General
Text

Kapitulli 44: Kisha: natyra, shenja dhe qëllimet e saj

Lesson 46 Chapter 1 Module 8

Kisha: Natyra, Shenjat dhe Qëllimet e Saj

Çfarë është e domosdoshme me qëllim për të bërë një kishë? Si mund ta dallojmë një kishë të vërtetë? Qëllimet e kishës

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A. Natyra e kishës

1. Përkufizim: Kisha është komuniteti i të tërë besimtarëve të vërtetë të të gjitha kohërave. Sipas këtij përkufizimi, kisha është e përbërë prej të tërë atyre të cilët janë me të vërtetë të shpëtuar. Pali thotë “Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të” (Efe. 5:25). Këtu, termi “kishë” është përdorur për t’u zbatuar tek të tërë ata për të cilët Krishti vdiq që t’i shpengonte, për të tërë ata të cilët janë shpëtuar nëpërmjet vdekjes së Krishtit. Por, kjo duhet të përfshijë të tërë besimtarët e vërtetë të të gjitha kohërave, si besimtarët në epokën e Besëlidhjes së Re, ashtu edhe besimtarët në epokën e Besëlidhjes së Vjetër.[1]1 Kaq i madh është plani i Perëndisë për kishën saqë Ai e ka ngritur Krishtin në një pozitë me autoritetin më të lartë për hir të kishës: Ai “vuri gjithçka nën këmbët e tij, edhe përmbi çdo gjë ia dha për krye kishës, e cila është trupi i tij, plotësia e atij që mbush gjithçka, në të gjitha” (Efe. 1:22–23).

Vetë Jezus Krishti e ndërton kishën duke i thirrur tek Vetja njerëzit e Tij. Ai premtoi: “do të ndërtoj kishën time” (Mat. 16:18). Gjithashtu Luka nuk harron që të na tregojë se rritja e kishës erdhi jo vetëm përmes përpjekjesh njerëzore, por që “Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar” (Veprat 2:47). Por ky proces përmes të cilit Krishti ndërton kishën, është thjesht një vazhdimësi e një modeli të ngritur nga Perëndia në Besëlidhjen e Vjetër, përmes të cilit Ai i thirri njerëzit tek Vetja, për të qenë një asamble adhuruese përpara Tij. Ka një sërë treguesish në Besëlidhjen e Vjetër që tregojnë se Perëndia e shikonte popullin e Tij si një “kishë,” një popull i mbledhur me qëllim adhurimin e Perëndisë. Kur Moisiu u thotë njerëzve se Zoti i tha: “Më mblidh popullin dhe unë do ta bëj të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t'ua mësojnë bijve të tyre...” (L. i P. 4:10), Septuaginta e përkthen fjalën “mblidh” (Heb. קָהַל, H7735) me termin greqisht ἐκκλησιάζω “të mbledhësh një asamble,” folja që është e afërt për nga kuptimi me emrin e përdorur në Besëlidhjen e Re ἐκκλησία (G1711) “kishë.”[2]2

Prandaj, nuk është për t’u habitur që autorët e Besëlidhjes së Re mund të flasin për njerëzit e Besëlidhjes së Vjetër të Izraelit duke i quajtur “kishë” (ἐκκλησία, G1711). Për shembull, Stefani flet për popullin e Izraelit në shkretëtirë duke iu referuar si “kisha (ἐκκλησία) në shkretëtirë” (Veprat 7:38, përkthimi i autorit). Gjithashtu, autori i “Hebrenjve” citon Krishtin të thotë se do t’i këndonte lavde Perëndisë në mes të asamblesë së madhe të popullit të Perëndisë në qiell: “Në mes të kishës (ἐκκλησία) do të të këndoj lavde” (Heb. 2:12, përkthimi i autorit, duke cituar “Ps.” 22:22).

Për rrjedhojë, autori i “Hebrenjve” i kupton të krishterët e sotëm të cilët përbëjnë kishën në tokë si të rrethuar nga një “re (e madhe) ... dëshmitarësh” (Heb. 12:1) e cila shkon deri në epokat më të hershme të Besëlidhjes së Vjetër dhe përfshin Abelin, Enokun, Noan, Abrahamin, Sarën, Gedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftahun, Davidin, Samulin, si dhe profetët (Heb. 11:4–32). Të tërë këta “dëshmitarë” rrethojnë popullin e tanishëm të Perëndisë dhe padyshim që është me vend që ata, bashkë me popullin e Perëndisë të Besëlidhjes së Re, të mendohen si “asambleja” apo “kisha” e madhe frymërore e Perëndisë.[3]3 Për më tepër, më pas, në kapitullin 12 autori i “Hebrenjve” thotë se kur të krishterët e Besëlidhjes së Re adhurojnë, ne hyjmë në praninë e “kishës (fjalë për fjalë “kishës,” Gr. ἐκκλησία, G1711) së të parëlindurve që janë shkruar në qiej.” Ky theksim nuk është befasues në dritën e faktit që autorët e Besëlidhjes së Re i shikojnë besimtarët judenj si dhe besimtarët johebrenj të bashkuar tani në kishë. Së bashku, ata janë bërë “një” (Efe. 2:14), ata janë “një njeri i ri” (v. 15) dhe “bashkëqytetarë” (v. 19), si dhe “pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë” (v. 19).

