General
Text

Kapitulli 5: Pagabueshmëria e Shkrimit

Lesson 7 Chapter 4 Module 3

A ka gabime në Bibël?

Pjesa më e madhe e librave mbi teologjinë sistematike, nuk përmbajnë një kapitull të posaçëm mbi pagabueshmërinë e Biblës. Kjo temë zakonisht trajtohet nën temën e autoritetit të Shkrimit, dhe për të nuk është menduar si i nevojshëm një trajtim i mëtejshëm. Megjithëkëtë, çështja e pagabueshmërisë është e një rëndësie të atillë në botën ungjillore sot saqë kërkon një kapitull të veçantë në trajtimin që po i bëjmë autoritetit të Fjalës së Perëndisë.

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Kuptimi i pagabueshmërisë

Në këtë pikë, nuk do të përsëritim argumentet për sa i takon autoritetit të Shkrimit të cilat u dhanë në kapitullin 4. Atje argumentohej që të tëra fjalët në Bibël janë fjalët e Perëndisë dhe që për rrjedhojë, të mos i besosh apo të mos i bindesh ndonjë fjale të Shkrimit, do të thotë të mos i bindesh apo të mos i besosh Perëndisë. U argumentua për më tej që Bibla na mëson qartësisht që Perëndia nuk mund të gënjejë apo të flasë të pavërteta (2 Sam. 7:28; Titit 1:2; Heb. 6:18). Për rrjedhojë, të tëra fjalët në Shkrim pretendohet të jenë tërësisht të vërteta dhe të pagabueshme në të gjitha pjesët e Shkrimit (Num. 23:19; Psa. 12:6; 119:89, 96; F. e Urta. 30:5; Mat. 24:35). Fjalët e Perëndisë janë faktikisht, standardi më i lartë i të vërtetës (Gjoni 17:17).

Veçanërisht me lidhje me këtë pikë, janë ato tekste të Shkrimit të cilat nënkuptojnë vërtetësinë dhe besueshmërinë totale të fjalëve të Perëndisë. “Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i kulluar në një furrë dheu, i pastruar shtatë herë” (Ps. 12:6), nënkupton besueshmërinë dhe pastërtinë absolute të Shkrimit. Po kështu, “Çdo fjalë e Perëndisë është pastruar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai” (F e Urta. 30:5), nënkupton vërtetësinë e çdo fjale që Perëndia ka folur. Paçka se gabimi dhe të paktën falsiteti i pjesshëm mund të karakterizojë të folurën e çdo qenieje njerëzore, karakteristika e të folurës së Perëndisë edhe kur ajo flitet përmes qenieve mëkatare njerëzore, është që nuk është kurrë e gënjeshtërt e që ajo kurrë nuk mbështet gjëra të gabuara: “Perëndia nuk është një njeri që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet” (Num. 23:19) u tha nga Balaami i mëkatshëm, specifikisht për fjalët profetike që Perëndia kishte folur përmes buzëve të tij.

Me të tilla prova, tani jemi në një pozitë prej nga ku mund të përkufizojmë pagabueshmërinë biblike: Pagabueshmëria e Shkrimit do të thotë që Shkrimi në dorëshkrimet origjinale nuk pohon asgjë që është në kundërshtim me faktet.

Ky përkufizim përqendrohet tek çështja e vërtetësisë dhe gënjeshtrave në gjuhën e Shkrimit. Ky përkufizim i shprehur me fjalë të thjeshta, do të thotë thjeshtë që Bibla tregon gjithnjë të vërtetën, si dhe që ajo tregon gjithnjë të vërtetën për gjithçka për të cilën flet. Ky përkufizim nuk do të thotë që Bibla na tregon çdo fakt që ekziston për çfarëdo teme, por pohon që ajo që Bibla thotë për çfarëdo teme, është e vërtetë.

Që në fillim të këtij diskutimi është e rëndësishme të kuptojmë se fokusi i kësaj polemike është tek çështja e vërtetësisë në të folur. Duhet kuptuar që vërtetësia absolute në të folur, është e përputhshme me disa lloje të tjera deklaratash, si për shembull kjo që vijon:

1. Bibla mund të jetë e pagabueshme, dhe gjithsesi të flasë në gjuhën e zakonshme të të folurës së përditshme. Kjo vlen veçanërisht në përshkrimet “shkencore” apo “historike” të fakteve apo ngjarjeve. Bibla mundet të shprehet që dielli ngrihet dhe që shiu bie sepse për nga këndvështrimi i folësit, kjo është ekzaktësisht ajo që ndodh. Nga pikëpamja e një vëzhguesi në Diell (po qe se kjo do të ishte mundur), apo në ndonjë pikë hipotetike të “palëvizshme” në hapësirë, toka rrotullohet dhe nxjerr diellin në pah. Gjithashtu shiu nuk bie për poshtë por për lart apo anash apo në çfarëdo drejtimi të nevojshëm për të që të tërhiqet nga graviteti drejt sipërfaqes së tokës. Por shpjegime të tilla janë tejet pedante dhe do ta bënin komunikimin e zakonshëm të pamundur. Nga pikëpamja e folësit, dielli ngrihet dhe shiu bie, dhe këto janë përshkrime tërësisht të vërteta të fenomenit natyror të cilin folësi vëren.

Një gjë e ngjashme me këtë vlen edhe për shifrat kur përdoren për matje apo në numërim. Një reporter mund të thotë se 8,000 vetë u vranë në një betejë të caktuar, pa nënkuptuar me këtë se i ka numëruar të tërë e që nuk ka as 7,999, as 8,001 por fiks 8,000 ushtarë të vrarë. Nëse afërsisht 8,000 vdiqën, padyshim që do të ishte e gënjeshtërt të thoje që vdiqën 16,000 vetë, por nuk do të ishte e gënjeshtërt në shumicën e rasteve që reporteri të thoshte se 8,000 vetë vdiqën kur në fakt të vrarët ishin 7,823 apo 8,242. Limitet e vërtetësisë do të vareshin nga shkalla e precizonit të nënkuptuar nga folësi dhe që pritet nga dëgjuesit e tij të parë.

Kjo vlen gjithashtu të thuhet për njësitë matëse. Sido që ta them: “Nuk jetoj larg nga zyra,” ose “Unë jetoj pak më shumë se një kilometër larg nga zyra,” apo “Unë jetoj një kilometër larg zyrës,” ose “Unë jetoj, 1,287 metra larg zyrës,” të katra këto deklarata janë të përafërta me një shkallë të caktuar saktësie. Shkallë të mëtejshme saktësie mund të përftohen përmes instrumenteve më precize shkencore, por këto do të ishin ende përafërsi me një shkallë të caktuar saktësie. Kështu, edhe matja, me qëllim që të ishte e vërtetë, duhet të përshtatet me shkallën e precizonit të nënkuptuar nga folësi dhe të pritur nga dëgjuesit në kontekstin origjinal. Atëherë, nuk duhet të na shqetësojë edhe pohimi që Bibla është e vërtetë në mënyrë absolute në gjithçka që thotë, e edhe që ajo përdor gjuhën e zakonshme për të përshkruar fenomene natyrore apo për të dhënë përafërsi apo numra të rrumbullakosur kur kjo është e përshtatshme për atë kontekst.

