Kapitulli 47: Qeverisja e kishës
Lesson 49 Chapter 4 Module 8
Drejtimi i Kishës
Si duhet drejtuar një kishë? Si duhen zgjedhur funksionarët e kishës? A duhet që gratë të shërbejnë si pastore kishash?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
Kishat sot kanë shumë forma të ndryshme drejtimi. Kisha Katolike Romake ka një drejtim mbarëbotëror nën autoritetin e Papës. Kishat Episkopaliane kanë peshkopë me autoritet rajonal, e mbi ta kanë kryepeshkopë. Kishat presbiterianë i japin autoritet rajonal presbiterëve dhe autoritet kombëtar asambleve të përgjithshme. Nga ana tjetër, kishat baptiste si dhe shumë kisha të tjera të pavarura nuk kanë autoritet formal qeverisës përtej grigjës vendore si dhe bashkimi me denominacionet bëhet mbi baza vullnetare.
Përbrenda kishave vendore, Baptistët shpesh herë kanë një pastor të vetëm me një bord dhjakësh, por disa kanë edhe një bord pleqsh. Presbiterianët kanë një bord pleqsh ndërsa Episkopalianët kanë një këshill. Kishat e tjera kanë thjesht një bord kishtar.
A ka ndonjë model të Besëlidhjes së Re për drejtimin e kishës? A ka ndonjë formë drejtimi të kishës e cila duhet të preferohet më shumë se të tjerat? Këto janë pyetjet të cilave u jepet përgjigje në këtë kapitull.
Sidoqoftë, fillimisht duhet thënë se forma e drejtimit të kishës nuk është një doktrinë kryesore si ajo e Trinisë, hyjnisë së Krishtit, shlesës zëvendësuese apo e autoritetit të Shkrimit. Paçka se unë besoj se pas shqyrtimit të provave të Besëlidhjes së Re, një formë e caktuar e drejtimit të kishës është më e preferueshme sesa të tjerat, gjithsesi, secila prej këtyre formave ka disa pika të dobëta, njëlloj si edhe ca të forta. Gjithashtu, historia e kishës e vërteton se një sërë formash të ndryshme të qeverisë kanë funksionuar mjaft mirë për shumë shekuj me radhë. Për më tepër, ndërkohë që një aspekt i qeverisjes së kishës duket se është dukshëm i qartë në Besëlidhjen e Re, çështje të tjera (si për shembull mënyra në të cilën punonjësit e kishës duhet të zgjidhen), janë më pak të qarta, kryesisht për shkak se prova e Besëlidhjes së Re e tyre, nuk është e hollësishme, dhe kësisoj, konkluzionet tona nga kjo provë, janë më pak të sigurta. Kështu, mua më duket se duhet të ketë vend për të krishterët ungjillorë që miqësisht të ndajnë mendime të ndryshme mbi këtë çështje, me shpresën që kësisoj kuptimi rreth saj të shtohet edhe më. Gjithashtu duket se të krishterët individualisht, ndërkohë që mund të kenë një preferencë për një sistem apo një tjetër, e ndërkohë që mund të dëshirojnë në kohë të përshtatshme që të mbrojnë me forcë një sistem e jo një tjetër, duhet që gjithsesi të jenë të gatshëm që të jetojnë e të shërbejnë përbrenda cilitdo prej sistemeve protestante të ndryshme të drejtimit të kishës në të cilin mund të gjenden hera-herës.
Por me këtë unë nuk dua të them se kjo është një çështje tërësisht e parëndësishme. Në këtë fushë si dhe në të tjerat, një kishë mund të jetë më shumë apo më pak e pastër. Nëse ka modele të qarta të Besëlidhjes së Re në lidhje me disa aspekte të qeverisjes së kishës, atëherë do të ketë pasoja negative në kishat tona nëse ne i shpërfillim ato, edhe nëse ne nuk i paramendojmë të tëra ato pasoja në të tashmen. Për rrjedhojë, të krishterët padyshim që janë të lirë të flasin e të shkruajnë mbi këtë temë, me qëllim që të punojmë për një pastërti më të madhe në kishë.
Në këtë kapitull ne fillimisht do të bëjmë një sondash të të dhënave të Besëlidhjes së Re në lidhje me funksionarët e kishës, veçanërisht apostujt, pleqtë dhe dhjakët. Pastaj, do të shtrojmë pyetjen se si duhen zgjedhur funksionarët e kishës. Më pas, do të hedhim vështrimin tek dy pyetje e diskutueshme: Cila formë e drejtimit të kishës, nëse ndonjëra prej tyre është e tillë, është më e përafërt me modelin e Besëlidhjes së Re? Gjithashtu, a është e mundur që gratë të shërbejnë si funksionare në kishë?
A. Funksionarët e Kishës
Për qëllimet e këtij kapitulli, ne do të përdorim përkufizimin e mëposhtëm: Një funksionar kishe është dikush i cili është njohur publikisht se ka të drejtën dhe përgjegjësinë për të kryer një sërë funksionesh për të mirën e të tërë kishës.
Sipas këtij përkufizimi, pleqësia dhe dhjakët do të konsideroheshin funksionarë në një kishë, njëlloj si edhe pastori (nëse ky është një funksion më vete). Thesarmbajtësi i kishës si dhe moderatori i kishës do të ishin gjithashtu funksionarë (këto tituj mund të variojnë nga njëra kishë në tjetrën). Të tërë këta njerëz gëzojnë një pranim publik, zakonisht në një shërbim në të cilin ata janë “instaluar” apo “emëruar” në një post. Në fakt, ata kanë nevojë për njohje publike me qëllim që të përmbushin përgjegjësitë e tyre: për shembull, nuk do të ishte e përshtatshme për njerëzit që të pyesnin javë pas jave se kush duhet të merrte ofertën e ta depozitonte atë në bankë, apo që njerëz të ndryshëm të argumentonin që kishin marrë dhunti frymërore për të marrë atë përgjegjësi në ndonjë javë të caktuar! Funksionimi me rregull i kishës kërkon që një person të njihet si personi që ka atë përgjegjësi. Po kështu, pastori i cili është përgjegjës për të dhënë mësimin Biblik çdo të dielë në mëngjes duhet kuptuar se ka të drejtën dhe përgjegjësinë për ta bërë atë (të paktën në pjesën më të madhe të formave të drejtimit të kishës). Po qe se nuk do të ishte kështu, atëherë shumë njerëz mund të përgatitin predikime dhe të tërë pretendojnë se kanë të drejtën për të predikuar, ose në ndonjë të dielë askush nuk do mund të përgatitej. Në mënyrë të ngjashme, me qëllim që njerëzit të mund të ndjekin pleqësinë e kishës dhe të presin prej tyre për udhëzim, ata duhet të dinë se kush janë pleqtë.
Në kontrast me këtë, shumë të tjerë ushtrojnë dhurata në kishë, por ne nuk themi se ata kanë një “zyrë” për shkak se ata nuk kanë nevojë për një njohje formale publike për dhuratat e tyre që të funksionojnë. Ata të cilët kanë një dhunti “ndihmash” (shiko 1 Kor. 12:28), apo të cilët kanë një dhuratë të një besimi veçanërisht të fortë, apo një dhuratë që “të dallojë frymërat” (1 Kor. 12:10), apo një dhunti nxitjeje apo kontribuimi (Rom. 12:8) nuk kanë nevojë për njohje publike me qëllim që të funksionojnë me efikasitet në kishë.
Në materialin që të do vijojë, do të shikojmë se Besëlidhja e Re diskuton një post kishtar i cili qe i kufizuar në kohë kur kisha e hershme u themelua (posti i apostullit), si dhe dy poste të tjera kishtare të cilat vazhdojnë përgjatë gjithë epokës së kishës (posti i pleqve dhe i dhjakëve).
1. Apostull. Më herët në këtë libër, ne pamë se apostujt e Besëlidhjes së Re kishin një lloj të pashembullt autoriteti në kishën e hershme: autoritet për të folur e për të shkruar fjalë të cilat ishin “fjalët e Perëndisë” në një kuptim absolut të fjalës. Të mos besoje apo të mos iu bindeshe atyre, do të thoshte të mos i besoje e të mos i bindeshe Perëndisë. Apostujt, për rrjedhojë, kishin autoritetin për të shkruar fjalë të cilat u bënë fjalët e Shkrimit.[68]1 Ky fakt, në vetvete duhet të na sugjerojë se kishte diçka unike për sa i takon postit të apostujve, dhe se ne nuk do të pritnim që ai të vazhdonte sot, sepse askush sot nuk mund t’i shtojë fjalë Biblës e t’i bëjë ato të llogariten si fjalët e Perëndisë Vetë apo si pjesë e Shkrimit.[69]2
Përveç kësaj, informacioni i Besëlidhjes së Re rreth cilësive kualifikuese të një apostulli si dhe rreth identitetit të apostujve, na bën të dalim në përfundimin se ky post ishte unik dhe i kufizuar në shekullin e parë, dhe se ne nuk duhet të presim më apostuj sot.[70]3 Këtë do ta shikojmë ndërkohë që bëjmë pyetjet e mëposhtme: Cilat ishin parakushtet për të qenurit apostull? Kush ishin apostujt? Sa apostuj kishte? Gjithashtu, a ka apostuj sot?
Fillimisht duhet të bëhet e qartë se përgjigjet për këto pyetje varen tek ajo që nënkuptohet me fjalën apostull. Sot, disa njerëz e përdorin fjalën apostull në një kuptim shumë të gjerë për t’iu referuar një mbjellësi efikas kishe, apo një pionieri të rëndësishëm misionar (“Uilliam Keri (William Carey) ishte një apostull për Indinë,” për shembull). Po qe se ne përdorim fjalën apostull në këtë kuptim të gjerë, të gjithë do të ishin të një mendjeje se sot ka ende apostuj, sepse sot padyshim që ka misionarë efikasë si dhe mbjellës kishash.
Vetë Besëlidhja e Re ka tre vargje në të cilat fjala apostull (Gr. ἀπόστολος, G693) është përdorur në një kuptim të gjerë, për të mos iu referuar ndonjë posti specifik kishtar, por thjesht me kuptimin “lajmëtar.” Tek “Filipianëve” 2:25, Pali e quan Epafroditin “bashkëpunëtor tuaj (ἀπόστολος) dhe shërbenjës në nevojat e mia”; tek “2 Korintasve” 8:23, Pali u referohet atyre të cilët e shoqëruan ofertën që ai po merrte, në Jerusalem si “bashkëpunëtor [ἀπόστολοι nga ἀπόστολος (G693)] të kishave”; dhe tek “Gjoni” 13:16, Jezusi thotë: “As i dërguari [ἀπόστολος] (nuk është) më i madh se ai që e ka dërguar.”
Por ka edhe një kuptim tjetër për fjalën apostull. Shumë më shpesh në Besëlidhjen e Re, kjo fjalë i referohet një posti të veçantë, “apostull i Jezus Krishtit.” Në këtë kuptim të ngushtë të këtij termi, sot nuk ka më apostuj, dhe ne nuk duhet të presim për të tjerë. Kjo është për shkak të asaj që Besëlidhja e Re thotë rreth cilësive kualifikuese për të qenurit një apostull dhe se kush ishin apostujt.
a. Cilësitë kualifikuese të një apostulli: Dy cilësitë e të qenurit një apostull ishin: (1) shikimi i Jezusit pas ringjalljes së Tij me sytë e vet (duke qenë kësisoj një “dëshmitar okular i ringjalljes”), dhe (2) duke patur specifikisht mandat nga Krishti si apostull i Tij.[71]4
Fakti që një apostull duhej ta kishte parë Zotin e ringjallur me sytë e vet, tregohet tek “Veprat” 1:22, ku Pjetri tha që personi i cili duhet të zëvendësonte Judën “dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij.” Për më tepër, ishte ndaj “apostujve që ai kishte zgjedhur” që “pas vuajtjes së tij, iu paraqit i gjallë me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë” (Veprat 1:2–3; kr. 4:33).
Pali e trajton si të rëndësishëm faktin që ai vetë nuk e plotësonte këtë cilësi kualifikuese paçka se kjo qe bërë në një mënyrë të pazakontë (Krishti iu shfaq atij në një vizion rrugës për në Damask dhe e caktoi atë që të ishte një apostull: “Veprat” 9:5–6; 26:15–18). Kur ai është duke mbrojtur apostullimin e vet, ai thotë: “A s'jam apostull? ... Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotin tonë?” (1 Kor. 9:1). Gjithashtu, kur merr me radhë njerëzit të cilëve Krishti iu shfaq pas ringjalljes, Pali thotë: “Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Dhe në fund të të gjithëve m'u shfaq edhe mua, si një dështaku. Sepse unë jam më i vogli i apostujve, që nuk jam i denjë të quhem apostull” (1 Kor. 15:7–9).
Këto vargje ndërthuren për të treguar se nëse ndokush nuk e kishte parë Jezusin pas ringjalljes me sytë e vet, ai nuk mund të ishte apostull.
Cilësia e dytë kualifikuese, caktimi specifik nga Krishti si një apostull, është gjithashtu e dukshme nga një sërë vargjesh. Së pari, paçka se termi apostull nuk njihet gjerësisht tek ungjijtë, dymbëdhjetë dishepujt quhen “apostuj” specifikisht në një kontekst ku Jezusi është duke i mandatuar ata, “duke i dërguar ata” që të predikojnë në emrin e Tij:
Dhe Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij pranë vetes, u dha pushtet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë. Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta.... Këta janë të Dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi, “... shkoni dhe predikoni duke thënë: ``Mbretëria e qiejve u afrua''.”’ (Mat. 10:1–7)
Po kështu, Jezusi i mandatoi apostujt e Vet në një kuptim të veçantë që të ishin “dëshmitarët e tij ... deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8). Gjithashtu, për të zgjedhur një apostull tjetër për të zëvendësuar Judën, njëmbëdhjetë apostujt nuk e morën mbi vete përgjegjësinë, por u lutën dhe i kërkuan Krishtit të ngritur lart që ta bënte Ai emërimin:
“Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur, për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua ..." Atëherë hodhën short për ta, dhe shorti i ra Matias; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve. (Veprat 1:24–26)
Pali vetë këmbëngul që Krishti personalisht e caktoi atë si apostull. Ai tregon se si, rrugës për të Damask, Jezusi i tha se po e caktonte si një apostull për johebrenjtë: “sepse për këtë të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmitar... duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga kombet, tek të cilët po të dërgoj tani” (Veprat 26:16–17). Më vonë ai e pohon se qe caktuar specifikisht nga Krishti si një apostull (shiko Rom. 1:1; Gal. 1:1; 1 Tim. 1:12; 2:7; 2 Tim. 1:11).
b. Kush ishin apostujt? Grupi fillestar i apostujve, shkonte në dymbëdhjetë vetë, njëmbëdhjetë dishepujt e parë të cilët mbetën pas vdekjes së Judës, plus Matiasin, i cili zëvendësoi Judën: “Atëherë hodhën short për ta, dhe shorti i ra Matias; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve” (Veprat 1:26). Kaq i rëndësishëm ishte ky grup fillestar i dymbëdhjetë apostujve, “funksionarët e parë” të postit të apostujve, saqë lexojmë se emrat e tyre janë gdhendur në themelet e qytetit qiellor, Jerusalemit të Ri: “Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe në to emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit” (Zbu. 21:14).
Në fillim ne mund të mendojmë se një grup i tillë nuk mund të zgjerohej kurrë, e që askush nuk mund t’i shtohet. Gjithsesi Pali më pas pretendon në mënyrë të qartë që edhe ai është një apostull. Edhe “Veprat” 14:14 quan si Barnabën ashtu edhe Palin apostuj: “Por apostujt Barnaba dhe Pal, kur dëgjuan këtë....” Kështu, me Palin dhe Barnabën ka katërmbëdhjetë “apostuj të Jezus Krishtit.”[72]5
Pastaj Jakobi, vëllai i Jezusit (i cili nuk ishte një prej dymbëdhjetë dishepujve të parë) duket se quhet apostull tek “Galatasve” 1:19: Pali tregon se si, kur shkoi në Jerusalem, “Ndonjë tjetër nga apostujt nuk pashë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit.”[73]6 Pastaj, tek “Galatasve” 2:9, Jakobi klasifikohet me Pjetrin dhe Gjonin si “shtylla” të kishës së Jerusalemit. Gjithashtu, tek “Veprat” 15:13–21, Jakobi, bashkë me Pjetrin, ushtron një funksion të konsiderueshëm drejtimi në Këshillin e Jerusalemit, një funksion i cili do të ishte i përshtatshëm për postin e apostullit. Për më tepër, kur Pali po rendit shfaqjet e Jezusit të ringjallur, ai edhe një herë tjetër me gatishmëri e klasifikon Jakobin me apostujt:
Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Dhe në fund të të gjithëve m'u shfaq edhe mua, si një dështaku. Sepse unë jam më i vogli i apostujve, që nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë. (1 Kor. 15:7–9)
Si përfundim, fakti që Jakobi do mund ta shkruante letrën e Besëlidhjes së Re e cila mban emrin e tij, do të ishte gjithashtu plotësisht e përputhshme me patjen prej tij të autoritetit i cili i takonte postit të apostullit, autoritetin për të shkruar fjalë të cilat ishin fjalët e Perëndisë. Të tërë këta faktorë ndërthuren për të treguar se Jakobi, vëllai i Zotit ishte gjithashtu i mandatuar nga Krishti si apostull. Kjo do ta çonte në pesëmbëdhjetë numrin “e apostujve të Jezus Krishtit” (dymbëdhjetë plus Palin, Barnabën, dhe Jakobin).
A kishte më shumë sesa këto pesëmbëdhjetë vetë? Me shumë mundësi mund të ketë patur edhe disa të tjerë, paçka se ata ne i njohim pak, për të mos thënë aspak, dhe nuk është e sigurt nëse ka patur të tjerë. Të tjerët, sigurisht, e kishin parë Jezusin pas ringjalljes së Tij (“Më pas iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve,” 1 Kor. 15:6). Nga ky grup i madh është e mundshme që Krishti të ketë caktuar disa të tjerë si apostuj, por është gjithashtu shumë e mundshme që Ai të mos e ketë bërë këtë. Provat nuk mjaftojnë për ta zgjidhur këtë çështje.
“Romakëve” 16:7 thotë: “Të fala Andronikut dhe Junisë, farefis të mi dhe shokë burgu, të cilët janë dalluar midis apostujve dhe kanë qenë në Krishtin përpara meje.” Për shkak se ka një sërë problemesh me përkthimin në këtë varg, nuk mund të dalim në një përfundim të qartë. “Të dalluar” mund të përkthehet gjithashtu “njerëz të dalluar nga” (apostujt). “Juni” (emër burri) mund të përkthehet gjithashtu “Junia” (emër gruaje).[74]7 “Apostujve” këtu mund të mos ketë kuptimin e postit “apostuj të Jezus Krishtit,” por mund të ketë kuptimin thjesht “lajmëtarë” (kuptimi më i gjerë që kjo fjalë merr tek “Fil.” 2:25; “2 Kor.” 8:23; “Gjoni” 13:16). Ky varg paraqet një informacion shumë pak të qartë, aq sa nuk na lejon që të dalim në një përfundim.
Edhe të tjerë janë sugjeruar si apostuj. Silasi (Silvani) dhe nganjëherë Timoteu, janë përmendur si të tillë për shkak të “1 Thesalonikasve” 2:6: “megjithëse mund t'ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit.” A përfshin Pali këtu edhe Silasin dhe Timoteun, përderisa kjo letër fillon me: “Pali dhe Silvani dhe Timoteu” (1 Thes. 1:1)?
Nuk ka të ngjarë që Pali të jetë duke përfshirë Timoteun në këtë deklaratë, e kjo për dy arsye. (1) Vetëm katër vargje më herët, ai thotë: “mbasi vuajtëm më parë dhe u keqtrajtuam siç e dini, në Filipi” (1 Thes. 2:2), por kjo i referohet rrahjes dhe burgosjes që ndodhi vetëm ndaj Palit dhe Silasit, e jo ndaj Timoteut (Veprat 16:19). Kështu, “ne-ja” (e nënkuptuar në shqip [sh. i përkth.]) në vargun 6 nuk duket se përfshin të tërë njerëzit (Palin, Silvanin, Timoteun) të përmendur në vargun e parë. Kjo letër në përgjegjësi është nga Pali, Silasi dhe Timoteu, por Pali e di se lexuesit në mënyrë të natyrshme do t’i kuptojnë pjesëtarët e duhur të asaj që tregohet me fjalën “ne” kur ai nuk nënkupton përfshirjen e të tre atyre në disa seksione të caktuara të kësaj letre. Ai nuk specifikon “—d.m.th., Silasi dhe unë—kemi vuajtur tashmë dhe jemi trajtuar në mënyrë të turpshme në Filipi, ashtu sikurse keni dijeni,” sepse selanikasit e dinin se kush ishte “ne-ja” për të cilën po flet ai.