Për rrjedhojë, edhe pse padyshim që ka privilegje të reja si dhe bekime të reja që i janë dhënë popullit të Perëndisë në Besëlidhjen e Re, si përdorimi i termit “kishë” në Shkrim, ashtu edhe fakti që përgjatë gjithë Shkrimit Perëndia i ka thirrur gjithnjë njerëzit e Tij për t’u mbledhur për ta adhuruar, tregon se është e përshtatshme që kishën ta mendojmë si të përbërë prej gjithë popullit të Perëndisë në të gjitha kohërat, si besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër ashtu edhe ata të Besëlidhjes së Re.[4]4

2. Kisha është e padukshme, e megjithëkëtë e dukshme. Në realitetin e vërtetë frymëror si përbashkësi e të tërë besimtarëve të mirëfilltë, kisha është e padukshme. Kjo ndodh për shkak se ne nuk mund ta shikojmë gjendjen frymërore të zemrës së njeriut. Ne mund të shikojmë ata të cilët nga ana e jashtme marrin pjesë në kishë, dhe shikojmë prova të jashtme të një ndryshimi frymëror të brendshëm, por ne nuk mundemi që t’i shikojmë faktikisht zemrat e njerëzve dhe as gjendjen e tyre frymërore. Vetëm Perëndia mund ta bëjë këtë gjë. Kjo është arsyeja përse Pali thotë: “Zoti i njeh të vetët” (2 Tim. 2:19). Edhe në kishat dhe lagjet tona, vetëm Perëndia e di me siguri dhe pagabueshmërisht se cilët janë besimtarët e vërtetë. Kur flet për kishën si të padukshme, autori i “Hebrenjve” flet për “kishën (fjalë për fjalë pikërisht “kishën”) e të parëlindurve që janë shkruar në qiej” (Heb. 12:23), dhe thotë se të krishterët e sotëm bashkohen me atë asamble në adhurim.

Ne mund të japim përkufizimin e mëposhtëm: Kisha e padukshme është kisha që Perëndia shikon.

Si Martin Luteri ashtu edhe Xhon Kalvini ishin të zellshëm të pohonin këtë aspekt të padukshëm të kishës, përkundër mësimit të Katolicizmit Romak sipas të cilit kisha ishte ajo organizatë e dukshme e cila ka ardhur prej apostujve në një linjë të pandërprerë pasueshmërie (përmes peshkopëve të kishës). Kisha Katolike Romake kishte deklaruar se vetëm në organizatën e dukshme të Kishës Romake ne mund të gjenim kishën e vërtetë, të vetmen kishë të vërtetë. Edhe sot e kësaj dite, një pikëpamje e tillë mbahet ende nga Kisha Katolike Romake. Tek “Deklarata Pastorale për Katolikët mbi Fundamentalizmin Biblik” të tyre, të dalë në qarkullim më 25 Mars, 1987, Konferenca Kombëtare (e Shteteve të Bashkuara) të Komisionit Ad Hok mbi Fundamentalizmin Biblik të Peshkopëve Katolikë, e kritikoi krishterimin ungjillor (të cilin e quajti “fundamentalizëm biblik” kryesisht për shkak se ai i largonte njerëzit nga kisha e vetme e vërtetë:

Karakteristika bazë e fundamentalizmit biblik është se ai eliminon nga krishterimi kishën në formën si Zoti Jezus e themeloi....Nuk përmendet kisha historike dhe autoritare në vazhdimësinë nga Pjetri dhe apostujt e tjerë....Një studim i Besëlidhjes së Re...demonstron rëndësinë e përkatësisë ndaj kishës së nisur nga Jezus Krishti. Krishti zgjodhi Pjetrin si dhe apostujt e tjerë si themelet e kishës së Tij....Pjetri si dhe apostujt e tjerë janë pasuar nga peshkopi i Romës si dhe peshkopët e tjerë, dhe...grigja e Krishtit ka ende, nën Krishtin, një bari të përbotshëm.[5]5

Me këtë lloj mësimi, as Luteri dhe as Kalvini nuk ranë dakord. Ata thanë se Kisha Katolike Romake kishte formën e jashtme, organizatën, por kjo ishte thjesht një guaskë. Kalvini tha se ashtu sikurse Kaiafa (kryeprifti në kohën e Krishtit) ishte i linjës që zbriste prej Aaronit por që nuk ishte prift i vërtetë, po kështu edhe peshkopët Katolikë Romakë kishin “ardhur” nga apostujt në një linjë njëpasnjëshmërie në detyrë, por ata nuk ishin peshkopë të vërtetë në kishën e Krishtit. Kjo sepse ata qenë larguar nga predikimi i vërtetë i ungjillit, dhe organizata e tyre e dukshme nuk ishte kisha e vërtetë. Kalvini tha: “Ky pretendim i njëpasnjëshmërisë është i kotë nëse pasuesit e tyre nuk ruajnë të sigurt dhe të pashtrembëruar të vërtetën e Krishtit që ata kanë marrë nga duart e etërve të tyre, dhe u përmbahen atyre....Shikoni se sa pak vlerë ka kjo njëpasnjëshmëri, në rast se ajo përfshin një tejçim të vërtetë e të pandërprerë (të të vërtetës biblike – sh. i përkth.) nga ana e atyre që janë pjesë e kësaj njëpasnjëshmërie!”[6]6