Ne duhet që gjithashtu të vëmë re se gjuha mund të krijojë deklarata të turbullta apo jo precize, pa qenë në gënjeshtër. “Unë jetoj pak më shumë se një kilometër larg zyrës” është një deklaratë e turbullt dhe jo precize, por ajo është gjithashtu e pagabuar: ajo nuk ka asgjë të pavërtetë në vetvete. Ajo nuk pohon asgjë që është e kundërt me faktin. Në një mënyrë të ngjashme, deklaratat biblike mund të jenë jo precize e megjithëkëtë të jenë tërësisht të vërteta. Pagabueshmëria ka të bëjë me vërtetësinë jo me shkallën e precizonit me të cilën raportohen ngjarjet.

2. Bibla mund të jetë e pagabueshme dhe gjithsesi të përmbajë citime të përafërta apo jo specifike. Metoda përmes të cilës një person citon fjalët e një personi tjetër, është një procedurë që për një pjesë të madhe është e ndryshueshme në varësi të shoqërisë ku personi ndodhet. Në shoqërinë bashkëkohore amerikane dhe britanike, ne e kemi për zakon të citojmë ekzaktësisht fjalët e personit kur atë thënie e vendosim mes thonjëzash (kjo quhet citim i drejtpërdrejtë). Por kur përdorim citime të tërthorta (pa shenja citimi), në të tilla raste presim vetëm një raportim të saktë të thelbit të deklaratës së bërë. Shqyrto këtë fjali: “Elioti tha se do të kthehej menjëherë në shtëpi për të ngrënë darkë.” Kjo fjali nuk e citon drejtpërsëdrejti Eliotin, por është një raportim i pranueshëm dhe i vërtetë i deklaratës së vërtetë të Eliotit ndaj të atit të vet: “Pas dy minutash do të vij në shtëpi për të ngrënë,” edhe pse citimi indirekt nuk përmbante asnjë prej fjalëve origjinale të folësit.

Greqishtja e shkruar në kohën e Besëlidhjes së Re, nuk kishte shenja citimi apo lloje të tjera të barasvlershme pikësimi, dhe një citim i saktë i një personi tjetër, duhej të përfshinte vetëm një përfaqësim të saktë të përmbajtjes të asaj që personi tha (ashtu sikurse citimet tona të tërthorta): nuk pritej që çdo fjalë të citohej me saktësi. Kështu, pagabueshmëria është e përputhshme me citimet e përafërta apo të shpenguara të Besëlidhjes së Vjetër, apo të fjalëve të Jezusit për shembull, për aq sa përmbajtja nuk është e papërputhshme me atë që u deklarua fillimisht. Shkruesi origjinal nuk nënkuptonte zakonisht se po përdorte ekzaktësisht fjalët e folësit dhe vetëm ato, e as dëgjuesit origjinalë nuk pritnin një citim fjalë për fjalë në një raportim të tillë.

3. Është e përputhshme me pagabueshmërinë që të kesh ndërtime të pazakonta dhe jo të hasura rëndom nga ana gramatikore në Bibël. Një pjesë e gjuhës së Shkrimit është elegante dhe e shkëlqyer nga ana stilistikore. Pjesë të tjera të Shkrimit përmbajnë gjuhën e latuar ashpër të njerëzve të thjeshtë. Nganjëherë, kjo përfshin një mosarritje për të ndjekur “rregullat” e pranuara përgjithësisht të shprehjes gramatikore (të tillë si përdorimi i një foljeje në shumës atje ku rregullat gramatikore do të kërkonin përdorimin e një foljeje në njëjës, apo përdorimin e një mbiemri të femërores atje ku e ka vendin një i mashkullores, apo germëzime ndryshe të të njëjtës fjalë krahasuar me mënyrën se si ajo shkruhet zakonisht, etj.). Këto deklarata të çrregullta nga ana stilistikore apo gramatikore (të cilat gjenden veçanërisht në librin e “Zbulesës”) nuk duhet të na shqetësojnë sepse ato nuk ndikojnë tek vërtetësia e deklaratave të marra nën shqyrtim: një deklaratë mund të ketë gabime gramatikore por gjithsesi të mbetet tërësisht e vërtetë. Për shembull, një banor i një zone të thellë, i paarsimuar në një zonë rurale, paçka se gramatika e tij është shkel e shko, mund të jetë njeriu më i besuar në të tërë zonën ngaqë ka fituar reputacionin e një njeriu që nuk di të gënjejë. Po kështu, ka disa deklarata në Shkrim (në gjuhët origjinale) të cilat nuk janë të sakta gramatikisht (sipas standardeve të atëhershme për gramatikën e asaj kohe) por që ende janë të pagabuara për shkak se janë tërësisht të vërteta. Çështja është vërtetësia në të folur.

B. Disa sfida të tanishme për pagabueshmërinë

Në këtë seksion, ne shqyrtojmë kundërshtimet kryesore që ngrihen zakonisht ndaj konceptit të pagabueshmërisë.

1. Bibla është autoritare vetëm për “Besimin dhe jetën e përditshme.” Një prej kundërshtive më të shpeshta, ngrihet nga ata të cilët thonë që qëllimi i Shkrimit është të na mësojë në fushat që kanë të bëjnë vetëm me “besimin dhe jetën e përditshme”, d.m.th. në fushat të cilat kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me besimin tonë fetar apo me sjelljen tonë etike. Ky pozicion lë shteg për mundësinë e deklaratave të pavërteta në Shkrim, për shembull, në fusha të tjera si në hollësi të vogla historike apo të fakteve shkencore. Këto fusha, thuhet, që nuk kanë lidhje me qëllimin e Biblës që është të na udhëzojë në atë që ne duhet të besojmë dhe rreth mënyrës se si duhet të jetojmë.[60]1 Mbrojtësit e kësaj ideje, shpesh preferojnë të thonë që Bibla është e “saktë”, por ata ngurrojnë të përdorin fjalën e pagabueshme.[61]2

Përgjigjja ndaj këtij kundërshtimi, mund të deklarohet si vijon: Bibla, në mënyrë të përsëritur pohon që i gjithë Shkrimi është i dobishëm për ne (2 Tim. 3:16) dhe që ai është i gjithi i “frymëzuar nga Perëndia.” Për rrjedhojë ai është tërësisht i pastër (Ps. 12:6), i përsosur (Ps. 119:96), dhe i vërtetë (F. e Urta 30:5). Vetë Bibla nuk bën ndonjë kufizim në llojet e subjekteve për të cilat flet me vërtetësi.

Besëlidhja e Re përmban pohime të mëtejshme të besueshmërisë së të tëra pjesëve të Shkrimit. Tek “Veprat” 24:14, Pali thotë se ai e adhuron Perëndinë, “Duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe te profetët.” Tek “Luka” 24:25, Jezusi thotë se dishepujt janë “Të pamend” sepse ata janë “të ngathët në zemër për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët.” Tek “Romakëve” 15:4, Pali thotë se “sa u shkruan më përpara” në Besëlidhjen e Vjetër, u “U shkruan për mësimin tonë.” Këto tekste nuk të lënë të kuptosh që ka ndonjë pjesë të Shkrimit e cila nuk duhet besuar apo mbi të cilën nuk mund të mbështetesh edhe aq plotësisht. Po kështu, tek “1 Korintasve”10:11, Pali mund t’i referohet edhe detajeve të vogla historike në Besëlidhjen e Vjetër (uljes për të ngrënë e për të pirë, ngritjes për të vallëzuar) dhe mund të thotë që ato “ndodhën” (duke nënkuptuar kështu besueshmërinë historike) dhe që “Janë shkruar për paralajmërimin tonë.”

