General
Text

Kapitulli 13: Karakteri i Perëndisë: Atributet “E komunikueshme” (Pjesa 2)

Lesson 15 Chapter 5 Module 4

Karakteri i Perëndisë: Atributet “E Tejçueshme” (Pjesa 2)

Ku ngjason Perëndia me ne në atributet e vullnetit si dhe në atributet të cilat përmbledhin shkëlqyeshmërinë e Tij?

HYRJE

Në kapitullin e mëparshëm, diskutuam atributet e Perëndisë të cilat përshkruanin qenien e Tij (spiritualitetin, padukshmërinë), atributet e Tij mendore (njohurinë, mençurinë dhe vërtetësinë), si dhe atributet e Tij morale (mirësi, dashuri, mëshirë, hir, durim, shenjtëri, paqe, drejtësi, xhelozi dhe zemërim). Në këtë kapitull do të shqyrtojmë atributet e Perëndisë për sa i takon qëllimit, që janë atribute që kanë të bëjnë me marrjen dhe zbatimin e vendimeve (vullneti, liria dhe gjithëfuqia) dhe atributet e tij përmbledhëse (përsosmëri, lumni, bukuri dhe lavdi).

D. Atributet e qëllimit

Në këtë kategori atributesh, do të diskutojmë së pari vullnetin e Perëndisë në përgjithësi, pastaj lirinë e vullnetit të Perëndisë, dhe në fund gjithëfuqinë (apo fuqinë e pafundme) të vullnetit të Perëndisë.

14. Vullneti. Vullneti i Perëndisë është ai atribut i Perëndisë me anë të të cilit Ai aprovon dhe vendos që të shkaktojë çfarëdo veprimi që është i nevojshëm për ekzistencën dhe veprimtarinë e Vetes së Tij si dhe të gjithë krijimit.

Ky përkufizim nënkupton që vullneti i Perëndisë ka të bëjë me vendosjen si dhe aprovimin e gjërave që Perëndia është dhe bën. Ka të bëjë me zgjedhjet e Perëndisë për çfarë të bëjë si dhe çfarë të mos bëjë.

a. Vullneti i Perëndisë në përgjithësi: Shkrimi shpesh tregon vullnetin e Perëndisë si përfundimtar apo si arsyen më të fortë për gjithçka që ndodh. Pali i referohet Perëndisë si Ai “që vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të tij ” (Efe. 1:11). Fraza e përkthyer këtu “gjithçka” (τὰ πάντα) është përdorur shpesh nga Pali për t’iu referuar gjithçkaje që ekziston apo gjithçkaje në krijim (shiko, për shembull, Efe. 1:10, 23; 3:9; 4:10; Kol. 1:16 [dy herë], 17; Rom. 11:36; 1 Kor. 8:6 [dy herë]; 15:27–28 [dy herë]).[40]1 Fjala e përkthyer “vepron” (ἐνεργέω, G1919, “kryej, realizoj, shkaktoj, prodhoj”) është pjesore e kohës së tashme dhe sugjeron një veprimtari të vazhduar. Kjo frazë mund të përkthehet më shkoqur kështu: “i Cili vazhdimisht shkakton gjithçka në univers në përputhje me këshillën e vullnetit të Tij.”

Më specifikisht, të tëra gjërat u krijuan nga vullneti i Perëndisë: “Sepse ti i krijove të gjitha gjërat, dhe për hir të vullnetit tënd janë dhe u krijuan” (Zbu. 4:11). Si Besëlidhja e Vjetër ashtu edhe ajo e Reja, flasin për qeveri njerëzore që ndjekin vullnetin e Perëndisë: zëri nga qielli i thotë Nebukadnetsarit se tani ai do të mësojë “që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron” (Dan. 4:32), dhe Pali thotë se “nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia” (Rom. 13:1).

Kisha në Jerusalem besonte se të tëra ngjarjet e lidhura me vdekjen e Krishtit, ishin në përputhje me vullnetin e Perëndisë, pasi në lutjen e tyre ata thanë: “Sepse në të vërtetë kundër Birit tënd të shenjtë Jezus, që ti e vajose, u mblodhën Herodi si dhe Ponc Pilati me paganët dhe me popullin e Izraelit, për të bërë të gjitha ato, që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin” (Veprat 4:27–28). Përmendja specifike e palëve të ndryshme të përfshira në faza të ndryshme të kryqëzimit, bashkë me formën e pacaktuar të përemrit lidhor shumës “çfarëdo” (Gr. ὅσα, from ὅσος, G4012, “gjërat të cilat”) nënkupton që jo thjesht faktet rreth vdekjes së Jezusit, por të tëra ngjarjet e detajuara të lidhura me të, janë përfshirë në këtë deklaratë: Dora dhe vullneti i Perëndisë kishin paracaktuar që të tëra këto gjëra do të ndodhnin.

Nganjëherë, është vullneti i Perëndisë që të krishterët të vuajnë, ashtu sikurse lexojmë tek “1 Pjetrit” 3:17, për shembull: “Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, sesa duke bërë keq.” Pastaj, në kapitullin tjetër, Pjetri thotë: “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t`i besojnë shpirtrat e tyre atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjetrit 4:19). Në këtë varg, fraza: “sipas vullnetit të Perëndisë” nuk mund t’i referohet mënyrës në të cilën të krishterët përballen me vuajtjet, sepse pastaj kjo do ta bënte vargun që në thelb të thoshte: “Le që ata të cilët vuajnë ndërkohë që bëjnë gjënë e duhur, të bëjnë gjënë e duhur dhe t’ia besojnë shpirtrat e tyre....” Kjo do ta bënte frazën “sipas vullnetit të Perëndisë” të tepërt. Përkundrazi, fraza “sipas vullnetit të Perëndisë” duhet t’i referohet faktit që këta të krishterë janë duke vuajtur, ashtu sikurse “vullneti i Perëndisë” iu referua vuajtjeve në kapitullin e mëparshëm (1 Pjetrit 3:17).

Jakobi na inkurajon që t’i shikojmë të tëra ngjarjet e jetës tonë si të nënshtruara vullnetit të Perëndisë. Atyre që thonë: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrimë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,” Jakobi u thotë: “nuk dini për të nesërmen.... Në vend që të thoni: ``Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë”’ (Jakobi 4:13–15). Kur ia atribuon kaq shumë ngjarje, madje edhe ngjarje të këqija vullnetit të Perëndisë, kjo shpesh do të shkaktojë keqkuptime dhe vështirësi për të krishterët. Disa prej vështirësive të lidhura me këtë subjekt, do të trajtohen këtu ndërsa me të tjerat do të merremi në kapitullin 16 që flet mbi provaninë e Perëndisë.

b. Dallime në aspektet e vullnetit të Perëndisë: (1) Vullneti i domosdoshëm si dhe vullneti i lirë: Disa dallime të bëra në të kaluarën, mund të na ndihmojmë të kuptojmë aspekte të ndryshme të vullnetit të Perëndisë. Ashtu sikurse ne mund të dëshirojmë apo të zgjedhim diçka me zell apo me ngurrim, me gëzim apo me pishman, në fshehtësi apo publikisht, kështu edhe Perëndia, në madhështinë e pafundme të personalitetit të Vet, është në gjendje që të dëshirojë gjëra të ndryshme në mënyra të ndryshme.

