Kapitulli 31: Hiri i përgjithshëm
Lesson 33 Chapter 1 Module 7
Hiri i Përgjithshëm
Cilat janë bekimet e pamerituara të cilat Perëndia ua jep të tërë njerëzve qofshin besimtarë, qofshin jobesimtarë?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
A. Hyrje dhe Përkufizim
Kur Adami dhe Eva mëkatuan, ata e merituan ndëshkimin e përjetshëm si dhe ndarjen prej Perëndisë (Zan. 2:17). Po kështu, kur njerëzit mëkatojnë sot, ata bëhen të prekshëm ndaj zemërimit të Perëndisë si dhe ndëshkimit të përjetshëm: “paga e mëkatit është vdekja” (Rom. 6:23). Kjo do të thotë që sapo njerëzit mëkatojnë, drejtësia e Perëndisë do të kërkonte vetëm një gjë: që ato të jenë përjetësisht të ndarë nga Perëndia, të shkëputur nga përjetimi i çfarëdo të mire prej Tij, dhe që të jetojnë përgjithnjë në ferr duke marrë përjetësisht vetëm zemërimin e Tij. Faktikisht, kjo është ajo që u ndodhi engjëjve të cilët mëkatuan, dhe me të drejtë mund të na kishte ndodhur edhe neve gjithashtu: “Perëndia nuk i kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në skëterrë të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq” (2 Pjetrit 2:4).
Por, në fakt, Adami dhe Eva nuk vdiqën menjëherë (paçka se vendimi me vdekje filloi të kishte efekt në jetën e tyre që ditën që ata mëkatuan). Ekzekutimi i plotë i dënimit me vdekje u shty për shumë vjet. Për më tepër, me miliona pasardhës së tyre edhe sot e kësaj dite, nuk vdesin e degdisen në ferr sapo të mëkatojnë, por, vazhdojnë të jetojnë për shumë vjet, duke shijuar bekime të panumërta në këtë botë. Si shpjegohet kjo? Si mundet Perëndia t’u japë bekime mëkatarëve të cilët meritojnë vetëm vdekje – jo vetëm atyre që do të shpëtohen në fund, por gjithashtu miliona njerëzve të cilët nuk do të shpëtohen kurrë, mëkatet e të cilëve nuk do të falen asnjëherë?
Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është se Perëndia akordon hirin e përgjithshëm. Hirin e përgjithshëm ne mund ta përkufizojmë si vijon: Hiri i përgjithshëm është hiri i dhënë nga Perëndia, nëpërmjet të cilit Ai u jep njerëzve bekime të panumërta të cilat nuk janë pjesë e shpëtimit. Fjala i përgjithshëm këtu ka kuptimin e diçkaje që është e përbashkët për të tërë njerëzit e që nuk kufizohet vetëm tek besimtarët apo vetëm tek të zgjedhurit.
Në dallim nga hiri i përgjithshëm, hiri i Perëndisë që sjell njerëzit në shpëtim, shpesh herë quhet “hiri shpëtues.” Sigurisht, kur flasim për “hirin e përgjithshëm” dhe “hirin shpëtues”, me këtë nuk jemi duke nënkuptuar se ka dy lloje të ndryshme hiri tek Perëndia Vetë, por vetëm që hiri i Perëndisë shfaqet në botë në dy mënyra të ndryshme. Hiri i përgjithshëm është ndryshe nga hiri shpëtues në rezultatet e tij (ai nuk shkakton shpëtim), tek marrësit e tij (i jepet si besimtarëve, ashtu edhe jobesimtarëve), dhe tek burimi i tij (nuk rrjedh drejtpërsëdrejti nga vepra shpenguese e Krishtit, përderisa vdekja e Krishti nuk fitoi ndonjë farë faljeje për jobesimtarët, dhe për rrjedhojë, nuk meritoi as bekimet e hirit të përgjithshëm për ata). Sidoqoftë, për sa i takon kësaj pike të fundit, duhet thënë se hiri i përgjithshëm, rrjedh në mënyrë të tërthortë nga vepra shpenguese e Krishtit, për shkak se fakti që Perëndia nuk e gjykoi botën menjëherë sapo mëkati hyri në të, qe në radhë të parë ose ndoshta në mënyrë ekskluzive pasojë e faktit që në fund të fundit, Ai planifikoi t’i shpëtonte disa mëkatarë përmes vdekjes së Birit të Tij.[1]1
B. Shembuj të Hirit të Përgjithshëm
Po të shikojmë botën përreth nesh dhe ta krahasojmë me flakët e ferrit që bota meriton, ne mund të shikojmë aty për aty prova të bollëkshme të hirit të përgjithshëm të Perëndisë në mijëra shembuj të jetës së përditshme. Ne mund të dallojmë një sërë kategorish specifike në të cilat shikohet ky hir i përgjithshëm.
1. Rrafshi fizik. Jobesimtarët vazhdojnë që të jetojnë në këtë botë vetëm për shkak të hirit të përgjithshëm të Perëndisë, çdo frymë që njerëzit marrin, është prej hirit, sepse paga e mëkatit është vdekja, e jo jeta. Për më tepër, bota nuk prodhon vetëm gjemba dhe bimë gjembore (Zan. 3:18), e as mbetet një shkretëtirë e zhuritur, por nëpërmjet hirit të përgjithshëm të Perëndisë, ajo prodhon ushqime dhe materiale për veshje dhe strehë, shpesh me bollëk dhe larmi të madhe. Jezusi tha: “Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të këqijtë dhe mbi të mirët dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mat. 5:44–45). Këtu Jezusi i referohet hirit të bollëkshëm të përgjithshëm të Perëndisë, si një inkurajim për dishepujt e Tij që edhe ata të ofrojnë dashuri dhe lutje për bekim mbi jobesimtarët (kr. Luka 6:35–36). Po kështu, Pali u tha njerëzve në Listria, “Në brezat, që shkuan, ai la të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre; por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim” (Veprat 14:16–17).
