General
Text

Kapitulli 56: Gjyqi i fundit dhe ndëshkimi i përjetshëm

Lesson 58 Chapter 3 Module 9

Gjykimi Përfundimtar dhe Ndëshkimi i Përjetshëm

Kush do të gjykohet? Çfarë është ferri?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Fakti i gjykimit përfundimtar

1. Provat nga Shkrimi për një gjykim përfundimtar. Shkrimi shpesh herë pohon faktin se do të ketë një gjykim të madh përfundimtar të besimtarëve dhe jobesimtarëve. Ata do të qëndrojnë përpara selisë së gjykatës së Krishtit në trupat e ringjallur dhe do të dëgjojnë shpalljen e Tij të fatit të tyre të përjetshëm.

Gjykimi përfundimtar portretizohet në mënyrë shumë të gjallë në vegimin e Gjonit tek “Zbulesa”:

Dhe pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ishte ulur mbi të, nga fytyra e të cilit morën arratinë dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vend për ta. Dhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që qëndronin përpara Perëndisë, dhe librat u hapën; dhe një libër tjetër u hap, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dha të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe ferri dhanë të vdekurit që ishin në ta; dhe u gjykuan secili sipas veprave të tij. Dhe vdekja dhe ferri u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë. Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit. (Zbu. 20:11–15)

Shumë pasazhe të tjerë japin mësim këtë gjykim përfundimtar. Pali u thotë filozofëve grekë në Athinë se Perëndia “pra ... i urdhëron të gjithë njerëzit kudo, që të pendohen. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të një burri të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej së vdekurish” (Veprat 17:30–31).[73]1 Po kështu, Pali flet për “ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë,” (Rom. 2:5). Ka pasazhe të tjerë të cilët flasin qartë për një ditë të ardhshme gjykimi (shiko Mat. 10:15; 11:22, 24; 12:36; 25:31–46; 1 Kor. 4:5; Heb. 6:2; 2 Pjetrit 2:4; Juda 6; etj.).

Ky gjykim përfundimtar është kulmimi i shumë pararendësve me të cilët Perëndia përgjatë gjithë historisë e shpërbleu drejtësinë ose e ndëshkoi padrejtësinë. Ndërkohë që Ai solli bekime dhe çlirim nga rreziku ndaj atyre që kishin besim tek Ai, përfshi Abelin, Noeun, Abrahamin, Isakun, Jakobin, Moisiun, Davidin dhe besimtarët në popullin e Izraelit, hera-herës Ai solli gjithashtu gjykime mbi ata të cilët këmbëngulnin në mosbindje dhe mosbesim: gjykimet prej Tij ishin edhe përmbytja, shpërndarja e njerëzve nga kulla e Babelit, gjykimet e Sodomës dhe Gomorës dhe gjykimet në vazhdimësi përgjatë gjithë historisë, si ndaj individëve (Rom. 1:18–32) ashtu edhe ndaj kombeve (Isa. 13–23; etj.) që këmbëngulin në mëkat. Për më tepër, në lëmin e padukshëm frymëror, ai solli gjykim mbi engjëjt të cilët mëkatuan (2 Pjetrit 2:4). Pjetri na kujton se gjykimet e Perëndisë janë zbatuar periodikisht dhe padyshim, dhe kjo na kujton se një gjykim përfundimtar nuk ka ardhur ende, sepse “Zoti di t'i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t'i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit, sidomos ata që shkojnë pas mishit në epshin e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin.” (2 Pjetrit 2:9–10).

2. A do të ketë më shumë sesa një gjykim? Sipas një pikëpamjeje dispensacionaliste, ka më shumë sesa një gjykim për të ardhur. Për shembull, dispensacionalistët nuk do ta shikonin gjykimin përfundimtar tek “Mateu” 25:31–46:

«Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, dhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjitha kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t'i ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t'i vërë në të djathtë të tij dhe cjeptë në të majtë. Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtë të tij: ``Ejani, të bekuar të Atit tim; trashëgoni mbretërinë që u bë gati për ju që nga themelimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë ... për aq sa ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua. Atëherë do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: ``Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë ... për aq sa nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, nuk ma keni bërë as mua''. Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme».

Nga një pikëpamje dispensacionale, ky pasazh nuk i referohet gjykimit përfundimtar (“froni i madh i bardhë” për të cilin flitet tek “Zbu.” 20:11–15), por më tepër një gjykimi që vjen pas mundimit dhe përpara fillimit të mijëvjeçarit. Ato tregojnë se ky do të jetë një “gjykim i kombeve” në të cilin kombet do të gjykohen në përputhje me atë se si kanë trajtuar popullin jude gjatë mundimit. Ata të cilët i kanë trajtuar mirë judenjtë dhe që janë të gatshëm t’i nënshtrohen Krishtit, do të hyjnë në mijëvjeçar, ndërsa atyre që nuk kanë vepruar kështu, do t’u refuzohet hyrja.

Kështu, nga pikëpamja dispensacionaliste, ka gjykime të ndryshme: (a) një “gjykim i kombeve” (Mat. 25:31–46) për të përcaktuar se kush do të hyjë në mijëvjeçar; (b) një “gjykim të veprave të besimtarëve” (nganjëherë të quajtur gjykimi βῆμα (G1037) sipas fjalës greke për “selinë e gjykatës” tek “2 Kor.” 5:10) në të cilin të krishterët do të marrin masa të ndryshme shpërblimi; dhe (c) një “gjykim para një froni të madh të bardhë” në fund të mijëvjeçarit (Zbu. 20:11–15) për të deklaruar një ndëshkim të përjetshëm ndaj jobesimtarëve.[74]2

Pikëpamja e marrë në këtë libër është se këto tre pasazhe flasin të tërë për të njëjtin gjykim përfundimtar, e jo për tre gjykime të ndryshme. Për sa i takon “Mateut” 25:31–46 në veçanti, nuk ka gjasa që pikëpamja dispensacionale të jetë e saktë. Në këtë pasazh nuk përmendet hyrja në mijëvjeçar. Për më tepër gjykimet e shpallura nuk bëjnë fjalë për hyrjen në mbretërinë mijëvjeçare në tokë ose përjashtimin prej asaj mbretërie, por për fatin e përjetshëm të njerëzve: “trashëgoni mbretërinë që u bë gati për ju që nga themelimi i botës ... Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij ... Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (vgj. 34, 41, 46). Së fundi, do ishte e papërputhshme me mënyrat e veprimit të Perëndisë përgjatë gjithë Shkrimit po qe se do të merrej me fatin e përjetshëm të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së kombeve të tyre, sepse edhe në kombet jobesimtare ka besimtarë dhe kombet të cilat tregojnë më tepër konformitet me vullnetin e zbuluar të Perëndisë, kanë gjithsesi shumë të ligj brenda tyre. Dhe “te Perëndia nuk ka anësi” (Rom. 2:11). Paçka se me të vërtetë “të gjitha kombet” janë mbledhur përpara fronit të Krishtit në këtë skenë tek (Mat. 25:32), pamja e gjykimit është një pamje gjykimi mbi individët (delet janë ndarë nga dhitë dhe ata individë të cilët i trajtuan vëllezërit e Krishtit me mirësi, mirëpriten në mbretëri ndërkohë që ata që i refuzuan ata janë refuzuar, vgj. 35–40, 42–45).