Një dallim i dobishëm i zbatuar ndaj aspekteve të vullnetit të Perëndisë, është dallimi mes vullnetit të domosdoshëm të Perëndisë si dhe vullnetit të lirë të Perëndisë. Vullneti i domosdoshëm i Perëndisë do të përfshijë gjithçka që Ai duhet të dëshirojë në përputhje me natyrën e Tij. Çfarë dëshiron Perëndia domosdoshmërisht? Ai dëshiron Vetveten. Perëndia përjetësisht dëshiron të jetë, apo do që të jetë, Ai që është dhe çfarë Ai është. Ai thotë: “UNË JAM AI QË JAM” ose, “UNË DO TË JEM ÇFARË UNË DO TË JEM” (Eks. 3:14). Perëndia nuk mund të zgjedhë të jetë ndryshe nga ç’është apo të reshtë së ekzistuari.

Vullneti i lirë i Perëndisë përfshin të tëra gjërat të cilat Perëndia dëshiron t’i ketë, por nuk kishte domosdoshmëri për të dëshiruar në përputhje me natyrën e Tij. Këtu ne duhet të parashtrojmë vendimin e Perëndisë për të krijuar universin, dhe tërë vendimet e lidhura me detajet e atij krijimi. Këtu ne duhet të vëmë gjithashtu tërë veprat e shpengimit të Perëndisë. Nuk kishte asgjë nga natyra e Perëndisë që të kërkonte prej Tij të krijonte universin apo që të shpengonte nga njerëzimi i mëkatshëm një popull për Veten (shiko diskutimin më sipër në lidhje me pavarësinë e Perëndisë). Megjithëkëtë, Perëndia vendosi të krijojë e të shpengojë, dhe këto ishin zgjedhje tërësisht të lira nga ana e Tij. Paçka se përbrenda pjesëtarëve të Trinisë, dashuria, përbashkësia dhe lavdia ekzistojnë në masë të pafundme për tërë përjetësinë (shiko “Gjoni” 17:5, 24), megjithëkëtë, Perëndia vendosi ta krijojë universin e të na shpengojë për lavdinë e Vet (kr. Isa. 43:7; 48:9–11; Rom. 11:36; 1 Kor. 8:6; Efe. 1:12; Zbu. 4:11). Do të ishte gabim për ne që të përpiqeshim të gjenim një shkak të natyrshëm për krijimin apo shpengimin në qenien e Perëndisë Vetë, pasi kjo do ta zhvaste Perëndinë nga pavarësia e Tij totale. Do të ishte njëlloj sikur të thoshe që pa ne, Perëndia nuk do mund të ishte me të vërtetë Perëndi. Vendimet e Perëndisë për të krijuar dhe për të shpenguar, ishin vendime tërësisht të lira.

(2) Vullneti i fshehtë dhe vullneti i zbuluar: Një dallim tjetër i dobishëm i zbatuar tek aspekte të ndryshme të vullnetit të Perëndisë, është dallimi mes vullnetit të fshehtë të Perëndisë dhe vullnetit të Tij të zbuluar. Edhe nga përvoja jonë, ne e dimë se jemi në gjendje për të dëshiruar disa gjëra në mënyrë të fshehtë, të cilat vetëm më vonë t’ua bëjmë të ditura të tjerëve. Nganjëherë, ne ua tregojmë të tjerëve atë që kemi dëshiruar përpara se ajo të realizohet, ndërsa herë të tjera, ne nuk e bëjmë të ditur dëshirën tonë të fshehtë derisa ngjarja e dëshiruar të ketë ndodhur.

Padyshim që një dallim mes aspekteve të vullnetit të Perëndisë, është evidente në shumë prej pasazheve të Shkrimit. Sipas Moisiut, “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë përgjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji” (L. i P. 29:29). Ato gjëra të cilat Perëndia i ka zbuluar, janë dhënë me qëllim që ne t’i bindemi vullnetit të Perëndisë: “që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.” Kishte shumë aspekte të tjera të planit të Tij, të cilat Ai nuk ua kishte zbuluar: shumë detaje rreth ngjarjeve të ardhshme, detajeve specifike të vështirësive apo bekimeve në jetën e tyre e kështu me radhë. Në lidhje me këto çështje, ata thjesht duhet t’i besonin Atij.

Ngaqë vullneti i zbuluar i Perëndisë zakonisht përmban urdhëresat e Tij apo “norma” për sjelljen tonë morale, vullneti i zbuluar i Perëndisë nganjëherë quhet gjithashtu vullneti i normave të Perëndisë apo vullneti për të urdhëruar. Ky vullnet i zbuluar i Perëndisë, është vullneti i deklaruar i Perëndisë për sa i takon asaj që ne duhet të bëjmë apo asaj që Perëndia na urdhëron që të bëjmë.

Nga ana tjetër, të fshehtat e Perëndisë zakonisht përfshijnë dekretet e Tij të fshehta përmes të cilave Ai qeveris universin, dhe përcakton gjithçka që do të ndodhë. Ai nuk na i zbulon zakonisht këto dekrete (me përjashtim të rasteve të profecive rreth të ardhmes), në mënyrë që këto dekrete të jenë me të vërtetë vullneti i “fshehtë” i Perëndisë. Ne zbulojmë atë që Perëndia ka dekretuar, kur ngjarjet ndodhin aktualisht. Për shkak se ky vullnet i fshehtë i Perëndisë ka të bëjë me dekretimin prej Tij të ngjarjeve në botë, ky aspekt i vullnetit të Perëndisë, nganjëherë quhet gjithashtu vullneti i dekretit të Perëndisë.[41]2

Ka një sërë rastesh ku Shkrimi përmend vullnetin e zbuluar të Perëndisë. Në lutjen e Zotit, peticioni: “U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mat. 6:10) është një lutje që njerëzit t’i binden vullneti të zbuluar të Perëndisë, urdhëresave të Tij, në tokë njëlloj sikurse ato zbatohen në qiell (d.m.th. plotësisht dhe tërësisht). Kjo nuk mund të jetë një lutje që vullneti i fshehtë i Perëndisë (d.m.th. dekretet e Tij për ngjarjet që Ai ka planifikuar) do të plotësohen në fakt, sepse ajo që Perëndia ka dekretuar në vullnetin e Tij të fshehtë, padyshim që do të realizohet. T’i kërkosh Perëndisë që të realizojë atë që Ai tashmë e ka dekretuar për të ndodhur, do ishte njëlloj sikur të luteshe duke thënë “Ndodhtë ajo që ka për të ndodhur.” Kjo me të vërtetë që do të ishte një lutje boshe, sepse nuk do të përbënte aspak kërkesë. Për më tepër, përderisa ne nuk e njohim vullnetin e fshehtë të Perëndisë për sa i takon të ardhmes, personi që bën një lutje që vullneti i fshehtë i Perëndisë të realizohet, nuk do ta dijë kurrë atë gjë për të cilën ai apo ajo po lutet. Do të ishte një lutje pa një përmbajtje të kuptueshme dhe e pa efekt. Përkundrazi, lutja jonë “U bëftë vullneti yt” duhet kuptuar si një thirrje që vullneti i zbuluar i Perëndisë, të ndiqet në tokë nga njerëzit.

Nëse kjo frazë kuptohet kësisoj, ajo na siguron një model si të lutemi mbi bazën e urdhëresave të Perëndisë në Shkrim. Në këtë kuptim, Jezusi na siguron një udhëzues për një gamë tejet të gjerë kërkesash për lutje. Ne inkurajohemi nga Krishti këtu që të lutemi që njerëzit të mund t’u binden ligjeve të Perëndisë, që ata të ndjekin parimet e Tij për jetën, që ata t’u binden urdhëresave të Tij, të pendohen për mëkatet dhe t’i besojnë Krishtit si Shpëtimtar. Të lutesh për këto gjëra është të lutesh që vullneti i Perëndisë të bëhet në tokë ashtu sikurse është në qiell.