Edhe Besëlidhja e Vjetër flet për hirin e përgjithshëm të Perëndisë që u vjen si jobesimtarëve ashtu edhe besimtarëve. Një shembull specifik është Potifari, kapiteni egjiptian i rojeve i cili e bleu Jozefin si skllav: “Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptasit për shkak të Jozefit; dhe bekimi i Zotit përfshiu gjithçka ai kishte në shtëpi dhe në fushë” (Zan. 39:5). Davidi flet në një mënyrë shumë më të përgjithshme rreth tërë krijesave që Perëndia ka bërë: “Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij.... Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë” (Ps. 145:9, 15–16).
Këto vargje janë edhe një kujtesë tjetër që mirësia që gjendet tek i gjithë krijimi është në sajë të mirësisë dhe dhembshurisë së Perëndisë.
Ne madje shikojmë prova të hirit të përgjithshëm të Perëndisë në bukurinë e botës natyrore. Paçka se natyra vetë është nën “skllavërinë e prishjes” dhe se “iu nënshtrua kotësisë” (Rom. 8:21, 20) për shkak të mallkimit të rënies së njeriut në mëkat (Zan. 3:17–19), gjithsesi, në botën natyrore ka ende shumë bukuri. Bukuria e luleve shumëngjyrëshe, e barit dhe pyjeve, e lumenjve dhe liqeneve, e maleve dhe brigjeve të oqeanit, mbetet ende një dëshmi e përditshme e vazhdimit të hirit të përgjithshëm të Perëndisë. Jobesimtarët meritojnë të mos shijojnë aspak prej kësaj bukurie, por, nëpërmjet hirit të Perëndisë, ata mund të shijojnë shumëçka prej saj përgjatë gjithë jetës së tyre.
2. Rrafshi intelektual. Satani është “gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës” dhe “në të nuk ka të vërtetë” (Gjoni 8:44), sepse ai i është përkushtuar tërësisht të keqes si dhe paarsyeshmërisë dhe përkushtimit ndaj falsitetit që shoqëron ligësinë radikale. Por, qeniet njerëzore në botë sot, madje edhe jobesimtarët, nuk i janë dhënë plotësisht gënjeshtrës, paarsyeshmërisë dhe padijes. Të tërë njerëzit janë në gjendje që të kenë një farë kuptimi të së vërtetës; në fakt, disa kanë një inteligjencë dhe arsyetueshmëri të lartë. Edhe kjo duhet parë si rezultat i hirit të Perëndisë. Gjoni i referohet Jezusit si “drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri” (Gjoni 1:9), sepse në rolin e Tij si krijuesi dhe mbajti në ekzistencë i universit (jo posaçërisht në rolin e Tij si shpengues), Biri i Perëndisë lejon ndriçimin e mendjes dhe arsyetueshmërinë që të prekë të tërë njerëzit që ka bota.[2]2
Hiri i përgjithshëm i Perëndisë në rrafshin intelektual, shikohet në faktin që të tërë njerëzit kanë njohuri rreth Perëndisë: “Megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi” (Rom. 1:21). Kjo do të thotë se ka një perceptim të ekzistencës së Perëndisë dhe shpesh një uri për ta njohur Perëndinë që Ai lejon të mbetet në zemrat e njerëzve, paçka se shpesh herë kjo çon në fe të ndryshme të krijuara nga njeriu. Për rrjedhojë, edhe kur u drejtohej njerëzve që kishin besuar në fe të rreme, Pali mund të gjente një pikë kontakti në lidhje me njohurinë e ekzistencës së Perëndisë, ashtu sikurse bëri kur po i fliste filozofëve athinas: “O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë.... Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall” (Veprat 17:22–23).
Hiri i përgjithshëm i Perëndisë, në rrafshin intelektual, çon gjithashtu në një aftësi për të kuptuar të vërtetën e për ta dalluar atë nga gabimi, si dhe për të përjetuar rritje në njohuri e cila mund të përdoret në hetimin e universit si dhe në detyrën e nënshtrimit të tokës. Kjo do të thotë se e tërë shkenca dhe teknologjia e lëvruar nga jo të krishterët, është rezultat i hirit të përgjithshëm që i lejon ata të bëjnë zbulime dhe shpikje të jashtëzakonshme, për të kthyer burimet natyrore të botës në shumë të mira materiale, për t’i prodhuar si dhe shpërndarë këto burime, si dhe për të patur aftësi në punën e tyre produktive. Në një anë praktike, kjo do të thotë se çdo herë që ne futemi në një ushqimore apo ngasim një automobil, apo hyjmë në një shtëpi, ne duhet të mbajmë mend se po përjetojmë rezultatet e hirit të përgjithshëm të bollëkshëm të Perëndisë, të derdhur kaq bollëkshëm mbi të gjithë njerëzimin.