Nëse fillojmë të shqyrtojmë mënyrën në të cilën autorët e Besëlidhjes së Re i besojnë edhe detajeve më të vogla të tregimeve të Besëlidhjes së Vjetër, ne nuk vëmë re asnjë qëllim për të ndarë çështjet e “besimit dhe praktikës,” apo për të thënë që kjo është njëfarësoj një kategori e kuptueshme pohimesh, apo për të nënkuptuar që deklaratat që nuk bien në atë kategori, nuk kanë përse të besohen apo të mendohen si të pagabueshme. Përkundrazi, duket se autorët e Besëlidhjes së Vjetër janë të gatshëm që të citojnë dhe pohojnë si të vërtetë, çdo detaj të Besëlidhjes së Vjetër.

Në listën e mëposhtme, janë disa shembuj të këtyre detajeve historike të cituara nga autorët e Besëlidhjes së Re. Nëse të tëra këto janë çështje “besimi dhe të jetës së përditshme,” atëherë çdo detaj historik i Besëlidhjes së Vjetër është një çështje “besimi dhe jete të përditshme” gjithashtu, dhe atëherë ky kundërshtim resht së qenuri një kundërshtim ndaj pagabueshmërsië. Nga ana tjetër, nëse kaq shumë detaje mund të pohohen, atëherë del që të tërë detajet historike në Besëlidhjen e Vjetër mund të pohohen si të vërteta, dhe ne nuk duhet të flasim për kufizimin e vërtetësisë së domosdoshme të Shkrimit në disa kategori “besimi dhe jete të përditshme” të cilat do të përjashtonin disa detaje të vogla. Nuk mbetet asnjë lloj detajesh që nuk mund të pohohet si i vërtetë.

Besëlidhja e Re na jep të dhënat e mëposhtme: Davidi hëngri bukën e Paraqitjes (Mat. 12:3–4); Jona ishte brenda barkut të balenës (Mat. 12:40); njerëzit e Niniveut u penduan (Mat. 12:41); Mbretëresha e Jugut erdhi për të dëgjuar Salomonin (Mat. 12:42); Elija u dërgua tek vejusha e Sareptës (Luka 4:25–26); Naaman siriani u pastrua nga lebra (Luka 4:27); ditën që Loti iku nga Sodoma, zjarr dhe squfur ra nga qielli (Luka 17:29; kr. me v. 32 me referencën që jepet aty për gruan e Lotit që u kthye në kripë); Moisiu ngriti gjarprin në shkretëtirë (Gjoni 3:14); Jakobi i dha një arë Jozefit (Gjoni 4:5); shumë detaje të historisë së Izraelit ndodhën (Veprat 13:17–23); Abrahami besoi dhe mori premtimin përpara se të rrethpritej (Rom. 4:10); Abrahami ishte afërsisht njëqind vjeç (Rom. 4:19); Perëndia i tha Rebekës përpara se fëmijët e saj të lindnin, që fëmija më i madh i saj do t’i shërbente më të voglit (Rom. 9:10–12); Elija foli me Perëndinë (Rom. 11:2–4); populli i Izraelit kaloi nëpër det, hëngri dhe piu ushqim shpirtëror, pati dëshira të mbrapshta, u ul të pinte, u ngrit të vallëzonte, u përfshi në imoralitet, mërmëriti dhe u shkatërrua (1 Kor. 10:11); Abrahami i dha të dhjetën e gjithçkaje Melkizedekut (Heb. 7:1–2); Tabernakulli i Besëlidhjes së Vjetër kishte një projekt specifik dhe të detajuar (Heb. 9:1–5); Moisiu i spërkati njerëzit si dhe enët e tabernakullit me gjak dhe ujë, duke përdorur një copë të leshtë në ngjyrë të kuqe të ndezur dhe hisop (Heb. 9:19–21); bota u krijua nga Fjala e Perëndisë (Heb. 11:3);[62]3 shumë detaje të jetës së Abelit, Enokut, Noas, Abrahamit, Moisiut, Rahabës si dhe të tjerëve, faktikisht ndodhën (Heb. 11, nëpër të); Esau shiti të drejtën e parabirësisë së tij për një vakt të vetëm ushqimor dhe më vonë kërkoi me lot në sy që ta rifitonte atë (Heb. 12:16–17); Rahaba mirëpriti spiunët dhe i nisi nga një shteg tjetër (Jakobi 2:25); në arkë u shpëtuan tetë vetë (1 Pjetrit 3:20; 2 Pjetrit 2:5); Perëndia e ktheu Sodomën dhe Gomorrën në hi, por e shpëtoi Lotin (2 Pjetrit 2:6–7); Gomari i Balamit foli (2 Pjetrit 2:16).

Kjo listë nënkupton që shkrimtarët e Besëlidhjes së Re, ishin të gatshëm që të mbështeteshin në vërtetësinë e cilëso pjese të tregimeve historike të Besëlidhjes së Vjetër. Asnjë detaj nuk ishte tepër i parëndësishëm saqë të mos mund të përdorej për udhëzimin e të krishterëve të Besëlidhjes së Re. Nuk ka asgjë që të nënkuptojë që ata e menduan një kategori të caktuar të deklaratave të shkrimit si të atilla mbi të cilat nuk mund të bazoheshe e as të denja për t’u besuar (të tilla si deklarata “historike dhe shkencore” përkundër pasazheve doktrinare dhe morale). Duket qartë që Bibla vetë nuk mbështet ndonjë kufizim të llojeve të subjekteve për të cilat flet me autoritet absolut dhe të vërtetë. Në fakt, shumë pasazhe në Shkrim faktikisht e përjashtojnë vlefshmërinë e këtij lloj kufizimi.

Një reagim i dytë ndaj atyre të cilët e kufizojnë vërtetësinë e domosdoshme të Shkrimit në çështjet e “besimit dhe jetës së përditshme” është që të vëmë re që një pozicion i tillë ngatërron qëllimin kryesor të Shkrimit me qëllimin tërësor të Shkrimit. Të thuash që qëllimi kryesor i Shkrimit është që të na mësojë në çështjet e “besimit dhe jetës së përditshme,” do të thotë të bësh një përmbledhje të dobishme dhe të saktë të qëllimit që Perëndia pati kur na dha Biblën, por si një përmbledhje, ajo përfshin vetëm qëllimin më të spikatur të Perëndisë në dhënien ndaj nesh të Shkrimit. Megjithëkëtë, nuk është legjitime që këtë përmbledhje ta përdorësh për të mohuar që pjesë e qëllimit të Shkrimit është të na tregojë rreth detajeve të vogla historike apo për ndonjë aspekt të astronomisë apo gjeografisë e kështu me radhë. Përmbledhja nuk është se po përdoret siç duhet po qe se është vënë në funksion të mohimit të njërës prej gjërave që ajo përmbledh! Po ta përdorje atë në këtë mënyrë, do të tregoje thjesht që përmbledhja nuk është aq e detajuar sa ç’duhet me qëllim për të specifikuar elementët në fjalë.

