General
Text

Kapitulli 30: Vepra e Frymës së Shenjtë

Lesson 32 Chapter 5 Module 6

Vepra e Frymës së Shenjtë

Cilat janë veprimtaritë dalluese të Frymës së Shenjtë përgjatë historisë së Biblës?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Në kapitujt e mëparshëm kemi diskutuar deri diku personin dhe veprën e Perëndisë Atë, dhe më tej, personin dhe veprën e Perëndisë Bir, Jezus Krishtin. Kemi shqyrtuar gjithashtu provat biblike për hyjninë si dhe personalitetin e veçantë të Frymës së Shenjtë (në lidhje me doktrinën e Trinisë). Është vendi tani që në këtë kapitull të përqendrohemi tek vepra dalluese e Frymës së Shenjtë. Ndër veprimtaritë e ndryshme të pjesëtarëve të Trinisë, cilat aktivitete thuhen të jenë veçanërisht vepër e Perëndisë Frymë e Shenjtë?

Duhet të kuptojmë që në fillim se kapitujt e tjerë të këtij libri trajtojnë më shumë apo më pak në mënyrë të drejtpërdrejtë aspekte të caktuara të veprës së Frymës së Shenjtë. Kapitujt mbi pagëzimin dhe mbushjen me Frymën e Shenjtë (39) si dhe dhuratat e Frymës së Shenjtë (52–53) pothuajse tërësisht trajtojnë veprat specifike të Frymës së Shenjtë. Për më tepër, kapitujt që kanë të bëjnë me autoritetin e Shkrimit (4), lutjen (18), thirrjen e ungjillit (33), ripërtëritjen (34), shenjtërimin (38), durimin (40), përlëvdimin (42), disiplinën kishtare (46), mjetet e hirit përbrenda kishës (48), si dhe adhurimin (51), të tëra trajtojnë aspekte të ndryshme të veprës së Frymës së Shenjtë në botë, dhe veçanërisht në jetën e besimtarëve. Gjithsesi, në këtë kapitull do të përpiqemi të fitojmë një tablo të përgjithshme të gjithçkaje që Shkrimi na mëson rreth punës së Frymës së Shenjtë, me qëllim që të kuptojmë më plotësisht se çfarë lloje veprimtarish i janë deleguar veçanërisht Frymës së Shenjtë nga Perëndia Atë si dhe Perëndia Bir.

Punën e Frymës së Shenjtë ne mund ta përkufizojmë si më poshtë: Puna e Frymës së Shenjtë është të manifestojë prezencën aktive të Perëndisë në botë, dhe veçanërisht në kishë. Ky përkufizim tregon që Fryma e Shenjtë është pjesëtar i Trinisë dhe Atë Shkrimi më shumë e paraqet si të pranishëm për të bërë veprën e Perëndisë në botë. Paçka se deri në një farë mase kjo është e vërtetë përgjatë gjithë Biblës, kjo është veçanërisht e vërtetë në epokën e besëlidhjes së re. Në Besëlidhjen e Vjetër, prania e Perëndisë shpesh herë u manifestua në lavdinë e Perëndisë si dhe nëpër teofani. Tek ungjijtë, Jezusi Vetë manifestoi praninë e Perëndisë ndër njerëzit, por, pasi Jezusi u ngrit në qiell dhe në vazhdim përgjatë gjithë epokës së kishës, Fryma e Shenjtë është tani manifestimi primar i pranisë së Trinisë ndër ne. Ai është Ai që është më shumë i pranishëm ndër ne tani.[131]1

Që nga vetë fillimi i krijimit, ne kemi një tregues që vepra e Frymës së Shenjtë, ka për qëllim të përfundojë dhe mbajë në ekzistencë atë që Perëndia Atë ka planifikuar si dhe atë që Perëndia Bir ka filluar, sepse tek “Zanafilla” 1:2, “Fryma e Perëndisë lëvizte mbi sipërfaqen e ujërave.” Gjithashtu, në ditën e Rrëshajave, me fillimin e krijesës së re në Krishtin, është Fryma e Shenjtë i Cili vjen për t’i dhënë fuqi kishës (Veprat 1:8; 2:4, 17–18). Për shkak se Fryma e Shenjtë është personi i Trinisë përmes të Cilit Perëndia manifeston veçanërisht praninë e Tij, në epokën e besëlidhjes së re, është vërtetë e përshtatshme që Pali ta quajë Frymën e Shenjtë “frytin e parë” (Rom. 8:23) si dhe “garanci” (apo “kapar,” 2 Kor. 1:22; 5:5) i manifestimit të plotë të pranisë së Perëndisë që ne do të përjetojmë në qiejt dhe tokën e re (kr. Zbu. 21:3–4).

Edhe në Besëlidhjen e Vjetër, qe parashikuar se prania e Frymës së Shenjtë do të sillte bekime të bollëkshme nga Perëndia: Isaia parashikoi një kohë kur Fryma do të sillte një ripërtëritje të madhe.

Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet... derisa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll. Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte. Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë. Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi. (Isa. 32:14–18)

Në mënyrë të ngjashme, Perëndia profetizoi përmes Isaisë për Jakobin kështu: “Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe lumenj mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhjen tënde dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu” (Isa. 44:3).

Në kontrast me këtë, largimi i Frymës së Shenjtë, e largoi bekimin e Perëndisë nga një popull: “Por ata u rebeluan dhe e trishtuan Frymën e tij të shenjtë; prandaj ai u bë armiku i tyre dhe luftoi kundër tyre” (Isa. 63:10). Megjithëkëtë, kishte një sërë profecishë në Besëlidhjen e Vjetër që parashikonin një kohë kur Fryma e Shenjtë do të vinte në plotësi më të madhe, një kohë kur Perëndia do të bënte një besëlidhje të re me popullin e Tij (Ezek. 36:26–27; 37:14; 39:29; Joeli 2:28–29).

Në çfarë mënyrash specifike sjell Fryma e Shenjtë bekimin e Perëndisë? Ne mund të dallojmë katër aspekte të veprës së Frymës së Shenjtë që sjell prova të pranisë së Perëndisë si dhe për të bekuar: (1) Fryma e Shenjtë fuqizon; (2) Fryma e Shenjtë pastron; (3) Fryma e Shenjtë zbulon; (4) Fryma e Shenjtë unifikon. Më poshtë do të shqyrtojmë secilën prej këtyre katër veprimtarive. Së fundi, ne duhet të kuptojmë se këto veprimtari të Frymës së Shenjtë, nuk duhen marrë për të mirëqena, dhe se ato nuk është se ndodhin automatikisht ndër popullin e Perëndisë. Përkundrazi, Fryma e Shenjtë pasqyron kënaqësinë apo pakënaqësinë e Perëndisë me besimin dhe bindjen, apo me mosbesimin si dhe mosbindjen e njerëzve të Perëndisë. Për shkak të kësaj, na duhet të shikojmë një aspekt të pestë të veprimtarisë së Frymës së Shenjtë: (5) Fryma e Shenjtë jep prova më të forta apo më të dobëta të pranisë dhe bekimit të Perëndisë, sipas reagimit tonë ndaj Tij.

A. Fryma e Shenjtë Fuqizon

1. Ai jep jetë. Në lëmin natyror, është roli i Frymës së Shenjtë që t’i japë jetë të tëra krijesave të gjalla, qofshin në tokë, në qiell apo në det, sepse “Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut” (Ps. 104:30). Anasjelltas, nëse Perëndia do “të tërhiqte Frymën dhe hukatjen e tij, çdo mish do të shkatërrohej njëkohësisht dhe njeriu do të kthehej në pluhur” (Jobi 34:14–15). Këtu shikojmë rolin e Frymës që jep dhe mbështet jetën njerëzore dhe shtazore.

Paralelisht me këtë, është roli i Frymës së Shenjtë, për të na dhënë jetë të re në ripërtëritje.[132]2 Jezusi i tha Nikodemit, “Ç'ka lindur nga mishi, është mish; dhe ç'ka lindur nga Fryma, është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: ``Duhet të lindni përsëri”’ (Gjoni 3:6–7; kr. vgj. 5, 8; 6:63; 2 Kor. 3:6). Ai tha gjithashtu: “Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë” (Gjoni 6:63; kr. 2 Kor. 3:6; Veprat 10:44–47; Titit 3:5).[133]3 E përputhshme me funksionin jetë-dhënës të Frymës së Shenjtë, është fakti që ishte Fryma e Shenjtë që ngjizi Jezusin në mitrën e Marisë, mamasë së Tij (Mat. 1:18, 20; Luka 1:35). Gjithashtu, në ditën kur Krishti të kthehet, është po Ai Frymë e Shenjtë që do ta përfundojë këtë punë jetë-dhënëse duke dhënë jetë të re ringjalljeje trupave tanë të vdekshëm: “Por në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Rom. 8:11).