3. Rrafshi moral. Perëndia gjithashtu, përmes hirit të përgjithshëm i kufizon njerëzit që të mos jenë aq të këqij sa ç’mund të jenë. Edhe një herë tjetër, rrafshi demonik, i përkushtuar tërësisht ndaj të keqes dhe shkatërrimit, ofron një kontrast të qartë me shoqërinë njerëzore tek e cila e keqja është dukshëm e kufizuar. Nëse njerëzit këmbëngulin me zemër-ngurtësi dhe në mënyrë të përsëritur në vazhdimin e të mëkatuarit përgjatë një periudhe kohore, Perëndia si përfundim do t’i “dorëzojë” në mëkate gjithnjë e më të mëdha (kr. Ps. 81:12; Rom. 1:24, 26, 28), por në rastin e pjesës më të madhe të qenieve njerëzore, ata nuk bien në thellësitë në të cilat përndryshe mëkati i tyre do t’i çonte, sepse Perëndia ndërhyn dhe i vë kufi sjelljes së tyre. Një kufizim shumë efikas këtu, është forca e ndërgjegjes: Pali thotë: “Kur kombet që s'kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s'kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre akuzojnë ose edhe mbrojnë njëri-tjetrin” (Rom. 2:14–15).
Kjo ndjesi e brendshme për të duhurën dhe të gabuarën që Perëndia u jep të tërë njerëzve, nënkupton se ata shpesh herë do të aprovojnë standardet morale të cilat pasqyrojnë shumë prej standardeve morale të Shkrimit. Edhe ata që i janë dhënë mëkatit më të ulët, Pali thotë: “Kanë njohur dekretin e drejtë të Perëndisë, sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen” (Rom. 1:32). Dhe në shumë raste të tjera, kjo ndjenjë e brendshme e ndërgjegjes, i shtyn njerëzit që të caktojnë ligje dhe zakone në shoqëri, të cilat, në lidhje me sjelljen e jashtme të cilën ato aprovojnë apo ndalojnë, u përngjajnë ligjeve morale të Shkrimit. Njerëzit shpesh herë caktojnë ligje apo kanë zakone të cilat respektojnë shenjtërinë e martesës dhe të familjes, mbrojnë jetën njerëzore si dhe ndalojnë vjedhjet dhe falsitetin në të folur.[3]3 Për shkak të kësaj, njerëzit shpesh herë jetojnë në mënyra të cilat janë moralisht të sakta, si dhe nga ana e jashtme, konform me standardet morale që gjejmë në Shkrim. Paçka se sjellja e tyre morale nuk mund të fitojë ndonjë meritë përpara Perëndisë (përderisa Shkrimi thotë në mënyrë të qartë se “me anë të ligjit askush nuk drejtësohet përpara Perëndisë,” Gal. 3:11, dhe “Të gjithë kanë dalë nga udha, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një,” Rom. 3:12), gjithsesi, në një farë mënyre më pak se meritimi i aprovimit apo meritës së përjetshme prej Perëndisë, jobesimtarët vërtetë “bëjnë mirë.” Jezusi e nënkuptoi këtë kur tha: “Dhe nëse u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, ç'hir keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët bëjnë të njëjtën gjë” (Luka 6:33; kr. 2 Mbretërve 12:2 dhe 2 Kron. 24:2, ku Jehoahazi thuhet se bëri të mira gjatë mbretërimit të tij, me “2 Kron.” 24:17–25, ku ai bëri ligësi të atilla që e bëri të dukshme se në jetën e tij nuk kishte besim shpëtues). Sigurisht, në fushat ku ungjilli ka patur një ndikim të madh dhe ku kisha është e fortë, ai do të ketë një ndikim më të fortë moral në shoqëri sesa në vendet ku ungjilli nuk ka arritur kurrë, apo ku ai ka më pak ndikim kufizues (për shembull, në shoqëritë kanibaliste—apo madje në shoqërinë moderne Perëndimore ku besimi në ungjillin si dhe vlerat absolute morale, janë braktisur të dyja nga kultura mbizotëruese e atij vendi).
Perëndia e demonstron gjithashtu hirin e përgjithshëm të Tij, duke dhënë paralajmërime për gjykimin përfundimtar në operimin e botës natyrore. Perëndia e ka organizuar botën në një mënyrë të atillë që jetesa sipas standardeve morale të Tij, shpesh herë sjell shpërblime në rrafshin natyror, dhe shkelja e standardeve të Perëndisë, shpesh sjell shkatërrim për njerëzit, e në të dyja rastet tregon drejtimin faktik të gjykimit përfundimtar: Ndershmëria, puna me përkushtim, tregimi i dashurisë dhe mirësisë ndaj të tjerëve si dhe besnikëria në martesë dhe në familje, (me përjashtim në shoqëritë më të korruptuara) do të sjellë një shpërblim shumë më material dhe emocional në këtë jetë sesa pandershmëria, përtacia, mizoria, pabesnikëria bashkëshortore, apo gjëra të tjera të gabuara si për shembull, dehja, abuzimi me lëndët narkotike, vjedhja e të tjera si këto. Këto pasoja normale të mëkatit apo drejtësisë, duhet të shërbejnë si një paralajmërim i gjykimit që do të vijë, dhe kësisoj, ato shërbejnë gjithashtu si shembuj të hirit të përgjithshëm të Perëndisë.
