritikës së Mësimit dhe Praktiksë së Vineyard (Power and Truth: A Response to the Critiques of Vineyard Teaching and Practice) nga D.A. Carson, James Montgomery Boice, dhe John H. Armstrong tek Feja e Fuqishme (Power Religion). Anaheim, Calif.: Association of Vineyard Churches, 1993.

_______. “A Duhet të Krishterët të Presin për Mrekulli Sot? Kundërshtime dhe Përgjigje nga Bibla (Should Christians Expect Miracles Today? Objections and Answers From the Bible).” Tek Mbretëria dhe Fuqia (The Kingdom and the Power). Gary Greig dhe Kevin Springer, red. Ventura, Calif.: Regal, 1993, fq. 55–110.

Horton, Michael S., red. Feja e Fuqishme: Devijimi i Kishës Ungjillore (Power Religion: The Selling Out of the Evangelical Church?) Chicago: Moody, 1992.

Kirk, J.A. “Fuqia (Power).” Tek FRT (NDT) fq. 524–525.

Lewis, C.S. Mrekullitë: Një Studim Paraprak (Miracles: A Preliminary Study). New York: Macmillan, 1947.

Moule, C.F.D., red. Mrekullitë (Miracles). London: Mowbray, 1965.

Spiceland, J.D. “Mrekullitë (Miracles).” Tek FUT ([195]EDT) fq. 723–724.

Wenham, David, dhe Craig Blomberg, red. Mrekullitë dhe Jezusi (Miracles of Jesus). Sheffield, England: [196]JSOT, 1986.

Williams, Don. Shenja, Çudi dhe Mbretëria e Perëndisë: Një Udhëzues Biblik për Skeptikun (Signs, Wonders, and the Kingdom of God: A Biblical Guide for the Skeptic). Ann Arbor, Mich.: Servant, 1989.

Wimber, John, me Kevin Springer. Ungjillëzim me Fuqi (Power Evangelism). Botim i rishikuar. San Francisco: Harper and Row, and London: Hodder and Stoughton, 1992.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Hebrenjve” 2:3–4: “Si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh, i cili, si u shpall në fillim nëpërmjet Zotit, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, ndërsa Perëndia bashkëdëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish dhe me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me të ndara dhuntish të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të ti.

HIMN

“FORTESË E FUQISHME ËSHTË PERËNDIA YNË (A MIGHTY FORTRESS IS OUR GOD)”

Fortesë e fuqishme është Perëndia ynë, një mburojë e pathyer gjithnjë;

Ndihmuesi ynë kur vështirësitë e kësaj bote ngado na rrethojnë.

Sepse ende armiku ynë i lashtë kërkon të na shkaktojë mjerime;

Dinakëria dhe fuqia e tij është e madhe; dhe, i armatosur është me urrejtje mizore,

Në tokë atij nuk i gjendet shoku.

Po të kishim besuar tek forcat tona, përpjekja jonë do të kishte dështuar;

Po të mos ishte njeriu i duhur në anën tonë, njeriu nga Perëndia i zgjedhur.

A pyet se kush mund të ishte ai njeri? Jezus Krishti është Ai,

Emri i Tij Zoti Sabaothi, epokë pas epoke po i njëjti,

Dhe Ai do ta fitojë patjetër betejën.

Dhe sikur kjo botë, plot me demonë, me vdekje të na kërcënojë,

Frikë nuk kemi sepse e vërteta e Tij siç Ai e vendosur përmes nesh do ngadhënjejë.

Princi i errësirës hijerëndë, ne nuk dridhemi prej tij;

Tërbimit të tij ne mund t’i bëjmë ballë, se ja! Fundi i tij është i sigurt;

Një fjalë e vogël dhe do ta rrëzojë atë.

Ajo fjalë përmbi gjithë pushtetet tokësore, jo në sajë të tyre, qëndron;

Fryma dhe dhuratat janë të tonat përmes Tij që merr anën tonë;

Le që të mirat dhe të afërmit të shkojnë, e kjo jetë vdekatare gjithashtu;

Trupin ata mund ta vrasin: E vërteta e Perëndisë mbetet ende;

Mbretëria e Tij është përgjithmonë.

Autori: Martin Luteri, 1529

Pen
>