General
Text

Kapitulli 23: Natyra thelbësore e njeriut

Lesson 25 Chapter 3 Module 5

Natyra thelbësore e njeriut

Çfarë nënkupton njeriu me “shpirt” dhe “frymë”? A janë ato e njëjta gjë?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Hyrje: Trikotomia, Dikotomia dhe Monizmi

Sa pjesë ka njeriu? Të tërë jemi dakord që ne kemi trupa fizikë. Pjesa më e madhe e njerëzve (si të krishterë, ashtu edhe jo të krishterë) e ndjejnë se kanë një pjesë jo materiale, një “shpirt” i cili do të vazhdojë të jetojë edhe pasi trupi të vdesë.

Por njëmendësia nuk shkon më larg se kaq. Disa besojnë se përveç “trupit” dhe “shpirtit”, ne kemi edhe një pjesë të tretë, një “frymë” i cili ka raportin më të drejtpërdrejtë me Perëndinë. Pikëpamja se njeriu përbëhet nga tri pjesë (trup, shpirt dhe frymë) është quajtur trikotomi.[45]1 Paçka se ky ka qenë një qëndrim i përhapur në mësimin e zakonshëm biblik të Ungjillorëve, sot ky qëndrim gëzon mbështetjen e vetëm pak studiuesve. Sipas shumë trikotomistëve, shpirti i njeriut përfshin intelektin, emocionet si dhe vullnetin e tij. Ata janë të mendimit që të tërë njerëzit kanë një shpirt të tillë dhe se elementët e ndryshëm të shpirtit mundet që ose t’i shërbejnë Perëndisë, ose t’i nënshtrohen mëkatit. Ata thonë se fryma e njeriut është një aftësi më e vyer tek njeriu, e cila merr jetë kur personi bëhet i krishterë (shiko Rom. 8:10: “Dhe, nëse Krishti është në ju, trupi është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë”). Fryma e personit atëherë do të ishte ajo pjesë e tij apo saj e cila adhuron më drejtpërsëdrejti dhe i lutet Perëndisë (shiko Gjoni 4:24; Fil. 3:3).

Të tjerë kanë thënë se “fryma” nuk është një pjesë e veçantë e njeriut, por thjesht një term tjetër për “shpirt,” dhe se të dy këto terma janë përdorur në mënyrë të ndërkëmbyeshme tek Shkrimi kur flitet për pjesën jomateriale të njeriut, atë pjesë e cila vazhdon të jetojë edhe kur trupat tanë vdesin. Pikëpamja se njeriu është i përbërë nga dy pjesë (trupi dhe shpirti/fryma) quhet dikotomi. Ata që përkrahin këtë pikëpamje, shpesh janë të një mendjeje kur thonë se Shkrimi përdor fjalën frymë (Heb. רוּחַ, H8120, dhe Gr. πνεῦμα, G4460) më shpesh kur i referohet marrëdhënies tonë me Perëndinë, por një përdorim i tillë (thonë ata) nuk është uniform, dhe fjala shpirt përdoret gjithashtu në të gjitha mënyrat që edhe fjala frymë mund të përdoret.

Jashtë sferës së mendimit ungjillor, gjejmë edhe një pikëpamje tjetër, e cila është ideja se njeriu nuk mund të ekzistojë pa një trup fizik, dhe se për rrjedhojë, nuk mund të ketë një ekzistencë të veçantë për ndonjë “shpirt” pasi trupi të vdesë (paçka se kjo pikëpamje mund të pranojë ringjalljen e të tërë personit në një kohë të ardhshme). Pikëpamja sipas të cilës njeriu është vetëm një element, dhe se trupi i tij është personi vetë, quhet monizëm.[46]2 Sipas monizmit, termat nga Shkrimi shpirt dhe frymë janë thjesht mënyra të tjera shprehjeje të termit “person”, apo për “jetën” e personit. Kjo pikëpamje përgjithësisht nuk është pranuar nga teologët Ungjillorë për shkak se ka kaq shumë tekste nga Shkrimi të cilat duket se qartësisht pohojnë se shpirti apo fryma jonë vazhdojnë të jetojnë edhe pasi trupi ynë vdes (shiko Zan. 35:18; Ps. 31:5; Luka 23:43, 46; Veprat 7:59; Fil. 1:23–24; 2 Kor. 5:8; Heb. 12:23; Zbu. 6:9; 20:4; dhe kapitulli 42, rreth gjendjes së ndërmjetme, më poshtë).

Por dy pikëpamjet e tjera vazhdojnë të gjejnë përkrahje në botën e krishterë edhe sot. Paçka se dikotomia është përkrahur më gjerësisht përgjatë gjithë historisë së kishës, dhe është shumë më e zakonshme ndër studiuesit ungjillorë sot, trikotomia ka patur gjithashtu shumë përkrahës.[47]3

Ky kapitull do të mbështesë pikëpamjen dikotomiste sipas të cilës njeriu është i përbërë nga dy pjesë, trupi dhe shpirti (apo fryma), por do të marrim në shqyrtim edhe argumentet për trikotominë.

B. Të dhënat biblike

B. Të dhënat biblike

Përpara se të pyesim nëse Shkrimi i shikon termat “shpirt” dhe “frymë” si pjesë të veçanta të njeriut, ne duhet që në krye të herës ta bëjmë të qartë se theksi i Shkrimit është tek uniteti i përgjithshëm i njeriut siç është krijuar nga Perëndia. Kur Perëndia e bëri njeriun, Ai “i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë” (Zan. 2:7). Këtu Adami është një person i unifikuar me trup dhe shpirt, të cilat jetojnë dhe veprojnë së bashku. Kjo gjendje fillestare harmonike dhe e unifikuar e njeriut, do të ndodhë përsëri kur Krishti të kthehet dhe ne të jemi tërësisht të shpenguar në trupat tanë si dhe në shpirtin tonë për të jetuar me Të përgjithmonë (shiko 1 Kor. 15:51–54). Për më tepër, ne duhet të rritemi në shenjtëri dhe në dashurinë tonë për Perëndinë në çdo aspekt të jetës tonë, si në trupin ashtu edhe në frymën apo shpirtin tonë (kr. 1 Kor. 7:34). Ne duhet që ta “pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Kor. 7:1).

Por sapo të kemi theksuar faktin që Perëndia na krijoi për të patur unitet mes trupit dhe shpirtit, dhe se çdo veprim që ne ndërmarrim në këtë jetë, është një veprim i të tërë personit tonë, duke përfshirë në një shkallë apo një tjetër edhe trupin edhe frymën, atëherë ne mund të vazhdojmë duke treguar se Shkrimi në mënyrë shumë të qartë na mëson se ka një pjesë jomateriale në natyrën e njeriut dhe ne mund të hetojmë se si është ajo pjesë.

1. Shkrimi përdor “shpirt” dhe “frymë” në mënyrë të ndërkëmbyeshme. Kur shikojmë përdorimin e fjalëve biblike të përkthyera “frymë” (heb. נֶפֶשׁ, H5883, dhe gr. ψυχή, G6034) dhe “shpirt” (heb. רוּחַ, H8120, dhe gr. πνεῦμα, G4460),[48]4 duket se nganjëherë ato janë përdorur në mënyrë të ndërkëmbyeshme. Për shembull, tek “Gjoni” 12:27, Jezusi tha: “Tani shpirti im është i tronditur,” ndërkohë që në një kontekst shumë të ngjashëm në kapitullin tjetër, Jezusi thotë se “u turbullua në frymë” (Gjoni 13:21). Po kështu, ne lexojmë fjalët e Marisë tek “Luka” 1:46–47: “Shpirti im e madhëron Zotin, dhe fryma im ngazëllen në Perëndinë, Shpëtimtarin tim.” Kjo duket si një shembull mjaft i qartë i paralelizmit hebraik, është një mjet letrar i poetikës në të cilën e njëjta ide është përsëritur duke përdorur fjalë të ndryshme por sinonime të njëra-tjetrës. Kjo ndërkëmbyeshmëri termash shpjegon gjithashtu arsyen përse njerëzit të cilët kanë vdekur apo kanë shkuar në parajsë apo ferr, mund të quhen ose “frymë” (“Heb.” 12:23, “frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur”; gjithashtu “1 Pjetrit” 3:19, “frymërave që ishin në burg”) ose “shpirtra” (Zbu. 6:9, “shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin”; 20:4, “shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për hir të dëshmisë së Jezusit”).

