General
Text

Kapitulli 49: Pagëzimi

Lesson 51 Chapter 6 Module 8

Pagëzimi

Kush duhet të pagëzohet? Si duhet bërë pagëzimi? Çfarë nënkupton ai?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Në këtë kapitull si dhe në tjetrin, ne trajtojmë pagëzimin si dhe Darkën e Zotit, të cilat janë dy ceremonitë që Jezusi urdhëroi kishën e Tij që të kryente. Por përpara se të fillojmë me shqyrtimin e secilës prej tyre, duhet të vërejmë se ka një mosmarrëveshjeje mes Protestanëve edhe për sa i takon termit të përgjithshëm që duhet t’u vihet atyre. Për shkak se Kisha Katolike Romake i quan këto dy ceremoni “sakramente,” dhe për shkak se Kisha Katolike mëson se këto sakramente në vetvete aktualisht tejçojnë hirin tek njerëzit (pa kërkuar besim nga personat që marrin pjesë në to), disa Protestantë (veçanërisht Baptistët) kanë refuzuar t’i referohen pagëzimit dhe Darkës së Zotit si “sakramente.” Ata kanë preferuar fjalën ordinancë. Ky u gjykua si një term i përshtatshëm për shkak se pagëzimi dhe Darka e Zotit u “urdhëruan (ordinuan)” nga Krishti.[19]1 Nga ana tjetër, Protestantë të tjerë si ata të traditës Anglikane, Luteriane dhe të Reformuar, kanë qenë të gatshëm që të përdorin fjalën “sakramente” për t’iu referuar pagëzimit dhe Darkës së Zotit, pa përkrahur me këtë pozitën e Katolicizmit Romak.

Këtu nuk duket se ka ndonjë problem me ndonjë gjë të rëndësishme në çështjen e nëse pagëzimi dhe Darka e Zotit do të quhen “ordinanca” apo “sakramente.” Përderisa Protestantët të cilët i përdorin të dyja këtë fjalë, e shpjegojnë qartësisht se çfarë nënkuptojnë me to, polemika nuk është edhe aq mbi doktrinën por mbi kuptimin e një fjale në anglisht. Nëse jemi të gatshëm që të shpjegojmë me qartësi atë që donim të thonim, duket se nuk bën ndonjë ndryshim nëse e përdorim fjalën sakrament apo jo.[20]2 Në këtë tekst, kur i referohemi pagëzimit dhe Darkës së Zotit në mësimin e Protestantizmit, unë do të përdor edhe “ordinancë” edhe “sakrament” në mënyrë të ndërkëmbyeshme, dhe do t’i konsiderojë ato si fjalë me kuptime sinonime.

Përpara se të filloj diskutimin e pagëzimit, ne duhet të kuptojmë se historikisht e edhe sot e kësaj dite, ka një dallim të fortë në pikëpamje ndër të krishterët ungjillor në lidhje me këtë temë. Pozita e advokuar në këtë libër, është se pagëzimi nuk është një doktrinë “madhore” e cila duhet të jetë baza e ndasisë ndër të krishterët e mirëfilltë,[21]3 por është gjithsesi një çështje me rëndësi për jetën e zakonshme kishtare, dhe është me vend që ne t’i bëjmë një shqyrtim të plotë.

Pozita që mbrohet në këtë kapitull, është “Baptiste—konkretisht, që pagëzimi administrohet siç duhet vetëm ndaj atyre që bëjnë një shpallje të besueshme të besimit të tyre tek Jezus Krishti. Gjatë diskutimit, do të ndërveprojmë veçanërisht me paedobaptistët (“pagëzuesit e foshnjave”) me pozitën që mbrohet nga Louis Berkhof tek Teologjia Sistematike (Systematic Theology) e tij, përderisa ky është një prezantim i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm i pozitës paedobaptiste dhe është në një tekst të përdorur gjerësisht të teologjisë sistematike.

A. Mënyra dhe kuptimi i pagëzimit

Praktika e pagëzimit në Besëlidhjen e Re, zbatohej në një mënyrë: personi i pagëzuar zhytej apo futej tërësisht nën ujë, dhe pastaj nxirrej sërish. Pagëzimi përmes zhytjes për rrjedhojë është “mënyra” e pagëzimit apo është mënyra në të cilën pagëzimi u krye në Besëlidhjen e Re. Kjo është evidente për arsyet e mëposhtme:

(1) Fjala greqisht βαπτίζω (G966) do të thotë “të biesh këlltum, kridhesh, zhytësh” diçka në ujë. Ky është kuptimi i njohur zakonisht dhe ai standard i termit të marrë nga literatura e lashtë greke si brenda ashtu edhe jashtë Biblike.[22]4

(2) Kuptimi “zhys” është i përshtatshëm dhe me shumë mundësi i kërkuari për fjalën në disa pasazhe të Besëlidhjes së Re. Tek “Marku” 1:5, njerëzit u pagëzuan nga Gjoni “në lumin Jordan” (teksti greqisht e ka ἐν, G1877, “në,” dhe jo “në krah” apo “anash” apo “pranë” lumit).[23]5 Marku gjithashtu na thotë se pasi Jezusi u pagëzua “kur po dilte nga uji” (Marku 1:10). Teksti greqisht specifikon që Ai doli “prej” (ἐκ, G1666) ujit, e jo se Ai u largua prej tij (kjo do të shprehej nga fjala greqisht ἀπό, G608). Fakti që Gjoni dhe Jezusi u futën në lumë dhe dolën prej tij, sugjeron me forcë për zhytjen në ujë, përderisa spërkatja apo derdhja e ujit do të mund të qe bërë më lehtësisht duke qëndruar në anë të lumit, veçanërisht për shkak se turma njerëzish po vinin për t’u pagëzuar. Ungjilli i Gjonit na thotë më tej se Gjon Pagëzori “gjithashtu pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë” (Gjoni 3:23). Përsëri, nuk do të duhej “shumë ujë” për t’i pagëzuar njerëzit me spërkatje, por do të duhej shumë ujë për të pagëzuar me zhytje.

Pasi Filipi kishte ndarë ungjillin me eunukun etiopian, “ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: "Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?”’ (Veprat 8:36). Me sa duket, asnjë prej tyre nuk mendoi se spërkatja apo derdhja e një dore uji nga ena me ujë të pijshëm e cila do të mund të ishte ngarkuar në karrocë, do të mjaftonte për të kryer pagëzim. Por ja që përkundrazi, ata pritën derisa të kishte një masiv ujor branë rrugës. Pastaj “urdhëroi të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi. Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me gëzim” (Veprat 8:38–39). Si në rastin e Jezusit, ky pagëzim ndodhi kur Filipi dhe eunuku zbritën në masivin ujor, dhe pas pagëzimit ata dolën nga ai masiv ujor. Edhe një herë tjetër pagëzimi me zhytje është i vetmi shpjegim bindës i këtij tregimi.[24]6

(3) Simbolika e bashkimit me vdekjen, varrimin dhe ringjalljen e Krishtit, duket se kërkon një pagëzim me zhytje. Pali thotë:

A nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës. (Rom. 6:3–4)

Po kështu, Pali u thotë kolosianëve: “Të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë me të, përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë, që e ka ringjallur prej së vdekurish” (Kol. 2:12).

Tani, kjo e vërtetë është simbolizuar në mënyrë të qartë në pagëzimin përmes zhytjes. Kur kandidati për pagëzim zhytet në ujë, kjo është një ilustrim i zbritjes në varr dhe i varrosjes aty. Dalja prej ujit është pastaj një ilustrim i ngjalljes me Krishtin për të ecur në risinë e jetës. Kësisoj, pagëzimi ilustron qartësisht vdekjen e mënyrës së vjetër të jetës dhe ringjalljen tek një mënyrë e re e jetës në Krishtin. Por, pagëzimi përmes spërkatjes apo derdhjes, thjesht nuk e përmban këtë simbolikë.[25]7

Nganjëherë ngrihet kundërshtia se gjëja thelbësore e simbolizuar në pagëzim, nuk është vdekja dhe ringjallja me Krishtin por pastrimi dhe larja nga mëkatet. Padyshim që është e vërtetë që uji është një simbol evident i larjes dhe pastrimit, dhe ujërat e pagëzimit vërtetë simbolizojnë larjen dhe pastrimin nga mëkatet nga njëra anë, dhe vdekjen dhe ringjalljen me Krishtin nga ana tjetër. “Titit” 3:5 flet për “larjen e rilindjes” dhe, edhe pse fjala pagëzim nuk përdoret në këtë tekst, është padyshim e vërtetë që ka një pastrim nga mëkati që ndodh në kohën e kthimit në besim. Anania i tha Saulit: “Çohu dhe pagëzohu dhe lahu nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit” (Veprat 22:16).

Por të thuash që larja e mëkateve është e vetmja gjë (apo gjëja më thelbësore) e ilustruar tek pagëzimi, kjo nuk është se paraqet me besnikëri mësimin e Besëlidhjes së Re. Si larja ashtu edhe vdekja dhe ringjallja me Krishtin janë simbolizuar tek pagëzimi, por “Romakëve” 6:1–11 dhe “Kolosianëve” 2:11–12 theksojnë në mënyrë të qartë vdekjen si dhe ringjalljen me Krishtin. Edhe larja simbolizohet në një mënyrë shumë më të efektshme përmes, zhytjes sesa përmes spërkatjes apo derdhjes së ujit përsipër. Gjithashtu edhe vdekja dhe ringjallja me Krishtin simbolizohen vetëm nga zhytja e aspak nga spërkatja apo derdhja e ujit përsipër.

