General
Text

Kapitulli 19: Engjëjt

Lesson 21 Chapter 11 Module 4

Engjëjt

Çfarë janë engjëjt? Përse i krijoi Perëndia?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Çfarë janë engjëjt?

Engjëjt ne mund t’i përkufizojmë si vijon: Engjëjt janë qenie të krijuara dhe shpirtërore, me gjykim moral dhe inteligjencë të lartë, por pa trupa fizikë.

1. Qenie të krijuara shpirtërore. Engjëjt nuk kanë ekzistuar gjithnjë. Ata janë pjesë e universit që Perëndia krijoi. Në një pasazh i cili i referohet engjëjve si “ushtria” e qiellit (apo “ushtritë e qiellit”), Ezdra thotë: “Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejt, qiejt e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre... dhe ushtria e qiejve të adhuron” (Neh. 9:6; kr. Psa. 148:2, 5). Pali na thotë që Perëndia krijoi të gjitha gjërat “që duken dhe ato që nuk duken” përmes Krishtit dhe për Krishtin, dhe pastaj përfshin në mënyrë specifike botën qiellore me frazën: “frone, zotërime, principata dhe pushtete” (Kol. 1:16).

Fakti që engjëjt ushtrojnë gjykim moral, shikohet në faktin që disa prej tyre mëkatuan dhe ranë nga pozitat e tyre (2 Pjetrit 2:4; Juda 6; shiko kapitullin 20). Inteligjenca e tyre e lartë, vërehet përgjatë gjithë Shkrimit ndërkohë që ato u flasin njerëzve (Mat. 28:5; Vep. 12:6–11; etj.) dhe i këndojnë lavde Perëndisë (Zbu. 4:11; 5:11).

Përderisa engjëjt janë “frymë” (Heb. 1:14) apo krijesa shpirtërore, ato nuk është se shfaqen zakonisht me trupa fizikë (Luka 24:39). Për rrjedhojë, ata nuk mund të shikohen zakonisht prej nesh po qe se Perëndia nuk na jep një aftësi të veçantë për t’i parë ata (Num. 22:31; 2 Mbretërve 6:17; Luka 2:13). Në veprimtaritë e tyre të zakonshme të ruajtjes dhe mbrojtjes tonë (Psa. 34:7; 91:11; Heb. 1:14), dhe bashkimit me ne në adhurim ndaj Perëndisë (Heb. 12:22), ata janë të padukshëm. Sidoqoftë, hera herës, engjëjt morën një formë trupore me qëllim për t’iu shfaqur njerëzve të ndryshëm në Shkrim (Mat. 28:5; Heb. 13:2).

2. Emra të tjerë për engjëjt. Shkrimi nganjëherë përdor terma të tjerë për engjëjt, si për shembull: “bijtë e Perëndisë” (Jobi 1:6; 2:1), “shenjtorëve” (Psa. 89:5, 7), “frymëra” (Heb. 1:14), “rojë” (Dan. 4:13, 17, 23), “frone” “zotërime,” “principata,” dhe “pushtete” (Kol. 1:16).

3. Lloje të tjera qeniesh qiellore. Ka tre lloje të tjera specifike qeniesh qiellore të cilat përmenden me emër në Shkrim. Sido që t’i mendojmë, si lloje të veçanta “engjëjsh” (në kuptimin e gjerë të këtij termi), apo si qenie qiellore të ndryshme nga engjëjt, ato janë gjithsesi qenie shpirtërore të krijuara të cilat i shërbejnë dhe e adhurojnë Perëndinë.

a. “Kerubinët” [214]1 Kerubinët u ngarkuan me detyrën e ruajtjes së hyrjes së kopshtit të Edenit (Zan. 3:24), dhe për Perëndinë Vetë thuhet shpesh herë se është i ngritur në fron përmbi kerubimë apo se udhëton me kerubinë si koçi e Vet (Psa. 18:10; Ezek. 10:1–22). Mbi arkën e besëlidhjes në Besëlidhjen e Vjetër, ishin dy figura të arta kerubinësh, me krahët të hapur përmbi arkë, dhe pikërisht aty Perëndia premtoi se do të vinte për të banuar ndër popullin e Tij: “Aty unë do të të takoj, nga lart, mbi pajtuesin, midis dy kerubinëve që janë mbi Arkën e Dëshmisë, do të të njoftoj tërë urdhrat që do të të jap për bijtë e Izraelit” (Eks. 25:22; kr. vgj. 18–21).

b. “Serafin” [215]2 Një grup tjetër qeniesh qiellore, serafinët përmenden vetëm tek “Isaia” 6:2–7, ku ata në mënyrë të pandërprerë adhurojnë Zotin dhe i thërrasin njëri tjetrit duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” (Isa. 6:3).

c. Krijesat e gjalla: Si “Ezekieli”, ashtu edhe “Zbulesa” na tregojnë edhe për lloje të tjera qeniesh qiellore të njohura si “krijesa të gjalla përreth fronit të Perëndisë (Ezek. 1:5–14; Zbu. 4:6–8).[216]3 Me pamje të jashtme si të një njeriu, luani, kau, shqiponje, ato janë përfaqësuesit më të fuqishëm të pjesëve të ndryshme të krijimit tërësor që Perëndia ka bërë (bisha të egra, kafshë shtëpiake, qenie njerëzore dhe zogj), dhe ata e adhurojnë vazhdimisht Perëndinë: “Ditë e natë ata nuk reshtin kurrë së kënduari, “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Gjithëpushtetshmi, që ishte, që është dhe që vjen!”’ (Zbu. 4:8)

4. Sëra dhe rendi ndër engjëjt. Shkrimi lë të kuptohet se ndër engjëjt ka sërë dhe rend. Një engjëll, Mikaeli, është quajtur një “krye-engjëll” tek “Juda” 9, një titull ky që nënkupton sundimin apo autoritetin mbi engjëjt e tjerë. Ai është quajtur “një nga princat e parë” tek “Danieli” 10:13. Mikaeli gjithashtu duket se është një drejtues në ushtrinë engjëllore: “Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; dhe dragoi luftoi edhe engjëjt e tij dhe nuk fituan” (Zbu. 12:7–8). Dhe Pali na thotë se Zoti do të kthehet nga qielli me “zë kryeengjëlli ” (1 Thes. 4:16). Nëse kjo i referohet Mikaelit si i vetmi krye-engjëll apo nëse ka krye-engjëj të tjerë, këtë Shkrimi nuk e tregon.