4. Rrafshi i krijimit. Perëndia ka lejuar masa të konsiderueshme aftësish në fushat artistike dhe muzikore, si dhe në sfera të tjera në të cilat krijueshmëria dhe aftësitë mund të shprehen, si për shembull në atletikë, kulinari, shkrimtari e kështu me radhë. Për më tepër, Perëndia na jep një aftësi për të vlerësuar bukurinë në shumë fusha të jetës. Edhe në këtë fushë, ashtu sikurse në fushën fizike dhe intelektuale, bekimet e hirit të përgjithshëm nganjëherë derdhen tek jobesimtarët edhe më me bollëk sesa tek besimtarët. Megjithëkëtë, në të tëra rastet, ato bekime janë rezultat i hirit të Perëndisë.
5. Rrafshi shoqëror. Hiri i Perëndisë është gjithashtu evident në ekzistencën e organizatave dhe strukturave të ndryshme të shoqërisë njerëzore. Këtë e shikojmë fillimisht në familjen njerëzore, e evidentuar tek fakti që Adami dhe Eva mbetën bashkëshort dhe bashkëshorte pas rënies, dhe që pastaj patën fëmijë, si djem ashtu edhe vajza (Zan. 5:4). Fëmijët e Adamit dhe Evës, u martuan dhe formuan familje të vetat (Zan. 4:17, 19, 26). Familja njerëzore vazhdon edhe sot, jo si një institucion vetëm për besimtarët, por për të tërë njerëzit.
Qeveritë e popujve janë gjithashtu rezultat i hirit të përgjithshëm. Qeveria në parim u themelua nga Perëndia, e kjo pas përmbytjes (shiko Zan. 9:6), dhe është deklaruar qartë se është dhënë nga Perëndia tek “Romakëve” 13:1: “Nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.” Është e qartë se qeveria është një dhuratë nga Perëndia për njerëzimin në përgjithësi, sepse Pali thotë se personi me autoritet shtetëror është “Shërbenjës i Perëndisë për të mirën tënde” dhe se ai është “shërbenjës i Perëndisë, hakmarrës për të ushtruar zemërim kundër atij që bën të keqen” (Rom. 13:4). Një nga mënyrat kryesore të cilat Perëndia përdor për të kufizuar të keqen në botë, është qeveria njerëzore. Ligjet njerëzore, forcat policore dhe sistemet gjyqësore, ofrojnë një faktor të fuqishëm frenues ndaj veprimeve të liga, dhe këto janë të domosdoshme, sepse ka shumë ligësinë në botë që është irracionale dhe që mund të kufizohet vetëm përmes forcës, për shkak se nuk pranon të frenohet nga arsyeja apo edukata. Sigurisht që mëkatshmëria e njeriut mund të ndikojë edhe tek vetë qeveritë, kështu që ato mund të bëhen të korruptuara dhe aktualisht të inkurajojnë të keqen në vend që të inkurajojnë të mirën. Kjo është thjesht për të thënë se qeveria njerëzore, ashtu sikurse të tëra bekimet e tjera të hirit të përgjithshëm që Perëndia jep, mund të përdoren ose për qëllime të mira, ose për qëllime të këqija.
Organizatat e tjera në shoqërinë njerëzore, përfshijnë institucionet arsimore, bizneset dhe korporatat, shoqatat e vullnetarëve (si për shembull shumë grupe bamirëse dhe shërbimesh publike), si dhe shembuj të panumërt të miqësive mes njerëzish të zakonshëm. Të tëra këto funksionojnë për të sjellë një masë të mire tek qeniet njerëzore dhe të tëra janë shprehje të hirit të përgjithshëm të Perëndisë.
6. Rrafshi fetar. Edhe në fushën e fesë njerëzore, hiri i përgjithshëm i Perëndisë sjell ca bekime tek jobesimtarët. Jezusi na thotë: “Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (Mat. 5:44), dhe përderisa nuk ka kufizim në kontekst që thjesht të lutemi për shpëtimin e tyre, si dhe përderisa urdhëresa për t’u lutur për ata që na përndjekin është e gërshetuar me një urdhëresë për t’i dashur ata, duket e arsyeshme që të dalim në përfundimin që Perëndia ka për qëllim t’u përgjigjet lutjeve tona edhe për përndjekësit tanë në lidhje me shumë fusha të jetës. Në fakt, Pali në mënyrë specifike urdhëron që të lutemi “për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pozitë të lartë” (1 Tim. 2:1–2). Kur kërkojmë të mirën për jobesimtarët, kjo gjë është e përputhshme me praktikën e Perëndisë Vetë i Cili jep dritën e diellit dhe shiun “mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mat. 5:45) dhe gjithashtu e përputhshme me praktikën e Jezusit gjatë shërbesës së Tij tokësore kur Ai shëroi çdo person që i çuan (Luka 4:40). Nuk ka ndonjë gjë që të tregojë se Ai kërkoi prej të tërë atyre që të besonin tek Ai apo që të pranonin se Ai ishte Mesia përpara se t’u jepte shërimin fizik.
