Kapitulli 3: Kanoni i Shkrimit
Lesson 5 Chapter 2 Module 3
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
Kapitujt e mëparshëm u përmbyllën me fjalët që janë veçanërisht fjalët e shkruara të Perëndisë në Bibël ato të cilave ne duhet t’u kushtojmë vëmendje. Gjithsesi, përpara kësaj, ne duhet të dimë se cilat shkrime e kanë vendin në Bibël e cilat jo. Kjo është pyetja që lidhet me kanonin e Shkrimit i cili mund të përkufizohet si vijon: Kanoni i Shkrimit është lista e të tërë librave që e kanë vendin në Bibël.
Rëndësinë e kësaj pyetjeje ne nuk duhet ta nënvlerësojmë. Fjalët e Shkrimit janë fjalët me anë të të cilave ne ushqejmë jetën tonë shpirtërore. Kësisoj ne mund të mbështesim komentin që Moisiu bëri ndaj popullit të Izraelit duke iu referuar fjalëve të ligjit të Perëndisë: “Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj; dhe me këtë fjalë do të zgjasni ditët tuaja në vendin ku po hyni për ta pushtuar, duke kapërcyer Jordanin” (L. i P. 32:47).
T’u shtosh apo t’u heqësh fjalëve të Perëndisë, do të thotë të pengosh njerëzit e Perëndisë t’i binden plotësisht Atij, sepse urdhëresat që do ishin hequr, nuk do t’u bëheshin të ditura njerëzve, dhe fjalët që do ishin shtuar, mund të kërkojnë gjëra shtesë prej njerëzve, të cilat nuk urdhërohen prej Perëndisë. Kështu Moisiu e paralajmëroi popullin e Izraelit duke i thënë: “Nuk do t`i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t`u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis” (L.i P. 4:2).
Përcaktimi preciz i shtrirjes së kanonit të Shkrimit është për rrjedhojë i një rëndësie të madhe. Nëse duhet t’i besojmë e t’i bindemi Perëndisë në mënyrë absolute, ne duhet të kemi një përmbledhje fjalësh për të cilat të jemi të sigurt se janë fjalët e Perëndisë Vetë ndaj nesh. Nëse ka pjesë të Shkrimit rreth të cilave ne kemi dyshime për nëse ato janë apo jo fjalë të Perëndisë, ne nuk do t’i konsiderojmë ato si me autoritet hyjnor absolut, dhe nuk do t’u besojmë atyre aq shumë sa ç’do t’i besonim Perëndisë Vetë.
A. Kanoni i Besëlidhjes së Vjetër
Ku nisi ideja e një kanoni, ideja që populli i Izraelit duhej të ruante një përmbledhje të fjalëve të shkruara nga Perëndia? Vetë Shkrimi dëshmon për zhvillimin historik të kanonit. Përmbledhja më e hershme e fjalëve të shkruara të Perëndisë, qenë Dhjetë Urdhërimet. Kësisoj, Dhjetë Urdhërimet formojnë fillimin e kanonit biblik. Vetë Perëndia shkroi në dy pllaka guri fjalët të cilat Ai ia urdhëron popullit të Tij: “Kur Zoti mbaroi së foluri me Moisiun në malin Sinai, i dha dy pllaka të dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë” (Eks. 31:18). Përsëri lexojmë: “Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllaka” (Eks. 32:16; kr. L.i P. 4:13; 10:4). Pllakat u depozituan në arkën e besëlidhjes (L. i P. 10:5) dhe përbënin kushtet e besëlidhjes mes Perëndisë dhe popullit të Tij.[5]1
Kjo përmbledhje e fjalëve që kanë një autoritet absolut nga Perëndia, u rrit në madhësi përgjatë gjithë kohës së historisë së Izraelit. Vetë Moisiu shkroi disa fjalë shtesë të cilat do të depozitoheshin përbri arkës së besëlidhjes (L. i P. 31:24–26). Referenca e drejtpërdrejtë është dukshëm ndaj librit të Ligjit të Përtërirë, por referencat e tjera ndaj shkrimeve nga Moisiu, tregojnë që katër librat e parë të Besëlidhjes së Vjetër, qenë shkruar gjithashtu prej tij (shiko Eks. 17:14; 24:4; 34:27; Num. 33:2; L. i P. 31:22). Pas vdekjes së Moisiut, Jozueu gjithashtu i shtoi përmbledhjes së fjalëve të shkruara të Perëndisë: “Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë” (Joz. 24:26). Kjo është veçanërisht befasuese në dritën e urdhëresës për të mos shtuar apo hequr nga fjalët të cilat Perëndia u dha njerëzve përmes Moisiut: “Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë” (L. i P. 4:2; kr. 12:32). Për të mos iu bindur një urdhërese të tillë specifike, Jozueu duhet të ketë qenë i bindur që ai nuk po ndërmerrte në kokë të vet t’u shtonte fjalëve të shkruara të Perëndisë, por që Perëndia Vetë kishte autorizuar një shkrim të tillë shtesë.
Më vonë, të tjerë në Izrael, zakonisht ata të cilët përmbushën postin e profetit, shkruan fjalë të tjera prej Perëndisë:
Atëherë Samueli i paraqiti popullit të drejtat e mbretërisë dhe i shkroi në një libër, që e vendosi përpara Zotit. (1 Sam. 10:25)
Trimëritë e mbretit David, si të parat ashtu dhe të fundit, janë shkruar në librin e shikuesit Samuel, në librin e profetit Nathan dhe në librin e shikuesit Gad. (1 Kron. 29:29)
Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, nga e para deri në atë të fundit, janë të shkruara në fjalët e Jehut, birit të Hananit, që përfshihen në Librin e Mbretërve të Izraelit. (2 Kron. 20:34; kr. 1 Mbret.16:7 ku Jehu biri i Hananit është quajtur profet)
Pjesa tjetër e bëmave të Uziahut, nga të parat deri në të fundit, janë shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit. (2 Kron. 26:22)
Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe veprat e tij të mira, janë shkruar në vegimin e profetit Isaia, bir i Amotsit, dhe në Librin e Mbretërve të Judës e të Izraelit. (2 Kron. 32:32)
Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shkruaji në një libër tërë fjalët që të kam thënë.[6]2 (Jer. 30:2)
Përmbajtja e kanonit të Besëlidhjes së Vjetër vazhdoi të shtohej deri në kohën e përfundimit të procesit të shkrimit. Nëse “Hagain” e datojmë në vitin 520 para K., “Zakarinë” në vitet 520–518 para K. (me ndoshta më shumë material të shtuar pas vitit 480 mbas K.), dhe “Malakinë” rreth vitit 435 mbas K., atëherë kemi një ide të datave të përafërta të profetëve të fundit të Besëlidhjes së Vjetër. Me këtë periudhë pothuajse përkojnë librat e fundit historikë të Besëlidhjes së Vjetër: “Ezdra”, “Nehemia”, dhe “Ester”. Ezdra shkoi në Jerusalem në vitin 458 para K. dhe Nehemia qe në Jerusalem nga 445–433 para K.[7]3 “Esteri” u shkrua dikur pas vdekjes së Kserksit I (= Asueros) më 465 para K. dhe një datë gjatë mbretërimit të Artakserksit I (464–423 para K.) është e mundshme për të. Kështu, pas vitit afërsisht 435 para K., nuk pati shtesa të tjera ndaj kanonit të Besëlidhjes së Vjetër. Historia e mëpasshme e judenjve u dokumentua në shkrime të tjera, të tilla si librat e “Makabenjve”, por këto shkrime nuk u menduan të denja për t’u përfshirë në përmbledhjen e fjalëve të Perëndisë qysh në vitet e para.
Kur i kthehemi literaturës judaike jashtë Besëlidhjes së Vjetër, shikojmë që besimi që fjalët autoritare të thëna në mënyrë hyjnore nga Perëndia kishin reshtur, vërtetohet qartësisht në degë të ndryshme të literaturës jashtë biblike. Tek “1 Makabenjve” (rreth vitit 100 para K.) autori shkruan për altarin e përdhosur, “E rrënuan altarin. Gurët i vunë në një vend të përshtatshëm në Malin e Shtëpisë së Zotit derisa të mos vijë ndonjë profet e të vendosë për ta.” (1 Mak. 4:45–46). Duket se ata nuk njihnin ndokënd tjetër që mund të fliste me autoritetin e Perëndisë, ashtu siç kishin bërë profetët e Besëlidhjes së Vjetër. Kujtimi i një profeti autoritar ndër popull, ishte një kujtim që i takonte të kaluarës së largët, sepse autori mund të fliste për një shtypje të madhe “sa që një shtypje e tillë nuk u pa qysh se ndër ta nuk u duk ndonjë profet” (1 Mak. 9:27; kr. 14:41).