Nga ana tjetër, kisha e vërtetë e Krishtit padyshim që ka gjithashtu një aspekt të dukshëm. Ne mund të përdorim përkufizimin e mëposhtëm: Kisha e dukshme është kisha ashtu sikurse e shikojnë të krishterët në tokë. Në këtë kuptim, kisha e dukshme përfshin të tërë ata që shpallin besimin e tyre në Krishtin e që japin prova të atij besimi në jetën e tyre.[7]7

Në këtë përkufizim ne nuk themi se kisha e dukshme është kisha siç mund ta shikojë cilido person në botë (si për shembull një jobesimtar apo dikush që i përmbahet mësimeve heretike), por duam të themi se po flasim për kishën ashtu sikurse ajo perceptohet prej atyre që janë besimtarë të mirëfilltë dhe që e kuptojnë dallimin mes besimtarëve dhe jobesimtarëve.

Kur Pali shkruan letrat e tij, ai i shkruan kishës së padukshme në secilin komunitet: “Kishës së Perëndisë, që është në Korint” (1 Kor. 1:2); “Kishës së thesalonikasve në Perëndinë” (1 Thes. 1:1); “Filemonit...dhe Apfisë...dhe Arkipit... dhe kishës në shtëpinë tënde” (Filem. 1–2). Pali padyshim që e kupton se kishte jobesimtarë në disa prej këtyre kishave, disa prej të cilëve kishin shpallur me gojë besimin por që nuk besonin me të vërtetë, të cilët dukeshin si të krishterë por që si përfundim do të rrëzohen. Megjithëkëtë, as Pali e as ndokush tjetër nuk mund të thoshte me siguri se cilët ishin këta njerëz. Pali thjesht i shkroi të tërë kishës që mblidhej në një vend cilido që të ishte. Në këtë kuptim, ne mund të thoshim sot se kisha e dukshme është grupi i njerëzve që mblidhen bashkë çdo javë për të adhuruar si kishë e për të shpallur besimin në Krishtin.

Kisha e dukshme nëpër mbarë botën do të përfshijë gjithnjë disa jobesimtarë, dhe grigja të caktuara zakonisht do të përfshijnë disa jobesimtarë, për shkak se ne nuk mund ta shikojmë zemrën e njerëzve ashtu sikurse i shikon Perëndia. Pali flet për “Himeneun dhe Filetin të cilët dolën nga rruga” dhe të cilët “përmbysin besimin e disave” (2 Tim. 2:17–18). Por ai është i bindur se “Zoti i njeh të vetët” (2 Tim. 2:19). Pali thotë me pikëllim: “Dema më la, sepse deshi këtë botë dhe iku në Thesaloniki” (2 Tim. 4:10).

Në mënyrë të ngjashme, Pali i paralajmëron pleqtë e Efesit që pas largimit të tij “do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të ngrihen burra që do të flasin gjëra të çoroditura, që të tërheqin pas vetes dishepujt” (Veprat 20:29–30). Jezusi Vetë paralajmëroi: “Por ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju me të veshur delesh, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Do t'i njihni nga frytet e tyre” (Mat. 7:15–16). Duke kuptuar këtë dallim mes kishës së padukshme dhe kishës së dukshme, Agustini tha për kishën e dukshme: “Shumë dele janë jashtë dhe shumë ujqër janë brenda.”[8]8

Kur kuptojmë se në kishën e dukshme ka jobesimtarë, ka rrezik që ne të bëhemi më shumë dyshues se ç’duhet. Ne mund të fillojmë të dyshojmë shpëtimin e shumë besimtarëve të vërtetë dhe kësisoj të sjellim një pështjellim të madh në kishë. Kalvini paralajmëroi për këtë rrezik duke thënë se ne duhet të bëjmë një “gjykim me dashamirësi” me anë të të cilit ne njohim si pjesëtarë të kishës të tërë ata të cilët “me anë të pohimit të besimit të tyre, me anë të shembullit të jetës, dhe përmes pjesëmarrjes në sakramente, shpallin bashkë me ne të njëjtin Perëndi dhe Krisht.”[9]9 Ne nuk duhet të përpiqemi t’i përjashtojmë njerëzit nga përbashkësia me kishën derisa ata përmes mëkatit publik ia shkaktojnë vetes disiplinimin. Nga ana tjetër, sigurisht, kisha nuk duhet të tolerojë në anëtarësinë e saj “jobesimtarë publikë” të cilët me shpalljen apo me jetën e tyre qartësisht e deklarojnë veten si jashtë kishës së vërtetë.