A u përgjigjet Perëndia lutjeve të jobesimtarëve? Paçka se Perëndia nuk ka premtuar se do t’u përgjigjet lutjeve të jobesimtarëve ashtu siç ka premtuar se do t’u përgjigjet lutjeve të tyre të cilët vijnë në emrin e Jezusit dhe, paçka se Ai nuk është i obliguar nga ndonjë gjë t’u përgjigjet lutjeve të jobesimtarëve, gjithsesi, Perëndia mundet që me hirin e Tij të përgjithshëm, të dëgjojë gjithsesi dhe të plotësojë lutjet e jobesimtarëve, duke demonstruar kësisoj mëshirën dhe mirësinë e Tij edhe në një mënyrë tjetër (kr. Ps. 145:9, 15; Mat. 7:22; Luka 6:35–36). Është e dukshme se ky është kuptimi i “1 Timoteut” 4:10, që thotë se Perëndia është “Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.” Këtu, “Shpëtimtar” nuk mund të kufizohet në kuptim e “dikush i cili fal mëkatet dhe jep jetë të përjetshme,” për shkak se këto gjëra nuk u jepen atyre të cilët nuk besojnë; “Shpëtimtar” duhet të kenë një kuptim më të përgjithshëm këtu, konkretisht, “dikush i cili të shpëton nga një hall, dikush i cili të çliron.” Në raste telashi apo shqetësimi, Perëndia shpesh herë dëgjon lutjet e jobesimtarëve dhe me hir i çliron ata nga telashet e tyre. Për më tepër, edhe jobesimtarët shpesh herë kanë një ndjenjë mirënjohjeje ndaj Perëndisë për mirësinë e krijimit, për çlirimin nga rreziku si dhe për bekimin e familjes, shtëpisë, miqve, si dhe vendit të tyre. Përveç kësaj, jobesimtarët do të bien në kontakt të ngushtë me kishën dhe ndoshta do të bëhen pjesë e saj për një farë kohe, e do të kenë disa përvoja fetare të cilat mund të duken shumë të afërta me përvojën e atyre të cilët janë të shpëtuar (shiko Heb. 6:4–6; Mat. 7:22–23).[4]4
Si përfundim, edhe shpallja e ungjillit ndaj atyre të cilët si përfundim nuk e pranojnë atë, është një deklaratë e qartë e mëshirës dhe e hirit të Perëndisë, e cila dëshmon qartë për faktin që Perëndia nuk gjen kënaqësi në vdekjen apo dënimin e ndonjë prej krijesave që Ai ka bërë (kr. Ezek. 33:11; 1 Tim. 2:4).
7. Hiri i përgjithshëm dhe hiri i veçantë ndikojnë tek njëri tjetri. Hiri i përgjithshëm sigurisht që ndikon dhe e pasuron kishën, përderisa pa hirin e përgjithshëm të Perëndisë të dhënë ndaj marangozëve si dhe llojeve të tjera të zanateve, nuk do të kishte ndërtesa kishtare; pa hirin e përgjithshëm që u jepet printuesve, linotipistëve dhe libërlidhësve (dhe madje ndaj atyre që punojnë tek fabrika e letrës apo që presin pemët në pyll për të bërë letër), nuk do të kishte Bibla. Në mënyra të panumërta, në veprimtaritë e përditshme, kisha përfiton nga hiri i përgjithshëm.
Nga ana tjetër, hiri i veçantë që Perëndia u jep atyre të cilët janë shpëtuar, sjell më shumë prej bekimeve të hirit të përgjithshëm ndaj jobesimtarëve të cilët jetojnë në rrezen e ndikimit të kishës. Jobesimtarët përfitojnë nga shembulli i jetës së krishterë që ata shikojnë në shoqëri, nga lutjet si dhe veprat e mëshirës që të krishterët bëjnë për komunitetin, nga njohuria e mësimeve të Shkrimit si dhe mençurinë që Shkrimi jep në të cilin ata gjejnë dobi intelektuale dhe morale, si dhe nga ndikimi i tij tek ligjet, zakonet dhe besimet e një shoqërie gjë që realizohet përmes veprimtarive sociale dhe politike të të krishterëve. Historikisht, shpesh herë ka qenë prania e fuqishme e atyre, jeta e të cilëve u ndryshua nga ungjilli që ka çuar në lirimin e skllevërve (në kolonitë britanike si dhe në Shtetet e Bashkuara), të drejtat e grave, arsimimi i përhapur gjerësisht publik, përparimi teknologjik dhe shkencor, produktivitet i shtuar në ekonomi, një vlerë e madhe e vendosur mbi punën dhe begatinë dhe ndershmërinë, e të tjera si këto.
8. Hiri i përgjithshëm nuk i shpëton njerëzit. Pavarësisht të gjithë kësaj, ne duhet të kuptojmë se hiri i përgjithshëm është ndryshe nga hiri shpëtues. Hiri i përgjithshëm, nuk e ndryshon zemrën njerëzore e as i sjell njerëzit në pendesë dhe besim të mirëfilltë, ai nuk mundet e as nuk i shpëton njerëzit (paçka se në sferën intelektuale dhe morale, ai mund të japë një farë përgatitjeje për t’i bërë njerëzit më të predispozuar ndaj pranimit të ungjillit). Hiri i përgjithshëm e kufizon mëkatin, por nuk e ndryshon predispozitën bazë të personit për të mëkatuar, e as nuk realizon në ndonjë masë të konsiderueshme pastrimin e natyrës së rënë njerëzore.[5]5
Ne duhet që gjithashtu të kuptojmë se veprimet e jobesimtarëve, të kryera në sajë të hirit të përgjithshëm, nuk është se në vetvete meritojnë aprovimin apo favorin e Perëndisë. Këto veprimet nuk burojnë nga besimi (“Gjithçka që nuk bëhet me besim, është mëkat,” Rom. 14:23), e as janë të motivuara nga dashuria për Perëndinë (Mat. 22:37), por përkundrazi, dashuria për veten e një forme apo e një tjetre. Për rrjedhojë, paçka se ne me gatishmëri mund të thoshim se veprat e jobesimtarëve të cilat nga jashtë janë në linjë me ligjet e Perëndisë, janë “të mira” në një farë kuptimi, sidoqoftë, ato nuk janë të mira në lidhje me miratimin e aprovimit të Perëndisë e as në bërjen e Perëndisë borxhli njëfarësoj ndaj mëkatarit në ndonjë mënyrë.