(2) Kjo shikohet gjithashtu tek “1 Thesalonikasve” 3:1–2, ku “ne-ja” padyshim që nuk mund të përfshijë Timoteun:
Prandaj, mbasi nuk mundëm më të duronim, na u duk e pëlqyeshme të qëndrojmë, të vetëm, në Athinë, dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit, që t'ju forcojë dhe t'ju japë zemër në besimin tuaj. (1 Thes. 3:1–2)
Në këtë rast, “ne-ja” i referohet ose Palit dhe Silasit, ose përndryshe thjesht vetëm Palit (shiko Veprat 17:14–15; 18:5). Është e qartë që Silasi dhe Timoteu kishin shkuar tek Pali në Athinë “sa më parë” (Veprat 17:15)—paçka se Luka nuk e përmend mbërritjen e tyre në Athinë—dhe Pali i kishte kthyer prapa në Thesalonik përsëri për të ndihmuar kishën e atjeshme. Pastaj ai vetë shkoi në Korint, dhe ata më pas u bashkuan me të atje (Veprat 18:5).
Gjasat më të mëdha janë që “Na u duk e pëlqyeshme të qëndrojmë, të vetëm, në Athinë” (1 Thes. 3:1), i referohet vetëm Palit, edhe sepse ai e zë këtë argument përsëri në vargun 5 duke përdorur njëjësin “unë” (“Për këtë arsye edhe unë, si nuk duroja më, dërgova të marr vesh për besimin tuaj,” 1 Thes. 3:5), dhe për shkak se çështja e lidhur me vetminë ekstreme në Athinë, nuk do të ekzistonte po qe se Silasi do të kishte qëndruar me të.[75]8 Në fakt, në paragrafin e mëparshëm, Pali e ka fjalën për “unë,” sepse ai thotë: “Prandaj deshëm të vijmë te ju sidomos unë Pali, një herë e përsëri, por Satani na pengoi” (1 Thes. 2:18). Është e qartë që ai është duke përdorur “ne-në (e nënkuptuar në shqip [sh. i përkth])” më shpesh në këtë letër si një mënyrë e mirësjellshme e përfshirjes së Silasit dhe Timoteut, të cilët kishin kaluar shumë kohë në kishën e Thesalonikut, në letrën dërguar asaj kishe. Por, thesalonikasit do të kishin pak dyshim se kush ishte në të vërtetë përgjegjës për këtë mision të madh ndaj johebrenjve, si dhe tek autoriteti i kujt varej kryesisht (apo ekskluzivisht) letra.
Kështu, është e mundshme që Silasi vetë të ishte apostull dhe se “1 Thes.” 2:6 e nënkupton këtë. Ai qe një pjesëtar kryesor i kishës së Jerusalemit (Vep. 15:22), dhe fare mirë mund ta kishte parë Jezusin pas ringjalljes së Tij, dhe pastaj të ishte caktuar si apostull. Por për këtë ne nuk mund të jemi shumë të sigurt.
Sidoqoftë, situata me Timoteun është shumë ndryshe. Ashtu sikurse ai është përjashtuar nga “neja” e “1 Thesalonikasve” 2:2 (dhe 3:1–2), po kështu ai duket se është përjashtuar nga “neja” e “1 Thesalonikasve” 2:6. Për më tepër, si një vendas nga Listra (Veprat 16:1–3) që për Krishtin kishte mësuar nga gjyshja dhe mamaja e tij (2 Tim. 1:5), duket e pamundur që ai të ketë qenë në Jerusalem përpara Rrëshajës dhe që atje të kishte parë Zotin e ringjallur e të kishte besuar tek ai, e pastaj papritur të qe caktuar si apostull. Plus kësaj, Mënyra se si Pali adreson letrat e tij, gjithmonë ruan me xhelozi titullin “apostull” për veten e vet, duke mos lejuar kurrë që ai titull të gjejë zbatim tek Timoteu apo tek bashkudhëtarët e tjerë të udhëtimeve të tij (shënim 2 Kor. 1:1; Kol. 1:1: “Pali, apostull i Jezu Krishtit... dhe vëllai Timote”; dhe pastaj “Fil.” 1:1: “Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit”). Kështu, Timoteu, sado rol të rëndësishëm që të kishte, nuk do të konsiderohej me të drejtë një prej apostujve.
Kjo na jep një numër të kufizuar por disi jo të saktë të atyre që kishin postin e “apostujve të Jezus Krishtit.” Duket se ka patur të paktën pesëmbëdhjetë e ndoshta gjashtëmbëdhjetë, apo edhe ca më shumë të cilët nuk janë dokumentuar në Besëlidhjen e Re.
Megjithëkëtë, duket mjaft e sigurt që askush nuk u caktua si i tillë pas Palit. Kur Pali rendit shfaqjet e Krishtit të ringjallur, ai thekson mënyrën e pazakontë në të cilën Krishti iu shfaq atij, dhe këtë e lidh me deklaratën se kjo qe shfaqja e “fundit” e të tërave, dhe se ai vetë është me të vërtetë “më i vogli i apostujve, që nuk jam i denjë të quhem apostull.”
Iu shfaq Kefës, pastaj të Dymbëdhjetëve. Më pas iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë deri më sot, kurse disa kanë fjetur. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Dhe në fund të të gjithëve m'u shfaq edhe mua, si një dështaku. Sepse unë jam më i vogli i apostujve, që nuk jam i denjë të quhem apostull...” (1 Kor. 15:5–9)
c. Përmbledhje: Fjala apostull mund të përdoret në një kuptim të gjerë ose të ngushtë. Në një kuptim të gjerë ajo thjesht ka kuptimin “lajmëtar” apo “misionar pionier.” Por në një kuptim të ngushtë, kuptimi më i zakonshëm në Besëlidhjen e Re, i referohet një posti specifik, “apostull i Jezus Krishtit.” Këta apostuj kishin një autoritet të pashoq për të themeluar dhe drejtuar kishën e hershme, dhe ata mund të flitnin e të shkruanin fjalët e Perëndisë. Shumë prej fjalëve të tyre të shkruara u bënë Shkrime të Besëlidhjes së Re.
Me qëllim për t’u kualifikuar si apostull, personi (1) duhej ta kishte parë me sytë e vet Krishtin të ringjallur prej së vdekurish, dhe (2) duhej të qe caktuar specifikisht nga Krishti si apostull. Ekzistonte një numër i kufizuar apostujsh, ndoshta pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë apo pak më shumë. Besëlidhja e Re nuk tregon shprehimisht numrin e tyre. Dymbëdhjetë apostujve të parë (të Njëmbëdhjetëve plus Matian) iu bashkuan Barnaba dhe Pali, me shumë mundësi Jakobi, ndoshta Silasi, dhe ka mundësi edhe Androniku e Juniasi apo edhe disa të tjerë të pa treguar me emër. Duket se pas Palit, nuk u caktua asnjë apostull, dhe padyshim, përderisa askush sot nuk mundet të plotësojë cilësitë kualifikuese se ka shikuar Krishtin e ringjallur me sytë e vet, mund të themi se sot nuk ka apostuj.[76]9 Në vend të apostujve të gjallë të pranishëm në kishë për të dhënë mësim dhe për ta drejtuar atë, kemi shkrimet e apostujve në librat e Besëlidhjes së Re. Ato Shkrime të Besëlidhjes së Re plotësojnë për kishën sot mësimin absolut autoritar si dhe funksionet qeverisëse të cilat u përmbushën nga vetë apostujt gjatë viteve të para të kishës.
Paçka se disa mund ta përdorin fjalën apostull në anglisht sot për t’iu referuar kishë-mbjellësve apo ungjilltarëve shumë efikasë, duket e papërshtatshme si dhe jondihmuese që ta bëjmë këtë, sepse kjo thjesht i pështjellon njerëzit të cilët lexojnë Besëlidhjen e Re si dhe shikojnë autoritetin e lartë që i atribuohet postit të “apostullit” atje. Vlen të thuhet se asnjë drejtues kryesor në historinë e kishës—as Athanasi e as Agustini, as Luteri apo Kalvini, As Uesli apo Uajtfilldi (Whitefield) —nuk ka marrë mbi vete titullin “apostull” apo lejoi të quhej apostull. Nëse ndokush në kohët e sotme do donte të merrte titullin “apostull” mbi vete, menjëherë do të ngrinte dyshimin se mund të jetë i motivuar nga një krenari e pavend si dhe dëshira për vetë-përlëvdim, bashkë me një ambicie të tepruar si dhe një dëshirë për shumë më tepër autoritet në kishë nga ç’mund të ketë me të drejtë ndokush.
2. Plak (Pastor/Mbikëqyrës/Peshkop).
a. Pleqtë në shumës: Modeli në të tëra kishat e Besëlidhjes së Re: Posti tjetër kishtar që do merret në shqyrtim, është ai i “plakut.” Paçka se disa kanë thënë se forma të ndryshme të qeverisjes së kishës janë evidente në Besëlidhjen e Re,[77]10 një sondazh i teksteve përkatëse tregon se e kundërta e kësaj vlen të thuhet: ekziston një model mjaft i përputhshëm i pleqësisë në shumës si grupi kryesor qeverisës në kishat e Besëlidhjes së Re. Për shembull, tek “Veprat” 14:23 lexojmë: “Mbasi u caktuan atyre pleqtë[78]11 sipas kishave, u lutën me agjërime, ia lanë Zotit, në të cilin kishin besuar.” Kjo gjë ndodh në udhëtimin e parë misionar të Palit kur ai po kthehej përmes qyteteve Listra, Ikon, dhe Antiok. Kjo tregon se procedura normale e Palit që prej kohës së udhëtimit të tij të parë misionar, ishte që të ngrinte një grup pleqsh në secilën kishë, pak kohë pasi kisha të kishte nisur të ekzistonte. Ne e dimë se Pali caktoi gjithashtu pleq në kishën e Efesit, sepse lexojmë se: “Nga Mileti dërgoi në Efes që të thërriste pleqtë e kishës” (Veprat 20:17). Për më tepër, ndihmësit apostolikë të Palit, me sa duket qenë udhëzuar të kryenin një proces të ngjashëm, sepse Pali i shkroi kështu Titit: “Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të rregullosh punët që kanë mbetur pa u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, siç të porosita” (Titit 1:5). Pak kohë pasi një kishë u ngrit, edhe një herë tjetër ne shikojmë pleqësinë e cila caktohet në detyrë, në “çdo qytet” në të cilin kishte një kishë. Gjithashtu, Pali e kujton Timoteun për kohën e “vënies së duarve nga pleqësia” (1 Tim. 4:14).
Jakobi shkruan: “A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, mbasi ta lyejnë me vaj në emër të Zotit” (Jakobi 5:14). Kjo është një deklaratë e rëndësishme për shkak se letra e Jakobit është një letër e përgjithshme e shkruar ndaj shumë kishave, ndaj të tërë besimtarëve të shpërndarë jashtë shtetit, të cilët Jakobi i përshkruan si “dymbëdhjetë fiset e shpërndara” (Jakobi 1:1). Kjo tregon se Jakobi priste se do të kishte pleq në çdo kishë të Besëlidhjes së Re tek e cila do të mbërrinte letra e tij e përgjithshme, d.m.th, në të tëra kishat që ekzistonin në atë kohë.
Një përfundim i ngjashëm mund të nxirret nga “1 Pjetrit”. Pjetri shkruan: “U bëj thirrje pleqve midis jush.... ruani tufën e Perëndisë midis jush...” (1 Pjetrit 5:1–2). Letra e parë e Pjetrit është gjithashtu një letër e përgjithshme e shkruar për dhjetëra kisha të përhapua nëpër të katër provincat romake të Azisë së Vogël (shiko 1 Pjetrit 1:1; Bitinia dhe Ponti përbënin një provincë të vetme romake). Larg prej pritshmërisë së llojeve të ndryshme të qeverisjes kur ai po shkruante (rreth vitit 62 mbas K., më shumë se tridhjetë vjet pas Rrëshajës), Pjetri supozon se të tëra këto kisha, qofshin të themeluara nga Pali apo nga të tjerët, qofshin kryesisht pagane apo kryesisht judaike apo të ndara në mënyrë të barasvlershme në përbërjen e tyre, kanë pleq që i drejtojnë. Për më tepër, kishte pleq edhe në kishën e Jerusalemit (Veprat 11:30; 15:2), dhe, paçka se fjala pleq nuk është përdorur, ka një shumësi drejtuesish në grigjën të cilës i drejtohet letra e Hebrenjve, sepse autori thotë: “Dëgjoni udhëheqësit tuaj dhe bindjuni, sepse ata rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari” (Heb. 13:17).
Dy përfundime të rëndësishme mund të nxirren nga ky vështrim i përgjithshëm i provave të Besëlidhjes së Re. Së pari, asnjë pasazh nuk sugjeron që ndonjë kishë, pavarësisht se sa e vogël, të kishte vetëm një plak. Vazhda e pandryshueshme e Besëlidhjes së Re është për një shumësi pleqsh “sipas kishave” (Veprat 14:23) dhe “në çdo qytet” (Titit 1:5).[79]12 Së dyti, ne nuk shikojmë një larmi formash drejtimi në kishën e Besëlidhjes së Re por një vazhdë të unifikuar dhe të përputhshme në të cilën çdo kishë ka pleq që e drejtojnë e që e ruajnë (Veprat 20:28; Heb. 13:17; 1 Pjetrit 5:2–3).
b. Emrat e tjerë për pleqtë: Pastorë, Mbikëqyrës, Peshkopë: Pleqtë quhen gjithashtu “pastorë” apo “peshkopë” apo “mbikëqyrës” në Besëlidhjen e Re. Fjala më pak e përdorur rëndom (të paktën në formë emri) është pastor (Gr. ποιμήν, G4478). Për ne mund të jetë e habitshme kur shikojmë që kjo fjalë e cila është bërë kaq e zakonshme në anglisht, shfaqet vetëm një herë në Besëlidhjen e Re kur flasim për një funksionar kishe. Tek “Efesianëve” 4:11, Pali shkruan: “Dhe ai dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë, të tjerë si barinj e mësues.” Ky varg me shumë mundësi përkthehet më mirë “pastorë-mësues” (një grup) e jo “pastorë dhe mësues” (duke sugjeruar me këtë dy grupe) për shkak të ndërtimit të greqishtes (paçka se jo çdo studiues i Besëlidhjes së Re është i të njëjtit mendim për sa i takon këtij përkthimi).[80]13 Lidhja me mësimdhënien sugjeron se këta pastorë ishin disa (apo ndoshta të tërë) prej pleqësisë të cilët kryen veprën e mësimdhënies, sepse njëra nga cilësitë për një plak është që ai është “i aftë të japë mësim” (1 Tim. 3:2).
Paçka se emri pastor (ποιμήν, G4478) nuk është përdorur për funksionarët e kishës gjetiu në Besëlidhjen e Re,[81]14 folja e lidhur me këtë e cila ka kuptimin “të veprosh si një bari” apo “të veprosh si një pastor” (Gr. ποιμαίνω, G4477) gjen zbatim tek pleqtë në adresimin që Pali i bën pleqve efesianë. Ai u thotë atyre: “kullotni kishën e Perëndisë” (Veprat 20:28, duke përkthyer fjalë për fjalë foljen ποιμαίνω), dhe në të njëjtën fjali ai i referohet popullit të Perëndisë me fjalët: “gjithë tufën,” duke përdorur një tjetër emër të lidhur me këtë (Gr. ποίμνιον, G4480) që do të thotë “një tufë delesh.” Kështu, Pali, drejtpërsëdrejti i porosit këta pleq efesianë që të veprojnë si barinj apo “pastorë.”[82]15
E njëjta folje është përdorur tek “1 Pjetrit” 5:2 ku Pjetri u thotë pleqve që të “baritojnë (ποιμαίνω, G4477) tufën e Perëndisë që është detyra juaj” (përkthimi i autorit). Pastaj, dy vargje më vonë, Jezusi quhet krye-pastori apo “bariu kryesor” (Gr. ἀρχιποίμην (G799) 1 Pjetrit 5:4), duke nënkuptuar mjaft qartë që edhe Pjetri i shikonte pleqtë si barinj apo “pastorë” në kishë. Për rrjedhojë, paçka se emri pastor është përdorur vetëm një herë për t’iu referuar pleqve, folja e lidhur me të është përdorur dy herë në pasazhet të cilat në mënyrë të shkoqur e identifikojnë detyrën e baritimit me postin e plakut.
Një term tjetër i përdorur për pleqësinë në Besëlidhjen e Re, është një fjalë greke ἐπίσκοπος (G2176) e cila në vende të ndryshme është përkthyer: “mbikëqyrës” apo “peshkop,” në varësi të pasazhit individual si dhe përkthimit në anglisht.[83]16 Por kjo fjalë duket gjithashtu mjaft qartë se është një term tjetër për pleqësinë në përdorimin e Besëlidhjes së Re. Për shembull, kur Pali ka thirrur tek vetja e tij pleqësinë e kishës në Efes (Veprat 20:17), ai u thotë: “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikëqyrës (Gr. ἐπίσκοπος)” (Veprat 20:28). Pali me shumë gatishmëri u referohet këtyre pleqve efesianë si “mbikëqyrës” (apo “peshkopë”).
Tek “1 Timoteut” 3:1–2, Pali shkruan: “Kjo fjalë është e besueshme: Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, punë të mirë dëshiron. Duhet, pra, që peshkopi të jetë i paqortueshëm ...” Ne duhet të mos harrojmë që Pali po i shkruan Timoteut kur Timoteu është në Efes (shiko 1 Tim. 1:3, “të qëndrosh në Efes”) dhe ne tashmë e dimë nga “Veprat” 20 se në Efes kishte pleq (Veprat 20:17–38). Për më tepër, tek “1 Timoteut” 5:17, shikojmë se pleqtë po drejtonin kishën në Efes kur Timoteu qe atje, për shkak se thuhet: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish.” Tani, “peshkopët” tek “1 Timoteut” 3:1–2 duhet që gjithashtu të ushtrojnë autoritetin e tyre mbi kishën në Efes për shkak se një tipar kualifikues është se një syresh është një “njeri që e qeveris mirë shtëpinë e vet ... në qoftë se dikush nuk di ta qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?” (1 Tim. 3:4–5). Kështu që këtu duket gjithashtu se “peshkop” apo “mbikëqyrës” është thjesht një term tjetër për “plak”, përderisa këta “peshkopë” përmbushin të njëjtin funksion si pleqtë bëjnë gjetiu në këtë letër tek “Veprat” 20.
Tek “Titit” 1:5, Pali i thotë Titit që: “në çdo qytet, të caktosh pleq” dhe jep disa tipare kualifikuese (v. 6). Pastaj në pikërisht fjalinë tjetër (v. 7), ai jep arsyet për këto tipare kualifikuese, dhe e fillon duke thënë: “Sepse peshkopi, si administrator i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm.” Këtu përsëri ai përdor fjalën “peshkop” për t’iu referuar pleqve të cilët Titi duhet të emëronte, duke dhënë edhe një tregues tjetër që termat pleq dhe peshkopë, ishin të ndërkëmbyeshëm.
