General
Text

Kapitulli 46: Autoriteti i kishës

Lesson 48 Chapter 3 Module 8

Fuqia e Kishës

Çfarë lloj autoriteti ka kisha? Si duhet të funksionojë disiplina kishtare?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Kur shikojmë qeveritë e fuqishme të botës si dhe tek biznese dhe organizata të tjera arsimore të cilat kanë një ndikim të madh, dhe pastaj shqyrtojmë kishat tona vendore, apo madje zyrat tona qendrore denominacinale, kisha mund të na duket si e dobët dhe joefikase. Për më tepër, kur shikojmë shtimin me shpejtësi të ligësisë e cila vihet re në mënyrë të përditshme në shoqërinë tonë, mund të pyesim veten nëse kisha ka apo jo forcë për të bërë ndonjë ndryshim.

Nga ana tjetër, në disa vende, kisha e njohur zyrtarisht ka një ndikim të madh në drejtimin e çështjeve kombëtare. Kjo vlen të thuhet padyshim për ndikimin që Kisha Katolike Romake pati në disa vende të Evropës Jugore e disa të tjera të Amerikës Latine (dhe kjo gjë vlen ende të thuhet sot deri diku). Kjo vlente të thuhej për Kishën Anglikane të shekujve të kaluar, si dhe për kishën e Xhon Kalvinit në Gjenevë, Zvicër, ndërkohë që ai ishte gjallë, si dhe për kishën e themeluar nga pelegrinët në Koloninë e Gjirit Masaçuset më 1620. Situata të tilla ku kisha duket se ka një ndikim të madh, na shtyjnë të ngremë pyetjen nëse Shkrimi i vë ndonjë kufizim fuqisë së kishës.

Ne mund të përkufizojmë fuqinë e kishës në mënyrën e mëposhtme: Fuqia e kishës është autoriteti i saj i dhënë nga Perëndia, për të zhvilluar një luftë frymërore, të shpallë ungjillin si dhe për të ushtruar disiplinën kishtare.

Paçka se këto tre fusha kanë një mbivendosje dhe mund të trajtohen sipas çfarëdo rendi, përderisa kategoria e “luftës frymërore” është kategoria më e gjerë, ajo do të trajtohet e para. Kjo pikëpamje mbi fuqinë e kishës, na kujton gjithashtu që fuqia e kishës, ndryshe nga ndikimi i botës i ushtruar nga ushtritë dhe qeveritë njerëzore, ndikon drejtpërsëdrejti në lëmin frymëror.

A. Lufta frymërore

Pali i kujton korintasit: “Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit, sepse armët e luftës sonë nuk janë mishërore, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat” (2 Kor. 10:3–4). Këto armë, të cilat përdoren kundër forcave demonike të cilat pengojnë përhapjen e ungjillit si dhe përparimin e kishës, përfshijnë gjëra të tilla si: lutja, adhurimi, autoriteti për të qortuar forcat demonike, fjalët e Shkrimit, besimin dhe sjelljen me drejtësi nga ana e pjesëtarëve të kishës. (Tek “Efe.” 6:10–18, Pali jep hollësi të mëtejshme për konfliktin tonë frymëror si dhe për armaturë që ne veshim për të.)

Kur këtë fuqi frymërore e shqyrtojmë në një kuptim më të gjerë, ajo padyshim që përfshin fuqinë e ungjillit për ta shpartalluar mëkatin dhe kundërshtimin kokëfortë, si dhe për ta zgjuar besimin në zemrat e jobesimtarëve (shiko Rom. 10:17; Jakobi 1:18; 1 Pjetrit 1:23). Por kjo fuqi përfshin gjithashtu fuqinë frymërore e cila ka për ta bërë joefikase kundërshtimin demonik ndaj ungjillit. Shembuj të kësaj ne shikojmë tek “Veprat” 13:8–11, ku Pali shqiptoi gjykimin mbi Elimas magjistarin, i cili po i kundërvihej predikimit të ungjillit, dhe tek “Veprat” 16:16–18, ku Pali qortoi një frymë të ligë në vajzën me një frymë falli e cila po e bezdiste Palin ndërkohë që ky i fundit shpallte ungjillin.[46]1 Një fuqi e tillë frymërore për ta mposhtur kundërshtinë e ligë, u vu re shpesh herë në kishën e hershme, si në rastin e lirimit të Pjetrit nga burgu (Veprat 12:1–17), dhe ndoshta edhe në gjykimin e mëpastajshëm ndaj Mbretit Herod Agripa I (Veprat 12:20–24).[47]2

Megjithëkëtë, Pali e kupton se ai mund ta përdorë këtë fuqi frymërore jo vetëm kundër atyre që janë jashtë kishës e që e kundërshtojnë ungjillin, por edhe kundër atyre përbrenda kishës të cilët janë kundërshtarë aktivë të shërbesës së tij apostolike. Ai thotë për disa trazovaçë arrogantë në kishë: “por shpejt kam për të ardhur te ju, në dashtë Zoti, dhe kam për të njohur jo fjalën e atyre që janë fryrë, por fuqinë, sepse mbretëria e Perëndisë nuk qëndron në fjalë, por në fuqi” (1 Kor. 4:19–20). Një fuqi e tillë nuk duhej marrë lehtë, sepse ishte e njëjta fuqi e Frymës së Shenjtë që kishte shkaktuar vdekjen e Ananias dhe Safirës (Veprat 5:1–11) si dhe verbërinë e Elimasit (Veprat 13:8–11). Pali nuk dëshironte që ta përdorte këtë fuqi në një kapacitet gjykues, por ai qe gati ta bënte këtë gjë po qe se do të ishte e nevojshme. Më pas, ai u shkroi korintasve që veprimet e tij kur të ishte i pranishëm do të ishin po aq të fuqishme sa edhe letrat e tij kur nuk ishte i pranishëm fizikisht (2 Kor. 10:8–11), dhe ai i paralajmëroi ata që iu kundërvunë autoritetit të tij e që kishin mëkatuar publikisht e nuk qenë penduar, “po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri. Sepse ju kërkoni provë të Krishtit që flet në mua ... Sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të, prej fuqisë së Perëndisë ndaj nesh” (2 Kor. 13:2–4). Pastaj ai shton një kujtesë përfundimtare ngurrimit të tij për ta përdorur këtë autoritet, duke u thënë se po u shkruan përpara se të vijë “që kur të jem i pranishëm, të mos sillem i prerë, sipas autoritetit që më ka dhënë Zoti, për të ndërtuar e jo për të prishur” (2 Kor. 13:10).

Tani ne mund të ngremë pyetjen nëse kisha sot ka të njëjtën shkallë fuqie frymërore me atë që kishin apostulli Pjetër dhe Pal. Padyshim që ka një dallim mes apostujve si dhe të krishterëve të tjerë të hershëm edhe në librin e “Veprave” (vini re që menjëherë pas vdekjes së Ananias dhe Safirës “shumë shenja dhe mrekulli” u kryen “nëpërmjet duarve të apostujve,” por “Asnjëri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte,” Veprat 5:12–13). Për më tepër, Pali nuk udhëzoi asnjë prej drejtuesve të kishës në Korint, e as Timoteun apo Titin, që të ushtrojë atë fuqi frymërore në Korint kundër kundërshtarëve të tij. Ai flet për fuqinë të cilën Zoti “më ka dhënë” (2 Kor. 13:10), jo për fuqinë që Zoti i kishte dhënë kishës apo të krishterëve në përgjithësi.