Është më mirë të thuash që i tërë qëllimi i Shkrimit, është që të thotë gjithçka që thotë për çfarëdo teme. Secila prej fjalëve të Perëndisë në Shkrim, u konsiderua prej Tij si e rëndësishme për ne. Kështu, Perëndia lëshon paralajmërime të rënda ndaj kujtdo që do të hiqte qoftë edhe një prej fjalëve nga ato që Ai na ka thënë (L. i P. 4:2; 12:32; Zbu. 22:18–19): ne nuk mundet që t’u shtojmë fjalëve të Perëndisë e as t’u heqim gjë atyre, sepse të tëra ato janë pjesë e qëllimit të Tij më të madh për të na folur. Gjithçka që deklarohet në Shkrim, është atje për shkak se Perëndia synonte që ajo të ishte atje: Perëndia nuk thotë asgjë pa qëllim! Kësisoj, ky kundërshtim i parë ndaj pagabueshmërisë, përdor në mënyrë të gabuar një përmbledhje dhe për pasojë përpiqet në mënyrë të pasaktë që të kufizojë llojet e gjërave për të cilat Perëndia mund të na flasë.

2. Termi pagabueshmëri është term i dobët. Njerëzit që ngrenë këtë kundërshtim të dytë thonë se termi pagabueshmëri është tepër preciz, e që në përdorimin e zakonshëm të tij, ai tregon një lloj precizoni absolut shkencor të cilin ne nuk duam ta pretendojmë për Shkrimin. Për më tepër, ata që e ngrenë këtë kundërshtim, vërejnë që termi pagabueshmëri nuk përdoret në Bibël. Për rrjedhojë, ka gjasa që të jetë një term i papërshtatshëm për këmbënguljen tonë në të.

Reagimi ndaj këtij kundërshtimi mund të deklarohet si vijon: së pari, studiuesit që kanë përdorur termin pagabueshmëri, e kanë përkufizuar atë qartësisht për qindra vjet me radhë, dhe ata gjithmonë kanë marrë parasysh “kufizimet” që i bashkëngjiten të folurës në gjuhën e zakonshme. Ky term nuk është përdorur në asnjë rast nga ndonjë përfaqësues i përgjegjshëm i krahut që mbron pagabueshmërinë, për të treguar një lloj precizoni absolut shkencor. Për rrjedhojë, ata që ngrenë këtë kundërshtim ndaj këtij termi, nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur mënyrës në të cilën ai është përdorur në diskutimet teologjike për më shumë se një shekull tashmë.

Së dyti, duhet vërejtur që ne shpesh përdorim terma jobiblikë për të përmbledhur një mësim biblik. Fjala Trini nuk shfaqet në Shkrim, e po kështu as fjala mishërim. Megjithëkëtë, të dy këto terma janë shumë të dobishëm për shkak se ato na lejojnë të përmbledhim me një fjalë të vetme, një koncept të vërtetë biblik, dhe për rrjedhojë ato na ndihmojnë të diskutojmë me më tepër lehtësi një mësim të caktuar biblik.

Duhet vërejtur gjithashtu se asnjë fjalë e vetme tjetër nuk është propozuar, që të shprehë me po kaq qartësi atë që ne duam të afirmojmë kur dëshirojmë të flasim rreth vërtetësisë totale në gjuhën e përdorur. Fjala pagabueshmëri e bën këtë mjaft mirë, dhe nuk duket se ka arsye për të mos vazhduar që ta përdorim atë për këtë qëllim.

Së fundi, në kishën e sotme, ne duket se nuk jemi në gjendje që të vazhdojmë diskutimet për këtë temë pa përdorur këtë term. Njerëzit mund të ngrenë kundërshti ndaj këtij termi po të duan, por edhe po të mos u pëlqejë, ky është termi rreth të cilit diskutimi është përqendruar dhe pothuajse padyshim do të vazhdojë të përqendrohet edhe për disa dekada të tjera me radhë. Kur Këshilli Ndërkombëtar mbi Saktësinë Biblike (KNSB) më 1977 nisi një fushatë dhjetë vjeçare që kishte për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e idesë së pagabueshmërisë biblike, u bë e pashmangshme që kjo fjalë do të ishte ajo rreth të cilës do të vazhdonte ky diskutim. “Deklarata e Çikagos për Pagabueshmërinë e Biblës,” e cila u hartua dhe botua më 1978 me sponsorizimin e KNSB-së (shiko shtojcën 1), përkufizoi atë që pjesa më e madhe e ungjillorëve nënkuptojnë me pagabueshmëri, ndoshta jo në mënyrë të përsosur, por mjaft mirë, dhe kundërshtitë e mëtejshme ndaj një termi të tillë të përdorur gjerësisht dhe të përkufizuar mirë, duket se janë të panevojshme dhe të padobishme për kishën.

3. Ne nuk kemi dorëshkrime të pagabueshme; Për rrjedhojë, diskutimet rreth Biblës si të pagabueshme, janë të gabuara. Ata që e ngrenë këtë kundërshtim theksojnë faktin që pagabueshmëria është pretenduar gjithnjë për kopjet e para apo origjinale të dokumenteve biblike.[63]4 Por, asnjë prej tyre nuk ka mbërritur deri në ditët tona. Ne kemi vetëm kopje të kopjeve të asaj që Moisiu, Pali apo Pjetri shkroi. Ç’dobi ka atëherë t’i japësh një rëndësi kaq të madhe një doktrine e cila gjen zbatim vetëm tek dorëshkrime të cilat askush nuk i zotëron?

Si përgjigje ndaj këtij kundërshtimi, mund të deklarohet fillimisht se për mbi 99 përqind të fjalëve të Biblës, ne e dimë  se çfarë thoshte dorëshkrimi origjinal. Madje, edhe për shumë prej vargjeve ku ka variante tekstuale (d.m.th. fjalë të ndryshme në kopje të ndryshme të lashta të të njëjtit varg), vendimi i saktë është shpesh mjaft i qartë, dhe me të vërtetë që ka shumë pak vende ku variantet tekstuale paraqesin edhe vështirësi për t’u vlerësuar, edhe peshë të madhe në përcaktimin e kuptimit të tekstit. Në një përqindje të vogël të rasteve ku ka një pasiguri të ndjeshme rreth asaj që është thënë në tekstin origjinal, kuptimi i përgjithshëm i fjalisë është zakonisht mjaft i qartë nga konteksti. (Nuk të duhet të jesh studiues i hebraishtes apo i greqishtes që të dish se ku janë këto variante, për shkak se të tëra përkthimet moderne në anglisht, i paraqesin ato në shënimet anas faqes me shprehje të tilla si “disa dorëshkrime të lashta e kanë...” apo “dorëshkrime të tjera të lashta shtojnë....”)