Si përfundim, tek “Filipianëve” 1:1, Pali shkruan: “gjithë shenjtorëve në Krishtin Jezus që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët.” Edhe këtu duket me vend që të mendojmë se “peshkopë” është thjesht edhe një emër tjetër për “pleq,” pasi padyshim që kishte pleq në Filipi, përderisa ishte praktika e Palit që të caktonte pleq në çdo kishë (shiko Veprat 14:23). Gjithashtu, nëse kishte pleq të cilët drejtonin në kishën në Filipi, është e paimagjinueshme që Pali do t’i shkruante kishës dhe të veçonte peshkopët dhe dhjakët, por jo pleqtë, po qe se posti i tyre do ishte i të dyve i ndryshëm nga ai i pleqve. Për rrjedhojë, nëpërmjet “peshkopëve dhe dhjakëve”, Pali duhet të ketë nënkuptuar të njëjtën gjë si “pleq dhe dhjakë.”[84]17 Paçka se në disa pjesë të kishës që prej shekullit të dytë mbas K. e në vazhdim, fjala peshkop është përdorur për t’iu referuar një individi të vetëm me autoritet përmbi disa kisha, ky qe një zhvillim i mëvonshëm i këtij termi e nuk gjendet në vetë Besëlidhjen e Re.
c. Funksionet e pleqve: Një prej roleve kryesore të pleqve në Besëlidhjen e Re, është të drejtojnë kishat e Besëlidhjes së Re. Tek “1 Timoteut” 5:17 lexojmë: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish.” Më përpara, në të njëjtën letër, Pali thotë se një mbikëqyrës (apo plak) “e qeveris mirë shtëpinë e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjelljeje (por në qoftë se dikush nuk di ta qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?” (1 Tim. 3:4–5).
Pjetri gjithashtu lë të kuptohet një funksion drejtues për pleqtë kur ai i nxit duke u thënë:
Ruani tufën e Perëndisë midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me vullnet të lirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën. Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket. Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqve. (1 Pjetrit 5:2–5)
Fakti që ata duhet të veprojnë si barinj të tufës së Perëndisë, si dhe fakti që ata nuk duhet që të tregohen autoritarë (d.m.th. të mos drejtojnë me ashpërsi apo si shtypës) sugjeron me forcë se pleqtë kanë funksione drejtuese apo qeverisëse në kishat të cilave Pjetri po u shkruan. Kjo është e përputhshme me porosinë e tij që veçanërisht ata që janë më të rinj, u thuhet: “nënshtrojuni pleqve” (v. 5).[85]18
Paçka se “Hebrenjve” 13:17 nuk përmend me emër pleqtë, padyshim që ka disa funksionarë kishe me autoritet drejtues mbi kishën, sepse autori thotë: “Dëgjoni udhëheqësit tuaj dhe bindjuni, sepse ata rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari.” Përderisa Besëlidhja e Re nuk lë të kuptohet për ekzistencën e ndonjë funksionari tjetër në kishë me këtë lloj autoriteti, është e arsyeshme që të dalim në përfundimin se grigja duhet t’i nënshtrohet e t’i bindet pleqësisë së saj. (Ky përfundim është gjithashtu i përputhshëm me përshkrimin e përgjegjësive që Pali u jep pleqësisë efesiane tek “Veprat” 20:28.)
Përveç përgjegjësive drejtuese, pleqtë gjithashtu duket se kanë patur përgjegjësi mësimdhënieje në kishat e Besëlidhjes së Re. Tek “Efesianëve” 4:11, pleqtë janë referuar si “pastorë-mësues” (apo, sipas një përkthimi alternativ, pastorë të cilët shikohen si të lidhur mjaft ngushtë me mësuesit). Gjithashtu, tek “1 Timoteut” 3:2, një mbikëqyrës (plak) duhet të jetë “i aftë të japë mësim.” Pastaj, tek “1 Timoteut” 5:17, Pali thotë: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen në fjalë e mësim.” Këtu Pali duket se nënkupton se ekziston një grup i veçantë pleqsh të cilët “mundohen në fjalë e mësim.” Kjo do të thotë të paktën se ka disa ndër pleqtë të cilët i kushtojnë më shumë kohë veprimtarive të predikimit dhe mësimdhënies, dhe madje mund të nënkuptojnë se ka disa të cilët “punojnë” në kuptimin e nxjerrjes së jetesës së tyre nga predikimi dhe mësimi. Të njëjtat përfundime mund të nxirren nga Titi, ku Pali thotë se një plak “mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjendje me doktrinën e shëndoshë të nxisë dhe të bindë ata që flasin kundër” (Titit 1:9).[86]19
Atëherë, pleqtë, kishin përgjegjësi për të ushtruar autoritetin e tyre si dhe për të dhënë mësim në kishat e Besëlidhjes së Re.
d. Cilësitë kualifikuese për një plak: Kur Pali rendit cilësitë kualifikuese për pleqtë, është domethënëse që ai ndërthur kërkesat për sa i takon tipareve të karakterit të tyre si dhe qëndrimeve të zemrës së tyre, me kërkesat të cilat nuk mund të përmbushen në një kohë të shkurtër, por të cilat do të bëhen të dukshme përgjatë një periudhe prej disa vjetësh të një jetese me besnikëri të krishterë:
Duhet, pra, që peshkopi të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme, të jetë i kthjellët, i arsyeshëm, i ndershëm, mikpritës, i aftë të japë mësim, të mos jepet pas verës, të mos jetë i dhunshëm, të mos jetë lakmues i fitimeve të turpshme, por i butë, jo grindavec, të mos dojë paranë; njeri që e qeveris mirë shtëpinë e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjelljeje (por në qoftë se dikush nuk di ta qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?). Të mos jetë i posakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gjykimin e djallit. Por duhet që ai të ketë dëshmi të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos bjerë në turp dhe grackën e djallit. (1 Tim. 3:2–7)
Cilësi kualifikuese të ngjashme por të shprehura ndryshe, gjenden tek “Titit” 1:6–9, ku Pali thotë se Titi duhet të caktojë pleq në çdo qytet:
Nëse njëri është i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që nuk akuzohen për jetë të shthurur dhe mosnënshtrim. Sepse peshkopi, si administrator i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm, por mikpritës, mirëdashës, mendjegjerë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur, që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjendje me doktrinën e shëndoshë të nxisë dhe të bindë ata që flasin kundër. (Titit 1:6–9)
Ata të cilët sot zgjedhin pleq në kisha, do të bënin mirë që të shikonin me kujdes kandidatët në dritën e këtyre cilësive kualifikuese, si dhe për të kërkuar për këto tipare karakteri si dhe vazhda jetese të perëndishme e jo arritjet, famën apo suksesin e botës. Veçanërisht në kishat e shoqërive të industrializuara perëndimore, duket se ka një prirje për të menduar se suksesi në botën e biznesit (apo jurisprudencës, mjekësisë apo qeverisë) është një tregues i përshtatshmërisë për postin e plakut, por nuk është kjo ajo që Besëlidhja e Re na mëson. Ajo na kujton se pleqtë duhet të jenë “shembull për tufën” në jetën e tyre të përditshme, dhe kjo padyshim që do të përfshinte edhe marrëdhënien e tyre vetjake me Perëndinë në leximin e Biblës, në lutje dhe në adhurim. Pikërisht ashtu sikurse Pali mund të thoshte: “Jini imitues të mi, ashtu si unë jam i Krishtit” (1 Kor. 11:1; kr. 2 Tim. 3:10–11), dhe njëlloj sikurse ai mund ta urdhëronte Timoteun duke i thënë: “bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Tim. 4:12), dhe njëlloj sikurse ai mund t’i thoshte Titit: “duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në doktrinë pastërti, dinjitet, paprishshmëri” (Titit 2:7), në mënyrë që ky model të vazhdohet në jetën e të tërë drejtuesve të kishës sot. Që jeta e tyre të shërbejë si shembull për t’u ndjekur nga të tjerët, kjo nuk është opsionale; kjo është kërkesë e domosdoshme.
e. Cili është kuptimi i “burrë i një gruaje të vetme”? Cilësia kualifikuese “burrë i një gruaje të vetme” (1 Tim. 3:2; Titit 1:6) është kuptuar në mënyra të ndryshme. Disa kanë menduar se ajo përjashton nga posti i pleqve burrat që janë divorcuar e të cilët pastaj janë martuar me dikë tjetër, përderisa kësisoj ata janë bërë bashkëshort të dy grave. Por kjo nuk duket se është një kuptimi i saktë i këtyre vargjeve. Një interpretim më i mirë është që Pali po ndalonte një poligamist (një burrë i cili në të njëjtën kohë ka më shumë se një bashkëshorte) që të ishte një plak. Ka një sërë arsyesh të cilat mbështetin këtë pikëpamje: (1) Të tëra cilësitë kualifikuese të renditura nga Pali, i referohen statusit të tanishëm të personit e jo të tërë jetës së kaluar të tij. Për shembull, “1 Timoteut” 3:1–7 nuk do të thotë: “dikush i cili nuk ka qenë kurrë i dhunshëm,” por “një i cili tani nuk është i dhunshëm, por i butë.” Kjo nuk do të thotë “dikush që nuk ka qenë kurrë një person që i ka dashur paratë,” por “një i cili tani nuk është një dashës i parave.” Kjo nuk do të thotë “një i cili ka qenë i paqortueshëm për të tërë jetën,” por “një i cili tani është i paqortueshëm.” Nëse këto cilësi kualifikuese do t’ia vishnim të tërë jetës së kaluar të një personi, atëherë do të përjashtonim nga posti pothuajse të tërë ata të cilët u bënë të krishterë kur u rritën, pasi është e vështirë të besohet se ndonjë jo i krishterë do mund t’i plotësonte këto cilësi kualifikuese.
(2) Pali mund të kishte thënë “që të ketë qenë i martuar vetëm njëherë” po të kishte dashur, por nuk e tha.[87]20 (3) Ne nuk duhet të mos i lejojmë personat e ve të imartuar që të jenë pleq, por kjo do të ishte e domosdoshme po qe se frazën në fjalë e marrim me kuptimin: “që kanë qenë martuar vetëm një herë.” Cilësitë kualifikuese për pleqtë janë të bazuara të tëra tek karakteri moral dhe frymëror i njeriut, dhe nuk ka asgjë në Shkrim që të sugjerojë që një person i cili është rimartuar pasi i ka vdekur bashkëshortja, ka cilësi kualifikuese më të ulëta morale apo frymërore.[88]21 (4) Poligamia qe e mundshme në shekullin e parë. Paçka se nuk ishte e zakonshme, poligamia praktikohej, veçanërisht ndër judenjtë. Historiani jude Jozefus thotë: “Sepse është një zakon i lashtë i yni që të kemi disa gra njëherësh.”[89]22 Legjislacioni rabinik rregullonte gjithashtu zakonet e trashëgimisë si dhe aspektet e tjera të poligamisë.[90]23
Për rrjedhojë, gjëja më e mirë është që të kuptojmë me “burrë i një gruaje të vetme” se kjo e ndalon një poligamist që të mbajë postin e një plaku. Vargjet në fjalë, nuk thonë asgjë për sa i takon divorcit dhe rimartesës në lidhje me cilësitë kualifikuese për postin e kishës.
f. Instalimi publik i pleqve: Lidhur me diskutimin mbi pleqtë, Pali thotë: “Mos i vër duart askujt me ngut” (1 Tim. 5:22). Paçka se konteksti nuk specifikon procesin e përzgjedhjes së pleqve, konteksti përpara (1 Tim. 5:17–21) trajton tërësisht pleqtë si dhe vënien e duarve që do të ishte një ceremoni e përshtatshme për caktimin e dikujt veçan për funksionin e plakut (vini re vënien e duarve për të caktuar apo konfirmuar njerëzit në funksione të caktuara apo detyra të caktuara tek “Veprat” 6:6; 13:3; “1 Tim.” 4:14). Për rrjedhojë, caktimi i pleqve duket si mundësia me më shumë gjasa për veprimin që Pali ka në mendje. Në këtë rast, ai do të thoshte: “Mos u ngutni në caktimin e njerëzve si pleq.” Kjo do të ishte e përputhshme me një proces përmes të cilit dhjakët gjithashtu do “të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën, po të jenë të paqortueshëm” (1 Tim. 3:10). Paçka se Pali i caktoi vërtetë në detyrë disa pleq, shumë shpejt pas themelimit të secilës kishë (Veprat 14:23), këtu ai paralajmëron që një caktim i tillë nuk duhet të merret me ngut, se mos përndryshe bëhet ndonjë gabim. Gjithashtu, në të tërë këtë proces, kisha duhet që të tregojë kujdes që të mos gjykojë ashtu sikurse bota gjykohet, sepse “njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Sam. 16:7; kr. 2 Kor. 5:16). Kjo domosdoshmëri për vlerësimin e gjendjes frymërore, ishte gjithashtu e dukshme kur apostujt e inkurajuan kishën në Jerusalem që të zgjidhte “shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilët do t'i vendosim në këtë detyrë” (Veprat 6:3). Ndër ata që u zgjodhën ishte “Stefanin, një burrë plot besim dhe Frymë të Shenjtë” (Veprat 6:5).
Ne duhet që gjithashtu të vërejmë se caktimi i pleqve në kishat e hershme të Palit, qe shoqëruar me “lutje dhe agjërim,” ndoshta në lidhje me procesin e përzgjedhjes së pleqve. (Vini re shembullin e Jezusit i Cili “shkoi në mal për t'u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” përpara se të zgjidhte dymbëdhjetë dishepujt e vet [Luka 6:12–13].)[91]24
3. Dhjak. Fjala dhjak është përkthimi i fjalës greqisht διάκονος (G1356) e cila është fjala e përdorur zakonisht për “shërbëtor” kur përdoret në kontekstet me funksionarët e kishës.
Dhjakët përmenden qartësisht tek “Filipianëve” 1:1 “Gjithë shenjtorëve në Krishtin Jezus që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët.” Por nuk ka specifikim të funksionit të tyre përveçse për të treguar se ata janë ndryshe nga peshkopët (pleqtë). Dhjakët përmenden gjithashtu tek “1 Timoteut” 3:8–13 në një pasazh më të zgjeruar:
Gjithashtu dhjakët të jenë dinjitozë, jo me dy faqe në fjalë, të mos jepen pas verës së tepërt, të mos lakmojnë fitime të turpshme, duke ruajtur misterin e besimit me ndërgjegje të pastër. Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën, po të jenë të paqortueshëm. Gjithashtu gratë [ose ‘gruaja’; fjala në greqisht mund të ketë cilindo kuptim] e tyre të jenë dinjitoze, jo shpifarake, të kthjellëta, besnike në gjithçka. Dhjakët të jenë burrë të një gruaje të vetme, t'i qeverisin mirë fëmijët dhe shtëpitë e veta. Sepse ata që e kanë kryer mirë shërbesën, fitojnë një shkallë të mirë dhe guxim të madh në besimin në Krishtin Jezus. (1 Tim. 3:8–13)
Funksioni i dhjakëve nuk tregohet qartësisht këtu, por cilësitë për dhjakët sugjerojnë një sërë funksionesh. Për shembull, ata duket se kanë patur disa përgjegjësi në kujdesjen për financat e kishës, përderisa ata duhej të ishin njerëz të cilët “të mos lakmojnë fitime ...” (v. 8). Ata ndoshta kishin disa përgjegjësi administrative në veprimtari të tjera të kishës gjithashtu, për shkak se ata duhej të menaxhonin mirë fëmijët e tyre, si dhe familjet e tyre (v. 12). Ata mundet që gjithashtu t’u kenë shërbyer nevojave fizike të atyre që janë në kishë apo komunitet, të cilët kishin nevojë për ndihmë (shiko diskutimin e “Veprave” 6 më poshtë). Për më tepër, nëse vargu 11 bën fjalë për bashkëshortet e tyre (siç mendoj unë se bën fjalë), atëherë do të ishte gjithashtu me gjasa që ata të ishin të përfshinë në një vizitë nga shtëpia në shtëpi dhe këshillim, për shkak se gratë duhet të jenë “jo shpifarake.” Dhjakëve nuk do t’u bënte mirë nëse bashkëshortet e tyre (të cilat pa dyshim do të përfshiheshin gjithashtu në lutje si dhe këshillim së bashku me dhjakët) do të përhapnin çështje konfidenciale nëpër kishë. Por këto janë vetëm sugjerime të fushave të mundshme të përgjegjësisë të cilat janë lënë të kuptohen në këtë pasazh.
Emri dhjakë vetë nuk është përdorur tek “Veprat” 6:1–6, por një folje e lidhur me këtë (Gr. διακονέω (G1354) “për të shërbyer”) gjendet tek vargu 2: “Nuk është mirë për ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.” Këtu apostujt të cilët drejtonin kishën e Jerusalemit, e panë të domosdoshme që të delegonin disa përgjegjësi administrative tek të tjerët. Në këtë rast, përgjegjësitë në fjalë përfshinin shpërndarjen e ushqimit ndaj vejushave të cilat ishin në nevojë. Duket me vend që të mendojmë për këta shtatë burra si “dhjakë” edhe pse emri dhjak ndoshta ende nuk kishte gjetur zbatim për ta ndërkohë që ata filluan këtë përgjegjësi, sepse atyre duket se iu dhanë detyra të cilët përshtaten mirë me përgjegjësitë e dhjakëve për të cilat hidhet fjala tek “1 Timoteut” 3:8–12.
Ka edhe tekste të tjera në të cilat është e vështirë të dallosh nëse Besëlidhja e Re është duke folur për një dhjak si një funksionar i veçantë kishe, apo ajo është thjesht duke përdorur këtë fjalë për t’iu referuar një “shërbëtori” në një kuptim të përgjithshëm të fjalës. Kjo është vështirësia që haset tek “Romakëve” 16:1, ku Feba quhet “shërbëtore” apo një “dhjake” apo “dhjak” (ky lloj emri grek ka të njëjtën formë si në mashkullore ashtu edhe në femërore, kështu që është thjesht një çështje se cila fjalë në gjuhën tonë është më e përshtatshme për përkthimin e saj) të kishës në Kenkrea. Për shkak se kërkesa e Palit për dhjakët ishte që ata “të jenë burrë të një gruaje të vetme” (1 Tim. 3:12), përkthimi “shërbëtor” duket si më i preferueshmi tek “Romakëve” 16:1 (διάκονος (G1356) merr këtë kuptim tek “Rom.” 13:4; 15:8; dhe “1 Kor.” 3:5).[92]25 Në përgjithësi, vargjet mbi dhjakët tregojnë se ata kishin poste të dallueshme për t’i “shërbyer” kishës në mënyra të ndryshme. “Veprat” 6:1–6 sugjeron se ata kishin disa përgjegjësi administrative, por që gjithsesi ishin subjekt ndaj autoritetit të atyre të cilët kishin drejtimin e të tërë kishës.
Është me rëndësi për t’u theksuar se asgjëkund në Besëlidhjen e Re nuk i shikojmë dhjakët me autoritet drejtues mbi kishën ashtu sikurse bëjnë pleqtë, e gjithashtu as dhjakëve nuk u kërkohet që të jenë në gjendje që të japin mësim Shkrimin apo doktrinën e shëndoshë.
4. Funksione të tjera? Në shumë kisha sot, ka edhe funksione të tjera, si për shembull thesarmbajtës, moderator (një person i cili ka përgjegjësinë e kryesimin e mbledhjeve të punëve praktike të kishës), apo si persona të besuar (në disa forma drejtimi të kishës, këta janë njerëz të cilët kanë përgjegjësi ligjore për pronat e zotëruara nga kisha). Për më tepër, kishat të cilat kanë më shumë se një person të paguar nga stafi, mund të kenë disa pjesëtarë stafi (të tillë si drejtorë muzikorë, drejtorë arsimorë, punonjës rinorë, etj.) të cilët “njihen publikisht se kanë të drejtën dhe përgjegjësinë që të ushtrojnë disa funksione të caktuara në kishë,” e të cilët kësisoj i përshtaten përkufizimit tonë të funksionarit të kishës, e i cili madje mund të paguhet për të kryer funksione të tilla, duke e patur si një punë me kohë të plotë, por që mund të mos jenë pleq apo dhjakë në kishë.