Cili është atëherë kuptimi pozitiv i pagëzimit? Mes gjithë diskutimit mbi mënyrën e pagëzimit si dhe polemikave mbi kuptimin e tij, është e lehtë për të krishterët që të humbin nga sytë rëndësinë dhe bukurinë e pagëzimit dhe të tregojmë mospërfillje ndaj bekimeve të jashtëzakonshme që shoqërojnë këtë ceremoni. Të vërtetat e mahnitshme të kalimit përmes ujërave të gjykimit në mënyrë të sigurt, të të vdekurit dhe të ringjallurit me Krishtin, e larjen e mëkateve tona, janë të vërteta madhështore dhe të përjetshme dhe duhet të përbëjnë një rast për t’i dhënë lavdi të madhe e lavdërim Perëndisë. Nëse kishat do t’i paraqisnin këto të vërteta në mënyrë më të qartë, pagëzimet do të përbënin rast për më shumë bekime në kishë.

B. Subjektet e pagëzimit

Modeli i cili zbulohet në disa vende të Besëlidhjes së Re, është se vetëm ata që bëjnë një shpallje të besueshme të besimit duhet të pagëzohen. Kjo pikëpamje shpesh herë quhet “pagëzimi i besimtarëve,” përderisa sipas saj, vetëm ata që kanë besuar tek Krishti (apo, më saktësisht, ata që kanë dhënë prova të arsyeshme të besimit në Krisht) duhet të pagëzohen. Kjo është për shkak se pagëzimi, që është një simbol i fillimit të jetës së krishterë, duhet t’u bëhet vetëm atyre që kanë filluar faktikisht jetën e krishterë.

1. Argument nga pasazhet Besëlidhjes së Re të cilat bëjnë fjalë për pagëzimin. Shembujt e tregimit të atyre të cilët u pagëzuan sugjerojnë se pagëzimi u administrua vetëm për ata që bënin një shpallje të besueshme të besimit. Pas predikimit të Pjetrit në ditën e Rrëshajës, lexojmë: “Ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan” (Veprat 2:41). Teksti specifikon që pagëzimi u administrua ndaj atyre të cilët “e pranuan fjalën e tij” dhe për rrjedhojë besuan në Krishtin për shpëtimin.[26]8 Në mënyrë të ngjashme, kur Filipi predikoi ungjillin në Samari, lexojmë: “Kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, u pagëzuan burra dhe gra” (Veprat 8:12). Po kështu, kur Pjetri u predikoi johebrenjve në shtëpinë e Kornelit, ai lejoi pagëzimin për ata të cilët kishin dëgjuar Fjalën dhe që morën Frymën e Shenjtë—d.m.th., për ata që kishin dhënë prova bindëse të një pune të brendshme rigjenerimi. Ndërkohë që Pjetri po predikonte: “Fryma e Shenjtë ra mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën” dhe Pjetri dhe shoqëruesit e tij “i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë” (Veprat 10:44–46). Përgjigjja e Pjetrit ishte që pagëzimi është i përshtatshëm për ata që kanë marrë punën rigjeneruese të Frymës së Shenjtë: “A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që morën Frymën e Shenjtë si edhe ne?” Pastaj Pjetri “urdhëroi ata të pagëzoheshin në emër të Zotit” (Veprat 10:47–48). Qëllimi i këtyre tre pasazheve është se pagëzimi u jepet siç duhet atyre të cilët kanë marrë ungjillin dhe i besuan Krishtit për shpëtimin. Ka edhe tekste të tjera të cilat gjithashtu e nënkuptojnë këtë—“Veprat” 16:14–15 (Lidia dhe familja e saj, pasi “Zoti ia hapi zemrën” që të besonte); “Veprat” 16:32–33 (familja e gardianit filipian, pasi Pjetri i predikoi “fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij”); dhe “1 Korintasve” 1:16 (familja e Stefanit), por këto do të diskutohen më plotësisht më poshtë kur të shikojmë çështjen e “pagëzimit të familjes.”

2. Argumenti bazuar tek kuptimi i pagëzimit. Plus këtyre treguesve nga tregimet e Besëlidhjes së Re që pagëzimi pasonte gjithnjë besimin shpëtues, ka një konsideratë të dytë sipas të cilës për pagëzimin e besimtarëve: simboli i jashtëm i fillimit të jetës së krishterë duhet t’u jepet vetëm atyre të cilët tregojnë prova të të paturit filluar jetën e krishterë. Autorët e Besëlidhjes së Re shkruan sikur të kishin supozuar në mënyrë të qartë që kushdo që pagëzohej i kishte gjithashtu besuar personalisht Krishtit dhe se kishte përjetuar shpëtimin. Për shembull, Pali thotë: “Sepse sa veta u pagëzuat në Krishtin, Krishtin keni veshur” (Gal. 3:27). Pali këtu supozon se pagëzimi është shenja e jashtme e rigjenerimit të brendshëm. Kjo thjesht nuk do të kishte qenë e vërtetë për foshnjat. Pali nuk do mund të kishte thënë: “Të gjithë foshnjat që janë pagëzuar në Krishtin kanë veshur Krishtin,” sepse foshnjat nuk kanë arritur në besimin shpëtues e as kanë dhënë ndonjë provë të rigjenerimit.[27]9

Pali flet në të njëjtën mënyrë tek “Romakëve” 6:3–4: “A nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje.” A mundet që Pali ta ketë thënë këtë për foshnjat?[28]10 A mundet ai që të ketë thënë se “të tërë foshnjat të cilat janë pagëzuar në Jezus Krishtin u pagëzuan në vdekjen e Tij” dhe “u varrosën për rrjedhojë me Të përmes pagëzimit në vdekje, në mënyrën që ashtu si Krishti, të ringjalleshin prej së vdekuri”? Por nëse Pali nuk do mund t’i kishte thënë ato gjëra rreth foshnjave, atëherë ata të cilët advokojnë pagëzimin e foshnjave duhet të thonë se pagëzimi do të thotë diçka ndryshe për foshnjat nga ajo që Pali thotë se do të thotë sepse “për të tërë ne të cilët jemi pagëzuar në Jezus Krishtin.” Ata të cilët argumentojnë për pagëzimin e foshnjave, në këtë pikë i kthehen asaj që mua më duket të jetë një gjuhë e mjegullt rreth foshnjave të cilët birësohen “në besëlidhje” apo “në komunitetin besëlidhor,” por Besëlidhja e Re nuk flet në atë mënyrë për pagëzimin. Përkundrazi thotë se të tërë ata që janë pagëzuar me Krishtin, janë ngritur me Të dhe kanë veshur Krishtin.

Një argument i ngjashëm mund të ngrihet nga “Kolosianëve” 2:12: “Të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë me të, përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë, që e ka ringjallur prej së vdekurish.” Por nuk mund të thuhet për foshnjat që ato u varrosën me Krishtin, apo që u ringjallën me Të nëpërmjet besimit, përderisa ato ende nuk ishin aq në moshë sa të ushtronin besim për veten e tyre.

3. Alternativa Nr. 1: Pikëpamja Katolike Romake. Kisha Katolike Romake jep mësim që pagëzimi duhet t’u administrohet foshnjeve.[29]11 Arsyeja për këtë është që Kisha Katolike beson se pagëzimi është i domosdoshëm për shpëtimin dhe se vetë veprimi i pagëzimit shkakton rigjenerim. Për rrjedhojë, sipas kësaj pikëpamjeje, pagëzimi është një mënyrë përmes të cilës kisha akordon hir shpëtues tek njerëzit. Kështu, nëse pagëzimi është ky lloj kanali i hirit shpëtues, ai i duhet dhënë të tërë njerëzve.

Ludvig Ot (Ludwig Ott), në librin e tij Themelet e Dogmës Katolike (Fundamentals of Catholic Dogma)[30]12 jep shpjegimet e mëposhtme:

Pagëzimi është ai sakrament në të cilin personi që lahet me ujë në emër të Tri Personave Hyjnorë, rilind frymërisht. (f. 350; Ott-i jep “Gjonin” 3:5; “Titit” 3:5; dhe “Efe.” 5:26 në mbështetje të kësaj deklarate)

Pagëzimi, me kusht që dispozitat e duhura (Besimi dhe pikëllimi për mëkatin) të jenë të pranishme, cek: a) çrrënjosjen e mëkateve, si të mëkatit fillestar, ashtu edhe në rastin e të rriturve, gjithashtu mëkate vetjake, vdekjeprurëse apo të falshme; b) shenjtërimin e brendshëm përmes infuzionit të hirit shenjtërues. (f. 354)

Edhe nëse merret në mënyrë të padenjë, pagëzimi i vlefshëm ngulit në shpirtin e marrësit një shenjë frymërore të pashlyeshme, Karakteri Pagëzues....Personi i pagëzuar është ndërkallur përmes Karakterit Pagëzues, në Trupin Mistik të Krishtit....Çdo person i pagëzuar në mënyrë të vlefshme, madje edhe dikush i pagëzuar jashtë Kishës Katolike, bëhet pjesëtar i Një Kishe të Shenjtë Katolike dhe Apostullore. (f. 355)