2. Në momentin e vdekjes, Shkrimi thotë ose që “Shpirti” largohet, ose që “Fryma” largohet. Kur Rakela vdiq, Shkrimi thotë: “shpirti po e linte (sepse vdiq)” (Zan. 35:18). Elija u lut që “shpirti” i fëmijës së vdekur të rikthehej tek ai (1 Mbretërve 17:21), dhe Isaia parashikon që Shërbëtori i Zotit ka për të “përkushtuar jetën e tij [Heb. נֶפֶשׁ, H5883] deri në vdekje” (Isa. 53:12). Në Besëlidhjen e Re, Perëndia i thotë të pasurit të pamend: “Këtë natë shpirti yt [Gr. ψυχή, G6034] do të kërkohet” (Luka 12:20). Nga ana tjetër, nganjëherë vdekja shikohet si kthimi i frymës tek Perëndia. Kështu Davidi mund të lutet, me fjalë më vonë të cituara nga Jezusi në kryq: “Në duart e tua unë e besoj frymën time” (Ps. 31:5; kr. Luka 23:46). Në momentin e vdekjes, “fryma t'i kthehet Perëndisë që e ka dhënë” (Pred. 12:7).[49]5 Në Besëlidhjen e Re, kur Jezusi po vdiste, “duke ulur kryet, dha frymën” (Gjoni 19:30), dhe po kështu, edhe Stefani përpara se të vdiste u lut kështu: “Zot Jezus, pranoje frymën time” (Veprat 7:59).

Si përgjigje ndaj këtyre pasazheve, një trikotomist mund të argumentojë se ata po flasin për gjëra të ndryshme, sepse kur një person vdes, si shpirti ashtu edhe fryma e tij në fakt shkon në parajsë. Por duhet vërejtur që Shkrimi nuk thotë asgjëkund që “shpirti dhe fryma” e një personi u larguan apo shkuan në qiell apo u rikthyen tek Perëndia. Nëse shpirti dhe fryma do të ishin gjëra të veçanta dhe të dallueshme nga njëra tjetra, do të pritnim që një gjuhë e tillë të pohohej diku, qoftë edhe vetëm sa për ta siguruar lexuesin që asnjë pjesë thelbësore e personit nuk ka mbetur pas. Megjithëkëtë, një gjuhë të tillë nuk e hasim: autorët biblikë nuk duket se preokupohen edhe aq shumë kur thonë qoftë që shpirti largohet apo që fryma largohet në momentin e vdekjes, sepse të dyja duket se kanë të njëjtin kuptim.

Duhet të vërejmë gjithashtu se këto vargje të Besëlidhjes së Vjetër të cituara më lart, nënkuptojnë që nuk është e saktë, siç kanë pretenduar disa, të thuash se Besëlidhja e Vjetër e thekson kaq shumë unitetin e njeriut, saqë nuk konceptonte ekzistencës së shpirtit veçmas trupit. Pa dyshim që një sërë prej këtyre pasazheve të Besëlidhjes së Vjetër, nënkuptojnë që autorët e kuptojnë se një person vazhdon të ekzistojë edhe pasi trupi i tij apo i saj vdes.

3. Për njeriun është thënë se është ose “Trup dhe Shpirt” ose “Trup dhe Frymë.” Jezusi na thotë që të mos kemi frikë nga ata të cilët “vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin,” por përkundrazi, na thotë Ai, “kini frikë më tepër nga Ai që mund t'jua humbë edhe shpirtin, edhe trupin në ferr” (Mat. 10:28). Këtu, fjala “shpirt” duhet që në mënyrë të qartë t’i referohet asaj pjese të një personi e cila ekziston pas vdekjes. Kjo nuk mund të ketë kuptimin “person” apo “jetë,” pasi nuk do të kishte kuptim të flisnim për ata të cilët “vrasin trupin, por nuk mund të vrasin personin,” apo të cilët “vrasin trupin, por nuk mund të vrasin jetën.” nëse nuk ka ndonjë aspekt të personit që vazhdon të jetojë pasi trupi ka vdekur. Për më tepër, kur Jezusi flet për “shpirtin dhe trupin”, Ai duket mjaft qartë se është duke folur për të tërë personin, paçka se Ai nuk përmend “frymën” si një përbërës më vete të tij. Fjala “shpirt” duket se nënkupton tërë pjesën jofizike të njeriut.

Nga ana tjetër, për njeriun nganjëherë është thënë se është “trup dhe shpirt.” Pali dëshiron që kisha e Korintit t’ia dorëzojë një vëlla që është duke ecur në gabim Satanit “për prishjen e mishit, që të shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus” (1 Kor. 5:5). Nuk është se Pali ka harruar shpëtimin e shpirtit të njeriut gjithashtu; ai thjesht përdor fjalën “frymë” për t’iu referuar të tërë ekzistencës jomateriale të personit. Po kështu, “Jakobi” thotë se “trupi pa frymën është i vdekur” (Jakobi 2:26), por nuk përmend asgjë për një shpirt veçantë tyre. Për më tepër, kur Pali flet për rritjen në shenjtërinë personale, ai aprovon atë grua e cila është e preokupuar me se si “të jetë e shenjtë edhe në trup edhe në frymë” (1 Kor. 7:34), dhe ai sugjeron se kjo mbulon të tërë jetën e personit. Edhe më e shkoqur akoma është “2 Korintasve” 7:1, ku ai thotë: “le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë.”[50]6 Pastrimi i vetes tonë nga ndotje të “shpirtit” apo të “frymës” mbulon të tërë anën materiale të ekzistencës tonë (shiko gjithashtu “Rom.” 8:10; “1 Kor.” 5:3; “Kol.” 2:5).

4. Cili mundet të mëkatojë “shpirti” apo “fryma”. Ata të cilët janë për trikotominë, zakonisht do të pranojnë se “shpirti” mund të mëkatojë përderisa ata mendojnë se shpirti përfshin intelektin, emocionet si dhe vullnetin. (Faktin që shpirti ynë mund të mëkatojë, ne mund ta shikojmë të nënkuptuar në vargje të tillë si “1 Pjetrit” 1:22; “Zbu.” 18:14.)

Megjithëkëtë, trikotomisti në përgjithësi e mendon “frymën” si më të pastër sesa shpirtin kur ripërtëritet, po aq të lirë nga mëkati dhe reagues ndaj grishjeve prej Frymës së Shenjtë. Ky kuptim (që nganjëherë depërton në predikimin dhe shkrimet e ndryshme të krishtera) nuk gjen mbështetje reale nga teksti biblik. Kur Pali i inkurajon korintasit që ta pastrojnë veten “nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës” (2 Kor. 7:1), ai qartësisht nënkupton se mund të ketë ndotje (apo mëkat) në frymën tonë. Po kështu, ai flet rreth gruas së pamartuar e cila është e preokupuar se si të jetë e shenjtë “në trup edhe në frymë” (1 Kor. 7:34). Vargje të tjerë flasin në mënyra të ngjashme. Për shembull, Zoti e ngurtësoi “frymën” e Sihonit, mbret i Heshbonit (L. i P. 2:30). “Psalmi” 78 flet për popullin kryeneç të Izraelit “me një frymë jobesnike ndaj Perëndisë” (Ps. 78:8). “Përpara rrëzimit (vjen) fryma krenare (F. e Urta 16:18), dhe ka mundësi që njerëzit mëkatarë të jenë “krenari në frymë” (Pred. 7:8). Isaia flet për ata të cilët kanë një “frymë të përdalë” (Isa. 29:24). Për Nebukadnetsarin thuhet: “fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë” (Dan. 5:20). Fakti që “Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët” (F. e Urta 16:2) nënkupton se është e mundshme që shpirti ynë të jetë në gabim përpara Perëndisë. Vargje të tjerë nënkuptojnë një mundësi për mëkatin në frymën tonë (shiko Ps. 32:2; 51:10). Si përfundim, fakti që Shkrimi aprovon një person i cili “e zotëron frymën e vet” (F. e Urta 16:32) nënkupton se fryma jonë nuk është thjesht pjesa e pastër shpirtërore e jetës tonë e cilat duhen ndjekur në të gjitha rastet, por që ato mund të kenë dëshira apo drejtime të mëkatshme gjithashtu.