Nga ana tjetër, Pali e drejtoi kishën e Korintit për të ushtruar disiplinën kishtare në një rast incesti në kishën në Korint, dhe për ta bërë këtë “si të mblidheni ju dhe fryma im, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Kor. 5:4). Për më tepër, përshkrimet e luftës frymërore tek “Efesianëve” 6:10–18 dhe “2 Korintasve” 10:3–4 duken të zbatueshme ndaj të krishterëve në përgjithësi dhe pak vetë sot e mohojnë që kisha ka autoritetin për t’u lutur dhe për të folur me autoritet kundër kundërshtisë demonike ndaj veprës së ungjillit.[48]3 Kështu do dukej se kishte të paktën një shkallë të ndjeshme fuqie frymërore kundër kundërshtisë së ligë që Perëndia është i gatshëm të lejojë të ngrihet kundër kishës në çfarëdo epoke (përfshi këtë të tashmen). Ndoshta është e pamundur të përkufizojmë më specifikisht shkallën e fuqisë frymërore që Perëndia do t’i japë kishës në kohë konflikti kundër të keqes, por nuk kemi përse të dimë detajet paraprakisht. Thirrja jonë është thjesht që të jemi besnik ndaj Shkrimit në lutjen si dhe në ushtrimin e disiplinës kishtare, pastaj për ta lënë pjesën tjetër në duart e Perëndisë, duke ditur se Ai do të japë fuqi të mjaftueshme për të kryer qëllimet e Tij nëpërmjet kishës.

B. Çelësat e Mbretërisë

Fraza “çelësat e mbretërisë” shfaqet vetëm një herë në Bibël, tek “Mateu” 16:19, ku Jezusi është duke i thënë Pjetrit: “unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; ç'të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe ç'të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej”. Cili është kuptimi i këtyre “çelësave të mbretërisë së qiejve”?[49]4

Gjetiu në Besëlidhjen e Re, një çelës gjithmonë nënkupton autoritetin për të hapur një derë e për të mundësuar hyrjen në një vend apo dominim. Jezusi thotë: “Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e njohurisë; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin” (Luka 11:52). Për më tepër, Jezusi thotë tek “Zbulesa” 1:18: “Unë i kam çelësat e ferrit e të vdekjes,” duke nënkuptuar me këtë se Ai ka autoritetin për të garantuar hyrjen dhe daljen nga këto dominime. (Kr. gjithashtu “Zbu.” 3:7; 9:1; 20:1; gjithashtu parashikimin mesianik tek “Isa.” 22:22.)

“Çelësat e mbretërisë së qiejve” për rrjedhojë përfaqëson të paktën autoritetin për të predikuar ungjillin e Krishtit (kr. “Mat.” 16:16) dhe kësisoj të hapë derën e mbretërisë së qiellit e për t’i lejuar njerëzit që të hyjnë në të.

Pjetri e përdori fillimisht këtë autoritet duke predikuar ungjillin në ditën e Rrëshajës (Veprat 2:14–42). Por edhe apostujve të tjerë iu dha ky autoritet në kuptimin primar (ata e shkruan ungjillin në një formë përfundimtare në Besëlidhjen e Re). Gjithashtu të tërë besimtarët e kanë këtë “çelës” në një kuptim dytësor, sepse të tërë ata mund të ndajnë ungjillin me të tjerët dhe kësisoj e hapin mbretërinë e qiellit për ata që do të hyjnë atje.

Por a ka ndonjë autoritet tjetër, përveç kësaj, që Jezusi nënkupton me frazën “çelësat e mbretërisë së qiejve”? Ka dy faktorë që sugjerojnë se autoriteti i çelësave këtu përfshin gjithashtu autoritetin për të ushtruar disiplinë përbrenda kishës: (1) Shumësi “çelësa” sugjeron autoritet mbi më shumë se një derë. Kështu, nënkuptohet më shumë sesa thjesht hyrja në mbretëri; një farë autoriteti përbrenda mbretërisë sugjerohet gjithashtu. (2) Jezusi e plotëson premtimin rreth çelësave me një deklaratë për “lidhjen” dhe “zgjidhjen,” që paralelizon nga afër një thënie tjetër të Tij tek “Mateu” 18, në të cilën “lidhja” dhe “zgjidhja” kanë kuptimin e vënies nën disiplinën e kishës dhe çlirimin nga disiplina kishtare:

Nëse pastaj refuzon t'i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon të dëgjojë edhe kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës. Në të vërtetë ju them se ç'të keni lidhur mbi tokë do të jetë lidhur edhe në qiell; dhe ç'të keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell. (Mat. 18:17–18)

Por, nëse “lidhja” dhe “zgjidhja” i referohet qartë disiplinës kishtare tek “Mateu” 18, atëherë duket se ka të ngjarë se ato do t’i referohen gjithashtu disiplinës kishtare tek “Mateu” 16, ku fjalët e Jezusit janë shumë të ngjashme.[50]5

Ky kuptim i lidhjes dhe zgjidhjes për sa i takon disiplinës kishtare, i përshtatet gjithashtu kontekstit të “Mateut” 16:19, sepse, në këtë kuptim, pasi premton ndërtimin e kishës së Tij (v. 18), Jezusi premton të japë jo vetëm autoritetin për të hapur derën e hyrjes në mbretëri, por gjithashtu një farë autoriteti administrativ për të rregulluar sjelljen e njerëzve sapo ata të jenë futur brenda.[51]6 Për rrjedhojë, duket se “çelësat e mbretërisë së qiejve” që Jezusi i premtoi Pjetrit tek “Mateu” 16:19 përfshinin si (1) aftësinë për t’i pranuar njerëzit në mbretëri përmes predikimit të ungjillit, ashtu edhe (2) autoritetin për të ushtruar disiplinë kishtare për ata që hyjnë në të vërtetë.

Tek “Mateu” 16:16–19, Jezusi nuk lë të kuptohet nëse autoriteti i çelësave më vonë do t’u jepet edhe të tjerëve dhe jo vetëm Pjetrit. Por padyshim që autoriteti për të predikuar ungjillin u është dhënë të tjerëve në një kohë më të vonë, dhe tek “Mateu” 18:18 Jezusi deklaron në mënyrë të shkoqur që autoriteti për të ushtruar disiplinë kishtare i është dhënë kishës në përgjithësi kurdoherë që ajo mblidhet dhe ushtron si një e tërë një disiplinë të tillë (“thuaja kishës,” Mat. 18:17). Kështu, të dyja aspektet e autoritetit të çelësave, paçka se fillimisht iu dhanë Pjetrit, shumë shpejt u zgjeruar duke përfshirë autoritetin që i është dhënë kishës në tërësi. Në predikimin e Ungjillit dhe në ushtrimin e disiplinës, kisha tani ushtron autoritetin e çelësave të mbretërisë.

Cilët persona apo veprime janë subjekt ndaj llojit të disiplinës kishtare të nënkuptuar nga autoriteti i çelësave? Si tek “Mateu” 16:19 ashtu dhe tek 18:18, termi “ç'të” është asnjanës në greqisht, dhe duket se nënkupton se Jezusi nuk po flet specifikisht ndaj personave (“kushdo,” për të cilën një formë shumësi mashkullore do të pritej të qe përdorur si zakonisht), por disi më përgjithësisht ndaj situatave dhe marrëdhënieve që mund të krijohen përbrenda kishës. Kjo nuk do të përjashtonte autoritetin për të ushtruar disiplinë mbi individët, por fraza e përdorur këtu është më e gjerë se aq, dhe përfshin veprime specifike të cilat janë subjekt i disiplinës gjithashtu.