Pak më vonë, Jezusi thotë: “Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por ai që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej” (Mat. 7:21). Edhe një herë tjetër, referenca këtu nuk mund të jetë për vullnetin e fshehur të Perëndisë apo vullnetin e dekretimit (sepse i tërë njerëzimi shkon në linjë me këtë, edhe pa e ditur vetë), por për vullnetin e zbuluar të Perëndisë, konkretisht, ligjin moral të Perëndisë të cilit duhet t’i binden pasuesit e Krishtit (kr. “Mat.” 12:50; me shumë mundësi gjithashtu 18:14). Kur Pali i urdhëron efesianët që të “kuptojnë cili është vullneti i Zotit” (Efe. 5:17; kr. Rom. 2:18), ai po flet përsëri për vullnetin e zbuluar të Perëndisë. Për këtë e ka edhe Gjoni kur thotë: “nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, na e dëgjon” (1 Gjonit 5:14).

Me shumë mundësi, gjëja më e mirë është që edhe “1 Timoteut” 2:4 dhe “2 Pjetrit” 3:9 ta vëmë gjithashtu në këtë kategori. Pali thotë që Perëndia “dëshiron [apo “do, uron,’ Gk. θέλω, G2527] që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të vijnë te njohja e së vërtetës” (1 Tim. 2:4). Pjetri thotë se Zoti “nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç mendojnë disa se të ishte vonesë; por është zemërgjerë ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). Në asnjërin prej këtyre vargjeve, vullneti i Perëndisë nuk mund të merret për vullnetin e fshehtë të Tij, për dekretin e Tij për atë që do të ndodhë me siguri. Kjo është për shkak se Besëlidhja e Re është e qartë që do të ketë një gjykim përfundimtar e që jo të tërë do të shpëtohen. Për rrjedhojë, gjëja më e mirë është t’i kuptojmë këto referenca si treguese të vullnetit të zbuluar të Perëndisë, si urdhëresat e Tij ndaj njerëzimit të cilave duhet t’u bindemi si dhe deklaratave të Tij drejtuar nesh për ato gjëra që janë të kënaqshme për Të.

Nga ana tjetër, shumë pasazhe flasin për vullnetin e fshehtë të Perëndisë. Kur Jakobi na thotë që të themi: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë” (Jakobi 4:15), ai nuk mund të jetë duke folur për vullnetin e zbuluar të Perëndisë apo vullnetin e normave, pasi në lidhje me shumë prej veprimeve tona, ne e dimë se ato janë në përputhje me urdhëresën e Perëndisë që ne të bëjmë një veprimtari a një tjetër që kemi planifikuar. Përkundrazi, të besojmë në vullnetin e fshehtë të Perëndisë, është diçka që tejkalon krenarinë dhe shpreh një varësi të përulur mbi kontrollin sovran të Perëndisë mbi ngjarjet e ndodhura në jetën tonë.

Një rast tjetër i kësaj gjendet tek “Zanafilla” 50:20. Jozefi i thotë vëllezërve të vet: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t'i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.” Këtu, vullneti i zbuluar i Perëndisë ndaj vëllezërve të Jozefit, ishte që ata ta donin e të mos e vidhnin apo ta shitnin si skllav, e as të planifikonin për ta vrarë. Por vullneti i fshehtë i Perëndisë, ishte që në rastin e mosbindjes ndaj Tij nga ana e vëllezërve të Jozefit, një e mirë më e madhe do të realizohej kur Jozefi, pasi të qe shitur si skllav në Egjipt, të fitonte autoritet mbi atë tokë dhe më pas të mund ta shpëtonte familjen e vet.

Kur Pali u thotë korintasve: “Shpejt kam për të ardhur te ju, në dashtë Zoti” (1 Kor. 4:19), ai nuk po flet për vullnetin e zbuluar të Perëndisë, sepse Pali kishte vendosur tashmë, në bindje ndaj Perëndisë e në përmbushje të postit të tij apostolik, që të shkonte për vizitë tek korintasit. Ai po flet më shumë për vullnetin e fshehur të Perëndisë, planin e Tij të fshehtë për të ardhmen, të cilin Pali nuk e di, e që do të bëhet i njohur vetëm kur të ndodhë (kr. Vep. 21:14; Rom. 1:10; 15:32; Efe. 1:11; 1 Pjetrit 3:17; 4:19).[42]3

Si zbulimi i lajmit të mirë për ungjillin ndaj disave, ashtu edhe fshehja e tij ndaj të tjerëve, thuhet se janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Jezusi thotë: “Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël; Po, o Atë, sepse kështu qe e pranueshme para teje” (Mat. 11:25–26). Edhe kjo duhet t’i referohet vullnetit të fshehtë të Perëndisë, sepse vullneti i Tij i zbuluar, është që të tërë të vijnë në shpëtim. Në fakt, vetëm dy vargje më lart, Jezusi urdhëron të tërë: “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh” (Mat. 11:28). Dhe si Pali ashtu edhe Pjetri na tregojnë që vullneti i Perëndisë është që të gjithë të shpëtohen (shiko 1 Tim. 2:4; 2 Pjetrit 3:9). Kësisoj, fakti që disa nuk janë shpëtuar ndërsa për disa të tjerë, ungjilli u është fshehur, duhet të kuptohet se ndodh në përputhje me vullnetin e fshehur të Perëndisë, që është i panjohur për ne, dhe që është e papërshtatshme për ne që të kërkojmë ta zhbirojmë. Në të njëjtën mënyrë, ne duhet ta kuptojmë përmendjen e vullnetit të Perëndisë tek “Romakëve” 9:18 (“Kështu, pra, ai ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do”) dhe “Veprave” 4:28 (“për të bërë të gjitha ato, që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin”) si referenca ndaj vullnetit të fshehtë të Perëndisë.

Ekziston një rrezik kur flasim për ngjarje të këqija sikur ato ndodhin në përputhje me vullnetin e Perëndisë edhe pse e shikojmë që Shkrimi flet për to kësisoj. Një rrezik është që ne mund të fillojmë të mendojmë që Perëndia gjen kënaqësi në të keqen, gjë që nuk qëndron (shiko “Ezek.” 33:11), paçka se Ai mund t’i përdorë kësi ngjarjesh për qëllimet e Tij të mira (shiko kapitullin 16 për diskutime të mëtejshme). Një rrezik tjetër është që ne mund të fillojmë t’ia hedhim fajin Perëndisë për mëkatin, e jo vetes tonë, apo që të mendojmë se nuk jemi përgjegjës për veprimet tona të këqija. Shkrimi ama, nuk nguron t’i gërshetojë deklaratat e sovranitetit të Perëndisë me deklaratat e përgjegjësisë së njeriut për të keqen. Pjetri mund të thoshte në të njëjtën fjali që Jezusi “sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve,” dhe gjithashtu që “këtë Jezus... me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë” (Veprat 2:23). Si vullneti i fshehtë i Perëndisë ashtu edhe ligësia e fajshme e të  “padrejtëve” në kryerjen e saj, pohohen në të njëjtën deklaratë. Sido që ne t’i kuptojmë veprimet e fshehura të vullnetit të fshehur të Perëndisë, ne nuk duhet ta kuptojmë kurrë këtë sikur kjo nënkupton që ne jemi të lirë nga përgjegjësia për të bërë të keqen, apo se Perëndia duhet fajësuar ndonjëherë për mëkatin. Shkrimi nuk flet kurrë në këtë mënyrë, dhe as ne nuk duhet, paçka se si mund të jetë kjo gjë, mund të mbetet mister për ne në këtë epokë.[43]4

15. Liria. Liria e Perëndisë është ai atribut i Perëndisë përmes të cilit Ai bën çfarëdo  që dëshiron. Ky përkufizim nënkupton që asgjë në tërë krijimin nuk mund ta pengojë Perëndinë që të realizojë vullnetin e Tij. Ky atribut i Perëndisë është për rrjedhojë i lidhur ngushtë me vullnetin dhe fuqinë e Tij. Megjithëkëtë, ky aspekt i lirisë përqendrohet tek fakti që Perëndia nuk është i detyruar nga ndonjë gjë që është e jashtme për Të, dhe se Ai është i lirë që të bëjë gjithçka që dëshiron. Nuk ekziston asnjë person apo forcë e cila mund t’i diktojë ndonjëherë Perëndisë atë që Ai duhet të bëjë. Ai nuk është nën asnjë autoritet apo kufizim të jashtëm.