5. Për gjithçka që thuhet se e bën shpirti, thuhet gjithashtu se e bën edhe fryma. Ata të cilët mbrojnë idenë e trikotomisë, përballen me një problem të vështirë në përkufizimin qartë të asaj se çfarë është ekzaktësisht ndryshimi ndërmjet shpirtit dhe frymës (nga pikëpamja e tyre). Nëse Shkrimi dha mbështetje të qartë ndaj idesë se fryma jonë është ajo pjesë e jona e cila është drejtpërsëdrejti e lidhur me Perëndinë në adhurim dhe në lutje, ndërkohë që shpirti ynë përfshin intelektin tonë (të menduarit), emocionet tona (ndjenjat), dhe vullnetin tonë (vendimmarrjen), atëherë trikotomia do të kishte një argument më të fortë. Megjithëkëtë, Shkrimi duket sikur nuk lejon që të bëhet një dallim i tillë.

Nga njëra anë, veprimtaritë e të menduarit, të ndjerit si dhe të vendimmarrjes, nuk thuhet se janë bërë vetëm nga shpirti ynë. Shpirti ynë mundet që gjithashtu të përjetojë emocione, për shembull, si në rastin e Palit kur “i ziente fryma përbrenda” (Veprat 17:16), apo kur Jezusi “u turbullua në frymë” (Gjoni 13:21). Është gjithashtu e mundshme të kesh një “frymë të dërrmuar,” e cila është e kundërta e një “zemre të gëzuar” (F. e Urta 17:22).

Për më tepër, funksionet e të diturit, perceptimit si dhe të të menduarit, thuhet gjithashtu se kryhen nga fryma jonë. Për shembull, Marku flet për Jezusin i Cili “kuptoi [Gk. ἐπιγινώσκω, G2105, “duke ditur’] frymën e ve” (Marku 2:8). Kur Fryma e Shenjtë i “dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë” (Rom. 8:16), fryma jonë e pranon dhe e kupton atë dëshmi e cila padyshim është një funksion i ditjes së diçkaje. Në fakt, fryma jonë duket se i njeh mjaft thellë mendimet tona, sepse Pali shtron pyetjen: “Cili nga njerëzit njeh gjërat e njeriut, përveç frymës së njeriut që është në të?” (1 Kor. 2:11). (Kr. Isa. 29:24, që flet për ata të cilët tani kanë “frymë të përdalë” por që tani “do të mësojnë.”)

Qëllimi i këtyre vargjeve nuk është që të themi se është fryma e jo shpirti ai që ndjen dhe mendon gjëra, por më tepër që  “shpirti” dhe “fryma” janë të dy terma të përdorur për anën jomateriale të njerëzve në përgjithësi dhe është e vështirë të vërejmë ndonjë dallim real mes përdorimit të këtyre termave.

 Në fakt, ne nuk duhet të biem në gabimin e të menduarit se disa veprimtari të caktuara (si për shembull të menduarit, të ndjerit apo të marrjes së vendimeve) janë bërë nga vetëm një pjesë e jona. Përkundrazi, këto veprimtari janë bërë nga i tërë personi ynë. Kur ne mendojmë apo ndjejmë gjëra, padyshim që trupat tanë fizikë janë të përfshirë në gjithçka gjithashtu. Kurdoherë që ne përdorim trurin fizik që Perëndia na ka dhënë. Po kështu, truri ynë si dhe i tërë sistemi nervor që kemi, janë të përfshirë kur ne ndjejmë emocione dhe nganjëherë këto emocione janë të përfshira në ndjenja fizike në pjesë të tjera të trupave tanë. Kjo është thjesht për të ritheksuar atë që u tha në fillim të diskutimit tonë që fokusi i përgjithshëm i Shkrimit është kryesisht tek njeriu si unitet, me trupat tanë fizikë si dhe me pjesën jofizike të personit tonë që funksionojnë së bashku në unitet.

Nga ana tjetër, pretendimi trikotomist që fryma jonë është ai element i yni i cili lidhet më drejtpërsëdrejti me Perëndinë në adhurim dhe në lutje, nuk duket se mund të mbështetet nga Shkrimi. Ne shpesh herë lexojmë për shpirtin tonë që adhuron Perëndinë dhe që lidhet me Të në lloje të tjera veprimtarie shpirtërore. “Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim” (Ps. 25:1). “Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia” (Ps. 62:1). “Beko, shpirti im, Zotin dhe gjithçka që është në mua të bekojë emrin e tij të shenjtë!” (Ps. 103:1). “Shpirti im, lëvdo Zotin!” (Ps. 146:1). “Shpirti im e madhëron Zotin” (Luka 1:46).

Këto pasazhe lënë të kuptohet se shpirti ynë mund ta adhurojë Perëndinë, ta lavdërojë e ta falënderojë Atë. Shpirti ynë mund t’i lutet Perëndisë ashtu sikurse Ana nënkupton kur thotë: “Isha duke hapur zemrën time para Zotit” (1 Sam. 1:15). Faktikisht, urdhërimi i madh është: “ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (L. i P. 6:5; kr. Marku 12:30). Shpirti ynë mund të jetë i etur e i dëshiruar për Perëndinë (Ps. 42:1, 2), dhe mund t’i themi: “Shpreso te Perëndia” (Ps. 42:5). Shpirti ynë mund të gëzohet dhe të gjejnë kënaqësi tek Perëndia, sepse Davidi thotë: “shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.” (Ps. 35:9; kr. Isa. 61:10). Psalmisti thotë: “Shpirti im tretet nga dëshira për dekretet e tua në çdo kohë” (Ps. 119:20), dhe: “Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe” (Ps. 119:167). Duket sikur nuk ka asnjë fushë të jetës apo marrëdhënie me Perëndinë në të cilën Shkrimi thotë se shpirti dhe jo fryma jonë është aktiv. Të dy këto terma janë përdorur për të folur për të tëra aspektet e marrëdhënies tonë me Perëndinë.

Sidoqoftë, do të ishte gabim që në dritën e këtij pasazhi të sugjeronim që vetëm shpirti ynë (apo fryma) adhurojnë Perëndinë, sepse edhe trupat tanë janë të përfshirë në adhurim gjithashtu. Ne jemi një unitet trup dhe shpirt/frymë. Truri ynë fizik mendon rreth Perëndisë kur ne adhurojmë dhe kur ne e duam Atë me të tërë “mendjen” tonë (Marku 12:30). Davidi, duke qenë i dëshiruar për të qenë në praninë e Perëndisë, është në gjendje të thotë: “Ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë” (Ps. 63:1). Ne lexojmë përsëri: “Zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë” (Ps. 84:2). Është e dukshme se kur ne lutemi me zë të lartë apo kur i këndojmë lavde Perëndisë, buzët dhe kordat zanore tonat janë të përfshira dhe nganjëherë adhurimi dhe lutja në Shkrim përfshin duartrokitjen (Psa. 47:1) apo ngritjen e duarve drejt Perëndisë (Psa. 28:2; 63:4; 134:2; 143:6; 1 Tim. 2:8). Për më tepër, përdorimi i instrumenteve muzikorë gjatë lëvdimit të Perëndisë, është një veprim i cili përfshin si trupat tanë fizikë ashtu edhe materialet fizike prej të cilave janë bërë instrumentet muzikore (shiko Psa. 150:3–5). Ne e adhurojmë Atë si persona të plotë.

Si përfundim, Shkrimi nuk duket se mbështet ndonjë dallim mes shpirtit dhe frymës. Nuk duket se ka përgjigje të kënaqshme ndaj pyetjeve vijuese që ne mund t’i drejtojmë trikotomistit: “Çfarë mund të bëjë fryma që shpirti nuk mund ta bëjë? Çfarë mund të bëjë shpirti që fryma nuk mund ta bëjë?”

C. Argumente në favor të trikotomisë

Ata të cilët marrin pikëpamjen trikotomiste, i referohen një sërë pasazhesh nga Shkrimi si mbështetje të saj. Këtu po renditim ato që janë përdorur zakonisht.

1. “1 Thesalonikasve” 5:23. “Perëndia i paqes, ju shenjtëroftë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krisht” (1 Thes. 5:23). A nuk flet ky varg për tre pjesët e njeriut?

2. “Hebrenjve” 4:12. “Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Heb. 4:12). Nëse shpata e Shkrimit ndan shpirtin nga fryma, atëherë, a nuk janë këto të dyja dy pjesë të ndara të njeriut?