Duket sikur nuk ka ndonjë arsye që të themi se këto nuk duhet të jenë funksione gjithashtu në kishë, paçka se të tëra ato me shumë mundësi do mund të futeshin në kategorinë e ose të plakut, ose të dhjakut (pjesa më e madhe e të lartpërmendurave, mund të jenë dhjakë me përgjegjësi specifike, apo moderatori mundet që gjithashtu të jetë një plak i cili thjesht moderon mbledhjet e punëve praktike të kishës). Sidoqoftë, nëse këto funksione apo të tjera të ngjashme me to duken të dobishme për funksionimin e kishës, duket se nuk ka arsye përse ato të mos caktohen. Megjithëkëtë, nëse ato caktohen, do të jetë e nevojshme që të tregojmë kujdes që ato të mos lenë në hije rëndësinë e funksioneve të përmendura specifikisht në Shkrim, dhe që ato të mos kenë ndonjë autoritet i cili nuk është subjekt ndaj autoritetit drejtues të atyre funksionarëve të cilët tregohen qartësisht në Shkrim. Nëse një ndikim apo autoritet i konsiderueshëm përftohet prej atyre të cilët kanë poste të cilat nuk tregohen me emër në Shkrime, atëherë ka shumë më pak të ngjarë që njerëzit në grigjë apo funksionarët vetë të shikojnë tek Shkrimi dhe të gjejnë përshkrime të hollësishme të mënyrës se si ata duhet të veprojnë apo se si ata duhet të zgjidhen. Kjo do të kishte prirjen që të zbehte autoritetin efikas të Shkrimit për të drejtuar kishën në fushën e drejtimit të kishës.
B. Si duhen zgjedhur funksionarët e kishës?
Në historinë e kishës ka patur dy lloje kryesore procesesh për përzgjedhjen e funksionarëve të kishës, përzgjedhjen nga një autoritet më i lartë, apo përzgjedhjen nga një grigjë vendore. Kisha Katolike Romake i ka caktuar funksionarët e vet nëpërmjet një autoriteti më të lartë: Papa cakton kardinalë dhe peshkopë, ndërsa peshkopët caktojnë priftërinjtë në grigjat vendore. Kjo është një “hierarki” apo sistem qeverisjeje nëpërmjet një priftërie [93]26 që është ndryshe nga njerëzit që nuk i përkasin klerit në kishë. Ky sistem pretendon të ketë një linjë të pandërprerë trashëgimie nga Krishti dhe apostujt, dhe pretendon se priftëria e tanishme qëndron si përfaqësuese e Krishtit për kishën. Paçka se kisha e Anglisë (Kisha Episkopaliane në Shtetet e Bashkuara) nuk i nënshtrohet drejtimit nga Papa, e as kanë kardinalë, ajo gjithsesi i ka disa ngjashmëri me sistemin e hierarkisë të Kishës Katolike Romake, përderisa drejtohet nga peshkopët dhe kryepeshkopët, dhe klergjia e saj konsiderohen priftërinj. Ajo pretendon për pasim të drejtpërdrejtë nga apostujt, dhe priftërinjtë e peshkopët emërohen nga një autoritet më i lartë jashtë grigjës vendore.[94]27
Në dallim nga ky sistem i emërimit nga një autoritet më i lartë, në pjesën më të madhe të grupeve të tjera protestante, funksionarët e kishës zgjidhen nga kisha vendore apo nga ndonjë grup përbrenda kishës vendore, paçka se forma e drejtimit të kishës mund të variojë në mënyra të tjera të konsiderueshme (shiko më poshtë). Përderisa kjo është një fushë në të cilën nuk ka ndonjë tekst biblik që të ishte absolutisht vendimtar, ne duhet të jemi të duruar me atë larmi mendimesh që ekziston ndër ungjillorët mbi këtë çështje. Sidoqoftë, ka një sërë arsyesh përse duket më me gjasa që funksionarët e kishës (të tillë si pleqtë dhe dhjakët, dhe padyshim duke përfshirë “pastorin”) duhet të zgjidhen apo të paktën të afirmohen apo pranohen në një mënyrë a një tjetër nga e tërë grigja:
(1) Në Besëlidhjen e Re, ka një sërë shembujsh ku tregohet se funksionarët e kishës duket se u zgjodhën nga një grigjë e tërë. Tek “Veprat” 6:3, apostujt nuk është se i zgjedhin vetë shtatë dhjakët e parë (po qe se i shikojmë si dhjakë), por i thonë të tërë kishës: “Kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilët do t'i vendosim në këtë detyrë.” Përzgjedhja fillestare e këtyre burrave u bë nga e tërë grigja. Kur për të zëvendësuar Judën u zgjodh një zëvendësues që të llogaritej si një nga apostujt, numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet (shiko “Veprat” 1:15) qe ajo që bëri përzgjedhjen fillestare të dy syresh, nga të cilët Zoti Vetë tregoi se cilin dëshironte të emëronte: “Dhe vunë dy: Jozefin, të quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matian” (Veprat 1:23). Në fund të këshillit të Jerusalemit, e tërë kisha kishte një rol me apostujt dhe pleqtë në zgjedhjen e përfaqësuesve të saj për të tejçuar vendimet ndaj kishave të tjera, sepse zgjedhja dhe dërgimi u bë prej “apostujve dhe pleqve, me gjithë kishën” (Veprat 15:22; kr. “në asamble,” v. 25). Për më tepër, kur një pjesë e kishave dërgoi me Palin një ofertë kishës së Jerusalemit, kishat dërguan gjithashtu një përfaqësues për ta shoqëruar Palin, dhe sipas Palit, ky “u zgjodh nga kishat si bashkudhëtari ynë me këtë vepër të hirit” (2 Kor. 8:19).[95]28
Mund të ngrihet kundërshtia që Pali dhe Barnaba “caktuan” pleq në çdo kishë (Veprat 14:23), dhe që Pali i tha gjithashtu Titit që “në çdo qytet, të caktosh pleq” (Titit 1:5). A nuk duket kjo më shumë si sistemi Katolik Romak apo Anglikan, sesa si një sistem zgjedhjeje grigjore? Megjithëkëtë, edhe ato vargje nuk kanë nevojë të nënkuptojnë se apostujt vetëm ishin ata që bënë përzgjedhjen, por që padyshim mund të përfshinin konsultimet grigjore e madje edhe miratimin përpara se të bëhej një emërim apo emërimin zyrtar (siç ndodhi me caktimet tek “Veprat” 6:3, 6). Fjala caktoj mund të ketë gjithashtu kuptimin “emëroj.”[96]29
(2) Një arsye tjetër përse pjesëmarrja e grigjës në përzgjedhjen e funksionarëve të kishës, është se në Besëlidhjen e Re, përgjithësisht, autoriteti përfundimtar drejtues, duket se mbështetet jo tek ndonjë grup jashtë kishës apo tek ndonjë grup brenda saj, por tek kisha në tërësinë e vet. Hapi përfundimtar në disiplinën e kishës përpara shkishërimit, është “thuaja kishës” (Mat. 18:17). Shkishërimi apo veprimi i përjashtimit të dikujt nga përbashkësia e kishës, kryhet kur e tërë grigja është “mbledhur” (1 Kor. 5:4), dhe për rrjedhojë, duket qartë se është bërë nga e tërë grigja. Një arsye tjetër e cila është kuptimplotë, por jo përfundimtare, është fakti se letrat të cilat u janë shkruar kishave, nuk u janë dërguar pleqve apo disa grupeve të tjera drejtuesish përbrenda kishave, por të gjitha u janë shkruar kishave të tëra, dhe e tërë grigja inkurajohet në to që t’i lexojë e prej saj pritet që t’ia vërë veshin këtyre letrave (Rom. 1:7; 1 Kor. 1:2; 2 Kor. 1:1; kr. 2 Kor. 1:13; Kol. 4:16; 1 Tim. 4:13). Kjo do të thotë që apostujt janë të lidhur drejtpërsëdrejti me grigjat, jo me grigjat përmes funksionarëve.
Ka edhe disa arsye praktike të cilat mund të përmenden:
(3) Nëse e tërë grigja përzgjedh funksionarët e kishës, ka më tepër llogaridhënie ndaj grigjës. Pali mori një nivel llogaridhënieje kur ai u kujdes për faktin se “dy ose tre dëshmitarë” mund të ngrinin një akuzë për padrejtësi kundër një plaku (1 Tim. 5:19). Kjo llogaridhënie siguron një masë shtesë mbrojtëse ndaj tundimeve për të mëkatuar dhe një lakmi të shtuar për pushtet.[97]30
(4) Nga ana historike, doktrina e rreme, shpesh duket se pranohet fillimisht nga teologët e kishës, pastaj nga pastorët dhe në fund nga joklerikët e informuar mirë, të cilët janë përditë duke e lexuar Biblën e tyre dhe duke ecur me Zotin. Për rrjedhojë, nëse udhëheqësia fillon të gabojë në doktrina apo në jetë, dhe nuk zhvillohen zgjedhje nga grigja, atëherë kisha në tërësi nuk ka mënyra praktike të marrjes në kontroll të situatës dhe ndryshimin e saj. Por nëse funksionarët zgjidhen nga kisha, atëherë ka një sistem “kontrollesh dhe baraspeshimesh” në të cilin edhe autoriteti drejtues i kishës ka një farë llogaridhënieje ndaj kishës në tërësi.[98]31
(5) Drejtimi funksionon më mirë kur ka miratimin e atyre që po drejtohen (kr., në Besëlidhjen e Vjetër, “Eks.” 4:29–31; “1 Sam.” 7:5–6; 10:24; “2 Sam.” 2:4; “1 Mbret.” 1:39–40; dhe vini re gabimin që bëri Roboami tek “1 Mbr.” 12:1, 15).
Këta faktorë ndërthuren për të treguar se paçka se Shkrimi nuk na urdhëron shkoqur për një sistem specifik të zgjedhjes së funksionarëve të kishës, do dukej se gjeja më e mençur do të ishte të kishim një sistem nëpërmjet të cilit e tërë kisha luan një rol të rëndësishëm në zgjedhjen dhe njohjen e funksionarëve të kishës—ndoshta përmes një vote grigjore, apo përmes ndonjë procesi tjetër me anë të të cilit pranimi nga grigja është parakusht përpara se funksionarët e kishës të mund të zënë postet e tyre.[99]32
A mund të thuhet ndonjë gjë tjetër rreth procesit të zgjedhjes së funksionarëve? Disa kontrolle shtesë grigjore kundër përdorimit të tepruar të autoritet mund të përcaktohen në procesin e përzgjedhjes. Këtu ka vend për një larmi të madhe, por masa të tilla si zgjedhja për kohëmbajtje të kufizuara të postit, një kusht për një vit të detyrueshëm pushim (me përjashtim për pjesëtarët e stafit pastoral që punojnë me kohë të plotë të cilët janë pleq) një herë në disa vjet, një kërkesë për riafirmim periodik të zgjedhjes, si dhe një masë në procesin emërues përmes të cilit emërimet mund të kryhen nga pjesëtarët e grigjës (edhe nëse pjesa më e madhe e të emëruarve vinin nga vetë pleqtë), do të siguronin të tëra masa shtesë llogaridhënieje për grigjën, pa humbur ndonjë aspekt thelbësor të autoritetit drejtues mbi grigjën pasi pleqtë të jenë zgjedhur.
Këta faktorë do të siguronin gjithashtu disa argumente kundër një grupi që e zgjat vetë mandatin e tij si pleqësi e i cili nuk është subjekt i zgjedhjes apo rikonfirmimit periodik nga grigja, por edhe një herë, duhet thënë se nuk janë renditur direktiva specifike në Shkrim dhe se nuk ka vend për divergjenca në këtë pikë.
C. Format e drejtimit të kishës
Në diskutimin e formave të drejtimit të kishës, ka një farë mbivendosjeje me seksionet e mëparshme të metodave të zgjedhjes së funksionarëve të kishës, sepse përzgjedhja e funksionarëve është një aspekt shumë i rëndësishëm i autoritetit në kishë. Filozofi të ndryshme të drejtimit të kishës do të reflektohen në metoda të ndryshme të cilat përdoren për përzgjedhjen e funksionarëve të kishës, siç u shpjegua më lart.
Kjo është e dukshme nga fakti se format e drejtimit të kishës mund të ndahen në tre kategori të mëdha, të cilat ne mund t’i emërtojmë “episkopaliane,” “presbiteriane,” dhe “grigjore.” Format episkopaliane kanë një drejtim nga një kategori e veçantë funksionarësh kishe e njohur me termin priftëri, dhe autoriteti përfundimtar për vendim-marrjen gjendet jashtë kishës vendore.[100]33 Sistemi Episkopalian i Kishës është përfaqësuesi kryesor ndër Protestantët i kësaj forme drejtimi. Format Presbiteriane kanë një drejtim nëpërmjet pleqve, një pjesë e të cilëve kanë autoritet jo vetëm mbi grigjën e tyre vendore, por gjithashtu përmes presbiterit si dhe asamblesë së përgjithshme, mbi të tëra kishat e rajonit, dhe pastaj në deminacionin në përgjithësi. Format grigjore të drejtimit të kishës e kanë autoritetin përfundimtar të drejtimit të tyre, tek grigja vendore, paçka se shkallë të ndryshme të vetë-drejtimit janë dorëzuar përmes bashkimit denominacional, si dhe formës aktuale të drejtimit të kishës vendore mund të variojë ndjeshëm. Secilën prej kësaj forme qeverisjeje, ne do ta shqyrtojmë në diskutimin e mëposhtëm.
1. Episkopaliane. Në sistemin episkopalian, një kryepeshkop ka autoritet mbi shumë peshkopë. Ata nga ana e tyre kanë autoritet mbi një “dioqezë,” gjë që thjesht nënkupton kishat të cilat janë nën juridiksionin e një peshkopi. Funksionari përgjegjës i një famullie vendore, është ai që quhet famulltar (apo nganjëherë vikar, e që është një “ndihmës” apo dikush që zëvendëson famulltarin). Kryepeshkopët, peshkopët dhe rektorët, janë të tërë priftërinj, përderisa të tërë në një kohë apo një tjetër janë emëruar në priftërinë episkopaliane (por në praktikë, famulltari më shpesh quhet prift).[101]34
Kryepeshkop | Kryepeshkop | ||||||||||
Peshkop | Peshkop | Peshkop | Peshkop | Peshkop | Peshkop | ||||||
Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar | Famulltar |
Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja |
Figura 47.1: Drejtimi Episkopalian
Argumenti pro sistemit Episkopalian, nuk është se ai gjendet në Besëlidhjen e Re, por se ai është një rezultat i natyrshëm i zhvillimit të kishës e cila filloi në Besëlidhjen e Re, dhe që nuk është e ndaluar nga Besëlidhja e Re. E.A. Litton shkruan: “Në Besëlidhjen e Re nuk shfaqet asnjë rend peshkopësh dioqezash,” por menjëherë pas kësaj, ai shton:
Prova ekzistuese është në favor të supozimit se sistemi i peshkopatave buroi nga vetë Kisha, dhe nga një proces i natyrshëm, dhe se ajo u sanksionua nga Shën Gjoni, ai që mbeti i fundit i gjallë prej apostujve. Presbiteri, kur mblidhet për konsultime, në mënyrë të natyrshme zgjedh një president për të mbajtur rendin; së pari në mënyrë të përkohshme, por me kalimin e kohës, me autoritet të përhershëm....Kështu, ka mundësi që në një periudhë të hershme, një peshkopatë joformale të ketë lindur në çdo kishë. Me ndarjen nga kjo jetë një e nga një të apostujve...posti i tyre do të zinte një rëndësi të shtuar dhe atyre do t’u jepej autoritet më i madh.[102]35
Për më tepër, përderisa posti i peshkopit dhe struktura korresponduese e qeverisjes që gjendet tek Kisha Episkopaliane është si historike ashtu edhe e dobishme, Litoni thotë se ajo duhet ruajtur. Në fund, dobia e prejardhjes të drejtpërdrejtë prej apostujve është konsideruar si një arsye e fortë në favor të sistemit peshkopator. Litoni thotë: “Apostujt janë hallka e parë e zinxhirit dhe nuk ka arsye përse një njëpasnjëshmëri, për sa i takon mandatimit të jashtëm, të mos ketë përse të kalojë nga shekulli në shekull, duke qenë trupa ekzistuese e shërbenjësve të cilët e dorëzojnë autoritetin zyrtar tek pasuesit e tyre, dhe këta pastaj tek ata të tyret.”[103]36
Por ka argumente të cilat mund të parashtrohen nga ana tjetër e kësaj çështjeje. (1) Është me rëndësi që posti i “peshkopit” nuk është një post i veçantë në Besëlidhjen e Re, por është thjesht një sinonim për emrin “plak,” siç edhe vetë Litoni e pranon.[104]37 Në Besëlidhjen e Re nuk përmendet asnjë peshkop individualisht, por peshkopët (apo mbikëqyrësit) paraqiten gjithnjë në numrin shumës. Kjo nuk duhet të shikohet thjesht si një fakt rastësor, sepse edhe ndër apostujt, Jezusi nuk la njërin syresh me autoritet superior mbi të tjerët, por la një grup prej dymbëdhjetë vetësh të cilët kishin një autoritet të barabartë drejtues (dhe të cilëve më vonë iu shtuan të tjerë, si për shembull Pali). Paçka se disa apostuj të tillë si Pjetri, Jakobi dhe Pali, kishin rol kryesor ndër këtë grup, ata nuk kishin ndonjë autoritet më të madh sesa të tjerët, dhe madje Pjetri u qortua nga Pali në Antiok (Gal. 2:11).[105]38 Kjo gjë mund të pasqyrojë fare mirë mençurinë e Krishtit në ruajtjen kundër abuzimit me pushtetin që vjen në mënyrë të pashmangshme në rastin kur cilado qenie njerëzore ka tepër autoritet por pa patur kontrolle dhe baraspesha të mjaftueshme nga të tjerët. Ashtu sikurse Jezusi la një shumësi apostujsh që të kishin autoritetin më të lartë (njerëzor në kishën e hershme, po kështu apostujt caktuan gjithnjë një shumësi pleqsh në çdo kishë, duke mos lënë kurrë një person të vetëm me autoritetin drejtues.
(2) Teoria e një grupi peshkopësh, të ngritur për të zëvendësuar apostujt, nuk na mësohet në Besëlidhjen e Re, e aty nuk tregohet ndonjë rrjedhojë e një nevoje për një vazhdimësi fizike të emërimit në detyrë përmes vendosjes së duarve nga ata të cilët janë emëruar në detyrë sipas një zinxhiri të pashkëputur pasueshmërie nga apostujt. Për shembull, tek “Veprat” 13:3, nuk ishin apostujt e Jerusalemit ata që emëronin në detyrë Palin dhe Barnabën, por ishin njerëzit në kishën e Antiokut që vunë duart mbi ta e që i dërguan ata. Në fakt, ka shumë pak prova që tregojnë se apostujt ishin ndopak të preokupuar për një linjë pasueshmërie. Timoteu me sa duket u emëruan në detyrë jo thjesht nga Pali por gjithashtu nga “pleqësia” (1 Tim. 4:14), paçka se kjo mund të ketë përfshirë edhe Palin gjithashtu (shiko 2 Tim. 1:6). Më e rëndësishme akoma është që emërimi në detyrë është tek e fundit nga Zoti Vetë (Veprat 20:28; 1 Kor. 12:28; Efe. 4:11), dhe nuk ka asgjë në natyrën e “emërimit në detyrë” (kur ai shikohet thjesht si njohje publike e një posti) e cila të kërkojë që ajo të bëhet vetëm prej atyre të caktuar më përpara në rrjedhjen fizike nga apostujt. Nëse Perëndia ka thirrur një plak, ai duhet të njihet si i tillë dhe nuk është nevoja të preokupohemi rreth pasueshmërisë fizike. Plus kësaj, nëse ndokush është i bindur se kisha vendore duhet të zgjedhë pleq (shiko diskutimin më lart), atëherë duhet të duket e përshtatshme që kisha e cila zgjodhi këtë plak, jo një peshkop të jashtëm, duhet të jetë grupi i cili akordon njohjen e jashtme në momentin e zgjedhjes, duke emëruar personin në post apo duke emëruar në detyrë pastorin.[106]39
(3) Ndërkohë që mund të thuhet se zhvillimi i një sistemi episkopalian me një peshkop të vetëm në autoritet mbi disa kisha qe një zhvillim i dobishëm në kishën e hershme, mund të thuhet gjithashtu se kjo ishte një devijim nga standardet e Besëlidhjes së Re dhe një rezultat i një pakënaqësie njerëzore me sistemin e pleqësisë së zgjedhur vendore të pleqve, e cila është caktuar nga apostujt dhe që dukshëm kishte funksionuar shumë mirë nga viti 30 deri në vitin 100 mbas K. përgjatë gjithë kishës së Besëlidhjes së Re. Por, vlerësimi prej dikujt i të dhënave historike, sigurisht që do të varet nga vlerësimi i personit mbi argumentet më të hershme pro dhe kundër një sistemi episkopalian.