3. Kisha është vendore dhe e përbotshme. Në Besëlidhjen e Re, fjala “kishë” mund të përdoret për një grup besimtarësh në çfarëdo niveli, duke variuar nga një grup shumë i vogël që takohet në një shtëpi private e deri tek grupi i të tërë besimtarëve të vërtetë në kishën universale. Një “kishë shtëpie” është quajtur “kishë” tek “Romakëve” 16:5 (“I bëni të fala edhe kishës që është në shtëpinë e tyre”), “1 Korintasve” 16:19 (“Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpinë e tyre”). Kisha në një qytet të tërë është quajtur gjithashtu “kishë” (1 Kor. 1:2; 2 Kor. 1:1; dhe 1 Thes. 1:1). Kisha në një rajon është referuar si “kishë” tek “Veprat” 9:31: “Kështu, në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin.”[10]10 Në fund, kishës në mbarë botën mund t’i referohemi si “kishë.” Pali thotë: “Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të” (Efe. 5:25) dhe thotë: “Perëndia vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues...” (1 Kor. 12:28). Në këtë varg të fundit, përmendja e “apostujve”, të cilët nuk i ishin dhënë ndonjë kishe individuale, garanton që referenca është ndaj kishës universale.

Mund të dalim në përfundimin që grupi i njerëzve të Perëndisë të marrë në konsideratë nga cilido nivel nga ai vendor tek ai i përbotshëm, mundet që me të drejtë të quhet “kishë.” Ne nuk duhet të bëjmë gabim që të themi se vetëm një takim kishe në shtëpi shpreh natyrën e vërtetë të kishës, apo vetëm një kishë e konsideruar në një nivel mbarë-qytetës mundet që me të drejtë të quhet kishë, apo vetëm kisha e përbotshme mundet që me të drejtë të quhet me emrin “kishë.” Përkundrazi, komuniteti i njerëzve të Perëndisë të marrë nga çfarëdo niveli, mundet që me të drejtë të quhet kishë.

4. Metafora për kishën.[11]11 Për të na ndihmuar që të kuptojmë natyrën e kishës, Shkrimi përdor një gamë të gjerë metaforash dhe ilustrimesh për të na përshkruar mënyrën se si është kisha.[12]12 Ka një sërë ilustrimesh të marra nga familja. Për shembull, Pali e shikon kishën si një familje kur i thotë Timoteut që të veprojë njësoj sikur të tërë pjesëtarët e kishës të ishin pjesëtar të një familjeje të madhe: “Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si një atë, dhe të rinjtë si vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dëlirësi” (1 Tim. 5:1–2). Perëndia është Ati ynë qiellor (Efe. 3:14), dhe ne jemi bijtë e bijat e Tij, sepse Perëndia na thotë: “Do të jem Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua bij e bija, thotë Zoti i Gjithëpushtetshëm” (2 Kor. 6:18). Për rrjedhojë ne jemi vëllezër dhe motra të njëri tjetrit në familjen e Perëndisë (Mat. 12:49–50; 1 Gjonit 3:14–18). Një metaforë disi ndryshe e marrë nga familja shikohet kur Pali i referohet kishës si nusja e Krishtit. Ai thotë se marrëdhënia mes një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje jepet “në lidhje me Krishtin dhe me kishën” (Efe. 5:32), dhe ai thotë se kishte bërë fejesën mes Krishtit dhe kishës në Korint, dhe se kjo i përngjante fejesës mes një nuseje dhe dhëndrit të saj të ardhshëm: “Ju fejova me një burrë të vetëm, që t'ju nxjerr para Krishtit si virgjëreshë të dëlirë” (2 Kor. 11:2)—këtu Pali me zor po pret për kohën e kthimit të Krishtit duke qenë se ajo është koha kur kisha do t’i paraqitet Atij si nusja e Tij.

Në metafora të tjera, Shkrimi e krahason kishën me shermendet e një hardhie (Gjoni 15:5), me një pemë ulliri (Rom. 11:17–24), një arë prodhuese (1 Kor. 3:6–9), një ndërtesë (1 Kor. 3:9), si dhe një të korrë (Mat. 13:1–30; Gjoni 4:35). Kisha shikohet gjithashtu si një tempull i ri i ndërtuar jo me gurë realë por i ndërtuar me të krishterë të cilët janë “gurë të gjallë” (1 Pjetrit 2:5) të ndërtuar tek “guri i qoshes” i cili është Jezus Krishti (1 Pjetrit 2:4–8). Megjithëkëtë, kisha është jo vetëm një tempull për adhurimin e Perëndisë; është gjithashtu një grup i ri priftërinjsh, një “priftëri e shenjtë” e cila mund të ofrojë “flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë” (1 Pjet. 2:5). Ne shikohemi gjithashtu si shtëpia e Perëndisë: “Ne jemi shtëpia e tij” (Heb. 3:6), ku Vetë Jezus Krishti shikohet si “ndërtuesi” i shtëpisë (Heb. 3:3). Kisha shikohet gjithashtu si “shtylla dhe mbështetja e së vërtetës” (1 Tim. 3:15).