5. Emra engjëjsh specifikë. Vetëm emrat e dy engjëjve jepen specifikisht në Shkrim.[217]4 Mikaeli është përmendur tek “Juda” 9 dhe “Zbulesa” 12:7–8 si dhe tek “Danieli” 10:13, 21, ku ai quhet: “Mikaeli, një nga princat e parë” (v. 13). Engjëlli Gabriel, është përmendur tek Danieli 8:16 dhe 9:21 si një lajmëtar i cili vjen nga Perëndia për t’i folur Danielit. Gabrieli është identifikuar gjithashtu si lajmëtari i Perëndisë për Zakarinë dhe Marinë tek “Luka” 1: engjëlli i përgjigjet Zakarisë kështu: “Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë” (Luka 1:19). Pastaj lexojmë: “Por në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër...dhe emri i virgjëreshës qe Maria” (Luka 1:26–27).

6. Vetëm në një vend në një kohë. Shkrimi shpesh herë i paraqet engjëjt në udhëtim nga njëri vend për tek një vend tjetër, si në vargun e përmendur më lart ku Gabrieli “u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret” (Luka 1:26). Kjo është thënë shkoqur kur një engjëll vjen tek Danieli dhe thotë:

unë erdha si përgjigje e fjalëve të tua. Por princi i mbretërisë së Persisë më kundërshtoi njëzet e një ditë; por ja, Mikaeli, një nga princat e parë, më erdhi në ndihmë, sepse kisha mbetur atje me mbretin e Persisë. Dhe tani kam ardhur të të bëj të kuptosh atë që do t'i ndodhë popullit tënd në mbarim të ditëve. (Dan. 10:12–14)

Ideja që një engjëll mund të jetë vetëm në një vend në një kohë, është e përputhshme me faktin që engjëjt janë qenie të krijuara. Ndryshe nga Perëndia, i Cili është i gjithëpranishëm, ato janë krijesa të fundme dhe për rrjedhojë të kufizuara ndaj qenies në një vend në një kohë, ashtu sikurse gjithçka tjetër që Perëndia ka krijuar.[218]5

7. Sa engjëj ka? Paçka se Shkrimi nuk na jep një shifër për numrin e engjëjve që Perëndia krijoi, numri i tyre duket se është shumë i madh. Lexojmë se Perëndia, në Malin Sinai “arriti nga mesi i një morie shenjtorësh; nga e djathta e tij dilte për ta një ligj i zjarrtë” (L. i P. 33:2). Gjithashtu mësojmë se, “Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra” (Psa. 68:17). Kur ne vijmë për të adhuruar, ne vijmë në praninë e “morisë së engjëjve” (Heb. 12:22).[219]6 Numri i tyre është theksuar në mënyrë më mbresëlënëse tek “Zbulesa” 5:11, ku Gjoni thotë: “Dëgjova zërin e shumë engjëjve rreth e qark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash.” Kjo shprehje tregon një numër jashtëzakonisht të madh (parë nga këndvështrimi njerëzor)—një mori e panumërueshme qeniesh engjëllore që lavdëronin Perëndinë.

8. A kanë njerëzit engjëj mbrojtës personalë? Shkrimi na tregon qartë se Perëndia i dërgon engjëjt për mbrojtjen tonë: “Sepse ai do të urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur” (Psa. 91:11–12). Por, disa njerëz kanë shkuar përtej kësaj ideje të mbrojtjes së përgjithshme dhe vrasin mendjen nëse Perëndia jep një “engjëll mbrojtjes” specifik për çdo individ në botë, apo të paktën për çdo të krishterë. Mbështetje për këtë ide është gjendur tek fjalët e Jezusit rreth fëmijëve të vegjël, “engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, në qiej” (Mat. 18:10). Sidoqoftë, Zoti ynë mundet që thjesht të jetë duke thënë se engjëjt të cilëve u është ngarkuar detyra e mbrojtjes së fëmijëve të vegjël, kanë një liri hyrjeje të menjëhershme në praninë e Perëndisë. (Për të përdorur një analogji nga atletika, engjëjt mund të jenë duke luajtur me “reparte” e jo me një mbarkim një me një.)[220]7 Kur dishepujt tek “Veprat” 12:15 thonë se “engjëlli” i Pjetrit duhet të ishte ai që po trokiste në derë, kjo nuk është se domosdoshmërisht nënkupton besimin se ekziston një engjëll personal mbrojtës. Mund të jetë se një engjëll po ruante apo po kujdesej për Pjetrin në pikërisht atë kohë. Për rrjedhojë, duket se nuk ka mbështetje bindëse për idenë e “engjëjve mbrojtës” personalë në tekstin e Shkrimit.

9. Engjëjt nuk martohen. Jezusi dha mësim se në ringjallje, njerëzit “as martohen, as martojnë, por janë si engjëjt e Perëndisë në qiell” (Mat. 22:30; kr. Luka 20:34–36). Kjo gjë do të sugjeronte se engjëjt nuk kanë atë lloj marrëdhënieje familjare që ekziston ndër qeniet njerëzore. Shkrimi nuk thotë gjë tjetër për këtë çështje, kështu që do të ishte mençuri që të mos përfshihemi në spekulime.[221]8

10. Fuqia e engjëjve. Duket se engjëjt kanë një fuqi shumë të madhe. Ata janë quajtur “engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai” (Psa. 103:20) dhe “pushtete” (kr. Efe. 1:21) dhe “zotërime” e “pushtete” (Kol. 1:16). Engjëjt duket se janë “më të mëdhenj në fuqi dhe forcë” sesa qeniet njerëzore kryengritëse (2 Pjetrit 2:11; kr. Mat. 28:2). Të paktën për kohën e ekzistencës së tyre tokësore, qeniet njerëzore janë bërë “më të vogjël nga engjëjt” (Heb. 2:7). Paçka se fuqia e engjëjve është e madhe, padyshim që ajo nuk është e pafundme, por ajo është përdorur për të luftuar kundër fuqive demonike që janë nën kontrollin e Satanit (Dan. 10:13; Zbu. 12:7–8; 20:1–3).[222]9 Megjithëkëtë, kur Zoti të kthehet, ne do të ngrihemi në një pozitë më të lartë sesa ajo e engjëjve (1 Kor. 6:3; shiko seksionin C.1, më poshtë).

11. Kush është Engjëlli i Zotit? Ka një sërë pasazhesh nga Shkrimi, veçanërisht në Besëlidhjen e Vjetër, të cilat flasin për engjëllin e Zotit në një mënyrë e cila sugjeron se Ai është Perëndia Vetë që merr një formë njerëzore për t’u shfaqur shkurtimisht ndaj njerëzve të ndryshëm në Besëlidhjen e Vjetër.

