Kapitulli 33: Thirrja e ungjillit dhe thirrja efektive
Lesson 35 Chapter 3 Module 7
Thirrja e Ungjillit si dhe Thirrja Efektive
Çfarë është mesazhi i ungjillit? Si bëhet efektiv ai?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
Kur Pali flet për mënyrën se si Perëndia sjell shpëtim në jetën tonë, Ai thotë: “Por ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri, ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi.” (Rom. 8:30). Këtu Pali tregon për një rend të përcaktuar në të cilin bekimet e shpëtimit vijnë tek ne. Paçka se shumë kohë më parë, përpara se të bëhej bota, Perëndia “na paracaktoi” që të ishim fëmijët e Tij e që të konformoheshim me shëmbëllimin e birit të Tij, Pali tregon për nga fakti që në realizimin aktual të qëllimit të Tij në jetën tonë, Perëndia na “thirri” (këtu në këtë kontekst, Perëndia Atë është Ai që nënkuptohet). Pastaj Pali menjëherë rendit drejtësimin dhe përlëvdimin, duke treguar se këto vijnë pas thirrjes. Pali lë të kuptohet se në qëllimin shpëtues të Perëndisë ka një rend të përcaktuar (paçka se jo çdo aspekt i shpëtimit tonë nuk përmendet këtu). Kështu, ne do ta fillojmë diskutimin tonë për pjesët e ndryshme të përjetimit tonë të shpëtimit me temën e thirrjes.
A. Thirrja efektive
Kur Pali thotë: “Ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri, ata ai edhe i drejtësoi” (Rom. 8:30), ai nënkupton që thirrja është një akt i Perëndisë. Faktikisht, është veçanërisht një akt i Perëndisë Atë, sepse Ai është Ai që i paracakton njerëzit “që të jenë njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij” (Rom. 8:29). Vargjet e tjerë përshkruajnë më plotësisht se çfarë është kjo thirrje. Kur Perëndia i thërret njerëzit në këtë mënyrë të fuqishme, Ai i thërret ata “nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetrit 2:9); Ai i thërret ata “në bashkësinë e Birit të tij” (1 Kor. 1:9; kr. Veprat 2:39) dhe “në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 Thes. 2:12; kr. 1 Pjetrit 5:10; 2 Pjetrit 1:3). Njerëzit të cilët janë thirrur nga Perëndia janë “thirrur nga Jezu Krishti” (Rom. 1:6). Ata janë thirrur për të qenë “shenjtorë” (Rom. 1:7; 1 Kor. 1:2), dhe kanë hyrë në një mbretëri paqeje (1 Kor. 7:15; Kol. 3:15), lirie (Gal. 5:13), shprese (Efe. 1:18; 4:4), shenjtërie (1 Thes. 4:7), durimi të vuajtjeve (1 Pjetrit 2:20–21; 3:9), si dhe jete të përjetshme (1 Tim. 6:12).
Këto vargje tregojnë se nuk nënkuptohet asnjë thirrje e pafuqishme apo thjesht njerëzore. Kjo thirrje është më tepër një lloj “kushtimi” nga Mbreti i universit dhe ka një fuqi të atillë e cila shkakton reagimin që kërkon tek zemra e njerëzve. Është një akt i Perëndisë që garanton një përgjigje, sepse Pali specifikon tek “Romakëve” 8:30 se të tërë ata që qenë “thirrur” edhe u “drejtësuan.”[37]1 Kjo thirrje ka kapacitetin për të na nxjerrë nga mbretëria e errësirës dhe për të na sjellë në mbretërinë e Perëndisë në mënyrë që të bashkohemi në përbashkësi të plotë me Të: “Besnik është Perëndia, nga i cili u thirrët në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 Kor. 1:9).[38]2
Këtij veprimi të fuqishëm të Perëndisë, shpesh herë i jemi referuar si thirrje efikase për ta dalluar atë nga ftesa e përgjithshme e ungjillit e cila u shkon të tërë njerëzve dhe të cilën disa njerëz e refuzojnë. Me këtë nuk dua të them se shpallja nga njerëzit e ungjillit nuk është e përfshirë. Faktikisht, thirrja efektive e Perëndisë vjen përmes predikimit njerëzor të ungjillit, për shkak se Pali thotë: “Tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë, Jezu Krisht” (2 Thes. 2:14). Sigurisht, ka shumë nga ata të cilët e dëgjojnë thirrjen e përgjithshme të mesazhit të ungjillit, dhe nuk reagojnë. Por, në disa raste, thirrja e ungjillit bëhet aq efikase nëpërmjet punës së Frymës së Shenjtë në zemrat e njerëzve saqë ata vërtetë që reagojnë; ne mund të themi se ata e kanë pranuar “thirrjen efektive.”