Jozefusi (lindur rreth vitit 37/38 mbas K.) shpjegoi kështu: “Nga Artakserksi e deri në ditët tona është shkruar një histori e plotë, por që nuk është konsideruar e të njëjtës vlerë me dokumentimet e mëparshme për shkak të mospatjes së një trashëgueshmrie të saktë prej profetëve” (Kundër Apionit 1.41). Kjo deklaratë e bërë nga historiani më i madh jude i shekullit të parë pas K. tregon se ai kishte dijeni për shkrimet që tani konsideroheshin pjesë e “Apokrifës,” por që ai (si dhe shumë prej bashkëkohësve të tij) i konsideronin këto shkrime të tjera “jo...të denja për t’u konsideruar të së njëjtës vlerë” me ato që ne tani i njohim si Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër. Nga këndvështrimi i Jozefusit, pas afërsisht vitit 435 para K., nuk kishte patur më “fjalë nga Perëndia” të shtuara ndaj Shkrimit.
Literatura rabinike pasqyron një bindje të ngjashme në deklaratën e saj të përsëritur që Fryma e Shenjtë (në funksionin e Frymës për frymëzimin e profecive) u largua nga Izraeli. “Pasi profetët e mëvonshëm Hagai, Zakaria, dhe Malakia vdiqën, Fryma e Shenjtë u largua nga Izraeli, por ata ende përdorën בַּת קֹול (H1426 + H7754, Talmudi Babilonas Jomah 9b, përsëritur tek Sota 48b, Sinedri 11a, dhe Midrash Rabah tek “Kënga e Këngëve”, 8.9.3).[8]4
Komuniteti i Kumranit (sekti judaik që na ka lënë Pergamenat e Detit të Vdekur) ishte gjithashtu në pritje të një profeti, fjalët e të cilit do të kishin autoritet për t’u zënë vendin cilado rregullash ekzistuese (shiko 1 QS 9.11), si dhe deklarata të tjera të ngjashme gjenden gjetiu në literaturën judaike (shiko “2 Baruku” 85:3 dhe “Lutje” 15). Kështu, shkrimet e mëpastajshme deri afërsisht vitit 435 para K. nuk u pranuan përgjithësisht nga populli jude si me autoritet të barabartë me pjesën tjetër të Shkrimit.
Në Besëlidhjen e Re, nuk kemi të dokumentuar ndonjë polemikë mes Jezusit dhe judenjve për sa i takon shtrirjes së kanonit. Me sa duket, kishte pajtim të plotë mes Jezusit dhe dishepujve të Tij nga njëra anë, dhe drejtuesve judenj apo popullit jude nga ana tjetër, që shtesat ndaj kanonit të Besëlidhjes së Vjetër, kishin reshtur pas kohës së Ezdras, Nehemias, Esterit, Hagait, Zakarisë dhe Malakisë. Ky fakt konfirmohet nga citimet që Jezusi dhe Besëlidhja e Re u bëjnë autorëve nga Besëlidhja e Vjetër. Sipas një numërimi të bërë, Jezusi dhe autorë të ndryshëm të Besëlidhjes së Re citojnë si hyjnisht autoritare pjesë të ndryshme të Shkrimit të Besëlidhjes së Vjetër, mbi 295 herë,[9]5 por as edhe një herë nuk citojnë ndonjë thënie nga librat e Apokrifës apo nga ndonjë shkrim tjetër me idenë se kanë autoritet hyjnor.[10]6 Mungesa e një reference të tillë ndaj literaturave të tjera si autoritare në mënyrë hyjnore, si dhe referenca tejet e shpeshtë ndaj qindra vendeve në Besëlidhjen e Vjetër si me autoritet hyjnor, vërteton fuqishëm faktin se autorët e kanonit të Besëlidhjes së Re ishin të një mendjeje se kanoni i përcaktuar i Besëlidhjes së Vjetër, as më shumë e as më pak, duhej të merrej si fjalët e Perëndisë Vetë.
Çfarë do të thuhet atëherë për Apokrifën, përmbledhjen e librave të përfshirë në kanon nga Kisha Katolike Romake, por të përjashtuara nga kanoni nga Protestantizmi?[11]7 Këto libra nuk qenë pranuar asnjëherë nga judenjtë si Shkrim, por përgjatë historisë së hershme të kishës, kishte mendime të ndryshme për nëse a duheshin ato të ishin pjesë e Shkrimit apo jo. Faktikisht, provat më të hershme të krishtera, flasin bindshëm kundër konsiderimit të Apokrifës si Shkrim, por përdorimi i Apokrifës, u rrit gradualisht në disa pjesë të kishës deri në kohën e Reformimit.[12]8 Fakti që këto libra u përfshinë nga Jeronimi në përkthimin e tij të Vulgatës Latine të Biblës (përfunduar në vitin 404 mbas K.) i dha mbështetje përfshirjes së tyre, paçka se vetë Jeronimi tha se ato nuk ishin “libra të kanonit” por thjesht ‘libra të kishës” të cilat ishin të dobishme dhe me vlerë për besimtarët. Përdorimi i gjerë i Vulgatës latine në shekujt pasues, garantoi disponueshmërinë e tyre të vazhdueshme, por fakti që ato nuk kishin origjinal hebraik prapa tyre, dhe përjashtimi i tyre nga kanoni jude, si dhe mungesa e citimeve të tyre në Besëlidhjen e Re, i shtyu shumë vetë që t’i shikonin me dyshim apo që të refuzonin autoritetin e tyre. Për shembull, lista më e hershme e krishterë e librave të Besëlidhjes së Vjetër që ekziston sot, është ajo e përpiluar nga Melitoni, peshkopi i Sardës, i cili shkroi aty rreth vitit 170 mbas K. si më poshtë:[13]9
Kur erdha në lindje dhe arrita në vendin ku këto gjëra predikoheshin dhe kryheshin, dhe mësova me saktësi librat e Besëlidhjes së Vjetër, unë dokumentova faktet dhe jua dërgova juve. Këta janë emrat e tyre: pesë librat e Moisiut, “Zanafilla”, “Eksodi”, “Numrat”, “Levitiku”, “Ligji i Përtërirë”, “Jozueu biri i Nunit”, “Gjyqtarët”, “Ruthi”, katër librat e “Mbretërive”,[14]10 dy librat e “Kronikave”, “Psalmet e Davidit”, “Fjalët e Urta të Salomonit” dhe “Urtësia” e tij,[15]11 “Predikuesi,” “Kënga e Këngëve,” “Jobi”, profetët “Isaia”, “Jeremia,” “të Dymbëdhjetët” në një libër të vetëm, “Danieli”, “Ezekieli”, “Ezdra”.[16]12
Është vendi këtu që të thuhet se Melito nuk thotë emrat e asnjë prej librave të Apokrifës, por ai përfshin të tërë librat e Besëlidhjes së Vjetër që kemi ne sot, me përjashtim të “Esterit”.[17]13 Eusebi citon gjithashtu Origjenin i cili afirmonte pjesën më të madhe të librave të kanonit të tanishëm tonë të Besëlidhjes së Vjetër (përfshi këtu “Esterin”), por asnjë libër i Apokrifës nuk afirmohet si kanonik, dhe për librat e “Makabenjve”, thuhet shprehimisht se janë “jashtë prej këtyre [librave kanonikë].”[18]14 Po kështu, në vitin 367 mbas K., kur drejtuesi i shkëlqyer i kishës, Athanasi, peshkop i Aleksandrisë shkroi Letrën e Pashkës, ai renditi të tërë librat e kanonit tonë të tanishëm të Besëlidhjes së Re dhe të tërë librat e kanunit tonë të tanishëm të Besëlidhjes së Vjetër me përjashtim të “Esterit”. Ai përmendi gjithashtu disa libra të Apokrifës të tillë si “Mençuria e Salomonit, “Libri i Siracidit”, “Judita”, dhe “Tobia”, dhe tha se këto “vërtetë që nuk janë të përfshira në Kanon, por janë caktuar nga etërit e kishës që të lexohen nga ata që sapo janë bashkuar me ne, dhe që kërkojnë të marrin udhëzime në fjalën e perëndishmërisë.”[19]15 Megjithëkëtë, drejtues të tjerë të hershëm të kishës, i citonin vërtetë këto libra si Shkrime.[20]16