Megjithëkëtë, autoriteti i çelësave në lidhje me disiplinën kishtare nuk është tërësisht i pakufizuar. Do të jetë efikas vetëm kundër mëkatit të vërtetë (kr. Mat. 18:15), mëkatit në mënyrën se si përkufizohet nga Fjala e Perëndisë. Kisha nuk e ka autoritetin në vetvete që të përcaktojë me ligj atë që është e drejtë apo e gabuar nga ana morale në një kuptim absolut të fjalës, sepse autoriteti për të përkufizuar të duhurën e të gabuarën i takon vetëm Perëndisë (shiko Rom. 1:32; 2:16; 3:4–8; 9:20; Ps. 119:89, 142, 160; Mat. 5:18). Kisha mund të deklarojë dhe të japë mësim atë që Perëndia ka urdhëruar tashmë në Fjalën e Tij. As autoriteti i çelësave nuk mund të përfshijë autoritetin për të falur mëkatet në ndonjë mënyrë absolute, për shkak se në Shkrim, është e qartë se kjo mund të bëhet vetëm nga Perëndia Vetë (Isa. 43:25; 55:7; Marku 2:7, 10; Ps. 103:3; 1 Gjonit 1:9).[52]7 Për rrjedhojë autoriteti për të zbatuar disiplinën në kishë, është një autoritet i cili duhet të zbatohet në përputhje me standardet e Shkrimit.

A është e mundshme të jemi më shumë specifik rreth llojit të autoriteti frymëror që është përfshirë në këtë përdorim të çelësave të mbretërisë së qiellit? Si “Mateu” 16:19 ashtu edhe 18:18 përdorin një ndërtim foljor greqisht që është i pazakontë (e ardhme e përparshme e perifrazuar). Në mënyrën më të mirë e përkthen versioni në anglisht i Biblës i titulluar NASB, “Çfarëdo gjëje që ju do të lidhni në tokë do të jetë e lidhur në qiell, dhe çfarëdo që do të zgjidhni në tokë do të ketë qenë e zgjidhur në qiell.”[53]8 Ka një sërë shembujsh të tjerë të këtij ndërtimi të cilat tregojnë se ai nënkupton jo vetëm thjesht një veprim të ardhshëm (“do të jetë i lidhur”), për të cilin një kohë foljore e zakonshme në gjuhën greke qe e disponueshme (pësorja e kohës së ardhme), por më tepër një veprim që do të ishte kryer përpara një pike të ardhshme kohore me efekte të cilat do të vazhdonin të ndiheshin.[54]9 Kësisoj, Jezusi është duke dhënë mësim që disiplina kishtare do të ketë sanksionim qiellor. Por, kjo nuk është a thua se kisha duhet të presë për Perëndinë që të pranojë veprimet e saj pasi veprimet të kenë ndodhur. Përkundrazi, kurdoherë që kisha vendos për disiplinim ajo mund të ketë bindjen e fortë që Perëndia ka filluar tashmë procesin në lëmin frymëror. Kurdoherë që ajo liron nga procesi i disiplinimit, e fal mëkatarin dhe rimëkëmb marrëdhëniet personale, kisha mund të jetë e bindur se Perëndia ka filluar tashmë rimëkëmbjen frymërore (kr. Gjoni 20:23). Në këtë mënyrë, Jezusi premton se marrëdhënia frymërore mes Perëndisë dhe personit që është subjekt ndaj disiplinës do të ndikohej menjëherë në mënyrë të përputhshme me drejtimin e veprimit të disiplinës kishtare. Për rrjedhojë, disiplina legjitime kishtare, përfshin siguri të mrekullueshme se disiplina qiellore korresponduese ka filluar tashmë.

Për më tepër, ky mësim mbi fuqinë e çelësave ka një zbatim të ndjeshëm tek të krishterët individualë të cilët fillojnë të jenë subjekte ndaj disiplinës së një kishe të vërtetë: Të krishterët duhet t’i nënshtrohen kësaj disipline e jo t’i shmangen asaj, për shkak se Perëndia Vetë i ka vënë nën atë disiplinë për atë mëkat të kryer.

C. Autoriteti i Kishës si dhe autoriteti i Shtetit

Seksionet e mëparshme kanë diskutuar fuqinë frymërore dhe luftën frymërore e cila duhet ushtruar nga kisha. Por a duhet që kisha të përdorë ndonjëherë një forcë fizike (armë dhe ushtri, për shembull) për të kryer misionin e saj? Fraza e cila është përdorur rëndom për t’iu referuar idesë së luftës fizike të kësaj bote, është “të rrokësh shpatën.”

Në Shkrim, ka një sërë treguesish që na thonë se kisha nuk duhet kurrë të rrokë shpatën për të arritur qëllimet e saj në këtë epokë të besëlidhjes së re. Ky ishte një gabim i tmerrshëm që u bë në rastin e Kryqëzatave, kur ushtritë e sponsorizuara nga kisha marshuan përmes Evropës dhe Azisë në përpjekje për të rifituar tokën e Izraelit. Në këto raste, kisha po përpiqej të përdorte forcën fizike për të arritur fitoren e saj mbi territore tokësore. Por Jezusi tha: “Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote; po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin” (Gjoni 18:36). Kisha ka autoritetin e çelësave, gjë që është autoritet frymëror. Ajo duhet që të kryejë beteja frymërore duke përdorur armë frymërore, por nuk duhet të përdorë forcën e shpatës për të realizuar qëllimet e veta. “Armët e luftës sonë nuk janë mishërore” (2 Kor. 10:4).

Padyshim që Perëndia i jep qeverisjes civile të drejtën për të mbajtur shpatën, d.m.th. të përdorë forcën për të ndëshkuar të keqen në botë (Rom. 13:1–7). Por, nuk ka asnjë tregues që fuqia e qeverisjes duhet të përdoret për të imponuar pranimin e krishterimit mbi ndonjë  popull.[55]10 Për më tepër, ka një sërë treguesish sipas të cilëve Jezusi refuzoi të përdorë fuqinë e forcës fizike për t’i detyruar njerëzit që të pranojnë ungjillin. Për shembull, kur një fshat Samaritan nuk deshi ta pranojë Jezusin, Jakobi dhe Gjoni shtruan pyetjen: “Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t'i gllabërojë?” (Luka 9:54). Por Jezusi “i qortoi” (v. 55) për edhe thjesht faktin që e parashtruan këtë si sugjerim. Jezusi erdhi herën e parë që t’ia ofronte ungjillin të tërë atyre që do ta pranonin, jo për të ekzekutuar ndëshkim mbi ata që e refuzuan atë. Kjo është arsyeja përse Ai mundej të thoshte: “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta gjykojë botën, por që bota të shpëtohet me anë të tij” (Gjoni 3:17). Një ditë Ai do të kthehet sërish për të gjykuar, në fund të epokës së kishës, por gjatë kësaj epoke nuk është e drejta e posaçme e kishës që të përdorë forcën fizike për të kryer gjykim.

Jezusi në mënyrë të qartë bën një dallim mes autoritetit të dhënë nga qeveria nga njëra anë si dhe autoritetit që Perëndia ushtron në aleancën tonë personale ndaj Tij kur Ai thotë: “Jepini, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë” (Mat. 22:21). Gjithashtu, paçka se Jezusi e pranoi autoritetin e qeverisjes civile, Ai refuzoi ta uzurponte atë autoritet Vetë, duke i thënë dikujt: “Njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?” në lidhje me një çështje trashëgimie familjare (Luka 12:13–14).

Një arsye e mëtejshme përse qeveria nuk duhet të përdorë forcën për të kërkuar besnikëri nga shtetasit ndaj krishterimit është fakti se në besëlidhjen e re, anëtarësia në kishë dhe aleanca ndaj Krishtit, duhet të jetë diçka e kryer vullnetarisht. Ata nuk mund të shtrëngohen nga familja apo nga shteti për këtë. Në fakt, besimi në Krishtin, po të mbahet e praktikohet siç duhet, nuk mund të imponohet forcërisht. Nëse imponohet, ai kësisoj ndryshon cilësinë thelbësore të vet e nuk është më një veprim i kryer vullnetarisht nga individi, e nuk ka se si të jetë besim i vërtetë.