Me këtë nuk dua të them që studimi i varianteve tekstuale është i parëndësishëm, por vetëm që studimi i varianteve tekstuale nuk na ka lënë të pështjelluar rreth asaj që dorëshkrimet origjinale kanë thënë.[64]5 Përkundrazi, na ka sjellë shumë afër me përmbajtjen e këtyre dorëshkrimeve origjinale. Atëherë, për qëllimet më praktike, tekstet e tanishme akademike të publikuara rreth Besëlidhjes së Vjetër në hebraisht, si dhe Besëlidhjes së Re në greqisht janë të njëjtat me dorëshkrimet origjinale. Kështu, kur ne themi që dorëshkrimet origjinale ishin të pagabueshme, ne po nënkuptojmë gjithashtu se mbi 99 përqind e fjalëve në dorëshkrimet tona të tanishme, janë gjithashtu të pagabueshme, sepse ato janë kopje ekzakte të origjinaleve. Për më tepër, ne e dimë se ku janë ato pjesë që janë me pikëpyetje (sepse atje ku nuk ka variante tekstuale, nuk kemi arsye të presim të ketë patur kopjim me gabime nga origjinali).[65]6 Kështu, dorëshkrimet tona të tanishme, janë më së shumti njëlloj me dorëshkrimet origjinale, dhe doktrina e pagabueshmërisë, ka lidhje të drejtpërdrejtë atëherë edhe me dorëshkrimet e tanishme tonat gjithashtu.

Për më tepër, është tejet e rëndësishme që të pohojmë pagabueshmërinë e dokumenteve origjinale për shkak se kopjet pasuese u bënë nga njerëz të cilët nuk kishin kërkesë apo garanci nga Perëndia që këto kopje të ishin të përsosura. Por, dorëshkrimet origjinale janë ato për të cilat gjejnë zbatim pretendimet se janë fjalët e Perëndisë Vetë. Kështu, nëse kemi gabime tek kopjet (siç kemi faktikisht), atëherë këto janë vetëm gabimet e njerëzve. Por nëse kemi gabime në dorëshkrimet origjinale atëherë detyrohemi të themi që jo vetëm që njerëzit bënë gabime, por edhe që Perëndia Vetë bëri një gabim dhe foli me të pavërteta. Këtë gjë ne nuk mund ta bëjmë.

4. Shkruesit e Biblës e “përshtatën” mesazhin e tyre në detaje të hollësishme me idetë e gabuara të kohës së tyre, dhe i pohuan apo dhanë mësim ato ide në një mënyrë të paqëllimtë. Ky kundërshtim ndaj pagabueshmërisë, është paksa ndryshe nga ai që do të kufizonte pagabueshmërinë e Shkrimit në çështjet e besimit dhe jetesës së përditshme, por është gjithsesi i lidhur me të. Ata që përkrahin këtë pozitë, argumentojnë duke thënë se do të kishte qenë shumë e vështirë për shkruesit biblikë që të komunikojnë me njerëzit e kohës së tyre po qe se do ishin përpjekur që të ndreqnin të tëra informacionet e pavërteta historike dhe shkencore që besoheshin si të vërteta nga bashkëkohësit e tyre. Ata që mbrojnë këtë pozitë nuk thonë se pikat ku Bibla përkrah informacione të pavërteta janë të shumta, apo që këto vende janë pikat kryesore të cilitdo seksioni të caktuar të Shkrimit. Përkundrazi, ata thonë se kur shkruesit e Biblës po përpiqeshin të thonin edhe diçka tjetër më të rëndësishme, ata, nganjëherë, në mënyrë të paqëllimtë pohuan disa gjëra të pavërteta të besuara si të vërteta nga njerëzit e kohës së tyre.[66]7

Këtij kundërshtimi ndaj pagabueshmërisë, mund t’i jepet përgjigje së pari që Perëndia është Zoti i gjuhës njerëzore, e që Ai mund ta përdorë atë për të komunikuar në mënyrë të përsosur pa iu dashur të pohojë ndonjë ide të pavërtetë që mund të jetë mbajtur si e vërtetë nga njerëzit gjatë kohës së shkruarjes së Shkrimit. Ky kundërshtim ndaj pagabueshmërisë, në thelb mohon sundimin e Perëndisë mbi gjuhën njerëzore.

Së dyti, ne duhet të përgjigjemi duke thënë se “përshtatje” të tilla nga Perëndia ndaj keqkuptimeve tona, do të nënkuptonin që Perëndia ka vepruar në kundërshtim me karakterin e Tij si një “Perëndi që nuk gënjen” (Num. 23:19; Titit 1:2; Heb. 6:18). Nuk është e dobishme që të largosh vëmendjen nga kjo kleçkë përmes një theksimi të përsëritur të begenisjes së hirshme të Perëndisë për të folur në nivelin tonë. Po, Perëndia begenis të flasë gjuhën tonë, gjuhën e qenieve njerëzore. Por nuk ka asnjë pasazh nga Shkrimi i cili të na mësojë që Ai “denjon” aq sa të veprojë në kundërshtim me karakterin e Tij moral. Për Të nuk thuhet asnjëherë se është në gjendje që të begenisë deri aty saqë të pohojë (qoftë edhe pa dashje) diçka që është e pavërtetë. Nëse Perëndia do të “përshtatej” kësisoj, Ai do reshte së qenuri “Perëndia që nuk gënjen.” Ai do të reshte së qenuri Perëndia që Bibla e paraqet se është. Një veprimtari e tillë nuk do të tregojë në asnjë mënyrë madhështinë e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e manifeston madhështinë e Tij duke vepruar në një mënyrë që kontradikton karakterin e Tij. Ky kundërshtim i tillë në thelb, keqkupton pastërtinë dhe unitetin e Perëndisë pasi ato ndikojnë tek të tëra fjalët dhe veprat e Tij.

Për më tepër, një proces i tillë përshtatjeje, po të kishte ndodhur me të vërtetë, do të krijonte për ne një problem të rëndë moral. Ne duhet të jemi imitues të karakterit moral të Perëndisë (Lev. 11:44; Luka 6:36; Efe. 5:1; 1 Pjetrit 5:1, etj.). Pali thotë: përderisa në natyrën tonë të re ne po bëhemi më shumë si Perëndia (Efe. 4:24), ne duhet që të “lëmë mënjanë gënjeshtrën” dhe “secili të flasë të vërtetën me të afërmin e tij” njëri tjetrit (v. 25). Ne duhet që të imitojmë vërtetësinë e Perëndisë në të folurin tonë. Megjithëkëtë, nëse teoria e përshtatshmërisë është e saktë, atëherë Perëndia bëri qëllimisht pohime rastësore të pavërteta me qëllim për të përmirësuar komunikimin. Për rrjedhojë, a nuk do të ishte gjithashtu e drejtë për ne që qëllimisht të bëjmë pohime rastësore të pavërteta kurdoherë që kjo do të rriste komunikimin? Por kjo do të ishte e barasvlershme me thënien që një e pavërtetë e vogël e thënë për një qëllim të mirë (“një gënjeshtër pa zarar”) nuk është gjë e gabuar. Një qëndrim i tillë, i kontradiktuar nga pasazhe të Shkrimit të cituara më lart për sa i takon vërtetësisë totale të Perëndisë në të folur, nuk mund të pretendohet se është i vlefshëm.

5. Pagabueshmëria mbithekson aspektin hyjnor të Shkrimit dhe shpërfill aspektin njerëzor. Ky kundërshtim më i përgjithshëm bëhet nga ata të cilët pretendojnë se njerëzit të cilët mbrojnë pagabueshmërinë, i theksojnë kësisoj aspektet hyjnore të Shkrimit saqë ato minimizojnë aspektet njerëzore të tij.