2. Presbiterian. Në këtë sistem, secila kishë vendore zgjedh pleqtë për një sesion (P-ja në figurën 47.2 simbolizon pleqtë, ndërsa vijat e ndërprera nënkuptojnë se e tërë grigja zgjedh pleqtë). Pastori i kishës do të jetë një nga pleqtë në sesion, i barabartë në autoritet me pleqtë e tjerë. Ky sesion ka autoritet drejtues mbi kishën vendore. Sidoqoftë, pjesëtarët e sesionit (pleqtë) janë gjithashtu anëtarë të një presbiteri, i cili ka autoritet mbi një sërë kishash të një rajoni të caktuar. Ky presbiter përbëhet nga disa apo nga të tërë pleqtë në kishat vendore mbi të cilat ka autoritet. Për më tepër, një pjesë e anëtarëve të presbiterit, janë pjesëtarë të “asamblesë së përgjithshme” e cila zakonisht ka autoritet mbi të tëra kishat presbiterianë në një vend apo rajon të caktuar.[107]40
Asambleja e përgjithshme | |||||
Presbiteri | Presbiteri | Presbiteri | |||
P P P P P (Sesion) | P P P P P (Sesion) | P P P P P (Sesion) | P P P P P (Sesion) | P P P P P (Sesion) | P P P P P (Sesion) |
Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja | Grigja |
Figura 47.2: Drejtimi Presbiterian
Argumentet në favor të këtij sistemi presbiterian, janë: (1) se ata të cilët kanë mençurinë dhe dhuntitë për pleqësi, atyre duhet t’u bëhet thirrje që të përdorin mençurinë e tyre për të drejtuar më shumë sesa thjesht një kishë vendore, dhe (2) një drejtim kishe kombëtare (apo madje mbarë-botërore), tregon unitetin e trupit të Krishtit. Për më tepër, (3) një sistem i tillë është në gjendje të mos e lejojë një grigjë individuale që të bjerë në gabim doktrinar, shumë me më efikasitet sesa cilado shoqatë vullnetare e kishave.[108]41
Sistemi presbiterian i ravijëzuar më lart, ka shumë mbështetës ndër të krishterët ungjillorë sot, dhe ai padyshim që funksionon me efikasitet në shumë raste. Sidoqoftë, mund të ngrihen disa kundërshtime ndaj këtij sistemi: (1) Pleqtë, askund në Shkrim nuk kanë autorit të themeluar në mënyrë të rregullt mbi më shumë sesa kishën e tyre vendore. Vazhda që shikohet është më tepër që pleqtë janë caktuar në kishat vendore si dhe kanë autoritet mbi kishat vendore. Kundër kësaj deklarate, këshilli i Jerusalemit tek “Veprat” 15 është përmendur shpesh herë, por ne duhet të vërejmë se ky këshill u mblodh në Jerusalem për shkak të pranisë së apostujve. Me sa duket, apostujt si dhe pleqtë në Jerusalem, me përfaqësuesit nga Antioku (Veprat 15:2), kërkuan së bashku mençurinë e Perëndisë mbi këtë çështje. Gjithashtu duket se ka patur disa konsultime me të tërë kishën, sepse ne lexojmë në përmbyllje të këtij diskutimi se: “Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën” (Veprat 15:22). (Nëse ky tregim i jep mbështetje drejtimit rajonal nga pleqtë, për rrjedhojë ai i jep gjithashtu mbështetje qeverisë rajonale nga grigja të tëra!) Kjo situatë me pleqtë në Jerusalem nuk është një model i mirë i mbrojtjes së një sistemi nëpërmjet të cilit pleqtë kanë autoritet mbi më shumë sesa kishat e tyre vendore: kisha e Jerusalemit nuk u dërgoi thirrje tërë pleqve në Jude, Samari dhe Galile, dhe të mblidhte takimin e “presbiterit jude” apo një “asamble të përgjithshme.” Paçka se apostujt në Jerusalem padyshim që kishin autorit mbi të tëra kishat, nuk ka asnjë tregues që vetë pleqtë, qoftë edhe në kishën e Jerusalemit, e kishin një autoritet të tillë. Gjithashtu, padyshim që nuk ka një model të Besëlidhjes së Re për pleqtë që të ushtrojnë autoritet mbi ndokënd tjetër veç kishave të tyre vendore.[109]42
(2) Ky sistem, në praktikë, çon në shumë ndëgjygjësi formale ku mosmarrëveshjet doktrinare trajtohen vit pas viti deri në nivelin e asamblesë së përgjithshme. Lind pyetja nëse kjo duhet të jetë karakteristikë e kishës së Krishtit, ndoshta po, por mua më duket se është një sistem i cili i inkurajon ndërgjygjësi të tilla shumë më tepër nga ç’është e domosdoshme apo ndërtuese për trupin e Krishtit.
(3) Fuqia efektive në qeverisjen e kishës, duket praktikisht të jetë tepër e shkëputur nga kontrolli përfundimtar i joklerikëve në kishë. Paçka se Berkhof-i i cili e mbron këtë sistem qeverisjeje, e pohon mjaft qartë se “fuqia e kishës gjendet në radhë të parë në trupën qeverisëse të kishës vendore,”[110]43 ai gjithashtu e pranon se: “sa më e përgjithshme të jetë asambleja, aq më e largët është ajo nga njerëzit.”[111]44 Kështu, ky sistem është shumë i vështirë për t’u anuluar kur fillon të shkojë gabim përderisa joklerikët të cilët nuk janë pleq, nuk kanë të drejtë vote në sesion apo në presbiter apo në asamblenë e përgjithshme, dhe struktura drejtuese e kishës është më e shkëputur prej tyre sesa ç’është në strukturat e tjera drejtuese të kishës.
(4) Paçka se në disa raste është e vërtetë që një denominacion doktrinalisht i shëndoshë me një sistem presbiterian qeverisjeje, mund të mos e lejojë një kishë vendore të shkojë në rrugë të gabuar në doktrinën e saj, aktualisht, shumë shpesh ka rezultuar e kundërta: udhëheqësia kombëtare e një denominacioni presbiterian ka adoptuar një doktrinë të rreme dhe ka ushtruar një trysni të madhe tek kishat vendore për t’u konformuar me të.
(5) Paçka se sistemi presbiterian përfaqëson një formë të vetme uniteti kombëtar apo madje mbarëbotëror të kishës së Krishtit, një unitet i tillë mundet që padyshim të tregohet edhe në mënyra të tjera përveç këtij sistemi qeverisjeje. Kishat me forma më të pastra gjrigjore qeverisjeje kanë shoqatat vullnetare të cilat e manifestojnë këtë unitet. Në fakt, këto shoqata përfshijnë të tërë njerëzit në kisha, e jo thjesht pleqtë apo klergjinë, siç ndodh në sistemin presbiterian. Takimi kombëtar i një denominacioni baptist për shembull, ku një numër i madh shërbenjësish dhe jo klerikësh (të cilët nuk janë domosdoshmërisht pleq apo dhjakë, por thjesht delegatë nga kishat e tyre) mblidhet në bashkësi, mund të shikohet si një demonstrim më i mirë i unitetit të trupit të Krishtit sesa një asamble e përgjithshme presbiteriane ku vetëm pleqtë janë të pranishëm.
3. Grigjore.
a. Një plak i vetëm (apo një pastor i vetëm): Tani ne mund të shikojmë tek pesë varietetet e qeverisë grigjore për kishën. I pari i cili për momentin është më i përhapuri ndër kishat baptiste në Shtetet e Bashkuara, është forma “plak i vetëm” e qeverisjes. Në këtë lloj qeverisjeje, pastori shikohet si plaku i vetëm në kishë, dhe ka një bord të zgjedhur pleqsh të cilët shërbejnë nën këtë autoritet apo që i japin mbështetje atij (D në figurën 47.3 ka kuptimin e dhjak).
Pastor D D D D D D Grigja Pastor Dh Dh Dh Dh Dh Dh Bordi i Dhjakëve Grigja |
Figura 47.3: Drejtimi me një plak (një pastor)
Në këtë sistem, grigja zgjedh pastorin dhe zgjedh gjithashtu dhjakët. Masa e autoritetit që ka pastori varion shumë nga njëra kishë në tjetrën dhe përgjithësisht do shtohet sa më tepër që një pastor të mbetet në një kishë. Autoriteti i bordit të dhjakëve, shpesh herë mendohet se është thjeshtë një autoritet këshillimor. Në këtë mënyrë, ky sistem zakonisht funksionon veçanërisht në kisha më të vogla, shumë vendime mund të parashtrohen përpara tërë grigjës në përgjithësi.
Argumenti në favor të këtij sistemi prezantohet në mënyrë të qartë tek Teologji Sistematike (Systematic Theology) e A.H. Strong, një tekst ky i cili është përdorur gjerësisht në qarqet Baptiste.[112]45 Strongu jep argumentet e mëposhtme:
(1) Besëlidhja e Re nuk kërkon një shumësi pleqsh, por modeli i shumësisë së pleqve i vërejtur në Besëlidhjen e Re, vinte vetëm si pasojë e madhësisë së kishave në atë kohë. Ai thotë:
Në disa kisha të caktuara të Besëlidhjes së Re, duket se ka patur një shumësi pleqsh....Sidoqoftë, nuk ka prova që numri i pleqve të ketë qenë uniform, apo se shumësia e cila ekzistoi shpesh herë, ishte në sajë të ndonjë arsyeje tjetër të ndryshme nga madhësia e kishave për të cilat këto pleq qenë të preokupuar. Shembulli i Besëlidhjes së Re, ndërkohë që nga njëra anë e lejon shumimin e ndihmës-pastorëve sipas nevojës, nuk kërkon një kryesim shumës në çdo rast.[113]46
Në këtë citim, Strong-u tregon se ai do t’i konsideronte si pleq edhe pastorët e tjerë të punësuar nga një kishë më e madhe, në mënyrë që ky sistem të mund të zgjerohej përtej një plaku/pastori të vetëm, duke përshirë dy apo më shumë pleq/pastorë. Por dallimi thelbësor është se autoriteti drejtues i postit të plakut, zotërohet vetëm nga pastori(ët) profesionistë të kishës dhe nuk ndahet nga ndonjë person joklerik në kishë. Gjithashtu ne duhet të kuptojmë se në praktikë, pjesa më e madhe e kishave të cilat ndjekin këtë model sot, janë relativisht të vogla e me vetëm një pastor; për rrjedhojë, aktualisht, kjo zakonisht kthehet në një formë të vetme drejtimi me vetëm një plak.[114]47
(2) Strongu shton se “Jakobi qe pastori apo presidenti i kishës në Jerusalem,” dhe qytetet tek “Veprat” 12:17; 21:18; dhe “Galatasve” 2:12 për të treguar se kjo udhëheqësi nga Jakobi qe një model i cili do mundet pastaj që të imitohet nga kishat e tjera.
(3) Strong-u vëren se disa pasazhe kanë “peshkop” në njëjës por “dhjakë” në shumës, duke lënë të nënkuptohet diçka e ngjashme me këtë formë të zakonshme Baptiste qeverisjeje. Një përkthim fjalë për fjalë i tekstit në greqisht, tregon një nyje të vetme e shquar që modifikon “peshkop” në dy vargje: “Prandaj peshkopi të jetë i paqortueshëm” (1 Tim. 3:2, përkthim fjalë për fjalë) dhe se “peshkopi ... duhet të jetë i paqortueshëm” (Titit 1:7, përkthim fjalë për fjalë), por në kontrast me këtë, lexojmë: “Dhjakët të jenë dinjitozë...” (1 Tim. 3:8).
(4) Si përfundim, “engjëlli i kishës” tek “Zbulesa” 2:1, 8, 12, 18; 3:1, 7, 14, sipas Strong-ut, “më mirë interpretohet me kuptimin e pastorit të kishës; dhe, nëse kjo është e saktë, është e qartë se çdo kishë kishte jo shumë pastorë, por një.”[115]48
(5) Një argument tjetër, jo i ngritur nga Strongu, gjendet në literaturën e kohëve të fundit mbi rritjen e kishës. Argumenti është se me qëllim për t’u rritur me shpejtësi, kishat kanë nevojë për një pastor të vetëm të fortë.[116]49
Edhe një herë tjetër, duhet theksuar se kjo mënyrë drejtimi nga një plak i vetëm ka funksionuar gjithashtu me shumë sukses në shumë kisha ungjillore. Sidoqoftë, mund të ketë kundërshtime ndaj argumentit të paraqitur nga Strongu si dhe të tjerët.
(1) Duket e papërputhshme që të argumentojmë duke thënë se Besëlidhja e Re nuk arrin të japë një urdhëresë të qartë sipas të cilës të tëra kishat duhet të kenë një shumësi pleqsh kur pasazhet mbi cilësitë kualifikuese të pleqve tek “1 Timoteut” 3:1–7 dhe “Titit” 1:5–7 janë përdorur si kërkesa nga Shkrimi për funksionarët e kishës sot. Si mund të thonë kishat që cilësitë kualifikuese për pleqtë të cilat gjenden tek këto vargje, na janë urdhëruar sot, por sistemi i pleqësisë së shumëfishtë të treguar tek po këto vargje, nuk urdhërohet, por u kërkua vetëm në atë kohë e në atë shoqëri? Paçka se kundërshti mund të ngrihen që këto janë urdhëresat e shkruara vetëm ndaj rrethanave individuale në Efes dhe në Kretë, një pjesë e mirë e Besëlidhjes së Re, përbëhet nga urdhëresa apostolike të shkruara ndaj kishave individuale mbi mënyrën se si ata duhet të sillen. Megjithëkëtë, për rrjedhojë ne nuk themi se jemi të lirë të mos u bindemi këtyre udhëzimeve në pjesët e tjera të letrave. Në fakt, “1 Timoteut” dhe “Titit” na japin material të bollshëm për sa i takon drejtimit të kishës vendore, material të cilin të tëra kishat besimtare kërkojnë ta ndjekin.
Për më tepër, duket se është mungesë mençurie të shpërfillim një model të qartë të Besëlidhjes së re i cili ekzistoi përgjatë gjithë kishave për të cilat ne kemi prova në kohën kur u shkrua Besëlidhja e Re. Kur Besëlidhja e Re na tregon se asnjë kishë nuk u pa të kishte një plak të vetëm (“sipas kishave,” “Veprat” 14:23; “në çdo qytet,” “Titit” 1:5; “le të thërrasë pleqtë,” “Jakobi” 5:14; “U bëj thirrje pleqve midis jush,” “1 Pjetrit” 5:1), atëherë duket jo bindëse të themi se kishat të cilat janë më të vogla do të kishin patur vetëm një plak. Edhe kur Pali sapo kishte themeluar kisha në udhëtimin e tij të parë misionar, u caktuan pleq “sipas kishave” (Veprat 14:23). Dhe “në çdo qytet” në ishullin e Kretës duhej të kishte pleq, pavarësisht se sa e madhe apo e vogël qe kisha.
Plus kësaj, ka një papërputhshmëri në argumentin e Strong-ut kur ai thotë se kishat e mëdha ishin ato të cilat kishin pleq të shumtë, sepse pas kësaj ai pretendon se “engjëlli i kishës në Efes” (Zbu. 2:1) qe një pastor i vetëm, në përputhje me këtë model të zakonshëm Baptist. Megjithëkëtë, kisha në Efes, në atë kohë, qe mjaft e madhe: Pali, me themelimin e asaj kishe, kishte shpenzuar tre vjet atje (Vep. 20:31), e gjatë kësaj kohe “të gjithë banorët e Azisë, judenj dhe grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus” (Veprat 19:10). Popullsia e Efesit në atë kohë qe më e madhe se 250,000 vetë.[117]50
Ne mund të pyesim, përse duhet të ndjekim Strong-un dhe të pranojmë si normë një model qeverisjeje kishe i cili nuk gjendet askund në Besëlidhjen e Re, dhe të refuzojmë një model i cili gjendet kudo në Besëlidhjen e Re?
(2) Jakobi mund të ketë vepruar si moderator apo si funksionar kryesues në kishën në Jerusalem, sepse të tëra kishat do të kenë një lloj drejtuesi të caktuar si ky me qëllim për të drejtuar takimet. Por kjo nuk nënkupton se ai ishte “pastor” i kishës në Jerusalem në një kuptim të një “plaku të vetëm”. Në fakt, “Veprat” 15:2 tregon se kishte pleq (shumës) në kishën në Jerusalem dhe se Jakobi vetë me shumë mundësi qe numëruar ndër apostujt (shiko “Gal.” 1:19) e jo me pleqtë.
(3) Tek “1 Timoteut” 3:2 dhe “Titit” 1:7, nyja shquese në greqisht që modifikon “peshkop” tregon thjesht që Pali është duke folur për cilësitë e përgjithshme kualifikuese ashtu sikurse ato gjejnë zbatim tek cilido shembull.[118]51 Në fakt, në të dyja rastet që Strongu citon, ne e dimë se kishte pleq (shumës pra) në kishat për të cilat bëhej fjalë. “1 Timoteut” 3:2 i është shkruar Timoteut në Efes, dhe “Veprat” 20:17 na tregon se kishte “pleq” në kishën në Efes. Edhe tek “1 Timoteut”, Pali shkruan: “Pleqtë që qeverisin mirë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen në fjalë e mësim” (1 Tim. 5:17). Në lidhje me “Titin” 1:7 na duhet të shikojmë vetëm vargun 5, ku Pali e udhëzon shkoqur Titin që në “çdo qytet, të caktosh pleq.”
(4) Engjëjt e shtatë kishave tek “Zbulesa” 2–3 janë prova të pazakonta e mjaft të dobëta për pleqtë e vetëm. “Engjëllit të kishës në Efes” (Zbu. 2:1) si zor se mund të nënkuptojë se kishte vetëm një plak në atë kishë, përderisa ne e dimë se kishte “pleq” në këtë kishë shumë të madhe (Veprat 20:17). Fjala “engjëll” e përdorur në adresimin ndaj shtatë kishave tek “Zbulesa” 2–3 mundet që thjesht të nënkuptojë një lajmëtar të veçantë ndaj secilës kishë, ndoshta edhe lajmëtari njerëzor i cili do të merrte atë që Gjoni shkroi e do t’ia çonte secilës kishë,[119]52 ose mund të përfaqësojë “frymën ngadhënjimtare të kishës” e jo funksionarin drejtues të grigjës,[120]53 ose madje mundet që thjesht t’i referohet një engjëlli të cilit iu ngarkua të tregonte një kujdes të veçantë mbi secilën grigjë. Edhe nëse kjo përfaqësonte një funksionar kryesues të një farë lloji në secilën grigjë, ky “engjëll” nuk tregohet të ketë ndonjë autoritet drejtues apo ndonjë funksion të barasvlershëm me atë të pastorit të vetëm të sotëm, apo ndonjë funksion të barasvlershëm me atë të “plakut” në kishat e Besëlidhjes së Re. Ky pasazh nuk ofron prova të forta aq sa duhen për të zhvendosë të dhënat e qarta nëpër tërë Besëlidhjen e Re duke treguar shumësi pleqsh në çdo kishë, edhe në kishën e Efesit.
Është interesante që të tëra pasazhet e Besëlidhjes së Re të cituara nga Strongu (Veprat 15, Jerusalem; 1 Tim. 3:2, Efes; Titit 1:7, Kretë; Zbu. 2–3, shtatë kishat, përfshi Efesin) flasin për situata në të cilat vetë Besëlidhja e Re tregon mjaft qartë për tek një shumëshmëri pleqsh në autoritet në kishat e përmendura.
(5) Argumenti që merr shkas nga studimet rreth rritjes së kishës, nuk është se me të vërtetë vërteton që drejtimi nga një pastor i vetëm është i domosdoshëm, për të paktën tre arsye: (a) Ne nuk duhet të refuzojmë një model të mbështetur në Shkrim si dhe të adaptojmë një ndryshe thjesht për shkak se njerëzit na thotë se modeli ndryshe duket se funksionon mirë në prodhimin e kishave të mëdha—roli ynë këtu, ashtu sikurse në të gjithë jetën, duhet më mirë të jetë që t’i bindemi Shkrimit me sa më shumë që të mundemi dhe të presim që Perëndia të sjellë bekimin e duhur sipas dëshirës së Tij. (b) Ka shumë kisha të mëdha të cilat drejtohen me një shumësi pleqsh (si kishat presbiteriane ashtu edhe kishat e pavarura), kështu që argumenti bazuar tek faktorë pragmatikë, nuk është përfundimtar. (c) C. Peter Wagner e pranon se drejtuesit e fortë mund të gjenden në forma të ndryshme të qeverisjes së kishës,[121]54 dhe ne duhet të biem dakord se një sistem shumësie pleqsh në të cilën të tërë kanë autoritet të njëjtë, nuk e pengon një plak (siç është pastori) nga funksionimi si një lloj “i parë ndër të barabartë” dhe duke patur një rol të rëndësishëm drejtues ndër këta pleq.