Nga kjo rrjedh gjithashtu se qeverisja civile nuk duhet të zbatojë ligje të cilat kërkojnë ndalimin e llojeve të ndryshme të doktrinës së krishterë apo kufizimin e lirisë së njerëzve për të adhuruar ashtu sikurse zgjedhin vetë. Nga ana tjetër, kisha nuk është e as duhet të jetë përmbi shtetin, a thua se është një lloj autoriteti më i lartë mbi të; sepse nuk është e atillë. Përkundrazi, autoriteti i kishës dhe ai i shtetit u takojnë sferave të ndara nga njëra tjetra (Mat. 22:21; Gjoni 18:36; 2 Kor. 10:3–4), dhe secili duhet të respektojë autoritetin që Perëndia i ka dhënë tjetrit në sferën e tij të operimit.

Këto kufizime rreth veprimtarive të kishës dhe shtetit janë ndryshe nga praktika e Kishës Katolike përgjatë një pjese të mirë të Mesjetës ku ajo shpesh herë kishte më tepër pushtet sesa qeveria civile. Këto parime janë gjithashtu ndryshe nga praktika e Kishës së Anglisë, që është subjekt i autoritetit të Mbretëreshës dhe Parlamentit në caktimin e peshkopëve dhe çfarëdo ndryshimi në standardet doktrinare. Mosarritja për respektimin e roleve të veçanta të kishës dhe shtetit, shikohet në shumë vende Katolike Romake sot, ku kisha ka ende një ndikim të fortë mbi qeverinë, si dhe në anëtarësinë e detyrueshme në kishat Protestante të sponsorizuara nga shteti të Evropës Veriore pas Reformimit, një situatë kjo e cila bëri që shumë emigrantë të arratiseshin në Amerikë në mënyrë për të ruajtur liritë fetare.

Sidoqoftë, duhet thënë se shkalla e fesë së imponuar nga shteti në vendet Protestante apo Katolike, është me të vërtetë e butë krahasuar me fenë e sponsorizuar nga shteti dhe me fenë e imponuar nga shteti në pjesën më të madhe të vendeve myslimane sot, si dhe në shumë vende hinduiste dhe budiste gjithashtu. Në fakt, është e vështirë të gjejmë liri të mirëfilltë fetare pa ndikimin e fortë të krishterimit të shëndetshëm ungjillor në çfarëdo vendi nëpër botë (me përjashtim të atyre ku fetë e ndryshme janë aq të dobëta, apo aq të baraspeshuara saqë asnjë fe nuk ka fuqi dominuese politike). Kurdoherë që të krishterët janë të përfshirë në lëmin politik, ata duhet që në mënyrë të qartë të mbrojnë lirinë fetare si një linjë veprimi politike e cila është e panegociueshme, dhe ata duhet të jenë të gatshëm që të mbrojnë atë liri edhe për fetë e tjera. Besimi i krishterë mund të qëndrojë në këmbë dhe të konkurrojë shumë mirë në tregun e ideve të cilësdo shoqëri e në cilëndo kulturë, me kushtin që të ketë lirinë për ta bërë një gjë të tillë.

Si përfundim, ajo që është thënë më lart nuk duhet të keqkuptohet si një ndalim kundër të krishterëve që synojnë të sjellin një ndikim pozitiv moral mbi qeverinë si dhe të përpiqen t’i bindin qeveritë për t’i bërë ligjet të përputhshme me standardet biblike të moralit. Është e përshtatshme për të krishterët që të synojnë t’i bindin qeveritë që të hartojnë ligje të cilat i mbrojnë familjet si dhe pronën private si dhe jetën e njerëzve—ligje që edhe e shpallin të jashtëligjshme dhe edhe e ndëshkojnë vrasjen, kurorë-shkeljen, vjedhjen si dhe shkeljen e kontratave (gjëra të cilat shkelin Dhjetë Urdhëresat), si dhe që ndalojnë sjelljen homoseksuale, dehjen, abuzimin me drogën, abortin si dhe gjëra të tjera, të cilat janë të papërputhshme me standardet biblike të moralit. Këto gjëra janë shumë ndryshe nga kërkimi me doemos i besimit në disa lloje të caktuara doktrine kishtare apo bindjeje teologjike si dhe nga kërkimi që njerëzit të ndjekin lloje të caktuara të kishës apo shërbimeve të adhurimit. Këto të fundit janë dukshëm veprimtari të qarta “fetare” në kuptimin e ngushtë në atë që ato janë të lidhura me marrëdhënien tonë me Perëndinë si dhe ato që ne besojmë rreth Tij.[56]11 Qeveritë duhet të vetë-përmbahen nga hartimi i ligjeve rreth këtyre gjërave.

D. Disiplina kishtare

Përderisa disiplina kishtare është një aspekt i përdorimit të autoritetit të kishës, është me vend këtu që të diskutojmë deri diku parimet biblike të lidhura me praktikën e disiplinës kishtare.

1. Qëllimi i disiplinës kishtare. 

a. Rimëkëmbja dhe pajtimi i besimtarit i cili po shkon në drejtim të gabuar: Mëkati e pengon bashkësinë mes besimtarëve dhe atë me Perëndinë. Me qëllim që të ndodhë pajtimi, mëkati duhet trajtuar. Për rrjedhojë, qëllimi kryesor i disiplinës kishtare, është që të ndjekim qëllimin e dyfishtë të rimëkëmbjes (të shkelësit në sjelljen e duhur) dhe pajtimit (mes besimtarëve, dhe me Perëndinë).[57]12 Ashtu sikurse prindërit e mençur disiplinojnë fëmijët e tyre (F. e Urta 13:24: “Ai që e do [birin e vet] e mëson me kohë”), dhe ashtu sikurse Perëndia, Ati ynë disiplinon ata të cilët Ai i do (Heb. 12:6; Zbu. 3:19), po ashtu kisha, në disiplinimin e saj është duke vepruar me dashuri për të risjellë një vëlla apo një motër që ka shkuar në rrugë të gabuar, duke e rikthyer atë person në bashkësinë e duhur dhe duke e shpëtuar atë nga vazhda shkatërrimtare e jetës. Tek “Mateu” 18:15, shpresohet që disiplina do të ndalë në hapin e parë, kur dikush shkon vetëm: “Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd.” Fraza “e fitove vëllanë tënd” nënkupton që ata të cilët zbatojnë disiplinën, duhet të mbajnë gjithnjë në mendje qëllimin e pajtimit personal ndër të krishterët. Pali na kujton se ne duhet të “ndërtojmë” vëllanë apo motrën që mëkaton “në frymën e zemërbutësisë” (Gal. 6:1), dhe Jakobi na inkurajon që ta “kthejmë mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij” (Jakobi 5:20).

Në fakt, nëse pjesëtarët e kishës do të ishin të përfshirë në mënyrë aktive në dhënien e fjalëve private të qortimi me butësi, si dhe në lutje për njëri tjetrin kur prova e parë e qartë e një qëndrimi mëkatar të vihet re, fare pak disiplinë formale kishtare do duhet të zbatohet, për shkak se procesi në fjalë do të fillonte dhe përfundonte me një bashkëbisedim mes dy njerëzve, bashkëbisedim i cili nuk bëhet kurrë i ditur për dikë tjetër.