Në disa pasazhe “Engjëlli i ZOTIT” (jo “një engjëll i Zotit”) është përmendur si Zoti Vetë.  Kështu, “Engjëlli i ZOTIT” që gjeti Hagarin në shkretëtirë, i premton asaj: “Unë do ta shumëzoj fort pasardhjen tënde, aq sa të mos mund të llogaritet për shkak të numrit të saj të madh” (Zan. 16:10), dhe Hagari përgjigjet duke thirrur “emrin e Zotit që i kishte folur: “Ti je El-Roi”’ (Zan. 16:13). Në mënyrë të ngjashme, kur Abrahami bëhet gati të sakrifikojë birin e tij, Isakun, “Engjëlli i ZOTIT” e thërret nga qielli dhe thotë: “Tani e di mirë që ti i druhesh Perëndisë, se për shkakun tim nuk e ke kursyer birin tënd, të vetmin bir që ke” (Zan. 22:12). Kur “engjëlli i Perëndisë” iu shfaq Jakobit në një ëndërr, ai tha: “Unë jam Perëndia i Bethelit, ku ti ke vajosur një përmendore dhe më bëre një zotim” (Zan. 31:11, 13). Përsëri, kur “ Engjëlli i ZOTIT” iu shfaq Moisiut në flakët e zjarrit në mes të shkurres, ai atëherë tha: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit” (Eks. 3:2, 6). Këto janë tregues të qartë që engjëlli i Zotit apo engjëlli i Perëndisë u shfaq si Perëndia Vetë, ndoshta më specifikisht si Perëndia Bir, duke marrë mbi Vete një trup njerëzor për një periudhë të shkurtër, me qëllim për t’iu shfaqur qenieve njerëzore.

Herë të tjera, engjëlli i Zotit duket se është parë veçmas Perëndisë (shiko 2 Sam. 24:16; Psa. 34:7; Zak. 1:11–13), dhe pasazhet të cilat përmendin “një engëll i Zotit” (p.sh., Luka 1:11) zakonisht nënkuptojnë një engjëll të dërguar nga Perëndia.

B. Kur u krijuan engjëjt?

Të tërë engjëjt duhet të jenë krijuar përpara ditës së shtatë të krijimit, sepse lexojmë që: “Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre” (Zan. 2:1, duke kuptuar me “ushtria” krijesat qiellore të cilat popullojnë universin e Perëndisë). Një deklaratë edhe më e shkoqitur sesa kjo është: “Në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe ditën e shtatë ai pushoi” (Eks. 20:11). Për rrjedhojë, të tërë engjëjt u krijuan të paktën përpara ditës së gjashtë të krijimit.

Por a mundemi ne të jemi më specifikë? Mund të ketë një aludim për krijimin e qenieve engjëllore në ditën e parë të krijimit, kur lexojmë se “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zan. 1:1), dhe pastaj menjëherë pas kësaj lexomë se “Toka ishte pa trajtë, e zbrazët” (Zan. 1:2), por pa përmendje të qiejve në vargun e dytë. Kjo mund të sugjerojë që gjendja e pabanueshme e tokës, vihet në kontrast me qiejt ku, ndoshta, Perëndia ka krijuar tashmë qenie engjëllore dhe u ka caktuar atyre role dhe rende të ndryshme. Kjo ide bëhet më bindëse kur lexojmë se “yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi” në kohën kur Perëndia vuri “gurin qoshes” të tokës dhe i fundosi “themelet” e saj në procesin e formimit apo themelimit të saj (Jobi 38:6–7). Nëse engjëjt (“bijtë e Perëndisë”) thirrën nga gëzimi kur Perëndia po e bënte tokën të banueshme, kjo mund të nënkuptonte se Perëndia i krijoi qeniet engjëllore në fillim të ditës së parë.

Sidoqoftë, përderisa kemi vetëm aludime në Shkrime, ne duhet të mbetemi të kënaqur me faktin se Perëndia nuk na ka dhënë shumë informacion rreth kohës së krijimit të engjëjve. Spekulimet e mëtejshme, veçmas të dhënave të qarta nga Shkrimet, do dukeshin të padobishme. “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë përgjithnjë, me qëllim që të zbatojmë tërë fjalët e këtij ligji” (L. i P. 29:29).

Ca kohë përpara se Satani të tundonte Evën në kopsht (Zan. 3:1), një sërë engjëjsh mëkatuan dhe ngritën krye kundër Perëndisë (2 Pjetrit 2:4; Juda 6). Kjo ngjarje duket se ndodhi rreth ditës së gjashtë të krijimit kur “Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë” (Zan. 1:31), por përtej kësaj, Shkrimi nuk na jep informacion të mëtejshëm.

C. Vendi i engjëjve në qëllimin e Perëndisë

1. Engjëjt tregojnë madhështinë e dashurisë dhe planit të Perëndisë për ne. Qeniet njerëzore dhe engjëjt (po ta përdorim këtë term më gjerësisht) janë të vetmet krijesa morale, tejet inteligjente që Perëndia ka bërë. Për rrjedhojë, ne mund të kuptojmë shumëçka rreth planit dhe dashurisë së Perëndisë për ne, kur e krahasojmë veten tonë me engjëjt.

Dallimi i parë që duhet vërejtur, është që për engjëjt nuk thuhet kurrë se janë bërë “sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë,” ndërkohë që për qeniet njerëzore është thënë disa herë se janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (Zan. 1:26–27; 9:6). Përderisa të qenurit sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë do të thotë të jesh si Perëndia,[223]10 duket e përshtatshme të dalim në përfundimin që ne jemi më shumë si Perëndia sesa ç’janë engjëjt.

Kjo mbështetet nga fakti që Perëndia një ditë do të na japë autoritet mbi engjëjt, për t’i gjykuar ato: “A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj?” (1 Kor. 6:3). Paçka se ne jemi “për pak kohë më të vegjël nga engjëjt” (Heb. 2:7), kur shpëtimi ynë është i plotë, ne do të përlartësohemi përmbi engjëjt dhe do të mbretërojmë mbi ta. Faktikisht, edhe tani, engjëjt na shërbejnë: “A nuk janë të gjithë frymëra shërbenjëse, që dërgohen për t'u shërbyer atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?” (Heb. 1:14).