Ott-i vazhdon duke shpjeguar se pagëzimi është i domosdoshëm për shpëtim dhe se duhet të kryhet vetëm prej priftërinjve:

Pagëzimi me ujë...është, që prej shpalljes së Ungjillit, i domosdoshëm për të tërë njerëzit pa përjashtim për shpëtim. (f. 356)[31]13

Ott-i shpjegon se, ndërkohë që pagëzimi zakonisht duhet administruar nga një prift, në rrethana të jashtëzakonshme (si në rastin kur një fëmi është në rrezik vdekjeje shumë shpejt pas lindjes) mund të kryhet nga një dhjak apo një person joklerik. Edhe pagëzimi i kryer nga jobesimtarët mendohet të jetë i vlefshëm sepse Otti-i thotë:

Po, edhe një pagan apo një heretik mund të pagëzojë, me kusht që ai t’i përmbahet profilit të Kishës dhe ka synimin të bëjë atë që kisha bën. (f. 358)

Paçka se foshnjat nuk mund të ushtrojnë vetë besim shpëtues, Kisha Katolike Romake thotë se pagëzimi i foshnjave është i vlefshëm:

Besimi, duke mos qenë kauza efikase e drejtësimit...nuk është e domosdoshme të ekzistojë. Besimi që u mungon foshnjave është ... zëvendësuar nga besimi i Kishës. (f. 359)

Është thelbësore që të kuptojmë pikëpamjen e Katolicizmit Romak mbi pagëzimin, se ajo që Katolikët besojnë, është se sakramentet funksionojnë veçmas besimit të njerëzve që marrin pjesë në sakramente. Nëse është kështu, atëherë rrjedh që pagëzimi do të tejçonte hir edhe tek foshnjat të cilët nuk e kanë aftësinë për të ushtruar besimin. Deklarata të ndryshme në librin e Otit, e bëjnë këtë të qartë:

Kisha Katolike mëson se Sakramentet kanë një efikasitet objektiv, që është një efikasitet i pavarur i dispozitës subjektive i marrësit apo i shërbenjësit.... Sakramentet tejçojnë menjëherë hir, d.m.th., pa ndihmën e besimit shpëtues. (fq. 328–329)

Sakramentet e Besëlidhjes së Re përmbajnë hirin që ato simbolizojnë, dhe ia tejçojnë atë atyre që nuk e pengojnë atë. (f. 328)

Sakramentet punojnë ex opere operato.... Që do të thotë, Sakramentet operojnë përmes fuqisë së ritit të kryer sakramental. (f. 329)[32]14

Formula “ex opere operato” shpall nga ana mohore që hiri sakramental nuk tejçohet për shkak të veprimtarisë subjektive të marrësit, dhe nga ana pohore, që hiri sakramental është shkaktuar nga vlefshmëria e shenjës së operuar sakramentale. (f. 330)

Sidoqoftë, Ott-i bën kujdes që të shpjegojë që mësimi Katolik nuk duhet të interpretohet “në kuptimin e efikasitetit mekanik apo magjik” (f. 330). Ai thotë:

Përkundrazi, në rastin e një marrësi të rritur, besimi kërkohet të jetë në mënyrë të shprehur...gjithsesi dispozita subjektive e marrësit nuk është shkaku i hirit; është thjesht një predispozitë e pazëvendësueshme e tejçimit të hirit...Masa e hirit të ndikuar ex opere operato madje varet nga shkalla e dispozitës subjektive. (f. 330)

Në dhënien e një reagimi ndaj këtij mësimi të Katolicizmit Romak, ne duhet të mos harrojmë që Reformimi u përqendrua mbi këtë çështje. Preokupimi kryesor i Martin Luterit ishte që të jepte mësim që shpëtimi varet vetëm nga besimi, e jo nga besimi plus veprat. Por nëse pagëzimi dhe pjesëmarrja në sakramentet e tjerë, janë të domosdoshëm për shpëtim sepse ato janë të domosdoshëm për marrjen e hirit shpëtues, atëherë shpëtimi është me të vërtetë i bazuar në besim plus veprat. Në kontrast me këtë, mesazhi i qartë i Besëlidhjes së Re është se drejtësimi është vetëm përmes besimit. “Me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret” (Efe. 2:8–9). Për më tepër, “dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme nëpërmjet Krishtit Jezus, Zotit tonë” (Rom. 6:23).

Argumenti i Katolicizmit Romak është që pagëzimi i cili është i domosdoshëm për shpëtimin, është shumë i ngjashëm me argumentin që kundërshtarët e Palit në Galile që thanë se rrethprerja qe e domosdoshme për shpëtimin. Përgjigja e Palit është se ata të cilët kërkonin rrethprerjen janë duke predikuar “një ungjill tjetër” (Gal. 1:6). Ai thotë se “të gjithë ata që janë prej veprave të ligjit janë nën mallkim” (Gal. 3:10), dhe u flet shumë rreptë atyre që përpiqen të shtojnë ndonjë formë bindjeje si parakusht për drejtësim: “Ju që kërkoni të drejtësoheni nëpërmjet ligjit, u ndatë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri” (Gal. 5:4). Për rrjedhojë, ne duhet të dalim në përfundimin se asnjë vepër nuk është e domosdoshme për shpëtim. Për rrjedhojë pagëzimi nuk është i domosdoshme për shpëtim.

Por çfarë mund të themi për “Gjonin” 3:5, “Kush nuk lind nga uji dhe nga Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”? Paçka se disa e kanë kuptuar këtë si një referencë ndaj pagëzimit, ajo kuptohet më mirë e parë në sfondin e premtimit të besëlidhjes së re tek “Ezekieli” 36:

Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t'ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj. Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t'ju jap zemër prej mishi. Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia. (Ezek. 36:25–27)

Ezekieli këtu flet për një larje “frymërore” që do të vijë në ditët e besëlidhjes së re kur Perëndia e vë Frymën e Tij përbrenda popullit të Tij. Në dritën e kësaj, lindja nga uji dhe Fryma është një larje “frymërore” e cila ndodh kur ne rilindemi, ashtu sikurse marrim edhe një “zemër të re” frymërore dhe jo fizike në atë kohë.

Po kështu, “Titit” 3:5 specifikon jo pagëzimin me ujë por “larjen e rilindjes,” duke deklaruar shkoqur se është një dhënie frymërore e jetës së re. Pagëzimi me ujë thjesht nuk përmendet në këtë pasazh. Një larje frymërore e jo me kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, është referuar gjithashtu tek “Efesianëve” 5:26, ku Pali thotë se Krishti e dha Veten për kishën “që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës.” Është Fjala e Perëndisë ajo që kryen larjen të cilës i referohemi këtu, e jo uji fizik.

Sa për pikëpamjen e Katolicizmit Romak sipas të cilës pagëzimi tejçon hirin veçmas dispozitës subjektive të marrësit apo shërbenjësit (një pozitë e cila është e përputhshme me pagëzimin e foshnjave, të cilët nuk ushtrojnë besim për veten), ne duhet të kuptojmë se asnjë shembull i Besëlidhjes së Re nuk ekziston për ta vërtetuar këtë pikëpamje, e gjithashtu nuk ka ndonjë dëshmi nga Besëlidhja e Re që lë të kuptohet kjo gjë. Përkundrazi, tregimi na informon për ata që u pagëzuan e tregon që ata kishin ardhur fillimisht në besimin shpëtues (shiko më sipër). Për më tepër, kur ka deklarata doktrinare rreth pagëzimit, edhe ato lënë të kuptohet gjithashtu nevoja për besim shpëtues. Kur Pali thotë: “Të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë me të,” ai menjëherë specifikon “përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë, që e ka ringjallur prej së vdekurish” (Kol. 2:12).

Së fundi, çfarë mund të thuhet për “1 Pjetrit” 3:21, ku Pjetri thotë: “pagëzimi; na shpëton”? A nuk i jep kjo një mbështetje të qartë pikëpamjes së Katolicizmit Romak që pagëzimi vetë sjell hir shpëtues për marrësit?[33]15 Jo, sepse kur Pjetri e përdor këtë frazë, ai vazhdon në të njëjtën fjali duke shpjeguar me saktësi atë që ai nënkupton me atë gjë. Ai thotë se pagëzimi të shpëton “jo si heqja e pisllëkut nga trupi” (d.m.th. jo si një veprim i jashtëm, fizik i cili lan pisllëkun e trupit—kjo nuk është pjesa që të shpëton), “por si një apel ndaj Perëndisë për një ndërgjegje të pastër” (d.m.th., si një transaksion të brendshëm, frymëror mes Perëndisë dhe individit, një transaksion të simbolizuar nga ceremonia e jashtme e pagëzimit). Ne do mund të parafrazonim deklaratën e Pjetrit duke thënë se: “Pagëzimi tani të shpëton, jo ceremonia fizike e jashtme e pagëzimit, por realiteti frymëror i brendshëm që pagëzimi përfaqëson.” Kësisoj, Pjetri i ruhet cilësdo pikëpamje sipas të cilës pagëzimi do t’i atribuonte fuqi shpëtuese automatike ndaj vetë ceremonisë fizike.