2. Ai jep fuqi për shërbesë. 

a. Besëlidhja e Vjetër: Në Besëlidhjen e Vjetër, Fryma e Shenjtë shpesh herë i fuqizoi njerëzit për shërbime të veçanta. Ai fuqizoi Jozueun me aftësi drejtuese si dhe mençuri (Num. 27:18; L. i P. 34:9), si dhe i fuqizoi gjyqtarët që të çlironin Izraelin nga ata që e shtypnin (vini re se si “Fryma e ZOTIT ishte mbi” Othnielin tek “Gjyq.” 3:10, Gedeonin tek 6:34, Jefteun tek 11:29, dhe Sansonin tek 13:25; 14:6, 19; 15:14). Fryma e Shenjtë, erdhi fuqishëm mbi Saulin për ta ngritur atë në betejë kundër armiqve të Izraelit (1 Sam. 11:6), dhe kur Davidi u shugurua si mbret, “që nga ajo ditë Fryma e ZOTIT zbriti te Davidi” (1 Sam. 16:13), duke e pajisur Davidin që të përmbushte detyrën mbretërore për të cilën e kishte thirrur Perëndia.[134]4 Në një lloj pak më ndryshe fuqizimi, Fryma e Shenjtë e fuqizoi Betsaleelin me aftësi artistike për ndërtimin e tabernakullit si dhe pajisjes së tij (Eks. 31:3; 35:31), si dhe me aftësinë që këto aftësi t’ua mësonte edhe të tjerëve (Eks. 35:34).[135]5

Fryma e Shenjtë gjithashtu i mbroi njerëzit e Perëndisë si dhe i aftësoi ata që të ngadhënjenin përmbi armiqtë e tyre. Për shembull, Perëndia e vuri Frymën e Tij në mes tyre në kohën e eksodit (Isa. 63:11–12) dhe më vonë, pas kthimit të tyre nga mërgimi, vuri Frymën e Tij në mes tyre për t’i mbrojtur ata e për të mos lënë që t’i kaplonte frika (Hag. 2:5). Kur Sauli po përpiqej të zinte Davidin, Fryma e Shenjtë zbriti mbi lajmëtarët e Saulit (1 Sam. 19:20) dhe në fund edhe mbi vetë Saulin (v. 23), duke bërë që ata në mënyrë të pavullnetshme të binin përdhe e të profetizonin për orë të tëra, duke shkatërruar kësisoj qëllimin e Saulit dhe duke e poshtëruar atë, si përgjigje kjo ndaj dashakeqësisë së dhunshme që ai kishte shfaqur ndaj Davidit dhe Samuelit. Po kështu, ndërkohë që Ezekieli po profetizonte gjykime nëpërmjet Frymës së Shenjtë kundër disa prej drejtuesve të Izraelit (Ezek. 11:5), një prej drejtuesve i quajtur Pelatiah faktikisht vdiq (Ezek. 11:13). Në këtë mënyrë, Fryma e Shenjtë solli gjykim të atypëratyshëm mbi të.

Në fund, Besëlidhja e Vjetër parashikoi një kohë kur Fryma e Shenjtë do të shuguronte një Mesi-Shërbëtor, në plotësi dhe fuqi të madhe:

Fryma e ZOTIT do të pushojë mbi të; fryma e urtësisë dhe e zgjuarsisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës së ZOTIT. I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën e ZOTIT. (Isa. 11:2–3)

Isaia profetizoi që Perëndia do të thoshte për këtë Shërbëtor që do të vinte: “Kam vënë Frymën time mbi të” (Isa. 42:1), dhe Ai Vetë do të thoshte: “Fryma e Zotit, është mbi mua, sepse ai më vajosi” (Isa. 61:1; kr. Luka 4:18).

Përpara se ta lëmë këtë diskutim të fuqizimit prej Frymës së Shenjtë në Besëlidhjen e Vjetër, ne duhet të vërejmë se nganjëherë thuhet se nuk kishte vepër të Frymës së Shenjtë përbrenda njerëzve të Besëlidhjes së Vjetër. Kjo ide është nxjerrë kryesisht nga fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve të Tij tek “Gjoni” 14:17, “Sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.” Por ne nuk duhet të dalim në përfundimin nga ky varg se nuk pati punë të Frymës së Shenjtë përbrenda njerëzve përpara Rrëshajave. Paçka se Besëlidhja e Vjetër nuk flet shpesh për njerëzit të cilët kishin Frymën e Perëndisë në ta, apo të cilët ishin të mbushur me Frymën e Shenjtë, ka disa shembuj: Për Jozueun thuhet se kishte Frymën e Shenjtë përbrenda (Num. 27:18; L. i P. 34:9), siç thuhet edhe për Ezekielin (Ezek. 2:2; 3:24), Danielin (Dan. 4:8–9, 18; 5:11), dhe Mikën (Mik. 3:8).[136]6 Kjo do të thotë se kur Jezusi u thotë dishepujve të Tij që Fryma e Shenjtë “qëndron me ju dhe do të jetë në ju” (Gjoni 14:17), me këtë Ai nuk mund të jetë duke thënë se kishte një dallim absolut “brenda/jashtë” mes veprës së besëlidhjes së vjetër dhe asaj të re të Frymës së Shenjtë. Gjithashtu, as “Gjoni” 7:39 (“Fryma e Shenjtë nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar”) nuk mund të merret me kuptimin që nuk kishte patur veprimtari të Frymës së Shenjtë në jetën e njerëzve përpara Rrëshajave. Të dyja këto pasazhe duhet të jenë mënyra të ndryshme të të thënurit se punë më e fuqishme dhe e plotë e Frymës së Shenjtë që është karakteristike e jetës pas Rrëshajave, nuk kishte filluar ende në jetën e dishepujve. Fryma e Shenjtë nuk kishte ardhur brenda tyre në mënyrën në të cilën Perëndia kishte premtuar se do ta vinte Frymën e Shenjtë përbrenda njerëzve të Tij kur të vinte besëlidhja e re (shiko Ezek. 36:26, 27; 37:14), gjithashtu Fryma e Shenjtë nuk ishte derdhur në atë bollëk dhe plotësi të madhe e cilat do të karakterizonte epokën e besëlidhjes së re (Joeli 2:28–29). Në këtë kuptim të ri e të fuqishëm të Besëlidhjes së Re, Fryma e Shenjtë nuk ishte ende në punë përbrenda dishepujve.[137]7

b. Besëlidhja e Re: Puna fuqizuese e Frymës së Shenjtë në Besëlidhjen e Re, shikohet së pari si dhe më plotësisht në vajosjen dhe fuqizimin që i bën Jezusit si Mesi. Fryma e Shenjtë zbriti mbi Jezusin në momentin e pagëzimit të Tij (Mat. 3:16; Marku 1:11; Luka 3:22). Gjon Pagëzori tha: “E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si pëllumb dhe qëndroi mbi të” (Gjoni 1:32). Për rrjedhojë, Jezusi hyri në tundim në shkretëtirë “plot me Frymën e Shenjtë” (Luka 4:1), dhe pas tundimit të Tij, në fillim të shërbesës së Tij, “Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile” (Luka 4:14). Kur Jezusi erdhi për të predikuar në sinagogë në Nazaret, Ai deklaroi që profecia e Isaisë u përmbush tek Ai: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të dërguar në liri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit” (Luka 4:18–19). Fuqia e Frymës së Shenjtë në jetën e Jezusit, u pa pastaj në mrekullitë të cilat Ai kreu më pas, kur dëboi demonët me vetëm një fjalë dhe kur i shëroi të tërë njerëzit që shkuan tek Ai (Luka 4:36, 40–41). Frymës së Shenjtë i pëlqeu të banonte tek Jezusi si dhe ta fuqizonte Atë, sepse Ai gjeti plotësisht kënaqësi në pastërtinë absolute morale të jetës së Jezusit. Në kontekstin e të fourit për shërbesën e Tij si dhe për bekimin e Atit mbi atë shërbesë, Jezusi thotë: “Perëndia nuk e jep Frymën me masë. Ati e do Birin dhe të gjitha ia ka dhënë në dorë” (Gjoni 3:34–35). Jezusi kishte një vajosje pa masë prej Frymës së Shenjtë, dhe kjo vajosje “qëndroi mbi të” (Gjoni 1:32; kr. Vep. 10:38).

Fryma e Shenjtë fuqizoi gjithashtu dishepujt e Jezusit për lloje të ndryshme shërbese. Jezusi u kishte premtuar: “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të më bëheni dëshmitarë në Jerusalem dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8).[138]8 Ka një sërë shembujsh specifikë të fuqizimit që Fryma e Shenjtë u bënte të krishterëve të hershëm për të kryer mrekulli ndërkohë që ata shpallnin ungjillin (vini re Stefanin tek “Veprat” 6:5, 8; dhe Palin tek “Rom.” 15:19; “1 Kor.” 2:4). Por Fryma e Shenjtë i dha gjithashtu fuqi të madhe predikimit të kishës së hershme në mënyrë që kur dishepujt të ishin mbushur me Frymën e Shenjtë, ata të shpallnin Fjalën me guxim dhe me fuqi të madhe (Veprat 4:8, 31; 6:10; 1 Thes. 1:5; 1 Pjetrit 1:12). Në përgjithësi, ne mund të themi se Fryma e Shenjtë flet përmes mesazhit të ungjillit ndërkohë që ai shpallet me efikasitet për zemrat e njerëzve. Besëlidhja e Re përfundon me një ftesë si nga Fryma e Shenjtë ashtu edhe nga kisha, ku prej të dyve u bëhet thirrje njerëzve për t’u shpëtuar: “Fryma dhe nusja thonë: «Eja!». Dhe ai që dëgjon le të thotë: «Eja”’ (Zbu. 22:17). Në fakt, jo vetëm në predikimin e mesazhit të ungjillit por edhe në leximin dhe mësimin e Shkrimit, Fryma e Shenjtë vazhdon t’u flasë për çdo ditë zemrave të njerëzve (shiko Heb. 3:7 dhe 10:15, ku autori citon një pasazh nga Besëlidhja e Vjetër dhe thotë se Fryma e Shenjtë tani po ia flet atë pasazh lexuesve të Fjalës).