Liria e Perëndisë është përmendur tek “Psalmi” 115, ku fuqia e Tij e madhe vihet në kontrast me dobësinë e idhujve: “Perëndia ynë është në qiejt dhe bën tërë atë që i pëlqen” (Psa. 115:3). Sundimtarët njerëzor nuk janë në gjendje të qëndrojnë përballë Perëndisë dhe të kundërshtojnë me efikasitet vullnetin e Tij, sepse “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; e drejton ku do ai” (F. e Urta 21:1). Po kështu, Nebukadnetsari kur pendohet mëson që është e vërtetë të thuash për Perëndinë: “Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t`ia ndalë dorën ose t`i thotë: "Çfarë po bën”?’ (Dan. 4:35).

Ngaqë Perëndia është i lirë, ne nuk duhet të përpiqemi të kërkojmë më përgjigje përfundimtare rreth veprimeve të Perëndisë në krijim sesa fakti që Ai dëshiroi të bëjë diçka dhe që vullneti i Tij ka liri të përsosur (për aq kohë sa veprimet që Ai ndërmerr, janë në përputhje me karakterin e Tij moral). Nganjëherë njerëzit përpiqen të zbulojnë arsyet përse Perëndisë i duhet të bëjë një veprim a një tjetër (si për shembull të krijojë botën, apo të na shpëtojë). Është më mirë që thjesht të themi se ishte vullneti totalisht i lirë i Perëndisë (që punon në një mënyrë të papërputhshme me karakterin e Tij) që qe arsyeja përfundimtare përse Ai zgjodhi që ta krijonte botën dhe që të shpëtonte mëkatarët.

16. Gjithëfuqia (Fuqi, Sovranitet). Gjithëfuqia e Perëndisë do të thotë që Perëndia është në gjendje që të realizojë të tërë vullnetin e Tij të shenjtë. Fjala gjithëfuqi është derivuar nga dy fjalë latine, omni “gjithë,” dhe potens “i fuqishëm,” dhe kështu formon termin “i plotfuqishëm.” Ndërsa liria e Perëndisë iu referua faktit që nuk ka kufizime të jashtme mbi vendimet e Perëndisë, gjithëfuqia e Perëndisë i referohet forcës së Tij për të bërë atë që Ai vendos që të bëjë.

Ky pushtet është përmendur shpesh herë në Shkrime. Perëndia është: “Është Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë!” (Psa. 24:8). Pyetja retorike: “A ka vallë diçka që është e pamundur për Zotin?” (Zan. 18:14; Jer. 32:27) padyshim që nënkupton (në kontekstet në të cilat ajo haset) që asgjë nuk është tepër e vështirë për Zotin. Në fakt, Jeremia i thotë Perëndisë: “Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty” (Jer. 32:17).

Pali thotë që Perëndia: “mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë” (Efe. 3:20), dhe Perëndia është quajtur “i Gjithëpushtetshëm” (2 Kor. 6:18; Zbu. 1:8), një term ky (Gk. παντοκράτωρ, G4120) që sugjeron zotërimin e tërë fuqisë dhe autoritetit. Për më tepër, engjëlli Gabriel i thotë Marisë: “te Perëndia asgjë s'është e pamundshme” (Luka 1:37), dhe Jezusi thotë: “për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mat. 19:26).

Këto pasazhe nënkuptojnë që fuqia e Perëndisë është e pafundme, dhe që për rrjedhojë Ai nuk është i kufizuar në bërjen e vetëm asaj gjëje që Ai ka bërë faktikisht. Në fakt, Perëndia është në gjendje të bëjë më shumë nga ç’bën aktualisht. Për shembull, Gjon Pagëzori thotë tek “Mateu” 3:9, “Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.” Perëndia është një i Cili “bën tërë atë që i pëlqejnë” (Psa. 115:3). Ai mund ta kishte shkatërruar Izraelin dhe të kishte ngritur një komb të madh nga Moisiu (kr. Eks. 32:10), por nuk e bëri këtë.

Sidoqoftë, ka disa gjëra të cilat Perëndia nuk mund t’i bëjë. Perëndia nuk mund të dëshirojë apo të bëjë ndonjë gjë që do të binte ndesh me karakterin e Vet. Kjo është arsyeja përse përkufizimi i gjithë-fuqisë deklarohet në lidhje me aftësinë e Perëndisë për të bërë “të tërë vullnetin e Tij të shenjtë.” Nuk është absolutisht gjithçka që Perëndia është në gjendje të bëjë, por gjithçka që është në përputhje me karakterin e Tij. Për shembull, Perëndia nuk mund të gënjejë. Tek “Titit” 1:2 ai quhet (fjalë për fjalë) “Perëndia jo gënjyes” apo “Perëndia që nuk gënjen kurrë.” Autori i “Hebrenjve” thotë se në zotimin dhe premtimin e Perëndisë “është e pamundur për Perëndinë që të gënjejë” (Heb. 6:18, përkthimi i autorit). “2 Timoteut” 2:13 thotë për Krishtin: “ai nuk mund të mohojë vetveten.” Për më tepër, Jakobi thotë: “Perëndia nuk mund të tundohet për të keqen, dhe ai vet nuk tundon asnjeri” (Jakobi 1:13). Kësisoj, Perëndia nuk mund të gënjejë, mëkatojë, mohojë Veten apo të tundohet me të keqen. Ai nuk mund të reshtë së ekzistuari, apo të reshtë së qenuri Perëndi, apo të veprojë në një mënyrë të papërputhshme me cilindo prej atributeve të Tij.

Kjo do të thotë që nuk është tërësisht e saktë të thuash që Perëndia mund të bëjë çfarëdo gjëje. Edhe pasazhet e Shkrimit të cituara më lart të cilat përdorin fraza të ngjashme me këtë, duhet kuptuar në kontekstin e tyre ato nënkuptojnë që Perëndia mund të bëjë gjithçka që dëshiron, apo gjithçka që është në përputhje me karakterin e Tij. Paçka se fuqia e Perëndisë është e pafundme, përdorimi që i bën Ai asaj fuqie cilësohet nga atributet e tjera të Tij (njëlloj sikurse të tëra atributet e Perëndisë cilësojnë tërë veprimet e Tij). Për rrjedhojë ky është një rast tjetër ku keqkuptime do të lindnin nëse njëri atribut do të ishte i izoluar nga pjesa tjetër e karakterit të Perëndisë dhe do të theksohej në një mënyrë disproporcionale.

Ushtrimi prej Perëndisë i pushtetit mbi krijesat e Tij, quhet gjithashtu sovraniteti i Perëndisë. Sovraniteti i Perëndisë është ushtrimi i sundimit (si “sovran” apo “mbret”) mbi krijesat e Tij. Kjo temë do të diskutohet në më shumë detaje në kapitullin 16, që bën fjalë mbi provaninë e Perëndisë.