B. Koha e gjykimit përfundimtar

Gjykimi përfundimtar do të ndodhë pas mijëvjeçarit dhe rebelimit që zhvillohet në fund të tij. Gjoni e paraqet mbretërinë mijëvjeçare dhe largimin e Satanit nga ndikimi mbi tokën tek “Zbulesa” 20:1–6 (shiko diskutimin në dy kapitujt e mëparshëm) dhe pastaj thotë se “kur të kryhen të njëmijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij, dhe do të dalë të mashtrojë kombet në të katër anët e dheut . . . që t'i mbledhë ata për luftë” (Zbu. 20:7–8). Pasi Perëndia e mposht në mënyrë përfundimtare këtë rebelim (Zbu. 20:9–10), Gjoni na thotë se do të vijojë gjykimi: “Dhe pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ishte ulur mbi të” (v. 11).

C. Natyra e gjykimit përfundimtar

1. Jezus Krishti do të jetë gjykatësi. Pali flet për “Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur” (2 Tim. 4:1). Pjetri thotë se Jezus Krishti “është ai që Perëndia e ka caktuar gjykatës të të gjallëve dhe të të vdekurve” (Veprat 10:42; krahaso 17:31; Mat. 25:31–33). Kjo e drejtë për të vepruar si gjykatës mbi mbarë universin, është diçka që Ati ia ka dhënë Birit: “Ati  ... i ka dhënë gjithashtu pushtet të bëjë gjyq, sepse është Bir i njeriut” (Gjoni 5:26–27).

2. Jobesimtarët do të gjykohen. Është e qartë që të tërë jobesimtarët do të qëndrojnë përpara Krishtit për gjykim, sepse ky gjykim përfshin “të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj” (Zbu. 20:12), dhe Pali thotë se në “ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë,” Ai “do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij ... atyre, që grinden e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim” (Rom. 2:5–8).

Ky gjykim i jobesimtarëve do të përfshijë shkallë të ndryshme ndëshkimi sepse lexojmë se të vdekurit u gjykuan “sipas veprave të tyre” (Zbu. 20:12, 13), dhe ky gjykim sipas asaj që njerëzit kanë bërë, duhet që për rrjedhojë të përfshijë një vlerësim të veprave të cilat njerëzit kanë bërë.[75]3 Po kështu, Jezusi thotë:

Por ai shërbëtor, që e dinte vullnetin e zotit të tij dhe nuk u bë gati e nuk bëri sipas vullnetit të tij, do të rrihet shumë. Por ai, që nuk e dinte, po bëri gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet pak.” (Luka 12:47–48).

Kur Jezusi u thotë qyteteve të Korazinit dhe Betsaidas, “ditën e gjyqit, për Tiron dhe Sidonin do të jetë më e lehtë se për ju” (Mat. 11:22; krahaso v. 24), ose kur Ai thotë se skribët “do të marrin një dënim më të rëndë” (Luka 20:47), ai nënkupton se në ditën e fundit do të ketë shkallë të ndryshme ndëshkimi.

Në fakt, çdo veprim i gabuar i bërë do të mbahet mend dhe do të shënohet për ndëshkimin që është caktuar në atë ditë, sepse “ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë” (Mat. 12:36). Çdo fjalë e folur, çdo veprim i bërë, do të nxirret në dritë dhe do të gjykohet: “Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe” (Pred. 12:14).

Ashtu siç nënkuptohet nga këto vargje, në ditën e gjykimit zemrat e fshehta të popullit do të zbulohen dhe bëhen publike. Pali flet për ditën kur “Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit” (Rom. 2:16; krahaso Luka 8:17). “Nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që nuk do të njihet. Prandaj sa keni thënë në terr, do të dëgjohen në dritë; dhe ato që pëshpëritët në vesh ndër dhomat e brendshme, do të shpallen nga çatitë e shtëpive” (Luka 12:2–3).

3. Besimtarët do të gjykohen. Duke u shkruar të krishterëve, Pali thotë: “të gjithë, do të paraqitemi përpara fronit të gjykatës së Krishtit ... secili nga ne do t'i japë llogari Perëndisë për veten e vet” (Rom. 14:10, 12). Ai gjithashtu u thotë korintasve: “Sepse ne të gjithë duhet të shfaqemi para selisë së gjykatës së Krishtit, që secili të marrë shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë apo në të keq” (2 Kor. 5:10; kr. Rom. 2:6–11; Zbu. 20:12, 15). Plus kësaj, ilustrimi i gjykimit përfundimtar tek “Mateu” 25:31–46 përfshin edhe ndarjen prej Krishti të deleve nga dhitë si dhe shpërblimin e atyre që marrin bekimin e Tij.

Është e rëndësishme që të kuptojmë se ky gjykim i besimtarëve do të jetë një gjykim për të vlerësuar dhe akorduar shkallë të ndryshme shpërblimi (shiko më poshtë) por fakti se ata do të përballen me një gjykim të tillë, nuk duhet t’i bëjë kurrë besimtarët të druhen se do të ndëshkohen përjetësisht. Jezusi thotë: “Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24). Këtu “gjykimi” duhet marrë me kuptimin e ndëshkimit dhe vdekjes së përjetshme, përderisa është vënë në kontrast me kalimin nga vdekja në jetë. Në ditën e gjykimit përfundimtar, më shumë se në çfarëdo kohe tjetër, ka rëndësi tepër të madhe që “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Rom. 8:1). Kështu, dita e gjykimit mund të portretizohet si një ditë në të cilën besimtarët janë shpërblyer dhe jobesimtarët janë ndëshkuar:

Kombet u zemëruan, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t'u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që kanë frikë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun. (Zbu. 11:18)

A do të zbulohen në atë ditë të fundit të gjitha fjalët dhe veprat e bëra në fshehtësi prej besimtarëve? Fillimisht mund të mendojmë se po, sepse Pali thotë se kur Zoti të vijë, Ai do t’i “të nxjerrë në dritë të fshehtat e errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia” (1 Kor. 4:5; krahaso Kol. 3:25). Sidoqoftë, ky është një kontekst i cili flet për “përgëzimin” ose lavdërimin (ἔπαινος, G2047) që vjen nga Perëndia, kështu që nuk mund të jetë duke iu referuar mëkateve. Gjithashtu, edhe vargje të tjera sugjerojnë se Perëndia nuk do t’i kujtojë kurrë më mëkatet tona: “Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona” (Mik. 7:19); “Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona” (Ps. 103:12); “nuk do t'i mbaj mend mëkatet e tua” (Isa. 43:25); “nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre.” (Heb. 8:12; kr. 10:17).

Shkrimi gjithashtu na mëson se do të ketë shkallë të ndryshme shpërblimesh për besimtarët. Pali i inkurajon korintasit që të tregojnë kujdes për mënyrën se si ata e ndërtojnë kishën mbi themel tjetër përveç atij që është hedhur —Jezus Krishti Vetë.

Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet në zjarr, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç'lloji është. Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë pagë. Në qoftë se vepra e dikujt digjet, do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, por, si përmes zjarrit. (1 Kor. 3:12–15)

Në mënyrë të ngjashme Pali thotë për të krishterët se “ne të gjithë duhet të shfaqemi para selisë së gjykatës së Krishtit, që secili të marrë shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë apo në të keq” (2 Kor. 5:10), duke nënkuptuar gjithashtu shkallë të ndryshme shpërblimesh për atë që ne kemi bërë në këtë jetë. Në mënyrë të ngjashme, në shëmbëlltyrën e parave, atij që bëri dhjetë pare më shumë iu tha: “sundo mbi dhjetë qytete,” dhe atij që me pesë paret bëri pesë pare më shumë iu tha: “Edhe ti ji mbi pesë qytete” (Luka 19:17, 19). Ka shumë pasazhe të tjerë të cilët në mënyrë të ngjashme na mësojnë ose nënkuptojnë shkallët e shpërblimit për besimtarët në gjykimin përfundimtar.[76]4

Por këtu ne duhet të ruhemi nga keqkuptimet: Paçka se do të ketë shkallë të ndryshme shpërblimi në qiell, gëzimi i cilitdo person do të jetë i plotë dhe i plotësuar për gjithë përjetësinë. Nëse pyesim se si do mund të realizohet kjo kur do ketë shkallë të ndryshme shpërblimi, nuk do të bënim gjë tjetër përveçse thjesht do tregonim se perceptimi ynë i lumturisë është i bazuar mbi supozimin se lumturia varet nga ajo që personi zotëron ose nga statusi dhe fuqia që ne kemi. Faktikisht, sido që të jetë, lumturia jonë e vërtetë përbëhet nga gjetja e kënaqësisë tek Perëndia dhe gëzimi në statusin dhe njohjen që Ai na ka bërë. Budallallëku i të menduarit se vetëm ata të cilët janë shpërblyer shumë e që u është dhënë një status i lartë do të jenë tërësisht të lumtur në parajsë, shikohet kur ne kuptojmë se sado i madh të jetë shpërblimi që na është dhënë, gjithmonë do të ketë nga ata që kanë një shpërblim më të madh, ose të cilët kanë një status dhe autoritet më të lartë, përfshi apostujt, krijesat qiellore, Jezus Krishtin dhe Perëndinë Vetë. Për rrjedhojë, nëse statuset më të lartë do të ishin thelbësorë me qëllim që njerëzit të jenë të lumtur, askush veç Perëndisë nuk do qe tërësisht i lumtur në qiell, gjë që është pa dyshim një ide e pasaktë. Për më tepër, ata të cilët kanë një shpërblim dhe nderim më të madh në qiell, ata të cilët janë më pranë fronit të Perëndisë, gjejnë kënaqësi jo në statusin e tyre por vetëm në privilegjin e rënies përmbys përpara fronit të Perëndisë për ta adhuruar Atë (shiko Zbu. 4:10–11).

Nga ana morale dhe frymërore, do të ishte me dobi për ne po të kemi një vetëdije më të madhe për këtë mësim të qartë të Besëlidhjes së Re mbi shkallët e ndryshme të shpërblimit qiellor. Kjo nuk do të na bënte konkurrentë të njëri-tjetrit por do të na bënte ta ndihmojmë dhe inkurajojmë njëri-tjetrin në mënyrë që të tërë të mund ta rritim shpërblimin tonë qiellor, sepse Perëndia ka një kapacitet të pafundmë për të na sjellë të tërëve bekime, dhe të tërë ne jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit (kr. 1 Kor. 12:26–27). Kështu do t’i kushtonim më me zell vëmendje qortimit prej autorit të hebrenjve: “le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Heb. 10:24–25). Për më tepër, në vetë jetën tonë, një kërkim i bërë me gjithë zemër i shpërblimit të ardhshëm qiellor, do të na motivonte që të punojmë me tërë zemër për Zotin në çfarëdo detyre tek e cila Ai na thërret, qoftë e vogël ose e madhe, e paguar ose e papaguar. Ajo do të na bënte gjithashtu që të jemi të dëshiruar për aprovimin e Tij e jo për pasuri ose sukses. Ajo do të na motivonte për ndërtimin e kishës mbi të vetmin themel: Jezus Krishtin (1 Kor. 3:10–15).

4. Engjëjt do të gjykohen. Pjetri thotë se engjëjt e rebeluar janë hedhur në skëterrë “që të ruhen për gjyq” (2 Pjetrit 2:4), dhe “Juda” thotë se engjëjt e rebeluar janë mbajtur nga Perëndia “për gjyqin e ditës së madhe” (Juda 6). Kjo do të thotë se të paktën, engjëjt e rebeluar ose demonët, do të jenë subjekt gjithashtu i gjykimit në atë ditë të fundit.

Shkrimi nuk nënkupton në mënyrë të qartë nëse engjëjt e drejtë do t’i nënshtrohen gjithashtu ndonjë lloj vlerësimi për shërbimin e tyre, por është e mundur që ato të përfshihen në deklaratën e Palit: “A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj?” (1 Kor. 6:3). Ka mundësi që kjo të përfshijë engjëjt e drejtë për shkak se nuk ka ndonjë tregues në kontekst që Pali të jetë duke folur për demonët ose engjëjt e rënë, dhe fjala “engjëll” pa cilësime të mëtejshme në Besëlidhjen e Re normalisht do të kuptohej se i referohej engjëjve të drejtë. Por ky tekst nuk është aq i shkoqur sa të na japë siguri.

5. Ai do të ndihmojë në veprën e gjykimit. Është më tepër një aspekt i mahnitshëm i mësimit të Besëlidhjes së Re që ne (besimtarët do të marrim pjesë në procesin e gjykimit. Pali thotë:

A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe, nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të aftë të gjykoni gjërat më të vogla? A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete! (1 Kor. 6:2–3)

Mund të thuhet se kjo thjesht do të thotë se ne do të shikojmë deklarimin e gjykimeve të dhëna nga Krishti dhe do t’i miratojmë ato, por kjo nuk duket se përshtatet mirë me kontekstin sepse këtu Pali po i inkurajon korintasit që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre ligjore mes tyre e jo t’i paraqesin ato në gjykatë përpara jobesimtarëve. Në këtë kontekst, ai thotë: “Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, që mund të gjykojë midis vëllezërve të tij? Por një vëlla hyn në gjyq me të vëllanë, dhe kjo përpara të pabesëve.” (1 Kor. 6:5–6). Ky lloj gjykimi padyshim që përfshin një vlerësim të kujdesshëm dhe një dallim të mençur. Gjithashtu, kjo nënkupton se një vlerësim i tillë i kujdesshëm dhe një dallim i tillë do të ushtrohet prej nesh në gjykimin e engjëjve dhe në gjykimin e botës në ditën e gjykimit përfundimtar.

Kjo është e ngjashme me mësimin tek “Zbulesa” 20, ku Gjoni thotë se pa frone “ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha të gjykojnë” (Zbu. 20:4). Paçka se teksti nuk e shpjegon identitetin e atyre që ishin ulur në ato frone, fakti se ata përmenden në shumës tregon se Krishti nuk e ka rezervuar çdo aspekt të procesit të gjykimit vetëm për Vete. Në fakt, Ai u thotë dymbëdhjetë dishepujve të Tij: do të “uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit” (Mat. 19:28; krahaso me Luka 22:30). Kjo është në linjë me faktin që përgjatë gjithë historisë së shpengimit, Perëndia hera-herës e ka lënë të drejtën për të ushtruar gjykim në duart e autoriteteve njerëzore, ndërkohë që Moisu dhe pleqtë të cilët e ndihmojnë, gjyqtarët e Izraelit të cilët Perëndia i ngriti gjatë periudhës së gjyqtarëve, mbretërit e mençur të tillë si Davidi dhe Salomoni, qeveria civile e shumë kombeve (shiko “Rom.” 13:1–7; “1 Pjetrit” 2:13–14), ose ata të cilët kanë autoritetin për të mbretëruar dhe për të qeverisur përbrenda kishës, si dhe për të mbikëqyrur ushtrimin e disiplinës kishtare.