Fraza e Pjetrit: “kërkesa për një ndërgjegje të mirë ndaj Perëndisë,” është një mënyrë tjetër se si të thuash “një kërkesë për falje të mëkateve dhe një zemër të re.” Kur Perëndia i jep një mëkatari një “ndërgjegje të pastër,” që personi ka sigurinë se çdo mëkat është falur dhe se ai apo ajo qëndron në një marrëdhënie të duhur me Perëndinë (Heb. 9:14 dhe 10:22 flasin në këtë mënyrë për pastrimin e ndërgjegjes së personit nëpërmjet Krishtit). Të pagëzohesh siç duhet është të bësh një “kërkesë” të tillë ndaj Perëndisë: është si të thuash praktikisht, “Të lutem Perëndi, ndërkohë që hyj në këtë pagëzim që do të pastrojë trupin tim për së jashtmi, po të kërkoj ta pastrosh zemrën time për së brendshmi, fal mëkatet e mia, dhe më bëj të drejtë përpara Teje.” I kuptuar në këtë mënyrë, pagëzimi është një simbol i përshtatshëm për fillimin e jetës së krishterë.[34]16

Kështu “1 Pjetrit” 3:21 padyshim që nuk na mëson se pagëzimi i shpëton njerëzit automatikisht apo tejçon hirin ex opere operato. Madje nuk na mëson se akti i pagëzimit në vetvete ka fuqi shpëtuese, por përkundrazi që shpëtimi vjen përmes ushtrimit të brendshëm të besimit që tregohet nga pagëzimi (kr. Kol. 2:12). Në fakt, Protestantët të cilët advokojnë pagëzimin e besimtarëve, mundet që fare mirë të shikojnë tek “1 Pjetrit” 3:21 një farë mbështetjeje për këtë pozitë: pagëzimi, mund të thuhet se administrohet siç duhet ndaj cilitdo që është aq në moshë sa personalisht të bëjë “kërkesa për një ndërgjegje të mirë ndaj Perëndisë.”[35]17

Si përfundim, mësimet e Katolicizmit Romak sipas të cilave pagëzimi është i domosdoshëm për shpëtimin, që veprimi i pagëzimit në vetëve tejçon hirin shpëtues dhe se pagëzimi për rrjedhojë administrohet me të drejtë tek foshnjat, nuk janë bindëse në dritën e mësimeve të Besëlidhjes së Re.

4. Alternativa #2: Pikëpamja Protestante pedopagëzuese. Në kontrast si me pozitën baptiste që mbron pikën e mëparshme të këtij kapitulli, ashtu dhe me pikëpamjen Katolike Romake të sapo diskutuar, një pikëpamje tjetër e rëndësishme është që pagëzimi është administruar siç duhet tek të tërë foshnjat me prindër besimtarë. Kjo është pikëpamja e zakonshme në shumë grupe Protestante (veçanërisht Luterianët, Episkopalinët, Metodistët, Presbiterianët dhe të Kishave të Reformuara). Kjo pikëpamje nganjëherë njihet si argumenti i besëlidhjes për pedopagëzimin. Quhet argumenti i “besëlidhjes” për shkak se ai varet te shikimi i foshnjave të lindura ndaj prindërve besimtarë si pjesë e “komunitetit besëlidhor” të popullit të Perëndisë. Fjala “pedopagëzim” nënkupton praktikën e pagëzimit të foshnjave (parashtesa παεδο- do të thotë “fëmijë” dhe derivohet nga fjala greke παῖς (G4090) “fëmi”).[36]18 Unë do të ndërveproj kryesisht me argumentin e parashtruar nga Louis Berkhof-i i cili e shpjegon në mënyrë të qartë si dhe e mbron mirë pozitën e pedopagëzimit.

Argumenti sipas të cilit foshnjat e besimtarëve duhet të pagëzohen, varet kryesisht në tre pikat e mëposhtme:

a. Foshnjat rrethpriteshin në Besëlidhjen e Vjetër: Në Besëlidhjen e Vjetër, rrethprerja qe shenja e jashtme e hyrjes në komunitetin besëlidhor të popullit të Perëndisë. Rrethprerja administrohej tek të tërë fëmijët izraelitë (d.m.th. tek fëmijët meshkuj) kur mbushnin tetë ditësh.

b. Pagëzimi shkon paralel me rrethprerjen: Në Besëlidhjen e Re, shenja e jashtme e hyrjes në “komunitetin besëlidhor” është pagëzimi. Për rrjedhojë pagëzimi është homologu në Besëlidhjen e Re i rrethprerjes. Prej këtej mund të thuhet që pagëzimi duhet administruar ndaj të tërë fëmijëve të prindërve besimtarë. Mohimi prej tyre i kësaj dobie do të thoshte t’i privoje atyre një privilegj dhe dobinë që u takon me të drejtë atyre—shenja e përkitjes ndaj një komuniteti të popullit të Perëndisë, “komuniteti besëlidhor.” Paraleli mes rrethprerjes dhe pagëzimit vërehet mjaft qartë tek “Kolosianëve” 2:

Në të cilin ju edhe u rrethpretë me rrethprerjen që nuk u bë me dorë, nëpërmjet zhveshjes së trupit mëkatar të mishit, me anë të rrethprerjes së Krishtit: të varrosur bashkë me të nëpërmjet pagëzimit, ju edhe u ringjallët bashkë me të, përmes besimit në veprueshmërinë e Perëndisë, që e ka ringjallur prej së vdekurish. (Kol. 2:11–12)

Këtu është thënë se Pali bën një lidhje të qartë mes rrethprerjes dhe pagëzimit.

c. Pagëzimet e tërë familjes: Mbështetje e mëtejshme për praktikën e pagëzimit të foshnjave gjendet në “pagëzimin e të tërë familjeve” të raportuara tek “Veprat” dhe letrave, veçanërisht pagëzimin e familjarëve të Lidias (Veprat 16:15), familja e gardianit të burgut filipian (Veprat 16:33), si dhe familja e Stefanit (1 Kor. 1:16). Është pretenduar gjithashtu se “Veprat” 2:39, ku deklarohet se bekimi i premtuar i ungjillit është “për ju dhe për bijtë tuaj,” e mbështet këtë praktikë.

Në përgjigje ndaj këtyre argumenteve për pedopagëzimin, mund të deklarohen pikat e mëposhtme:

(1) Padyshim që është e vërtetë që pagëzimi dhe rrethprerja janë nga shumë anë të ngjashme, por ne nuk duhet të harrojmë se ato që simbolizojnë janë gjithashtu ndryshe në disa mënyra të rëndësishme. Besëlidhja e vjetër kishte një mjet fizik, të jashtëm të hyrjes në “komunitetin besëlidhor.” Personi bëhej jude duke u lindur nga prindër judenj. Për rrjedhojë të tërë meshkujt judenj qenë rrethprerë. Rrethprerja nuk qe e kufizuar tek njerëzit që kishin jetë frymërore të brendshme, por më tepër iu dha të tërë atyre që jetonin mes popullit të Izraelit. Perëndia tha:

Çdo mashkull që ndodhet midis jush do të rrethpritet.... Në moshën tetëditësh, çdo mashkull i juaj do të rrethpritet, dhe kjo nga një brez në tjetrin, qoftë ai i lindur në shtëpi, qoftë ai i blerë me para nga çdo i huaj që nuk është nga pasardhja jote. Do të rrethpritet si ai që ka lindur në shtëpinë tënde, ashtu edhe ai që është blerë me para. (Zan. 17:10–13)

Nuk ishin vetëm pasardhësit fizikë të popullit të Izraelit ata të cilët u rrethprenë por gjithashtu ata shërbëtorë që u blenë prej tyre e që jetonin ndër ta. Prania apo mungesa e jetës së brendshme frymërore, nuk bën aspak ndryshim në çështjen e nëse dikush qe i rrethprerë. Kështu, “atëherë Abrahami mori Ismaelin, djalin e tij, të gjithë ata që kishin lindur në shtëpinë e tij dhe tërë ata që kishte blerë me paratë e veta, tërë meshkujt e shtëpisë së Abrahamit dhe, po atë ditë, rrethpreu mishin e lafshës së tyre, ashtu siç Perëndia i kishte thënë të bënte” (Zan. 17:23; kr. Joz. 5:4).

Ne duhet të kuptojmë se rrethprerja iu dha çdo mashkulli që jetonte ndër popullin e Izraelit, dhe edhe pse rrethprerja e vërtetë është diçka e brendshme dhe frymërore: “Rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë” (Rom. 2:29). Për më tepër, Pali në Besëlidhjen e Re në mënyrë të shkoqur deklaron se “jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael” (Rom. 9:6). Por edhe pse në kohën e Besëlidhjes së Vjetër (dhe më plotësisht në kohën e Besëlidhjes së Re) ekzistonte një kuptim i realitetit të brendshëm frymëror që rrethprerja kishte për qëllim të përfaqësonte, nuk kishte përpjekje për ta kufizuar rrethprerjen vetëm tek ata, zemrat e të cilëve ishin aktualisht të rrethprera nga ana frymërore dhe që kishin besim të mirëfilltë shpëtues. Edhe ndër meshkujt e rritur, rrethprerja gjente zbatim tek të tërë e jo vetëm tek ata që dhanë prova për besim të brendshëm.