Edhe atëherë kur hapi përfundimtar “i shkishërimit” (d.m.th., duke vënë dikë jashtë “bashkësisë” së kishës) merret, kjo gjë bëhet gjithsesi me shpresën se kjo do të çojë në pendesë. Pali ia dorëzoi Satanit Imeneun dhe Aleksandrin “që të mësojnë të mos blasfemojnë” (1 Tim. 1:20), dhe personi që jetonte me incest në Korint, duhej t’i lihej Satanit “që të shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus” (1 Kor. 5:5).[58]13

Nëse të krishterët të cilët duhet të ndërmarrin hapa disipline kishtare do të vazhdojnë të kujtojnë këtë qëllim parësor, pra pajtimin e besimtarëve të cilët po marrin rrugën e gabuar me njëri-tjetrin si dhe me Perëndinë, si dhe rikthimin e tyre tek modeli i duhur i të jetuarit, atëherë do të jetë shumë më e lehtë që të vazhdojmë të veprojmë me dashuri të mirëfilltë për palët e përfshira dhe atëherë ndjenjat e zemërimit apo dëshirat për hakmarrje nga ana e atyre që janë lënduar (ndjenjë kjo e cila shpesh është gati të shpërthejë), do të shmanget shumë më lehtësisht.

b. Për të mos lejuar që mëkati të përhapet tek të tjerët: Paçka se qëllimi kryesor i disiplinës kishtare është rimëkëmbja dhe pajtimi për besimtarët që janë në gabim, në këtë epokë të tashme, pajtimi dhe rimëkëmbja nuk do të ndodhë gjithnjë, por pavarësisht nëse rimëkëmbja ndodh apo jo, kishës i thuhet që të zbatojë disiplinën për shkak se kësisoj i shërbehet gjithashtu dy qëllimeve të tjera.

Një qëllim tjetër është që mëkati nuk do të lejohet që të shpërndahet tek të tjerët. Autori i “Hebrenjve” u thotë të krishterëve që të tregojnë kujdes se “mos mbijë ndonjë ‘rrënjë e hidhur’ dhe t'ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz” (Heb. 12:15). Kjo do të thotë se nëse konflikti mes personave nuk zgjidhet shpejt, pasojat mund të përhapen tek shumë të tjerë—diçka kjo që për fat të keq duket se vlen të thuhet në shumë raste për ndasitë e kishës. Pali thotë gjithashtu: “Pak maja e bën të vijë gjithë brumin,” dhe u thotë korintasve që të dëbojnë nga kisha një njeri që jetonte në incest (1 Kor. 5:2, 6–7), se mos përndryshe mëkati i tij do të ndikonte tek e gjithë kisha. Po qe se ai njeri nuk do të ishte disiplinuar, pasojat e mëkatit do të përhapeshin tek shumë të tjerë të cilët ishin të vetëdijshëm për të dhe që e shikonin se kisha i kushtoi pak vëmendje. Kjo do të bënte që shumë vetë të mendonin se ndoshta ai mëkat nuk ishte edhe aq i keq sa ç’e kishin menduar ata, ndërsa të tjerë mund të tundoheshin që të kryenin mëkate të ngjashme apo të lidhura me të. Për më tepër, nëse disiplina kundër një shkeljeje të caktuar nuk zbatohet, atëherë do të jetë shumë më e vështirë për kishën që të zbatojë disiplinën në qoftë se një lloj i ngjashëm mëkati kryhet nga dikush tjetër në të ardhmen.

Pali i tha gjithashtu Timoteut që pleqtë të cilët këmbëngulin në mëkat, duhen qortuar në praninë e të tërëve, “që edhe të tjerët të kenë frikë” (1 Tim. 5:20)—d.m.th. në mënyrë që shumë të tjerë të kuptonin se mëkati nuk do të tolerohet por do t’i nënshtrohet disiplinës si nga kisha ashtu edhe nga Perëndia Vetë. Në fakt, Pali e qortoi Pjetrin publikisht me qëllim që të tjerët të mos ndiqnin shembullin e keq të Pjetrit i cili e ndau veten e po hante vetëm me besimtarët judenj (Gal. 2:11).

c. Për të mbrojtur pastërtinë e kishës si dhe nderin e Krishtit: Një qëllim i tretë i disiplinës së kishës është që pastërtia e kishës të mbrohet, në mënyrë që Krishti të mos turpërohet. Sigurisht, asnjë besimtar në këtë epokë nuk ka një zemër plotësisht të pastër, dhe të tërë ne kemi ende mëkat në jetën tonë. Por, kur një pjesëtar i kishës vazhdon në mëkat në një mënyrë e cila është e dukshme për së jashtmi për të tjerët, veçanërisht ndaj jobesimtarëve,[59]14 kjo dukshëm i sjell turpërim Krishtit. Kjo është e ngjashme me situatën e judenjve të cilët nuk iu bindën ligjit të Perëndisë dhe që bënë që jobesimtarët të përqeshnin dhe të blasfemonin emrin e Perëndisë (Rom. 2:24: “Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër kombe”).

Kjo është arsyeja përse Pali është i tronditur që korintasit nuk e kanë disiplinuar atë person i cili vazhdoi në mëkat të vetëdijshëm, mëkat i cili ishte i ditur publikisht për kishën (1 Kor. 5:1–2: “Dhe ju u frytë e madje nuk vajtuat?”). Ai është gjithashtu i shqetësuar thellësisht për faktin që si ka mundësi që “një vëlla hyn në gjyq me të vëllanë, dhe kjo përpara të pabesëve” (1 Kor. 6:6). Pjetri i inkurajon besimtarët që të mos lejonin njolla të tilla morale mbi karakterin e kishës, por: “të zellshëm të jeni përpara tij [Krishtit] të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe” (2 Pjetrit 3:14). Gjithashtu, Zoti ynë Jezusi dëshiron që t’i paraqesë Vetes një kishë “pa njolla a rrudha... e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efe. 5:27), sepse Ai është kreu i kishës, dhe karakteri i saj është i lidhur me reputacionin e Tij. Madje edhe engjëjt e demonët shikojnë kishën dhe vërejnë mençurinë e Perëndisë të shprehur në të (Efe. 3:10); për rrjedhojë (Efe. 4:1) Pali i inkurajon të krishterët që të jenë “duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efe. 4:3).

Kjo është një çështje shumë serioze. Përderisa Zoti Jezus është xheloz për nderin e Tij, nëse kisha nuk ushtron disiplinën e duhur, Ai do ta bëjë këtë gjë Vetë, ashtu sikurse bëri në Korint, ku disiplinimi prej Zotit çoi në sëmundje dhe vdekje (1 Kor. 11:27–34), dhe ashtu sikurse paralajmëroi ai do t’i bënte të dyja në Pergam (Zbu. 2:14–15) dhe në Tiatirë (Zbu. 2:20). Në këto dy rastet e fundit, Zoti ishte i pakënaqur me të tërë kishën që kishte toleruar mosbindje të jashtme e që nuk kishte ushtruar disiplinë: “Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t'i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijuara idhujve” (Zbu. 2:20; kr. vgj. 14–16).[60]15

2. Për çfarë mëkatesh duhet ushtruar disiplina kishtare? Nga njëra anë, mësimi i Jezusit tek “Mateu” 18:15–20 na tregon se nëse një situatë ku përfshin një mëkat personal kundër dikujt tjetër nuk mund të zgjidhet në një takim privat apo të një grupi të vogël, atëherë çështja në fjalë duhet t’i parashtrohet kishës:

Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd; por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse pastaj refuzon t'i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon të dëgjojë edhe kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës. (Mat. 18:15–17)

Në këtë rast, çështja ka kaluar nga një situatë private dhe joformale, në një proces publik e shumë më tepër formal disiplinimi nga e tërë kisha.