Është rënë dakord që ka edhe një aspekt njerëzor edhe një aspekt hyjnor, dhe që ne duhet t’i kushtojmë vëmendjen e duhur secilit. Sidoqoftë, ata që ngrenë një kundërshtim të tillë, pothuajse në mënyrë të pashmangshme vazhdojnë të këmbëngulin që aspektet me të vërtetë “njerëzore” të Shkrimit, duhet të përfshijnë praninë e disa gabimeve në Shkrim. Ne nuk mund të përgjigjemi duke thënë se paçka se Bibla është tërësisht njerëzore në kuptimin që qe shkruar nga njerëzit duke përdorur gjuhën e tyre, veprimtaria e Perëndisë në mbikëqyrjen e shkrimit të Biblës dhe në bërjen e tij që të jetë gjithashtu fjalët e Tij, do të thotë se Bibla është ndryshe nga shumë prej shkrimeve të tjera njerëzore në pikërisht këtë aspekt: ajo nuk përmban gabime. Ky është ekzaktësisht argumenti që ngre madje edhe Balaami i mëkatshëm, tafmaqar dhe i pabindur, tek “Numrat” 23:19: E folura e Perëndisë përmes qenieve njerëzore, është ndryshe nga e folura e zakonshme e njerëzve për shkak se “Perëndia nuk është një njeri që mund të gënjejë.” Për më tepër, thjesht nuk është e vërtetë që e tërë e folura dhe shkrimet e njerëzve përmbajnë gabime, për shkak se ne bëjmë me dhjetëra deklarata çdo ditë që janë tërësisht të sakta. Për shembull: “Mua më quajnë Uejn Grudem.” “Unë kam tre fëmijë.” “Sot hëngra mëngjes.”

6. Në Bibël ka disa gabime ashiqare. Ky kundërshtim i fundit, sipas të cilit, në Bibël ka disa gabime ashiqare, ose thuhet hapur, ose nënkuptohet nga pjesa më e madhe e atyre që mohojnë pagabueshmërinë, dhe për shumë prej tyre, bindja që ka disa gabime aktuale në Shkrime, është një faktor madhor në bindjen ndaj tyre për të sfiduar doktrinën e pagabueshmërisë.

Sido që të jetë, përgjigjja e parë që duhet t’u jepet këtyre kundërshtimeve, është të pyesim se ku janë këto lloj gabimesh. Në cilin varg apo vargje specifike shfaqen këto gabime? Është për t’u habitur se sa shpesh shikohet se ngrihet ky kundërshtim nga njerëzit që dinë pak apo aspak se ku janë këto gabime specifike, por që besojnë se ka gabime sepse kështu u kanë thënë të tjerët.

Në raste të tjera ama, njerëzit do të përmendin një apo më shumë pasazhe specifike ku ata pretendojnë se ka një deklaratë të rreme në Shkrim. Në këto raste, është e rëndësishme që ne të shikojmë vetë tekstin biblik, dhe ta marrim në shqyrtim me shumë kujdes. Nëse besojmë se Bibla është me të vërtetë e pagabueshme, duhet të jemi të zellshëm dhe padyshim të mos kemi frikë t’i shqyrtojmë këto tekste në detaje të hollësishme. Faktikisht, pritshmëria jonë do të jetë që një shqyrtim nga afër do të konkludonte se atje nuk ka asnjë gabim. Edhe një herë e theksoj se është për t’u habitur se sa shpesh del që me një lexim të kujdesshëm në anglisht të tekstit të pasazhit në fjalë, do gjenden një apo më shumë zgjidhje të mundshme për vështirësinë e hasur.

Në disa pasazhe, mund të mos ketë zgjidhje ndaj vështirësisë së hasur vetëm përmes leximit të tekstit në anglisht. Në këtë pikë, është e dobishme të konsultohesh me disa komentarë mbi atë tekst. Si Agustini (354–430 mbas K.) ashtu dhe Xhon Kalvini (1509–1564), krahas shumë komentarësh të tjerë të kohëve më të fundit, kanë marrë kohë për të trajtuar pjesën më të madhe të “teksteve problematike” të supozuara si dhe për të sugjeruar zgjidhje të mundshme ndaj tyre. Për më tepër, disa shkrues kanë bërë vepra përmbledhëse të të tërë teksteve më të vështira dhe kanë siguruar përgjigje të sugjeruara për to.[67]8

Ka disa tekste ku një njohuri e gjuhës hebraike apo greqishte, mund të jetë e domosdoshme për të gjetur një zgjidhje, dhe atyre që nuk kanë akses të drejtpërdrejtë tek këto gjuhë, mund t’u duhet të gjejnë përgjigje ose nga një komentar më teknik, ose duke pyetur dikë që e ka këtë përgatitje. Sigurisht, kuptimi ynë i Shkrimit nuk është asnjëherë i përsosur, dhe kjo do të thotë se mund të ketë raste kur ne nuk do të jemi në gjendje që të gjejmë një zgjidhje ndaj një pasazhi të vështirë në kohën e tashme. Kjo mund të ndodhë për shkak se provat gjuhësore, historike apo kontekstuale që na duhen me qëllim që të kuptojmë me saktësi pasazhin, tani i kemi të panjohura. Kjo nuk duhet të na shqetësojë në një numër të vogël pasazhesh për sa kohë që vazhda e përgjithshme e hetimit tonë të këtyre pasazheve, ka treguar se faktikisht nuk ka gabime atje ku është supozuar të ketë.[68]9

Por, ndërkohë që ne duhet të lejojmë mundësinë e të qenurit i paaftë për të zgjidhur një problem të caktuar, duhet thënë gjithashtu se ka shumë studiues ungjillorë të Biblës sot, të cilët do të thonin se tani ata nuk dinë ndonjë tekst problematik për të cilin nuk ka një zgjidhje të kënaqshme. Sigurisht që është e mundshme që disa tekste t’u paraqiten për shqyrtim në të ardhmen, por gjatë pak a shumë pesëmbëdhjetë viteve të fundit polemikash mbi pagabueshmërinë biblike, asnjë tekst i tillë i “pazgjidhur” nuk u është parashtruar.[69]10

Në fund, një pikëpamje historike mbi këtë çështje, është e dobishme. Në Shkrim, realisht që nuk ka probleme të “reja”. Bibla në tërësinë e saj është mbi 1,900 vjeçare dhe “problemet tekstuale” të supozuara kanë ekzistuar gjithnjë atje. Megjithëkëtë, përgjatë historisë së kishës, ka ekzistuar një besim i patundur në pagabueshmërinë e Shkrimit në kuptimin në të cilin ai përkufizohet në këtë kapitull. Për më tepër, për këto qindra vjet, studiues tejet kompetentë të Biblës, i kanë lexuar dhe studiuar këto tekste problematike dhe megjithëkëtë, nuk kanë patur vështirësi në besimin tek pagabueshmëria e saj. Kjo duhet të na krijojë bindje që zgjidhjet për këto probleme janë të gjindshme, si dhe që besimi në pagabueshmërinë e Biblës, është tërësisht i përputhshëm me një jetë të tërë vëmendjeje të detajuar ndaj tekstit të Shkrimit.[70]11

C. Probleme me mohimin e pagabueshmërisë

Problemet që dalin me mohimin e pagabueshmërisë biblike, nuk janë të ndjeshme, dhe kur ne kuptojmë madhësinë e këtyre problemeve, kjo na inkurajon edhe më tej që jo vetëm të mbajmë anën e pagabueshmërisë, por që gjithashtu të pohojmë rëndësinë që ajo ka për kishën. Disa prej këtyre problemeve më serioze, janë renditur këtu.