Në fund, një metaforë tjetër e njohur, e shikon kishën si trupin e Krishtit (1 Kor. 12:12–27). Ne duhet ta kuptojmë se Pali në fakt përdor dy metafora të ndryshme të trupit njerëzor kur flet për kishën. Tek “1 Korintasve” 12 i tërë trupi merret si metaforë për kishën, për shkak se Pali flet për “veshin” dhe “syrin” si dhe për të “nuhaturin” (1 Kor. 12:16–17). Në këtë metaforë, Krishti nuk shikohet si koka e bashkuar me trupin, për shkak se pjesëtarët individuale janë vetë pjesët individuale të kokës. Krishti është në këtë metaforë Zoti i Cili është “jashtë” atij trupi që përfaqëson kishën, dhe është Ai të cilit kisha i shërben dhe e adhuron.

Por tek “Efesianëve” 1:22–23; 4:15–16, si dhe tek “Kolosianëve” 2:19, Pali përdor një metaforë tjetër të trupit për t’iu referuar kishës. Në këto pasazhe, Pali thotë se Krishti është kreu i kishës dhe kisha është si pjesa tjetër e trupit, e ndryshme nga koka: “por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti. Prej të cilit gjithë trupi i bashkuar dhe i lidhur mirë, me anë të bashkimit të ndihmesës sipas masës së veprueshmërisë së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri” (Efe. 4:15–16).[13]13 Këto dy metafora ne nuk duhet t’i ngatërrojmë tek “1 Korintasve” 12 dhe “Efesianëve” 4, por t’i mbajmë të ndara.

Gama e gjerë e metaforave të përdorura për kishën në Besëlidhje e Re duhet që të na kujtojë që të mos përqendrohemi në mënyrë ekskluzive në ndonjë prej tyre. Për shembull, ndërkohë që është e vërtetë se kisha është trupi i Krishtit, ne duhet të mbajmë mend që kjo është vetëm një metaforë ndër shumë të tjera. Nëse përqendrohemi në mënyrë ekskluzive tek ajo metaforë, do kemi gjasa që të harrojmë se Krishti është Zoti ynë që mbretëron në qiell si dhe që është Ai i Cili banon ndër ne. Pa dyshim që ne nuk duhet të biem dakord me pikëpamjen e Katolicizmit Romak sipas të cilës kisha është “mishërimi i vazhdueshëm” i Birit të Perëndisë në tokë sot. Kisha nuk është Biri i Perëndisë në mish, sepse Krishti u ringjall në trupin e Tij njerëzor, Ai u ngrit në trupin e Tij njerëzor në qiell, dhe tani Ai mbretëron si Krishti i mishëruar në qiell, si dikush që është qartësisht veçmas kishës këtu në tokë.

Secila prej metaforave të përdorura për kishën, mund të na ndihmojë që të vlerësojmë më shumë pasurinë e privilegjeve të cilat Perëndia na ka dhënë duke na ndërkallur në kishë. Fakti që kisha është si një familje, duhet që ta shtojë dashurinë dhe përbashkësinë tonë me njëri-tjetrin. Mendimi që kisha është si nusja e Krishtit, duhet të na stimulojë që të përpiqemi për një pastërti dhe shenjtëri më të madhe si dhe për një dashuri më të madhe për Krishtin dhe nënshtrim ndaj Tij. Ilustrimi i kishës si shermendet e një hardhie, duhet të na bëjë që të gjejmë më plotësisht prehje tek Ai. Ideja e një bime të bujqësisë, duhet të na inkurajojë që të vazhdojmë të rritemi në jetën e krishterë dhe që të përftojmë për veten si dhe për të tjerët vlerat e duhura frymërore ushqyese, të nevojshëm për rritje. Pamja e kishës si tempulli i ri i Perëndisë, duhet ta shtojë vetëdijen tonë për praninë e Perëndisë Vetë i Cili banon në mesin tonë kur ne takohemi. Koncepti i kishës si një priftëri, duhet të na ndihmojë që të shikojmë më qartë kënaqësinë që Perëndia ka në flijimet e lavdërimit si dhe të veprave të mira që ne i ofrojmë Atij (shiko Heb. 13:15–16). Metafora e kishës si trupi i Krishtit, duhet ta shtojë ndërvarësinë tonë me njëri tjetrin, si dhe vlerësimin tonë të larmisë së dhuratave përbrenda trupit. Nga këto si dhe të tjera metafora të renditura në Shkrim, mund të nxirren edhe shumë zbatime të tjera.

5. Kisha dhe Izraeli. Ndër Protestantët Ungjillorë ka patur këndvështrime të ndryshme ndaj çështjes së marrëdhënies mes Izraelit dhe kishës. Kjo çështje doli në pah prej atyre të cilët i përmbahen një sistemi “dispensacional” teologjie. Teologjia sistematike më e zgjeruar e shkruar nga një dispensacionalist, konkretisht: Teologji Sistematike (Systematic Theology) e Lewis Sperry Chafer [14]14 tregon shumë dallime mes Izraelit dhe kishës, dhe madje mes Izraelit besimtar në Besëlidhjen e Vjetër dhe kishës në Besëlidhjen e Re.[15]15 Chafer-i argumenton se Perëndia ka dy plane të ndryshme për dy grupe të ndryshme njerëzish që Ai ka shpenguar: Qëllimet dhe premtimet e Perëndisë për Izraelin janë për bekime tokësore dhe ato do të përmbushen në këtë tokë dikur në të ardhmen. Nga ana tjetër, qëllimet dhe premtimet e Perëndisë për kishën, janë për bekime qiellore dhe këto premtime do të përmbushen në qiell. Ky dallim mes dy grupeve të ndryshme që Perëndia i shpëton, do të shikohet veçanërisht në mijëvjeçar, sipas Chafer-it, sepse në atë kohë, Izraeli do të mbretërojë në tokë si populli i Perëndisë si dhe do të gëzojë plotësimin e premtimeve të Besëlidhjes së Vjetër, por kisha do të jetë marrë tashmë në qiell në kohën e kthimit në fshehtësi të Krishtit për shenjtorët e Tij (“rrëmbimi”). Sipas kësaj pikëpamjeje, kisha nuk filloi deri në ditën e Rrëshajëve (Veprat 2). Dhe nuk është e saktë të mendojmë për besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër bashkë me besimtarët e Besëlidhjes së Re si përbërës të një kishe.