Së fundi, ne duhet të kuptojmë se jobesimtarët, shpesh herë marrin më shumë hir të përgjithshëm sesa besimtarët, në mënyrë që të jenë më të talentuar, më punëtorë, më inteligjentë, më krijues, apo që të ketë më shumë prej të mirave materiale të kësaj jete për t’i gëzuar. Kjo nuk tregon në asnjë mënyrë se ata janë më të favorizuar nga Perëndia në një kuptim absolut apo se ata do të fitojnë ndonjë hise në shpëtimin e përjetshëm, por vetëm që Perëndia i shpërndan bekimet e hirit të përgjithshëm në mënyra të ndryshme, shpesh duke u dhënë bekime shumë të konsiderueshme ndaj jobesimtarëve. Në të tërë këtë, ata sigurisht që duhet të pranojnë mirësinë e Perëndisë (Veprat 14:17), dhe duhet të kuptojnë që vullneti i zbuluar i Perëndisë, është që “Mirësia e Perëndisë” duhet si përfundim t’i drejtojë ata “në pendim” (Rom. 2:4).
C. Arsyet për hirin e përgjithshëm
Përse Perëndia akordon hirin e përgjithshëm ndaj mëkatarëve që nuk e meritojnë atë e që nuk do ta arrijnë kurrë shpëtimin? Për këtë mund të sugjerojmë të paktën katër arsye.
1. Për të shpenguar ata të cilët do të shpëtohen. Pjetri thotë se dita e gjykimit dhe ekzekutimit përfundimtar të ndëshkimit, është duke u shtyrë për shkak se ka edhe më shumë njerëz që do të shpëtohen: “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç mendojnë disa se të ishte vonesë; por është zemërgjerë ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim. Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës” (2 Pjetrit 3:9–10). Në fakt, kjo arsye vlente të thuhej që nga fillimi i historisë njerëzore, sepse nëse Perëndia dëshironte që të shpëtonte ndokënd nga masa e tërë e njerëzimit mëkatar, Ai nuk do mund t’i kishte shkatërruar të tërë mëkatarët menjëherë (sepse atëherë nuk do të mbetej më racë njerëzore). Por Ai përkundrazi, zgjodhi që të lejonte që njerëzit të jetonin për një farë kohe, në mënyrë që ata të mund të kishin mundësinë për t’u penduar, dhe gjithashtu që ata të mund të lindnin fëmijë dhe që t’i bënin të aftë brezat pasues që të jetonin e që pastaj të dëgjonin ungjillin e që të pendoheshin.
2. Për të demonstruar mirësinë si dhe mëshirën e Perëndisë. Mirësia dhe mëshira e Perëndisë nuk shikohen vetëm në shpëtimin e besimtarëve, por gjithashtu në bekimet që Ai jep ndaj mëkatarëve që nuk i meritojnë ato. Kur Perëndia “është dashamirës me mosmirënjohësit dhe të ligjtë” (Luka 6:35), mirësia e Tij zbulohet në univers për lavdinë e Tij. Davidi thotë: “ZOTI është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij” (Ps. 145:9). Në historinë e Jezusit, kur Ai flet me fisnikun e ri të pasur, lexojmë se: “Jezusi e vështroi, e deshi” (Marku 10:21), edhe pse njeriu ishte një jobesimtar e në çast do t’i kthente shpinën Jezusit për shkak të pronave të tij të mëdha. Berkhofi thotë se Perëndia “derdh lumë bekime të jashtëzakonshme mbi të tërë njerëzit, dhe gjithashtu tregon në mënyrë të qartë se këto janë shprehjet e një predispozicioni të favorshëm të Perëndisë, por që gjithsesi nuk arrin vullnetin pozitiv për të falur mëkatin e tyre, për të hequr dënimin e tyre si dhe për t’u dhënë atyre shpëtimin.”[6]6
Nuk është e padrejtë që Perëndia të vonojë ekzekutimin e ndëshkimit të dhënë për shkak të mëkatit si dhe që të japë bekime të përkohshme (të kësaj bote) ndaj njerëzve, për shkak se ndëshkimi nuk është harruar, por është thjesht shtyrë për më vonë. Në shtyrjen për më vonë të ndëshkimit, Perëndia tregon në mënyrë të qartë se Ai nuk gjen kënaqësi në ekzekutimin e gjykimit përfundimtar, por më tepër gjen kënaqësi në shpëtimin e burrave dhe grave. “Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj», thotë Zoti, Zoti, «unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të kthehet nga rruga e tij dhe të jetojë” (Ezek. 33:11). Perëndia “dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të vijnë te njohja e së vërtetës.” (1 Tim. 2:4). Në të tërë këtë, vonesa e ndëshkimit jep prova të qarta të mëshirës, mirësisë dhe dashurisë së Perëndisë.