1. Po qe se ne mohojmë pagabueshmërinë, do të përballemi me një problem të rëndë e serioz: A mundet që ne të imitojmë Perëndinë dhe qëllimisht të gënjejmë edhe në çështje të parëndësishme? Kjo është e ngjashme me argumentin e parashtruar si përgjigje ndaj kundërshtimit nr. 4 më lart, por këtu ajo gjen zbatim vetëm tek ata që përkrahin kundërshtimin nr. 4 por më gjerësisht, të tërë atyre që mohojnë pagabueshmërinë. “Efesianëve” 5:1 na thotë që të bëhemi imitues të Perëndisë. Por një mohim i pagabueshmërisë pavarësisht se ende mund të pretendohet që fjalët e Shkrimit janë të frymëzuara nga Perëndia, do të nënkuptonte që Perëndia qëllimisht na foli në disa prej pohimeve më pak qendrore të Shkrimit. Por, nëse për Perëndinë kjo nuk është problem për t’u bërë, si mund të jetë atëherë e gabuar për ne? Një linjë e tillë arsyetimi, po qe se do ta besonim, do të ushtronte një trysni të fortë ndaj nesh për të filluar të flisnim të pavërteta në situata ku kjo mund të duket se na ndihmon për të komunikuar më mirë e kështu me radhë. Kjo pozitë do ishte një e tatëpjetë gjithnjë e më e rrëpirë, me rezultate gjithnjë e më shumë negative në jetën tonë.

2. Nëse pagabueshmëria mohohet, ne fillojmë të pyesim veten nëse me të vërtetë mund t’i besojmë Perëndisë në gjithçka që Ai thotë. Sapo të bindemi që Perëndia na ka folur me të pavërteta në disa çështje të parëndësishme në Shkrim, atëherë ne do ta merrnim këtë sikur Perëndia është i aftë për të na folur me të pavërteta. Kjo gjë do të ketë një ndikim të dëmshëm mbi aftësinë tonë për t’i besuar fjalëve të Perëndisë, për t’i zënë Atij besë të plotë apo për t’iu bindur Atij tërësisht në pjesën tjetër të Shkrimit. Do të fillojmë të mos i bindemi fillimisht atyre seksioneve të Shkrimit të cilat janë të fundit që ne dëshirojmë t’u bindemi, dhe fillimisht të mos u zëmë besë atyre seksioneve për të cilat kemi më pak prirje për t’i besuar. Por një procedurë e tillë në fund do të zgjerohet, duke i shkaktuar një dëm të madh jetës tonë shpirtërore. Sigurisht, një rënie në mirëbesimin dhe bindjen ndaj Shkrimit, nuk është e thënë të ndodhë në jetën e çdo individi që mohon pagabueshmërinë, por padyshim që do të jetë një ndodhi e përgjithshme, dhe do të jetë vazhda e shfaqur gjatë jetës së një brezi të tërë që e mësojnë të mohojë pagabueshmërinë.

3. Po qe se e mohojmë pagabueshmërinë, në thelb jemi thjesht duke e bërë mendjen tonë njerëzore një standard më të lartë nga ç’është Fjala e Perëndisë Vetë. Ne e përdorim mendjen tonë për të ushtruar gjykim mbi disa seksione të Fjalës së Perëndisë dhe për të shpallur se ato janë të gabuara. Por kjo, praktikisht është njëlloj sikur të thuash që ne e njohim të vërtetën më me siguri dhe më me saktësi në krahasim me Fjalën e Perëndisë (apo me Perëndinë), të paktën në këto fusha. Një procedurë e tillë, e bërjes së mendjes tonë një standard me i lartë i të vërtetës sesa ç’është Fjala e Perëndisë, është rrënja e të gjitha mëkateve intelektuale.[71]12

4. Po qe se ne e mohojmë pagabueshmërinë, atëherë ne duhet që gjithashtu të themi që Bibla është në gabim jo vetëm në detaje të parëndësishme por edhe në disa prej doktrinave të saj. Mohimi i pagabueshmërisë do të thotë që ne themi që mësimi i Biblës rreth natyrës së Shkrimit dhe rreth vërtetësisë dhe besueshmërisë së fjalës së Perëndisë, është gjithashtu i pavërtetë. Këto nuk janë detaje të parëndësishme por çështje madhore doktrinare të Shkrimit.[72]13

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Si e shpjegon ti që debati rreth pagabueshmërisë, është bërë një çështje kaq e rëndësishme në këtë shekull? Përse njerëzit nga të dyja anët e debatit mendojnë se kjo është e rëndësishme?

2.     Nëse do të mendoje se ekzistojnë disa gabime të vogla të afirmuara nga Shkrimi, si mendon se kjo do të ndikonte tek mënyra se si ti lexon Shkrimin? A do të ndikonte tek meraku yt për vërtetësinë e bisedave të përditshme?

3.     A di ndonjë tekst të Shkrimit që duket se përmban gabime? Cili është? A je përpjekur të zgjidhësh paqartësinë në ato tekste? Nëse ndonjë teksti nuk i ke gjetur zgjidhje, çfarë hapash të tjerë mund të provosh?

4.     Ndërkohë që të krishterët e kalojnë jetën duke mësuar se si ta njohin më mirë Biblën e tyre dhe duke u rritur në pjekurinë e krishterë, a kanë ata prirje t’i besojnë më shumë apo më pak Biblës? Në parajsë, a mendon se do ta besosh se Bibla është e pagabueshme? Nëse po, a do ta besoje me më shumë apo pak vendosmëri në krahasim me tani?

5.     Po qe se je i bindur që Bibla na mëson doktrinën e pagabueshmërisë, ç’mendim ke ti vetë për të? A je i gëzuar që ekziston në të një mësim i tillë, apo të duket se është kthyer në një barrë e të cilën nuk do të preferoje ta mbroje?

6.     Besimi në pagabueshmërinë e Biblës, a garanton një doktrinë të shëndoshë dhe një jetë të shëndoshë të krishterë? Si munden Dëshmitarët e Jehovait të thonë që Bibla është e pagabueshme ndërkohë që ata vetë kanë kaq shumë mësime të rreme?

7.     Nëse bie dakord me pagabueshmërinë, a mendon se besimi në pagabueshmërinë duhet të jetë një kërkesë e domosdoshme për anëtarësinë në kishë? Për të dhënë mësim në shkollën e të dielës? Për mbajtjen e një posti kishtar si p.sh. të një plaku apo dhjaku? Për t’u caktuar pastor? Për të dhënë mësim në një seminar teologjik? Përse po ose përse jo?