Nga ana tjetër, nuk duket se ka ndonjë kufizim specifik për llojet e mëkatit të cilat duhet t’i nënshtrohen disiplinës kishtare. Shembujt e mëkateve të cilat i nënshtrohen disiplinës kishtare në Besëlidhjen e Re janë ekstremisht të larmishme: përçarje (Rom. 16:17; Titit 3:10), incest (1 Kor. 5:1), përtaci dhe refuzim për të punuar (2 Thes. 3:6–10), mosbindje ndaj asaj që Pali shkruan (2 Thes. 3:14–15), blasfemi (1 Tim. 1:20), dhe dhënie mësim e doktrinave heretike (2 Gjonit 10–11).

Megjithëkëtë, një parim i qartë duket se është në funksionim: të tëra mëkatet të cilat u disiplinuan në mënyrë të shkoqur në Besëlidhjen e Re qenë të ditura publikisht apo ishin mëkate të dukshme për së jashtmi,[61]16 dhe shumë prej tyre kishin vazhduar përgjatë një periudhe kohore. Fakti që këto mëkate qenë të ditura publikisht, do të thoshte se kisha po përbaltej, Krishti po përbaltej dhe ekzistonte vërtetë mundësia që të tjerët për pasojë të inkurajoheshin që të ndiqnin mënyrat e gabuara të jetesës të cilat po toleroheshin publikisht.

Sidoqoftë, ekziston gjithnjë nevoja për një gjykim të pjekur në ushtrimin e disiplinës kishtare për shkak se ka një mungesë plotësimi tërësor në jetën tonë. Për më tepër, kur ne e kuptojmë se dikush është tashmë i vetëdijshëm për një mëkat dhe është duke u përpjekur për ta mposhtur, një fjalë qortuese mundet që faktikisht të bëjë më tepër dëm sesa mirë. Ne duhet që gjithashtu të kujtojmë se atje ku ka problematika në sjellje në të cilat të krishterët me të drejtë nuk kanë dakordësi, Pali inkurajon një shkallë të gjerë tolerance (Rom. 14:1–23).

3. Si duhet të kryhet disiplina kishtare? 

a. Mëkati duhet t’i bëhet i ditur grupit më të vogël të mundshëm: Kjo duket se është qëllimi tek “Mateu” 18:15–17 prapa përparimit gradual nga një takim privat, tek një takim me dy apo tre të tjerët, deri tek bërja me dije të tërë kishës. Sa më pak njerëz të kenë dijeni rreth një mëkati, aq më mirë, për shkak se pendesa është më e lehtë, më pak njerëz shkojnë në rrugë të gabuar, e më pak dëm i bëhet reputacionit të personit, reputacionit të kishës si dhe reputacionit të Krishtit.[62]17

b. Masat disiplinore duhet të forcohen derisa të gjendet një zgjidhje: Edhe një herë tjetër, tek “Mateu” Jezusi na mëson se ne nuk mundemi që të mjaftohemi me thjesht një bisedë private nëse kjo nuk ka sjellë rezultate të kënaqshme. Ai kërkon që personi ndaj të cilit është bërë një padrejtësi në fillim të shkojë vetëm dhe pastaj të marrë një apo dy të tjerë me vete (Mat. 18:15–16). Për më tepër, nëse një i krishterë mendon se ai apo ajo ka vepruar gabim ndaj dikujt tjetër (apo edhe nëse ai person tjetër mendon se ndaj tij apo saj është vepruar gabim), Jezusi kërkon që personi që e ka kryer gabimin (apo i cili mendohet se ka bërë gabimin) të shkojë tek personi i cili e konsideron veten viktimë të asaj padrejtësie (Mat. 5:23). Kjo do të thotë se pavarësisht nëse kemi bërë faj ndaj dikujt apo të tjerët mendojnë se atyre u është bërë një padrejtësi, është gjithnjë përgjegjësia jonë që të marrim iniciativën e të shkojmë tek personi tjetër. Jezusi nuk na lejon që të presim derisa personi tjetër të vijë tek ne.

Pas një takimi privat dhe një takimi në grupin e vogël, Jezusi nuk specifikon që pleqtë apo funksionarët e kishës kanë radhën që të konsultohen si grup, por pa dyshim që ky hap i ndërmjetëm duket se është i përshtatshëm, për shkak se Jezusi mund të jetë thjesht duke përmbledhur procesin pa përmendur domosdoshmërisht çdo hap të mundshëm të tij. Në fakt, ka një sërë shembujsh qortimesh prej grupesh të vogla në Besëlidhjen e Re të cilat kryhen nga pleqtë apo punonjës të tjerë të kishës (shiko 1 Thes. 5:12; 2 Tim. 4:2; Titit 1:13; 2:15; 3:10; Jakobi 5:19–20). Për më tepër, parimi i mbajtjes së njohurisë rreth mëkatit brenda një grupi sa më të vogël të mundshëm, padyshim që do të inkurajonte këtë hap të ndërmjetëm gjithashtu.

Së fundi, nëse situata nuk mund të zgjidhet, Jezusi na thotë: “thuaja kishës” (Mat. 18:17). Në këtë rast, kisha do të mblidhet për të dëgjuar faktet e rastit si dhe për të marrë një vendim. Përderisa Jezusi lejon mundësinë që personi ndodh që “refuzon të dëgjojë edhe kishën” (v. 17), kishës mund t’i duhet që të takohet njëherë që të vendosë atë që do t’i thotë fajtorit, e pastaj të takohet përsëri për ta përjashtuar atë person nga përbashkësia e kishës.[63]18

Kur Jezusi jep këto udhëzime rreth disiplinës së kishës, Ai e kujton kishën që prania e Tij si dhe fuqia e Tij janë prapa vendimeve që merren nga kisha: “Përsëri po ju them se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t'u jepet atyre nga Ati im në qiej. Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mat. 18:19–20). Jezusi premton se do të jetë i pranishëm në mbledhjet e kishës në përgjithësi, por specifikisht këtu në lidhje me kishën e cila mblidhet për disiplinimin e një pjesëtari të saj në faj. Pali në mënyrë të ngjashme u thotë korintasve që të disiplinojnë pjesëtarin në faj kur të mblidhen “me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Kor. 5:4). Kjo nuk është një veprimtari e cila duhet marrë letshëm, por një e cila kryet në praninë e Zotit, dhe përbërësi frymëror i saj faktikisht kryhet nga vetë Zoti.

Nëse kjo duhet bërë ndonjëherë, e tërë kisha pastaj duhet ta dijë se personi i cili është në gabim, nuk konsiderohet më pjesëtar i kishës, e se personi në fjalë nuk do të lejohej që të marrë Darkën e Zotit, përderisa pjesëmarrja në Darkën e Zotit është një shenjë e pjesëmarrjes në unitetin e kishës (1 Kor. 10:17: “Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë”).