Në një sërë prej këtyre librave, ka papërputhshmëri doktrinare dhe historike. E.J. Young vëren:
Në këto libra, nuk ka shenja të cilat do të provonin se ato kanë një origjinë hyjnore....si “Judita” ashtu edhe “Tobia” përmbajnë gabime historike, kronologjike dhe gjeografike. Këto libra justifikojnë falsitetin dhe mashtrimin, dhe e bëjnë shpëtimin të varet tek veprat e meritës.... “Libri i Siracidit” dhe “Libri i Urtisë” ngulitin një moral të bazuar tek volitshmëria. “Libri i Urtisë” mëson rreth krijimit të botës nga një materie para-ekzistuese (“Libri i Urtisë” 11:17). “Libri i Siracidit” na mëson që dhënia e lëmoshave kryen shlyerjen për mëkatin (“Sir.” 3:30). Tek “Baruku” thuhet që Perëndia i dëgjon lutjet e të vdekurve (Bar. 3:4), ndërsa tek “I Makabenjve” ka gabime historike dhe gjeografike.[21]17
Vetëm më 1546, në Këshillin e Trentit, Kisha Katolike Romake deklaroi zyrtarisht Apokrifën si pjesë e kanonit (me përjashtim të “1 dhe 2 Esdras” dhe “Lutja e Manasehut”). Është e rëndësishme të thuhet që Këshilli i Trentit qe reagimi i Kishës Katolike Romake ndaj mësimeve të Martin Luterit, si dhe përhapjes së shpejtë të Reformimit Protestant, dhe librat e Apokrifës përmbajnë argumente mbështetëse për mësimin e Katolikëve rreth lutjeve për të vdekurit dhe drejtësimin përmes besimit plus veprave, jo nga vetëm besimi. Në afirmimin e Apokrifës si përbrenda kanonit, Katolikët Romakë janë të pikëpamjes që kisha ka autoritetin për të zgjedhur një vepër letrare e për ta pranuar si “Shkrim,” ndërkohë që Protestantët kanë qenë të pikëpamjes që kisha nuk mund ta bëjë diçka të jetë Shkrim, por vetëm sa mund të pranojë atë që Perëndia ka bërë tashmë që të shkruhet si fjalë e Tij.[22]18 (Një analogji këtu do të ishte që të thoshim se një hetues i policisë mund t’i dallojë paratë e falsifikuara si të falsifikuara, ashtu siç mund të njohë edhe paratë e vërteta si të vërteta, por ai nuk mund t’i bëjë paratë false të jenë të vërteta, e as deklarimi nga sado policë qofshin nuk do mund t’i bëjë paratë e falsifikuara diçka që ato nuk janë në të vërtetë. Vetëm dega zyrtare e thesarit të një shteti mund ta prodhojë para që është me të vërtetë para. Po kështu, vetëm Perëndia mund të bëjë që fjalë të caktuara të jenë vetë fjalë të Tija dhe të denja për t’u përfshirë në Shkrim.)
Kështu, shkrimet e Apokrifës, nuk duhen konsideruar si pjesë e Shkrimit: (1) ato nuk pretendojnë vetë të kenë të njëjtin lloj autoriteti me shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër; (2) ato nuk u konsideruan si fjalë të Perëndisë nga populli jude prej të cilit edhe dolën; (3) Ata nuk u konsideruan si Shkrime as nga Jezusi e as nga autorët e Besëlidhjes së Re; dhe (4) ato përmbajnë mësime që nuk përputhen me pjesën tjetër të Biblës. Ne, duhet të dalim në përfundimin që ato janë thjesht fjalë njerëzore, jo fjalë të frymëzuara nga Perëndia ashtu sikurse janë fjalët e Shkrimit. Ato kanë vlerë për hulumtime historike dhe gjuhësore, dhe ato përmbajnë një sërë historish të dobishme rreth kurajës dhe besimit të shumë judenjve gjatë periudhës pas përfundimit të Besëlidhjes së Vjetër, por ato nuk kanë qenë kurrë pjesë e kanonit të Besëlidhjes së Vjetër, dhe ato nuk duhen menduar si pjesë e Biblës. Për rrjedhojë, ato nuk kanë autoritet imponues për mendimet apo jetën e krishterimit sot.
Në përmbyllje, për sa i takon kanonit të Besëlidhjes së Vjetër, të krishterët sot nuk duhet të shqetësohen se mos ndonjë gjë e nevojshme është lënë jashtë apo se mos ndonjë gjë e cila nuk është prej fjalëve të Perëndisë është përfshirë në Bibël.
B. Kanoni i Besëlidhjes së Re
Zhvillimi i kanonit të Besëlidhjes së Re, fillon me shkrimet e apostujve. Duhet mbajtur mend që shkrimi i Shkrimeve, në radhë të parë shfaqet i lidhur me veprimet e mëdha të Perëndisë në historinë e shpengimit. Besëlidhja e Vjetër dokumenton dhe interpreton për ne thirrjen e Abrahamit si dhe jetën e pasardhësve të tij, eksodin nga Egjipti si dhe sorollatjet në shkretëtirë, ngulimin e popullit të Perëndisë në tokën e Kanaanit, themelimin e monarkisë, syrgjynosjen si dhe kthimin nga robëria. Secili prej këtyre akteve të mëdha të Perëndisë në histori, është interpretuar për ne me fjalët e Perëndisë Vetë në Shkrim. Besëlidhja e Vjetër mbyllet me pritjen e ardhjes së Mesisë (“Mal.” 3:1–4; 4:1–6). Faza tjetër në historinë shpenguese, është ardhja e Mesisë, dhe nuk është për t’u habitur që asnjë Shkrim tjetër nuk do të shkruhej derisa kjo ngjarje e radhës dhe më e madhja e të tërave në historinë e shpengimit, të ndodhte.
Kjo është arsyeja përse Besëlidhja e Re përmban shkrimet e apostujve.[23]19 Aftësia e dhënë atyre nga Fryma e Shenjtë për të kujtuar me saktësi fjalët dhe veprat e Jezusit, si dhe për t’i interpretuar ato siç duhet për brezat e mëvonshëm, iu dha kryesisht apostujve.
Jezusi u premtoi dishepujve të Tij (të cilët u quajtën apostuj pas ringjalljes) këtë fuqizim tek “Gjoni” 14:26: “ por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.” Po kështu, Jezusi premtoi zbulesë të mëtejshme të të vërtetës nga Fryma e Shenjtë kur Ai i tha dishepujve të Vet, “Por, kur të vijë ai, Fryma e së Vërtetës, do t`ju prijë në gjithë të vërtetën, sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë atë që do të dëgjojë dhe do t'ju kumtojë ato që do të vijnë. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë” (Gjoni 16:13–14). Në këto vargje, dishepujve u premtohen dhurata të jashtëzakonshme të cilat do t’i bënin ata të aftë që të shkruanin Shkrimet: Fryma e Shenjtë do t’u mësonte atyre “çdo gjë ,” do t’i bënte ata që të kujtonin “çdo” gjë që Jezusi kishte thënë, dhe do t’i udhëzonte ata në “të gjithë të vërtetën.”
Për më tepër, ata që kishin postin e apostullit në kishën e hershme, shikohet se pretendojnë të kenë një autoritet të barabartë me atë të profetëve të Besëlidhjes së Vjetër, një autoritet për të folur e për të shkruar fjalë të cilat janë fjalë të Perëndisë Vetë. Pjetri i inkurajon lexuesit e tij që të kujtojnë “urdhërimin e vetë Zotit dhe të Shpëtimtarit, të përçuar nga ne apostujt.” (2 Pjetrit 3:2). T’u gënjeje apostujve (Veprat 5:2) ishte e barasvlershme me gënjeshtrën ndaj Frymës së Shenjtë (Veprat 5:3) dhe gënjeshtrën ndaj Perëndisë (Veprat 5:4).