Edhe pse pozita e Chafer-it vazhdon të ketë ndikim në disa qarqe dispensacionaliste, si dhe padyshim në predikimet më popullore, një sërë drejtuesish ndër dispensacionalistët e kohëve të fundit, nuk e kanë ndjekur Chafer-in në shumë prej këtyre pikave. Një sërë teologësh të tanishëm dispensacionalistë, si për shembull Robert Saucy, Craig Blaising, si dhe Darrell Bock, i referohen vetes si “dispensacionalistë progresivë,”[16]16 dhe kanë bërë për vete shumë ndjekës. Ata nuk do ta shikonin kishën si një parantezë në planin e Perëndisë por si hapin e parë drejt themelimit të mbretërisë së Perëndisë. Sipas një pikëpamjeje progresive dispensacionale, Perëndia nuk ka dy qëllime të ndara për Izraelin dhe kishën por një qëllim të vetëm: themelimin e mbretërisë së Perëndisë, në të cilën Izraeli dhe kisha do të kenë të dyja pjesë. Dispensacionalistët progresive nuk do të shikojnë dallim mes Izraelit dhe kishës në gjendjen e përjetshme të ardhshme sepse të gjithë do të jenë pjesë e një populli të Perëndisë. Për më tepër, ata besojnë se kisha do të mbretërojë me Krishtin në trupa të përlëvduar në tokë gjatë mijëvjeçarit (shiko diskutimin e mijëvjeçarit në kapitullin 55).

Sidoqoftë, ekziston ende një dallim mes dispensacionalistëve progresivë si dhe pjesës tjetër të botës ungjillore në një pikë: ata do të thoshin se profecitë e Besëlidhjes së Vjetër rreth Izraelit do të përmbushen në mijëvjeçar nga populli etnik jude të cilët do të besojnë në Krishtin dhe do të jetojnë në tokën e Izraelit si një “komb model” që të tëra kombet t’i shikojnë e të mësojnë prej tyre. Për rrjedhojë, ata nuk do të thoshin se kisha është “Izraeli i ri” apo që të tëra profecitë e Besëlidhjes së Vjetër rreth Izraelit, do të përmbushen në kishë, sepse këto profeci do të përmbushen në Izraelin etnik.

Pozita që merret në këtë libër ndryshon mjaft nga pikëpamja e Chafer-it mbi këtë çështje dhe gjithashtu ndryshon disi nga dispensacionalitët progresivë. Sidoqoftë, duhet thënë këtu se çështjet rreth mënyrës së saktë në të cilën profecitë biblike rreth të ardhmes do të përmbushen, janë, në natyrën e rastit, të vështira për t’u përcaktuar me siguri, dhe është mençuri të kemi një farë stepjeje në përfundimet tona në këto çështje. Me këtë gjë në mendje, mund të thuhen gjërat e mëposhtme.

Si teologët Protestantë, ashtu edhe ata Katolikë jashtë pozitës dispensacionale, kanë thënë se kisha përfshin si besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër, ashtu edhe besimtarët e Besëlidhjes së Re në një kishë apo në një trup të Krishtit. Edhe sipas pikëpamjes jodispensacionaliste, një person mund të thotë se do të ketë një kthim në masë të gjerë në të ardhmen të popullit jude (Rom. 11:12, 15, 23–24, 25–26, 28–31),[17]17 megjithëkëtë, që ky kthim në besim do të rezultojë vetëm në besimtarët judenj që bëhen pjesë e kishës së vërtetë të Perëndisë—ata do të “shartohen në ullirin e vet” (Rom. 11:24).

Në lidhje me këtë pyetje, ne duhet të vëmë re vargjet e shumta të Besëlidhjes së Re të cilat e kuptojnë kishën si “Izraeli i ri” apo si “populli i ri i Perëndisë.” Fakti që “Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të” (Efe. 5:25) do ta sugjeronte këtë. Për më tepër, kjo epokë e tanishme e kishës, e cila ka sjellë shpëtimin e shumë miliona të krishterëve në kishë, nuk është një ndërprerje apo parantezë në planin e Perëndisë,[18]18 por një vazhdimësi e planit të Tij të shprehur përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër, për të thirrur një popull tek Vetja. Pali thotë: “Sepse jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por jude është ai që është përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë” (Rom. 2:28–29). Pali e kupton se paçka se ka një kuptim të drejtpërdrejtë apo natyror në të cilin njerëzit të cilët rrodhën fizikisht nga Abrahami duhet të quhen judenj, ka edhe një kuptim më të thellë apo frymëror sipas të cilit një “jude i vërtetë” është dikush i cili është nga përbrenda një besimtar dhe zemra e të cilit është pastruar prej Perëndisë.