(6) Një problem i zakonshëm praktik me një sistem me një “plak të vetëm” është ose një përqendrim i tepruar i autoritetit tek një person, ose kërkesat e tepruara që i bëhen atij. Sido që të jetë, tundimet për të mëkatuar janë shumë të mëdha, dhe një shkallë më e vogël llogaridhënieje e bën rënien në tundim të ketë më shumë gjasa. Siç u përmend më lart, nuk ka qenë kurrë modeli në Besëlidhjen e Re, qoftë edhe me apostujt që të përqendrojë autoritet drejtues në duart e një personi.
Këtu duhet vërejtur se pikëpamja e një “plaku të vetëm” e drejtimit të kishës në të vërtetë nuk ka më shumë mbështetje të Besëlidhjes së Re sesa pikëpamja “e një peshkopi të vetëm” (episkopaliane). Të dyja këto duken përpjekje për të justifikuar atë që ka ndodhur tashmë në historinë e kishës, e jo përfundime të cilat kanë dalë nga një shqyrtim induktiv i vetë Besëlidhjes së Re.
(7) Së fundi, duhet vërejtur se në praktikën aktuale, sistemi “një plak i vetëm” mund të ndryshojë dhe funksionon më shumë si një qeverisje “pleq të shumë”, vetëm se ata të cilët funksionojnë si pleq, në vend të kësaj janë quajtur “dhjakë.” Kjo do të ndodhte nëse dhjakët ndajnë autoritetin aktual qeverisës me pastorin dhe pastori si dhe dhjakët e tjerë e shikojnë veten si llogaridhënës ndaj bordit të dhjakëve në tërësi. Sistemi pastaj fillon të duket siç tregohet në figurën 47.4.
D D D D Pastor D D
Bordi i Dhjakëve
Grigja
Figura 47.4: Pastori dhe Dhjakët mund të drejtojnë bashkë dhe kështu funksionojnë si një udhëheqësi e përbërë prej shumësi pleqsh
Problemi me këtë strukturë është se ajo nuk përdor një terminologji biblike për të gjetur zbatim tek funksionet të cilat njerëzit po zbatojnë, sepse “dhjakët” në Besëlidhjen e Re, kurrë nuk kishin autoritet qeverisës apo mësimdhënës në kishë. Rezultati në një situatë të tillë është që njerëzit në kishë (si dhjakët ashtu edhe pjesëtarët e tjerë të kishës, nuk do të arrijnë që të lexojnë dhe aplikojnë pasazhe nga Shkrimi mbi pleqtë ndaj atyre të cilët janë në fakt duke funksionuar si pleq në kishën e tyre. Për rrjedhojë, këto pasazhe e humbasin lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë që duhet të kenë në kishë. Sidoqoftë, në këtë rast, problemi mund të zgjidhet duke ndryshuar emrin “dhjak” me “pleq,” dhe duke e konsideruar pastorin një plak, si të tjerët.
b. Shumësia e pleqve vendorë: A ka ndonjë lloj drejtimi kishe i cili e ruan modelin e shumësisë së pleqësisë të cilin e gjejmë në Besëlidhjen e Re dhe që shmang shtrirjen e autoritetit të pleqve përtej grigjës vendore? Paçka se një sistem i tillë nuk është i ndryshëm nga ndonjë denominacion sot, ai gjendet në shumë grigja individuale. Duke përdorur konkluzionet e arritura në këtë pikë tek të dhënat e Besëlidhjes së Re, do të sugjeroja figurën 47.5 si një model të mundshëm.
E E E E E⃰ E E
Grigjë
⃰ Pastor
Figura 47.5: Drejtimi i një Shumësie Vendore Pleqësie
Përbrenda një sistemi të tillë, pleqtë drejtojnë kishën dhe kanë autoritet që të sundojnë mbi të, autoritet i cili është akorduar nga Krishti Vetë i Cili është kreu i kishës, si dhe nga Fryma e Shenjtë (Veprat 20:28; Heb. 13:17). Në këtë sistem qeverisjeje, ka gjithnjë më shumë se një plak, një fakt ky i cili e dallon këtë formë qeverisjeje nga “sistemi i një plaku të vetëm” i diskutuar më lart. Në një grigjë bashkëkohore, “pastori” (apo “pastori kryesor”) do të ishte një ndër pleqtë në këtë sistem. Ai nuk është se ka autoritet mbi ta, e as nuk punon për ta si një i punësuar. Ai ka njëfarësoj një rol të veçantë në kuptimin që ai është përfshirë në një punë me kohë të plotë “në fjalë e mësim” (1 Tim. 5:17), dhe e merr një pjesë të të tërë të ardhurave të tij nga ajo punë (1 Tim. 5:18). Ai gjithashtu mundet që shpesh herë të zërë një rol drejtues (si për shembull rolin e kryetarit) ndër pleqtë, gjë që i shkon për shtat rolit të tij drejtues në grigjë, por një rol i tillë drejtues ndër pleqtë nuk do të ishte i domosdoshëm për sistemin. Plus kësaj, pastori zakonisht do të kishte një autoritet të konsiderueshëm për të marrë vendime si dhe për të siguruar udhëheqësi në shumë fusha me përgjegjshmëri të cilat i janë deleguar atij nga bordi i pleqve në tërësi. Një sistem i tillë do t’i lejonte një pastori të ushtronte një udhëheqësi të fortë në kishë, ndërkohë që ka ende një autoritet të barabartë drejtues me pleqtë e tjerë.
Pika e fortë e këtij sistemi qeverisjeje, shikohet në faktin që pastori nuk ka autoritet të vetin mbi grigjën, por ai autoritet i takon bashkërisht të tërë grupit të pleqve (që mund të quhet bordi i pleqve). Për më tepër, vetë pastori, ashtu sikurse çdo plak tjetër, është subjekt ndaj autoritetit të bordit të pleqve në tërësi. Kjo mund të ketë një dobi e madhe duke qenë se nuk e lejon pastorin të bëjë gabime, dhe ngaqë e mbështet atë në vështirësi si dhe e mbron atë nga sulmet dhe kundërshtitë.[122]55
Në një sistem të tillë, a ka kufizime që duhen vendosur tek autoriteti i pleqve? Në seksionin e mësipërm mbi mënyrën e zgjedhjes së funksionarëve të kishës, janë dhënë disa arsye për të patur “kontrolle dhe baraspeshime” të cilat do ta kufizonin autoritetin e funksionarëve të kishës.[123]56 Këto argumente janë gjithashtu ndihmuese këtu sepse tregojnë se paçka se pleqtë kanë një autoritet të konsiderueshëm drejtues mbi kishën, ky autoritet gjithsesi nuk duhet të jetë i pakufizuar. Shembuj të kufizimeve të tilla mund të sugjerohen si për shembull kështu: (1) ata mund të zgjidhen e jo të kenë të drejtën t’ia zgjatin mandatin vetes; (2) ata mund të kenë mandate specifikë me një vit të detyruar jashtë bordit (me përjashtim të pastorit, përgjegjësitë e vazhdueshme drejtuese të të cilit kërkojnë pjesëmarrje të vazhdueshme si një plak); (3) disa vendime madhore mund të kërkohen t’i paraqiten të tërë kishës për aprovim. Për sa i takon kësaj pike të tretë, aprovimi grigjor është tashmë një kërkesë biblike për disiplinë kishtare tek “Mateu” 18:17 dhe për shkishërim tek “1 Korintasve” 5:4. Parimi i zgjedhjes grigjore të pleqve do të nënkuptonte se vendimi për të thirrur ndonjë pastor do duhej që të aprovohej nga grigja në tërësi. Drejtime madhore të reja në shërbesën e kishës, të cilat do të kërkojnë një mbështetje në shkallë të gjerë grigjore, mund t’i parashtrohen kishës si e tërë për t’u aprovuar. Si përfundim, do të ishte mençuri që të kërkonim aprovim grigjor mbi vendime të tilla të mëdha financiare si p.sh. një buxhet vjetor, vendimi për të blerë prona, apo vendimi për të marrë hua për kishën (nëse kjo gjë bëhet ndonjëherë), thjesht për shkak se kishës në tërësi do t’i kërkohet të paguajë me bujari për këto detyrime financiare.[124]57
Faktikisht, arsyet për vënien e disa kufizimeve ndaj autoritetit të funksionarëve të kishës, mund të duken aq të forta saqë do të na shtynin të mendonim se të tëra vendimet si dhe i tërë autoriteti drejtues duhet t’i takojë grigjës në tërësi. (Disa kisha kanë adoptuar një sistem të një demokracie pothuajse të plotë në drejtimin e kishës, përmes të cilës gjithçka duhet t’i vijë grigjës në tërësi për aprovim.) Sidoqoftë, ky përfundim shpërfill provat e shumta të Besëlidhjes së Re që kanë të bëjnë me autoritetin e qartë drejtues dhe menaxhues që u jepet pleqve në kishat e Besëlidhjes së Re. Për rrjedhojë, ndërkohë që është e rëndësishme që të kemi disa kontrolle të pranuara gjerësisht mbi autoritetin e pleqve dhe t’ia lëmë autoritetin më të lartë drejtues grigjës në tërësi, është gjithsesi domosdoshmëri (po qe se duam t’i qëndrojmë besnik modelit të Besëlidhjes së Re), të kemi veshjen me një autorit të një niveli të fortë të vetë pleqve.[125]58
Këtë sistem e kam etiketuar si një sistem me “pleqësi të shumëfishtë vendore” me qëllim që ta dallojmë atë nga një sistem presbiterian ku pleqtë, kur mblidhen në nivel presbiteri apo asambleje të përgjithshme, kanë autoritet mbi më shumë sesa grigja e tyre vendore. Por, në një sistem të tillë pleqsh të zgjedhur në nivel vendor, a mund të ketë ndonjë lidhje më të gjerë me kishat përtej grigjës vendore? Sigurisht që po. Ndërkohë që kishat me këtë sistem mund të zgjedhin të mbeten tërësisht të pavarura, pjesa më e madhe do të hyjë në shoqata vullnetare me kishat e tjera të bindjeve të ngjashme me qëllim për të lehtësuar bashkësinë, bashkimin e burimeve të disponueshme për veprimtaritë e misionit (dhe ndoshta për gjëra të tjera të tilla si kampe të krishtera, botime, arsimim teologjik etj.). Sidoqoftë, i vetmi autoritet që këto shoqata më të mëdha do të kishin mbi grigjën vendore, do të ishte autoriteti për ta përjashtuar një kishë individuale nga shoqata, e jo autoriteti për të drejtuar vetë çështjet e saj individuale.
c. Bord i përbashkët: Tre format e mbetura të drejtimit grigjor të kishës, nuk përdoren zakonisht por hasen nganjëherë në kishat ungjillore. E para ndjek modelin e shembullit të një korporate moderne, në të cilën bordi i drejtorëve punëson një funksionar ekzekutiv i cili ka pastaj autoritetin për të drejtuar kompaninë ashtu sikurse e shikon të përshtatshme. Kjo formë qeverisjeje mund të quhet gjithashtu struktura “ti-punon-për-ne”. Ajo paraqitet tek figura 47.6.
Bordi i Kishës
Pastori
Grigja
Figura 47.6: Modeli i Bordit të Përbashkët të Drejtimit të Kishës
Në favor të kësaj strukture, mund të thuhet se ky sistem në fakt funksionon mirë në bizneset bashkëkohore. Sidoqoftë, nuk ka precedent në Besëlidhjen e Re apo mbështetje për një formë të tillë të drejtimit të kishës. Kjo është thjesht rezultat i një përpjekjeje për ta drejtuar kishën si një biznes modern, dhe e shikon pastorin jo si një drejtues frymëror, por thjesht si një punonjës i paguar.
Kundërshti të mëtejshme ndaj kësaj strukture janë fakti që kjo e privon pastorin nga ndarja në autoritetin sundues që duhet të jetë i tij nëse ka për të përmbushur me efikasitet përgjegjësitë e tij si plak. Për më tepër, pjesëtarët e bordit janë gjithashtu pjesëtarë të grigjës mbi të cilën pastori është supozuar të ketë një farë autoriteti, por ky autoritet kompromentohet rëndë po qe se drejtuesit e grigjës janë në fakt shefat e tij.
d. Demokraci e pastër: Kjo pikëpamje e cila e çon drejtimi grigjor të kishës në ekstremin e saj logjik, mund të tregohet si tek figurua 47.7.
Grigja
Figura 47.7: Drejtim përmes një demokracie të mirëfilltë
Në këtë sistem gjithçka duhet parashtruar tek takimi i grigjës. Rezultati është që vendimet shpesh herë debatohen pafundësisht, dhe, me rritjen e kishës, vendim-marrja arrin një pikë në të cilën është pothuajse e paralizuar. Ndërkohë që kjo strukturë përpiqet me të vërtetë që t’i japë atë që i takon disa prej pasazheve të cituara më lart në lidhje me nevojën për të patur një autoritet përfundimtar drejtues i cili të gjejë zbatim tek grigja në tërësi, nuk i përmbahet modelit të Besëlidhjes së Re të njohjes dhe caktimit të pleqve të cilët kanë faktikisht autoritetin për ta drejtuar kishën në pjesën më të madhe të rasteve.
e. “Asnjë drejtim përveç drejtimit nëpërmjet Frymës së Shenjtë”: Disa kisha, veçanërisht kishat të cilat janë shumë të reja e me prirje më mistike apo devocionale të skajshme, funksionojnë me një mënyrë drejtimi kishe të një forme si ajo që paraqitet tek figura 47.8.
Grigja
Figura 47.8: Asnjë drejtim përveç drejtimit përmes Frymës së Shenjtë
Në këtë rast, kisha nuk do ta pranonte që çfarëdo forme drejtimi është e nevojshme, ajo do të mbështetej tek ndjeshmëria e të tërë pjesëtarëve të grigjës ndaj drejtimit prej Frymës së Shenjtë në jetën e tyre dhe vendimet përgjithësisht do të merreshin me konsensus. Kjo formë drejtimi nuk zgjat shumë asnjëherë. Jo vetëm që kjo nuk i qëndron besnike modelit të Besëlidhjes së Re për caktimin e pleqve me autoritet drejtues në kishë, por është gjithashtu subjekt i shumë abuzimeve për shkak të ndjenjave subjektive e jo mençurisë dhe arsyes, të cilat mbizotërojnë në procesin e vendim-marrjes.
4. Përfundime. Në përfundim të diskutimit të drejtimit të kishës, duhet sqaruar se forma e drejtimit e adoptuar nga një kishë, nuk është një pikë kryesore doktrinare. Të krishterët kanë jetuar dhe shërbyer lirshëm e me shumë efikasitet përbrenda llojeve të ndryshme të sistemeve, dhe ka shumë ungjillorë përbrenda secilit prej sistemeve të përmendura. Për më tepër, një sërë llojesh të ndryshme sistemesh drejtimi kishe duket se funksionojnë mjaft mirë. Atje ku ka dobësi të cilat duket se janë të brenda-qenësishme në strukturën drejtuese, individët përbrenda sistemit, zakonisht i dallojnë këto dobësi dhe përpiqen t’i kompensojnë në çfarëdo mënyre që u lejon sistemi.
Gjithsesi, kisha mund të jetë më e pastër apo më pak e pastër në këtë pikë, ashtu sikurse në fusha të tjera. Ndërkohë që bindemi nga Shkrimi rreth aspekteve të ndryshme të drejtimit të kishës, atëherë ne duhet të vazhdojmë që të lutemi e që të punojmë për një pastërti më të madhe të kishës së dukshme edhe në këtë fushë gjithashtu.
D. A duhet që gratë të jenë funksionare kishe?
Pjesa më e madhe e teologjive sistematike nuk kanë përfshirë një seksion mbi pyetjen e nëse gratë mund të jenë apo jo funksionare në kishë, për shkak se përgjatë historisë së kishës është supozuar (me shumë pak përjashtime), se vetëm burrat mund të ishin pastorë apo të funksiononin si pleq përbrenda një kishe.[126]59 Por, në vitet e fundit një polemikë madhore është ngritur përbrenda botës ungjillore: a munden gratë si edhe burrat të jenë pastore? A munden ata të bëhen pjesë në të gjitha funksionet e kishës? Këtë çështje e kam trajtuar shumë më gjerësisht gjetiu [127]60 por një përmbledhje të shkurtër të kësaj trajtese mund ta parashtroj edhe tani.
Ne duhet të pohojmë që në fillim se tregimi i krijimit tek “Zanafilla” 1:27 i shikon burrat dhe gratë të krijuar të barabartë në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Për rrjedhojë, burrat dhe gratë kanë një vlerë të barabartë për Perëndinë, dhe ne duhet t’i shikojmë sikur kanë një vlerë absolutisht të barabartë si persona, si dhe vlerë të barabartë për kishën. Për më tepër, Shkrimi i siguron burrat dhe gratë për një akses të njëjtë tek të tëra bekimet e shpëtimit (shiko Vep. 2:17–18; Gal. 3:28).[128]61 Kjo pohohet në mënyrë mbresëlënëse në dinjitetin dhe respektin e madh që Jezusi u dha grave në shërbesën e Tij tokësore.[129]62
Ne duhet që gjithashtu ta pranojmë se kishat ungjillore shpesh herë nuk kanë arritur të kuptojnë barazinë e plotë të burrave dhe grave, dhe për rrjedhojë, nuk kanë arritur t’i llogaritin gratë si me një vlerë të barabartë me burrat. Rezultati ka qenë një dështim tragjik i kuptimit që Perëndia shpesh u jep grave dhurata të barabarta apo më të mëdha frymërore sesa burrave, një mosarritje për t’i inkurajuar gratë që të kenë një pjesëmarrje të plotë e falas në shërbesat e ndryshme të kishës, dhe mosarritje për të marrë në konsideratë të plotë mençurinë të cilën Perëndia u ka dhënë grave në lidhje me vendimet e rëndësishme në jetën e kishës. Nëse polemika e tanishme që ka të bëjë me rolet e grave në kishë, mund të çojë në çrrënjosje të disa prej këtyre abuzimeve të të kaluarës, atëherë kisha në tërësi do të përfitojë ndjeshëm.
Megjithëkëtë, pyetja mbetet, a duhet që gratë të jenë pastore apo pjesë e pleqësisë në kisha? (Apo ato duhet të plotësojnë role të barasvlershme me atë të një plaku në kisha të cilat kanë forma alternative drejtimi?) Përfundimi im mbi këtë çështje është se Bibla nuk i lejon gratë që të funksionojnë në rolin e pastorit apo pleqve përbrenda një kishe. Ky ka qenë përfundimi ku kanë dalë pjesa më e madhe e kishave në shoqëri të ndryshme përgjatë gjithë historisë. Arsyet të cilat mua më duken më bindëse në dhënien përgjigje të kësaj pyetjeje, janë të mëposhtmet:
1. “1 Timoteut” 2:11–14. Pasazhi i vetëm në Shkrim i cili i adresohet kësaj çështjeje në mënyrën më të drejtpërdrejtë, është “1 Timoteut” 2:11–14:
Gruaja le të marrë mësim në heshtje dhe me çdo nënshtrim. Por nuk e lejoj gruan që të japë mësim, as të përdorë pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. Sepse së pari u formua Adami dhe më pas Eva. Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.