Aftësia e qenieve njerëzore për të lindur fëmijë si ata vetë (Adami “i lindi një djalë që i përngjiste, njëlloj në shëmbëlltyrë të tij” Zan. 5:3) është një element tjetër i superioritetit tonë ndaj engjëjve, të cilët duket se nuk mund të lindin fëmijë (kr. Mat. 22:30; Luka 20:34–36).

Engjëjt gjithashtu demonstrojnë madhështinë e dashurisë së Perëndisë për ne, në atë që, paçka se shumë engjëj mëkatuan, asnjë prej tyre nuk shpëtoi. Pjetri na thotë se: “Perëndia nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në skëterrë të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq” (2 Pjetrit 2:4). “Juda” thotë se “Dhe ata engjëjt që nuk e mbajtën gjendjen e tyre të parë, po lanë banesën e vet, i mbajti me pranga të përjetshme poshtë në errësirë për gjyqin e ditës së madhe” (Juda 6). Dhe ne lexojmë tek “Hebrenjve” se: “Sepse ai, pra, nuk kujdeset për engjëjt, por kujdeset për farën e Abrahamit” (Heb. 2:16).

Për rrjedhojë, shikojmë se Perëndia krijoi dy grupe krijesash inteligjente dhe morale. Ndër engjëjt, shumë syresh mëkatuan, por Perëndia vendosi të mos shpengojë asnjë prej tyre. Kjo ishte tërësisht e drejtë nga ana e Perëndisë, dhe asnjë engjëll nuk mund të ankohet ndonjëherë se po trajtohet me pa të drejtë nga Perëndia.

Tani, ndër grupin tjetër të krijesave morale, qeniet njerëzore, gjejmë gjithashtu që një numër i madh (në fakt, të tërë), kanë mëkatuar dhe janë larguar nga Perëndia. Ashtu sikurse me engjëjt që mëkatuan, Perëndia mund të na kishte lënë të tërëve që të ndiqnim shtegun tonë të vetë-zgjedhur drejt dënimit të përjetshëm. Po qe se Perëndia do të kishte vendosur që të mos shpëtonte askënd nga e tërë raca mëkatare njerëzore, Ai do të ishte përsosmërisht i drejtë për këtë, dhe asnjë nuk do mund të ankohej për padrejtësi nga ana e Tij.

Por Perëndia vendosi që të bëjë shumë më tepër sesa thjesht të plotësonte kërkesat e drejtësisë. Ai vendosi që të shpëtonte disa qenie njerëzore të mëkatshme. Nëse do të kishte vendosur që të shpëtonte vetëm pesë qenie njerëzore nga e gjithë raca njerëzore, kjo do të kishte qenë shumë më tepër sesa drejtësi: do të kishte qenë një demonstrim i shkëlqyer i mëshirës dhe hirit të Tij. Po qe se Ai do të kishte vendosur të shpëtonte vetëm njëqind vetë nga e tërë raca njerëzore, kjo do të kishte qenë një demonstrim i mahnitshëm i mëshirës dhe dashurisë. Por, Perëndia në fakt ka zgjedhur që të bëjë shumë më tepër se aq. Ai ka vendosur që nga njerëzimi i mëkatshëm, Ai të shpengojë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mundet ta numërojë, “prej çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi” (Zbu. 5:9). Kjo është mëshirë dhe dashuri e pamatë, shumë përtej asaj që ne mund të kuptojmë. E gjitha kjo është një favor i pamerituar: e gjitha kjo është nga hiri. Kontrasti mbresëlënës me fatin e engjëjve, e bën këtë të vërtetë të kuptueshme për ne.

Fakti që ne jemi shpëtuar nga një jetë kryeneçësie ndaj Perëndisë, do të thotë se ne jemi në gjendje që të këndojmë këngë të cilat engjëjt nuk do munden kurrë t’i këndojnë në jetë të jetëve.

I shpenguar—sa më pëlqen ta shpall këtë!

I shpenguar nga gjaku i qengjit;

I shpenguar përmes mëshirës së Tij të pafundme—

Fëmija i Tij, përgjithmonë, jam.

Kjo këngë, si dhe të tëra këngët e tjera të shkëlqyera të cilat shpallin shpengimin tonë në Krishtin, janë për t’u kënduar vetëm nga ne. Engjëjt jo të rënë, na shikojnë tek këndojmë këto këngë dhe gëzohen (Luka 15:10), por ato nuk do munden kurrë t’i bëjnë ato të tyret.

2. Engjëjt na kujtojnë që bota e padukshme është reale. Ashtu sikurse saducenjtë në kohën e Jezusit thanë se “nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë” (Veprat 23:8), po kështu, shumëkush në kohën tonë e mohon realitetin e çfarëdo gjëje që ata nuk mund ta shikojnë. Por mësimi biblik mbi ekzistencën e engjëjve, është një kujtues i vazhdueshëm ndaj nesh se ekziston një botë që nuk duket e cila është shumë reale. Vetëm kur Zoti ia hapi sytë shërbëtorit të Eliseut për realitetin e kësaj bote të padukshme, vetëm atëherë shërbëtori pa që “mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut” (2 Mbretërve 6:17; kjo qe një ushtri e madhe engjëllore që iu dërgua Dothanit për të mbrojtur Eliseun nga sirianët). Edhe psalmisti tregon një vetëdijësim për botën e padukshme kur i inkurajon engjëjt me fjalët: “Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij!” (Psa. 148:2). Autori i “Hebrenjve”, na kujton se kur ne adhurojmë, ne hyjmë në Jerusalemin qiellor, bashkë me “morinë e engjëjve” (Heb. 12:22), të cilët ne nuk i shikojmë, por prania e të cilëve duhet të na mbushë edhe me drojë edhe me gëzim. Kjo botë mosbesuese mund ta lërë mënjanë temën e engjëjve duke e konsideruar si thjesht besëtytni, por Shkrimi e ofron atë si njohuri të thelluar për aktualitetin e tyre të vërtetë.

3. Engjëjt janë shembuj për ne. Si në bindjen e tyre, ashtu edhe në adhurimin e tyre, engjëjt sigurojnë shembuj të dobishëm të cilët ne duhet t’i imitojmë. Jezusi na mëson që të lutemi me këto fjalë: “ U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mat. 6:10). Në qiell, vullneti i Perëndisë kryhet nga engjëjt, menjëherë, me gëzim dhe pa diskutim. Ne duhet të lutemi për çdo ditë që bindja jonë si dhe ajo e të tjerëve të jetë si ajo e engjëjve në qiell. Kënaqësia e tyre është që të jenë shërbëtorët e përulur të Perëndisë, ku secili prej tyre me besnikëri dhe gëzim kryejnë detyrat që u janë ngarkuar, të mëdha apo të vogla qofshin. Dëshira dhe lutja jonë duhet të jetë që ne vetë, si dhe të tërë njerëzit në këtë botë, të bëjnë të njëjtën gjë.