D. Domosdoshmëria e gjykimit përfundimtar

Përderisa kur besimtarët vdesin ata kalojnë menjëherë në praninë e Perëndisë, dhe kur vdesin jobesimtarët ata kalojnë në një gjendje ndarjeje nga Perëndia dhe pësimit të ndëshkmimit,[77]5 ne mund të pyesim veten përse Perëndia atëherë ka caktuar tek e fundit një kohë për gjykimin përfundimtar. Berkhof-i me mençuri tregon që gjykimi përfundimtar nuk ka për qëllim t’i bëjë me dije Perëndisë gjendjen e zemrave tona ose vazhdën e sjelljes së jetës tonë, sepse Ai tashmë e di atë hollësisht. Berkhofi thotë për gjykimin përfundimtar:

Në fakt, do t’i shërbejë qëllimit të shpalosjes përpara të tëra krijesave me arsye, lavdinë deklarative të Perëndisë në një akt formal, forenzik që përlëvdon nga njëra anë shenjtërinë dhe drejtësinë e Tij, dhe nga ana tjetër, hirin dhe mëshirën e Tij. Për më tepër, duhet mbajtur mend se gjykimi në ditën e fundit do të ndryshojë nga ai i vdekjes së secilit individ në më shumë se një drejtim. Nuk do të jetë i fshehtë por publik; nuk do të ketë të bëjë vetëm me shpirtin por edhe me trupin. Nuk do të ketë referencë ndaj një individi të vetëm por ndaj të tërë njerëzve.[78]6

E. Drejtësia e Perëndisë në gjykimin përfundimtar

Shkrimi pohon qartë se Perëndia do të jetë tërësisht i drejtë në gjykimet që bën dhe askush nuk do jetë në gjendje që të ankohet kundër Tij atë ditë. Perëndia është ai i cili “gjykon sipas veprës së gjithsecilit” (1 Pjetrit 1:17), dhe “te Perëndia nuk ka anësi” (Rom. 2:11; krahaso me Kol. 3:25). Për këtë arsye, në ditën e fundit “çdo gojë” do të “heshtë,” dhe e tërë bota do të “bëhet fajtore përpara Perëndisë” (Rom. 3:19), e asnjë nuk do jetë në gjendje që të ankohet që Perëndia e ka trajtuar në mënyrë të padrejtë. Në fakt, një nga bekimet e mëdha të gjykimit përfundimtar, do të jetë që shenjtorët dhe engjëjt do të shikojnë të demonstruar në miliona jetë, drejtësinë absolutisht të pastër të Perëndisë, dhe ky do të jetë një burim lavdërimi për Të përgjatë gjithë përjetësisë. Në kohën e gjykimit mbi Babiloninë e ligë, do të ketë lavdërime të mëdha në qiell, sepse Gjoni thotë: “dëgjova zërin e madh të një turme të shumtë në qiell, duke thënë: «Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij» (Zbu. 19:1–2).

F. Aplikimi moral i gjykimit përfundimtar

Doktrina e gjykimit përfundimtar ka një sërë ndikimesh pozitive morale në jetën tonë.

1. Doktrina e gjykimit përfundimtar e plotëson ndjesinë tonë të brendshme për nevojën për drejtësi në botë. Fakti që do të ketë një gjykim përfundimtar na siguron që si përfundim, universi i Perëndisë është i drejtë sepse Perëndia është në kontroll e se Ai mban dokumentime të saktë dhe bën gjykim të drejtë. Kur Pali u thotë skllevërve që të jenë të nënshtruar ndaj zotërinjve të tyre, ai i siguron ata se: “ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi” (Kol 3:25). Kur pamja e një gjykimi përfundimtar përmend faktin që “librat u hapën” (Zbu. 20:12; krahaso me “Mal.” 3:16), kjo na kujton (pavarësisht nëse këto libra janë për t’u marrë me kuptim të drejtpërdrejtë ose simbolik) që një regjistrim i përhershëm dhe i saktë i të tërë veprave tona mbahet prej Perëndisë dhe në fund të tëra llogaritë do të lahen dhe vihen në vend.

2. Doktrina e gjykimit përfundimtar na jep mundësinë t’i falim lirisht të tjerët. Ne e kuptojmë se nuk varet prej nesh që të hakmerremi ndaj të tjerëve që kanë bërë padrejtësi ndaj nesh, ose madje që duan të bëjnë këtë, sepse Perëndia e ka rezervuar atë të drejtë për Veten e Tij. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: "Mua më përket hakmarrja, unë do të shpaguaj, thotë Zoti" (Rom. 12:19). Në këtë mënyrë, kurdoherë që na kanë bërë një padrejtësi, ne mund të lëmë në dorën e Perëndisë çfarëdo dëshire për të dëmtuar ose shpaguar personin që na e ka bërë atë padrejtësi, duke e ditur se çdo e keqe në univers si përfundim do të shlyhet. Ose do të dalë se është paguar nga Krishti kur Ai vdiq në kryq (nëse shkelësi bëhet i krishterë), ose do të paguhet në gjykimin përfundimtar (në rastin e atyre të cilët nuk i besojnë Krishtit për shpëtim). Por, sido që të jetë, situatën ne mund ta lëmë në duart e Perëndisë dhe pastaj të lutemi që personi që ka kryer fajin t’i besojë Krishtit për shpëtimin e shpirtit dhe për rrjedhojë të marrë faljen për mëkatet e tij ose të saj. Ky mendim duhet të na frenojë nga mbajtja përbrenda e hidhësisë ose mërisë në zemrat tona për padrejtësitë që kemi vuajtur e të cilat nuk janë shlyer: Perëndia është i drejtë dhe këto situata ne mund t’i lëmë në duart e Tij, duke e ditur se një ditë ai do t’i ndreqë të gjitha gjërat e gabuara dhe do të japë shpërblime dhe ndëshkime absolutisht të drejta. Në këtë mënyrë do jemi duke ndjekur shembullin e Krishtit, i Cili “Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po ia dorëzoi atij që gjykon drejtësisht.” (1 Pjetrit 2:22–23). Ai gjithashtu u lut: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë” (Luka 23:34; krahaso me “Veprat” 7:60, Ku Stefani ndoqi shembullin e Jezusit duke u lutur për ata që po e vrisnin).

3. Doktrina e gjykimit përfundimtar siguron një motiv për një jetesë të drejtë. Për besimtarët, gjykimi përfundimtar është një shtysë për besnikëri dhe vepra të mira, jo si një mënyrë e fitimit me forcat e tua të faljes së mëkateve, por si një mënyrë për të fituar një shpërblim më të madh të përjetshëm.[79]7 Ky është një motiv i shëndetshëm dhe i mirë për ne. Jezusi na thotë: “mblidhni për vete thesare në qiell” (Mat. 6:20)—paçka se kjo bie ndesh me pikëpamjet e parapëlqyera të kulturës tonë shekullare, një kulture e cila nuk beson me të vërtetë në ekzistencën e parajsës e as të shpërblimeve të përjetshme.