Thirrjen efektive ne mund ta përkufizojmë si më poshtë: Thirrja efektive është një akt i Perëndisë Atë, i Cili flet përmes shpalljes njerëzore të ungjillit, në të cilën Ai i thërret njerëzit tek Vetja në një mënyrë të atillë që ata përgjigjen me besim shpëtues.
Është e rëndësishme që ne nuk lëmë përshtypjen sikur njerëzit do të shpëtohen nga fuqia e kësaj thirrjeje veçmas përgjigjes së tyre me dëshirë ndaj ungjillit (shiko kapitullin 35 mbi besimin personal si dhe pendesën të cilat janë të domosdoshme për kthimin në besim). Paçka se është e vërtetë që thirrja efektive zgjon si dhe nxjerr në pah një reagim nga ne, ne duhet që të këmbëngulim gjithnjë se kjo përgjigje duhet gjithsesi të jetë e vullnetshme dhe me dëshirë, në të cilën personi individual i beson Krishtit.
Kjo është arsyeja përse lutja është kaq e rëndësishme ndaj ungjillëzimit efikas. Nëse Perëndia nuk punon në zemrat e njerëzve për ta bërë efektive shpalljen e ungjillit, nuk do të ketë një reagim të mirëfilltë shpëtues. Jezusi tha: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44).
Një shembull i punës së ungjillit që punon në mënyrë efikase, shikohet tek vizita e parë e Palit në Filipi. Kur Lidia dëgjoi mesazhin e ungjillit, “Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali” (Veprat 16:14).
Në dallim nga thirrja efektive e cila është tërësisht akt i Perëndisë, ne mund të flasim për thirrjen e ungjillit në përgjithësi, që vjen përmes të folurës njerëzore. Kjo thirrje e ungjillit u ofrohet të terë njerëzve, edhe atyre të cilët nuk e pranojnë atë. Nganjëherë, kjo thirrje e ungjillit njihet me termin thirrje e jashtme ose thirrje e përgjithshme. Në kontrast me këtë, thirrja efektive e Perëndisë e cila faktikisht shkakton një reagim të vullnetshëm nga personi që e dëgjon, nganjëherë quhet thirrje e brendshme. Thirrja e ungjillit është e përgjithshme dhe e jashtme dhe shpesh herë refuzohet, ndërkohë që thirrja efikase është e veçantë, e brendshme si dhe gjithnjë efikase. Megjithëkëtë, me këtë nuk dua të zbeh rëndësinë e thirrjes së ungjillit, që është mënyra që Perëndia ka caktuar që nëpërmjet të saj të vijë thirrja efikase. Pa thirrjen e ungjillit askush nuk do të mund të përgjigjej dhe shpëtohej! “Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” (Rom. 10:14). Për rrjedhojë, është e rëndësishme që të kuptojmë saktësisht se çfarë është thirrja e ungjillit.
B. Elementët e thirrjes së ungjillit
Në predikimin njerëzor të ungjillit, duhen përfshirë tre elementë të rëndësishëm.
1. Shpjegimi i fakteve në lidhje me shpëtimin. Kushto që vjen tek Krishti për shpëtim, duhet që të ketë të paktën një kuptim bazë të asaj se kush është Krishti dhe se si Ai i plotëson nevojat tona për shpëtim. Për rrjedhojë, një shpjegim i fakteve në lidhje me shpëtimin duhet të përfshijë të paktën pikat e mëposhtme:
1. Të tërë njerëzit kanë mëkatuar (Rom. 3:23).
2. Ndëshkimi për mëkatin tonë është vdekja (Rom. 6:23).
3. Jezus Krishti vdiq për të paguar ndëshkimin për mëkatet tona (Rom. 5:8).
Por kuptimi i atyre faktorëve dhe madje rënia dakord që ato janë të vërtetë, nuk mjafton që një person të shpëtohet. Duhet që të ketë gjithashtu një ftesë për një përgjigje personale nga ana e individit i cili do të pendohet për mëkatet e tij apo saj dhe do të besojë personalisht në Krishtin.