Ka edhe pasazhe të tjerë në Besëlidhjen e Re të cilat flasin për shmangien e bashkësisë me personin e shkishëruar. Pali u thotë korintasve: “Por tani ju shkrova të mos përziheni nëse dikush kërkon të quhet vëlla, duke qenë kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose rrëmbyes; me një të tillë madje as të mos hani bashkë” (1 Kor. 5:11). Ai u thotë thesalonikasve: “Dhe ju porosisim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të tërhiqeni nga çdo vëlla që ecën i parregullt dhe jo sipas traditës që keni marrë prej nesh” (2 Thes. 3:6). Për më tepër, ai thotë: “në qoftë se dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet. Dhe mos e mbani atë si armik, por qortojeni si vëlla” (2 Thes. 3:14–15). 2 Gjonit 10–11 e ndalon gjithashtu përshëndetjen apo mirëpritjen në shtëpi të kujtdo i cili promovon mësimin e rremë. Këto udhëzime dukshëm janë dhënë për ta parandaluar kishën që të mos u lërë të tjerëve përshtypjen se ajo e aprovon mosbindjen e personit që është në gabim.

c. Disiplina ndaj drejtuesve të kishës: Në një pasazh, Pali jep udhëzime të veçanta në lidhje me disiplinën e pleqësisë së kishës:

Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë. Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë. Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi. (1 Tim. 5:19–21)

Pali lëshon këtu një paralajmërim të veçantë për mbrojtjen e pleqve nga sulmet individuale: veprimi në lidhje me ndonjë keqbërje në këtë rast duhet të kërkojë provën e dy apo tre dëshmitarëve. “Ata që mëkatojnë”[64]19 duhen qortuar “përpara të gjithëve.” Kjo ndodh për shkak se shembulli i keq i sjelljes së gabuar nga pleqtë, me shumë mundësi do të ketë një efekt shumë të përhapur negativ tek të tjerët të cilët shikojnë jetën e tyre. Pastaj Pali e kujton Timoteun që të “mos bëj asgjë me anësi” në këtë situatë, një paralajmërim shumë i dobishëm përderisa Timoteu ishte me shumë mundësi një mik i afërt me një pjesë të madhe të pleqësisë në kishën e Efesit.

Urdhëresa e Palit për qortimin publikisht të një plaku që është në mëkat, do të thotë se një farë deklarate e natyrës së shkeljes duhet t’i paraqitet kishës (“qortoji përpara të gjithëve,” v. 20).[65]20 Nga ana tjetër, jo çdo detaj i mëkatit duhet t’i shpaloset kishës. Një udhëzim i dobishëm është që kishës duhet t’i  tregohet aq sa (1) ata të kuptojnë se sa e rëndë qe shkelja, (2) ata të jenë në gjendje që të kuptojnë dhe mbështetin procesin e disiplinës, dhe (3) për pasojë, ata nuk do ta ndjejnë se mëkati u minimizua apo u mbulua në rast se në një farë mënyre disa hollësi të tij dalin më vonë.

Një shpallje e tillë publike e mëkatit të një drejtuesi, do t’i japë një sinjal grigjës që drejtuesit e kishës nuk do t’i fshehin çështjet e tilla prej tyre në të ardhmen. Kjo do ta shtojë bindjen e kishës në integritetin e bordit udhëheqës. Kjo do t’i japë gjithashtu mundësinë drejtuesit në mëkat që të fillojë procesin gradual të rindërtimit të marrëdhënieve dhe mirëbesimit me grigjën, për shkak se nuk do t’i duhet të përballet me njerëz të cilët kanë njëqind spekulime të ndryshme rreth asaj që ishte mëkati i tij, por me njerëz të cilët e dinë mëkatin specifik, si dhe që mund ta shikojnë pendesën e mirëfilltë si dhe ndryshimin në lidhje me atë fushë të mëkatit në jetën e tij.

Çfarë mund të thuhet për mëkatet e rënda të njerëzve të cilët nuk janë drejtues kishe? Shkrimi nuk na urdhëron që të shpallim publikisht mëkatet e njerëzve të cilët janë pjesëtarë të zakonshëm e jo drejtues të pranuar si të tillë në kishë. Drejtuesit, sidoqoftë, janë trajtuar ndryshe për shkak se stili i jetës së tyre duhet të jetë “i paqortueshëm” (1 Tim. 3:2), dhe jeta e tyre duhet të jetë shembull për t’u imituar nga të krishterët e tjerë (shiko 1 Tim. 4:12).[66]21

d. Aspekte të tjera të disiplinës kishtare: Sapo të kryhet disiplinimi, sapo të ketë pendesë në çfarëdo faze të këtij procesi, të krishterët të cilët kanë dijeni rreth disiplinimit, duhet ta mirëpresin përsëri personin e penduar me shpejtësi në bashkësinë e kishës. Pali thotë: “por tani, përkundrazi, ju duhet më tepër ta falni atë dhe ta ngushëlloni, që ai njeri të mos përpihet nga trishtimi i tepërt.... Prandaj ju lutem t'i tregoni dashuri” (2 Kor. 2:7–8; kr. 7:8–11). Edhe njëherë, qëllimi për sa i takon disiplinës kishtare, nuk duhet të jetë kurrë ndëshkimi i shtyrë nga një dëshirë për hakmarrje, por gjithnjë rimëkëmbja dhe shërimi.

Qëndrimi me të cilin disiplina kryet në çfarëdo faze, është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Ajo duhet bërë me butësi dhe përulësi si dhe me një vlerësim të mirëfilltë për dobësitë tona vetjake si dhe me një frikë se ne mund të biem në mëkate të ngjashme. “Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymërorë, ndërtojeni të tillë në frymën e zemërbutësisë; duke u kujdesur për veten tënde, që të mos tundohesh edhe ti” (Gal. 6:1).

Nuk është gjë e mençur që të caktosh ndonjë orar paraprakisht duke u thënë njerëzve se për sa kohë pritet të zgjasë procesi i disiplinimit. Kjo bëhet për shkak se është e pamundur për ne që të parashikojmë se sa kohë do të kalojë deri kur Fryma e Shenjtë të shkaktojë një pendesë të thellë e të mirëfilltë, si dhe një ndryshim në gjendjen e zemrës së personit e cila ka qenë ajo që ka çuar në mëkat.

Si përfundim, ne duhet të vërejmë se menjëherë pas pasazhit mbi disiplinën kishtare tek “Mateu” 18:15–20, Jezusi na mëson me forcë për nevojën për falje personale të atyre të cilët mëkatojnë kundër nesh (Mat. 18:21–35). Ne duhet t’i falim “shtatëdhjetë herë shtatë” (v. 22) ata të cilët na dëmtojnë, dhe Jezusi na thotë se Ati ynë qiellor do të na ndëshkojë rëndë po qe se ne nuk falim nga zemra, gjithsecili vëllanë e vet (v. 35). Ne duhet ta shikojmë pasazhin mbi disiplinën kishtare si dhe këtë pasazh si plotësues jo si kontradiktor. Si individë, në zemrën tonë duhet të falim gjithnjë e të mos mbajmë mëri. Megjithëkëtë, ne padyshim që e falim dikë në zemrën tonë dhe gjithsesi kërkojmë disiplinimin kishtar për të mirën e personit i cili është duke kryer një mëkat, për të mirën e kishës, si dhe për nderimin e Krishtit, si dhe për shkak se Fjala e Perëndia na e urdhëron.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A e ke menduar më përpara kishën si tepër të dobët apo si tepër të fortë në ndikimin që ka në çështjet e botës? Si ka ndryshuar ky mendim i yti si rezultat i këtij kapitulli? A mendon tani se ka ndonjë shpresë për transformimin e shoqërisë jashtë ndikimit të fortë shpengues të kishës?

2.     A e ke menduar më përpara veten tënde si mbajtësin e “çelësave të mbretërisë së qiejve”? A i ke në fakt disa prej këtyre çelësave tani? Çfarë po bën me to?

3.     Në ç’mënyra do mundet kisha jote që të ushtrojë fuqinë e saj frymërore kundër forcave të armikut me më shumë efikasitet? Në ç’mënyra do mundeshe që ta përdorje këtë fuqi me më shumë efikasitet vetë?

4.     Cili është armiku më i fortë ndaj efektshmërisë së shpalljes së ungjillit në komunitetin tënd tani? Si mund të përdoret fuqia e kishës kundër atij armiku?