Ndërkohë që përmbyllim trajtimin tonë të atributeve të qëllimit të Perëndisë, është e udhës të kuptojmë që Ai na ka bërë në një mënyrë të atillë që ne tregojmë në jetën tonë një farë reflektimi të zbehtë të secilës prej tyre. Perëndia na ka bërë si krijesa me një vullnet. Ne ushtrojmë zgjedhje dhe ndërmarrim vendime reale për sa i takon ngjarjeve në jetën tonë. Paçka se vullneti ynë nuk është absolutisht i lirë si vullneti i Perëndisë, Perëndia gjithsesi na ka dhënë një liri relative përbrenda sferës së aktivitetit në universin që Ai ka krijuar.

Në fakt, ne kemi një sens intuitiv që është aftësia jonë për të ushtruar vullnetin tonë dhe të bëjmë zgjedhje, dhe këtë e bëjmë në një mënyrë relativisht të lirë, që është edhe një nga shenjat më të dallueshme të ngjashmërisë së Perëndisë në ekzistencën tonë. Sigurisht, dëshira jonë për të ushtruar vullnetin tonë si dhe dëshira jonë për të qenë të lirë nga kufizimet, mund të shfaqet në mënyra të mëkatshme. Njerëzit mund të bëhen krenarë dhe të dëshirojnë një lloj lirie që përmban kryeneçësi ndaj autoritetit të Perëndisë si dhe një refuzim për t’iu bindur vullnetit të Tij. Sidoqoftë, kur ne e përdorim vullnetin tonë si dhe lirinë tonë për të bërë zgjedhje të cilat janë të pëlqyeshme për Perëndinë, ne pasqyrojmë kësisoj karakterin e Tij dhe i sjellim lavdi Atij. Kur qeniet njerëzore janë privuar nga aftësia e tyre për të bërë zgjedhje lirisht nga qeveri të këqija apo nga rrethana të tjera, një pjesë e rëndësishme e ngjashmërisë së tyre me Perëndinë, është ndrydhur kësisoj. Nuk është për t’u habitur që ata do të paguajnë pothuajse çfarëdo çmimi për ta rifituar lirinë e tyre. Thirrja e revolucionarit amerikan Petrik Henri (Patrick Henry) “Liri a vdekje!” bën jehonë thellë përbrenda cilitdo person të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.

Ne sigurisht që nuk kemi autoritet të pafundmë apo gjithëfuqi po ashtu sikurse nuk kemi liri të pafundme apo ndonjë atribut tjetër të Perëndisë në një shkallë të pafundme. Por edhe pse nuk kemi gjithëfuqi, Perëndia na ka dhënë pushtet për të sjellë rezultate, si fuqi fizike, ashtu edhe fuqi të të tjera llojeve: fuqi mendore, fuqi shpirtërore, fuqi bindëse dhe fuqi në lloje të ndryshme strukturash autoriteti (familje, kishë, qeveri civile, e kështu me radhë). Në të tëra këto fusha, përdorimi i pushtetit në mënyrë të kënaqshme për Perëndinë dhe të përputhshme me vullnetin e Tij, është përsëri diçka që i sjell Atij lavdi dhe që pasqyron karakterin e Tij.

E. Atributet “Përmbledhëse”

17. Përsosmëria. Përsosmëria e Perëndisë do të thotë që Perëndia zotëron tërësisht të tëra cilësitë e shkëlqyeshme dhe nuk i mungon asnjë pjesë e ndonjë cilësie që do të ishte e dëshirueshme për Të.

Është e vështirë të vendosim nëse kjo duhet të renditet si një atribut i veçantë apo thjesht të përfshihet në përshkrimin e atributeve të tjera. Disa pasazhe thonë që Perëndia është “i përsosur” apo “i plotë.” Jezusi na thotë: “Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mat. 5:48). Davidi thotë rreth Perëndisë: “Rruga e Perëndisë është e përsosur” (Psa. 18:30; kr. L. i P. 32:4). Për rrjedhojë, mund të themi se ekzistojnë disa precedentë në Shkrim mbi të cilin të deklarojmë shkoqur që Perëndia nuk ka asnjë mangësi në shkëlqyeshmërinë e Tij. Ai zotëron plotësisht të tërë atributet e Tij dhe prej atyre atributeve Atij nuk i mungon asgjë. Për më tepër, nuk ekziston asnjë cilësi e shkëlqyeshme që do të ishte e dëshirueshme për Perëndinë e që Ai nuk e ka. Ai është “i plotë” apo i “përsosur” nga çdo drejtim.

Ky atribut është i pari i atyre të klasifikuara si atribute “përmbledhëse” për shkak se nuk përshtatet mirë me kategoritë e tjera që janë renditur aty. Paçka se të tëra atributet e Perëndisë, modifikojnë nga një anë tërë të tjerat, ato që bien në këtë kategori duken se gjejnë zbatim drejtpërsëdrejti tek të tëra atributet, apo se përshkruajnë disa aspekte të të tëra atributive, saqë ia vlen t’i themi shkoqur.

18. Lumnia. Të jesh i “lumur” do të thotë të jesh i lumtur në një kuptim shumë të plotë e të pasur. Shpesh herë Shkrimi flet për lumninë e atyre njerëzve të cilët ecin në rrugët e Perëndisë. Megjithëkëtë, tek “1 Timoteut” Pali e quan Perëndinë “i lumi e i vetmi Sundimtar” (1 Tim. 6:15) dhe flet për “ungjillin e lavdisë të të lumit Perëndi” (1 Tim. 1:11). Në të dyja rastet, fjala e përdorur nuk është εὐλογητός, G2329 (e cila shpesh është përkthyer “i/e bekuar”), por μακάριος (G3421, që do të thotë i “lumur”).

Kësisoj, lumnia e Perëndisë mund të përkufizohet si vijon: Lumnia e Perëndisë do të thotë që Perëndia gjen plotësisht kënaqësi tek Vetja, si dhe në gjithçka që pasqyron karakterin e Tij. Në këtë përkufizim, ideja e lumnisë apo e bekueshmërisë së Perëndisë, është drejtpërsëdrejti e lidhur me personin e Tij si fokusi i gjithçkaje që është e denjë për t’u gëzuar me të dhe për të gjetur kënaqësi në të. Ky përkufizim nënkupton që Perëndia është plotësisht i lumtur, që Ai ka plotësinë e gëzimit në Vetvete.

Ky përkufizim pasqyron faktin që Perëndia gjen kënaqësi në gjithçka në krijim që pasqyron shkëlqyeshmërinë e Tij. Kur Ai e përfundoi veprën e Tij të krijimit, Ai vështroi gjithçka që kishte bërë dhe tha se ishte “shumë mirë” (Zan. 1:31). Kjo nënkupton kënaqësinë e Perëndisë në gjetjen kënaqësi tek krijimi që ka bërë si dhe në aprovimin e Tij për të. Pastaj, tek “Isaia” ne lexojmë një premtim për gëzimin e ardhshëm të Perëndisë mbi njerëzit e Vet: “ashtu si i martuari gëzohet për nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty” (Isa. 62:5; kr. F. e Urta. 8:30–31; Sof. 3:17).