Ky pretendim i të qenurit në gjendje për të folur fjalë të cilat qenë fjalët e Perëndisë Vetë, haset shpesh veçanërisht në shkrimet e apostullit Pal. Ai pretendon jo vetëm që Fryma e Shenjtë i ka zbuluar atij “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe që nuk kanë hyrë në zemër të njeriut” (1 Kor. 2:9), por gjithashtu që kur ai deklaron këtë zbulesë, ai e flet atë “jo me fjalë të mësuara nga urtësia njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i interpretuar gjërat frymërore me fjalë frymërore” (1 Kor. 2:13, përkthimi i autorit).[24]20
Po kështu, Pali u thotë korintasve, “Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit” (1 Kor. 14:37). Fjala e përkthyer “ato” në këtë varg, është një përemër lidhor në shumës në greqisht (ἅ) dhe me një përkthim më fjalë për fjalë, mund të përkthehet kështu: “gjërat të cilat po të shkruaj.” Kështu, Pali po thotë që direktivat ndaj kishës në Korint, nuk janë thjesht të vetat, por janë një urdhëresë nga Zoti. Më vonë, në mbrojtjen e postit të tij apostolik, Pali thotë që ai do t’u japë korintasve “provë të Krishtit që flet në mua” (2 Kor. 13:3). Vargje të tjerë të ngjashëm mund të përmenden gjithashtu (për shembull: Rom. 2:16; Gal. 1:8–9; 1 Thes. 2:13; 4:8, 15; 5:27; 2 Thes. 3:6, 14).
Apostujt, pastaj, kanë autoritet për të shkruar fjalë të cilat janë fjalët e Perëndisë Vetë, të barabarta në statusin e të vërtetës dhe autoritetit me fjalët e Shkrimeve të Besëlidhjes së Vjetër. Ata e bëjnë këtë për të dokumentuar, interpretuar dhe zbatuar në jetën e besimtarëve, të vërtetat e mëdha rreth jetës, vdekjes si dhe ringjalljes së Krishtit.
Për rrjedhojë, nuk do të ishte për t’u habitur të gjeje që disa prej shkrimeve të Besëlidhjes së Re, të vendoseshin me Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër si pjesë e kanonit të Shkrimit. Faktikisht, këtë shikojmë të ndodhë në të paktën dy raste. Tek “2 Pjetrit” 3:16, Pjetri shfaq jo vetëm një vetëdije për ekzistencën e letrave të shkruara pastorale të Palit, por gjithashtu edhe një gatishmëri të qartë për të klasifikuar “në të gjitha letrat e tij [të Palit]” me “Shkrimet e tjera”: Pjetri thotë: “Sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas urtësisë që iu dha atij; si dhe në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra në të cilat disa gjëra janë të vështira për t'u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera.” (2 Pjetrit 3:15–16). Fjala e përkthyer “Shkrime” këtu është γραφή (G1210) fjalë kjo e cila haset pesëdhjetenjë herë në Besëlidhjen e Re, e që i referohet Shkrimeve të Besëlidhjes së Vjetër në secilën prej këtyre rasteve. Kështu, fjala Shkrim ishte një term teknik për autorët e Besëlidhjes së Re, dhe përdorej vetëm për ato shkrime për të cilat mendohej se ishin fjalët e Perëndisë dhe për rrjedhojë pjesë e kanonit të Shkrimit. Por në këtë varg, Pjetri i klasifikon shkrimet e Palit me “Shkrimet e tjera” (me të cilat nënkupton Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër). Për rrjedhojë, shkrimet e Palit konsiderohen nga Pjetri të denja gjithashtu për titullin “Shkrime” dhe kësisoj të denja për t’u përfshirë në kanon.
Një rast i dytë gjendet tek “1 Timoteu” 5:17–18. Pali thotë: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen në fjalë e mësim. Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin", dhe: "Punëtori e ka hak pagën e tij”’ Citimi i parë nga “Shkrimi” gjendet tek “Ligji i Përtërirë” 25:4, ndërsa citimi i dytë: “Punëtori e ka hak pagën e tij,” nuk haset askund në Besëlidhjen e Vjetër. Megjithëkëtë, ai shfaqet tek “Luka” 10:7 (me ekzaktësisht të njëjtat fjalë për sa i takon tekstit në greqisht). Kështu, kemi Palin që duket se citon një pjesë nga ungjilli i Lukës [25]21 dhe e quan atë “Shkrim,” d.m.th, diçka e cila duhet konsideruar pjesë e kanonit.[26]22 Tek të dy këto pasazhe (2 Pjetrit 3:16 dhe 1 Tim. 5:17–18) shikojmë prova që qysh shumë herët në historinë e kishës, shkrimet e Besëlidhjes së Re fillojnë të pranohen si pjesë e kanonit.
Për shkak se apostujt, në sajë të postit të tyre apostolik kishin autoritet për të shkruar fjalët e Shkrimit, mësimet e shkruara autentike të apostujve u pranuan nga kisha e hershme si pjesë e kanonit të Shkrimit. Nëse ne i pranojmë argumentet për pikëpamjet tradicionale të autorësisë së shkrimeve të Besëlidhjes së Re,[27]23 atëherë kemi pjesën më të madhe të Besëlidhjes së Re në kanon për shkak të autorësisë së drejtpërdrejtë të librave të saj nga apostujt. Ndër to do të përfshiheshin “Mateu”; “Gjoni”; “Romakëve” deri tek “Filemoni” (të tëra letrat e Palit); “Jakobi”;[28]24 “1 dhe 2 Pjetrit”; “1, 2, dhe 3 Gjonit”; dhe “Zbulesa”.
Kjo lë pesë libra: “Markun”, “Lukën”, “Veprat”, “Hebrenjve” dhe “Judën”, të cilat nuk u shkruan nga apostujt. Hollësitë e procesit historik nëpërmjet të cilit këto libra u numëruan si pjesë e Shkrimit nga kisha e hershme, janë të pakta, por “Marku”, “Luka” dhe “Veprat” ishin të pranuara gjerësisht që shumë herët, me shumë mundësi për shkak të lidhjes së ngushtë të Markut me apostullin Pjetër dhe të Lukës (Autori i “Lukës”-“Veprat”) me apostullin Pal. Në mënyrë të ngjashme, “Juda” me sa duket u pranua për shkak të lidhjes së autorit të tij me Jakobin (Shiko “Juda” 1) dhe faktit që ai ishte vëllai i Jezusit.[29]25
Pranimi i “Hebrenjve” si kanonik u nxit nga shumëkush brenda kishës mbi bazën e një autorësie të supozuar të tij nga Pali. Por që nga kohët shumë të hershme, kishte të tjerë të cilët e refuzuan autorësinë e Palit në favor të një tjetri nga sugjerimet e ndryshme. Origjeni, i cili vdiq rreth vitit 254 mbas K., përmend teori të ndryshme të autorësisë dhe del në përfundimin që: “Por se kush e shkroi faktikisht këtë letër, vetëm Perëndia e di.”[30]26 Kështu, pranimi i “Hebrenjve” si libër kanonik, nuk ishte tërësisht për shkak të besimit në autorësinë e tij nga Pali. Por më tepër cilësitë e brendshme të vetë librit, duhet t’i kenë bindur përfundimisht lexuesit e hershëm të tij, ashtu sikurse vazhdojnë të bindin edhe besimtarët sot, se pavarësisht se kush ka qenë autori i tij njerëzor, autori i saj në burim mund të ketë qenë vetëm Perëndia Vetë. Lavdia e madhërishme e Krishtit vetëtin nga faqet e letrës drejtuar “Hebrenjve” me aq shkëlqim saqë asnjë besimtar që e lexon atë me seriozitet, nuk do ta vinte në pikëpyetje vendin e saj në kanon.