Pali thotë se Abrahami jo vetëm që duhet konsideruar si babai i kombit jude në një kuptim fizik. Ai është gjithashtu në një kuptim më të thellë e më të vërtetë “ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë ... dhe të ishte atë i të rrethprerëve, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit” (Rom. 4:11–12; kr. vgj. 16, 18). Për rrjedhojë, Pali mundet të thotë se: “jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael. As sepse janë pasardhje e Abrahamit janë të gjithë bij ... Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por bijtë e premtimit llogariten si pasardhës” (Rom. 9:6–8). Pali këtu nënkupton se fëmijët e vërtetë të Abrahamit, ata të cilët janë në kuptimin më të vërtetë të fjalës “Izrael,” nuk janë kombi i Izraelit nga një prejardhje fizike prej Abrahamit, por ata të cilët kanë besuar në Krishtin. Ata të cilët i besojnë me të vërtetë Krishtit janë tani ata të cilët kanë privilegjin të quhen “populli Im” nga Zoti (Rom. 9:25, duke cituar Osea 2:23); për rrjedhojë, kisha tani është populli i zgjedhur i Perëndisë. Kjo do të thotë se kur judenjtë sipas mishit të shpëtohen masivisht dikur në të ardhmen, ata nuk do të përbëjnë një popull të ndarë veçmas të Perëndisë e as do të jenë një pemë e veçantë ulliri, por ata do të “shartohen në ullirin e vet” (Rom. 11:24). Një pasazh tjetër që e nënkupton këtë, është “Galatasve” 3:29: “Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.” Po kështu, Pali thotë se të krishterët janë “rrethprerja e vërtetë” (Fil. 3:3).

Duke qenë larg prej të menduarit të kishës si një grup i veçantë nga populli jude, Pali u shkruan besimtarëve johebrenj në Efes, duke u thënë se në të kaluarën ata qenë “të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjet e premtimit” (Efe. 2:12), por që tani, u thotë: “u afruat me anë të gjakut të Krishtit” (Efe. 2:13). Dhe kur johebrenjtë u sollën në kishë, judenjtë dhe johebrenjtë u bashkuan në një trup të ri. Pali thotë se Perëndia “bëri nga dy një dhe shembi murin e mesit të ndarjes ... për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t'i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit” (Efe. 2:14–16). Për rrjedhojë, Pali mund të thotë se johebrenjtë janë “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efe. 2:19–20). Me këtë vetëdije të zgjeruar të sfondit të Besëlidhjes së Vjetër ndaj kishës së Besëlidhjes së Re, Pali mundet që ende të thotë se “paganët të jenë bashkëtrashëgimtarë dhe bashkë në një trup” (Efe. 3:6). I tërë pasazhi flet me forcë për unitetin e besimtarëve judenj dhe jojudenj në një trup të vetëm në Krishtin e nuk jep tregues të ndonjë plani të veçantë për popullin jude që do të shpëtohet ndonjëherë përveçse përmes përfshirjes në trupin e vetëm të Krishtit, kishën. Kisha ngërthen në vetvete të tërë popullin e vërtetë të Perëndisë, dhe pothuajse të tërë titujt e përdorur për popullin e Perëndisë në Besëlidhjen e Vjetër, në një vend apo në një tjetër gjejnë zbatim në kishën e Besëlidhjes së Re.

“Hebrenjve” 8 siguron një argument tjetër të fortë për ta parë kishën si marrësin dhe plotësimin e premtimeve të Besëlidhjes së Vjetër për sa i takon Izraelit. Në kontekstin e të folurit për besëlidhjen e re të cilës të krishterët i përkasin, autori i “Hebrenjve” citon gjerësisht një pasazh të shkëputur nga “Jeremia” 31:31–34, në të cilin ai thotë: “Ja po vijnë ditët, thotë Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës.... kjo do të jetë besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: Unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t'i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Heb. 8:8–10). Këtu, autori citon premtimin e Zotit që Ai do të bëjë një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit si dhe me shtëpinë e Judës dhe thotë se kjo është besëlidhja e re që është bërë tani me kishën. Ajo besëlidhje e re është besëlidhja e të cilës besimtarët në kishë janë pjesëtarë tani. Duket e vështirë të shmangim përfundimin se pikëpamja e autorit për kishën është si Izraeli i vërtetë i Perëndisë në të cilin premtimet e Besëlidhjes së Vjetër ndaj Izraelit gjejnë plotësimin e tyre.

Po kështu, Jakobi mund të shkruajë një letër të përgjithshëm drejtuar shumë kishave të hershme të krishtera dhe thotë se po u shkruan “Të dymbëdhjetë fiseve të shpërndara” (Jakobi 1:1). Kjo tregon se ai është dukshëm duke i konsideruar të krishterët e Besëlidhjes së Re si pasuesit si dhe përmbushjen e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.