Mund të duket e çuditshme apo madje disi zhgënjyese për ne kur Perëndia gëzohet në krijimin që ka bërë, apo madje që Ai gëzohet tek ne, por kjo është në të vërtetë pasqyrimi i cilësive të veta të shkëlqyeshme në të cilën Ai gëzohet. Por, kur ne kuptojmë që shuma e gjithçkaje që është e dëshirueshme apo e shkëlqyeshme, gjendet në një masë të pafundme në Perëndinë Vetë, atëherë ne kuptojmë se nuk do mund të ishte ndryshe: pavarësisht çfarëdo  shkëlqyeshmërie që të ketë në univers, çfarëdo që është e dëshirueshme, duhet që në fund të fundit të ketë ardhur prej Tij, sepse Ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe Ai është burimi i tërë të mirës. “çdo dhurëti e mirë dhe çdo dhuratë e përsosur është nga lart dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobit 1:17).

Për rrjedhojë, ne duhet t’i themi vetes, ashtu sikurse Pali u thotë korintasve: “Çfarë ke që nuk e ke marrë? Dhe, nëse e ke marrë, pse mburresh sikur nuk e ke marrë?” (1 Kor. 4:7). “Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë! Amen” (Rom. 11:36).

Ne imitojmë lumninë e Perëndisë kur gjejmë kënaqësi dhe lumturi në gjithçka që është e kënaqshme për Perëndinë, si në këto aspekte të jetës tonë që janë të kënaqshme për Perëndinë, ashtu edhe në veprat e të tjerëve. Në fakt, kur jemi mirënjohës dhe gjejmë kënaqësi në aftësitë dhe preferencat specifike, si dhe në karakteristikat e tjera me të cilat Perëndia na ka krijuar si individë, atëherë ne gjithashtu imitojmë atributin e Tij të lumnisë. Për më tepër, ne e imitojmë lumninë e Perëndisë duke u gëzuar me krijim që Ai ka bërë ndërkohë që ai pasqyron aspekte të ndryshme të karakterit të Tij të shkëlqyer. Gjithashtu, ne e gjejmë lumninë tonë më të madhe tek burimi i tërë cilësive të mira: Perëndia Vetë.

19. Bukuria. Bukuria e Perëndisë është ai atribut i Perëndisë me të cilin Ai është shuma e tërë cilësive të dëshirueshme. Ky atribut i Perëndisë ka qenë nënkuptuar në një sërë atributesh paraprirëse, dhe është i lidhur veçanërisht me përsosmërinë e Perëndisë. Sidoqoftë, përsosmëria e Perëndisë qe përkufizuar në një mënyrë të atillë që të tregojë se Atij nuk i mungon asgjë që do të ishte e dëshirueshme për Të. Ky atribut, pra bukuria, përkufizohet në një mënyrë pozitive për të treguar që Perëndia aktualisht zotëron të tëra cilësitë e dëshirueshme: “përsosmëri” do të thotë që Perëndisë nuk i mungon asgjë e dëshirueshme; “bukuri” do të thotë që Perëndia ka gjithçka të dëshirueshme. Këto janë dy mënyra të ndryshme të cilat afirmojnë të njëjtën të vërtetë.

Megjithëkëtë, ka vlerë në afirmimin e këtij aspekti pozitiv të zotërimit prej Perëndisë të gjithçkaje që është e dëshirueshme. Kjo na kujton që të tëra dëshirat tona të mira dhe të dëshirueshme, të tëra dëshirat që duhet të jenë tek ne apo në ndonjë krijesë tjetër, e gjejnë përmbushjen e tyre përfundimtare tek Perëndia e jo tek ndokush tjetër.

Davidi flet për bukurinë e Zotit  tek “Psalmi” 27:4: “Për një gjë iu luta Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në Shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.” Një ide e ngjashme është shprehur në një psalm tjetër: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Psa. 73:25). Në të dyja rastet, psalmisti e kupton që dëshira e tij për Perëndinë i Cili është përmbledhja e gjithçkaje të dëshirueshme, i tejkalon ku e ku të tëra dëshirat e tjera. Kjo dëshirë kulmon në një dëshirë të ethshme për të qenë pranë Perëndisë dhe për të shijuar përgjithnjë praninë e Tij. Kësisoj, bekimi më i madh i qytetit qiellor, do të jetë ky: “edhe do të shohin fytyrën e tij” (Zbu. 22:4).

En R. Kazin (Anne R. Cousin) padyshim që kishte një këndvështrim të duhur të parajsës, sepse në strofën e fundit të himnit të saj të titulluar “Rërat e Kohës po Zhyten (The Sands of Time are Sinking)” ajo shkruan:

Sytë e nuses nuk janë tek petkat e saj,

Por tek fytyra e dashur të dhëndrit të vet.

Unë nuk do të vështroj lavdinë,

Por Vet të hirshmin Mbret;

Jo tek kurora që Ai jep,

Por tek dora e Tij e shpuar:

Qengji është gjithë lavdia

I tokës së Emanuelit të bekuar.

Kur ne tregojmë një sjellje që është e kënaqshme për Perëndinë, ne pasqyrojmë lumninë e Tij në jetën tonë. Kësisoj, Pjetri u thotë grave në kishat të cilave u shkruan që “stolisja” e tyre (që është burimi i tyre i bukurisë) duhet të jetë “njeriu i fshehur i zemrës, stolisur me paprishjen e frymës së butë edhe të qetë, i cili është shumë i çmuar përpara Perëndisë” (1 Pjetrit 3:4). Në mënyrë të ngjashme, Pali i udhëzon shërbëtorët që përmes sjelljes së tyre, ata të “stolisin doktrinën e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë” (Titit 2:10).

Bukuria e jetës tonë është kaq shumë e rëndësishme për Krishtin, saqë qëllimi i Tij tani, është shenjtërimi i tërë kishës “që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efe. 5:27). Kësisoj, ne në mënyrë individuale por edhe së bashku, pasqyrojmë lumninë e Perëndisë në çdo gjë në të cilat ne shfaqim karakterin e Tij. Kur ne pasqyrojmë karakterin e Tij, Ai gjen kënaqësi tek ne dhe na shikon si të bukur.

Por ne gjithashtu gjejmë kënaqësi në shkëlqyeshmërinë e Perëndisë, siç e shikojmë të manifestuar në jetën e vëllezërve dhe motrave tona në Zotin. Për rrjedhojë është e drejtë që ne të gjejmë gëzim dhe kënaqësi në bashkësinë që kemi me njëri tjetrin, dhe që ky gëzim të thellohet me rritjen e konformitetit tonë me jetën e Krishtit. Është gjë e mirë që ne me zor presim të jemi një përbashkësi me njerëzit e Perëndisë, në të cilën karakteri i Perëndisë është manifestuar, pasi kur ne gjejmë kënaqësi në perëndishmërinë e njerëzve të Perëndisë, ne si përfundim po gjejmë kënaqësi në Perëndinë Vetë ndërkohë që shikojmë karakterin e Tij të evidentuar në jetën e njerëzve të Tij.

20. Lavdia. Nga njëra anë, fjala lavdi thjesht nënkupton “nder” apo “reputacion të shkëlqyer.” Ky është kuptimi i termit tek “Isaia” 43:7, ku Perëndia flet për fëmijët e Tij: “që kam krijuar për lavdinë time,” apo “Romakëve” 3:23, që thotë se të tërë “kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë.” E ka gjithashtu atë kuptim tek “Gjoni” 17:5, ku Jezusi i flet Atit për “lavdinë që kisha me Ty përpara se të bëhej bota,” dhe tek “Hebrenjve” 1:3, që thotë se Biri është “vezullimi i lavdisë së Perëndisë” (përkthimi i autorit). Në këtë kuptim, lavdia e Perëndisë nuk është ekzaktësisht një atribut i Qenies së Tij, por më tepër ajo përshkruan nderimin sipëror që duhet t’i bëhet Perëndisë nga gjithçka në univers (përfshi tek “Heb.” 1:3 dhe “Gjoni” 17:5, nderimin i cili është ndarë ndër pjesëtarët e Trinisë). Por nuk është ky kuptimi i fjalës lavdi me të cilin ne jemi duke shtjelluar në këtë seksion.