Kjo na çon në thelbin e çështjes së kanonicitetit. Që një libër t’i takojë kanonit, është tërësisht e domosdoshme që ai libër të ketë autorësi hyjnore. Nëse fjalët e librit janë fjalë të Perëndisë (përmes autorësh njerëzorë), dhe nëse kisha e hershme, nën drejtimin e apostujve, e ruajti këtë libër si pjesë të Shkrimit, atëherë libri i takon kanonit. Por, nëse fjalët e librit nuk janë fjalët e Perëndisë, atëherë ai nuk i takon kanonit. Çështja e autorësisë nga një apostull, është e rëndësishme sepse qenë kryesisht apostujt ata të cilëve Krishti u dha aftësinë për të shkruar fjalët me autoritet absolut hyjnor. Nëse për një shkrim mund të tregohet se është i një apostulli, atëherë autoriteti i tij absolut hyjnor përcaktohet automatikisht.[31]27 Kësisoj, kisha e hershme në mënyrë automatike pranoi si pjesë të kanonit mësimet e shkruara të apostujve, të cilat apostujt vetë dëshironin që të ruheshin si Shkrime.
Por ekzistenca e disa shkrimeve të Besëlidhjes së Re të cilat nuk kishin autorësi të drejtpërdrejtë nga apostujt, tregon se në kishën e hershme kishte edhe të tjerë të cilëve Krishti u dha gjithashtu aftësinë, përmes punës së Frymës së Shenjtë, që të shkruanin fjalët që ishin fjalët e Perëndisë dhe për rrjedhojë që ishin synuar për të qenë pjesë e kanonit. Në këto raste, kisha e hershme kishte detyrën për të kuptuar se cilat materiale të shkruara kishin karakteristikën e të qenurit fjalët e Perëndisë Vetë (të thëna përmes autorëve njerëzorë).
Për disa libra (të paktën “Marku”, “Luka” dhe “Veprat”, dhe ndoshta edhe “Hebrenjve” dhe “Juda” gjithashtu), kisha kishte, të paktën në disa zona, dëshminë personale të disa apostujve të gjallë, për të mbështetur autoritetin hyjnor absolut të këtyre librave. Për shembull, Pali do të kishte mbështetur autenticitetin e “Lukës” dhe të “Veprave”, ndërsa Pjetri do të kishte mbështetur autenticitetin e “Markut” duke u shprehur se ai përmbante ungjillin të cilin predikonte ai vetë. Në raste të tjera, si dhe në disa zona gjeografike, kisha thjesht duhej të vendoste nëse e dëgjonte zërin e Perëndisë Vetë tek fliste me fjalët e këtyre shkrimeve. Në këto raste, fjalët e këtyre librave do të kishin qenë vetë-vërtetuese; d.m.th. fjalët do të kishin dëshmuar për autorësinë e tyre hyjnore ashtu sikurse i marrin edhe të krishterët ato. Kjo duhet të ketë ndodhur në rastin e “Hebrenjve”.
Nuk duhet të na befasojë fakti që kisha e hershme duhet të ketë qenë në gjendje që ta dallonte “Hebrenjve” si dhe shkrimet e tjera të pashkruara nga apostujt, si fjalët e Perëndisë Vetë. A nuk kishte thënë Jezusi: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim” (Gjoni 10:27)? Nuk duhet të mendohet si e pamundur apo si pa gjasa për rrjedhojë, që edhe kisha e hershme të ketë qenë në gjendje të përdorë një ndërthurje faktorësh, përfshi këtu pranimin nga apostujt, përputhshmërinë me pjesën tjetër të Shkrimit, dhe perceptimin e asaj vepre të shkruar si e “Frymëzuar nga Perëndia” nga ana e një pjese dërrmuese të besimtarëve, për të vendosur nëse një shkrim ishte faktikisht fjalët e Perëndisë Vetë (përmes autorësh njerëzorë) dhe për rrjedhojë i denjë për t’u përfshirë në kanon. Gjithashtu, nuk duhet të mendohet si pa gjasa që kisha do të ketë qenë në gjendje që ta përdorë këtë proces përgjatë një periudhe kohore, pasi shkrimet kishin qarkulluar në pjesë të ndryshme të kishës së hershme, dhe në fund, të dilte me një vendim tërësisht të saktë, pa përjashtuar ndonjë prej materialeve të shkruar që ishin në fakt të “frymëzuara prej Perëndisë”, dhe pa përfshirë në kanon ndonjë shkrim që nuk ishte i tillë.[32]28
Në vitin 367 mbas K., Letra e Tridhjetenëntë e Pashkës e Athanasit, përmbante listën e saktë të njëzeteshtatë librave të Besëlidhjes së Re që kemi edhe ne sot. Kjo ishte lista e librave të pranuara nga kishat në pjesën lindore të botës mesdhetare. Tridhjetë vjet më vonë, në vitin 397 mbas K., Këshilli i Kartagjenës, që përfaqësonte kishat në pjesën perëndimore të botës Mesdhetare, ra në një mendje me kishat lindore për po të njëjtën listë. Këto janë listat më të hershme e përfundimtare të kanonit që kemi edhe sot e kësaj dite.
A duhet të presim që më shumë shkrime t’i shtohen kanonit? Fjalia hapëse tek “Hebrenjve” e vë këtë pyetje në perspektivën e duhur historike, në atë të historisë së shpengimit: “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, në këto ditët e fundit, na foli me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë” (Heb. 1:1–2).
Kontrasti mes të folurit në të kaluarën “së lashti” nga profetët, dhe të folurit të tanishëm “në këto ditët e fundit” sugjeron që e folura e Perëndisë ndaj nesh nëpërmjet Birit të Tij është kulmimi i të folurës së Tij ndaj njerëzve dhe është zbulesa e Tij më e madhe dhe përfundimtare ndaj njerëzimit në këtë periudhë të historisë së shpengimit. Që madhështia e spikatur e zbulesës e cila vjen përmes Birit, tejkalon ndjeshëm cilëndo zbulesë në Besëlidhjen e Vjetër, kjo theksohet vazhdimisht përgjatë gjithë kapitujve 1 dhe 2 të “Hebrenjve”. Këto fakte tregojnë të tëra se zbulesa e Perëndisë në Krishtin ka një finalizim, dhe që sapo kjo zbulesë të jetë plotësuar, nuk duhet pritur për më shumë prej sojit të saj.
Por ku mësojmë ne rreth kësaj zbulese nëpërmjet Krishtit? Shkrimet e Besëlidhjes së Re përmbajnë interpretimin përfundimtar, autoritar dhe të mjaftueshëm të veprës shpenguese të Krishtit. Apostujt si dhe shoqëruesit e tyre të ngushtë, raportojnë fjalët dhe veprat e Krishtit si dhe i interpretojnë ato me një autoritet absolut hyjnor. Pasi ata i mbaruan veprat e tyre të shkruara, nuk mbetet më gjë për të shtuar që të ishte e të njëjtit autoritet absolut hyjnor. Kështu, sapo shkrimet e apostujve të Besëlidhjes së Re si dhe shoqëruesve të tyre të autorizuar përfundojnë, ne kemi në formën e shkruar, dokumentimin përfundimtar të gjithçkaje që Perëndia dëshiron që ne të dimë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, si dhe domethënien e kësaj për besimtarët e të tëra kohëve. Përderisa kjo është zbulesa më e madhe e Perëndisë për njerëzimin, nuk mund të pritet më shumë sapo që kjo të jetë përfunduar. Kështu, “Hebrenjve” 1:1–2 na tregon përse nuk mund t’i shtohen më shumë shkrime Biblës pas kohës së Besëlidhjes së Re. Kanoni tanimë është mbyllur.
Një arsye e një lloji të ngjashëm mund të nxirret nga “Zbulesa” 22:18–19:
Po u dëshmoj të gjithëve atyre që dëgjojnë fjalët e profecisë së këtij libri: nëse ndokush do t'u shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të shtojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t'i heqë pjesën e tij nga libri i jetës dhe nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.
Referenca kryesore e këtyre vargjeve është qartësisht ndaj vetë librit të “Zbulesës”, sepse Gjoni u referohet shkrimeve të tij si: “Fjalët e profecisë së këtij libri” në vargjet 7 dhe 10 të këtij kapitulli (dhe i tërë libri quhet profeci tek “Zbu.” 1:3). Për më tepër, referenca ndaj “Pemës së jetës dhe... qytetit të shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër ” lë të nënkuptohet se është pikërisht libri i “Zbulesës” ai që nënkuptohet.