Një aspekt tjetër i fuqizimit të të krishterëve për shërbesë, është veprimtaria e Frymës së Shenjtë në dhënien e dhuratave shpirtërore për t’i pajisur të krishterët për shërbesë. Pas renditjes së një sërë dhuratash shpirtërore, Pali thotë: “Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç, ashtu si do vetë” (1 Kor. 12:11). Përderisa Fryma e Shenjtë është Ai i Cili tregon apo manifeston praninë e Perëndisë në botë, nuk është për t’u habitur që Pali mund t’i quajë dhuratat shpirtërore “manifestime” të Frymës së Shenjtë (1 Kor. 12:7).[139]9 Kur dhuratat frymërore janë aktive, ky është edhe një tregues tjetër i pranisë së Perëndisë Frymë e Shenjtë në kishë.[140]10

Në jetën e lutjes së besimtarëve individualë, shikojmë se Fryma e Shenjtë fuqizon lutjen dhe e bën atë efikase. “Ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme” (Rom. 8:26).[141]11 Gjithashtu, Pali thotë se ne “kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetëm” (Efe. 2:18). Një lloj specifik lutjeje që Besëlidhja e Re thotë se është fuqizuar nga Fryma e Shenjtë, është dhurata e lutjes në gjuhë të panjohura (1 Kor. 12:10–11; 14:2, 14–17).[142]12

Megjithëkëtë, një aspekt tjetër i punës së Frymës së Shenjtë në fuqizimin e të krishterëve për shërbesë, është fuqizimi i njerëzve për të tejkaluar kundërshtitë shpirtërore ndaj predikimit të ungjillit si dhe ndaj veprës së Perëndisë në jetën e njerëzve. Kjo fuqi në luftën shpirtërore u vu re për herë të parë në jetën e Jezusit i Cili tha: “Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.” (Mat. 12:28). Kur Pali shkoi në Qipro, ai hasi në kundërshti nga Elymas magjistari, por ai, “i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha: "O njeri i mbushur me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëve të drejta të Zotit? Dhe tani, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të jesh i verbër e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe". Menjëherë ra mbi të mjegull dhe terr dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar dikë, që ta mbante për dore” (Veprat 13:9–11). Dhurata e “dallimit të frymërave” (1 Kor. 12:10), e dhënë nga Fryma e Shenjtë, duhet të jetë gjithashtu një mjet në këtë luftë kundër forcave të errësirës, ashtu sikurse është Fjala e Perëndisë, e cila funksionon si “shpatë e Frymës” (Efe. 6:17) në konflikt shpirtëror.

B. Fryma e Shenjtë pastron

Përderisa ky pjesëtar i Trinisë është quajtur Frymë e Shenjtë, nuk është për t’u habitur po të shikojmë se një nga veprimtaritë kryesore të Tij, është të na pastrojë nga mëkatit si dhe të na “shenjtërojë” apo të na bëjë më të shenjtë në drejtimin aktual të jetës. Edhe në jetën e jobesimtarëve, ka një farë ndikimi kufizues të Frymës së Shenjtë ndërkohë që Ai e bind botën për mëkat (Gjoni 16:8–11; Veprat 7:51). Por, kur njerëzit u bënë të krishterë, Fryma e Shenjtë bën një punë fillestare pastruese tek ta, duke realizuar një shkëputje vendimtare nga vazhdat e mëkatit që ekzistonin më parë në jetën e tyre.[143]13 Pali thotë për korintasit: “por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe nëpërmjet Frymës së Perëndisë tonë ” (1 Kor. 6:11; shiko gjithashtu Titit 3:5). Kjo vepër pastruese dhe shpëlarëse e Frymës së Shenjtë, është dukshëm ajo që simbolizohet nga metafora e zjarrit kur Gjon Pagëzori thotë se Jezusi do të pagëzojë njerëzit “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr” (Mat. 3:11; Luka 3:16).

Pas shkëputjes së tyre fillestare nga mëkati, shkëputje që shkaktohet prej Frymës së Shenjtë në jetën tonë në momentin e kthimit në besim të personit, Ai prodhon tek ne edhe rritje në shenjtërinë e jetës. Ai sjell “frytin e Frymës” përbrenda nesh (“dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja,” Gal. 5:22–23), ato cilësi të cilat pasqyrojnë karakterin e Perëndisë. Ndërkohë që ne vazhdimisht “shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” ne duhet të kujtohemi që kjo vjen “prej Frymës së Zotit” (2 Kor. 3:18). Shenjtërimi vjen nga fuqia e Frymës së Shenjtë (2 Thes. 2:13; 1 Pjetrit 1:2; kr. Rom. 8:4, 15–16), kështu që është me “anë të Frymës” që ne jemi në gjendje që të “vrasim veprat e trupit” si dhe që të rritemi në shenjtërinë personale (Rom. 8:13; shiko 7:6; Fil. 1:19).[144]14

Sot, ka nga ata të cilët thonë se një vepër pastruese (apo shëruese) e Frymës së Shenjtë, ndodh kur ata janë “të prerë në frymë,” një përjetim ky në të cilin ata papritmas bien në tokë në një gjendje gjysmë të vetëdijshme dhe mbeten përdhe për minuta apo orë të tëra. Paçka se fraza “të prerë në Frymë” nuk haset gjëkundi në Shkrim, ka raste kur njerëzit ranë përdhe, apo ranë në një ekstazë, në praninë e Perëndisë.[145]15 Përjetimet e kohëve të sotme duhet të vlerësohen në përputhje me rezultatet që lënë (“frytet”) që ato japin në jetën e njerëzve (shiko Mat. 7:15–20; 1 Kor. 14:12, 26c).

C. Fryma e Shenjtë Zbulon

1. Zbulesa ndaj Profetëve dhe Apostujve. Në kapitullin 4 ne diskutuam në detaje të hollësishme veprën e Frymës së Shenjtë në zbulimin e fjalëve të Perëndisë ndaj profetëve të Besëlidhjes së Vjetër si dhe ndaj apostujve të Besëlidhjes së Re, në shumë raste në mënyrë që këto fjalë të mund të përfshiheshin tek Shkrimet (shiko për shembull “Num.” 24:2; “Ezek.” 11:5; “Zak.” 7:12; etj.). Të tëra Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër, u realizuan ngaqë “njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:21). Ka një sërë pasazhesh të tjerë të cilat përmendin këtë vepër të Frymës së Shenjtë tek profetët e Besëlidhjes së Vjetër (shiko Mat. 22:43; Veprat 1:16; 4:25; 28:25; 1 Pjetrit 1:11). Apostujt e Besëlidhjes së Re si dhe të tjerët të cilët shkruan fjalët e Shkrimit të Besëlidhjes së Re, u drejtuan gjithashtu “në gjithë të vërtetën” nga Fryma e Shenjtë (Gjoni 16:13), i Cili gjithashtu u foli apostujve atë që dëgjoi nga Ati dhe Biri, dhe u deklaroi atyre “gjërat që do të vijnë” (Gjoni 16:3; kr. Efe. 3:5). Të tjerë, të cilët ishin të mbushur me Frymën e Shenjtë folën gjithashtu apo kënduan fjalë të cilat u bënë pjesë të Shkrimit, siç ishte për shembull Elizabeta (Luka 1:41), Zakaria (Luka 1:67), dhe Simeoni (Luka 2:25).

2. Ai paraqet prova të pranisë së Perëndisë. Nganjëherë është thënë se vepra e Frymës së Shenjtë nuk është tërheqja e vëmendjes tek Vetja por më tepër për t’i dhënë lavdi Jezusit si dhe Perëndisë Atë, por kjo duket të jetë një dikotomi e pavërtetë e cila nuk gjen mbështetje tek Shkrimi. Sigurisht që Fryma e Shenjtë e përlëvdon Jezusin (Gjoni 16:14) si dhe dëshmon për Të (Gjoni 15:26; Veprat 5:32; 1 Korintasve 12:3; 1 Gjonit 4:2). Por, kjo nuk do të thotë se Ai nuk i bën veprimet dhe fjalët e Tij të ditura! Bibla përmban me qindra vargje të cilat flasin për veprën e Frymës së Shenjtë që e bën të njohur veprën e Tij, dhe Bibla vetë është folur apo frymëzuar nga Fryma e Shenjtë!