Engjëjt shërbejnë gjithashtu si shembujt tanë në adhurimin që ata i bëjnë Perëndisë. Serafinët përpara fronit të Perëndisë, e shikojnë Perëndinë në shenjtërinë e Tij dhe vazhdojnë të thërrasin: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” (Isa. 6:3). Gjithashtu Gjoni shikon përreth fronit të Perëndisë një ushtri të madhe engjëllore, “dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash, që thoshin me zë të madh: “I denjë është Qengji i therur, të marrë fuqi, dhe pasuri, dhe urtësi, dhe forcë, dhe nder, dhe lavdi, dhe bekim!”’ (Zbu. 5:11–12). Ashtu sikurse engjëjt e kanë për gëzimin e tyre më të madh që të lavdërojnë vazhdimisht Perëndinë, a nuk duhet që edhe ne gjithashtu të gjejmë për çdo ditë kënaqësi për të kënduar lavdet e Perëndisë, duke e llogaritur këtë si përdorimin më të lartë e më të çmuar të kohës tonë si dhe të gëzimit tonë më të madh?

4. Engjëjt zbatojnë një pjesë të planeve të Perëndisë. Shkrimi i shikon engjëjt si shërbëtorë të Perëndisë të cilët zbatojnë disa prej planeve të Tij në tokë. Ata u sjellin kumtet e Perëndisë njerëzve (Luka 1:11–19; Veprat 8:26; 10:3–8, 22; 27:23–24). Ata zbatojnë disa prej gjykimeve të Perëndisë, duke sjellë një mundim mbi Izraelin (2 Sam. 24:16–17), duke goditur drejtuesit e ushtrisë asiriane (2 Kron. 32:21), duke e lënë shakull mbretin Herod  për shkak se ai nuk i dha lavdi Perëndisë (Veprat 12:23), apo duke derdhur kupat e zemërimit të Perëndisë mbi tokë (Zbu. 16:1). Kur Krishti të kthehet, engjëjt do të vijnë me Të si një ushtri e madhe e cila shoqëron Mbretin dhe Zotin e vet (Mat. 16:27; Luka 9:26; 2 Thes. 1:7).

Engjëjt gjithashtu patrullojnë tokën si përfaqësues të Perëndisë (Zak. 1:10–11) dhe zhvillojnë luftë kundër forcave demonike (Dan. 10:13; Zbu. 12:7–8). Gjoni në vizionin e tij pa një engjëll që zbriste nga qielli, dhe ai dokumenton se engjëlli “kapi dragoin, gjarprin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet, dhe e hodhi atë në humnerë...” (Zbu. 20:1–3). Kur Krishti të kthehet, një kryeengjëll do të shpallë ardhjen e Tij (1 Thes. 4:16; kr. Zbu. 18:1–2, 21; 19:17–18; etj.).

5. Engjëjt përlëvdojnë drejtpërsëdrejti Perëndinë. Engjëjt gjithashtu shërbejnë në një funksion tjetër: ata i shërbejnë drejtpërsëdrejti Perëndisë duke e përlëvduar Atë. Kështu, përveç qenieve njerëzore, ka edhe krijesa të tjera inteligjente e morale të cilat përlëvdojnë Perëndinë në univers.

Engjëjt përlëvdojnë Perëndinë për atë që Ai është në Vetvete, për përsosmërinë e Tij.

Bekoni Zotin ju, engjëj të tij

të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai,

duke iu bindur zërit të fjalës së tij! (Psa. 103:20; kr. 148:2)

Serafinët vazhdimisht e lavdërojnë Perëndinë për shenjtërinë e Tij (Isa. 6:2–3), njëlloj sikurse bëjnë edhe katër krijesat e gjalla (Zbu. 4:8).

Engjëjt gjithashtu përlëvdojnë Perëndinë për planin e Tij të shkëlqyer të shpëtimit ndërkohë që e shikojnë atë plan të shpaloset. Kur Krishti lindi në Bethlehem, një turmë engjëjsh lavdëruan Perëndinë dhe thanë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi dhe, pëlqim ndër njerëzit!” (Luka 2:14; kr. Heb. 1:6). Jezusi na thotë: “Ka gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet” (Luka 15:10), duke nënkuptuar që engjëjt gëzohen për çdo herë që dikush largohet nga mëkatet e tij apo saj dhe i beson Krishtit si shpëtimtar.

Kur Pali shpall ungjillin në mënyrë që njerëzit nga raca të ndryshme, si judenj ashtu edhe grekë bëhen pjesë e kishës, ai e shikon planin e mençur të Perëndisë për kishën të shpalosur përpara engjëjve (dhe demonëve), sepse ai thotë se u dërgua që t’u predikonte johebrenjve “që, nëpërmjet kishës, t'u bëhet e njohur tani principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, urtësia e shumëllojshme e Perëndisë” (Efe. 3:10). Dhe Pjetri na thotë se “engjëjt dëshirojnë të vëzhgojnë” (1 Pjetrit 1:12) në lavditë e planit të shpëtimit ndërkohë që realizohet në jetën e besimtarëve individualë për çdo ditë.[224]11 Pali gjithashtu vëren se Krishti “iu duk engjëjve” (1 Tim. 3:16), duke sugjeruar që ata përlëvduan Perëndinë për jetën në bindje të Krishtit. Për më tepër, fakti që gratë duhej të mbanin rroba të cilat sinjalizonin me hijeshi që janë gra, “për shkak të engjëjve” (1 Kor. 11:10), kur kisha mblidhej për të adhuruar, nënkupton se engjëjt dëshmojnë jetën e të krishterëve dhe përlëvdojnë Perëndinë për adhurimin dhe bindjen tonë. Me të vërtetë që Pali e kujton Timoteun, kur dëshiron të theksojë seriozitetin e një urdhërimi, që veprimet tona përcillen në praninë e dëshmitarëve engjëllorë: “Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi” (1 Tim. 5:21; kr. 1 Kor. 4:9). Nëse Timoteu ndjek udhëzimet e Palit, engjëjt do të dëshmojnë bindjen e tij dhe do të përlëvdojnë Perëndinë; nëse ai shpërfill bindjen, edhe engjëjt do ta vënë re dhe do të pikëllohen për këtë.