3. Për të demonstruar drejtësinë e Perëndisë. Kur Perëndia në mënyrë të përsëritur i fton mëkatarët që të vijnë në besim, dhe kur ata në mënyrë të përsëritur i refuzojnë ftesat e Tij, drejtësia e Perëndisë në dënimin e tyre del shumë më e qartë. Pali paralajmëron se ata të cilët këmbëngulin në mosbesim, thjesht janë duke grumbulluar zemërim mbi veten e tyre: “sipas ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë” (Rom. 2:5). Në ditën e gjykimit “çdo gojë” do të “heshtë” (Rom. 3:19) dhe askush nuk do të jetë në gjendje që të kundërshtojë duke thënë se Perëndia ka qenë i padrejtë.
4. Për të demonstruar lavdinë e Perëndisë. Si përfundim, lavdia e Perëndisë është treguar në shumë mënyra nëpërmjet veprimtarive të qenieve njerëzore në të tëra fushat në të cilat hiri i përgjithshëm vepron. Në zhvillimin dhe ushtrimin e dominimit mbi tokë, burrat dhe gratë demonstrojnë dhe pasqyrojnë mençurinë e Krijuesit të tyre, demonstrojnë cilësi të ngjashme me të Perëndisë si dhe virtytin moral dhe autoritetin mbi universin e kështu me radhë. Paçka se të gjitha këto veprimtari janë të njollosura nga motive të mëkatshme, ato gjithsesi pasqyrojnë shkëlqyeshmërinë e Krijuesit tonë dhe për rrjedhojë i sjellin lavdi Perëndisë, jo plotësisht apo në mënyrë të përsosur, por gjithsesi në mënyrë të konsiderueshme.
D. Reagimi ynë ndaj doktrinës së hirit të përgjithshëm
Kur mendojmë për llojet e ndryshme të mirësisë që vihet re në jetën e jobesimtarëve për shkak të hirit të përgjithshëm që Perëndia jep me bollëk, ne duhet të mbajmë tre pika në mendje:
1. Hiri i zakonshëm nuk do të thotë se ata që e pranojnë atë do të shpëtohen. Edhe sasi jashtëzakonisht të mëdha të hirit të përgjithshëm nuk është se nënkuptojnë se ata të cilët do ta marrin atë kanë për t’u shpëtuar. Edhe ata që janë më të talentuar, më inteligjentë, më të kamur si dhe më të fuqishëm në botë, kanë gjithsesi nevojë për ungjillin e Jezus Krishtit ose për ndryshe do të dënohen në jetë të jetëve! Edhe fqinjët tanë më të moralshëm dhe të sjellshëm, kanë ende nevojë për ungjillin e Jezus Krishtit, ose përndryshe do të dënohen në jetë të jetëve! Nga jashtë ata mund të duket sikur nuk kanë nevoja, por Shkrimi ende thotë se jobesimtarët janë “armiq” të Perëndisë (Rom. 5:10; kr. Kol. 1:21; Jakobi 4:4) si dhe janë “kundër ” Krishtit (Mat. 12:30). Ata “ecin si armiq të kryqit të Krishtit” dhe e kanë “mendjen vetëm në gjërat tokësore” (Fil. 3:18–19) dhe janë “prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët” (Efe. 2:3).
2. Ne duhet të bëjmë kujdes që të mos refuzojmë gjërat e mira që bëjnë jobesimtarët sikur të ishin tërësisht të këqija. Me hirin e përgjithshëm, jobesimtarët bëjnë ca mirë dhe ne duhet të shikojmë dorën e Perëndisë në këtë e të jemi mirënjohës për hirin e përgjithshëm ndërkohë që ai vepron nëpër çdo miqësi, në çdo akt mirësie, në çdo mënyrë në të cilën ai sjell bekim ndaj të tjerëve. E tëra kjo—paçka se jobesimtari nuk e di, vjen në fund të fundit nga Perëndia dhe Ai meriton lavdinë për këtë.
3. Doktrina e hirit të përgjithshëm duhet t’i nxisë zemrat tona për të qenë edhe më mirënjohës ndaj Perëndisë. Kur ne ecim rrugës dhe shikojmë shtëpi me bahçe, si dhe familjet që jetojnë të sigurt në to, apo kur bëjmë biznes në treg dhe shikojmë rezultatet e larta të përparimit teknologjik, apo kur ecin nëpër pyll dhe shikojmë bukurinë e natyrës, apo kur qeveria del në mbrojtjen tonë,[7]7 apo kur arsimohemi nga magazina e stërmadhe e njohurisë njerëzore, ne duhet të kuptojmë jo vetëm se Perëndia në sovranitetin e Tij është tek e fundit Ai që është përgjegjës për të tëra këto bekime, por gjithashtu që Perëndia ua ka dhënë të tëra këto mëkatarëve të cilët nuk e meritojnë aspak ndonjë prej këtyre! Këto bekime në botë, nuk janë vetëm prova të fuqisë dhe mençurisë së Perëndisë, por janë gjithashtu një manifestim i vazhdueshëm i hirit të Tij që jepet me bollëk. Kuptimi i këtij fakti duhet të bëjë që zemrat tona të gufohen me mirënjohje ndaj Perëndisë në çdo veprimtari të jetës.
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. Përpara se të lexoje këtë kapitull, a ke patur një këndvështrim tjetër mbi çështjen nëse jobesimtarët meritonin dobitë e zakonshme të botës përreth tyre? Në ç’anë ka ndryshuar pikëpamja juaj (nëse ka ndryshuar)?