Për më tepër, Fryma e Shenjtë në mënyrë të shpeshtë e bëri Veten të njohur përmes fenomeneve të cilat treguan veprimtarinë e Tij si në Besëlidhjen e Vjetër ashtu edhe në periudhën e Besëlidhjes së Re. Kjo vlente të thuhej kur Fryma e Shenjtë erdhi mbi shtatëdhjetë pleqtë me Moisiun dhe ata profetizuan (Num. 11:25–26), si dhe kur Fryma e Shenjtë erdhi mbi gjyqtarët, për t’i bërë ata të aftë për të kryer vepra të mëdha e të fuqishme (Gjyq. 14:6, 19; 15:14, etj.). Në këto raste, njerëzit mund ta shikonin efektin e Frymës së Shenjtë kur vinte mbi shërbëtorët e Zotit. Kjo vlen të thuhet edhe kur Fryma e Shenjtë erdhi fuqishëm mbi Saulin dhe ai profetizoi me një grup profetësh (1 Sam. 10:6, 10), dhe shpesh herë qe e vërtetë kur Ai fuqizoi profetët e Besëlidhjes së Re për të bërë profeci publike.

Gjithashtu, Fryma e Shenjtë e bëri praninë e Tij evidente në një mënyrë të dukshme kur zbriti si pëllumb mbi Jezusin (Gjoni 1:32), apo kur erdhi si një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm dhe iu dukën gjuhë, si prej zjarri në ditën e Rrëshajave (Veprat 2:2–3). Përmbi këto, kur Fryma e Shenjtë u derdh mbi njerëzit dhe ata filluan të flasin në gjuhë të panjohura, apo të lavdëronin Perëndinë në një mënyrë mbresëlënëse dhe spontane (shiko Veprat 2:4; 10:44–46; 19:6), Fryma e Shenjtë padyshim që e bëri të ditur praninë e Tij. Jezusi premtoi që Fryma e Shenjtë përbrenda nesh do të ishte aq i fuqishëm saqë prej brendësisë tonë do të burojnë lumenj uji të gjallë (shiko Gjoni 7:38)—një krahasim ky që sugjeron se njerëzit do të ishin të vetëdijshëm për një prani që në një mënyrë apo një tjetër do të ishte e perceptueshme.

Në jetën e besimtarëve individualë, Fryma e Shenjtë nuk e fsheh plotësisht veprën e Tij, por e bën Veten të njohur në një sërë mënyrash. Ai dëshmon me frymën tonë që ne jemi fëmijë të Perëndisë (Rom. 8:16), dhe thërret: “Abba, Atë!” (Gal. 4:6). Ai siguron një garanci apo një kapar për bashkësinë tonë të ardhshme me Të në qiell (2 Kor. 1:22; 5:5), si dhe zbulon dëshirat e Tij ndaj nesh në mënyrë që ne të mund të drejtohemi nga ato dëshira e t’i ndjekim ato (Rom. 8:4–16; Gal. 5:16–25). Ai jep dhurata të cilat manifestojnë praninë e Tij (1 Kor. 12:7–11). Hera-herës, Ai kryen shenja dhe çudira të mrekullueshme të cilat vërtetojnë me forcë praninë e Perëndisë në predikimin e ungjillit (Heb. 2:4; kr. 1 Kor. 2:4; Rom. 15:19).

Për rrjedhojë, duket më e saktë të thuash se paçka se Fryma e Shenjtë e përlëvdon Jezusin, Ai gjithashtu shpesh herë tërheq vëmendjen tek puna e Tij dhe jep prova të dallueshme që e bëjnë të njohur praninë e Tij. Në të vërtetë, duket se një nga qëllimet e Tij kryesore në epokën e besëlidhjes së re, është të manifestojë praninë e Perëndisë për të dhënë tregues që e bëjnë të njohur praninë e Perëndisë, dhe kur Fryma e Shenjtë punon në mënyra të ndryshme të cilat mund të perceptohen si nga besimtarët ashtu edhe jobesimtarët, kjo e inkurajon besimin e njerëzve që Perëndia është afër e që Ai është duke punuar për të përmbushur qëllimet e Tij në kishë si dhe për të sjellë bekime për popullin e Tij.

3. Ai e udhëzon dhe drejton popullin e Perëndisë. Shkrimi jep shumë shembuj të udhëzimit të drejtpërdrejtë nga Fryma e Shenjtë ndaj njerëzve të ndryshëm. Faktikisht, në Besëlidhjen e Vjetër, Perëndia tha se ishte mëkat nëse njerëzit do të bënin marrëveshje me të tjerët kur këto marrëveshje nuk do të ishin “pa Frymën time” (Isa. 30:1). Me sa duket, njerëzit kishin marrë vendime mbi bazën e mençurisë dhe logjikës së tyre e jo duke kërkuar udhëzimin e Frymës së Shenjtë të Perëndisë përpara se të hynin në marrëveshje të tilla. Në Besëlidhjen e Re, Fryma e Shenjtë e drejtoi Jezusin në shkretëtirë për periudhën e Tij të tundimit (Mat. 4:1; Luka 4:1). Faktikisht, kaq i fortë qe ky drejtim nga Fryma e Shenjtë saqë Marku mund të thotë se “fill pas kësaj, Fryma e çoi në shkretëtirë” (Mark 1:12).[146]16

Në kontekste të tjerë, Fryma e Shenjtë dha fjalë të drejtpërdrejta udhëzimi ndaj njerëzve të ndryshëm, duke i thënë Filipit për shembull: “Afrohu dhe ngjitju asaj karroce” (Veprat 8:29), apo duke i thënë Pjetrit që të shkonte me tre burrat që shkuan tek ai nga taraca e shtëpisë së Kornelit (Veprat 10:19–20; 11:12), apo duke i drejtuar të krishterët në Antioki me këto fjalë: “M'i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur” (Veprat 13:2).

Gjithashtu, në këtë kategori të “dhënies së udhëzimit,” por të një lloji shumë më të drejtpërdrejtë dhe shtrëngues, janë një sërë shembujsh në të cilët Fryma e Shenjtë faktikisht e transportoi dikë nga një vend në një tjetër. Kjo ndodhi kur “Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më.... Por Filipi u gjet në Azot” (Veprat 8:39–40)—udhëzimi në këtë rast, si zor se do mund të kishte qenë më i qartë! Por gjëra të ngjashme i ndodhën disa profetëve të Besëlidhjes së Vjetër, sepse ata të cilët e njihnin Elijën, dukej se pritnin që Fryma e Perëndisë ta rrëmbente e ta transportonte diku (1 Mbretërve 18:12; 2 Mbretërve 2:16: “Mos Fryma e ZOTIT e ka marrë dhe e ka hedhur mbi ndonjë mal apo në ndonjë luginë”). Ezekieli thotë se Fryma e Zotit disa herë, “më ngriti” dhe e kishte shpënë në një vend apo në një tjetër (Ezek. 11:1; 37:1; 43:5), një përvojë kjo që ishte pjesë gjithashtu e vizioneve të mëvonshme të Gjonit tek “Zbulesa” (Rev. 17:3; 21:10).[147]17

Por në një shumicë të madhe rastesh, drejtimi dhe udhëheqja e Frymës së Shenjtë, nuk është aq dramatike sa kjo. Shkrimi flet përkundrazi për një udhëheqje ditë pas dite nga Fryma e Shenjtë—të qenurit i “drejtuar” nga Fryma e Shenjtë (Rom. 8:14; Gal. 5:18), si dhe ecja në përputhje me Frymën (Rom. 8:4; Gal. 5:16). Tani është e mundur që ta kuptojmë Palin këtu se është duke iu referuar vetëm bindjes ndaj urdhëresave morale të Shkrimit, por ky interpretim duket disi pa gjasa përderisa i tërë konteksti ka të bëjë me emocionet dhe dëshirat të cilat ne perceptojmë në një mënyrë më subjektive, dhe për shkak se Pali këtu vë në kontrast udhëheqjen nga Fryma me ndjekjen e dëshirave të mishit apo të natyrës mëkatare:

Por po them: Ecni në Frymë dhe nuk do të përmbushni dëshirat e mishit, sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit.... Por veprat e mishit janë të shfaqura dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi.... Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja.... Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe le të ecim. Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, duke provokuar njëri-tjetrin dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin. (Gal. 5:16–26)

Kontrasti mes “dëshirat e mishit” si dhe “Fryma ka dëshira” nënkupton se jeta jonë duhet të jetë duke reaguar çast pas çasti ndaj dëshirave të Frymës së Shenjtë e jo ndaj dëshirave të mishit. Tani, mund të jetë që një pjesë e madhe e reagimit ndaj këtyre dëshirave, është procesi intelektual i kuptimit të çfarë janë dashuria, gëzimi, paqja (dhe kështu me radhë), dhe pastaj veprimi në një mënyrë plot dashuri, gëzim apo paqe. Por kjo gjë si zor se mund të përbëjë tërësinë e një udhëzimi të tillë nga Fryma për shkak se këto emocione nuk janë thjesht gjërat për të cilat ne mendojmë; ato janë ato gjëra që ne gjithashtu i ndjejmë dhe përjetojmë në një nivel më të thellë. Në fakt, fjala e përkthyer “dëshira” (Gr. ἐπιθυμία, G2123) është një fjalë që i referohet dëshirave të forta njerëzore, jo thjesht vendimeve intelektuale. Pali nënkupton që ne duhet t’i ndjekim këto dëshira të prodhuara nga Fryma e Shenjtë tek ne. Për më tepër, ideja e të qenurit të “drejtuar” nga Fryma e Shenjtë (Gal. 5:18) nënkupton një pjesëmarrje aktive personale nga Fryma e Shenjtë që na drejton. Kjo është diçka më e madhe sesa reflektimi ynë mbi standardet morale biblike, si dhe përmban një përfshirje nga Fryma e Shenjtë në mënyrën se si hyn në raport me ne si persona e se si na udhëheq dhe drejton.