Për jobesimtarët, doktrina e gjykimit përfundimtar ofron gjithsesi disa kufizime morale në jetën e tyre. Nëse në një shoqëri ka një pranim të përhapur të përgjithshëm që të të tërë një ditë do t’i japin llogari Krijuesit të universit për jetën e tyre, një farë “frike prej Perëndisë” do të karakterizojë jetën e shumë njerëzve. Në kontrast me këtë, ata të cilët nuk kanë një vetëdije të thellë për gjykimin përfundimtar e kanë lënë veten në ligësi gjithnjë e më të mëdha, duke demonstruar se “nuk ka frikë Perëndie para syve të tyre” (Rom. 3:18). Ata të cilët e mohojnë gjykimin përfundimtar, Pjetri thotë se do të jenë “përqeshës” të cilët “në ditët e fundit do të vijnë dhe të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: "Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit" (2 Pjetrit 3:3–4). Ai gjithashtu deklaron se të paudhët të cilëve “u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje,” dhe “ju shajnë” gjithsesi, “ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur” (1 Pjetrit 4:4–5). Një vetëdije për gjykimin përfundimtar është edhe një ngushëllim për besimtarët dhe edhe një paralajmërim për jobesimtarët që të mos vazhdojnë në rrugët e tyre të liga të jetesës.

4. Doktrina e gjykimit përfundimtar siguron një motiv të shkëlqyer për ungjillëzim. Vendimet e marra nga njerëzit në këtë jete, do të ndikojnë fatin e tyre për gjithë përjetësinë dhe është e drejtë që zemrat tona të ndjejnë dhe gojët tona t’i bëjnë jehonë ndjenjës së thirrjes prej Perëndisë përmes Ezekielit: “kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?” (Ezek. 33:11). Në fakt, Pjetri lë të kuptohet se vonesa e kthimit të Zotit është si pasojë e faktit që Perëndia “është zemërgjerë ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9).

G. Ferri

Është me vend që të diskutojmë doktrinën e ferrit në lidhje me doktrinën e gjykimit përfundimtar. Ne mund ta përkufizojmë ferrin si vijon: Feri është një vend ndëshkimi i përjetshëm koshient për të ligjtë. Shkrimi jep mësim në një sërë pasazhesh se një vend i tillë ekziston vërtetë. Në fund të shëmbëlltyrës të talentave, zotëria thotë: “shërbëtorin e pavlerë hidheni në errësirën e jashtme. Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh'” (Mat. 25:30). Ky është një nga një sërë treguesish se do të ketë një ndëshkim të vetëdijshëm pas gjykimit përfundimtar. Në mënyrë të ngjashme, në ditën e gjykimit, mbreti do t’u thotë disave: “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij” (Mat. 25:41), dhe Jezusi thotë se ata që do të ndëshkohen në këtë mënyrë “do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mat. 25:46).[80]8 Në këtë tekst, paralelizmi mes “jetës së përjetshme” dhe “mundimit të përjetshëm” lë të kuptohet se të dyja këto gjendje do të jenë të pafundme.[81]9

Jezusi i referohet ferrit me fjalët: “zjarri i pashueshëm” (Mark 9:43), dhe thotë se ferri është një vend “ku krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket” (Mark 9:48).[82]10 Historia e të pasurit dhe Llazarit tregon për një vetëdije të tmerrshme për ndëshkimin:

Por ndodhi që i varfri vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe u varros. Dhe në ferr, duke qenë në mundime, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij. Atëherë ai bërtiti dhe tha: ``O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.” (Luka 16:22–24)

Ai pastaj i përgjërohet Abrahamit që të dërgojë Llazarin në shtëpinë e të atit, “sepse unë kam pesë vëllezër e le t'i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh” (Luka 16:28).

Kur ne kthehemi tek “Zbulesa” përshkrimet e këtij ndëshkimi të përjetshëm janë gjithashtu shumë të shkoqura:

Dhe një engjëll i tretë i ndoqi duke thënë me zë të madh: «Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e tij ose mbi dorën e tij, do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit. Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në jetë të jetëve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj. (Zbu. 14:9–11)

Ky pasazh pohon shumë qartë idenë e një ndëshkimi të përjetshëm koshient të jobesimtarëve.

Në lidhje me gjykimin e qytetit të lig të Babilonisë një shumicë e madhe në qiell thërret: “Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve” (Zbu. 19:3). Pasi rebelimi përfundimtar i Satanit shtypet, lexojmë se: “Djalli që i mashtronte, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në jetë të jetëve” (Zbu. 20:10). Ky pasazh është gjithashtu i rëndësishëm në lidhje me “Mateun” 25:41, në të cilin jobesimtarët dërgohen “në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.” Këto vargje duhet të na bëjnë të kuptojmë madhësinë e të keqes që gjendet në mëkatin dhe rebelimin ndaj Perëndisë, si dhe madhësinë e shenjtërisë dhe drejtësisë së Perëndisë që jep këtë lloj ndëshkimi.

Ideja që do të ketë një ndëshkim të përjetshëm me vetëdije të jobesimtarëve është mohuar kohët e fundit edhe prej disa teologëve ungillorë.[83]11 Më përpara është mohuar nga Kisha Adventiste e Ditës së Shtatë si dhe nga individë të ndryshëm përgjatë gjithë historisë së kishës. Ata të cilët mohojnë ndëshkimin e përjetshëm koshient, shpesh herë mbrojnë “asgjësueshmërizimin,” një mësim ky sipas të cilit, pasi të ligjtë të kenë vuajtur ndëshkimin prej zemërimit të Perëndisë për një farë kohe, Perëndia do t’i “asgjësojë” ata në mënyrë që të mos ekzistojnë më.[84]12 Shumë prej atyre të cilët besojnë në asgjësueshmërizimin, besojnë gjithashtu realitetin e gjykimit përfundimtar si dhe ndëshkimin për mëkatin, por ato thonë se pasi mëkatarët të kenë vuajtur për një periudhë të caktuar kohore, duke mbajtur zemërimin e Perëndisë kundër mëkatit të tyre, ata në fund do të reshtin së ekzistuari. Ndëshkimi për rrjedhojë do të jetë “koshient” por nuk do të jetë i “përjetshëm.”

Argumente të cilat shkojnë në favor të jomijëvjeçarizmit, janë: (1) referencat biblike ndaj shkatërrimit të të ligjve, të cilat disa thonë se nënkupton që ata nuk do të ekzistojnë pasi ata të shkatërrohen (Fil. 3:19; 1 Thes. 5:3; 2 Thes. 1:9; 2 Pjetrit 3:7; etj.); (2) papërputhshmëria në dukje e ndëshkimit të përjetshëm me vetëdije nga njëra anë, me dashurinë e Perëndisë nga ana tjetër; (3) padrejtësia në dukje tek disproporcioni mes mëkateve të kryera në kohë dhe ndëshkimit që është i përjetshëm; dhe (4) fakti që prania e vazhduar e krijesave të këqija në universin e Perëndisë do ta shëmtonte përjetësisht përsosmërinë e një universi të cilin Perëndia e krijoi për të pasqyruar lavdinë e Tij.