Këtu, Pali është duke folur për kishën kur ajo mblidhet (shiko vgj. 8–9). Në një kontekst të tillë, Pali thotë: “Nuk e lejoj gruan që të japë mësim, as të përdorë pushtet mbi burrin” (v. 12). Këto janë funksionet të cilat janë zbatuar nga pleqtë e kishës dhe veçanërisht nga ai që ne njohim si pastor në situatat bashkëkohore të kishës.[130]63 Janë specifikisht këto funksione unikale për pleqësinë të cilat Pali i ndalon për gratë në kishë.[131]64
Një sërë kundërshtish janë ngritur kundër kësaj pozite:[132]65
(a) Është thënë se ky pasazh gjen zbatim vetëm tek një situatë specifike të cilës Pali po i adresohet, me shumë mundësi, njërës në të cilën gratë po jepnin mësim doktrinë heretike përbrenda kishës në Efes. Por kjo kundërshti nuk është bindëse, përderisa nuk ka një deklaratë të qartë tek “1 Timoteut” e cila të thoshte se gratë faktikisht ishin duke dhënë mësim doktrina të rreme. (1 Tim. 5:13 bën fjalë për gratë të cilat janë duke bërë thashetheme, por nuk përmend doktrinë të rreme.) Për më tepër, Pali nuk është se thjesht u thotë disa grave të caktuara të cilat po japin mësim një doktrinë të rreme që të heshtin, por ai u thotë: “nuk e lejoj gruan që të japë mësim, as të përdorë pushtet mbi burrin.” Dhe në fund, arsyeja që Pali jep për këtë ndalim, nuk është ajo që propozohet në këtë kundërshtim, por një e cila është shumë ndryshe: Situata e Adamit dhe Evës përpara rënies, si dhe përpara se të kishte ndonjë mëkat në botë (shiko v. 13), si dhe mënyra në të cilën një ndryshim i roleve të mashkullit me të femrës ndodhi në kohën e rënies (shiko v. 14). Këto arsye nuk janë të kufizuara tek një situatë e vetme në kishën në Efes, por gjejnë zbatim në burrërinë dhe grarinë në përgjithësi.
(b) Një kundërshtim tjetër është të thuash që Pali dha këtë ndalesë për shkak se gratë në shekullin e parë nuk ishin të mirë-arsimuara dhe për rrjedhojë nuk qenë të kualifikuara për rolet mësim-dhënëse apo drejtuese në kishë. Por, Pali nuk e paraqet mungesën e arsimit si një arsye për të thënë se një grua nuk mundet që të “japë mësim, as të përdorë pushtet mbi burrin,” por përkundrazi, na kthen mbrapa duke na treguar krijimin (vgj. 13–14). Është me rrezik të bazosh një argument mbi një arsye të cilën Pali nuk e dha në vend që ta bazosh tek arsyeja që ai e dha.
Përveç kësaj, ky kundërshtim keqkupton faktet aktuale të kishës së lashtë si dhe botës së lashtë. Trajnimi formal në Shkrim nuk kërkohej për udhëheqësinë e kishës në kishën e Besëlidhjes së Re, kjo sepse disa prej apostujve nuk kishin ndjekur trajnim formal biblik (shiko “Veprat” 4:13). Nga ana tjetër, aftësitë e shkrim-këndimit bazë dhe për rrjedhojë aftësia për të lexuar dhe për të studiuar Shkrimin qenë të disponueshme si për burrat ashtu edhe gratë njëlloj (vini re “Veprat” 18:26; “Rom.” 16:1; “1 Tim.” 2:11; “Titit” 2:3–4). Kishte shumë gra të arsimuara siç duhet në botën e lashtë dhe veçanërisht në një qendër kulturore të tillë si Efesi.[133]66
Së fundi, ata të cilët ngrenë një argument të tillë, nganjëherë nuk kanë njëtrajtshmëri sepse gjetiu ata tregojnë për gratë të cilat kishin pozita drejtuese në kishën e lashtë, si për shembull Priskila. Kjo pikë është veçanërisht me përkatësi tek “1 Timoteut” 2, për shkak se Pali po i shkruante Efesit (1 Tim. 1:3), që ishte kisha e vendlindjes së Priskilas dhe Akuilas (shiko “Veprat” 18:18–19, 21). Qe pikërisht në këtë kishë në Efes që Priskila njohu Shkrimin aq mirë sa të ndihmonte të udhëzonte Apolon në vitin 51 mbas K. (Vep. 18:26). Pastaj ajo me shumë mundësi kishte mësuar nga vetë Pali për edhe tre vjet të tjera ndërkohë që qëndroi në Efes duke dhënë mësim “gjithë këshillën e Perëndisë” (Veprat 20:27; kr. v. 31; gjithashtu “1 Kor.” 16:19). Pa dyshim që shumë gra të tjera në Efes kishin ndjekur shembullin e saj dhe kishin mësuar gjithashtu nga Pali. Paçka se më pas shkuan në Romë, i gjejmë Akuilën dhe Priskilën përsëri në Efes në fund të jetës së Palit (2 Tim. 4:19), rreth vitit 67 mbas K. Për rrjedhojë, ka të ngjarë që ata të kenë qenë në Efes në vitin 65 mbas K., që është afërsisht koha kur Pali shkroi “1 Timoteut” (rreth katërmbëdhjetë vjet pasi Priskila kishte ndihmuar në udhëzimin e Apolos). Megjithëkëtë, Pali nuk e lejon as Priskilën e arsimuar siç duhet apo ndonjë grua tjetër të edukuar siç duhet në Efes, që t’u japë mësim burrave në asamblenë publike të kishës. Arsyeja nuk qe mungesa e arsimit, por rendi i krijimit që Perëndia caktoi mes burrave dhe grave.
2. “1 Korintasve” 14:33b-36. Në një mësim të ngjashëm, Pali thotë:
Si në të gjitha kishat e shenjtorëve. Gratë tuaja të heshtin në kisha, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji. Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gratë të flasin në kishë. Apo prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti? (1 Kor. 14:33b-36)
Në këtë seksion, Pali nuk mund të jetë duke ndaluar të tërë të folurin publik nga gratë në kishë, sepse ai në mënyrë të qartë i lejon ato që të luten e që të profetizojnë në kishë tek “1 Korintasve” 11:5. Për rrjedhojë, gjëja më e mirë është që këtë pasazh ta marrim si referencë ndaj të folurit i cili bie në kategorinë e cila është duke u diskutuar në kontekstin e afërt, konkretisht vlerësimin e folur si dhe gjykimin e profecive në grigjë (shiko v. 29: “Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë”). Ndërkohë që Pali i lejon gratë që të flasin e të bëjnë profeci në takimin e kishës, ai nuk i lejon ato që të flasin e të bëjnë vlerësime apo kritika për profecitë që janë dhënë, sepse ky do të ishte një funksion drejtues apo qeverisës në raport me kishën në tërësi.[134]67 Ky kuptim i pasazhit varet nga pikëpamja jonë e dhuratës së profecisë në epokën e Besëlidhjes së re, konkretisht, që profecia përfshin mësime jo autoritare të Biblës, dhe mos foljen e fjalëve të Perëndisë të cilat janë të barasvlershme me Shkrimin, por përkundrazi raportimi i diçkaje që Perëndia në mënyrë spontane ta sjell në mendje.[135]68 Në këtë mënyrë, mësimet e Palit janë mjaft të përputhshme me “1 Korintasve” 14 dhe “1 Timoteut” 2: në të dyja rastet ai është i preokupuar me ruajtjen e udhëheqësisë mashkullore në mësimin dhe drejtimin e kishës.[136]69
3. “1 Timoteut” 3:1–7 dhe “Titit” 1:5–9. Si “1 Timoteut” 3:1–7 ashtu edhe “Titit” 1:5–9 supozon se pleqtë do të jenë meshkuj. Një plak (apo peshkop/mbikëqyrës) duhet të jetë “burrë i një gruaje të vetme” (1 Tim. 3:2; gjithashtu Titit 1:6), dhe “njeri që e qeveris mirë shtëpinë e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjelljeje” (1 Tim. 3:4).
Disa mund të kundërshtojnë duke thënë se këto qenë udhëzime të dhëna vetëm për situatën kulturore në botën e lashtë, ku gratë nuk ishin të shkolluara siç duhet, por e njëjta përgjigje që u dha më lart në lidhje me “1 Timoteun” 2 do të gjente zbatim edhe në këtë rast.
4. Marrëdhënia mes familjes dhe kishës. Besëlidhja e Re bën lidhje të shpeshta mes jetës së familjes dhe jetës së kishës. Pali thotë: “Në qoftë se dikush nuk di ta qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?” (1 Tim. 3:5). Ai i thotë Timoteut: “Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si një atë, dhe të rinjtë si vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dëlirësi” (1 Tim. 5:1–2). Mund të citohen edhe një sërë pasazhesh të tjera, por marrëdhënia e ngushtë mes familjes dhe kishës, duhet bërë e qartë.
Për shkak të kësaj lidhjeje, është e paevitueshme që modelet e udhëheqësisë në familje do të pasqyrojnë modelet e udhëheqësisë në kishë, si dhe anasjelltas. Është shumë e përshtatshme që, ndërkohë që njerëzit e perëndishëm përmbushin përgjegjësitë e tyre drejtuese në familje, ata duhet që gjithashtu të përmbushin përgjegjësitë drejtuese në kishë. Anasjelltas, nëse modelet e drejtimit femëror ngrihen në kishë, kjo në mënyrë të pashmangshme do të sjellë presione drejt një udhëheqësie më të madhe femërore, si dhe drejt abdikimit të udhëheqësisë mashkullore përbrenda familjes.[137]70
5. Shembulli i apostujve. Ndërkohë që apostujt nuk janë e njëjta gjë me pleqtë në kishat vendore, është gjithsesi e rëndësishme që të kuptojmë se Jezusi caktoi një model drejtimi mashkullor në kishë kur caktoi dymbëdhjetë burra si apostuj. Thjesht nuk është e vërtetë që gratë kanë një akses të barabartë tek të gjitha funksionet në kishë, sepse Jezusi, kreu i kishës, është mashkull. Po kështu, edhe dymbëdhjetë apostujt të cilët do të ulen mbi dymbëdhjetë fronet duke gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit (shiko Mat. 19:28), si dhe emrat e të cilëve janë shkruar përgjithnjë tek themelet e qytetit qiellor (Zbu. 21:14), janë të gjithë burra. Për rrjedhojë, nuk do të ketë modelim të përjetshëm rolesh të barabarta për burrat dhe gratë në të tëra nivelet e autoritetit në kishë. Përkundrazi, ka një model udhëheqësie mashkullore në rolet më të larta drejtuese të kishës, një model i cili do të jetë evident për të tërë besimtarët gjatë gjithë përjetësisë.
Një kundërshtim i ngritur kundër këtij argumenti është pretendimi se kultura në atë kohë nuk do ta kishte lejuar Jezusin që të zgjidhte gjashtë burra dhe gjashtë gra si apostuj/apostulle e as gjashtë skuadra bashkëshortësh-bashkëshortesh si apostuj, dhe kjo është arsyeja që ai nuk e bëri këtë. Por, një kundërshtim i tillë vë në diskutim integritetin dhe kurajën e Jezusit. Jezusi nuk pati frikë që të thyente zakonet sociale kur një parim moral ishte në rrezik: Ai i kritikoi publikisht farisenjtë, kreu shërime në Shabat, pastroi tempullin, foli me një grua samaritane, hëngri bashkë me tagrambledhësit dhe mëkatarët, si dhe hëngri me duar të palara.[138]71 Po qe se Jezusi do të kishte dashur që të themelonte një parim të aksesit të barabartë ndaj udhëheqësisë së kishës si prej burrave ashtu edhe prej grave, Ai padyshim mund ta kishte bërë këtë që me caktimin e apostujve të Vet, dhe do ta kishte bërë këtë pavarësisht kundërshtimeve kulturore, nëse do të kishte qenë modeli që dëshironte që të ngrinte në kishën e Tij. Por ja që nuk e bëri këtë.[139]72
Një kundërshtim tjetër ndaj këtij argumenti është se nëse kjo është e vërtetë, atëherë vetëm judenjtë mund të jenë drejtues në kishat tona, përderisa të tërë dymbëdhjetë apostujt ishin gjithashtu judenj. Por ky kundërshtim nuk është bindës sepse ai nuk merr parasysh se kisha ishte tërësisht judaike fillimisht. Kjo ndodhi për shkak se qe plani i Perëndisë që të sillte shpëtim nëpërmjet judenjve dhe kjo çoi në dymbëdhjetë apostuj judenj. Megjithëkëtë, përbrenda faqeve të Besëlidhjes së Re, shikojmë se kisha shumë shpejt u zgjeruar dhe përfshiu edhe johebrenjtë (Mat. 28:19; Efe. 2:16) dhe johebrenjtë nuk kaloi shumë dhe u bënë pleq e drejtues në kishën e Besëlidhjes së Re. Një johebre (Luka) shkroi dy libra të Besëlidhjes së Re (Lukën dhe Veprat e Apostujve), dhe po kështu një sërë johebrenjsh të tillë si Titi dhe Epafroditi ishin ndihmës-apostolikë dhe bashkëpunëtorë të Palit. Në fakt, Perëndia në mënyrë progresive kishte zbuluar që prej kohës së Abrahamit (Zan. 12:3; 17:5) se qe plani i Tij që si përfundim të përfshinte një numër të pamat johebrenjsh në popullin e Tij.
Kështu fakti që apostujt e hershëm ishin judenj nuk është si fakti që ishin meshkuj. Kisha filloi me një përbërje tërësisht judaike, por shumë shpejt u bë judaike dhe johebraike gjithashtu. Por, kisha nuk filloi me të gjithë meshkuj, dhe vetëm më pas filloi të përfshinte edhe femra. Pasuesit e Krishtit ishin meshkuj dhe femra që nga fillimi dhe si burrat ashtu edhe gratë qenë të pranishëm në fillim të kishës në ditën e Rrëshajës. Kështu, as ky kundërshtim nuk është bindës.
6. Historia e të dhënit mësim dhe udhëheqësia prej meshkujve, nëpër të tërë Biblën. Nganjëherë, kundërshtarët e pikëpamjes së paraqitur këtu, kanë thënë se ajo është e bazuar vetëm tek një tekst i marrë nga “1 Timoteut” 2. Një sërë argumentesh pararendës kanë demonstruar se nuk është kështu, por ka edhe një argument tjetër që mund të parashtrohet: përgjatë historisë së të tërë Biblës, nga “Zanafilla” e deri tek “Zbulesa”, ka një model të pandërprerë të udhëheqësisë mashkullore ndër popullin e Perëndisë. Paçka se ka shembuj me raste të grave që kanë pozita drejtuese si për shembull mbretëreshë (Athaliaha mbretëroi si monarke e vetme siç tregohet tek “2 Mbretërve” 11:1–20, por ajo si zor se mund të jetë një shembull për t’u imituar) apo si gjyqtare (vini re Deborën tek “Gjyq.” 4–5), dhe paçka se me raste kishte gra të tilla si Deborah dhe Huldaha të cilat ishin profetesha (shiko “Gjyq.” 4–5; “2 Mbret.” 22:14–20), ne duhet të vërejmë se këto janë përjashtime të rralla në rrethana të pazakonta. Ato shfaqen në mes të një modeli mbizotërues udhëheqësie mashkullore në mësimdhënie dhe drejtim, dhe si të tilla, ato si zor se shërbejnë si modele për funksione kishtare të Besëlidhjes së Re.[140]73 Për më tepër, nuk ekziston asnjë shembull i vetëm në të tërë Biblën të një gruaje e cila të bëjë atë lloj mësimi grigjor të Biblës i cili pritet të kryhet nga pastorët/pleqtë në kishën e Besëlidhjes së Re. Në Besëlidhjen e Vjetër, ishte prifti që kishte përgjegjësi mësimore për popullin, dhe priftëria qe në mënyrë ekskluzive mashkullore. Për më tepër, edhe profeteshat Debora dhe Huldaha profetizuan vetëm privatisht, jo publikisht ndaj grigjës së popullit.[141]74
7. Historia e Kishës. Siç u përmend më lart, modeli mbizotërues nëpër të tërë historinë e kishës, ka qenë se funksioni i pastorit/plakut (apo i barasvlershmi i tij) është rezervuar për burrat. Paçka se kjo nuk tregon në mënyrë përfundimtare se një pozitë e tillë është e saktë, ajo duhet të na japë arsye për të reflektuar shumë seriozisht mbi këtë çështje përpara se të nxitojmë dhe të deklarojmë se pothuajse e tërë kisha, përgjatë gjithë historisë së saj, e ka patur gabim në këtë çështje.[142]75
8. Kundërshti. Një sërë kundërshtish janë ngritur kundër pozitës së përvijuar këtu, por vetëm pak prej tyre mund të trajtohen në këtë pikë.[143]76 Është ngritur kundërshtia se shërbesa duhet të përcaktohet nga dhuratat frymërore, jo nga gjinia. Por, si reagim ndaj kësaj, duhet thënë se dhuratat frymërore duhen përdorur përbrenda udhëzimeve që jepen në Shkrim. Fryma i Shenjtë i Cili fuqizon dhuratat frymërore, është gjithashtu Fryma i Shenjtë i Cili frymëzoi Biblën, dhe Ai nuk dëshiron që ne t’i përdorim dhuratat e Tij duke mos iu bindur fjalëve të Tij.
Një kundërshtim tjetër është të thuash se nëse Perëndia përgjithësisht e ka thirrur një grua për të qenë pastore, ajo nuk duhet ndaluar të sillet si e tillë. Përgjigjja ndaj kësaj kundërshtie është e ngjashme me atë të dhënë më sipër: një pretendim individual se personi ka përjetuar një thirrje nga Perëndia, duhet që gjithmonë të vihet në provë duke ia nënshtruar atë fjalëve të Perëndisë në Shkrim. Nëse Bibla na mëson se Perëndia dëshiron që vetëm burrat të mbajnë përgjegjësitë kryesore mësimore dhe drejtuese të pastorimit, atëherë, me nënkuptim, Bibla gjithashtu na mëson se Perëndia nuk i thërret gratë për të qenë pastore. Sidoqoftë, ne duhet të shtojmë se shpesh herë, ajo që një grua dallon si një thirrje hyjnore për pastoratë, mundet që me të vërtetë të jetë një thirrje për shërbesë të krishterë me kohë të plotë, por jo për të qenë një pastore/plake në një kishë. Në fakt, shumë mundësi për një shërbesë profesionale me kohë të plotë ekzistojnë përbrenda kishës vendore dhe gjetiu, jashtë të qenurit një pastor mësues apo një plak, për shembull, pozitat e stafit të kishës në këshillim, shërbesat e grave, edukimin e krishterë si dhe shërbesat e fëmijëve, si dhe shërbesat e muzikës dhe adhurimit, shërbesat e kampuseve studentore, shërbesat ungjillore, shërbesat ndaj të varfërve si dhe përgjegjësitë administrative të cilat nuk përfshijnë funksionimin në rolin e pleqve të qeverisë mbi të tërë kishën.[144]77 Kjo listë mund të zgjerohet, por qëllimi është që ne nuk duhet të vëmë kufizime aty ku Shkrimi vetë nuk vë kufizime, por duhet të lejojmë dhe inkurajojmë një pjesëmarrje të plotë e lirisht nga gratë si edhe nga burrat në të tëra këto fusha.
Disa kundërshtojnë duke thënë se Besëlidhja e Re thekson udhëheqësinë prej shërbëtori dhe për rrjedhojë, ne nuk duhet të jemi edhe aq të preokupuar për çështjen e autoritetit, përderisa ky është një preokupim më shumë pagan sesa i krishterë. Por, ky kundërshtim bën një dallim të pavërtetë mes shërbëtorisë dhe autoritetit. Padyshim që Jezusi Vetë është modeli i një drejtuesi shërbëtor, por Jezusi ka gjithashtu autoritet, e një autoritet të jashtëzakonshëm madje! Ai është Zoti i jetës tonë si dhe Zoti i kishës. Në analogji me këtë, pleqtë duhet të ndjekin shembullin e Jezusit të udhëheqësisë prej shërbëtori (shiko 1 Pjetrit 5:1–5) por kjo nuk do të thotë se ata duhet të shpërfillin qeverisjen me autoritet kur Bibla vetë u jep këtë përgjegjësi (shiko 1 Tim. 5:17; Heb. 13:17; 1 Pjetrit 5:5).[145]78
Nganjëherë ka njerëz të cilët kundërshtojnë duke thënë se ashtu sikurse kisha më në fund e kuptoi se skllavëria qe diçka e gabuar, po kështu kisha sot, duhet ta kuptojë se udhëheqësia mashkullore është e gabuar dhe se është një traditë kulturore të cilës i ka kaluar koha e që duhet të lihet mënjanë. Por kjo kundërshti nuk arrin që të kuptojë dallimin mes institucionit të përkohshëm kulturor të skllavërisë, të cilën padyshim që Perëndia nuk e caktoi kur krijoi gjithçka, si dhe ekzistencën e një dallimi në rolet e mashkullit dhe femrës në martesë (dhe, në mënyrë të nënkuptuar, në marrëdhëniet përbrenda kishës) të cilat Perëndia i caktoi që në krijim. Farërat për shkatërrimin e skllavërisë u mbollën në Besëlidhjen e Re (shiko Filem. 16; Efe. 6:9; Kol. 4:1; 1 Tim. 6:1–2), por nuk mbillen në Bibël asnjë farë për shkatërrimin e martesës apo për shkatërrimin e dallimeve mashkull-femër siç u krijuan. Për më tepër, ky kundërshtim mund edhe të kthehet në të kundërtën: ka të ngjarë se një paralelizëm më i afërt me mbrojtësit e krishterë të skllavërisë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, gjendet tek feministët ungjillorë të cilët sot përdorin argumentet nga Bibla për të justifikuar konformizmin e tyre ndaj disa trysnive tejet të forta në shoqërinë bashkëkohore (në favor të skllavërisë asokohe, dhe për qenien e grave pastore tani).