Tek libri i “Veprave”, ka shembuj specifikë të Frymës së Shenjtë që i drejton njerëzit drejtpërsëdrejti. Pas vendimit të këshillit të Jerusalemit, drejtuesit shkruan në letrat e tyre drejtuar kishave: “Iu duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre të nevojshmeve” (Veprat 15:28). Ky varg sugjeron se këshilli duhet ta ketë patur një ide për dëshirën e Frymës së Shenjtë në këto fusha: ata e dinin atë që “iu duk mirë Frymës së Shenjtë.” Gjatë udhëtimit të dytë misionar të Palit, Luka shkruan se ata “u penguan nga Fryma e Shenjtë, që të shpallin fjalën në Azi” dhe pastaj që “tentuan të shkonin në Bitini, por Fryma nuk i lejoi” (Veprat 16:6–7). Sigurisht, asnjë parim i shkruar nga Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër nuk do t’i kishte çuar ata që të dilnin në përfundimin që ata nuk mund të predikonin në Azi apo Bitani. Fryma e Shenjtë duhet që përkundrazi ta kishte komunikuar udhëzimin e Tij të drejtpërdrejtë ndaj tyre në ndonjë mënyrë specifike, qoftë përmes fjalësh të dëgjueshme me veshë, qoftë në mendje, apo përmes mbresave të forta subjektive për një mungesë të pranisë së Frymës së Shenjtë si dhe bekimit prej Tij ndërkohë që ata përpiqeshin të udhëtonin nëpër këto rajone të ndryshme. Më pas, kur Pali është rrugës për në Jerusalem, ai thotë: “Po shkoj në Jerusalem, pa ditur se ç'do të më ndodhë atje, përveçse që Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime” (Veprat 20:22–23). Pali nuk mendonte se kishte tjetër zgjedhje. Kaq qartë e tregoi Fryma e Shenjtë praninë e Tij si dhe atë që dëshironte ndaj tij, saqë Pali mund të shprehej duke thënë se kishte qenë i “shtrënguar (siç e kanë disa versione – sh. i përkth.)” në Frymë.[148]18

Në raste të tjera, Fryma e Shenjtë dha udhëzime për caktimin e njerëzve të caktuar në shërbesa të ndryshme apo poste kishtare. Kështu, Fryma e Shenjtë u tha disave në kishën në Antiok: “M'i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur” (Veprat 13:2). Po kështu, Pali mund të thoshte se pleqtë e kishës së Efesit i kishte caktuar Fryma e Shenjtë në postin e tyre, çfarë tregohet edhe në fjalët e tij: “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikëqyrës” (Veprat 20:28). Së fundi, Fryma e Shenjtë dha udhëzime përmes dhuratave frymërore si për shembull profecia (1 Kor. 14:29–33).[149]19

4. Ai Siguron një Atmosferë të Perëndishme Kur Manifeston Praninë e Vet. Ngaqë Fryma e Shenjtë është plotësisht Perëndi si dhe ka të tëra atributet e Perëndisë, ndikimi i Tij do të jetë shkaktimi i një karakteri apo atmosfere të perëndishme në situatat në të cilat Ai është aktiv. Ngaqë Ai është Fryma e Shenjtë, hera-herës Ai do të shkaktojë një bindje për mëkat, për drejtësi dhe për gjyq (Gjoni 16:8–11). Ngaqë Perëndia është dashuri, Fryma e Shenjtë derdh dashurinë e Perëndisë në zemrat tona (Rom. 5:5; 15:30; Kol. 1:8) dhe shpesh herë, prania e manifestuar me forcë e Frymës së Shenjtë, do të krijojë një atmosferë dashurie. Për shkak se Perëndia “nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi” (1 Kor. 14:33), Fryma e Shenjtë do të shkaktojë një atmosferë paqeje tek këto situata: “Mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë” (Rom. 14:17; kr. Gal. 5:22). Ky varg i fundit na mëson gjithashtu se Fryma e Shenjtë tejçon një atmosferë gëzimi (shiko gjithashtu “Vep.” 13:52; “1 Thes.” 1:6). Paçka se kjo listë nuk është e plotë, Pali përmbledh shumë prej cilësive të Perëndisë që Fryma e Shenjtë prodhon kur ai renditi elementët e ndryshëm të fryteve të Frymës tek “Galatasve” 5:22–23.

Elementë të tjerë të atmosferës që Fryma e Shenjtë mund të tejçojë, janë: e vërteta (Gjoni 14:17; 15:26; 16:13; 1 Gjonit 5:7), mençuria (L. i P. 34:9; Isa. 11:2), ngushëllimi (Veprat 9:31), liria (2 Kor. 3:17), drejtësia (Rom. 14:17), shpresa (Rom. 15:13; kr. Gal. 5:5), një vetëdije për birësinë dhe birësimin (Rom. 8:15–16; Gal. 4:5–6), dhe madje edhe lavdi (2 Kor. 3:8). Fryma e Shenjtë sjell gjithashtu unitet (Efe. 4:3), si dhe fuqi (Veprat 10:38; 1 Kor. 2:4; 2 Tim. 1:7; kr. Veprat 1:8). Të tëra këto elemente të veprimtarisë së Frymës së Shenjtë tregojnë aspektet e ndryshme të një atmosfere në të cilën Ai është i pranishëm, dhe në këtë, vetë karakterin e Tij, të njohur ndaj njerëzve.

5. Ai na Jep Siguri. Fryma e Shenjtë i dëshmon “frymës sonë që jemi bij të Perëndisë” (Rom. 8:16), dhe na jep prova të veprës së Perëndisë përbrenda nesh: “Dhe në këtë ne dimë se ai qëndron në ne: nga Fryma që na dha” (1 Gjonit 3:24). “Në këtë njohim se qëndrojmë në të dhe ai në ne, sepse ai na ka dhënë prej Frymës së tij.” (1 Gjonit 4:13). Fryma e Shenjtë jo vetëm që na dëshmon që ne jemi fëmijë të Perëndisë, por gjithashtu dëshmon se Perëndia banon në ne e që ne banojmë në Të. Edhe një herë, përfshihet më shumë sesa thjesht intelekti ynë: Fryma punon për të na dhënë siguri në nivelin subjektiv të perceptimit shpirtëror dhe emocional gjithashtu.

6. Ai na Jep Mësim dhe na Ndriçon. Një aspekt tjetër i punës zbuluese të Frymës së Shenjtë, është dhënia mësim e disa gjërave të caktuara ndaj njerëzve të Perëndisë si dhe ndriçimi i tyre në mënyrë që ata të mund të kuptojnë gjëra. Jezusi ua premtoi këtë funksion mësimdhënieje veçanërisht dishepujve të Tij kur tha se Fryma e Shenjtë “do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26), dhe tha: “do t'ju prijë në gjithë të vërtetën” (Gjoni 16:13). Për më tepër, Ai premtoi se kur dishepujt të nxirreshin përpara gjyqit për shkak të përndjekjes, Fryma e Shenjtë do t’i mësonte ata në atë kohë se çfarë të thoshin (Luka 12:12; kr. Mat. 10:20; Marku 13:11). Tjetër herë, Fryma e Shenjtë zbuloi informacion specifik ndaj njerëzve, duke i treguar Simonit që nuk do të vdiste pa e parë Mesinë, për shembull (Luka 2:26), apo duke i zbuluar Agabusit që do të kishte një zi buke (Veprat 11:28) apo që Pali do të lidhej në Jerusalem (Veprat 21:11). Në të tjera raste, Fryma e Shenjtë i zbuloi Palit që Ai do të vuante në Jerusalem (Veprat 20:23; 21:4) dhe shprehimisht i tha Palit gjëra që do të ndodhnin në kohët e fundit (1 Tim. 4:1), si dhe i zbuloi atij atë që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë (1 Kor. 2:10).