Si përgjigje ndaj kësaj, duhet thënë se pasazhet të cilat flasin për shkatërrimin (të tilla si “Fil.” 3:19; “1 Thes.” 5:3; “2 Thes.” 1:9; dhe “2 Pjetrit” 3:7) nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht reshtjen e ekzistencës sepse në këto pasazhe termat e përdorur për “shkatërrim” nuk është se domosdoshmërisht nënkuptojnë një reshtje ndaj ekzistencës ose ndonjë forme asgjësimi, por që thjesht mund të jenë mënyra referimi ndaj efekteve të dëmshme dhe shkatërrimtare të gjykimit përfundimtar ndaj jobesimtarëve.[85]13

Në lidhje me argumentin nga dashuria për Perëndinë, e njëjta vështirësi në pajtimin e dashurisë së Perëndisë me ndëshkimin e përjetshëm, do të dukej të ishte e pranishme në pajtimin e dashurisë së Perëndisë me idenë e ndëshkimit hyjnor, dhe, anasjelltas, nëse (ashtu sikurse Shkrimi dëshmon gjerësisht) është e përputhshme për Perëndinë që të ndëshkojë të ligjtë për një kohë të caktuar pas gjykimit përfundimtar, atëherë duket se nuk ka ndonjë arsye të nevojshme përse nuk do të ishte e papërputhshme për Perëndinë që të vinte të njëjtin ndëshkim për një periudhë të pafundme kohore.

Ky lloj arsyetimi mund t’i shtyjë disa njerëz që të adoptojnë një lloj tjetër asgjësueshmërizimi, një në të cilin nuk ka vuajtje ndërkohë që personi është i vetëdijshëm, madje as edhe për një kohë të shkurtër dhe i vetmi ndëshkim është që jobesimtarët të reshtin së ekzistuari pasi të kenë vdekur. Por si përgjigje ndaj kësaj, mund të ngrihet pyetja nëse ky lloj asgjësueshmërizimi i menjëhershëm mund të quhet me të vërtetë një ndëshkim, përderisa nuk do të kishte dhembje koshiente. Në fakt, garancia se do të kishte një reshtje të ekzistencës, do t’u dukej shumë vetëve, veçanërisht atyre të cilët janë duke vuajtur dhe që janë në vështirësi në këtë jetë, në një farë mënyre si një alternativë e dëshirueshme. Gjithashtu, nëse jobesimtarët nuk do ndëshkoheshin aspak, edhe njerëz si Hitleri dhe Stalini nuk do t’i gjente gjë, dhe në univers nuk do të kishte drejtësi përfundimtare. Kështu, njerëzit do të kishin një motivim të madh për të qenë sa më të ligj që të ishte e mundur në këtë jetë.

Argumenti sipas të cilit ndëshkimi i përjetshëm është i padrejtë (për shkak se ka një shpërpjesëtim mes mëkatit të përkohshëm dhe ndëshkimit të përjetshëm) supozon më mënyrë të gabuar se ne nuk e dimë masën e të keqes së bërë kur mëkatarët ngrenë krye kundër Perëndisë. David Kingdon vëren se “mëkati kundër Krijuesit është i neveritshëm deri në një shkallë tejet përtej përfytyrimit tonë të shtrembëruar nga mëkati’ [aftësisë] për të ngjizur ... Kush do të kishte guximin t’i sugjeronte Perëndisë se çfarë duhet të ishte ... ndëshkimi?”[86]14 Ai reagon gjithashtu ndaj këtij kundërshtimi duke sugjeruar që jobesimtarët në ferr, mund të vazhdojnë të mëkatojnë dhe të marrin ndëshkim për mëkatin e tyre, por kurrë të mos pendohen dhe vëren se “Zbulesa” 22:11 tregon nga ky drejtim: “Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë.”[87]15

Në këtë pikë, për më tepër, një argument i bazuar tek drejtësia e Perëndisë, mund të paraqitet kundër asgjësueshmërizimit. Koha e shkurtër e ndëshkimit e parashikuar nga asgjësueshmërizimisti, a shlyen faktikisht të tërë mëkatin e jobesimtarit dhe e kënaq drejtësinë e Perëndisë? Nëse jo, atëherë drejtësia e Perëndisë nuk është vënë në vend dhe jobesimtari nuk duhet asgjësuar. Por nëse po, atëherë jobesimtarit i duhet të lejohet që të shkojë në parajsë, dhe ai ose ajo nuk duhet asgjësuar. Sido që të jetë, asgjësueshmëria nuk është as e domosdoshme dhe as e drejtë.

Në lidhje me argumentin e katërt, ndërkohë që e keqja e cila mbetet e pandëshkuar heq nga lavdia e Perëndisë në univers, edhe ne duhet të kuptojmë se kur Perëndia ndëshkon të keqen dhe triumfon mbi të, lavdia e drejtësisë, paanshmërisë si dhe fuqia e Tij për të ngadhënjyer mbi të gjithë kundërshtinë, do të shikohet (shiko Rom. 9:17, 22–24). Thellësitë e pasurive të mëshirës së Perëndisë, do të zbulohen gjithashtu në atë kohë, sepse të tërë mëkatarët e shpenguar do ta kuptojnë se edhe ata e meritojnë një ndëshkim të tillë nga Perëndia, dhe e kanë shmangur atë vetëm përmes hirit të Perëndisë nëpërmjet Jezus Krishtit (kr. Rom. 9:23–24).

Megjithatë, pasi janë thënë të tëra këto gjëra, na duhet të pranojmë se zgjidhja përfundimtare e thellësisë së kësaj çështjeje, gjendet shumë përtej aftësisë tonë për të kuptuar dhe mbetet e fshehur në këshillat e Perëndisë. Po të mos ishte për pasazhet e Shkrimit të cituara më lart të cilat konfirmojnë kaq qartë ndëshkimin e përjetshëm të vetëdijshëm, asgjësueshmërizimi neve mund të na duket si një opsion tërheqës. Paçka se asgjësueshmërizimi mund të kundërshtohet me argumente teologjikë, në fund të fundit është qartësia dhe forca e vetë pasazheve të cilat na bindin që asgjësueshmërizimi është i pasaktë dhe se Shkrimi vërtetë që na mëson ndëshkimin e ndërgjegjshëm të të ligjve.[88]16

Si duhet ta marrim këtë doktrinë? Është e vështirë (dhe e vështirë duhet të jetë) që ne të mendojmë për këtë doktrinë sot. Nëse zemrat tona nuk preken kurrë nga një pikëllim i thellë kur mendohemi thellë për këtë doktrinë, atëherë ka një mangësi serioze në ndjeshmërinë tonë frymërore dhe emocionale. Kur Pali mendon për gjendjen e humbur të bashkëkombësve të tij judenj, ai thotë: “kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time” (Rom. 9:2). Kjo është e përputhshme me atë që Perëndia na thotë për pikëllimin e vet për vdekjen e të ligjve: “Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj», thotë Zoti, Zoti, «unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të kthehet nga rruga e tij dhe të jetojë; kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?” (Ezek. 33:11). Edhe agonia e Jezusit është evidente kur Ai ia bret: “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu ashtu siç i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë” (Mat. 23:37–38; kr. Luka 19:41–42).

Arsyeja përse është e vështirë për ne që të mendojmë për doktrinën e ferrit, është sepse Perëndia ka vënë në zemrat tona një pjesë të dashurisë së Tij për njerëzit e krijuar në shëmbëlltyrën e Tij, madje dashurinë e Tij për mëkatarët të cilët rebelojnë kundër Tij. Për sa kohë që jemi në këtë jetë, dhe për sa kohë që ne shikojmë dhe mendojmë për të tjerët të cilët kanë nevojë të dëgjojnë ungjillin e t’i besojnë Krishtit për shpëtim, do të na pikëllonte e krijonte shumë agoni në shpirt kur mendojmë për ndëshkimin e përjetshëm. Megjithatë, ne duhet që gjithashtu të kuptojmë se çfarëdo që Perëndia në mençurinë e Tij ka caktuar dhe na ka mësuar në Shkrim, është e drejtë. Për rrjedhojë ne duhet të bëjmë kujdes që të mos e urrejmë këtë doktrinë e as të ngremë krye kundër saj, por që përkundrazi, të kërkojmë me sa të kemi mundësi që të vijmë në atë pikë ku ta pranojmë se ndëshkimi i përjetshëm është i mirë dhe i drejtë, sepse tek Perëndia nuk ka aspak padrejtësi.