3. “1 Korintasve” 2:14–3:4. Ky pasazh flet për llojet e ndryshme të njerëzve, ata të cilat janë “mishërorë” (Gr. σάρκινος, G4921, 1 Kor. 3:1); ata të cilët janë “jofrymërorë” (Gk. ψυχικός, G6035, fjalë për fjalë, jo “shpirtërorë,” 1 Kor. 2:14); dhe ata që janë “frymërorë” (Gk. πνευματικός, G4461, 1 Kor. 2:15). A nuk sugjerojnë këto kategori se ka lloje të ndryshme njerëzish, jo të krishterët të cilët janë “të mishit,” të krishterë “mishërorë” të cilët ndjekin dëshirat e shpirtit të tyre, si dhe të krishterë më të pjekur të cilët ndjekin dëshirat e frymës së tyre? A nuk do të sugjeronte kjo gjë se shpirti dhe fryma janë elementë të ndryshëm të natyrës tonë?

4. “1 Korintasve” 14:14. Kur Pali thotë: “Në qoftë se unë lutem në një gjuhë tjetër, fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme” (1 Kor. 14:14), a nuk është duke nënkuptuar ai me këtë se mendja e tij bën diçka të ndryshme nga fryma e tij, dhe a nuk do ta mbështeste kjo gjë argumentin e trikotomistit se mendja dhe të menduarit tonë duhet t’i vishen shpirtit e jo frymës tonë?

5. Argumenti nga përvoja personale. Shumë triotomistë thonë se kanë një perceptim frymëror, një vetëdije frymërore të pranisë së Perëndisë e cila ndikon tek ata në një mënyrë që ata e dinë se është ndryshe nga procesi i zakonshëm i të menduarit, dhe ndryshe nga përvojat e tyre emocionale. Ata pyesin: “Nëse unë nuk kam një frymë e cila është veçantë mendimeve dhe emocioneve të mia, atëherë çfarë ekzaktësisht është ajo gjë që unë mendoj se është ndryshe nga mendimet dhe emocionet e mia, diçka të cilën mund ta përshkruaj vetëm si adhurim i Perëndisë në frymën time si dhe në ndjerjen e pranisë së Tij në frymën time? A nuk ka diçka brenda meje e cila është më shumë sesa thjesht intelekti, emocionet si dhe vullneti im, dhe a nuk duhet të quhet kjo gjë fryma ime?”

6. Fryma jonë është ajo që na dallon nga kafshët. Disa trikotomistë argumentojnë se si njerëzit ashtu edhe kafshët kanë frymë, por i përmbahen edhe mendimit që është prania e frymës ajo që na bën të ndryshëm nga kafshët.

7. Fryma jonë është ajo që merr jetë në momentin e rigjenerimit. Trikotomistëtët argumentojnë gjithashtu se kur ne bëhemi të krishterë, fryma jonë merr jetë: “Nëse Krishti është në ju, trupi është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë” (Rom. 8:10).

Tani ne mund të marrim në shqyrtim shtatë pikat e dhëna më sipër:

D. Përgjigje ndaj argumenteve të trikotomisë

1. “1 Thesalonikasve” 5:23. Fraza “fryma juaj, shpirt e trup” është në vetvete jovendimtare. Pali mund që të jetë thjesht duke grumbulluar sinonime me qëllim theksimi, ashtu sikurse është bërë gjetiu në Shkrim. Për shembull, Jezusi thotë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mat. 22:37). A do të thotë kjo se shpirti është ndryshe nga zemra?[51]7 Problemi është madje edhe më i madh tek “Marku” 12:30: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde.” Nëse ne vazhdojmë me parimin që lista të tilla termash na tregojnë për më shumë pjesë njeriu, atëherë nëse ne shtojmë gjithashtu termin frymë në këtë listë (dhe ndoshta edhe trup gjithashtu) do të na dilnin pesë apo gjashtë pjesë njeriu! Por padyshim që ky është një përfundim që nuk qëndron. Është shumë herë më mirë ta kuptojmë atë që Jezusi po bën si thjesht grumbullim të termave sinonimë për të theksuar dhe demonstruar atë që po thoshte, që është se ne duhet ta duam Perëndinë me të tërë qenien tonë.

Po kështu, tek “1 Thesalonikasve” 5:23 Pali nuk është duke thënë se shpirti dhe fryma janë entitete të veçantë por thjesht që pavarësisht se si quhet pjesa jonë jomateriale, ai dëshiron që Perëndia të vazhdojë të na shenjtërojë plotësisht deri në ditën e Krishtit.

2. “Hebrenjve” 4:12. Ky varg i cili flet për Fjalën e Perëndisë “në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave,” kuptohet më mirë në një mënyrë të ngjashme tek “1 Thesalonikasve” 5:23. Autori nuk është duke thënë se Fjala e Perëndisë mund të ndajë “frymën nga shpirti,” por ai është duke përdorur një sërë termash (frymë, shpirt, nyje, palcë, mendime dhe qëllime të zemrës) të cilat tregojnë për pjesët e thella të brendshme të qenies tonë të cilat nuk janë të fshehura ndaj fuqisë depërtuese të Fjalës së Perëndisë. Nëse këto ne dëshirojmë t’i quajmë “shpirti” ynë, atëherë Shkrimi depërton në mes të tij dhe e ndan e zbulon qëllimet e tij më të brendshme. Nëse dëshirojmë ta quajmë këtë anë më të brendshme e jofizike të qenies tonë “fryma” jonë, atëherë Shkrimi depërton në mes të saj dhe e ndan dhe njeh qëllimet dhe mendimet më të thella të saj. Ose nëse dëshirojmë të mendojmë në mënyrë metaforike për qenien tonë më të brendshme si të fshehur në nyjet dhe palcën tonë, atëherë ne mund ta mendojmë Shkrimin si një shpatë e cila ndan nyjet tona apo që depërton thellë në kockat tona e madje ndan palcën mes kockave.[52]8 Në të tëra këto raste, Fjala e Perëndisë është aq e fuqishme saqë ajo do të kërkojë dhe ekspozojë të tërë mosbindjen si dhe mungesën e nënshtrimit ndaj Perëndisë. Sido që të jetë, shpirti dhe fryma nuk mendohen si pjesë të ndara; ato janë terma të tjerë përshkrimi të qenies tonë më të brendshme.

3. “1 Korintasve” 2:14–3:4. Pali padyshim që bën dallimin ndërmjet një personi i cili është “natural” (ψυχικός, G6035, jo “shpirtëror”) nga ai që është “frymëror” (πνευματικός, G4461, “frymëror”) tek “1 Korintasve” 2:14–3:4. Por në këtë kontekst “frymëror” duket se nënkupton “i ndikuar nga Fryma e Shenjtë,” përderisa i tërë pasazhi po flet për punën e Frymës së Shenjtë në zbulimin e të vërtetës ndaj besimtarëve. Në këtë kontekst, “frymëror” mundet që pothuajse të përkthehet “Frymëror.” Por pasazhi nuk nënkupton që të krishterët kanë një frymë ndërsa jo të krishterët nuk kanë, apo se fryma e një të krishteri është e gjallë ndërkohë që fryma e një jo të krishteri nuk është. Pali nuk është duke folur aspak për pjesë të ndryshme të një njeriu, por rreth futjes nën ndikimin e Frymës së Shenjtë.

4. “1 Korintasve” 14:14. Kur Pali thotë: “Fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme,” me këtë ai nënkupton se nuk e kupton përmbajtjen e asaj për të cilën është duke u lutur. Ai nënkupton se ka një përbërës jofizik në qenien e tij, një “frymë” përbrenda tij që mund t’i lutet Perëndisë. Por nuk ka asgjë në këtë varg e cila të sugjeronte se ai e konsideron frymën e tij ndryshe prej shpirtit të tij. Një keqkuptim i tillë rrjedh vetëm nëse supozohet që “mendja” është pjesë e shpirtit, që përbën një pretendim trikotomist i cili ashtu sikurse vërejtëm më sipër, është shumë e vështirë që të vërtetohet mbi bazën e Shkrimit. Pali me shumë mundësi po kështu mund të kishte thënë: “Shpirti im lutet por mendja ime është e padobishme.”[53]9 Ideja është thjesht fakti që ka një element jofizik në ekzistencën tonë, i cili nganjëherë mund të funksionojë edhe pa qenë ne të vetëdijshëm për mënyrën se si funksionon.