Vepra ndriçuese e Frymës së Shenjtë shikohet në faktin që Ai na aftëson për të kuptuar: “Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar nga Perëndia” (1 Kor. 2:12). Për rrjedhojë, “njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë” ndërsa “Njeriu frymëror heton çdo gjë” (1 Kor. 2:14–15). Ne duhet të lutemi që Fryma e Shenjtë të na japë ndriçimin e Tij dhe kësisoj të na ndihmojë të kuptojmë siç duhet kur studiojmë Shkrimin apo kur peshojmë situatat me të cilat ndeshemi në jetën tonë. Paçka se nuk e përmend specifikisht Frymën e Shenjtë, psalmisti u lut për një ndriçim të tillë kur i kërkoi Perëndisë: “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodis mrekullitë e ligjit tënd” (Ps. 119:18). Po kështu, Pali u lut për të krishterët në Efes dhe përreth tij me këto fjalë:

... që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t'ju japë juve frymën [ose: “Frymën,” niv] e urtësisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, dhe t'ju ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cila është pasuria e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët, dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë, sipas veprueshmërisë së pushtetit të forcës së tij. (Efe. 1:17–19)

D. Fryma e Shenjtë Bashkon

Kur Fryma e Shenjtë u derdh në kishë në ditën e Rrëshajave, Pjetri shpalli që profecia e “Joelit” 2:28–32 qe përmbushur me atë rast:

Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel:

 ``Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia,

 që unë do të përhap nga Fryma im mbi çdo mish;

 dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë,

 të rinjtë tuaj do të shohin vegime

 dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.

 Në ato ditë do të përhap nga Fryma im

 mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia dhe do të profetizojnë.” (Veprat 2:16–18)

Theksi vihet tek Fryma e Shenjtë që vjen në një komunitet besimtarësh, e jo thjesht tek një drejtues si Moisiu apo Jozueu, por tek djem e vajza, të vjetër e të rinj, shërbëtorë e shërbëtore, e të gjithë do të marrin derdhjen e Frymës së Shenjtë në këtë kohë.[150]20

Në ngjarjen e Rrëshajës, Fryma e Shenjtë krijoi një komunitet të ri që ishte kisha. Ky komunitet u karakterizua nga një unitet i paprecedent, ashtu sikurse Luka na kujton:

Por gjithë ata që besonin ishin bashkë dhe kishin çdo gjë të përbashkët. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së secilit. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me ngazëllim dhe me thjeshtësi zemre, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke pasur hir përpara gjithë popullit. (Veprat 2:44–47)

Pali e bekon kishën e Korintit me një bekim që kërkon bashkësinë unifikuese të Frymës së Shenjtë për të tërë ata kur ai thotë: “Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë 21 qofshin me ju të gjithë” (2 Kor. 13:13). Është domethënëse që në këtë varg trinitarian, ai ia atributon veçanërisht thellimin e bashkësisë ndër besimtarët, jo Atit apo Birit, por Frymës së Shenjtë, një deklaratë kjo e përputhshme me veprën e përgjithshme unifikuese të Frymës në kishë.

Ky funksion unifikues i Frymës së Shenjtë është gjithashtu i dukshëm kur Pali u thotë Filipianëve: “Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës... e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njëjtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme” (Fil. 2:1–2).[151]22 Po kështu, kur ai thekson unitetin e ri mes Judenjve dhe Johebrenjve në kishë, ai thotë se “përmes tij, që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetëm” (Efe. 2:18), si dhe thotë se në Zotin, ata janë ndërtuar në një shtëpi të re të Perëndisë “në Frymë” (Efe. 2:22). Kur dëshiron t’i kujtojë ata për unitetin që duhet të kenë si të krishterë, Ai i nxit ata që të jenë “duke u përpjekur të ruanjnë unitetin e Frymës në lidhjen e paqes” (Efe. 4:3).

Diskutimi që Pali bën rreth dhuratave frymërore, përsërit gjithashtu këtë temë të veprës unifikuese të Frymës së Shenjtë. Paçka se ne mund të mendojmë se njerëzit të cilët kanë dhurata të ndryshme nuk do të merreshin vesh mirë me njëri tjetrin, përfundimi i Palit është krejtësisht i kundërti: dhurata të ndryshme na bashkojnë për shkak se ne jemi detyruar që të varemi tek njëri tjetri. “Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: "Unë nuk kam nevojë për ty"; dhe po ashtu koka nuk mund t'u thotë këmbëve: "Unë nuk kam nevojë për ju”’ (1 Kor. 12:21). Pali na thotë se këto dhurata të ndryshme, janë fuqizuar nga “i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç, ashtu si do vetë” (1 Kor. 12:11), kështu që në kishë, “Secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët” (1 Kor. 12:7). Faktikisht, “Sepse të gjithë ne në një Frymë të vetëm jemi pagëzuar në një trup, qofshim hebrenj apo grekë, skllevër a të lirë, dhe të gjithë jemi ujitur në një Frymë” (1 Kor. 12:13, përkthimi i autorit).[152]23

Ideja që Fryma e Shenjtë e unifikon kishën, është gjithashtu e dukshme në faktin që “grindja... rivaliteti, përçarjet, tarafet” (Gal. 5:20) janë dëshira të mishit të cilat i kundërvihen të qenurit të “udhëhequr nga Fryma” (Gal. 5:18; kr. v. 25). Fryma e Shenjtë është Ai i Cili prodhon dashurin në zemrat tona (Rom. 5:5; Gal. 5:22; Kol. 1:8), dhe kjo dashuri “është lidhja e përsosmërisë” (Kol. 3:14). Për rrjedhojë, kur Fryma e Shenjtë është duke punuar me forcë në një kishë për të manifestuar praninë e Perëndisë, një provë e kësaj ka për të qenë një harmoni e bukur në komunitetin e kishës si dhe dashuri gufuese për njëri tjetrin.

E. Fryma e Shenjtë Jep Prova më të Forta apo më të Dobëta të Pranisë si dhe të Bekimit të Perëndisë në Përputhje me Reagimin Tonë ndaj Tij

Shumë shembuj si në Besëlidhjen e Re ashtu edhe në atë të Vjetër, tregojnë se Fryma e Shenjtë do të japë ose jo bekimin në varësi të asaj nëse Ai është i kënaqur apo jo nga situata që shikon. Është për t’u theksuar që Jezusi ishte tërësisht i pamëkat dhe se Fryma e Shenjtë “qëndroi mbi të” (Gjoni 1:32) dhe se Fryma iu dha Atij pa masë (Gjoni 3:34). Në Besëlidhjen e Vjetër, Fryma e Shenjtë erdhi në mënyrë të fuqishme disa herë mbi Sansonin (Gjyq. 13:25; 14:6, 19; 15:14), por në fund e la atë kur ky i fundit vazhdoi në mëkat (Gjyq. 16:20). Në mënyrë të ngjashme, kur Sauli vazhdoi në mosbindje, Fryma e Shenjtë u largua prej tij (1 Sam. 16:14). Gjithashtu, kur populli i Izraelit ngriti krye dhe e trishtoi Frymën e Shenjtë, Ai u kthye kundër tyre (Isa. 63:10).

Gjithashtu, në Besëlidhjen e Re, Fryma e Shenjtë mund të trishtohet e të reshtë së sjelli bekime në një situatë të caktuar. Stefani i qortoi drejtuesit judenj duke u thënë: “Ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë” (Veprat 7:51). Pali i paralajmëron të krishterët e Efesit duke u thënë: “Mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit” (Efe. 4:30), dhe e nxit kishën e Thesalonikut kështu: “Mos shuani Frymën” (1 Thes. 5:19; kr. me metaforën e vonesës për të hapur derën dhe për rrjedhojë zhgënjimit të të dashurit të dikujt tek “Kënga e Këngëve” 5:3, 6). Në të njëjtën linjë, Pali lëshon një paralajmërim të rreptë ndaj të krishterëve që e ndotin trupin e tyre duke u bashkuar me një prostitutë, për shkak se Fryma e Shenjtë jeton përbrenda trupave të tyre: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj” (1 Kor. 6:19–20).

Më e rëndë akoma sesa trishtimi apo shuarja e Frymës së Shenjtë, është një mosbindje më e thellë e më ngurtësuese ndaj Tij, gjë që sjell një gjykim të fortë. Kur Pjetri e qortoi Ananian duke i thënë: “Pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të fitimit të vendit?” (Veprat 5:3), ai ra shakull përdhe. Po kështu, kur Pjetri i tha gruas së Ananias, Safirës: “Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit?” (Vep. 5:9), menjëherë edhe ajo ra shakull përdhe gjithashtu. Libri i “Hebrenjve” i paralajmëron ata të cilët janë në rrezik të braktisjes së besimit, duke thënë se një ndëshkim i rëndë meritohet për atë “ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit” (Heb. 10:29). Për një person të tillë mbetet vetëm një “një pritje gjyqi e tmerrshme” (Heb. 10:27).[153]24

Si përfundim, mbetet vetëm një nivel më shumë skandalizimi i Frymës së Shenjtë. Ky lloj skandalizimi është edhe më i rëndë sesa trishtimi i Tij apo ecja në një mosbindje të ngurtësuar ndaj Tij që sjell disiplinim apo gjykim. Është e mundshme që ta skandalizojmë aq shumë Frymën e Shenjtë saqë kjo punë bindëse të mos mund të ndikojë më në jetën tonë.

Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet njerëzve. Dhe atij që thotë fjalë kundër Birit të njeriut do t'i falet; por atij që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do t'i falet, as në këtë botë, as në atë të ardhme. (Mat. 12:31–32; kr. Mark 3:29; Luka 12:10)

Këto deklarata janë bërë në një kontekst në të cilin farisenjtë me paramendim si dhe me dashakeqësi ia veshin Satanit veprën e fuqishme të Frymës së Shenjtë e cila qe evidente në shërbesën e Jezusit. Përderisa Fryma e Shenjtë manifestoi kaq qartë praninë e Perëndisë, ata të cilët me paramendim dhe me dashakeqësi folën kundër Tij dhe veprimtarinë e Tij ia atribuan fuqisë së Satanit, ishin fajtorë, për diçka të cilën Jezusi tha se meriton “dënim të përjetshëm” (Marku 3:29).[154]25

Të tërë këto pasazhe lënë të kuptohet se ne duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të mos e trishtuar apo skandalizuar Frymën e Shenjtë. Ai nuk ka për të na u imponuar përkundër vullnetit tonë (shiko 1 Kor. 14:32), por nëse ne i rezistojmë dhe e shuajmë si dhe e kundërshtojmë Atë, atëherë fuqizimi që Ai bën do të largohet prej nesh, dhe Ai do të largojë një pjesë të mirë të bekimit të Perëndisë nga jeta jonë.

Nga ana tjetër, në jetën e të krishterëve sjellja e të cilëve është e pëlqyeshme për Perëndinë, Fryma e Shenjtë do të jetë i pranishëm për të sjellë bekim të madh. Fryma e Shenjtë u “derdh” plotësisht në ditën e Rrëshajave (shiko Veprat 2:17–18) dhe tani Ai banon përbrenda tërë besimtarëve të vërtetë, duke i bërë ata tempuj të Perëndisë së gjallë (1 Kor. 3:16; 6:19–20). Ne mund të përjetojmë një përbashkësi dhe partneritet të afërt me Frymën e Shenjtë në jetën tonë (2 Kor. 3:14; Fil. 2:1). Ai ndau dhurata (1 Kor. 12:11) të vërteta (2 Tim. 1:14) si dhe shërbesa (Veprat 20:28) ndaj nesh. Në fakt, kaq e plotë dhe e bollëkshme do të jetë prania e Tij saqë Jezusi mund të premtojë se Ai do të rrjedhë nga brendësia jonë, si “lumenj uji të gjallë” (Gjoni 7:38–39). Pjetri premton se prania e Tij qëndron veçanërisht tek ata të cilët vuajnë për hir të Krishtit: “Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 Pjetrit 4:14).

Prandaj, është e rëndësishme që e tërë shërbesa jonë të kryhet në Frymën e Shenjtë d.m.th., që ne në mënyrë të vazhdueshme të qëndrojmë në një atmosferë të perëndishme të krijuar nga Fryma e Shenjtë, një atmosferë fuqie, dashurie, gëzimi, të vërtete, shenjtërie, drejtësie dhe paqeje. Por, më e madhe sesa këto karakteristika të atmosferës së krijuar nga Fryma e Shenjtë, është ndjesia e pranisë së vetë Frymës së Shenjtë—të jesh në Frymën e Shenjtë, konkretisht do të thotë të jesh në një atmosferë të manifestimit të pranisë së Perëndisë. Kjo është arsyeja përse njerëzit në Besëlidhjen e Re mund të ecin në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë (Veprat 9:31), si dhe arsyeja përse është e mundshme që thjesht të jesh “në Frymë” ashtu siç qe Gjoni në ditën e Zotit (Zbu. 1:10; kr. 4:2).

Është për t’u habitur se si shumë veprimtari të caktuara thuhen në Besëlidhjen e Re se bëhen “në” Frymën e Shenjtë: është e mundshme që të gëzohesh në Frymën e Shenjtë (Luka 10:21), të vendosësh diçka në Frymën e Shenjtë (Veprat 19:21), ose kur thuhet se ndërgjegjja ime me anë të Frymës së Shenjtë jep dëshmi (Rom. 9:1), të kesh liri hyrje tek Perëndia në Frymën e Shenjtë (Efe. 2:18), të lutesh në Frymën e Shenjtë (Efe. 6:18; Juda 20), si dhe që të duash në Frymën e Shenjtë (Kol. 1:8). Në dritën e këtyre teksteve, ne mund të pyesim veten se për sa prej këtyre veprimtarive gjatë secilës ditë jemi të vetëdijshëm për praninë dhe bekimin e Frymës së Shenjtë?

Është gjithashtu e mundur të jesh i mbushur me Frymën e Shenjtë (Efe. 5:18; kr. Luka 1:15, 41, 67; 4:1; Veprat 2:4; 4:8; 6:3, 5; 7:55; 9:17; 11:24; 13:9). Të jesh i mbushur me Frymën e Shenjtë do të thotë të jesh i mbushur me praninë e drejtpërdrejtë të Perëndisë Vetë dhe kjo për rrjedhojë do të çojë në të ndjerin e asaj që Perëndia ndjen, në dëshirimin e asaj që Perëndia dëshiron, në bërjen e asaj që Perëndia do, në të folurin nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, në lutjen dhe shërbesën në forcën e Perëndisë, dhe në njohjen me njohurinë që Perëndia Vetë jep.[155]26 Në kohën kur kisha përjeton rizgjime shpirtërore, Fryma e Shenjtë prodhon këto rezultate në jetën e njerëzve në mënyra veçanërisht të fuqishme.

Për rrjedhojë, në jetën tonë të krishterë, është e rëndësishme që ne të varemi nga fuqia e Frymës së Shenjtë, duke kuptuar se çdo punë e rëndësishme bëhet: “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën tim», thotë ZOTI i ushtrive” (Zak. 4:6). Pali është pasionant kur u tregon galatasve që Fryma e Shenjtë u pranua nëpërmjet besimit në fillim të jetës së tyre të krishterë (Gal. 3:2) dhe se do të vazhdonte të punonte në përputhje me besimin e tyre në jetën e tyre pas kthimit në besim: “Nisët në Frymë, të përfundoni tani në mish?... Ai, pra, që ju jep juve Frymën, dhe kryen midis jush vepra të fuqishme, i bën prej veprave të ligjit apo prej të dëgjuarit të besimit?” (Gal. 3:3, 5).

Për rrjedhojë ne duhet të ecim në përputhje me udhëzimin nga Fryma e Shenjtë (Rom. 8:12–16; Gal. 5:16–26) dhe ta fiksojmë mendjen tek gjërat e Frymës (Rom. 8:4–6). E tërë shërbesa jonë, pavarësisht çfarëdo forme që ajo mund të marrë, duhet bërë në fuqinë e Frymës së Shenjtë.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Në të kaluarën, a e ke patur të vështirë të mendosh për Frymën e Shenjtë si një person e jo si thjesht një prani apo forcë? Çfarë gjërash (nëse ka patur ndonjë gjë) në këtë kapitull të kanë ndihmuar të mendosh më lehtësisht për Frymën e Shenjtë si një person? A mendon se ti ke një vetëdije të hyrjes në raport me Frymën e Shenjtë si një person i Cili është veçmas Perëndisë Atë si dhe Perëndisë Bir? Çfarë do mund të të ndihmonte të jesh më i vetëdijshëm për këtë dallim ndër pjesëtarët e Trinisë, në raportin që kanë me ty?

2.     A perceptoni ndonjë ndryshim në mënyrën se si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë hyjnë në raport me ty në jetën tënde të krishterë? Nëse po, a mund të shpjegosh se çfarë është ky ndryshim apo se si ti je i vetëdijshëm për të?

3.     A ke qenë ndonjëherë veçanërisht i vetëdijshëm për fuqizimin prej Frymës së Shenjtë në një situatë specifike shërbese? (Kjo mund të ketë qenë ndërkohë që bënit ungjillëzim apo këshillim, mësime apo predikime biblike, lutje apo adhurim, apo në ndonjë situatë tjetër shërbese.) Si e ke perceptuar praninë e Frymës së Shenjtë në atë kohë, apo çfarë të bëri të vetëdijshëm për praninë e Tij?

4.     Nga përvoja jote, në ç’mënyrë të vjen udhëzimi nga Fryma e Shenjtë? A është kryesisht (apo ekskluzivisht) përmes fjalëve të Shkrimit? Nëse po, a ka raste kur disa pasazhe të caktuara nga Shkrimi duken sikur të bëhen të gjalla apo sikur flasin me shumë lidhje e forcë ndaj teje në atë moment? Si e kupton që kjo gjë po ndodh? Nëse Udhëzimi prej Frymës së Shenjtë të ka ardhur në mënyra të tjera veçmas të folurit përmes fjalëve të Shkrimit, cilat kanë qenë ato mënyra të tjera?

5.     A ke hera-herës një ndjesi të kënaqësisë apo pakënaqësisë së Frymës së Shenjtë ndërkohë që merr një kurs veprimi për diçka? A ka ndonjë gjë në jetën tënde tani e cila po e trishton Frymën e Shenjtë? Çfarë planifikon të bësh për këtë?