Mund të na ndihmojë po qe se kuptojmë se nëse Perëndia nuk do të ekzekutonte ndëshkimin e përjetshëm, atëherë, dukshëm, drejtësia e Tij nuk do të plotësohej dhe lavdia e Tij nuk do të përparonte në mënyrën që Ai e mendon të mençur. Kjo me shumë mundësi gjithashtu do të na ndihmonte të kuptojmë se nga pikëpamja e botës, të arrish atje është një pranim shumë më i madh i domosdoshmërisë dhe të paturit hak të ndëshkimit të përjetshëm. Besimtarët e martirizuar në qiell dëgjohen prej Gjonit tek thërrasin: «Deri kur, o Zotëri, o i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata, që banojnë mbi dhe?» (Zbu. 6:10). Për më tepër, në shkatërrimin përfundimtar të Babilonisë, zëri i lartë i një morie të madhe në qiell, thërret me lavdërim ndaj Perëndisë për drejtësinë e gjykimit të Tij ndërkohë që ata në fund shikojnë natyrën e urryer të së keqes ashtu sikurse është në të vërtetë:

Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Sepse gjykoi kurvën e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak prej dorës së saj për gjakun e shërbëtorëve të tij ... Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.” (Zbu. 19:1–3)

Sapo kjo gjë ndodhi, “ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë dhe të katër qeniet e gjalla dhe adhuruan Perëndinë, që ishte ulur mbi fron, duke thënë: «Amen, Aleluja!»” (Zbu. 19:4). Ne nuk mund të themi se kjo mori e madhe e të shpenguarve dhe e krijesave të gjalla në qiell kanë gjykime të gabuara morale kur ata lavdërojnë Perëndinë për ekzekutimin e drejtësisë mbi të keqen, sepse ata të gjithë janë liruar nga mëkati dhe gjykimet e tyre morale janë të kënaqshme ndaj Perëndisë.

Sidoqoftë, në këtë epokë të tanishme, ne duhet t’i qasemi një kremtimi të tillë të drejtësisë së Perëndisë në ndëshkimin e të keqes vetëm kur përsiatemi për ndëshkimin e përjetshëm që i bëhet Satanit dhe demonëve të tij. Kur mendojmë për ta, ne nuk është se në mënyrë automatike ndjejmë dashuri për to, paçka se ata qenë krijuar nga Perëndia. Por tani ato i janë kushtuar plotësisht të keqes dhe janë përtej caqeve të mundshme për shpengim. Po kështu, ne nuk mund të presim për shpëtimin e tyre ashtu sikurse jemi të dëshiruar për shpengimin e të tërë njerëzimit. Ne duhet të besojmë se ndëshkimi i përjetshëm është i vërtetë dhe i drejtë, e megjithatë ne duhet të jemi të dëshiruar që edhe ata të cilët e përndjekin rëndë kishën, të vijnë në besim në Krishtin e kësisoj t’i shpëtojnë ndëshkimit të përjetshëm.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A ke menduar më përpara se do të ketë një gjykim përfundimtar për besimtarët? Si e mendon atë tani? Çfarë ndikimi ka në jetën tënde sot vetëdija për faktin që ne do të qëndrojmë përpara selisë së gjykatës së Krishtit? Si mendon se do të jetë kur të tëra fjalët dhe veprat e tua do të bëhen publike në atë ditë të fundit? A ka ndonjë element frike ndërkohë që mendon për atë ditë? Nëse po, medito rreth “1 Gjonit” 4:16–18:

     Dhe ne kemi njohur dhe kemi besuar dashurinë, që Perëndia ka ndaj nesh. Perëndia është dashuri; dhe ai, që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Në këtë u përsos dashuria me ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, jemi edhe ne në këtë botë. Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.

2.     A ke menduar shumë më përpara për grumbullimin e thesareve në qiell apo për fitimin një shpërblimi më të madh në qiell? Nëse e beson me të vërtetë këtë doktrinë, çfarë lloj ndikimi mendon se ajo duhet të ketë në jetën tënde?

3.     Si mendon se do të ndjehesh të marrësh pjesë me Krishtin në gjykimin e engjëjve, dhe në fakt në gjykimin e botës mbarë (shiko 1 Kor. 6:2–3)? Çfarë thotë fakti që Perëndia na lejon të marrim pjesë në këtë gjykim përfundimtar rreth krijimit tonë në shëmbëlltyrën e Perëndisë dhe qëllimet e Tij për ne në univers? Si të bën kjo të ndjehesh për veten tënde si dhe për marrëdhënien tënde të përjetshme me Perëndinë?

4.     Mendo për disa prej miqve të tu të krishterë në kishën tënde. Si mendon se do të ndjehesh kur t’i shikosh ata të qëndrojnë përpara Krishti në ditën e gjykimit përfundimtar? Si do të ndjehen për ty në atë kohë? A ndikon mendimi për këtë gjykim të ardhshëm tek mënyra se si ti e mendon bashkësinë tënde me njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra në Krishtin sot?

5.     A je i gëzuar që do të ketë një gjykim përfundimtar si të besimtarëve ashtu edhe të jobesimtarëve? A të bën të ndjesh gjykimin e Perëndisë apo ndjen një farë moskorrektese dhe padrejtësie në të tërë këtë ide?

6.     A je i/e bindur që Shkrimi na mëson se do të ketë pasoja të përjetshme ndëshkimi të të ligjve? Kur mendon për këtë ide në lidhje me Satanit dhe demonët, a të duket e drejtë?

7.     A ekziston ndonjë që të ka bërë padrejtësi në të kaluarën dhe të cilin e ke të vështirë ta falësh? A të ndihmon doktrina e gjykimit përfundimtar për të qenë më tepër në gjendje për ta falur atë person?

TERMA TË VEÇANTË

asgjësueshmëria

pavdekësi e kushtëzuar

ndëshkim i përjetshëm koshient

gjykimi përfundimtar

froni i madh i bardhë i gjykimit

ferri

gjykimi i kombeve

universalizëm

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 591–600

1930 Thomas, 525–526

2. Arminiane (Ueslejane ose Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:401–447

1892–1894 Miley, 2:458–471

1940 Wiley, 3:338–375

1960 Purkiser, 567–574

1983 Carter, 2:1105–1109, 1127–1130, 1133–1136

3. Baptiste

1767 Gill, 2:302–329

1887 Boyce, 461–471, 477–493

1907 Strong, 1023–1029, 1033–1056

1917 Mullins, 478–483, 488–503

1976–1983 Henry, 4:593–614; 6:492–513

1983–1985 Erickson, 1005–1022, 1234–1241, 1200–1204

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 4:402–412, 427–433

1949 Thiessen, 383–390, 396–397

1986 Ryrie, 512–516, 520–522

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 3:539–550

1934 Mueller, 630–639

6. E Reformuar (ose Presbiteriane)

1724–1758 Edwards, 2:122–130, 190–213, 515–525

1861 Heppe, 703–706

1871–1873 Hodge, 3:837–854, 868–880

1878 Dabney, 842–862

1889 Shedd, 2b:659–663, 667–754

1937–1966 Murray, CW 2:413–417

1938 Berkhof, 728–738

1962 Buswell, 2:306–308, 508–511

7. Ripërtëritëse (ose karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 3:413–420, 445–477

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 479–482, 492–496

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 2:1150–1155

Vepra të Tjera

Beckwith, R.T. “Purgatori (Purgatory).” Tek FRT ([89]NDT) fq. 549–550.