8.     Kur në kishë hapet një polemikë doktrinare, cilat janë rreziqet personale me të cilat përballen ata pozicioni i të cilëve është më tepër në linjë me Shkrimin? Veçanërisht, si mundet që krenaria për një doktrinë të saktë të kthehet në një problem? Cila është zgjidhja për këtë? A mendon se pagabueshmëria e Biblës është një çështje e rëndësishme për të ardhmen e kishës? Përse po ose përse jo? Si mendon se do të zgjidhet kjo gjë?

TERMA TË VEÇANTË

autograf

besimi dhe praktika

        KNSB

e pagabueshme

e saktë

variante tekstuale

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

 (Në këtë seksion, kur u referohemi disa veprave të rëndësishme më të hershme të cilat nuk përfshijnë një diskutim specifik mbi pagabueshmërinë, unë kam renditur faqet ku ato diskutojnë përgjithësisht autoritetin biblik. Në këto raste, faqet këtu dublikojnë listimet e kapitullit 4 rreth autoritetit të Shkrimit.)

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 18–40

1930 Thomas, 500–501

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:36–192

1892–1894 Miley, 2:41–49

1940 Wiley, 1:166–184

1960 Purkiser, 66–80

3. Baptiste

1767 Gill, 11–18

1907 Strong, 222–242

1917 Mullins, 142–144, 150–153

1976–1983 Henry, 3:248–487; 4:129–255, 353–404

1983–1985 Erickson, 221–240

1987–1994 Lewis/Demarest, 1:93–171

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 1:63–88

1949 Thiessen, 105–115

1986 Ryrie, 77–104

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:232–265, 338–349

1934 Mueller, 101–137

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:74–92

1871–1873 Hodge, 1:163–182

1878 Dabney, DET 1:282–313, 466–481

1887–1921 Warfield, IAB aty këtu

1889 Shedd, 1:93–110

1937–1966 Murray, CW 1:9–15; CW 4:22–29

1938 Berkhof, Intro 144–165, 182–186

7. Ripërtëritja (apo karizamatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:36–43

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott (pa trajtim të hollësishëm)

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:64

Vepra të tjera

(Shiko gjithashtu bibliografinë e kapitullit 4, “Autoriteti,” një pjesë e mirë e të cilit është me lidhje edhe këtu, por që vetëm një pjesë e tij është listuar përsëri.)

Archer, Gleason. Enciklopedia e Vështirësive të Biblës (Encyclopedia of Bible Difficulties). Grand Rapids: Zondervan, 1982.

Arndt, W. Vështirësitë e Biblës (Bible Difficulties). St. Louis: Concordia, 1932.

_______. (A e Kontradikton Bibla Veten (Does the Bible Contradict Itself)? St. Louis: Concordia, 1955.

Boice, James, red. Themeli i Autoritetit të Biblës (The Foundation of Biblical Authority). Grand Rapids: Zondervan, 1978.

Carson, D.A., dhe John Woodbridge, red. Hermenautikat, Autoriteti dhe Kanoni (Hermeneutics, Authority, and Canon). Grand Rapids: Zondervan, 1986.

_______. Shkrimi dhe e Vërteta (Scripture and Truth). Grand Rapids: Zondervan, 1983.

Feinberg, Paul. “Bibla, Pagabueshmëria dhe Saktësia (Bible, Inerrancy and Infallibility of).” Tek EDT fq. 141–145.

Geisler, Norman, red. Pagabueshmëria Biblike: Një Analizë e Rrënjëve të Saj Filozofike (Biblical Errancy: An Analysis of Its Philosophical Roots). Grand Rapids: Zondervan, 1981.

_______. red. Pagabueshmëria (Inerrancy). Grand Rapids: Zondervan, 1979 (kumtesa nga Konferenca e Çikagos e Tetorit 1978 e KNSB).

Haley, John W. Papërputhmëri të Supozuara të Biblës (Alleged Discrepancies of the Bible). Bot. i rishtypur. Grand Rapids: Baker, 1977 (botuar fillimisht më 1874).

Lindsell, Harold. Beteja për Biblën (The Battle for the Bible). Grand Rapids: Zondervan, 1976.

_______. Bibla në Peshore (The Bible in the Balance). Grand Rapids: Zondervan, 1979.

Montgomery, John W., red. Fjala e Pagabueshme e Perëndisë (God’s Inerrant Word). Minneapolis: Bethany Fellowship, 1974.

Packer, J.I. “Shkrimi (Scripture).” Tek FRT fq. 627–631.

_______. “Pagabueshmëria dhe Saktësia e Biblës (Infallibility and Inerrancy of the Bible).” Tek FRT 337–339.

Schaeffer, Francis. Pa Konflikt Final: Bibla pa Gabime në Gjithçka që Pohon (No Final Conflict: The Bible Without Error in All That It Affirms). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1975.

Warfield, B.B. Frymëzim i Kufizuar (Limited Inspiration). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1962.

Woodbridge, John. Autoriteti Biblik: Një kritikë e Pandehmës së Rogers/McKim (Biblical Authority: A Critique of the Rogers/McKim Proposal). Grand Rapids: Zondervan, 1982.

Young, Edward J. Fjala Jote Është e Vërteta (Thy Word Is Truth). Grand Rapids: Eerdmans, 1957.

Vepra nga një pikëpamje e pagabueshmërisë (Shiko gjithashtu bibliografinë për kapitullin 4.)

Barr, James. Fondamentalizmi (Fundamentalism). London: SCM, 1977.

Beegle, Dewey M. Shkrimi, Tradita dhe Pagabueshmëria (Scripture, Tradition, and Infallibility). Grand Rapids: Eerdmans, 1973.

Davis, Stephen T. Debati rreth Biblës (The Debate About the Bible). Philadelphia: Westminster, 1977.

McKim, Donald K., red. Fjala Autoritare: Ese mbi Natyrën e Shkrimit (The Authoritative Word: Essays on the Nature of Scripture). Grand Rapids: Eerdmans, 1983.

Rogers, Jack, red. Autoriteti Biblik (Biblical Authority). Waco, Tex.: Word, 1977.

Rogers, Jack B., dhe Donald K. McKim. Autoriteti dhe Interpretimi i Biblës: Një Qasje Historike (The Authority and Interpretation of the Bible: An Historical Approach). San Francisco: Harper and Row, 1979.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Psalmi” 12:6: Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i kulluar në një furrë dheu, i pastruar shtatë herë.

HIMN

“LIGJI I ZOTIT ËSHTË I PËRSOSUR (THE LAW OF THE LORD IS PERFECT”

Ky orkestrim modern i “Psalmit” 19:7–11 shpreh në mënyra të ndryshme përsosmërinë e Fjalës së Perëndisë, si dhe tregon aspekte të ndryshme të zbatimit të tij në jetën tonë.

Ligji i Zotit është i përsosur,

ai e përtërin shpirtin.

Dëshmia e Zotit është e vërtetë,

dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Refreni:

janë më të dëshirueshme se ari,

po, më tepër se shumë ar i kulluar;

janë më të ëmbla se mjalti,

nga ai që del nga hojet.

Porositë e Zotit janë të drejta

dhe e gëzojnë zemrën;

urdhërimet e Zotit janë te pastra

dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër,

mbetet përjetë;

gjykimet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha janë të drejta;

Autori: Anonim (nga “Ps.” 19:7–11)

Pen
>