5. Argumenti i nisur nga përvoja personale. Të krishterët kanë një “perceptim shpirtëror,” një vetëdije të brendshme të pranisë së Perëndisë, i përjetuar në adhurim si dhe në lutje. Në këtë nivel të thellë e të brendshëm edhe ne mundemi nganjëherë të ndjehemi të trazuar dhe të depresionuar nga ana shpirtërore, apo ndoshta të kemi ndjesinë e pranisë së forcave armiqësore demonike. Shpesh herë, ky perceptim është ndryshe nga procesi ynë i vetëdijshëm e racional i të menduarit. Pali e kupton se nganjëherë, fryma e tij lutet por mendja e tij nuk kupton gjë (1 Kor. 14:14). Por a ndodh perceptimi i brendshëm shpirtëror në diçka tjetër të ndryshme nga ajo që Bibla e quan “shpirti” ynë? Nëse do të përdornim fjalorin e Marisë, do të ishim të lumtur të thoshim: “Shpirti im e madhëron Zotin” (Luka 1:46). Davidi do të thoshte: “Beko, shpirti im, Zotin” (Ps. 103:1). Jezusi na thotë ta duam Perëndinë me tërë shpirt (Marku 12:30). Apostulli Pal përdor fjalën frymë por kjo është thjesht një ndryshim në terminologji dhe nuk tregon për një pjesë tjetër të njeriut. Brenda nesh është një “frymë” i cili mund të perceptojë gjërat në botën frymore (vini re “Rom.” 8:16; gjithashtu “Veprat” 17:16), por ne fare mirë mund ta quajmë atë “frymë” dhe të nënkuptojmë të njëjtën gjë, sepse Shkrimi i përdor të dy këto terma.

6. Çfarë na dallon nga kafshët? A është e vërtetë që kemi aftësi frymërore të cilat na bëjnë të ndryshëm nga kafshët:[54]10 Ne jemi në gjendje që të krijojmë raport me Perëndinë në adhurim si dhe në lutje, dhe ne gëzojmë jetë frymërore në përbashkësi me Perëndinë i Cili është frymë. Por, ne nuk duhet të supozojmë se kemi një element të veçantë të quajtur “frymë” e që na lejon ta bëjmë këtë, sepse me mendjen tonë ne mund ta duam Perëndinë, të lexojmë dhe kuptojmë fjalët e Tij si dhe të besojmë se Fjala e Tij është e vërtetë. Shpirti ynë mund të adhurojë Perëndinë si dhe të gëzohet në Të (shiko më lart). Trupat tanë do të ringjallen gjithashtu si dhe do të jetojnë përgjithnjë me Perëndinë. Për rrjedhojë ne nuk kemi përse të themi qe kemi një pjesë veçmas shpirtit dhe trupit tonë e cila na dallon nga kafshët, sepse shpirti dhe trupi ynë (përfshi këtu edhe mendjen tonë) hyjnë në raport me Perëndinë në mënyra në të cilat kafshët nuk mund të hyjnë dot kurrë. Përkundrazi, ajo që na bën ndryshe nga kafshët, janë aftësitë frymërore të cilat Perëndia u ka dhënë edhe trupit, edhe shpirtit (apo frymës) tonë.

Pyetja a ka apo jo “shpirt” kafsha, varet thjesht nga mënyra se si ne përkufizojmë termin “shpirt”. Nëse e përkufizojmë “shpirtin” me kuptimin “intelekti, emocionet dhe vullneti,” atëherë do të na duhet të dalim në përfundimin se të paktën kafshët e rendit të lartë kanë shpirt. Por nëse e përkufizojmë “shpirtin” sipas përkufizimit të paraqitur në këtë kapitull, me kuptimin e elementit jo material të natyrës tonë, që është i lidhur me Perëndinë (Ps. 103:1; Luka 1:46; etj.) e që jeton përgjithnjë (Zbu. 6:9), atëherë kafshët nuk kanë shpirt. Fakti që fjala hebraike נֶפֶשׁ, H5883, “shpirt,” nganjëherë përdoret për kafshët (Zan. 1:21; 9:4) tregon që kjo fjalë mund të përdoret ndonjëherë me kuptimin e thjesht “jetë”; kjo nuk do të thotë që kafshët kanë të njëjtin lloj shpirti si njerëzit.[55]11

7. A merr jetë fryma jonë kur ripërtërihemi shpirtërisht? Fryma njerëzore nuk është diçka e vdekur tek jobesimtari e që merr jetë kur ai/ajo i beson Krishtit, sepse Bibla flet për jobesimtarët që kanë një frymë që dukshëm është gjallë, por që është në kryeneçësi ndaj Perëndisë—qoftë Sihoni, Mbreti i Heshbonit (L. i P. 2:30: Zoti ia kishte “ngurtësuar frymën”), apo Nebukadnetsari (Dan. 5:20: “fryma e tij u ngurtësua deri në arrogancë”), apo populli jobesnik i Izraelit (Ps. 78:8: që kishte “frymë jobesnike ndaj Perëndisë”). Kur Pali thotë: “Fryma është jetë për shkak të drejtësisë” (Rom. 8:10), ai me sa duket me këtë nënkupton “është jetë për sa i takon Perëndisë,” por ai nuk nënkupton se fryma jonë ishte tërësisht e “vdekur” më përpara, por vetëm që ata po jetonin pa përbashkësi me Perëndinë dhe se ishin të vdekur në këtë kuptim.[56]12 Kësisoj, ne si persona të plotë, ishim të “vdekur” në “shkelje dhe në mëkate” (Efe. 2:1), por u bëmë të gjallë për Perëndinë, dhe tani duhet ta konsiderojmë veten “të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë” (Rom. 6:11). Nuk është se thjesht një pjesë e jona (e quajtur frymë) është bërë e gjallë; ne si person i plotë jemi një “krijesë e re” në Krishtin (2 Kor. 5:17).

8. Përfundim. Paçka se argumentet pro trikotomisë, nuk janë krejtësisht të pabaza, asnjë prej tyre nuk ofron prova përfundimtare të cilat do të tejkalonin dëshminë e gjerë të Shkrimit ku tregohet se termat frymë dhe shpirt janë shpesh herë të përdorur në mënyrë të ndërkëmbyeshme, dhe në shumë raste, si sinonime.

Gjithashtu, mund të vërejmë atë që Luis Berkhofi (Louis Berkhof) thotë mbi origjinën e Trikotomisë:

Koncepti i njeriut trepjesësh, i cili i ka fillimet e veta në filozofinë greke ku raporti midis trupit dhe shpirtit të njeriut me njëri tjetrin mendohej në përputhje me analogjinë e marrëdhënies së ndërsjellët mes universit material dhe Perëndisë. Mendohej se ashtu sikurse të lartpërmendurit mund të hynin në ndërveprimin me njëri tjetrin vetëm përmes një substance të tretë apo përmes një qenieje të ndërmjetme, po kështu edhe trupi me shpirtin mund të hynin në një marrëdhënie të ndërsjellët dhe jetike, vetëm nëpërmjet një elementi të tretë apo të ndërmjetëm, që për ta ishte shpirti.[57]13

Disa trikotomistë sot kanë prirjen për të bërë të tyrin një gabim të lidhur me këtë, që ishte i pranishëm edhe në filozofinë greke: ideja që bota materiale, përfshi këtu trupat tanë, është në thelb e keqe si dhe diçka prej të cilës duhet të shpëtosh. Rreziku këtu është të dalësh në përfundimin që rrafshi i “frymës” është e vetmja gjë e rëndësishme, e për pasojë të zhvlerësosh trupat tanë fizikë të cilët janë krijuar nga Perëndia dhe që janë “shumë të mirë” (Zan. 1:31), dhe që për rrjedhojë duhet t’i paraqiten Perëndisë në shërbim ndaj Tij (Rom. 12:1). Trikotomia mund të ketë edhe një prirje anti-intelektuale. Nëse e mendojmë frymën si atë element tonin që lidhet më drejtpërsëdrejti me Perëndinë, dhe nëse mendojmë se fryma është diçka veçantë intelektit, emocioneve dhe vullnetit tonë, fare lehtë mund të biem në një lloj krishterimi kundër-intelektualist i cili mendon se puna e stërmadhe e akademikëve është disi “jo frymërore”, pikëpamje kjo e cila bie ndesh me urdhëresën e Jezusit për ta dashur Perëndinë me të tërë “mendjen” (Marku 12:30) si dhe dëshirën e Palit që “të bëjmë rob çdo mendim që t'i bindet Krishtit” (2 Kor. 10:5). Një ndarje e tillë e rrafshit “frymëror” nga rrafshi i intelektit, mundet që fare lehtë të çojë në shpërfilljen e doktrinës së shëndoshë apo të nevojës për mësime të zgjeruara dhe njohurisë së Fjalës së Perëndisë, në kundërshtim kjo me qëllimin e Palit që ai do të punojë ndër njerëzit e Perëndisë për të rritur edhe “besimin” edhe “njohjen e të vërtetës sipas perëndishmërisë” (Titit 1:1; kr. v. 9). Po kështu, po qe se e mendojmë frymën tonë si një pjesë më vete e jona e që lidhet më drejtpërsëdrejti me Perëndinë, ne mundet që lehtësisht të shpërfillim rolin e studimit të Biblës dhe mençurisë së pjekur në vendimmarrje, dhe të mbështetemi me tepri në dallimet “shpirtërore” për sa i takon marrjes së udhëzimeve, gjë e cila përgjatë gjithë historisë së kishës i ka çuar shumë të krishterë të zellshëm në mësime të rreme dhe në praktika jo të mençura. Së fundi, trikotomia mundet që pa u vënë re të na bëjë të mendojmë se emocionet tona nuk janë të rëndësishme, ose jo me të vërtetë shpirtërore, përderisa ato mendohen të jenë pjesë e frymës dhe jo e shpirtit tonë.