Sidoqoftë, nuk është rastësore që kjo deklaratë vjen në fund të kapitullit të fundit të “Zbulesës”, dhe që “Zbulesa” është libri i fundit në Besëlidhjen e Re. Faktikisht, “Zbulesa” duhet vënë e fundit në kanon. Për shumë libra, radha e vendosje së tyre në përmbledhjen e kanonit, nuk ka pasoja të mëdha. Por, ashtu sikurse “Zanafilla” duhet vënë e para (sepse ajo na tregon për krijimin), po kështu edhe “Zbulesa” duhet vënë e fundit (sepse fokusi i saj është të na tregojë të ardhmen dhe krijimin e ri prej Perëndisë). Ngjarjet e përshkruara tek “Zbulesa”, nga ana historike vijnë pas ngjarjeve të përshkruara në pjesën tjetër të Besëlidhjes së Re dhe kërkojnë që “Zbulesa” të vihet atje ku është vënë. Kështu, nuk është e përshtatshme për ne që ta kuptojmë këtë paralajmërim tejet të veçantë në fund të “Zbulesës” si diçka që gjen zbatim në një mënyrë dytësore tek i tërë Shkrimi. I vendosur këtu, ku edhe duhet vendosur, ky paralajmërim formon një përfundim të përshtatshëm për të tërë kanonin e Shkrimit. Bashkë me “Hebrenjve” 1:1–2 si dhe historinë e perspektivës shpenguese të nënkuptuar në ato vargje, ky zbatim më i gjerë i “Zbulesës” 22:18–19 na sugjeron gjithashtu se nuk duhet të presim të shtohen më shumë Shkrime përtej atyre që kemi tashmë.
Nga ta dimë atëherë se kemi librat e duhur në kanonin e Shkrimin që zotërojmë tani? Kësaj pyetjeje mund t’i japim përgjigje në dy mënyra të ndryshme. Së pari, nëse po pyesim se mbi çfarë gjëje duhet ta bazojmë bindjen tonë, përgjigjja përfundimtare duhet të jetë se besimi ynë bazohet në besnikërinë e Perëndisë. Ne e dimë që Perëndia i do njerëzit e Tij, dhe është tejet e rëndësishme që njerëzit e Perëndisë të kenë fjalët e Tij, sepse ato janë jeta jonë (L. i P. 32:47; Mat. 4:4). Ato janë më të çmuara e më të rëndësishme për ne se çfarëdo gjëje tjetër në botë. Ne duhet të dimë gjithashtu që Perëndia, Ati ynë, është në kontroll të të gjithë historisë, dhe që Ai nuk është ai lloj Ati që do të na e bëjë me hile, apo që nuk do të arrijë të tregohet besnik ndaj nesh apo të na mbajë pa na dhënë diçka që na nevojitet në mënyrë absolute.
Ashpërsia e ndëshkimeve të e paraqitura tek “Zbulesa” 22:18–19 të cilat bien mbi ata që u shtojnë apo u heqin fjalëve të Perëndisë, vërteton gjithashtu rëndësinë që ka për njerëzit e Perëndisë, patja e një kanoni të saktë. Nuk mund të ketë ndëshkime më të rënda sesa këto, sepse këto janë ndëshkimet e gjykimit të përjetshëm. Kjo tregon që Perëndia Vetë i vë një vlerë supreme patjes prej nesh të një përmbledhjeje të saktë të shkrimeve të frymëzuara prej Perëndisë, e as më pak e as më shumë. Në dritën e këtij fakti, a mund të jetë e duhur për ne që të besojmë që Perëndia, Ati ynë, i Cili kontrollon tërë historinë, do ta lejonte të tërë kishën e Tij për pothuajse dy mijë vjet të privohej prej diçkaje që Ai Vetë e vlerëson aq shumë dhe që është kaq e domosdoshme për jetën tonë shpirtërore?[33]29
Ruajtja dhe përmbledhja e saktë e kanonit të Shkrimit, duhet që si përfundim të shikohet nga besimtarët jo si pjesë e historisë së kishës, në vijim të aktit të madh qendror të Perëndisë për shpjegimin e popullit të Tij, por si një pjesë integrale e historisë së vetë shpengimit. Ashtu sikurse Perëndia qe në punë gjatë krijimit, në thirrjen e popullit të Tij, Izraelit, në jetën, vdekjen si dhe ringjalljen e Krishtit, si dhe në punën dhe shkrimet e hershme të apostujve, po kështu Perëndia ishte në punë në ruajtjen dhe përmbledhjen e librave të Shkrimit për dobi të popullit të Tij përgjatë gjithë epokës së kishës. Besimin tonë atëherë, për sa i takon saktësisë së kanonit tonë të tanishëm, më së shumti ne e bazojmë te besnikëria e Perëndisë.
Pyetja se nga e dimë se kemi librat e duhur, mundet që në radhë të dytë të gjejë përgjigje në një mënyrë disi ndryshe. Ne mund të urojmë të përqendrohemi tek procesi përmes të cilit ne jemi bindur që librat që kemi tani në kanon, janë ata të duhurit. Në këtë proces janë dy faktorë në funksionim: veprimtaria e Frymës së Shenjtë i Cili na bind që të lexojmë vetë Shkrimin, si dhe të dhënat historike që i kemi të disponueshme për t’i shqyrtuar.
Ndërkohë që lexojmë Shkrimin, Fryma e Shenjtë punon për të na bindur që librat që ne kemi tek Shkrimet, janë të tërë nga Perëndia, dhe janë fjalët e Tij të drejtuara ndaj nesh. Ka qenë dëshmia e të krishterëve përgjatë shekujve që ndërsa lexojnë librat e Biblës, fjalët e Shkrimit u flasin zemrave të tyre ashtu si asnjë libër tjetër. Ditë pas dite, vit pas viti, të krishterët shikojnë që fjalët e Biblës janë me të vërtetë fjalët e Perëndisë që u flet atyre me autoritet, fuqi dhe aftësi bindëse, të cilat asnjë vepër tjetër e shkruar nuk i zotëron. Me të vërtetë që Fjala e Perëndisë është “e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Heb. 4:12).
Megjithëkëtë, procesi përmes të cilit ne bindemi që kanoni i tanishëm është i duhuri, ndihmohet gjithashtu nga të dhënat historike. Sigurisht, nëse përmbledhja e kanonit ishte pjesë e veprave qendrore të Perëndisë në historinë e shpengimit (siç është deklaruar më sipër), atëherë të krishterët sot, nuk duhet të guxojnë të marrin përsipër të përpiqen t’i shtojnë apo t’i heqin librave të kanonit: ky proces ka përfunduar shumë kohë më parë. Megjithëkëtë, një hetim i imtësishëm i rrethanave historike që kanë të bëjnë me përmbledhjen e kanonit, do të shërbente për vërtetimin e bindjes tonë se vendimet e marra nga kisha e hershme, ishin vendime të sakta. Një pjesë e të dhënave historike, është përmendur në faqet pararendëse. Të dhëna të tjera më të detajuara janë të disponueshme për ata të cilët dëshirojnë të shqyrtojnë hetime më të specializuara.[34]30
Megjithëkëtë, duhet përmendur edhe një fakt i mëtejshëm historik. Sot nuk ekzistojnë kandidatë të fortë për t’iu bashkëngjitur kanonit dhe as kundërshti të forta ndaj ndonjë libri të tanishëm të kanonit. Për ato shkrime që disa prej kishave të hershme dëshironin të përfshinin në kanon, nuk është gabim të thuash se nuk ka asnjë të cilën ungjillorët e sotëm do të donin ta përfshinin. Disa prej shkrimtarëve shumë të hershëm, bënë një dallim të qartë të vetes nga apostujt si dhe të shkrimeve të tyre nga ato të apostujve. Për shembull, Ignati, rreth vitit 110 mbas K., tha: “Unë nuk ju urdhëroj siç bëri Pjetri dhe Pali; ata ishin apostuj ndërsa unë një i dënuar; ata ishin të lirë, unë jam deri tani një skllav” (Ignati, Romakëve 4.3; krahaso qëndrimin ndaj apostujve tek “1 Klementi” 42:1, 2; 44:1–2 [95 mbas K.]; Ignati, “Magnezianëve” 7:1; 13:1–2; etj.).