5.     Nëse ti i pranon parimet sipas të cilave kisha nuk duhet të jetë mbi shtetin dhe shteti nuk duhet të jetë mbi apo të kufizojë lirinë e kishës, a janë këto parime duke u zbatuar me efektivitet në vendin tënd apo në rrethanat e tua vendore? Çfarë mund të bëhet për të shtuar konformizmin me këto parime? (A je dakord me këto parime?)

6.     A je në dijeni të rrethanave në të cilat një fjalë e butë qortimi ka rezultuar në një ndryshim pozitiv në sjelljen tënde apo në sjelljen e një të krishteri tjetër? A je në dijeni të situatave ku disiplina e kishës ka shkuar një hap apo dy më tej sesa kjo e që ka rezultuar në rimëkëmbjen e personit i cili është në gabim? Nëse je i vetëdijshëm për situatat ku praktika e disiplinës së kishës nuk ka sjellë një rezultat të mirë, çfarë do mund të ishte bërë ndryshe me qëllim që të kishim një rezultat më të mirë?

7.     Nëse një kishë refuzon të ushtrojë disiplinë kishtare për vite të tëra, paçka se dukshëm ka një nevojë për këtë, cili do të jetë rezultati i dëmshëm në kishë? A je në dijeni të rrethanave në të cilat këto rezultate të dëmshme kanë ndodhur?

8.     A ka patur raste kur ke dëshiruar që dikush të të kishte ardhur tek ty më përpara me një fjalë qortimi apo me një këshillë në lidhje me një fushë mëkati për të cilën nuk ke qenë i vetëdijshëm apo jo i sigurt? Nëse po, përse nuk ndodhi kjo gjë?

9.     A ka tani ndonjë marrëdhënie në jetën tënde ku “Mateu” 5:23 si dhe “Mateu” 18:15 ndërthuren për të të thënë se ke një detyrim për të shkuar tek një person tjetër e për të kërkuar për ta ndrequr atë situatë?

TERMA TË VEÇANTË

“lidhje dhe zgjidhje”

shkishërim

“çelësat e mbretërisë”

autoriteti i kishës

të marrësh shpatën

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 402–413, 418–427

1930 Thomas, 281–297, 434–446

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1940 Wiley, 3:136–137

3. Baptiste

1767 Gill, 2:607–620

1907 Strong, 924–926

4. Dispensacionale

1986 Ryrie, 433–435

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:530–531; 3:178–183, 416–420

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:1149–1240 (4.8–12)

1724–1758 Edwards, 2:118–122

1861 Heppe, 684–694

1878 Dabney, 873–887

1937–1966 Murray, CW 1:253–259

1938 Berkhof, 593–6037. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 3:120–123, 265–285

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 417–425

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 2:817–848

Vepra të Tjera

Adams, Jay E. Doracak i Disiplinës Kishtare (Handbook of Church Discipline). Grand Rapids: Ministry Resources Library, 1986.

Bauckham, Richard. Bibla në Politikë: Si ta Lexosh Biblën Politikisht (The Bible in Politics: How to Read the Bible Politically). Louisville: Westminster/John Knox, 1989.

DeKoster, L. “Disiplina Kishtare (Church Discipline).” Tek FUT (EDT) f. 238.

Eidsmoe, John. Perëndia dhe Cezari: Besimi i Krishterë dhe Veprimi Politik (God and Caesar: Christian Faith and Political Action). Westchester, Ill.: Crossway, 1984.

Grudem, W.A. “Çelësat e Mbretërisë (Keys of the Kingdom).” Tek FUT (EDT) fq. 604–606.

Laney, J. Carl. Një Udhëzues për tek Disiplina e Krishterë (A Guide to Church Discipline). Minneapolis: Bethany, 1985.

Linder, R.D. “Kisha dhe Shteti (Church and State).” Tek FUT (EDT) fq. 233–238.

Robertson, O. Palmer. “Reflektime mbi Dëshminë e Besëlidhjes së Re në Lidhje me Mosbindjen Civile (Reflections on New Testament Testimony Concerning Civil Disobedience).” [67]JETS. Vol. 33, Nr. 3 (Shtat., 1990), fq. 331–351.

Schaeffer, Francis. Një Manifest i Krishterë (A Christian Manifesto). Westchester, Ill.: Crossway, 1981.

Stott, John R.W. Portreti i Predikuesit: Disa Studime Fjale të Besëlidhjes së Re (The Preacher’s Portrait: Some New Testament Word Studies). Grand Rapids: Eerdmans, 1961.

White, John, dhe Ken Blue. Disiplinë Kishtare që Shëron: Vënia në Veprim e Dashurisë së Kushtueshme (Church Discipline That Heals: Putting Costly Love into Action). (Botuar fillimisht me titullin Shërimi i të Plagosurit (Healing the Wounded).) Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1985.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“2 Korintasve” 10:3–4: Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit, sepse armët e luftës sonë nuk janë mishërore, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat.

HIMN

“PËRPARA USHTARË TË KRISHTERË (ONWARD CHRISTIAN SOLDIERS)” 

Ky himn nuk flet për luftën tokësore me shpata dhe mburoja, por për luftën frymërore të lutjes dhe lavdërimit, dhe armiqtë nuk janë jobesimtarët e kësaj bote, por Satani dhe ushtritë e tij demonike: “Themelet e ferrit dridhen kur britmat e lavdërimit dëgjohen/Vëllezër ngrini zërin, himnet tuaja të lartohen.”

Ky himn paraqet kishën e cila lëviz si një ushtri e Perëndisë në mbarë botën kundër forcave të Satanit dhe shpall unitetin e kishës gjithashtu: “Ne nuk jemi të përçarë, të tërë një trup jemi/Një në shpresë dhe doktrinë, një në dashuri.” Është një këngë triumfatore dhe e gëzueshme rreth luftës frymërore nga një kishë e cila nuk do të përçahet e që nuk do të mposhtet.

Përpara ushtari i krishterë, për në luftë marshon,

Me kryqin e Jezusit që e kryeson:

Krishti, Mjeshtri mbretëror kundër armikut na prin gjithmonë;

Besimtari shikon përpara në betejë flamujt e Tij të kalojnë

Refreni:

Përpara ushtar i krishterë, për në luftë marshon,

Me kryqin e Jezusit që të kryeson.

Ushtria e Satanit ia mbathi, ngadhënjimin e Tij sapo pa,

Përpara atëherë, ushtarë të krishterë, drejt fitores përpara:

Themelet e ferrit dridhen kur britmat e lavdërimit dëgjohen;

Vëllezër ngrini zërin, himnet tuaja të lartohen.

Si një ushtri e fuqishme kisha e Perëndisë është duke lëvizur;

Vëllezër, po ecim atje ku shenjtorët kanë shkelur;

Ne nuk jemi të përçarë, të tërë një trup jemi,

Një në shpresë dhe doktrinë, një në dashuri.

Kurorat dhe fronet mund të zhduken, mbretëria të ngrihet e do shkojë,

Por kisha e Jezusit e pandryshueshme përherë do të qëndrojë;

Portat e ferrit ndaj kishës kurrë nuk mund të ngadhënjejnë;

Premtimin e Krishtit Vetë ne kemi, dhe Ai do ta bëjë që ta gëzojmë

Prandaj përpara o njerëz, bashkohuni me turmën tonë të gëzimit,

Bashkoni me ne zërat tuaja në kokën e ngadhënjimit;

Krishtit Mbret, lavdi, lëvdata dhe nderim;

Njerëzit dhe engjëjt këndojnë këtë gjë përjetë në amshim.

Autor: Sabine Baring-Gould, 1865

Pen
>