2. Ftesa për të reaguar ndaj Krishtit personalisht me pendesë dhe besim. Kur Besëlidhja e Re flet për njerëz të cilët marrin shpëtimin, ajo flet në lidhje me një reagim personal ndaj një ftese të bërë nga Krishti Vetë. Ajo ftesë shprehet në mënyrë të bukur, për shembull, në fjalët e Jezusit:
Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë. (Mat. 11:28–30)
Është e rëndësishme të sqarojmë se këto nuk janë thjesht fjalë të thëna shumë kohë më parë nga një drejtues fetar i të kaluarës. Cilido jo i krishterë që dëgjon këto fjalë, duhet të inkurajohet që t’i mendojë ato si fjalët të cilat Jezus Krishti është edhe tani në pikërisht këtë moment duke i folur atij apo asaj individualisht. Jezus Krishti është një Shpëtimtar i Cili tani është gjallë në qiell, dhe çdo jo i krishterë duhet ta mendojë Jezusin që i flet drejtpërsëdrejti atij apo asaj, duke i thënë: “Ejani tek unë... dhe unë do t'ju çlodh” (Mat. 11:28). Kjo është një ftesë e mirëfilltë personale e cila kërkon një reagim personal nga kushdo që e dëgjon.
Gjoni flet gjithashtu për nevojën e të paturit një reagim personal kur thotë: “Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithëve atyre që e pranuan, ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:11–12). Në theksimin e nevojës për të “pranuar” Krishtin, edhe Gjoni tregon për domosdoshmërinë e një reagimi individual. Ata të cilët janë brenda një kishe të vakët të cilët nuk e kuptojnë verbërinë e tyre shpirtërore, për ta Zoti Jezus lëshon përsëri një ftesë që bën thirrje për një përgjigje personale: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua” (Zbu. 3:20).
Në fund, vetëm pesë vargje larg fundit të të tërë Biblës, ka edhe një ftesë tjetër nga Fryma e Shenjtë dhe kisha për të ardhur tek Krishti: “Dhe Fryma dhe nusja thonë: «Eja!». Dhe ai që dëgjon le të thotë: «Eja!». Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës (Zbu. 22:17).
Por çfarë përfshin ardhja tek Krishti? Paçka se kjo do të shpjegohet më plotësisht në kapitullin 35, këtu do të mjaftonte që të vërenim se nëse ne vijmë tek Krishti duke besuar se Ai do të na shpëtojë nga mëkati ynë, ne nuk mundemi që të qëndrojnë më të lidhur me mëkatin, por duhet që me gatishmëri ta hedhim poshtë atë me pendesë të mirëfilltë. Në disa raste tek Shkrimi, si pendesa ashtu edhe besimi përmenden së bashku kur i referohen kthimit fillestar të dikujt në besim (Pali tha se e kaloi kohën e tij “duke u dëshmuar judenjve dhe grekëve pendimin te Perëndia dhe besimin në Zotin tonë, Jezu Krisht,” Veprat 20:21). Por herë të tjera tregohet vetëm pendesa për mëkatet dhe besimi shpëtues është supozuar si një faktor shoqërues (“dhe të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjitha kombet.” [Luka 24:47; kr. Vep. 2:37–38; 3:19; 5:31; 17:30; Rom. 2:4; 2 Kor. 7:10; etj.]). Për rrjedhojë, çfarëdo shpalljeje e mirëfilltë e ungjillit, duhet të përfshijë një ftesë për të marrë një vendim të vetëdijshëm për faljen e mëkateve nga personi dhe që të vijë me besim tek Krishti, duke i kërkuar Krishtit faljen e mëkateve. Po qe se qoftë nevoja për t’u penduar për mëkatet apo nevoja për t’i besuar Krishtit për falje shpërfillet, atëherë nuk ka një shpallje të plotë dhe të vërtetë të ungjillit.[39]4
Por, çfarë premtohet për ata të cilët vijnë tek Krishti? Ky është elementi i tretë i thirrjes së ungjillit.