2. A dini ndonjë shembull kur Perëndia u është përgjigjur lutjeve të jobesimtarëve të cilët ishin në vështirësi, apo iu është përgjigjur lutjeve të tua për nevojat e një miku tënd jobesimtar? A ka siguruar Ai një mundësi për të ndarë ungjillin? A gjeti ky jobesimtar si përfundim shpëtimin në Krishtin? A mendon se Perëndia shpesh herë përdor bekimet e hirit të përgjithshëm si një mënyrë për ta përgatitur popullin që të pranojë ungjillin?
3. Në ç’mënyrë do të ndryshojë kjo doktrinë mënyrën se si ti hyn në raport me një fqinj apo shok jobesimtar? A do ketë kjo prirjen për të të bërë më mirënjohës për të mirat që shikon në jetën e tyre? Si mendon se kjo gjë mund të ndikojë tek marrëdhënia jote me personin në fjalë në një kuptim më të përgjithshëm të fjalës?
4. Kur hedh vështrimin përreth në vendin ku je këtë moment, a mund të gjesh të paktën njëzet shembuj të ndryshëm të hirit të përgjithshëm të cilat mund të vësh re? Si të bën kjo gjë të ndjehesh?
5. A ka ndryshuar ky kapitull mënyrën se si ti i shikon veprimtaritë krijuese të tilla si muzika, arti, arkitektura apo poezia, apo (diçka që është shumë e ngjashme) krijimtaria e shprehur në veprimtaritë atletike?
6. Nëse ti tregon mirësjellje ndaj një jobesimtari dhe ai apo ajo gjithsesi nuk e pranon Krishtin kurrë, a ka bërë kjo gjë nga ana jote ndonjë të mirë në sytë e Perëndisë (shiko Mat. 5:44–45; Luka 6:32–36)? Çfarë të mire ka bërë? Përse mendon se Perëndia është i mirë edhe ndaj atyre të cilët nuk do të shpëtohen kurrë—në ç’mënyrë e çon përpara kjo gjë qëllimin e Tij për universin? A mendon se ne kemi ndonjë detyrim për t’u përpjekur më shumë për të treguar mirësi ndaj besimtarëve sesa ndaj jobesimtarëve? A mund të tregoni specifikisht disa pasazhe të Shkrimit të cilat të ndihmojnë në dhënien përgjigje ndaj kësaj pyetjeje?
TERMA TË VEÇANTË
hiri i përgjithshëm
hiri i veçantë
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.) Shënim: Ky subjekt nuk trajtohet shpesh në një seksion të veçantë në teologjitë sistematike, por shiko seksionet e pakta të renditura më poshtë në veprat e mëposhtme:
Seksionet në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1930 Thomas, 210–214
5. Luterane
1934 Mueller, 242–254
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1871–1873 Hodge, 2:654–674
1937–1966 Murray, CW 2:93–119
1938 Berkhof, 432–446
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott, 238–42
Vepra të Tjera
Hoekema, Anthony A. “Kufizimi i Mëkatit (The Restraint of Sin).” Tek: I Krijuar në Shëmbëlltyrën e Perëndisë (Created In God’s Image). Grand Rapids: Eerdmans, and Exeter: Paternoster, 1986, fq. 187–202.
Hughes, P.E. “Hiri (Grace).” Tek FUT (EDT) fq. 479–482.
Kearsley, R. “Hiri (Grace).” Tek FUT (NDT) fq. 280–281.
Van Til, Cornelius. Hiri i Përgjithshëm dhe Ungjilli (Common Grace and the Gospel). Nutley, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1972.
Van Til, Cornelius. Në Mbrojtje të Besimit (In Defense of the Faith) [8]vol. 5: Një Hyrje në Teologjinë Sistematike (An Introduction to Systematic Theology). Pa datë botimi.: Presbyterian and Reformed Publishing Co., 1976, fq. 75–99, 253–262.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“Luka” 6:35–36: Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Më të Lartit, sepse ai është dashamirës me mosmirënjohësit dhe të ligjtë. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
HIMN
“TËRË NJERËZIT QË BANOJNË NË TOKË (ALL PEOPLE THAT ON EARTH DO DWELL)”
Ky përpunim shumë i vjetër i “Psalmit” 100 është thirrje për të tërë njerëzit e botës që të lavdërojnë Perëndinë për shkak të mirësisë së madhe të Tij.
Tërë ju o njerëz që në tokë banoni,
Këndojini Zotit me klithma gëzimi;
Shërbejini Atij me frikë, lavdet e Tij kumtoni,
Ejani përpara Tij dhe të gëzuar jini.
Zoti siç e dini është vërtetë Perëndi;
Pa ndihmën tonë Ai na krijoi;
Ai na ushqen, ne jemi njerëzit e Tij,
Dhe si dele të Tij Ai na numëroi.
Atëherë në portat e Tij me lavde hyni,
Qasjuni me gëzim oborreve të Tij, të tërë
Emrin e Tij përjetë fort lëvdoni dhe bekoni,
Sepse kjo është e përshtatshme nga ne për t’u bërë.
Përse? I mirë është i yni Zoti, Perëndi,
Mëshira e Tij është sigurt përjetë;
E palëkundur gjithnjë ka mbetur e vërteta e Tij,
Dhe në shekuj të shekujve do të vazhdojë të jetë.
Autori: William Kethe, 1561