Edhe ato shkrime të cilat për një farë kohe qenë menduar nga disa si të denja për t’u përfshirë në kanon, përmbajnë mësime doktrinale që bien në kundërshtim me pjesën tjetër të Shkrimit “Bariu i Hermasit” për shembull, mëson për “domosdoshmërinë e pendestarisë (detyrave të pendesës)” si dhe “mundësinë e faljes së mëkateve të paktën një herë pas pagëzimit.... Autori duket se e identifikon Frymën e Shenjtë me Birin e Perëndisë përpara Mishërimit, dhe të jetë i mendimit që Trinia erdhi në jetë vetëm pasi natyra njerëzore e Krishtit u mor në qiell” (Fjalori i Oksfordit i Kishës së Krishterë (Oxford Dictionary of the Christian Church) f. 641).
Ungjilli i Thomait i cili për një farë kohe mbahej nga disa se i takonte kanonit, përfundon me deklaratën e mëposhtme absurde (par. 114):
Simon Pjetri u tha: “Le që Maria të shkëputet prej nesh, sepse gratë nuk janë të denja të jetojnë.” Jezusi tha: “Ja, unë do ta drejtoj atë, që të mund ta bëj mashkull që edhe ajo të mund të bëhet një frymë e gjallë në përngjasim me ju meshkujt. Sepse çdo grua që do kthehet në mashkull do të hyjë në mbretërinë e qiellit.”[35]31
Të tërë dokumentet e tjerë ekzistues që në kishën e hershme kishin ndonjë mundësi përfshirjeje në kanon, janë të ngjashme me këta, në kuptimin që ose përmbajnë faktorë të qartë mospranues të statusit të tyre kanonik, ose përmbajnë ndonjë shmangie doktrinale që i bën ata qartësisht të padenjë për t’u përfshirë në Bibël.[36]32
Nga ana tjetër, tanimë nuk ka kundërshtime të forta ndaj ndonjë libri të përfshirë në kanon. Në rastin e librave të Besëlidhjes së Re, aprovimi për të cilët nga i tërë kisha qe i avashtë (libra të tillë si “2 Pjetrit” apo “2 dhe 3 e Gjonit”), një pjesë e mirë e ngurrimit të hershëm për përfshirjen e tyre, mund t’i atribuohet faktit që fillimisht ato nuk janë qarkulluar shumë gjerësisht, dhe që njohuria e plotë e përmbajtjes së të tërë shkrimeve të Besëlidhjes së Re, u përhap në kishë disi me ngadalë. (Ngurrimi i Martin Luterit rreth librit të “Jakobit” është disi i kuptueshëm në dritën e polemikës doktrinale në të cilën ai qe i përfshirë, por një ngurrim i tillë padyshim që nuk ishte i nevojshëm. Konflikti në dukje doktrinale i “Jakobit” me mësimet e Palit, zgjidhet lehtësisht sapo të kuptohet që “Jakobi” po përdor tre terma kyçë: drejtësim, besim dhe vepra, në një kuptim të ndryshëm nga ai me të cilin i përdor Pali ato.)[37]33
Për rrjedhojë ka një vërtetim historik për saktësinë e kanonit të tanishëm. Megjithëkëtë duhet kujtuar në lidhje me cilindo hetim historik, që puna e kishës së hershme, nuk ishte t’i jepte autoritet hyjnor apo madje autoritet kishtar ndonjë shkrimi thjesht njerëzor, por përkundrazi, të dallonte karakteristikën e autoritetit hyjnor të shkrimeve që e kishin tashmë një cilësi të tillë. Është kështu për shkak se kriteri më i lartë i kanonicitetit, është autorësia hyjnore, jo ajo njerëzore apo aprovimi kishtar.
Në këtë pikë, dikush mund të ngrejë një pyetje hipotetike rreth asaj që ne duhet të bëjmë nëse zbulohet edhe ndonjë letër tjetër e Pali, për shembull. A do t’ia shtonim atë Shkrimit? Kjo është pyetje e vështirë sepse përfshihen dy aspekte kundërshtuese të njëra tjetrës. Nga njëra anë, nëse një shumicë dërrmuese e besimtarëve do të ishin të bindur se kjo do të ishte me të vërtetë një letër autentike e Palit, e shkruar në kuadrin e përmbushjes prej tij të postit të tij apostolik, atëherë, natyra e autoritetit apostolik të Palit, do të garantonte që shkrimi do të ishte fjala e Perëndisë Vetë (si dhe e Palit), dhe që mësimi i saj do të ishte i përputhshëm me pjesën tjetër të Shkrimit. Por, fakti që kjo letër nuk u ruajt si pjesë e kanonit, do të tregonte se ajo nuk ishte ndër shkrimet që apostujt donin që kisha t’i ruante si pjesë të Shkrimit. Për më tepër, duhet thënë menjëherë se një pyetje e tillë hipotetike është vetëm e tillë, pra: hipotetike. Është jashtëzakonisht e vështirë të përfytyrojmë se çfarë lloj të dhënash historike mund të zbuloheshin, të cilat do mund të demonstronin në mënyrë bindëse ndaj kishës në tërësi që një letër e humbur mbi 1,900 vjet më parë, kishte me të vërtetë autorësinë e Palit, dhe është edhe më e vështirë akoma që të kuptojmë se si Perëndia sovran mund të jetë kujdesur me besnikëri për popullin e Tij për mbi 1,900 vjet, dhe megjithëkëtë, t’i ketë lejuar ata që të vazhdojnë të privuar nga diçka që Ai synonte që ata të kishin si pjesë e zbulesës së Tij përfundimtare të Vetes tek Jezus Krishti. Këto arsye e bëjnë tejet të pagjasë që të tilla dorëshkrime do të zbuloheshin dikur në të ardhmen, aq sa një pyetje e tillë hipotetike me të vërtetë që nuk ia vlen të trajtohet seriozisht më gjatë.
Si përfundim, a ka ndonjë libër në kanonin tonë të sotëm që nuk e kanë vendin aty? Jo. Ne mund të jemi të bindur për këtë fakt, duke i besuar besnikërisë së Perëndisë, Atit tonë, i Cili nuk do t’i drejtonte të tërë njerëzit e Tij për afërsisht dymijë vjet që t’i besonin si Fjalë e Tij diçkaje që nuk është e atillë. Gjithashtu, besimi yni ne shikojmë se vërtetohet në mënyrë të përsëritur si nga hetimet historike ashtu edhe nga puna e Frymës së Shenjtë që na bën të aftë të dëgjojmë zërin e Perëndisë si askund tjetër ndërkohë që lexojmë nga cilido prej gjashtëdhjetegjashtë librave të kanonit tonë të tanishëm të Shkrimit.
Por, a ka ndonjë libër të humbur, libër që duhet të përfshihej në Shkrime, por që nuk është? Përgjigjja për këtë duhet të jetë jo. Në të tërë literaturën e njohur, nuk ka kandidatë që qoftë t’i afrohen Shkrimit kur merret parasysh si përputhshmëria e tyre doktrinale me pjesën tjetër të Shkrimit, ashtu edhe lloji i autoritetit që ato pretendojnë të kenë (si dhe për mënyrën se si ato pretendime për autoritetin janë pritur nga besimtarët e tjerë). Edhe një herë, besnikëria e Perëndisë ndaj popullit të Tij, na bind që asgjë nuk mungon nga Shkrimi për të cilin Perëndia të mendojë se ne duhet ta dimë për t’iu bindur Atij e për t’i besuar Atij plotësisht. Kanoni i Shkrimit sot, është ekzaktësisht ajo që Perëndia dëshironte që të ishte, dhe i tillë do të mbetet derisa Krishti të kthehet.
PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL
1. Përse është e rëndësishme për jetën tënde të krishterë, të dish se cilat shkrime janë fjalët e Perëndisë dhe cilat jo? Si do të ndryshonte marrëdhënia jote me Perëndinë nëse do të të duhej të kërkoje për fjalët e Tij që do të ishin të shpërndara ndër të tëra shkrimet e të krishterëve përgjatë gjithë historisë së kishës? Si do të ndryshonte jeta jote e krishterë nëse fjalët e Perëndisë do të gjendeshin jo vetëm në Bibël, por gjithashtu në deklaratat zyrtare të kishës përgjatë gjithë historisë?
2. A ke patur dyshime apo pyetje rreth kanonicietit të ndonjë prej librave të Biblës? Çfarë të ka shtyrë të kesh dyshime? Çfarë duhet bërë për t’u dhënë përgjigje atyre dyshimeve?