D. Raporti ynë me engjëjt

1. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për engjëjt në jetën tonë të përditshme. Shkrimi e bën të qartë që Perëndia dëshiron që ne të jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e engjëjve si dhe për natyrën e veprimtarisë së tyre. Për rrjedhojë, ne nuk duhet të supozojmë se mësimi i tij rreth engjëjve nuk ka të bëjë aspak me jetën tonë sot. Përkundrazi, ka shumë mënyra në të cilat jetët tona të krishtera do të pasurohen nga një vetëdije e ekzistencës së shërbesës së engjëjve në botë edhe sot e kësaj dite.

Kur vijmë përpara Perëndisë në adhurim, ne bashkohemi jo vetëm me grupin e madh të besimtarëve të cilët kanë vdekur dhe kanë hyrë në praninë e Perëndisë në qiell, “frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,” por gjithashtu me një turmë të madhe engjëjsh, “morisë së engjëjve” (Heb. 12:22–23). Paçka se ne nuk shikojmë e as dëgjojmë zakonisht prova të këtij adhurimi qiellor, kjo padyshim që pasuron ndjenjën tonë të përnderimit dhe gëzimit në praninë e Zotit nëse e vlerësojmë faktin që engjëjt bashkohen me ne në adhurimin e Perëndisë.

Për më tepër, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që engjëjt janë duke vëzhguar bindjen apo mosbindjen tonë ndaj Perëndisë për çdo ditë. Edhe nëse ne mendojmë se mëkatet tona janë kryer në fshehtësi dhe nuk pikëllojnë askënd tjetër, ne duhet të kthjellohemi nga mendimi që ndoshta edhe qindra engjëj dëshmojnë mosbindjen tonë dhe pikëllohen.[225]12 Nga ana tjetër, kur ne dekurajohemi dhe mendojmë se bindja jonë me besnikëri ndaj Perëndisë nuk dëshmohet nga askush e as nuk është inkurajim për ndokënd, ne mund të ngushëllohemi duke kuptuar se ndoshta janë me qindra engjëjt të cilët dëshmojnë përpjekjen tonë të vetmuar, përditë duke “dëshiruar të vëzhgojnë” mënyrën se si shpëtimi i madh i Krishtit gjen zbatim në jetën tonë.

Si për ta bërë më të gjallë realitetin e vëzhgimit prej engjëjve të shërbimit tonë ndaj Perëndisë, autori i “Hebrenjve” sugjeron që engjëjt munden që nganjëherë të marrin formë njerëzore, me sa duket për të kryer “vizita inspektimi,” në një detyrë të ngjashme me kritikun gazetaresk të restoranteve, i cili paraqitet si klient i zakonshëm dhe shkon si i tillë restorant pas restoranti. Lexojmë: “Mos harroni mikpritjen, sepse nëpërmjet saj disa pritën pa ditur engjëj” (Heb. 13:2; kr. Zan. 18:2–5; 19:1–3). Kjo gjë duhet të na bëjë të zellshëm për t’u shërbyer nevojave të të tjerëve të cilët nuk i njohim, ndërkohë që mendojmë për atë ditë kur të arrijmë në qiell dhe të takohemi me engjëllin të cilin ndihmuam ndërkohë që ai u shfaq përkohësisht si një qenie njerëzore në hall këtu në tokë.

Kur çlirohemi papritur nga rreziku apo halli, ne mundet që me të drejtë të mendojmë se engjëjt janë dërguar nga Perëndia për të na ndihmuar, dhe duhet të jemi mirënjohës për këtë. Një engjëll mbylli grykën e luanëve në mënyrë që këta të mos i bënin dëm Danielit (Dan. 6:22), liruan apostujt prej burgut (Veprat 5:19–20), më vonë liruan Pjetrin nga burgu (Veprat 12:7–11), dhe i shërbyen Jezusit në shkretëtirë në një kohë dobësie të madhe fizike, menjëherë pasi kishin marrë fund tundimet që i ishin bërë (Mat. 4:11).[226]13

Kur një makinë papritur manovron e shmang përplasjen me ne, kur papritur këmbët na takojnë në taban e shpëtojmë nga rrjedha e lumit të tërbuar, kur ecim pa na hyrë gjemb nën këmbë në një lagje të rrezikshme, a nuk duhet të na vejë mendja se Perëndia ka dërguar engjëjt e Tij për të na mbrojtur? A nuk premton Shkrimi: “Sepse ai do të urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur” (Psa. 91:11–12)? A nuk duhet atëherë që për rrjedhojë ta falënderojmë Perëndinë që dërgoi engjëj për të na mbrojtur në kohë të tilla? Duket se është gjëja e duhur që ta bëjmë këtë.

2. Paralajmërime në lidhje me marrëdhënien tonë me engjëjt. 

a. Kujdes se mos pranoni doktrina të gënjeshtërta nga engjëjt: Bibla na paralajmëron që të mos marrim doktrina të rreme nga gjoja engjëj: “Por, edhe në qoftë se ne ose një engjëll i qiellit t'ju predikonte një ungjill tjetër nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar” (Gal. 1:8). Pali e jep këtë paralajmërim për shkak se ai e di që ekziston mundësia e mashtrimit. Ai thotë se: “sepse Satani vetë shndërrohet në engjëll drite” (2 Kor. 11:14). Po kështu, profeti gënjeshtar i cili mashtroi njeriun e Perëndisë tek “1 Mbretërve” 13 pretendoi se: “Një engjëll më ka folur nga ana e ZOTIT, duke thënë: “Merre me vete në shtëpinë tënde që të hajë bukë dhe të pijë ujë”’ (1 Mbretërve 13:18). Megjithëkëtë, teksti i Shkrimit menjëherë pas kësaj shton në po të njëjtin varg: “Por ai gënjente.”