Blamires, Harry. Të Dish të Vërtetën Rreth Parajsës dhe Ferrit (Knowing the Truth About Heaven and Hell). Knowing the Truth Series, reds. J.I. Packer and Peter Kreeft. Ann Arbor: Servant, 1988.

Buis, Harry. Doktrina e Ndëshkimit të Përjetshëm (The Doctrine of Eternal Punishment). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1957.

Cameron, Nigel M. de S., r[90]ed. Universalizmi dhe Doktrina e Ferrit (Universalism and the Doctrine of Hell). Carlisle, U.K.: Paternoster, and Grand Rapids: Baker, 1992.

Crockett, William V., Z.J. Hayes, Clark H. Pinnock, dhe John F. Walvoord. Katër Pikëpamje mbi Ferrin (Four Views on Hell). Grand Rapids: Zondervan, 1992.

Gerstner, John H. Pendohu ose Humbesh (Repent or Perish). Ligonier, Pa.: Soli Deo Gloria, 1990.

Helm, Paul. “Universalizmi dhe Kërcënimi i Ferrit (Universalism and the Threat of Hell).” [91]TrinJ [92]vol. 4 N.S., Nr. 1 (Pranverë 1983): 35–43.

Hoekema, Anthony A. Bibla dhe e Ardhmja (The Bible and the Future). Grand Rapids: Eerdmans, 1979, fq. 253–273.

Hubbard, D.A. “Gjykimi i Fundit (Last Judgment, The).” Tek FUT ([93]EDT) fq. 620–621.

Martin, James P. Gjykimi i Fundit (The Last Judgment). Grand Rapids: Eerdmans, 1983.

Morris, L. “Ndëshkimi i Përjetshëm (Eternal Punishment).” Tek FUT (EDT) fq. 369–370.

O’Donovan, O.M.T., dhe R.J. Song. “Ndëshkim (Punishment).” Tek FRT (NDT) fq. 547–549.

Packer, J.I. “Ungjillorët dhe Mënyra e Shpëtimit: Sfida të Reja ndaj Ungjillit—Universalizmi dhe Drejtësimi nëpërmjet Besimit (Evangelicals and the Way of Salvation: New Challenges to the Gospel—Universalism and Justification by Faith).” Tek Pohime Ungjillore (Evangelical Affirmations). Red. Kenneth S. Kantzer dhe Carl F.H. Henry. Grand Rapids: Zondervan, 1990, fq. 107–136.

Travis, S.H. “Gjykimi prej Perëndisë (Judgment of God).” Tek FRT (NDT) f. 358.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Zbulesa” 20:11–13: Dhe pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ishte ulur mbi të, nga fytyra e të cilit morën arratinë dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vend për ta. Dhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që qëndronin përpara Perëndisë, dhe librat u hapën; dhe një libër tjetër u hap, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dha të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe ferri dhanë të vdekurit që ishin në ta; dhe u gjykuan secili sipas veprave të tij.

HIMN

“EJA SHPEJT O GJYKATËS I FRIKSHËM I TË GJITHËVE (O QUICKLY COME, DREAD JUDGE OF ALL)”

(Vija melodike është ajo e njohura e “Atë i Përjetshëm, i Fortë për Shpëtim [Eternal Father, Strong to Save]”)

Eja shpejt, gjykatës i frikshëm i të gjithëve; sado e tmerrshme ardhja Jote të jetë,

Tërë hijet nga e vërteta do bien, dhe falsiteti me t’u dukur Ti do vdesë:

O eja shpejt; sepse dyshimi dhe frika si re shpërbëhen kur Ti je pranë.

O eja shpejt, mbret i madh i gjithçkaje; kudo rreth dhe përbrenda nesh mbretëro;

Dhimbja e pikëllimi me mëkatin të vdesin, e mëkati shpirtin të na e robërojë mos lejo:

O eja shpejt, sepse vetëm Ti njerëzit e Tu të shpërndarë mund t’i bashkosh.

O eja shpejt, jetë e vërtetë për të tërë; sepse vdekja ngado përreth është e fuqishme;

Në çdo shtëpi hijet e saj bien, gjendet shenja e saj brenda çdo zemre:

O eja shpejt; hidhërimi e dhimbja se errësojnë dot mbretërimin e lavdishëm Tëndin.

Sepse nata e errët mbi rrugën tonë pllakos; o eja shpejt, e sigurt për të tërë o dritë;

Dhe shpirtrat e ligësht fillojnë të bien me pritjet e lodhshme për atë ditë:

O eja shpejt; sepse rreth fronit Tënd asnjë sy nuk është i verbër, asnjë natë nuk njihet.

Autor: Lawrence Tuttiett, 1854

HIMN ALTERNATIV: “PERËNDI I MADH, ÇFARË PO SHIKOJ DHE DËGJOJ (GREAT GOD, WHAT DO I SEE AND HEAR!)”

Një notë trishtimi dhe gjykimi mbizotëron tek të dy këto himne, e megjithatë ky himn alternativ përmban gjithashtu një fokus të fortë tek përgatitja e shpirtit për të takuar Krishtin si dhe një ndjesi pritshmërie plot gëzim.

Perëndi i madh çfarë po shikoj dhe dëgjoj! Fundi i gjërave të krijuara erdhi!

Gjykatësi i njerëzimit shfaqet, ulur në re me lavdi!

Boria gjëmon; varret kthejnë të vdekurit që mbanin deri më tash:

Përgatitu shpirti im Atë ta takosh.

Të parët do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, kur boria e fundit të bjerë,

Do merren për ta takuar Atë në qiej, me gëzim Zotin e tyre duke rrethuar do jenë;

S’ka më frikë e trishtim në shpirt; Prania e Tij ditë të përjetshme duke rrezatuar

Mbi ata të cilët janë përgatitur për ta takuar.

Por mëkatarët, të mbushur me frikëra fajtore, zemërimin e Tij të fitojë shikojnë;

Sepse ata do ngjallen dhe lotët dhe psherëtimat e tyre më s’do ekzistojnë:

Dita e hirit shkoi dhe vate; përpara fronit duke u dridhur ata do të qëndrojnë,

Të tërë të papërgatitur Atë të takojnë.

Gjërave të krijuara u erdhi fundi! Perëndi i madh, çfarë shikoj dhe dëgjoj!

Gjykatësi i njerëzimit shfaqet, në retë e lavdisë të ulur shikoj!

Poshtë kryqit të Tij shikoj ditën kur qielli dhe toka do të kalojnë,

Dhe kështu përgatitemi Atë të takojmë.

Autor: Strofa e parë, Anonim, 1802;

Strofat 2–4, William B. Collyer, 1812;

Parashtrim alternativ, Thomas Cotterill, 1820

Pen
>