3. Mormonët, Dëshmitarët e Jehovait si dhe pjesëtarë të kulteve të tjera, kanë pretenduar se kanë patur zbulesa të kohëve të sotme nga Perëndia, të cilat ata i konsiderojnë të barabarta me autoritetin e Biblës. Çfarë arsyesh mund të paraqesësh për të treguar falsitetin e këtyre pretendimeve? Në praktikë, a e trajtojnë këta njerëz Biblën si një autoritet i barabartë me këto “zbulesa” të tjera?
4. Nëse nuk ke lexuar kurrë ndonjë pjesë të Apokrifës së Besëlidhjes së Vjetër, ndoshta do të doje të lexoje disa pjesë të saj.[38]34 A të duket se mund t’u zësh besë këtyre shkrimeve në të njëjtën mënyrë që u zë besë Shkrimit? Krahaso efektin që këto shkrime kanë tek ti me efektin që Shkrimi ka tek ti. Një krahasim të ngjashëm me këtë, ti mund të gjykosh të udhës të bësh me një përmbledhje librash të quajtura Apokrifa e Besëlidhjes së Re,[39]35 apo ndoshta me Librin e Mormonit apo me Kur’anin. A është pozitiv apo negativ efekti shpirtëror i këtyre shkrimeve në jetën tënde. Si është kjo krahasuar me efektin shpirtëror që Bibla ka në jetën tënde?
TERMA TË VEÇANTË
Apokrifa
apostull
kanon
kanonik
besëlidhje
e frymëzuar nga Perëndia
historia e shpengimit
vetë-vërtetues
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Në seksionin e “Veprave të Tjera” të bibliografisë së këtij kapitulli, unë kam përfshirë disa vepra të shkruara nga një pikëpamje jo ungjillore për shkak të rëndësisë së tyre për hulumtimin e të dhënave historike të lidhura me çështjen e kanonit.
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopale)
1882–1892 Litton, 10–18
1930 Thomas, 101–115
2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)
1875–1876 Pope, 1:193–230
1940 Wiley, 1:185–214
1983 Carter, 1:291–294
3. Baptiste
1907 Strong, 145–172; 236–240
1976–1983 Henry, 2:69–76; 4:405–475
1987–1994 Lewis/Demarest, 1:147–148
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 1:95–102, 124–128
1949 Thiessen, 50–61
1986 Ryrie, 105–109
5. Luterane
1917–1924 Pieper, 1:330–348
6. I Reformuar (apo Presbiterian)
1861 Heppe, 12–21, 28–31
1871–1873 Hodge, 1:152–153
1887–1921 Warfield, IAB 411–418
1889 Shedd, 1:134–147
1938 Berkhof, Hyrje. 116–143
1962 Buswell, 1:193–198
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolik Romak: Tradicionale
1955 Ott (pa trajtim të hollësishëm)
2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II
1980 McBrien, 1:50–62, 201–243; 2:817–842
Vepra të Tjera
Beckwith, R.T. “Kanoni i Besëlidhjes së Vjetër (Canon of the Old Testament).” Tek FIB ([40]IBD) 1:235–238.
Beckwith, Roger. Kanoni i Besëlidhjes së Vjetër i Kishës së Besëlidhjes së Re dhe Rrënjët e Saj në Judaizmin e Hershëm (The Old Testament Canon of the New Testament Church and Its Background in Early Judaism). Grand Rapids: Eerdmans, 1985.
Birdsall, J.N. “Apokrifa (Apocrypha).” Tek FIB 1:75–77.
_______. “Kanoni i Besëlidhjes së Re (Canon of the New Testament).” Tek FIB 1:240–245.
Bruce, F.F. Kanoni i Shkrimit (The Canon of Scripture). Downers Grove, Ill: InterVarsity Press, 1988.
Carson, D.A., dhe John D. Woodbridge, red. Hermeneutika, Autoriteti dhe Kanoni (Hermeneutics, Authority, and Canon). Grand Rapids: Zondervan, 1986.
Dunbar, David G. “Kanoni Biblik (The Biblical Canon).” Tek Hermeneutika, Autoriteti dhe Kanoni (Hermeneutics, Authority, and Canon). Red. nga D.A. Carson dhe John Woodbridge. Grand Rapids: Zondervan, 1986.
Green, William Henry. Hyrje e Përgjithshme tek Besëlidhja e Vjetër: Kanoni (General Introduction to the Old Testament: The Canon). New York: Scribners, 1898.
Harris, R. Laird. “Kronikat dhe Kanoni në Kohën e Besëlidhjes së Re (Chronicles and the Canon in New Testament Times).” GSHTU ([41]JETS). Vol. 33, nr. 1 (Mars 1990): 75–84.
_______. Frymëzimi dhe Kanoniciteti i Biblës: Një Studim Historik dhe Ekzegjetik (Inspiration and Canonicity of the Bible: An Historical and Exegetical Study). Grand Rapids: Zondervan, 1989.
Kline, Meredith G. Struktura e Autoritetit Biblik (The Structure of Biblical Authority). Grand Rapids: Eerdmans, 1972.
Leiman, S.Z. Kanonizimi i Shkrimeve Hebraike: Provat Talmudike dhe Midrashike (The Canonization of Hebrew Scripture: The Talmudic and Midrashic Evidence). Hamden, Conn.: Archon, 1976.
McRay, J.R. “Bibla, Kanoni i (Bible, Canon of).” Tek EDT fq. 140–141.
Metzger, Bruce M. Kanoni i Besëlidhjes së Re: Origjina, Zhvillimi dhe Rëndësia e Tij (The Canon of the New Testament: Its Origin, Development, and Significance). Oxford: Clarendon; dhe New York: Oxford University Press, 1987.
Packer, J.I. “Shkrimi (Scripture).” NDT 627–631.
Ridderbos, Herman N. Historia Shpenguese e Shkrimeve të Besëlidhjes së Re (Redemptive History and the New Testament Scriptures). Më përpara: Autoriteti i Shkrimeve të Besëlidhjes së Re (The Authority of the New Testament Scriptures). Bot. 2të i rishik. Përkth. nga H.D. Jongste. Rish. nga Richard B. Gaffin, Jr. Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1988.
Westcott, Brooke Foss. Bibla në Kishë: Një Tregim i Njohur i Përmbledhjes dhe Pranimit të Shkrimeve të Shenjta në Kishat e Krishtera (The Bible in the Church: A Popular Account of the Collection and Reception of the Holy Scriptures in the Christian Churches). Red. për herë të parë me përmirësime. London: Macmillan, 1901.
Zahn, Theodor. Geschichte des Neutestamentlichen Kanons. 2 vol. Erlangen: Deichert, 1888–1890. Botim i rishtypur, Hildesheim and New York: Olms, 1975.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“Hebrenjve” 1:1–2: Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, në këto ditët e fundit, na foli me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.
HIMN
“OH FJALË E MISHËRUAR E PERËNDISË (O WORD OF GOD INCARNATE)”
Oh Fjalë e mishëruar e Perëndisë, Oh mençuri që nga lart vjen,
Oh e vërtetë e pandryshuar e pandryshueshme, dritë që errësirën tonë shkëlqen;
Ne të lavdërojmë që nga libri i shenjtë vezullon,
E që dritë në shtegun tonë je, që ndër shekuj na ndriçon.
Nga Mësuesi i saj i dashur, kisha dhuratën hyjnore mori,
Dhe që të vetëtijë mbi të tërë botën atë dritë ajo lart e nxori.
Është sënduku i artë, perlat e të vërtetës ruhen aty;
Është piktura e Krishtit, Fjala e Gjallë hyjnisht e vizatuar për ty.
Ajo valëvitet si flamur përpara formacioneve ushtarake të Perëndisë;
Ajo shkëlqen si një llambë mbi botën e errësuar të njerëzisë.
Mbi detin e trazuar të jetës, ajo është harta dhe busulla që kemi,
Mes mjergullash, shkëmbinjve dhe rërave thithëse, drejt teje o Krisht na prin të vemi.
O shpëtimtar i dashur, bëje kishën Tënde, një llambë floriri safi,
Për të mbajtur përpara kombeve dritën Tënde të vërtetë, si në lashtësi.
O mësoji pelegrinët e Tu endacakë që kësisoj shtegun e tyre të gjejnë,
Derisa retë dhe errësira të përfundojë, e ata ballë për ballë të të shikojnë.
Autori: William Walsham How, 1867