Të tëra këto janë raste të një doktrine të rreme apo udhëzime të cilat tejçohen nga engjëjt. Është interesante që këto shembuj tregojnë mundësinë e qartë të mashtrimeve satanike që na tundojnë të mos u bindemi mësimeve të qarta të Shkrimit apo urdhëresave të qarta të Perëndisë (kr. 1 Mbretërve 13:9). Këto paralajmërime duhet të mos i lejojnë të krishterët të budallallepsen nga pretendimet e Mormonëve për shembull, që pretendojnë se një engjëll (Moroni) i foli Jozef Smithit (Joseph Smith) dhe i zbuloi atij bazat e fesë Mormone. Një “zbulesë” e tillë bie ndesh me mësimet e Shkrimeve në shumë pika (në lidhje me doktrina të tilla si Trinia, personi i Krishti, drejtësimi vetëm përmes besimit, si dhe shumë të tjera), dhe të krishterët duhen paralajmëruar për të mos i pranuar pretendime të tilla.[227]14 Përmbyllja e kanonit të Shkrimit (shiko kapitullin 3) duhet që gjithashtu të na paralajmërojë që asnjë zbulesë e mëtejshme doktrine nuk pritet të jepet nga Perëndia sot, dhe çfarëdo pretendimi për marrjen e zbulesës së mëtejshme të doktrinës prej engjëjve sot, duhet refuzuar aty për aty si i gënjeshtërt.

b. Mos adhuroni engjëjt, as mos iu lutni atyre, as mos i kërkoni ato: “Adhurimi i engjëjve” (Kol. 2:18) ishte një nga doktrinat e rreme e cila jepej mësim në Kolose. Për më tepër, një engjëll që i flet Gjonit në librin e “Zbulesës”, e paralajmëron Gjonin që të mos e adhurojë atë: “Shiko se mos e bën, jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuro” (Zbu. 19:10).

Ne gjithashtu nuk duhet t’u lutemi engjëjve. Ne duhet t’i lutemi vetëm Perëndisë, i Cili është i Vetmi i gjithëfuqishëm, dhe kësisoj në gjendje t’i përgjigjet lutjeve, dhe që është i Vetmi i gjithëditur dhe për rrjedhojë në gjendje që të dëgjojë lutjet e të tërë njerëzve të Tij njëherësh. Përmes gjithëfuqisë dhe gjithëdijes së Tij, Perëndia Bir dhe Perëndia Frymë e Shenjtë, janë gjithashtu të denjë për të marrë lutje, por kjo nuk vlen për ndonjë qenie tjetër. Pali na paralajmëron që të mos mendojmë se ndonjë “ndërmjetës” tjetër mund të futet mes nesh dhe Perëndisë, “Sepse një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus” (1 Tim. 2:5). Po t’i luteshim engjëjve, kjo do të nënkuptonte se po u atribuoje atyre një status të barabartë me Perëndinë, gjë të cilën ne nuk duhet ta bëjmë. Nuk ka shembuj në Shkrim të ndokujt që lutet ndaj ndonjë engjëlli specifik apo t’u kërkojë engjëjve për ndihmë.

Për më tepër, Shkrimi nuk na jep asnjë autorizim për të kërkuar të na faniten engjëj. Ata manifestohen pa u kërkuar prej nesh. Të kërkosh fanepsje të tilla do dukej se nënkupton një kuriozitet jo të shëndetshëm apo një dëshirë për një lloj ngjarjeje spektakolare më shumë se një dashuri për Perëndinë dhe një përkushtim ndaj Tij dhe punës së Tij. Paçka se engjëjt i janë shfaqur njerëzve në kohë të ndryshme të Shkrimit, njerëzit duket se kurrë nuk i kërkuan këto fanepsje. Roli ynë është t’i flasim Zotit i Cili është Vetë komandanti i tërë forcave engjëllore. Sidoqoftë, nuk do të dukej diçka e gabuar t’i kërkojmë Perëndisë që të përmbushë premtimin e Tij tek “Psalmi” 91:11 që të dërgojë engjëjt për të na mbrojtur në kohë nevoje.

c. A u shfaqen engjëjt njerëzve sot? Në periudhën më të hershme të historisë së kishës, engjëjt ishin aktivë. Një engjëll i tha Filipit që të udhëtonte drejt jugut në një rrugë e cila kalon nga Jerusalemi për në Gaza (Veprat 8:26), udhëzuan Kornelin që të dërgonte një lajmëtar që të merrte Pjetrin që të vinte nga Jopa (Veprat 10:3–6), e nxitën Pjetrin që të ngrihej e të dilte nga burgu (Veprat 12:6–11), si dhe i premtuan Palit që askush në anije me të nuk do të humbte jetën dhe se ai vetë do të dilte përpara Cezarit (Veprat 27:23–24). Për më tepër, autori i “Hebrenjve” i inkurajon lexuesit e tij ndër të cilët asnjë nuk është apostull, apo madje edhe brezin e parë të besimtarëve të lidhur me apostujt (shiko Heb. 2:3), që ata duhet të vazhdojnë të tregojnë mikpritje ndaj të huajve, me sa duket me pritshmërinë që edhe ata të munden ndonjëherë të mirëpresin engjëj edhe pa e kuptuar vetë (Heb. 13:2).

Për rrjedhojë, nuk duket se ka asnjë arsye të fortë për të lënë mënjanë mundësinë e fanepsjeve të engjëjve sot. Disa do ta vinin këtë në diskutim me arsyet që mjaftueshmëria e Shkrimit (shiko kapitullin 8) si dhe përmbyllja e kanonit të tij (shiko kapitullin 3) e përjashtojnë mundësinë e shfaqjeve engjëllore tani.[228]15 Ata do të thoshin se ne nuk duhet të presim që Perëndia të komunikojë me ne nëpërmjet engjëjve. Sidoqoftë, ky përfundim nuk është i vlefshëm. Paçka se engjëjt nuk mund t’i shtojnë doktrinës dhe përmbajtjes morale të Shkrimit, Perëndia mund të na komunikojë informacione nëpërmjet engjëjve, ashtu sikurse Ai bën gjithashtu nëpërmjet profecisë[229]16 apo nëpërmjet komunikimit të zakonshëm nga persona të tjerët, apo përmes vëzhgimeve tona të botës. Nëse Perëndia mund të dërgojë një qenie tjetër njerëzore për të na paralajmëruar për rrezikun apo për të na inkurajuar kur jemi të rënë moralisht, nuk duket se ka arsye të brendaqenësishme përse Ai nuk do mundej që me raste të dërgonte një engjëll që ta bënte edhe këtë gjë gjithashtu.

Sidoqoftë, ne duhet të përdorim një kujdes të skajshëm në marrjen e udhëzimeve nga një engjëll në rast se një ngjarje e tillë e pazakontë ndodh. (Ndoshta ia vlen të përmendet se fare pak raste të ngjarjeve të tilla janë shënuar sot, dhe shumë prej këtyre kanë të bëjnë me komunikimin e doktrinave të cilat bien ndesh me Shkrimin, duke nënkuptuar se ato janë faktikisht shfaqje demonike.) Fakti se demonët mund të shfaqen si engjëj drite (shiko 2 Kor. 11:14) duhet të na paralajmërojë që shfaqja e një krijese të ngjashëm me engjëjt, nuk është garanci se kjo qenie flet me vërtetësi: Shkrimi është udhëzuesi ynë, dhe asnjë krijesë engjëllore nuk mund të japë mësime autoritare të cilat bien ndesh me Shkrimin (shiko Gal. 1:8).