Në kontrast me këtë, nëse i përmbahemi një pikëpamjeje dikotomike për unitetin e përgjithshëm të njeriut, do të ishte shumë më e lehtë të shmangnim gabimin e uljes së vlerës së intelektit, emocioneve apo trupave tanë fizikë. Nuk do t’i mendojmë trupat tanë si të këqij në vetvete apo si të parëndësishëm. Një pikëpamje e tillë dikotomike përbrenda unitetit, do të na ndihmojë të kujtojmë se në këtë jetë, ka një ndërveprim të vazhdueshëm mes trupit dhe frymës tonë, dhe se këto kanë ndikim tek njëri-tjetri: “Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat” (F. e U. 17:22).[58]14

Për më tepër, një theksim i shëndetshëm i dikotomisë përbrenda një uniteti të përgjithshëm, na kujton që rritja e të krishterit duhet të përfshijë të tëra aspektet e jetës tonë. Vazhdimisht, “le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Kor. 7:1). Ne duhet të jemi “duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kol. 1:10), dhe emocionet e dëshirat tona, duhen të përafrohen vazhdimisht me “dëshira kundër Frymës” (Gal. 5:17), përfshi këtu një rritje në emocionet e perëndishme si për shembull paqe, gëzim, dashuri,[59]15 e kështu me radhë (Gal. 5:22).

E. Shkrimi flet vërtetë për një pjesë jomateriale të njeriut, e cila mund të ekzistojë pa trupin e tij

Një sërë filozofësh jo të krishterë, e kanë sfiduar fuqishëm idenë që njeriu ka ndonjë pjesë jomateriale të tillë si shpirti apo fryma.[60]16 Ndoshta pjesërisht si përgjigje ndaj një kriticizmi të tillë, disa teologë ungjillorë janë ngurrues për sa i takon afirmimit të dikotomisë në ekzistencën njerëzore.[61]17 Në vend të kësaj ata kanë pohuar në mënyrë të përsëritur që Bibla e shikon njeriun si një unitet, një fakt i cili është i vërtetë por që nuk duhet të përdoret për të mohuar që Shkrimi e shikon gjithashtu natyrën e unifikuar të njeriut si të përbërë nga dy elementë të veçantë. Sigurisht, filozofët të cilët supozojnë se nuk ka lëmë shpirtëror përtej perceptimit të shqisave tona, dhe që më pas nga ky supozim kalojnë në argumentimin mbi bazën e perceptimit të shqisave tona që nuk ka Perëndi, parajsë, engjëj apo demonë, do të përdorin argumente të ngjashme për të mohuar ekzistencën e shpirtit si pjesë e veçantë përbrenda qenieve njerëzore. Perceptimi që ne kemi është që fryma apo shpirti i takon lëmit të padukshëm, frymëror, dhe është (madje edhe tek të krishterët, në përgjithësi vetëm një perceptim i zbehtë dhe subjektiv. Për rrjedhojë, njohuria jonë rreth ekzistencës së frymës njerëzore, duhet që në radhë të parë të jetë e bazuar tek Shkrimi, në të cilin Perëndia dëshmon qartësisht për ekzistencën e këtij aspekti jomaterial të qenies tonë. Fakti që kjo e vërtetë rreth ekzistencës tonë nuk mund të njihet në mënyrë të qartë jashtë dëshmisë së Shkrimit, nuk duhet të na bëjë të tërhiqemi nga pranimi i saj.

Shkrimi është shumë i qartë kur thotë që ne nuk kemi një shpirt i cili është veçmas trupave tanë fizikë, e që jo vetëm mund të funksionojë disi në mënyrë të pavarur nga procesi ynë i zakonshëm i të menduarit (1 Kor. 14:14; Rom. 8:16), por gjithashtu, kur të vdesim, është në gjendje që të vazhdojë që me ndërgjegje të veprojë dhe të krijojë raport me Perëndinë veçmas trupit tonë fizik. Jezusi i tha hajdutit që po vdiste: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43), paçka se për të dy ata, trupat e tyre fizikë nuk do të kalonte shumë kohë e do të vdisnin. Kur Stefani po vdiste, ai e dinte se menjëherë do të kalonte në praninë e Zotit, sepse ai u lut kështu: “Zot Jezus, pranoje frymën time” (Veprat 7:59). Pali nuk ka frikë nga vdekja sepse ai thotë: “Kam dëshirë të ndahem dhe të jem bashkë me Krishtin, shumë herë më mirë” (Fil. 1:23). Ai e krahason atë me vazhdimin në këtë jetë, të cilën e quan: “të qëndruarit në mish” (Fil. 1:24). Faktikisht, ai thotë: “na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë pranë Zotit (2 Kor. 5:8), ku tregohet një bindje e thellë se nëse ai do të vdiste fizikisht, fryma e tij do të hynte në praninë e Zotit dhe atje do të gëzonte aty për aty përbashkësi me Zotin. Libri i “Zbulesës” na kujton që “shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin” (Zbu. 6:9) janë në qiell dhe janë në gjendje që t’i klithin Perëndisë që të vërë drejtësi në tokë (Zbu. 6:10; kr. gjithashtu 20:4).

Për rrjedhojë, paçka se ne duhet të pranojmë se në këtë jetë, Shkrimi na shikon si një unitet në të cilin trupi dhe fryma ndërveprojnë si një person, megjithëkëtë, do të ketë një kohë mes vdekjes dhe ditës së kthimit të Krishtit kur fryma jonë do të ekzistojë veçmas trupit tonë fizik.[62]18

F. Nga vjen shpirti ynë?

Cila është origjina e shpirtit tonë individual? Përgjatë historisë së kishës ka patur dy pikëpamje të përhapura rreth kësaj çështjeje.

Kreacionizmi është pikëpamja sipas të cilës Perëndia krijon një shpirt të ri për çdo person dhe e dërgon atë në trupin e atij personi dikur mes ngjizjes dhe lindjes së tij. Traducianizmi nga ana tjetër, beson që shpirti si dhe trupi i një fëmije, trashëgohen nga mamaja dhe babai i foshnjës në kohën e ngjizjes. Të dyja këto pikëpamje kanë patur mbrojtës të shumtë përgjatë historisë së kishës, ku kreacionizmi si përfundim është bërë pikëpamja mbizotëruese në Kishën Katolike Romake. Luteri ishte në favor të traducianizmit, ndërkohë që Kalvini ishte në favor të kreacionizmit. Nga ana tjetër, ka disa teologë të mëvonshëm Kalvinistë, si për shembull Xhanëthën Eduërds (Jonathan Edwards) dhe A. H. Strong (A.H. Strong) të cilët ishin në favor të traducianizmit (siç janë edhe pjesa më e madhe e Luterianëve sot). Edhe kreacionizmi ka patur shumë përkrahës Ungjillorë të kohës së sotme.[63]19

Ka edhe një pikëpamje tjetër të përkrahur, konkretisht e mbiquajtura para-ekzistencianizëm, që argumenton se shpirti i njerëzve ekziston në qiell shumë kohë përpara se trupat e tyre të ngjizen në mitrën e mamasë së tyre, dhe se Perëndia e sjell shpirtin e tyre në tokë për t’u bashkuar me trupin e tyre foshnjor ndërkohë që ai apo ajo rritet në mitër. Por, kjo pikëpamje nuk besohet as nga teologët Katolikë Romakë e as nga ata Protestantë, dhe është rrezikshëm e ngjashme me idetë për rimishërimin që gjenden në fetë Lindore. Për më tepër, kjo pikëpamje nuk gjen mbështetje në Shkrime. Përpara se të ngjizeshim në mitrën e nënës tonë, ne thjesht nuk ekzistonim. Nuk ishim. Sigurisht, Perëndia vështronte përpara në të ardhmen dhe e dinte se ne do të ekzistonim, por kjo është gjithsesi larg të thënurit që ne ekzistonim në një kohë të mëparshme. Një ide e tillë do kishte prirjen të na bënte ta shikonim këtë jetë të tanishme si kalimtare e të parëndësishme, dhe do të na bënte ta mendonim jetën në trup si më pak të dëshirueshme dhe lindjen e rritjen e fëmijëve, më pak të rëndësishme.