3. Një premtim për faljen dhe jetën e përjetshme. Paçka se fjalët e ftesës personale të folura prej Krishtit përmbajnë premtime për çlodhje si dhe fuqi për t’u bërë fëmijë të Perëndisë, si dhe për pirjen nga uji i jetës, do të na ndihmonte të shkoqisim pikërisht çfarë u premton Krishti atyre të cilët vijnë tek Ai me pendesë dhe besim. Gjëja primare e cila premtohet në mesazhin e ungjillit, është premtimi i faljes së mëkateve si dhe jeta e përjetshme me Perëndinë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Gjoni 3:16). Dhe, në predikimin prej Pjetrit të ungjillit, ai thotë: “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja” (Veprat 3:19; kr. 2:38).
Gërshetuar kjo me premtimin e faljes dhe jetës së përjetshme, duhet të ketë një siguri që Krishti do t’i pranojë të tërë ata të cilët vijnë tek Ai me pendesë dhe besim të sinqertë duke kërkuar shpëtim: “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë” (Gjoni 6:37).
C. Rëndësia e thirrjes së ungjillit
Doktrina e thirrjes së ungjillit është e rëndësishme, sepse nëse nuk do të kishte patur thirrje të ungjillit, ne nuk do mund të shpëtoheshim. “Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” (Rom. 10:14).
Thirrja e ungjillit është e rëndësishme edhe për shkak se përmes saj Perëndia na drejtohet në plotësinë e njerëzishmërisë tonë. Ai nuk na shpëton “automatikisht” pa kërkuar për një reagim nga ne si persona të plotë. Përkundrazi, Ai e drejton thirrjen e ungjillit ndaj intelektit, emocioneve dhe vullnetit tonë. Ai i flet intelektit tonë duke shpjeguar faktet e shpëtimit në Fjalën e Tij. Ai u flet emocioneve tona duke bërë një ftesë personale të ndjerë nga zemra që pret për përgjigjen tonë. Ai i flet vullnetit tonë duke na kërkuar që të dëgjojmë ftesën e Tij e që të reagojmë me gatishmëri në pendesë dhe besim, për të vendosur që të kthehemi nga mëkatet tona e të pranojmë Krishtin si Shpëtimtar, e që zemrat tona t’i mbështesim tek Ai për shpëtim.
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. A ju kujtohet hera e parë që dëgjuat ungjillin dhe iu përgjigjët atij? A mund të përshkruash se si të bëri të ndjehesh në zemër? A mendon se Fryma e Shenjtë po punonte për ta bërë efektive atë thirrje të ungjillit në jetën tënde? A i rezistuat atëherë?
2. Në shpjegimin që ti i bën thirrjes së ungjillit ndaj njerëzve të tjerë, a ka munguar ndonjë element? Nëse po, çfarë dallimi do të bënte nëse këto elementë ti do t’ia shtoje shpjegimit që ti i bën ungjillit? A mendon se këto elemente janë të rëndësishme për t’i shtuar? Cila është ajo gjë që nevojitet më shumë për ta bërë më efektive shpalljen që ti i bën ungjillit?
3. Përpara se të lexonit këtë kapitull, a kishe menduar që Jezusi në qiell i flet personalisht fjalët e ftesës së ungjillit ndaj njerëzve edhe sot e kësaj dite? Nëse jo të krishterët fillojnë që të mendojnë për Jezusin që fillon t’u flasë atyre në këtë mënyrë, si mendon se kjo do të ndikonte tek reagimi i tyre ndaj ungjillit?
4. A i kupton elementët e thirrjes së ungjillit aq qartë sa duhet për t’ua prezantuar ato të tjerëve? A mund ta hapësh me lehtësi Biblën për të gjetur katër apo pesë vargje të përshtatshme të cilat do t’ia shpjegonin me qartësi ungjillin njerëzve? (Mësimi përmendësh i elementëve të thirrjes së ungjillit si dhe i vargjeve të cilat e shpjegojnë atë, duhet të jetë një nga disiplinat e para të jetës së krishterë të cilitdo.)