Një shfaqje engjëllore sot do të ishte e pazakontë. Nëse një e tillë (duket se) ndodh, ne duhet ta peshojmë me kujdes, por nuk ka arsye bindëse që të thuash se një ngjarje e tillë nuk mund të ndodhë në mënyrë absolute, veçanërisht në një kohë rreziku të skajshëm për konflikt intensiv me forcat e këqija.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Si mundet ky kapitull të ndikojë tek mënyra se si ti mendon tash e tutje për engjëjt? Çfarë dallimi do të bënte në qëndrimin tënd në adhurim po qe se me vetëdije do të kishe menduar rreth qëndrimit në praninë e engjëjve ndërkohë që po i këndoje lavde Perëndisë?

2.     A mendon se ka engjëj që të shikojnë tani? Çfarë qëndrimi apo qëndrimesh mendon se kanë ata ndërkohë që të shikojnë? A ke përjetuar ndonjëherë një gëzim tejet të madh pasi je lutur me dikë që të pranojë Krishtin si Shpëtimtarin e tyre personal? A mendon se një aspekt i kontributit ndaj atij gëzimi mund të jetë që engjëjt gjithashtu po gëzohen me ty për shkak se një mëkatar është penduar (Luka 15:10)?

3.     A ke shpëtuar ndonjëherë nga ndonjë rrezik tepër i madh fizik apo i ndonjë lloji tjetër, dhe ke menduar se ndoshta engjëjt ndërhynë për të të ndihmuar në atë kohë?

4.     Si mundet që shembulli i engjëjve të cilët me gëzim dhe besnikëri zbatojnë detyrat që u janë ngarkuar atyre, qofshin të mëdha apo të vogla, do të të ndihmojnë në përgjegjësitë me të cilat ti përballesh sot, qoftë në punë, në shtëpi apo në kishë?

5.     Si mendon se do të ndjehesh kur Perëndia të të kërkojë të gjykosh engjëjt (1 Kor. 6:3)? Shpjego atë që të tregojnë faktet rreth madhështisë së njerëzimit si të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë.

TERMA TË VEÇANTË

engjëll

Engjëlli i Zotit

kryeengjëll

kerubin

krijesa të gjalla

Mikael

principata dhe pushtete

serafin

bijtë e Perëndisë

rojtarë

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 125–129

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1892–1894 Miley, 2:490–496

1940 Wiley, 1:472–476

1983 Carter, 2:1047–1069

3. Baptiste

1767 Gill, 1:375–384, 434–435

1887 Boyce, 174–181

1907 Strong, 443–464

1917 Mullins, 276–280

1976–1983 Henry, 6:229–250

1983–1985 Erickson, 433–451

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 2:3–32

1949 Thiessen, 133–150

1986 Ryrie, 121–134

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:498–508

1934 Mueller, 196–202

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:163–172 (1.14.3–12)

1724–1758 Edwards, 2:604–607, 612–617

1861 Heppe, 201–219

1871–1873 Hodge, 1:637–643

1878 Dabney, 264–275

1938 Berkhof, 141–148

1962 Buswell, 1:130–134

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:169–196

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 114–121

2. Katolike Romake: Post-Vatikanit II

1980 McBrien (pa trajtim të posaçëm)

Vepra të tjera

Bromiley, G.W. “Angel-Engjëll.” Tek FUT ([230]EDT) fq. 46–47.

Dickason, C. Fred. Engjëjt, të Zgjedhurit dhe e Keqja (Angels, Elect and Evil). Chicago: Moody, 1975.

Graham, Billy. Engjëjt: Agjentët e Fshehtë të Perëndisë (Angels: God’s Secret Agents). Botim i rishikuar dhe i zgjeruar. Waco, Tex.: Word, 1986.

Joppie, A.S. Shërbesa e Engjëjve (The Ministry of Angels). Grand Rapids: Baker, 1953.

McComiskey, T.E. “Engjëlli i Zotit (Angel of the Lord).” Tek FUT (EDT) fq. 47–48.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Zbulesa” 5:11–12: Dhe pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve rreth e qark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash, që thoshin me zë të madh: «I denjë është Qengji i therur, të marrë fuqi, dhe pasuri, dhe urtësi, dhe forcë, dhe nder, dhe lavdi, dhe bekim!”

HIMN

“ENGJËJ NGA MBRETËRIA E LAVDISË (ANGELS FROM THE REALMS OF GLORY)”

Nga mbretëria e lavdisë, engjëjt

Me krahë fluturojnë mbi botën mbarë

Ju që për historinë e krijimit kënduat,

Tani shpallni lindjen e Mesisë shpëtimtar:

Ejani dhe adhuroni, ejani dhe adhuroni,

Adhuroni Krishtin, Mbretin e sapolindur.

Barinj që në livadhe qëndroni,

Duke ruajtur tufat tuaja natën;

Perëndia me njeriun tani po banojnë bashkë,

Atje tej shkëlqen kjo dritë kërthi:

Ejani dhe adhuroni, ejani dhe adhuroni,

Adhuroni Krishtin, Mbretin e sapolindur.

Ju dijetarë, përsiatjet tuaja i lini,

Drita më të shndritshme prej së largu vezulluan;

Të dëshiruarin e madh të kombeve kërkoni;

Yllin e lindjes së Tij ata e shikuan:

Ejani dhe adhuroni, ejani dhe adhuroni,

Adhuroni Krishtin, Mbretin e sapolindur.

Shenjtorët përpara altarit përulur,

me shpresë dhe drojë prej kohësh presin

Befas Zoti, duke zbritur,

Në tempullin e Tij do të shohin:

Ejani dhe adhuroni, ejani dhe adhuroni,

Adhuroni Krishtin, mbretin e sapolindur.

I gjithë krijimi, lavdërime këndon

Perëndia At, Frymë, Bir;

ngrini zërat Përgjithmonë

Për Tri në Nji-shin e përjetshëm plot mëshir’:

Ejani dhe adhuroni, ejani dhe adhuroni,

Adhuroni Krishtin, Mbretin e sapolindur.

Autori: James Montgomery, 1816

Pen
>