Nga një anë tjetër, “lavdia” e Perëndisë do të thotë, drita e shndritshme që rrethon praninë e Perëndisë. Përderisa Perëndia është frymë, dhe jo energji apo materie, kjo dritë e dukshme nuk është pjesë e qenies së Perëndisë, por diçka që u krijua. Ne mund ta përkufizojmë atë si më poshtë: Lavdia e Perëndisë është shkëlqimi i krijuar që rrethon zbulesën që Perëndia i bën Vetes.

Ky “atribut” i Perëndisë me të vërtetë që nuk është atribut i Perëndisë në kuptimin që janë të tjerët, sepse këtu nuk po flasim për karakterin e Perëndisë Vetë por për dritën apo shkëlqimin e krijuar që rrethon Perëndinë, në mënyrën se si Ai ia dëfton Veten krijesave të Tij. Kështu, lavdia e Perëndisë nga kjo anë, nuk është faktikisht një atribut i Perëndisë në Vetvete. Megjithëkëtë, lavdia e Perëndisë është diçka që i takon vetëm Atij dhe është një shprehje e përshtatshme e jashtme e shkëlqyeshmërisë së Tij. Për rrjedhojë, duket e përshtatshme që ta trajtojmë atë këtu fill pas atributeve të Perëndisë.

Shkrimi shpesh herë flet për lavdinë e Perëndisë. Davidi pyet: “Kush është ky Mbret i lavdisë? Është Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë!” (Psa. 24:10). Ne lexojmë tek “Psalmi” 104:1–2, “O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi. Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel....” Kjo lavdi e Perëndisë përmendet shpesh herë në Besëlidhjen e Vjetër.

Ajo përmendet përsëri në Besëlidhjen e Re në lidhje me shpalljen e lindjes së Jezusit ndaj barinjve: “Dhe, ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit ndriçoi rreth tyre dhe ata i zuri një frikë e madhe” (Luka 2:9). Lavdia e Perëndisë qe gjithashtu e dukshme në shpërfytyrimin e Krishtit (kr. Mat. 17:2), dhe ne mësojmë se në qytetin qiellor që do të vijë, “qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji” (Zbu. 21:23).

Është shumë e përshtatshme që zbulesa e Perëndisë rreth Vetes, duhet të shoqërohet nga një vezullim dhe rrezatim i tillë, pasi kjo lavdi e Perëndisë është manifestimi i dukshëm i shkëlqyeshmërisë së karakterit të Perëndisë. Madhështia e qenies së Perëndisë, përsosmëria e tërë atributeve të Tij, është diçka të cilën ne nuk mund ta kuptojmë dot kurrë plotësisht, por që përpara tyre ne vetëm sa mund të qëndrojmë në drojë dhe të adhurojmë. Kësisoj, është me të vërtetë e përshtatshme që manifestimi i dukshëm i Perëndisë, të jetë i atillë që ne të jemi jo në gjendje për ta vështruar plotësisht, dhe që do të ishte aq i shndritshëm saqë do të shkaktonte si kënaqësi të madhe, ashtu edhe drojë të thellë prej nesh, kur e vështrojmë sado që pjesërisht.

Është e mahnitshme që Perëndia na krijoi për të pasqyruar lavdinë e Tij. Pali na tregon që edhe tani, në jetën tonë të krishterë, të tërë ne “shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” (2 Kor. 3:18; kr. Mat. 5:16; Fil. 2:15). Paçka se ne nuk e gjejmë veten të rrethuar nga një dritë e dukshme, ekziston një vezullim, një shkëlqim apo një bukuri rreth mënyrës së jetës së një personi i cili e do thellësisht Perëndinë, dhe që kjo është shpesh e dukshme për ata që janë rreth një personi të tillë. Në jetën që do të vijë, një vezullim i tillë do të intensifikohet në mënyrë që ne të mbretërojmë me Krishtin, e duket se ne gjithashtu do të marrim një dukje të jashtme e cila është e përshtatshme me atë mbretërim dhe me statusin tonë si bartës së shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe si shërbëtorë të Zotit Jezus Krisht (kr. F. e Urta 4:18; Dan. 12:3; Mat. 13:43; 1 Kor. 15:43).[44]5

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

Vullneti, Liria

1.     Ndërkohë që fëmijët rriten, cilat janë disa mënyra të përshtatshme dhe disa të papërshtatshme nga ana e tyre, për të treguar në jetën e tyre një ushtrim gjithnjë e më të madh të vullnetit individual dhe lirisë nga kontrolli prindëror? A duhen konsideruar këto si prova të krijimit tonë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?

Fuqi

2.     Nëse fuqia e Perëndisë është aftësia e Tij për të bërë atë gjë që Ai dëshiron të bëjë, atëherë a është fuqia për ne aftësia për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë dhe për të shkaktuar rezultate në botë të cilat janë të kënaqshme për Të? Thuaj disa mënyra në të cilat ne mund të shtojmë fuqinë e këtillë tonën në jetën tonë.

Përsosmëria

3.     Si na kujton atributi i përsosmërisë së Perëndisë që nuk mund të kënaqemi kurrë me pasqyrimin e vetëm një pjese të karakterit të Perëndisë në jetën tonë? A mundesh të përshkruash disa aspekte të asaj që do të thoshte të “jesh i përsosur” në lidhje me jetën tënde ashtu sikurse Ati ynë qiellor është i përsosur?

Lumnia

4.     A je i kënaqur me mënyrën se si Perëndia të ka krijuar (me ato karakteristika fizike, mendore dhe marrëdhënore që Ai të ka dhënë? Me seksin që Ai të dha (mashkull apo femër qofsh)? Me dhuratat shpirtërore që Ai të ka dhënë? Në ç’mënyrë është e drejtë të jesh i lumtur apo i kënaqur me personalitetet, karakteristikat fizike, aftësitë, pozitat tona, etj.? Në ç’mënyrë është gabim të jesh i kënaqur apo i lumtur rreth këtyre gjërave? A do të jemi ndonjëherë plotësisht të “bekuar” apo të lumtur? Kur do të ndodhë kjo gjë dhe përse?

5.     Mendo për cilësitë të cilat ti admiron tek njerëzit e tjerë, qofshin të krishterë, qofshin jo të krishterë. Cilat prej këtyre është mirë të admirohen, dhe cilat jo? Si mund të vendosësh për këtë? Si mund të gjejmë kënaqësi më shpesh dhe më plotësisht tek Perëndia Vetë?

Bukuria

6.     Nëse ne refuzojmë të pranojmë përkufizimin që shoqëria jonë i bën bukurisë, apo madje përkufizimet mbi të cilat ne vetë kemi jetuar më përpara, dhe të mendojmë që ajo që është me të vërtetë e bukur, është karakteri i Perëndisë Vetë, atëherë ku do të ndryshojë kuptimi jonë i bukurisë nga ai që kishim më përpara? A do të jemi ende në gjendje që të aplikojmë siç duhet idenë tonë të re të bukurisë ndaj disa gjërave që menduam më përpara se ishin të bukura? Përse po apo përse jo?

7.     A mundesh të kuptosh përse dëshira e vetme e Davidit më shumë se gjithçka tjetër në jetë, ishte që: “ të banoj në Shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij” (Psa. 27:4)?