(2) Por nën besëlidhjen e re, situata është shumë e ndryshme. Besëlidhja e Re nuk flet për “komunitet besëlidhor” të përbërë nga besimtarë dhe fëmijët dhe të afërmit e tyre jobesimtarë si dhe shërbëtorë të cilët qëllon të jetojnë ndër ta. (Në fakt, në diskutimin e pagëzimit, fraza “komunitet besëlidhor” siç përdoret nga pedopagëzuesit shpesh ka prirjen për të funksionuar si një term i gjerë dhe i paqartë i cili i mjergullon dallimet mes Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re mbi këtë çështje.) Në kishën e Besëlidhjes së Re, e vetmja pyetje që ka rëndësi është nëse personi ka besim shpëtues dhe ka qenë i ndërkallur nga ana frymërore në trupin e Krishtit, në kishën e vërtetë. I vetmi “komunitet besimtar” i diskutuar është kisha, bashkësia e të shpenguarve.

Por si mund të bëhet dikush pjesëtar i kishës? Mënyra e hyrjes në kishë është vullnetare, frymërore, dhe e brendshme. Personi bëhet pjesëtar i kishës së vërtetë duke qenë i rilindur dhe duke patur besim shpëtues jo përmes lindjes fizike. Kjo shkaktohet jo përmes një akti të jashtëm, por nga një besim i brendshëm në zemrën e personit. Është padyshim e vërtetë që pagëzimi është shenja e hyrjes në kishë, por kjo do të thotë që ajo duhet t’u jepet vetëm atyre të cilët japin prova të anëtarësimit në kishë, vetëm atyre të cilët shpallin besimin në Krishtin.[37]19

Ne nuk duhet të habitemi që pati një ndryshim nga mënyra se si komuniteti besëlidhor hyri në Besëlidhjen e Vjetër (lindja fizike) tek mënyra se si kisha hyn në Besëlidhjen e Re (lindje frymërore). Ka shumë ndryshime analoge mes besëlidhjes së vjetër dhe të re në fusha të tjera gjithashtu. Ndërkohë që izraelitët ushqehen me manën fizike në shkretëtirë, besimtarët e besëlidhjes së re ushqen me Jezus Krishtin, bukën e vërtetë që zbret nga qielli (Gjoni 6:48–51). Izraelitët pinë ujë fizik i cili buroi nga shkëmbi në shkretëtirë, por ata të cilët besojnë tek Krishti pinë prej ujit të gjallë të jetës së përjetshme që Ai jep (Gjoni 4:10–14). Besëlidhja e Vjetër kishte një tempull fizik në të cilin Izraeli shkonte për të adhuruar, por në besëlidhjen e re, besimtarët ndërtohen në një tempull frymëror (1 Pjetrit 2:5). Besimtarët e besëlidhjes së vjetër ofruan flijime fizike kafshësh dhe të lashtash mbi altar, por besimtarët e Besëlidhjes së Re ofrojnë “flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit” (1 Pjetrit 2:5; kr. Heb. 13:15–16). Besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër morën prej Perëndisë tokën fizike të Izraelit të cilin Ai ua kishte premtuar, por besimtarët e Besëlidhjes së Re marrin “një atdhe më të mirë, domethënë qiellor” (Heb. 11:16). Po kështu, në besëlidhjen e vjetër, ata të cilët ishin fara fizike e pasardhësve të Abrahamit ishin pjesëtarë të popullit të Izraelit, por në Besëlidhjen e Re, ata të cilët janë “fara” frymërore apo pasardhësit e Abrahamit nëpërmjet besimit, janë pjesëtarë të kishës (Gal. 3:29; kr. Rom. 4:11–12).

Në të tëra këto kontraste ne shikojmë të vërtetën e dallimit që Pali thekson mes besëlidhjes së vjetër dhe asaj të re. Elementët fizikë si dhe veprimtaritë e besëlidhjes së vjetër, ishin “hija e atyre që kanë për të ardhur,” por realiteti i vërtetë, “substanca,” gjendet tek marrëdhënia e besëlidhjes së re të cilën e kemi tek Krishti (Kol. 2:17). Për rrjedhojë ajo është e përputhshme me këtë ndryshim të sistemeve që foshnjat meshkuj do të rrethpriteshin automatikisht në besëlidhjen e vjetër, përderisa paraardhësit e tyre fizikë si dhe prania fizike në komunitetin e judenjve nënkuptonte që ata ishin pjesëtarë të atij komuniteti në të cilin besimi nuk ishte një parakusht për të bërë pjesë. Por në besëlidhjen e re është me vend të thuhet që foshnjat të mos pagëzohen, dhe që pagëzimi t’u bëhet vetëm atyre që japin prova të besimit të mirëfilltë shpëtues, për shkak se anëtarësimi në kishë është i bazuar tek një realitet i brendshëm frymëror e jo tek një pasardhje fizike.

(3) Shembujt e pagëzimeve familjare në Besëlidhjen e Re nuk janë vërtetë vendimtarë për një pozitë apo një tjetër. Kur ne shikojmë më nga afër tek shembujt aktualë, do të vërejmë se në një sërë syresh ka tregues të besimit shpëtues nga ana e të tërë atyre që u pagëzuan. Për shembull, është e vërtetë që familja e gardianit filipian u pagëzua (Veprat 16:33), por është gjithashtu e vërtetë që Pali dhe Silasi “i folën fjalën e Zotit atij dhe gjithë atyre që ishin në shtëpinë e tij” (Veprat 16:32). Po qe se Fjala e Zotit i drejtohej të tërë njerëzve të shtëpisë ekziston supozimi që të tërë ishin aq në moshë sa ta kuptonin dhe ta besonin atë fjalë. Për më tepër, pasi familja të ishte pagëzuar, ne lexojmë se gardiani filipian “u ngazëllua me gjithë shtëpinë e tij, që kishte besuar në Perëndinë” (Veprat 16:34). Kështu që nuk kemi vetëm një pagëzim të tërë njerëzve të shtëpisë por edhe një pranim të Fjalës së Perëndisë nga të të tërë njerëzit e shtëpisë si dhe një gëzim të të tërë njerëzve të shtëpisë në besimin tek Perëndia. Këto fakte sugjerojnë me mjaft forcë që të tërë pjesëtarët e familjes kishin filluar secili të besonte tek Krishti.

Në lidhje me faktin që Pali pagëzoi “shtëpinë e Stefanit” (1 Kor. 1:16), ne duhet që gjithashtu të vërejmë se Pali thotë tek fundi i “1 Korintasve” se: “ju e njihni shtëpinë e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve” (1 Kor. 16:15). Kështu ata jo vetëm u pagëzuan; ata gjithashtu u kthyen dhe kishin punuar duke u shërbyer besimtarëve të tjerë. Edhe një herë tjetër, shembulli i pagëzimit familjar ofron treguesin e besimit të të tërë pjesëtarëve të familjes.

Në fakt, ka edhe shembuj të tjerë ku pagëzimi nuk përmendet por ku shikojmë dëshmi të shkoqura për faktin që një familje e tërë kishte hyrë në besim. Pasi Jezusi shëroi të birin e zyrtarit, lexojmë se babai “besoi ai vetë dhe gjithë shtëpia e tij” (Gjoni 4:53). Në mënyrë të ngjashme, kur Pali predikoi në Korint, “Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij” (Veprat 18:8).

Kjo do të thotë se nga të tërë shembujt e “pagëzimeve të të tërë shtëpisë” në Besëlidhjen e Re, i vetmi që nuk ka ndonjë tregues të besimit të të tërë familjes gjithashtu, është tek “Veprat” 16:14–15, që flet për Lidian: “Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar ato që thoshte Pali. Dhe si ajo u pagëzua me shtëpinë e saj.” Teksti thjesht nuk përmban ndonjë informacion për nëse kishte apo jo foshnje në shtëpinë e saj. Është e paqartë dhe padyshim jo provë me peshë për pagëzimin e foshnjave. Ajo duhet konsideruar si provë jo vendimtare në vetvete.

Në lidhje me deklaratën e Pjetrit në ditën e Rrëshajës që “premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj,” ne duhet të vërejmë se fjalia vazhdon si më poshtë: “premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t'i thërrasë” (Veprat 2:39). Për më tepër, po ky paragraf specifikon jo që besimtarët dhe fëmijët e jobesimtarëve qenë pagëzuar, por se “ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tri mijë shpirtra” (Veprat 2:41).

(4) Një argument i mëtejshëm kundërshtues ndaj pozitës pedopagëzuese mund të parashtrohet kur ne ngremë pyetjen e thjeshtë: “Çfarë bën pagëzimi?” Me fjalë të tjera, ne mund të ngremë pyetjen: “Çfarë realizon ai faktikisht? Çfarë dobie sjell?”

Katolikët Romakë kanë një përgjigje të qartë për këtë pyetje: Pagëzimi shkakton rigjenerimin. Edhe Baptistët kanë një përgjigje të qartë: Pagëzimi simbolizon faktin që rigjenerimi i brendshëm ka ndodhur. Por pedopagëzuesit nuk mund të adoptojnë asnjë prej këtyre përgjigjeve. Ata nuk dëshirojnë të thonë se pagëzimi shkakton rigjenerim, e ata nuk janë të gjendje të thonë (në lidhje me foshnjat) që pagëzimi simbolizon një rigjenerim që ka ndodhur tashmë.[38]20 Alternativa e vetme është që të themi se ai simbolizon një rigjenerim që do të ndodhë në të ardhmen kur foshnja të jetë aq në moshë sa të vijë në besimin shpëtues. Por edhe nëse nuk është aq e saktë për shkak se nuk është e sigurt që foshnja do të rigjenerohet në të ardhmen, disa foshnje të cilat janë pagëzuar, kurrë nuk arrijnë në besimin shpëtues më pas. Kështu, shpjegimi më i saktë paedopagëzues i asaj që simbolizon pagëzimi, është që ai simbolizon rigjenerimin e mundshëm të ardhshëm. [39]21 Nuk shkakton rigjenerim, e as nuk simbolizon rigjenerim aktual; për rrjedhojë duhet kuptuar si simbolizim i një rigjenerimi të mundshëm dikur në të ardhmen.