Në favor të traducianizmit, mund të argumentohet se Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij (Zan. 1:27), dhe kjo përfshin një ngjashmëri me Perëndinë, në aftësinë e mahnitshme për të “krijuar” qënie të tjera njerëzore si vetja jonë. Për rrjedhojë, ashtu sikurse pjesa tjetër e botës së florës dhe faunës ka pasardhës “sipas llojit të vet” (Zan. 1:24), po kështu Adami dhe Eva ishin gjithashtu në gjendje që të lindnin fëmijë të cilët ishin si ata vetë, me një natyrë shpirtërore si dhe me një trup fizik. Kjo do të nënkuptonte që shpirti apo fryma e fëmijëve të Adamit dhe Evës, qenë derivuar nga vetë Adami dhe Eva. Për më tepër, Shkrimi nganjëherë flet për pasardhësit të cilët në një farë mënyre janë në trupin e dikujt të brezit të mëparshëm, ashtu sikurse autori i “Hebrenjve” thotë që kur Melkizedegu takoi Abrahamin, “Levi... ishte ende në mesin e t'et” (Heb. 7:10). Së fundi, traducianizmi mund të shpjegojë se si mëkatet e prindërve mund të kalohen tek fëmijët, pa e bërë Perëndinë drejtpërsëdrejti përgjegjës për krijimin e një shpirti i cili është i mëkatshëm e që ka predispozicionin për t’u prirur drejt mëkatit.

Sidoqoftë, argumentet biblikë në favor të kreacionizmit, duket se flasin më drejtpërsëdrejti ndaj kësaj çështjeje dhe ofrojnë një mbështetje mjaft të fortë për këtë pikëpamje. Së pari, “Psalmi” 127 thotë se “bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim” (Ps. 127:3). Kjo nënkupton që jo vetëm fryma, por edhe i tërë personi i fëmijës, përfshi këtu trupin e tij apo të saj, është një dhuratë nga Perëndia. Nga ky këndvështrim, duket e çuditshme po ta mendojmë mamanë dhe babanë si përgjegjës në vetvete për çfarëdo aspekti të ekzistencës së fëmijës. A nuk ishte Zoti për të Cilin Davidi thotë: “më ke endur në barkun e nënës sime” (Ps. 139:13)? “Isaia” thotë se Perëndia u jep frymë njerëzve në botë dhe se u jep “frymë atyre që ecin në të” (Isa. 42:5).[64]20 “Zakaria” flet për Perëndinë duke thënë se Ai “ka formuar frymën e njeriut përbrenda tij” (Zak. 12:1). Autori i “Hebrenjve” flet për Perëndinë si “Ati i frymërave” (Heb. 12:9). Bazuar tek këto pasazhe, është e vështirë të mos dalësh në përfundimin që Perëndia është Ai i Cili krijon frymën apo shpirtin tonë.

Megjithëkëtë, ne duhet të tregojmë kujdes në nxjerrjen e përfundimeve nga këto të dhëna. Diskutimi ynë rreth doktrinës së Provanisë së Perëndisë në kapitullin 16, demonstron faktin që Perëndia zakonisht vepron përmes shkaqeve dytësore. Perëndia shpesh shkakton rezultatet që dëshiron, përmes veprimeve të qenieve njerëzore. Kjo vlen të thuhet veçanërisht në ngjizjen dhe lindjen e fëmijëve. Edhe po të themi që Perëndia krijon frymën individuale për qeniet njerëzore përpara se ata të linden, dhe që Ai është që lejon fëmijët të ngjizen dhe të linden, ne duhet që gjithashtu të kuptojmë se përveç mes bashkimit fizik të burrit dhe gruas në ngjizjen e një fëmije, asnjë fëmijë nuk lind! Kështu, ne nuk duhet të bëjmë gabimin që të themi që babai dhe mamaja nuk luajnë rol në krijimin e fëmijës. Edhe po të themi që Perëndia është “Ati i frymërave” dhe Krijuesi i çdo shpirti njerëzor, ashtu sikurse Ai është Bërësi dhe Krijuesi i secilit prej nesh, ne duhet që gjithsesi të pohojmë gjithashtu që Perëndia kryen veprimtarinë e Tij krijuese nëpërmjet procesit të mrekullueshëm të shumimit njerëzor. Nëse Perëndia përfshin mamanë dhe babanë njerëzor në një shkallë të caktuar në procesin e krijimit të një shpirti, si dhe të një trupi fizik, kjo është e pamundur të thuhet me siguri prej nesh. Kjo është diçka që ndodh në lëmin e padukshëm të frymës, për të cilin ne nuk kemi informacion tjetërkund përveçse tek Shkrimi, dhe në këtë pikë, Shkrimi thjesht nuk na jep informacion të mjaftueshëm sa për të marrë një vendim.

Sidoqoftë, argumentet e renditur më sipër në favor të traducianizmit, duhet thënë se janë mjaft bindës. Fakti që Adami dhe Eva lindin fëmijë në përngjasim me ta (shiko Zan. 5:3) mund të sugjerojë që fëmijët në një mënyrë a një tjetër trashëgojnë shpirtin nga prindërit e tyre, por kjo mund të tregojë gjithashtu se Perëndia jep një shpirt të krijuar individualisht ndaj fëmijës dhe se ai shpirt është në përputhshmëri me tiparet e trashëgueshmërisë si dhe karakteristikat e personalitetit të cilat Perëndia lejon që fëmija të ketë përmes prejardhjes së tij prej prindërve të vet. Ideja që Levi ishte ende në trupin e Abrahamit (Heb. 7:10) kuptohet më mirë në një kuptim përfaqësues apo figurativ, e jo në një të drejtpërdrejtë. Për më tepër, nuk është thjesht fryma e Levit për të cilën flitet në çfarëdo rasti, por Levi vetë, si një person i plotë, përfshi trupin dhe frymën e tij, e megjithëkëtë, trupi i Levit nuk ishte i pranishëm fizikisht në çfarëdo kuptimi domethënës të fjalës brenda trupit të Abrahamit, sepse nuk kishte kombinime të veçanta gjenetike në atë kohë për të cilat mund të thuhet se ishin Levi e jo dikush tjetër. Së fundi, përderisa Perëndia bën që ngjarje në botën fizike të ndodhin, të cilat janë të përputhshme me veprimtaritë vullnetare të qenieve njerëzore, duket se nuk ka ndonjë vështirësi reale teologjike po të thuash që Perëndia i jep çdo fëmije një frymë njerëzore që ka prirjen për të mëkatuar, të cilat janë të ngjashme me prirjet që shikohen tek prindërit e tij. Në fakt, lexojmë tek Dhjetë Urdhëresat e Perëndisë se Ai “dënon paudhësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë” (Eks. 20:5), dhe disi veçmas çështjes së frymës njerëzore, ne dimë nga përvoja njerëzore që fëmijët kanë faktikisht prirjen për të imituar si tiparet e mira ashtu edhe ato të këqijat në jetën e prindërve të tyre, jo vetëm si pasojë e imitimit që u bëjnë, por gjithashtu për shkak të predispozicionit të trashëgueshëm. Po qe se Perëndia i jep çdo fëmije një shpirt njerëzor i cili është në ngjasim me atë të prindërve të fëmijës, gjë të cilën ne e vërejmë në jetën e fëmijëve, kjo do të ishte thjesht një tregues që Perëndia, në krijimin e një shpirti njerëzor, vepron në përputhshmëri me mënyrën se si Ai vepron në lidhje me racën njerëzore në çështje të tjera gjithashtu.