Lavdia

8.     Kur barinjtë pranë Bethlehemit përjetuan lavdinë e Zotit që shkëlqeu rreth tyre, “ata i zuri një frikë e madhe” (Luka 2:9). Megjithëkëtë, kur ne do të shkojmë për të jetuar përgjithnjë në qytetin qiellor, ne do të rrethohemi vazhdimisht nga drita e lavdisë së Zotit (Zbu. 21:23). A do të ndjejmë ne atëherë vazhdimisht po të njëjtën frikë që barinjtë ndjenë? Përse po apo përse jo? A do të doje të jetoje në praninë e kësaj lavdie? A është e mundur të përjetojmë ndopak prej kësaj gjatë kësaj jete?

TERMA TË VEÇANTË

atributet e qëllimit

bukuria

lumnia

vullneti i lirë

liria

lavdia

vullneti i domosdoshëm

gjithëfuqia

përsosmëria

fuqia

vetë-përcaktimi i arsyeshëm

vullneti i zbuluar

vullneti i fshehtë

sovraniteti

atributet përmbledhëse

vullneti

BIBLIOGRAFIA

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Për shkak se teologjitë sistematike kanë mënyra të ndryshme për klasifikimin e atributeve të Perëndisë, disa prej seksioneve të renditura më poshtë, diskutojnë vetëm atributet e tejçueshme të Perëndisë, ndërsa disa të tjera të tëra atributet e Perëndisë.

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 58–74

1930 Thomas, 14–20, 495–500

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1847 Finney, 49–65, 135–180, 524–544

1875–1876 Pope, 1:248–255, 287–360

1892–1894 Miley, 1:159–222

1940 Wiley, 1:241–393

1960 Purkiser, 127–142

1983 Carter, 1:111–127

1983- Cottrell, 1:192–305, 388–468; 3:175–400, 461–528

1987–1990 Oden, 1:15–130

3. Baptiste

1767 Gill, 1:37–187, 359–365

1887 Boyce, 54–115

1907 Strong, 243–303

1917 Mullins, 214–250

1976–1983 Henry, 2:151–246; 5:9–164, 214–375; 6:35–89, 251–417

1983–1985 Erickson, 263–320

1987–1994 Lewis/Demarest, 1:175–248

4. Dispensacionaliste

1947 Chafer, 1:179–224, 260–271

1949 Thiessen, 75–88

1986 Ryrie, 35–50

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 1:405–466

1934 Mueller, 160–175

6. E reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:96–120 (1.10–12)

1861 Heppe, 57–104

1871–1873 Hodge, 1:366–441

1878 Dabney, 38–54, 144–174

1887–1921 Warfield, BTS 505–522; SSW 1:69–81; ST 109–114

1889 Shedd, 1:151–194, 334–392; 3:89–248

1909 Bavinck, DG 175–251 (ky është një diskutim veçanërisht i çmuar i atributeve të Perëndisë)

1938 Berkhof, 41–81

1962 Buswell, 1:29–71

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:47–82

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 24–49

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:283–342

Vepra të Tjera

Bray, Gerald L. Doktrina e Perëndisë (The Doctrine of God). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1993.

Bromiley, G.W. “Perëndia (God).” Tek ESNB ([45]ISBE) 2:493–503.

Charnock, Stephen. Ekzistenca dhe Atributet e Perëndisë (The Existence and Attributes of God). Ribot. red. Evansville, Ind.: Sovereign Grace Book Club, pa datë botimi, fq. 181–802 (botuar për herë të parë 1655–1680).

Kaiser, Christopher B. Doktrina e Perëndisë (The Doctrine of God). Westchester, Ill.: Good News, 1982.

Lewis, Gordon R. “Perëndia, Atributet e (God, Attributes of).” Tek FUT ([46]EDT) fq. 451–459.

_______. “Pandjeshmëria Emocionale e Perëndisë (Impassibility of God).” Tek FUT (EDT) fq. 553–554.

Packer, J.I. “Perëndia (God).” Tek FRT ([47]NDT) fq. 274–277.

_______. Të Njohësh Perëndinë (Knowing God). London: Inter-Varsity Press, 1973, fq. 80–254.

Piper, John. Të Dëshirosh Perëndinë (Desiring God). Portland, Ore.: Multnomah, 1986.

_______. Kënaqësitë e Perëndisë (The Pleasures of God). Portland, Ore.: Multnomah, 1991.

Saucy, R.L. “Perëndia, Doktrina e (God, Doctrine of).” Tek FUT (EDT) fq. 459–464.

Tozer, A.W. Njohuria e të Shenjtit (The Knowledge of the Holy). New York: Harper and Row, 1961.

Van Til, Cornelius. Në Mbrojtje të Besimit (In Defense of the Faith) Vol. 5: Një Hyrje në Teologjinë Sistematike (An Introduction to Systematic Theology). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1976, fq. 200–252.

Wenham, John W. Mirësia e Perëndisë (The Goodness of God). London: Inter-Varsity Press, 1974.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Psalmi” 73:25–26: Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. Mishi im dhe zemra ime mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.

HIMN

“SIKUR VETËM TA LIJE PERËNDINË TË TË DREJTONTE (IF THOU BUT SUFFER GOD TO GUIDE THEE)”

Ky është padyshim një nga himnet më të bukur të shkruar ndonjëherë, e që shpreh mirëbesim tek Perëndia për sovranitetin e Tij.

Sikur vetëm ta lije Perëndinë të të drejtonte,

E tek Ai në gjithçka që bën shpresën ta mbaje,

Ai do të të japë forcë, pavarësisht çfarëdo gjëje që do të të zinte,

Dhe gjatë kohëve të këqija do të të kalonte:

Ai që është i bindur për dashurinë e pandryshueshme të Perëndisë

Ndërton mbi atë shkëmb të cilin asgjë s’mund ta lëvizë.

Ç’dobi do të kishe nga këto merakosje,

Këto rënkime dhe psherëtima që kurrë nuk mbarojnë?

Si e ndihmon veten me tërë ato brengosje

Mbi çdo moment të errët ndërkohë që të kaplojnë?

Mundimet dhe vështirësitë tona vetëm sa na çojnë

Gjithnjë e më shumë hidhërimin të shijojmë.

Prit për kohën e përshtatshme për Të dhe Vetëm rri i qetë,

Me shpresë të gëzuar, me zemër të kënaqur

Për të marrë çfarëdo gjëje që Ati dëshiron të të japë Vetë

Ai që meriton ta duam, gjithçka të ka dërguar;

Pa dyshim që edhe nevojat tona më të thella janë të ditura tashmë

Për Atë i Cili na zgjodhi për të na patur për Të.

Të tërë janë njëlloj përpara më të lartit Perëndi;

Ne e dimë që kjo është e lehtë për Të,

Të të ngrejë lart, paçka se poshtë gjendesh ti,

Për ta bërë të pasurit të varfër dhe të ultë;

Mrekulli të vërteta prej Tij kryhen ende

I Cili ngre dhe ul gjithçka si ka endje.

Këndo, lutu dhe ec i palëkundur në rrugët e Tij,

Kështu që bëje me besnikëri pjesën tënde,

Dhe besoji Fjalës së Tij, paçka se jo i denjë je në vetvete ti,

Gjithsesi do ta shikosh se ka për të të dalë e vërtetë;

Perëndia nevojtarët kurrë nuk harroi

personin që vërtetë Atij i besoi.

Autori: Georg Neumark, 1641

Himne Alternative: “Perëndia Lëviz në një Mënyrë të Mistershme (God Moves in a Mysterious Way)” (printuar në fund të kapitullit 16); “Kurorëzojeni Atë me Shumë Kurora (Crown Him With Many Crowns)”

Pen
>