Por në këtë pikë duket e qartë që kuptimi i pedopagëzuesve për pagëzimin është mjaft ndryshe nga kuptimi i Besëlidhjes së Re. Besëlidhja e Re nuk e shikon kurrë pagëzimin si diçka që simbolizon një rigjenerim të mundshëm në të ardhmen. Autorët e Besëlidhjes së Re nuk thonë: A mundet ndokush t’u ndalojë ujin për pagëzim atyre që me siguri do të shpëtohen një ditë prej ditësh?” (kr. Veprat 10:47), apo, “Të tërë ju që u pagëzuat në Krishtin me shumë mundësi një ditë do të vishni Krishtin” (kr. Gal. 3:27), apo “A nuk e dini se të tërë ne që jemi pagëzuar në Krishtin Jezus me shumë mundësi do të pagëzohemi një ditë prej ditësh në vdekjen e Tij?” (kr. Rom. 6:3). Kjo nuk është aspak mënyra se si Besëlidhja e Re flet për pagëzimin. Pagëzimi në Besëlidhjen e Re është një shenjë e të qenurit i rilindur, i të qenurit i pastruar nga mëkatet dhe është fillimi i jetës së krishterë. Duket e përshtatshme që të rezervojmë këtë shenjë për ata të cilët japin prova që janë faktikisht të vërteta në jetën e tyre.

Një pikëpamje tjetër mbi simbolizmin e pagëzimit, jepet nga Majkëll Grin (Michael Green).[40]22 Ai thotë:

Pagëzimi i foshnjave thekson objektivitetin e ungjillit. Ai tregon për nga arritja solide e Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur, pavarësisht nëse ne reagojmë apo jo ndaj kësaj.... Jo që ne fitojmë ndonjë gjë prej saj nëse nuk pendohemi dhe besojmë. Por është demonstrimi i palëkundur që shpëtimi ynë nuk varet vetëm tek besimi ynë shumë i cenueshëm; varet tek ajo që Perëndia ka bërë për ne. (f. 76)

Ai vazhdon duke thënë:

Pagëzimi i foshnjave thekson nismën nga ana e Perëndisë për sa i takon shpëtimit... A duhet t’i bashkëlidhet kryesisht reagimit të njeriut apo nismës së Perëndisë? Ky është thelbi i pyetjes... Për Baptistin, pagëzimi në radhë të parë dëshmon për atë që ne bëjmë si reagim ndaj hirit të Perëndisë. Për pedopagëzuesin, pagëzimi dëshmon në radhë të parë atë që Perëndia ka kryer për ta bërë të tërë këtë të mundshme. (fq. 76–77, germat e pjerrësuara prej vetë atij autori).

Por, ka një sërë gjërash të cilat mund të renditen si reagim ndaj Green-it. (a) Analiza e tij në këtë pikë nënvlerëson faktin që pagëzimi nuk është se vetëm simbolizon vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Siç e kemi parë në analizën e mëparshme të teksteve të Besëlidhjes së Re, pagëzimi gjithashtu simbolizon zbatimin e shpengimit ndaj nesh, si rezultat i përgjigjes tonë me besim. Pagëzimi paraqet faktin që ne jemi bashkuar me Krishtin në vdekjen dhe ringjalljen e Tij, ndërsa larja me ujë simbolizon që ne jemi pastruar nga mëkatet tona. Duke thënë se pedopagëzuesi thekson nismën e Perëndisë dhe Baptisti thekson reagimin e njeriut, Green-i i ka paraqitur lexuesit dy alternativa të pasaktë prej të cilave ai/ajo të mun të zgjedhë, për shkak se pagëzimi paraqet si këto ashtu edhe të tjera. Pagëzimi paraqet (i) Veprën shpenguese të Krishtit, (ii) reagimin tim me besim (kur vij për t’u pagëzuar), dhe (iii) zbatimin prej Perëndisë të dobive të shpengimit në jetën time. Pagëzimi i besimtarëve paraqet të treja aspektet (jo thjesht besimin tim, siç sugjeron Green-i), por sipas pikëpamjes së Green-it, pedopagëzimi paraqet vetëm të parin. Nuk është çështje se cila prej këtyre është “kryesore”. Çështja është se cila prej këtyre pikëpamjeve të pagëzimit përfshin gjithçka që pagëzimi përfaqëson.

(b) Kur Green-i thotë se shpëtimi ynë nuk varet tek besimi ynë por tek vepra e Perëndisë, shprehja “varet” mund të marrë interpretime të ndryshme. Nëse “varet” do të thotë “ajo gjë tek e cila mbështetemi,” atëherë sigurisht që të dyja palët do të binin dakord që ne mbështetemi tek vepra e Krishtit, jo tek besimi ynë. Nëse “varemi” do të thotë se besimi nuk ka ndonjë meritë në vetvete përmes të cilës ne mund të fitojmë favorin e Perëndisë, atëherë përsëri të dyja palët do të binin dakord. Por, nëse “varem” do të thotë se për shpëtimin tonë, nuk përbën ndryshim nëse ne besojmë apo jo, atëherë asnjëra prej palëve nuk do të binte dakord: Vetë Green-i thotë në fjalinë e mëparshme që pagëzimi nuk na bën ndonjë gjë të mirë nëse ne nuk pendohemi dhe besojmë. Për rrjedhojë, nëse pagëzimi përfaqëson në çfarëdo mënyre zbatimin e shpengimit tek jeta e personit, atëherë nuk mjafton të praktikojmë një formë pagëzimi që paraqet vetëm vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Ne duhet që gjithashtu të paraqesim reagimin tonë me besim si dhe zbatimin për rrjedhojë të shpengimit ndaj nesh. Në kontrast me këtë, sipas pikëpamjes së Green-it, ekziston një rrezik real për portretizimin e një pikëpamjeje (me të cilën Green-i nuk do të binte dakord) sipas të cilës njerëzve do t’u zbatohet shpëtimi nga ana e Perëndisë pavarësisht nëse ata besojnë apo jo.

(5) Si përfundim, ata të cilët advokojnë pagëzimin e besimtarëve, shpesh herë shprehin preokupim rreth pasojave praktike të pedopagëzimit. Ata thonë se praktika e pedopagëzimit në jetën aktuale të kishës, shpesh herë i çon personat e pagëzuar që foshnje në supozimin që ata janë të rigjeneruar, dhe kësisoj ata nuk arrijnë të ndjejnë urgjencën e nevojës së tyre për të patur besim vetjak tek Krishti. Përgjatë një periudhe disa vjeçare, kjo prirje ka të ngjarë të çojë në gjithnjë e më shumë pjesëtarë të pakthyer në besim të “komunitetit besëlidhor—pjesëtarë të cilët nuk janë anëtarë me të vërtetë të kishës së Krishtit. Sigurisht, kjo nuk do ta bënte kishën pedopagëzuese një kishë të rreme, por do ta bënte një kishë më pak të pastër, dhe një kishë e cila shpesh herë do të luftonte prirjet drejt doktrinës liberale apo llojeve të tjera të mosbesimit të cilat ndërfuten nga sektori jo i regjeneruar i anëtarësisë.

C. Efekti i pagëzimit

Më lart ne kemi argumentuar që pagëzimi simbolizon rigjenerimin apo rilindjen frymërore. Por a mbetet vetëm në kuadrin e simbolizimit? Apo ekziston ndonjë mënyrë në të cilën ajo është gjithashtu një “mjet hiri,” d.m.th., një mënyrë që Fryma e Shenjtë përdor për të sjellë bekime tek njerëzit? Ne tashmë e kemi diskutuar këtë pyetje në kapitullin e mëparshëm,[41]23 kështu që këtu është e domosdoshme që të themi vetëm se kur pagëzimi kryhet ashtu sikurse duhet, atëherë sigurisht që ai sjell përfitim frymëror edhe ndaj besimtarëve. Me bindjen vjen një bekim prej favorit të Perëndisë, si dhe gëzimi që vjen përmes shpalljes publike të besimit të personit si dhe garancisë së të paturit një pamje fizike të qartë të të vdekurit dhe ringjalljes me Krishtin si dhe të larjes së mëkateve. Padyshim që Zoti na dha pagëzimin për të forcuar dhe inkurajuar besimin tonë, dhe këtë do ta bëjë për këdo i cili është pagëzuar e për çdo besimtar që dëshmon një pagëzim.