Nganjëherë është kundërshtuar me argumentin që Priskila dhe Akuila së bashku folën me Apolin dhe “ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë” (Veprat 18:26). Kjo është e vërtetë dhe është një provë ndihmuese e cila tregon se diskutimi në mënyrë jo formale i Shkrimit nga burrat dhe gratë së bashku, në të cilin si burrat ashtu edhe gratë luajnë një rol të ndjeshëm në ndihmesën e njëri tjetrit për të kuptuar Shkrimin, është aprovuar nga Besëlidhja e Re. Edhe një herë, një shembull i tillë, na paralajmëron që të mos ndalojmë veprimtaritë të cilat nuk ndalohen nga Shkrimi, e megjithëkëtë kjo nuk i përmbys parimet që roli i njohur publikisht për drejtimi dhe mësimdhënien përbrenda kishës, është i kufizuar tek burrat. Priskila nuk po bënte asgjë që do binte në kundërshtim me këtë kufizim.
Nganjëherë, është kundërshtuar me argumentin se ka mungesë njëtrajtshmërie në qëndrim po qe se do të lejosh gratë të votojnë në kishat që kanë drejtim grigjor, por të mos i lejosh të jenë pjesë e pleqësisë. Por autoriteti i kishës në tërësi nuk është i njëjti me autoritetin e dhënë ndaj individëve specifikë përbrenda kishës. Kur themi se grigja në tërësi ka autoritet, me këtë ne nuk duam të themi se secili burrë apo grua në grigjë ka autoritetin për të folur apo për të vepruar për grigjën. Për rrjedhojë, gjinia, si pjesë e personshmërisë individuale, nuk është marrë ndjeshëm parasysh në vendimet e përbashkëta grigjore.
Një mënyrë tjetër se si ta shprehim këtë, është thënia se e vetmja pyetje që ne jemi duke ngritur në këtë seksion, është nëse gratë mund të jenë funksionare përbrenda kishës, dhe veçanërisht nëse ato mund të jenë pjesë e pleqësisë përbrenda kishës. Në çfarëdo sistemi grigjor ku pleqtë zgjidhen nga grigja, është evidente për të gjithë në kishë se pleqtë kanë një lloj autoriteti të deleguar të cilin pjesëtarët e tjerë të grigjës nuk e kanë—edhe pse pjesëtarët e tjerë të grigjës kanë votuar për këto njerëz fillimisht. Është e njëjta gjë në të tëra sistemet e drejtimit ku funksionarët zgjidhen: sapo Presidenti i Shteteve të Bashkuara apo kryebashkiaku i qytetit zgjidhet, ai person ka një autoritet të deleguar mbi njerëzit të cilët e zgjodhën atë, dhe ky është një autoritet i cili është më i madh sesa autoriteti i cilitdo person individual i cili votoi.[146]79
Në këtë pikë, është gjithashtu me vend që të kuptojmë se Perëndia ka dhënë shumë njohuri të thella dhe mençuri grave ashtu sikurse burrave, dhe se cilido drejtues i kishës i cili lë pas dore përfitimin prej mençurisë së grave, është me të vërtetë duke vepruar me marrëzi. Për rrjedhojë, cilido grup pleqsh apo drejtuesish të tjerë meshkuj të cilët marrin vendime të cilat ndikojnë tek e tërë kisha, duhet që shpesh herë të kenë procedura përbrenda kishës përmes të cilave mençuria dhe njohuria e thellë e pjesëtarëve të tjerë të kishës, veçanërisht mençuria dhe njohuria e thellë e grave ashtu sikurse edhe ajo e burrave, mund të përdoret si ndihmë në vendimmarrje.
9. Po funksionet e tjera përbrenda kishës? I tërë diskutimi i mësipërm është përqendruar tek çështja e nëse gratë duhet apo jo të funksionojnë si pastore ose si pjesë e pleqësisë përbrenda kishës. Por çfarë mund të thuhet për funksionet e tjera?
Mësimi biblik në lidhje me funksionin e dhjakut është shumë më pak i zgjeruar sesa kjo në lidhje me postin e plakut,[147]80 dhe ajo që përfshihet në postin e dhjakut varion ndjeshëm nga njëra kishë tek tjetra. Nëse dhjakët janë duke funksionuar aktualisht si pleq dhe kanë autoritetin më të lartë qeverisës përbrenda një kishe vendore, atëherë, argumentet që jepen më sipër kundër grave si pjesëtare të pleqësisë, do të gjenin zbatim të drejtpërdrejtë në këtë situatë, dhe do të rrjedhonte që Shkrimi nuk i lejon gratë që të jenë dhjake në këtë kuptim. Nga ana tjetër, nëse dhjakët thjesht kanë përgjegjësi të deleguara administrative për disa aspekte të caktuara të shërbesës së kishës, atëherë duket se nuk ka arsye të qëndrueshme për të mos i lejuar gratë që të ushtrojnë funksionin e dhjakes. Për sa i takon çështjes së grave si dhjake tek “1 Timoteut” 3:8–13, mua nuk më duket se ky pasazh i lejon gratë që të jenë dhjake në mënyrën se si dhjakët kuptohen në atë situatë por ka një dallim të ndjeshëm në pikëpamje ndër ungjilltarët për sa i takon kuptimit të këtij pasazhi,[148]81 dhe është shumë më pak e qartë për ne për sa i takon asaj që bënë ekzaktësisht dhjakët në atë kohë sesa ç’është e qartë se bënë pleqt.[149]82
Në lidhje me postet e tjera, si për shembull thesarmbajtësi, apo pozita të tjera të stafit si shërbenjës i të rinjve apo drejtor këshillimor apo shërbenjës ndaj fëmijëve e kështu me radhë, e vetmja pyetje që duhet ngritur, është nëse këto funksione përfshijnë funksionin drejtues dhe mësimor të rezervuar për pleqësinë në Besëlidhjen e Re. Nëse jo, atëherë të tëra këto poste do të ishin të hapura edhe për gratë sikurse janë për burrat sepse ne duhet të tregohemi të kujdesshëm që të mos ndalojmë atë gjë të cilën Besëlidhja e Re nuk e ndalon.
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. Pavarësisht se në çfarë lloj strukture drejtimi kishe gjendesh, a ka mënyra në të cilat mund të tregohesh më inkurajues dhe mbështetës ndaj drejtuesve të tanishëm në kishën tënde?
2. Po qe se ti je tani funksionar në kishën tënde, apo nëse dëshiron që të jesh një ditë i tillë, a është modeli yt i jetës i tillë që ti do të doje ta shikoje të imituar nga të tjerët në kishë? Nëse ke patur pjesë në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të kishës, a ke patur prirjen që të theksoje tiparet e karakterit dhe cilësitë kualifikuese frymërore për të cilat flitet tek Shkrimi, apo ke theksuar cilësitë e tjera kualifikuese që bota do të kërkonte në përzgjedhjen e drejtuesve të saj?
3. A mendon se struktura e tanishme drejtuese e kishës tënde funksionon mirë? Si do mund të përmirësohej ajo pa e ndryshuar filozofinë bazë të drejtimit të kishës për të cilën është përkushtuar? Pavarësisht nëse kisha ka ose jo funksionarë të cilët quhen “pleq,” cilët janë njerëzit që kryejnë funksionet e pleqve në kishën tënde? A ke dijeni nëse pastori yt do të donte të shikonte ca modifikime në drejtimin e kishës tënde për ta bërë atë të aftë që të kryente detyrën e tij me më shumë efikasitet?
4. Përpara se të lexoje këtë kapitull, cila ishte pikëpamja jote mbi çështjen e grave të cilat shërbejnë si pastore-mësuese apo që janë pjesë e pleqësisë në një kishë? Si e ka ndryshuar ky kapitull (po qe se e ka ndryshuar) pikëpamjen tuaj? Përse mendon se emocionet e njerëzve shpesh herë janë shumë të forta në lidhje me këtë çështje? A mund të shpjegosh se çfarë ndjen ti vetë (emocionalisht) për mësimin e prezantuar në këtë kapitull? A të duket i duhur apo jo?
TERMA TË VEÇANTË
apostull
peshkop
klasë
drejtim grigjor
konsistor
dhjak
dioqezë
plak
drejtim episkopalian
asamble e përgjithshme
drejtim hierarkik
pleqësi vendore
funksionar
mbikëqyrës
pastor
drejtim presbiterian
presbiteri
prift
rektor
sesion
sinod
vikar
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton, 384–418
1930 Thomas, 313–318, 429–433, 452–458
2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)
1875–1876 Pope, 3:335–359
1892–1894 Miley, 2:415–419
1940 Wiley, 3:117–137
1983 Carter, 2:619–620
3. Baptiste
1767 Gill, 2:574–607
1907 Strong, 894–929
1983–1985 Erickson, 1069–1088
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 4:150–153
1949 Thiessen, 314–318
1986 Ryrie, 403–420
5. Luterane
1917–1924 Pieper, 3:427–438, 439–472
1934 Mueller, 563–584
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1559 Calvin, 2:1053–1228 (4.3–11)
1861 Heppe, 672–684
1937–1966 Murray, CW 1:260–268; CW 2:336–365
1938 Berkhof, 579–592
1962 Buswell, 1:424–428
7. Ripërtëritje (apo karizmatike/Pentakostale)
1988–1992 Williams, 3:177–220
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott, 276–290, 450–460
2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II
1980 McBrien (pa trajtim të hollësishëm)
Vepra të Tjera
Babbage, S.B. “Funksionarët e Kishës (Church Officers).” Tek FUT ([150]EDT) fq. 243–245. (Përmban një listë me tituj të ndryshëm për funksionarët e kishës, tituj të përdorur në denominacione të ndryshme sot, bashkë me përkufizime.)
Bannerman, James. Kisha e Krishtit (The Church of Christ). 2 vol. London: Banner of Truth, 1960. (Botuar për herë të parë më 1869.)
Baxter, Richard. Pastori i Reformuar (The Reformed Pastor). Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1979. [Rishtypur.]
Bilezikian, Gilbert. Përtej Roleve Seksuale (Beyond Sex Roles). Bot. i 2të. Grand Rapids: Baker, 1985. (Favorizon gratë si pastore.)
Burge, G.M. “Dhajkë, Dhajke (Deacon, Deaconness).” Tek FUT (EDT) fq. 295–296.
Carson, D.A. “Kisha, Autoriteti në (Church, Authority in).” Tek FUT (EDT) fq. 228–231.
Clark, Stephen B. Burrë dhe Grua në Krishtin (Man and Women in Christ). Ann Arbor, Mich.: Servant, 1980. (Kundërshton gratë si pastore.)
Clowney, Edmund. Thirrur për Shërbesë (Called to the Ministry). Chicago: InterVarsity Press, 1964.
_______. “Presbiterianizmi (Presbyterianism).” Tek FUT (EDT) fq. 530–531.
Evans, Mary J. Gratë në Bibël (Women in the Bible). Exeter: Paternoster, and Downers Grove: InterVarsity Press, 1983. (Favorizon gratë si pastore.)
Foh, Susan. Gratë dhe Fjala e Perëndisë: Një Reagim ndaj Feminizmit Biblik (Women and the Word of God: A Response to Biblical Feminism). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1980. (Kundërshton gratë si pastore.)
Fung, Ronald Y.K. “Shërbesa në Besëlidhjen e Re (Ministry in the New Testament).” Tek Kisha në Bibël dhe në Botë (The Church in the Bible and the World). Red. nga D.A. Carson. Exeter: Paternoster, dhe Grand Rapids: Baker, 1987.
Gundry, Patricia. As Skllav dhe As i Lirë: Të Ndihmojmë Gratë t’i Përgjigjen Thirrjes për Drejtimin e Kishës (Neither Slave nor Free: Helping Women Answer the Call to Church Leadership). San Francisco: Harper and Row, 1987. (Favorizon gratë si pastore.)
_______. Gra Lirohuni! Mesazhi i Qartë i Shkrimit (Women Be Free! The Clear Message of Scripture). Grand Rapids: Zondervan, 1988. (Favorizon gratë si pastore.)
Hodge, Charles. Diskutime në Organizmin e Kishës (Discussions in Church Polity). New York: Charles Scribner’s Sons, 1878.
Hort, F.J.A. Eklesia Kristiane (The Christian Ecclesia). London: Macmillan, 1898.
House, H. Wayne. Roli i Grave në Shërbesën e Sotme (The Role of Women in Ministry Today). Nashville: Thomas Nelson, 1990. (Kundërshton gratë si pastore.)
Hurley, James B. Burri dhe Gruaja Sipas Këndvështrimit Biblik (Man and Woman in Biblical Perspective). Leicester: Inter-Varsity Press, and Grand Rapids: Zondervan, 1981. (Kundërshton gratë si pastore.)
Kirby, G.W. “Drejtimi Grigjor (Congregationalism).” Tek FUT (EDT) fq. 159–161.
Knight, George W., III. Marrëdhënia e Roleve të Burrave dhe Grave (The Role Relationship of Men and Women). Bot. i rishik. Chicago: Moody, 1985. (Kundërshton gratë si pastore.)
Kroeger, Richard and Catherine. Nuk e Lejoj Gruan (I Suffer Not a Woman). Grand Rapids: Baker, 1992. (Favorizon gratë si pastore.)
Macleod, D. “Drejtimi i Kishës (Church Government).” Tek FUT (EDT) fq. 143–146.
Marshall, I. Howard. “Apostull (Apostle).” Tek FUT (EDT) f. 40.
Mickelsen, Alvera, red. Gratë, Autoriteti dhe Bibla (Women, Authority, and the Bible). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1986. (Një përmbledhje eseshë të shkruara nga një sërë autorësh, pjesa më e madhe e të cilëve favorizojnë gratë si pastore.)
Morris, L. “Drejtimi i Kishës (Church Government).” Tek FUT (EDT) fq. 238–241.
_______. Shërbenjës të Perëndisë (Ministers of God). London: Inter-Varsity Press, 1964.
Piper, John, dhe Wayne Grudem, red. Rikuperimi i Burrërisë dhe Grarisë Biblike: Një Reagim ndaj Feminizmit Ungjillor (Recovering Biblical Manhood and Womanhood: A Response to Evangelical Feminism). Wheaton, Ill.: Crossway, 1991. (Një përmbledhje e njëzetetetë esesh nga njëzetedy autorë; kundërshton gratë si pastore.)
Richards, Lawrence O. Një Teologji e Udhëheqësisë Kishtare (A Theology of Church Leadership). Grand Rapids: Zondervan, 1980.
Saucy, Robert L. “Autoriteti në Kishë (Authority in the Church).” Tek Walvoord: Tribut (A Tribute). Red. nga Donald K. Campbell. Chicago: Moody, 1982. fq. 219–237. (Një argument i zgjeruar në favor të drejtimit grigjor.)
_______. Kisha Sipas Programit të Perëndisë (The Church in God’s Program). Chicago: Moody, 1972.
Spencer, Aida Besancon. Përtej Mallkimit: Gratë të Thirrura në Shërbesë (Beyond the Curse: Women Called to Ministry). Nashville: Thomas Nelson, 1985. (Favorizon gratë si pastore.)
Stott, John R.W. Portreti i Predikuesit (The Preacher’s Portrait). Grand Rapids: Eerdmans, 1961.
Strauch, Alexander. Pleqësia Biblike: Një Thirrje Urgjente për Rimëkëmbjen e Udhëheqësisë Biblike të Kishës (Biblical Eldership: An Urgent Call to Restore Biblical Church Leadership). Littleton, Col.: Lewis and Roth, 1986.
Tiller, J. “Shërbesa (Ministry).” Tek FUT (EDT) fq. 430–433.
Toon, Peter. “Peshkop (Bishop).” Tek FUT (EDT) fq. 157–158.
Tucker, Ruth A., dhe Walter L. Liefeld. Bijat e Kishës: Gratë dhe Shërbesa nga Koha e Besëlidhjes së Re e Deri Tani (Daughters of the Church: Women and Ministry from New Testament Times to the Present). Grand Rapids: Zondervan, 1987. (Favorizon gratë si pastore.)
Wallace, R.S. “Plak (Elder).” Tek FUT (EDT) fq. 347–348.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“1 Pjetrit” 5:1–4: U bëj thirrje pleqve midis jush, unë bashkëplak dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit edhe pjesëmarrës i lavdisë që ka për t'u zbuluar: ruani tufën e Perëndisë midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me vullnet të lirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën. Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket.
HIMN
“GJËRA TË LAVDISHME THUHEN PËR TY (GLORIOUS THINGS OF THEE ARE SPOKEN)”
Nuk ka shumë himne (po qe se ka ndonjë) të shkruara për drejtimin e kishës. Këtu kam vënë një himn në të cilin falënderohet Perëndia për bekimet e të qenurit pjesëtar i popullit të Perëndisë në përgjithësi, dhe për rrjedhojë, një qytetar i Malit Zion qiellor, qytetit qiellor ku banojnë njerëzit e Perëndisë. Por, në këtë himn, autori përdor gjithashtu ilustrime nga Besëlidhja e Vjetër e udhëtimit të popullit të Perëndisë nëpër shkretëtirë (“shiko renë dhe zjarrin tek shfaqet,” v. 3), dhe i tërë himni mund të shikohet gjithashtu si një falënderim ndaj Perëndisë për bekimet e banimit (frymërisht) përbrenda mureve të kishës sot.
Autori, Xhon Njutën (John Newton), është gjithashtu autori i himnit të mirë-njohur “Mëshirë e Pafund (Amazing Grace).”
Gjëra të lavdishme për ty thuhen, Zion, qyteti i Perëndisë tonë;
Ai, Fjala e të Cilit nuk mund të shkelet të formoi që Vetë tek ti të banojë:
Mbi Shkëmbin e Përjetshëm themeluar, prehjen tënde të sigurt kush mund ta tronditë?
Rrethuar me muret e shpëtimit, me qetësi armiqtë e tij mund të soditë.
Përrenjtë e ujit të gjallë që burojnë nga dashuria e përjetshme, shiko
Furnizoji mirë bijtë dhe bijat e Tu dhe tërë frikën nga mungesat largo:
Kush mund të meket, ndërkohë që një lum i tillë rrjedh gjithnjë që etjen e tyre të shuajë?
Hiri i cili, si Zoti, dhënësi, shekull pas shekulli kurrë nuk do të luajë.
Shiko tek shfaqet reja dhe zjarri rreth çdo shtëpie e përmbi,
Tregohen që Zoti është pranë, me këtë strehë dhe lavdi,
Kësisoj duke marrë prej flamurit të tyre hije ditën dhe dritë natën,
Ai bën kur ata luten që vazhdimisht të ushqehen me manën.
Shpëtimtar, nëse përmes hirit jam pjesëtar i qytetit të Zionit,
Le që bota të tallet apo të mëshirojë, por unë do të përlëvdoj emrin e Zotit:
Kënaqësitë e botës, e tërë poha dhe të dukurit e saj mburravecë, veniten;
Askush veç fëmijëve të Zionit nuk njeh gëzimin e patundur dhe thesaret që mbeten.
Autor: John Newton, 1779