Si përfundim, duket e vështirë të shmangim dëshminë e Shkrimit për sa i takon faktit që Perëndia në mënyrë aktive krijon një çdo shpirt njerëzor, njëlloj sikurse Ai është aktiv në të tërë ngjarjet e krijimit që ka bërë. Por, shkalla në të cilën Ai lejon përdorimin e shkaqeve të ndërmjetme apo dytësore (d.m.th., trashëgimia nga prindërit), thjesht nuk na shpjegohet në Shkrim. Për rrjedhojë, për ne nuk duket e dobishme që të kalojmë edhe më shumë kohë duke spekuluar për këtë çështje.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Nga përvoja jote e krishterë, a je i vetëdijshëm që ti je më shumë sesa thjesht një trup fizik, se ke një pjesë jofizike e cila mund të quhet frymë apo shpirt? Kur u bëre veçanërisht i vetëdijshëm për ekzistencën e frymës tënde? A mund të përshkruash se si është të dish dëshminë e Frymës së Shenjtë ndaj frymës tënde, sipas të cilës ti je fëmija i Perëndisë (Rom. 8:16), apo që të kesh në frymën tënde një vetëdije rreth pranisë së Perëndisë (Gjoni 4:23; Fil. 3:3), apo të jesh i tronditur në  frymë tënde (Gjoni 12:27; 13:21; Veprat 17:16; 2 Kor. 2:13), apo që fryma jote të jetë duke adhuruar Perëndinë (Luka 1:47; Psa. 103:1), apo që ta duash Perëndinë me tërë shpirt (Marku 12:30)? Në kontrast me këtë, a ka raste kur ndjehesh shpirtërisht i mpirë apo pa ndjesi? A mendon se një aspekt i rritjes së krishterë mund të përfshijë një ndjeshmëri gjithnjë e më të madhe ndaj gjendjes së frymës apo shpirtit tënd?

2.     Përpara se të lexoje këtë kapitull, a ishe i mendimit për dikotomi apo për trikotomi? Po tani çfarë pikëpamjeje ke? Nëse ke ndryshuar pikëpamje duke pranuar atë dikotomiken pas leximit të këtij kapitulli, a mendon se do të kesh një vlerësim më të madh për veprimtaritë e trupit, mendjes dhe emocioneve të tua? Nëse i përmbahesh pikëpamjes së trikotomisë, si mund të ruhesh nga disa prej rreziqeve që përmenden në këtë kapitull?

3.     Kur lutesh apo i këndon lavde Perëndisë, a mjafton që thjesht të këndosh apo të flasësh fjalë, pa qenë i vetëdijshëm se çfarë je duke thënë? A mjafton të jesh i vetëdijshëm për atë që je duke thënë, pa e patur me gjithë mend atë? Nëse i ke me të vërtetë ato fjalë, atëherë çfarë aspektesh të tua si person do të përfshiheshin në lutje dhe adhurim të vërtetë? A mendon se ti ke prirjen që të shpërfillësh nganjëherë një aspekt apo një tjetër?

4.     Përderisa Shkrimi na inkurajon që të rritemi në shenjtëri në trupat tanë si dhe në shpirtin tonë (2 Kor. 7:1), çfarë do të thotë specifikisht për ju që të jeni më të bindur ndaj atij urdhërimi?

TERMA TË VEÇANTË

kreacionizëm

dikotomi

monizëm

shpirt

frymë

traducianizëm

trikotomi

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 113–116, 122–125

2. Arminiane (Uesliane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:435–436

1892–1894 Miley, 1:397–403

1940 Wiley, 2:15–19

1960 Purkiser, 215–220

3. Baptiste

1887 Boyce, 194–212

1907 Strong, 483–513

1917 Mullins, 256–257, 262–264

1983–1985 Erickson, 519–540

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 2:144–199

1949 Thiessen, 158–167

1986 Ryrie, 193–200

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 1:94, 476–477

1934 Mueller, 58, 184

6. E reformuar (apo Presbiteriane)

1871–1873 Hodge, 2:42–77, 78–91

1878 Dabney, 317–321

1937–1966 Murray, CW 2:23–33

1938 Berkhof, 191–201

1962 Buswell, 1:237–252

7. Ripërtëritjes (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:208–214

Seksione në teologjitë sistematike përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 96–101

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien (pa trajtim të hollësishëm)

Vepra të tjera

Shënim: Një sërë librash të renditur në bibliografinë e kapitullit 21, mbi krijimin e njeriut në shëmbëlltyrën e Perëndisë, kanë gjithashtu seksione rreth natyrës thelbësore të njeriut si dhe origjinës së shpirtit.

Colwell, J.E. “Antropologji (Anthropology).” Tek FRT ([65]NDT) fq. 28–30.

Cooper, John W. Trupi, Shpirti dhe Jeta e Përjetshme: Antropologji Biblike dhe Debati Monizëm-Dualizëm (Body, Soul, and Life Everlasting: Biblical Anthropology and the Monism-Dualism Debate). Grand Rapids: Eerdmans, 1989.

Delitzsch, F. Një Sistem Psikologjie Biblike (A System of Biblical Psychology). Përkth. nga R.E. Wallis. Bot. 2të. Grand Rapids: Baker, 1966.

Gundry, Robert H. Soma në Teologjinë Biblike me Theksin tek Antropologjia e Palit (Soma in Biblical Theology With Emphasis on Pauline Anthropology). Grand Rapids: Zondervan, 1987.

Heard, J.B. Natyra Tripjesëshe e Njeriut (The Tripartite Nature of Man). Bot. i 5të. Edinburgh: T. & T. Clark, 1882.

Hoekema, Anthony A. “I Tërë Personi (The Whole Person).” Tek: I Krijuar në Imazhin e Perëndisë (Created in God’s Image). Grand Rapids: Eerdmans, dhe Exeter: Paternoster, 1986, fq. 203–226.

Ladd, George Eldon. “Psikologjia e Palit (The Pauline Psychology).” Tek: Një Teologji e Besëlidhjes së Re (A Theology of the New Testament). Grand Rapids: Eerdmans, 1974, fq. 457–478.

Laidlaw, John. Doktrina Biblike e Njeriut (The Bible Doctrine of Man). Bot. i 2të. Edinburgh: T. & T. Clark, 1905.

McDonald, H.D. “Njeriu, Doktrina e (Man, Doctrine of)” Tek FTU ([66]EDT) fq. 676–680.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“2 Korintasve” 7:1: Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë.

Himn

“SHPIRTI IM, PUSHO I QETË (BE STILL, MY SOUL)”

Shpirti im, pusho i qetë: Zoti është në krahun tënd;

kryqin e pikëllimit apo dhimbjes, mbaje i duruar;

Lërja Perëndisë tënd të porosisë dhe të sigurojë për ty çdo send;

Në çdo ndryshim, Ai besnik ka për të qëndruar.

Shpirti im, pusho i qetë: Shoku yt më i mirë, Ai qiellori

Përmes rrugëve plot murriza në një cak të lumtur është duke të të drejtuar.

Shpirti im, pusho i qetë: Perëndia yt përsipër mori

Të drejtojë të ardhmen, ashtu sikurse ka vepruar në të shkuar.

Mos lër gjë të ta lëkundë, shpresën tënde, bindjen tënde;

Tërë misteret e tanishme, në fund do sqarohen plotësisht.

Shpirti im pusho i qetë: dallgët dhe erërat e njohin ende

Zërin e Tij që i sundoi kur këtu poshtë banonte njerëzisht.

Shpirti im, pusho i qetë: kur të braktisin edhe miqtë më të shtrenjtë,

Dhe në lugajën e lotëve gjithçka është errësuar,

Atëherë do ta njohësh më mirë dashurinë e zemrën e Atij vetë,

I Cili erdhi për të lehtësuar pikëllimet dhe frikën që të ka sulmuar.

Shpirti im, pusho i qetë: Jezusi yt mundet të të zhdëmtojë

Nga mbushullia e Tij, gjithçka të të dhurojë.

Shpirti im, pusho i qetë: ora po kalon me të shpejtë

Kur ne do të jemi me Zotin përjetë,

Kur zhgënjimi, trishtimi dhe frika të jenë larguar,

Gëzimi më i pastër i dashurisë të jetë mëkëmbur, e pikëllimi të jetë harruar.

Shpirti im, pusho i qetë: kur ndryshimi dhe lotët të kenë kaluar,

Të tërë të sigurt dhe të bekuar në fund kemi për t’u takuar.

Autori: Katharina Von Schlegel, lindur më 1697

Pen
>