6.     A u largua menjëherë Fryma e Shenjtë nga Sansoni kur ai filloi të mëkatojë (shiko Gjyq. 13:25; 14:6, 19; 15:14)? Përse po ose përse jo? A është prania e fuqisë shpirtërore në shërbesën e ndokujt, një garanci që Fryma e Shenjtë është i kënaqur me gjithçka në jetën e atij personi?

TERMA TË VEÇANTË

blasfemia kundër Frymës së Shenjtë

i mbushur me Frymën e Shenjtë

fryma e Shenjtë

“në Frymën e Shenjtë”

manifestimi i pranisë aktive të Perëndisë

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 242–247

1930 Thomas, 90–99

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 2:321–336

1940 Wiley, 2:303–333

1960 Purkiser, 183–203

1983 Carter, 1:415–472

3. Baptiste

1917 Mullins, 359–365

1976–1983 Henry, 4:476–493; 6:370–401

1983–1985 Erickson, 845–883

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 1:397–414; 6:26–298

1949 Thiessen, 251–256

1986 Ryrie, 341–390

5. Luterane

1917–1924 Pieper (pa trajtim të hollësishëm, por shiko termat tek indeksi: 4:391–499)

1934 Mueller, 443

6. E Reformuar (apo Presbietriane)

1559 Calvin, 2:537–542 (3.1)

1887–1921 Warfield, SSW 1:203–222; BD 101–132

1937–1966 Murray, CW 1:138–142, 186–192; CW 3:210–214

1938 Berkhof, 423–431

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 2:137–207, 237–270

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott (pa trajtim të hollësishëm)

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien (pa trajtim të hollësishëm)

Vepra të Tjera

Bruner, Frederick Dale. Një Teologji e Frymës së Shenjtë (A Theology of the Holy Spirit). Grand Rapids: Eerdmans, 1970.

Carson, D.A. Të Tregojmë Frymën: Një Shtjellim Teologjik i “1 Korintasve” 12-14 (Showing the Spirit: A Theological Exposition of 1 Corinthians 12–14). Grand Rapids: Baker, 1987.

Carter, Charles. Personi dhe Shërbesa e Frymës së Shenjtë (The Person and Ministry of the Holy Spirit). Grand Rapids: Baker, 1974.

Caulley, T.S. “Fryma e Shenjtë (Holy Spirit).” Tek FUT ([156]EDT) fq. 521–527.

Gaffin, Richard B., Jr. “Fryma e Shenjtë (The Holy Spirit).” WTJ 43:1 (Fall 1980), fq. 58–78.

Green, Michael. Unë Besoj në Frymën e Shenjtë (I Believe in the Holy Spirit). Grand Rapids: Eerdmans, 1975.

Hawthorne, Gerald. Prania dhe Fuqia: Rëndësia e Frymës së Shenjtë në Jetën dhe Shërbesën e Jezusit (The Presence and the Power: The Significance of the Holy Spirit in the Life and Ministry of Jesus). Dallas: Word, 1991.

Hoekema, Anthony A. “Roli i Frymës së Shenjtë (The Role of the Holy Spirit).” Tek I Shpëtuar Nëpërmjet Hirit (Saved By Grace). Grand Rapids: Eerdmans, and Exeter: Paternoster, 1989, fq. 28–53.

Horton, S.M. Çfarë Thotë Bibla për Frymën e Shenjtë (What the Bible Says About the Holy Spirit). Springfield, Mo.: Gospel Publishing House, 1976.

Ladd, George E. E Tashmja e të Ardhmes: Eskatologjia e Realizmit Biblik (The Presence of the Future: The Eschatology of Biblical Realism). Grand Rapids: Eerdmans, 1974.

Moule, C.F.D. Fryma e Shenjtë (The Holy Spirit). Grand Rapids: Eerdmans, 1978.

Pache, Rene. Personi dhe Vepra e Frymës së Shenjtë (The Person and Work of the Holy Spirit). Chicago: Moody, 1954.

Packer, J.I. “Fryma e Shenjtë (Holy Spirit).” Tek FRT ([157]NDT) fq. 316–319.

_______. Mbaj Hapin me Frymën (Keep in Step with the Spirit). Old Tappan, N.J.: Revell, 1984.

Palmer, Edwin H. Personi dhe Shërbesa e Frymës së Shenjtë (The Person and Ministry of the Holy Spirit). Grand Rapids: Baker, 1958.

Ryrie, C.C. Fryma e Shenjtë (The Holy Spirit). Chicago: Moody, 1965.

Smeaton, G. Doktrina e Frymës së Shenjtë (The Doctrine of the Holy Spirit). Bot. i 2të Edinburgh: T. and T. Clark, 1889.

Sproul, R.C. Misteri i Frymës së Shenjtë (The Mystery of the Holy Spirit). Wheaton, Ill.: Tyndale, 1990.

Stott, John R.W. Pagëzimi dhe Plotësia: Vepra e Frymës së Shenjtë Sot (Baptism and Fullness: The Work of the Holy Spirit Today). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1964.

Swete, Henry B. Fryma e Shenjtë në Besëlidhjen e Re (The Holy Spirit in the New Testament). Bot. i 2të. London: Macmillan, 1910.

White, John. Kur Fryma Vjen me Fuqi (When the Spirit Comes with Power). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1988.

Wood, Leon J. Fryma e Shenjtë në Besëlidhjen e Vjetër (The Holy Spirit in the Old Testament). Grand Rapids: Zondervan, 1976.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Romakëve” 8:12–14: Prandaj, vëllezër, jemi debitorë jo të mishit, që të jetojmë sipas mishit, sepse, po të jetoni sipas mishit, do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i vrisni veprat e trupit, do të jetoni. Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë.

HIMN

“EJA O FRYMË KRIJUESE (COME, O CREATOR SPIRIT)”

Ky është një nga himnet më të vjetra në cilindo libër himnesh, shkruar nga një autor anonim në shekullin e dhjetë apo edhe më herët. Ky himn i drejtohet drejtpërsëdrejti Frymës së Shenjtë dhe i kërkon Atij që të vijë dhe të sjellë bekim në zemrat tona e që të na mbushë me dashuri e lavdërim, të na mbrojë nga armiku si dhe për paqe në jetën tonë.

Eja, o Frymë Krijuese e bekuar,

Dhe në zemrën tonë zër vendin e duhur;

Frymë hirit, me ndihmën qiellore

Eja në shpëtim të atyre që krijove.

Ti je Ngushëlluesi që ne kemi kërkuar,

në tokë nga Perëndia më i Larti dërguar,

Burimi i jetës dhe zjarri i dashurisë,

je shugurimi ynë nga lart prej Hyjnisë.

Prej qiellit duke na shpërblyer është shtatëfish,

Shenjë e dorës së djathtë të fuqishme të Perëndis’,

O Frymë e bekuar, prej shumë kohësh premtuar,

Ardhja Jote e zgjon zemrën për të kënduar.

Bëji mendjet tona të mefshta që me ngazëllim të shkëlqejnë,

Le që zemrat njerëzore me dashuri të gufojnë;

Dhe kur mishi ynë i dobët të shkojë,

Le që forca Jote e pavdekshme të mbretërojë.

Larg prej shpirtit tonë armikun dëboje,

Na bëj që në paqe të banojmë tani e tutje;

E keqja nuk do të vijë e as dëm nuk do ketë,

Sikur Ai udhërrëfyesi ynë të jetë.

Atin, o i Shenjtë, na trego

Të njohim Birin e përjetshëm, na ndihmo;

Frymë hyjnore, përgjithnjë

Ty do të të besojmë e Ty do të të adhurojmë.

Anon., shekulli i dhjetë.

HIMN ALTERNATI: “FRYMË E PERËNDISË ZBRIT MBI ZEMRËN TIME (SPIRIT OF GOD, DESCEND UPON MY HEART)”

Zbrit mbi zemrën time, Frymë e Perëndisë;

në çdo pulsim të saj lëviz, zvjerdhe nga toka;

edhe pse i fuqishëm, Ti dobësinë time, begenis,

Dhe më bëj të të dua ashtu sikurse duhet të të dua.

Të të duam Ty, Perëndi dhe Mbret, a nuk na ke kërkuar?

frymë, zemër, forcë dhe mendje, gjithçka, gjithçka që kam e bëj.

Unë e shikoj kryqin Tënd – mësoje zemrën time për të mos e lëshuar:

Oh më lër të të kërkoj, oh më lër të të gjej.

Më mëso të ndjej që gjithnjë pranë më je;

Më mëso vështirësitë e shpirtit të duroj,

Dyshimet që ngrihen, dhe ankesave t’u vë fre;

durimin në lutjet që nuk marrin përgjigje të mësoj.

Të të dua, ashtu si engjëjt e Tu, mësomë

Një pasion i shenjtë e mbush tërë qenien time;

Pagëzimin prej Pëllumbit të zbritur prej qiellit, dhuromë

Dashuria jote zjarri, në altar vetë zemra ime.

Autori: George Croly, 1854

Pen
>