TERMA TË VEÇANTË
Thirrja efektive
Thirrja e jashtme
Thirrja e ungjillit
Thirrja e brendshme
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton, 239–255
2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)
1875–1876 Pope, 336–357
1940 Wiley, 2:334–357
1960 Purkiser, 269–278
3. Baptiste
1767 Gill, 1:530–337; 2:121–131
1887 Boyce, 367–373
1907 Strong, 790–793
1917 Mullins, 365–368
1983–1985 Erickson, 929–933
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 3:210–224, 371–393
1949 Thiessen, 257–263
1986 Ryrie, 324–325, 335–339
5. Luteriane
1917–1924 Pieper, 2:423–426, 502; 3:220–252
1934 Mueller, 364–365, 470–485
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1559 Calvin, 1:537–542 (3.1)
1861 Heppe, 510–542
1871–1873 Hodge, 2:639–732
1878 Dabney, 553–579
1937–1966 Murray, CW 1:124–134, 143–165; CW 2:161–166; CW 4:113–132; RAA 88–94
1938 Berkhof, 454–464
1962 Buswell, 2:157–168
7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)
1988–1992 Williams, 2:13–33
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott (pa trajtim të hollësishëm)
2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II
1980 McBrien (pa trajtim të hollësishëm)
Vepra të tjera
Aldrich, Joseph C. Ungjillëzim si Mënyrë Jetese: Kapërcimi i Kufijve Tradicionalë Për të Ungjillëzuar Botën Jobesimtare (Life-Style Evangelism: Crossing Traditional Boundaries to Reach the Unbelieving World). Portland: Multnomah, 1981.
Alleine, Joseph. Udhëzim i Sigurt për në Qiell (Sure Guide to Heaven). Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1978. Botuar për herë të parë më 1672 me titullin Një Alarm për të Pakthyerit në Besim (An Alarm to the Unconverted).
Baxter, Richard. Një Thirrje për të Pakthyerit në Besim që të Kthehen e që të Jetojnë (A Call to the Unconverted to Turn and Live). Ribotim: Grand Rapids: Zondervan, 1953.
Coleman, Robert E. Masterplani i Ungjillëzimit (The Master Plan of Evangelism). Old Tappan, N.J.: Revell, 1963.
Hoekema, Anthony A. Shpëtuar nëpërmjet Hirit (Saved by Grace). Grand Rapids: Eerdmans, and Exeter: Paternoster, 1989, fq. 68–92.
Kevan, Ernest F. Shpëtimi (Salvation). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1973.
Little, Paul. Si ta Përhapësh Besimin Tënd (How to Give Away Your Faith). Rishikuar nga Marie Little. Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1988.
Kennedy, D. James. Shpërthim Ungjillëzimi (Evangelism Explosion). Bot. 3të. Wheaton, Ill.: Tyndale, 1983.
MacArthur, John F., Jr. Ungjilli Sipas Jezusit (The Gospel According to Jesus). Grand Rapids: Zondervan, 1988.
Murray, John. “Thirrja Efektive (Effectual Calling).” Tek Shpengimi i Realizuar dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 88–94.
Packer, J.I. “Thirrja, Thërritja (Call, Calling).” Tek FUT (EDT) f. 184.
_______. Ungjillëzimi dhe Sovraniteti i Perëndisë (Evangelism and the Sovereignty of God). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1961.
Wells, David F. Perëndia Ungjilltar: Mënyra se si Fryma e Shenjtë Punon për t’i Sjellë Burrat dhe Gratë në Besim (God the Evangelist: How the Holy Spirit Works to Bring Men and Women to Faith). Grand Rapids: Eerdmans, 1987.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“Mateu” 11:28–30: Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë!».
HIMN
“DËGJOVA ZËRIN E JEZUSIT TË THOSHTE (I HEARD THE VOICE OF JESUS SAY)”
Dëgjova zërin e Jezusit të thoshte: “Eja tek Unë dhe çlodhu;
Vure kokën tënde në kraharorin tim o i lodhur, shtrihu.”
Unë erdha tek Jezusi ashtu sikurse isha, i munduar i lodhur dhe i trishtuar,
Tek Ai gjeta një vend pushimi dhe Ai më ka lumturuar.
Dëgjova zërin e Jezusit të thotë: “Ja, unë falas të jap mos harro
Ujin e gjallë; o i etur, përkulu, pi, dhe jeto.”
Unë erdha tek Jezusi dhe piva prej atij burimi që jep jetë;
Etja m’u shua, tani unë jetoj në Të, dhe shpirti m’u ripërtëri krejt.
Dëgjova zërin e Jezusit të thotë: “Unë jam drita e kësaj bote të errësuar;
Më shiko, mëngjesi yt do të vijë, dhe tërë dita jote do jetë e ndriçuar.”
Unë e pashë Jezusin dhe se Ai është ylli e dielli im kuptoj;
Dhe në atë dritë të jetës, unë do të eci, derisa ditët e udhëtimit t’i mbaroj.
Autor: Horatius Bonar, 1846