D. Domosdoshmëria e pagëzimit

Ndërkohë që pranojmë se Jezusi e urdhëroi pagëzimin (Mat. 28:19), ashtu sikurse bënë edhe apostujt (Veprat 2:38), ne nuk duhet të themi se pagëzimi është i domosdoshëm për shpëtimin.[42]24 Kjo çështje u diskutua më gjerësisht më lart nën përgjigjen ndaj pikëpamjes së Katolicizmit Romak të pagëzimit. Po të themi se pagëzimi apo ndonjë veprim tjetër është i domosdoshëm për shpëtimin, është njëlloj sikur të themi që ne nuk jemi drejtësuar vetëm përmes besimit, por përmes besimit plus një “pune” të caktuar, punës së pagëzimit. Apostulli Pal do ta kishte kundërshtuar idenë se pagëzimi është i domosdoshëm për shpëtimin, po aq me forcë sa edhe ç’ka kundërshtuar idenë e ngjashme që rrethprerja qe e domsdoshme për shpëtimin (shiko Gal. 5:1–12).

Ata të cilët thonë se pagëzimi është i domosdoshëm për shpëtim, shpesh tregojnë “Markun” 16:16: “Ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet; por ai që nuk beson, do të dënohet.” Por përgjigjja shumë ashiqare ndaj kësaj është thjesht të thuash se ky varg nuk thotë asgjë për ata të cilët besojnë dhe nuk janë pagëzuar. Vargu është thjesht duke folur për rastet e përgjithshme pa bërë ndonjë cilësim pedant për rastin e pazakonshëm të dikujt i cili beson por që nuk është pagëzuar. Gjithsesi, padyshim që ky varg nuk duhet të përdoret aty ku nuk duhet dhe të thuhet se flet për diçka që në fakt nuk është duke folur.[43]25

Më e drejtpërdrejtë është deklarata e Jezusit ndaj hajdutit i cili po vdiste në kryq: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Hajduti nuk mund të pagëzohej përpara se të vdiste në kryq, por padyshim që ai u shpëtua atë ditë. Për më tepër, forca e këtij argumenti, nuk mund të shmanget duke argumentuar se hajduti u shpëtua nën besëlidhjen e vjetër (nën të cilën pagëzimi nuk qe i domosdoshëm për shpëtim), për shkak se besëlidhja e re hyri në fuqi me vdekjen e Jezusit (shiko Heb. 9:17), dhe Jezusi vdiq përpara cilitdo prej dy hajdutëve të cilët qenë kryqëzuar me Të (shiko Gjoni 19:32–33).

Një arsye tjetër përse pagëzimi nuk është i domosdoshëm për shpëtimin, është se drejtësimi ynë nga mëkatet ndodh në pikën e besimit shpëtues, e jo në pikën e pagëzimit me ujë, që zakonisht ndodh më pas.[44]26 Por nëse dikush është tashmë i drejtësuar dhe mëkatet e tij janë falur përjetësisht në pikën e besimit shpëtues, atëherë pagëzimi nuk është i domosdoshëm për faljen e mëkateve, e as për akordimin e jetës së re frymërore.[45]27

Për rrjedhojë, pagëzimi nuk është i domosdoshëm për shpëtimin, por është i domosdoshëm nëse ne duam të tregohemi të bindur ndaj Krishtit, sepse Ai urdhëroi që të tërë ata që besojnë tek Ai të pagëzohen.

E. Mosha e pagëzimit

Ata të cilët janë të bindur nga argumentet për pagëzimin e besimtarëve, duhet që pastaj të fillojnë të ngrenë pyetjen: “Sa të rritur duhet atëherë të jenë fëmijët e tu përpara se të pagëzohen?”

Përgjigja më e drejtpërdrejtë është që ata duhet të jenë aq në moshë sa të bëjnë një shpallje të besueshme të besimit. Është e pamundur që të caktosh një moshë precize e cila do të gjejë zbatim tek çdo fëmijë, por kur prindërit shikojnë prova bindëse të një jete të mirëfilltë frymërore, dhe gjithashtu një farë kuptueshmërie të jetës së mirëfilltë frymërore dhe në lidhje me domethënien e besimit në Krishtin, atëherë pagëzimi është me vend. Sigurisht që kjo do të kërkojë një administrim të kujdesshëm nga kisha, si dhe një shpjegim të mirë nga prindërit në shtëpinë e tyre. Mosha e saktë për pagëzimin do të variojë nga një fëmi tek tjetri dhe njëfarësoj nga njëra kishë në tjetrën gjithashtu.[46]28

F. Pyetjet që mbeten

1. A duhet që kishat të jenë jo të një mendjeje për sa i takon pagëzimit? Pavarësisht shumë vitesh ndasish mbi këtë pyetje ndër Protestantët, a ka ndonjë mënyrë në të cilën të krishterët të cilët kanë mendime ndryshe për pagëzimin, të mund të demonstrojnë një unitet më të madh bashkësie? Gjithashtu, a ka ndonjë mënyrë që mund të shënohet përparim në sjelljen e kishës më pranë unitetit mbi këtë çështje?

Një mënyrë për të bërë përparim mund të ishte që pedopagëzuesit dhe mbrojtësit e pagëzimit të besimtarëve të vijnë në një pranim të përbashkët që pagëzimi nuk është një doktrinë kryesore e besimit, dhe se ata janë të gatshëm që ta tolerojnë pikëpamjen e njëri-tjetrit mbi këtë çështje e që të mos lejojnë dallime mbi pagëzimin që të përbëjnë një shkak për ndasi përbrenda trupit të Krishtit.[47]29 Specifikisht, kjo do të thoshte të lejoje të dyja pikëpamjet e pagëzimit të mësoheshin e të praktikoheshin nëpër denominacione nga të dyja anët e mendimeve mbi këtë çështje.

Pa dyshim që kjo do të ishte një gjë e vështirë për t’u bërë si për denominacionet Baptiste ashtu edhe për denominacionet pedopagëzore, për shkak se ata kanë tradita të gjata të argumentimit për njërën apo tjetrën anë të kësaj çështjeje. Pa dyshim që të krishterët gëzojnë të drejtën që të marrin pozitën e tyre në lidhje me pagëzimin, por nuk duket me vend që ndasitë denominacionale të varen nga këto dallime mendimesh ose t’i përforcojnë ato, e gjithashtu nuk duket e drejtë që kishat të kërkojnë njërën apo tjetrën pikëpamje mbi pagëzimin për ata të cilët dëshirojnë të emërohen apo që të funksionojnë si mësues përbrenda kishës.[48]30 Specifikisht, kjo do të thoshte që kishat Baptiste do duhej të ishin të gatshme që të lejonin në anëtarësinë e tyre ata të cilët janë pagëzuar kur ishin kërthi dhe bindja e ndërgjegjes së të cilëve, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, është që pagëzimi i tyre kur ishin foshnje, qe i vlefshëm e që nuk duhet të përsëritet. Sigurisht, kishat Baptiste mund të jenë të lira për të dhënë mësim e për t’u përpjekur që të bindin anëtarët e mundshëm të kishës që ata duhet të pagëzohen si besimtarë, por nëse disave, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, thjesht nuk u mbushet mendja, nuk duket me vend që këtë ta bëjmë një pengesë për anëtarësim. Çfarë e mire vjen nga një pengesë e tillë? Gjithashtu, padyshim shumë dëm mund të shkaktohet nga mosarritja për të demonstruar unitetin e kishës si dhe nga pengimi i një pjesëmarrjeje të plotë në kishë të atyre të cilët Zoti i ka sjellë faktikisht në atë bashkësi.

Nga ana tjetër, ata të cilët besojnë në pedopagëzimin, do të duhet të argumentojnë që të mos venë nën trysni të pavend prindërit të cilët dëshirojnë që foshnjat e tyre të pagëzohen dhe të mos i llogaritin ata prindër si njëfarësoj të pabindur ndaj Zotit. Mund të jetë e nevojshme të ketë një gatishmëri për të patur një lloj ceremonie të shkurtër dedikimi të fëmijëve ndaj Zotit shumë pak kohë pasi ata të kenë lindur, e jo me një ceremoni pagëzimi, po qe se prindërit do ta dëshironin këtë. Gjithashtu sigurisht që të dyja anët do të duhej të binin dakord që të mos e bënin njërën pikëpamje të pagëzimit kriter për funksionet kishtare apo për emërim në detyrë.[49]31

Nëse lëshime të tilla në praktikën aktuale do të bëheshin nga të dyja anët e kësaj çështjeje, çështja faktikisht mund të zbehte nivelin e polemikës brenda një brezi dhe pagëzimi mundet si përfundim të reshtë së qenuri një pikë ndasie ndër të krishterët.

2. Kush mund të pagëzojë? Së fundi, ne mund të ngremë pyetjen: “Kush mund të kryejë ceremoninë e pagëzimit? A duhet që vetëm kleri i emëruar ta kryejë këtë ceremoni?”

Këtu ne duhet të pranojmë se Shkrimi thjesht nuk specifikon ndonjë kufizim për tek kush mund të kryejë ceremoninë e pagëzimit. Ato kisha që kanë një priftëri të veçantë përmes të cilës disa veprime të caktuara (dhe bekime) vijnë (të tillë si Katolikët Romakë, e deri diku edhe Anglikanët) do të duan të këmbëngulin që vetëm kleri i emëruar sipas rregullave mund të pagëzojë në rrethana të jashtëzakonshme (paçka se përjashtime mund të bëhen në rrethana të jashtëzakonshme). Por nëse ne me të vërtetë besojmë në priftërinë e të tërë besimtarëve (shiko “1 Pjetrit” 2:4–10), atëherë duket se nuk ka më nevojë në parim të kufizojmë të drejtën për të kryer pagëzimin vetëm tek klergjia e emëruar.

Sidoqoftë, ngrihet edhe një faktor tjetër që duhet marrë në konsideratë: Përderisa pagëzimi është shenja e hyrjes në trupin e Krishtit, kisha (kr. 1 Kor. 12:13 mbi pagëzimin e brendshëm frymëror), atëherë duket e përshtatshme që ai të bëhet përbrenda bashkësisë së kishës kurdoherë që kjo është e mundshme, në mënyrë që kisha në tërësi të mund të gëzohet me personin i cili pagëzohet dhe kështu që besimi i të tërë besimtarëve në atë kishë të mund të ndërtohet.[50]32 Për më tepër, përderisa pagëzimi është një shenjë e fillimit të jetës së krishterë, dhe për rrjedhojë e fillimit të jetës në kishën e vërtetë gjithashtu, është me vend që kisha vendore të mblidhet për të dëshmuar për këtë fakt, si dhe për të mirëpritur në mënyrë të dukshme personin e pagëzuar. Gjithashtu, me qëllim që njerëzit që po pagëzohen të kenë një kuptim të duhur të asaj që po ndodh faktikisht, është e përshtatshme për kishën që të ruajë praktikën e pagëzimit e ta mbrojë nga abuzimi. Së fundi, nëse pagëzimi është shenja e hyrjes në bashkësinë e kishës së dukshme, atëherë duket e përshtatshme që për ta kryer pagëzimin, të zgjidhen disa përfaqësues të caktuar ose jo zyrtarisht të kishës. Për këto arsye, është zakonisht klergjia e emëruar ajo që pagëzon, por duket se nuk ka arsye përse kisha hera-herës, dhe atje ku e gjykon me vend, të mos thërrasë funksionarë të tjerë të kishës apo besimtarë të pjekur që të pagëzojnë të kthyer të rinj në besim. Për shembull, dikush i cili është efikas në ungjillëzim në një kishë vendore, mund të jetë një person i caktuar ashtu sikurse duhet që të pagëzojë njerëz të cilët kanë ardhur tek Krishti përmes praktikës së shërbesës ungjillore të atij personi. (Vini re tek “Veprat” 8:12 që Filipi predikoi ungjillin në Samari dhe pastaj me sa duket pagëzoi ata që i besuan Krishtit.)

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A je pagëzuar? Kur? Nëse je pagëzuar duke qenë tashmë besimtar, cili qe efekti i pagëzimi në jetën tënde të krishterë (nëse ka patur ndonjë efekt)? Nëse u pagëzove kur ishe foshnje, çfarë efekti pati njohuria e pagëzimit tënd në të menduarin tënd, kur faktikisht mësove se ishe pagëzuar si foshnje?

2.     Çfarë aspektesh të kuptimit të pagëzimit ke filluar të vlerësosh më tepër si rezultat i leximit të këtij kapitulli (nëse ke ndonjë)? Çfarë aspektesh të kuptimit të pagëzimit do të doje të shikoje të dhëna mësim më qartë në kishën tënde?

3.     Kur në kishën tënde kryhen pagëzime, a janë ato një kohë e gëzueshme dhe plot lavdërim ndaj Perëndisë? Çfarë mendon se po i ndodh personit i cili po pagëzohet në atë moment (nëse po i ndodh ndonjë gjë)? Çfarë mendon se duhet të ndodhë?

4.     A e ke modifikuar pikëpamjen tënde mbi çështjen e pagëzimit të foshnjave përkundrejt pagëzimit të besimtarëve si rezultat i leximit të këtij kapitulli? Në ç’mënyrë?

5.     Çfarë sugjerimi praktik mund të bësh për të ndihmuar në tejkalimin e dallimeve ndër të krishterët mbi çështjen e pagëzimit?

6.     Si do mundet pagëzimit të jetë një ndihmesë efikase për ungjillëzimin në kishën tënde? A e ke parë atë që të funksionojë në këtë mënyrë?

TERMA TË VEÇANTË

     shpallje e besueshme e besimit

     pagëzim i besimtarëve

     komunitet besëlidhor

     ex opere operato

     zhytje

     pedopagëzimi

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 459–474

1930 Thomas, 371–387, 521–522

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:310–324

1892–1894 Miley, 2:395–410

1940 Wiley, 3:161–189

1960 Purkiser, 409–411

1983 Carter, 2:616

3. Baptiste

1767 Gill, 4:621–647

1907 Strong, 931–959

1983–1985 Erickson, 1089–1106

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 7:32–43

1949 Thiessen, 319–22

1986 Ryrie, 421–425

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 7:253–289

1934 Mueller, 486–505

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:1303–1358 (4.15–16)

1861 Heppe, 611–626

1871–1873 Hodge, 3:526–611

1878 Dabney, 758–799

1887–1921 Warfield, SWW 1:325–331

1889 Shedd, 2b:574–587

1937–1966 Murray, CW 2:370–375

1938 Berkhof, 622–643

1962 Buswell, 2:241–266

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 2:278–287, 3:136–139, 221–241

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 350–361

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:248–252; 2:349–354

Vepra të Tjera

Beasley-Murray, G.R. Pagëzimi në Besëlidhjen e Re (Baptism in the New Testament). Grand Rapids: Eerdmans, 1962.

_______, dhe R.F.G. Burnish. “Pagëzimi (Baptism).” Tek FUT (EDT) fq. 69–73.

Berkouwer, G.C. Sakramentet (The Sacraments). Përkth. nga Hugo Bekker. Grand Rapids: Eerdmans, 1969.

Bridge, Donald, dhe David Phypers. Uji Që Ndan (The Water That Divides). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1977.

Bromiley, G.W. “Pagëzim (Baptism).” Tek FUT (EDT) fq. 112–114.

_______. Pagëzimi i Foshnjave (The Baptism of Infants). London: Vine Books, 1955.

_______. Fëmijët e Premtimit (Children of Promise). Grand Rapids: Eerdmans, 1979.

Brown, R. “Teologjia Baptiste (Baptist Theology).” Tek FUT (EDT) fq. 75–76.

Cottrell, Jack. Pagëzimi: Një Studim Biblik (Baptism: A Biblical Study). Joplin, Mo.: College Press, 1989. (Shkruar nga një pikëpamje e Kishave të Krishtit, që e merr pagëzimin si të domosdoshëm për shpëtim.)

Green, Michael. Pagëzimi: Qëllimi, Praktika dhe Fuqia (Baptism: Its Purpose, Practice, and Power). London: Hodder and Stoughton, and Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1987.

Jewett, Paul K. Pagëzimi i Foshnjave dhe Besëlidhja e Hirit (Infant Baptism and the Covenant of Grace). Grand Rapids: Eerdmans, 1978.

Kingdon, David. Fëmijë të Abrahamit: Një Pikëpamje e Baptistëve të Reformuar mbi Pagëzimin, Besëlidhjen dhe Fëmijët (Children of Abraham: A Reformed Baptist View of Baptism, the Covenant, and Children). Haywards Heath, England: Carey Publications, 1973.

Marcel, Pierre Ch. Doktrina Biblike e Pagëzimit të Foshnjave (The Biblical Doctrine of Infant Baptism). Përkth. nga Philip E. Hughes. London: J. Clarke, 1953.

Murray, John. Pagëzimi i Krishterë (Christian Baptism). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1970.

Watson, T.E. Pagëzimi jo për Foshnjat (Baptism Not for Infants). Worthing, England: Henry E. Walter, 1962.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Romakëve” 6:3–4: A nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës.

HIMN

“NGA VARRI U NGRIT (UP FROM THE GRAVE HE AROSE)”

Ekziston një numër i paktë himnesh të njohura të shkruara specifikisht për t’u përdorur gjatë një shërbimi pagëzimi. Do të ishte e dobishme për kishën po të ishin shkruar edhe më tepër.

Ky himn është i përshtatshëm për temën e pagëzimit, për shkak se ai flet në mënyrë triumfatore për ringjalljen e Krishtit. Kur ne e këndojmë, duhet të kuptojmë se Jezusi jo vetëm që ngadhënjeu mbi vdekjen dhe varrin për Veten, por gjithashtu për të tërë ne që besojmë tek Ai. Ky fakt është simbolizuar në mënyrë të gjallë në ceremoninë e pagëzimit.

Himn alternativ: Pjesa më e madhe e librave të himneve pedopagëzore përmbajnë himne për t’u kënduar me rastin e pagëzimit të foshnjave, por unë nuk gjeta asnjë që të ishte i njohur gjerësisht.

Poshtë në varr Ai dergjej—Jezusi, Shpëtimtari im,

Duke pritur ditën që po vjen—Jezusi, Zoti im.

Refreni:

Jashtë prej varrit Ai i gjallë doli,

Fitore të madhe mbi armiqtë Ai korri.

që prej mbretërisë së errët Ai u ngrit e doli fituar,

dhe me shenjtorët e Tij për të mbretëruar Ai në amshim për të jetuar.

Ai u ngrit! Ai u ngrit! Haleluja! Krishti u ngrit!

Më kot ata ia ruajnë me roje shtratin—Jezusi, Shpëtimtari im;

Më kot ata e vulosin të vdekurin—Jezusin, Zotin tim.

Vdekja prenë e saj ta mbajë nuk mundet—Jezusi, Shpëtimtarin tim;

Pranga e Tij Ai bën të këputet—Jezusi, Zoti im.

Autori: Robert Lowrey, 1874

Pen
>