Edhe Pjetri flet në të njëjtën mënyrë. Që prej vargut të parë në të cilin ai u drejtohet lexuesve të vet: “të zgjedhurve në diasporë” (1 Pjetrit 1:1)[19]19 deri në vargun tjetër të radhës në të cilin ai e quan qytetin e Romës “Babiloni” (1 Pjetrit 5:13), Pjetri shpesh herë flet për të krishterët e Besëlidhjes së Re duke përdorur termat e ilustrimeve të Besëlidhjes së Vjetër dhe premtimeve që i qenë bërë judenjve. Kjo temë zë një vend qendror tek “1 Pjetrit” 2:4–10, ku[20]20 Pjetri thotë se Perëndia i ka akorduar kishës pothuajse të tëra bekimet e premtuara Izraelit në Besëlidhjen e Vjetër. Vendbanimi i Perëndisë nuk është më tempulli i Jerusalemit, sepse të krishterët janë “tempulli” i ri i Perëndisë (v. 5). Priftëria që është në gjendje të ofrojë flijime të pranueshme për Perëndinë, nuk është më ajo që ka për prejardhje Aaronin, sepse të krishterët janë tani “priftëria mbretërore” e vërtetë, me të drejtë hyrjeje përpara fronit të Perëndisë (vgj. 4–5, 9). Populli i zgjedhur i Perëndisë nuk thuhet më se janë pasardhësit fizikë të Abrahamit, sepse të krishterët janë tani “fis i zgjedhur” (v. 9) i vërtetë. Kombi i bekuar prej Perëndisë nuk thuhet më se është kombi i Izraelit, sepse të krishterët tani janë “kombi i shenjtë” i vërtetë i Perëndisë (v. 9). Populli Izraelit nuk thuhet më se është populli i Perëndisë, sepse të krishterët, si të krishterët judenj ashtu edhe të krishterët johebrenj, janë tani “populli i Perëndisë” dhe ata që janë “të mëshiruar” (v. 10). Për më tepër, Pjetri i merr këto citime nga kontekstet në Besëlidhjen e Vjetër të cilat në mënyrë të përsëritur paralajmërojnë se Perëndia do ta refuzojë popullin e Tij i cili këmbëngul në kryeneçësi kundër Tij e i cili refuzon “gurin e qoshes” (v. 6) të çmuar që Ai ka caktuar. Çfarë deklarate të mëtejshme do të nevojitej me qëllim që ne të thonim me siguri se kisha tani është bërë Izraeli i vërtetë i Perëndisë dhe që ne do të marrim të tëra bekimet e premtuara Izraelit në Besëlidhjen e Vjetër?[21]21

6. Kisha dhe Mbretëria e Perëndisë. Cila është marrëdhënia mes kishës dhe mbretërisë së Perëndisë? Dallimet janë përmbledhur mirë nga George Ladd:

Mbretëria është në radhë të parë mbretërimi dinamik apo sundimi mbretëror i Perëndisë, dhe e derivuar prej kësaj, është lëmi në të cilin ky sundim është përjetuar. Idioma biblike, Mbretëria, nuk është identifikuar me subjektet e saj. Ata janë populli që Perëndia sundon, të cilët hyjnë në atë mbretëri, jetojnë nën të dhe qeverisen prej saj. Kisha është komuniteti i Mbretërisë por kurrsesi vetë ajo Mbretëri. Dishepujt e Jezusit i përkasin Mbretërisë ashtu sikurse Mbretëria u takon atyre; por ato nuk janë Mbretëria. Mbretëria është sundimi i Perëndisë; kisha është një shoqëri njerëzore.[22]22

Ladd-i vazhdon duke përmbledhur pesë aspekte specifike të marrëdhënies mes mbretërisë dhe kishës: (1) Kisha nuk është mbretëria (sepse Jezusi dhe të krishterët e hershëm predikonin se mbretëria e Perëndisë qe afër, e jo se kisha ishte afër, dhe predikuan se lajmin e mirë të mbretërisë e jo lajmin e mirë të kishës: “Veprat” 8:12; 19:8; 20:25; 28:23, 31). (2) Mbretëria krijon kishën (sepse ashtu sikurse njerëzit hyjnë në mbretërinë e Perëndisë, ata bashkohen me bashkësinë njerëzore të kishës). (3) Kisha i dëshmon mbretërisë (sepse Jezusi tha: “ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën,” Mat. 24:14). (4) Kisha është instrumenti i mbretërisë (sepse Fryma e Shenjtë, duke manifestuar fuqinë e mbretërisë, punon përmes dishepujve për të shëruar të sëmurët si dhe për të dëbuar demonët, ashtu sikurse bëri në shërbesën e Jezusit: “Mat.” 10:8; “Luka” 10:17). (5) Kisha është kujdestari i asaj mbretërie (sepse kishës i janë dhënë çelësat e mbretërisë së qiellit: “Mat.” 16:19).[23]23

Për rrjedhojë, ne nuk duhet ta identifikojmë mbretërinë e Perëndisë me kishën (siç bën teologjia e Katolicizmit Romak), as nuk duhet ta shikojmë mbretërisë e Perëndisë si tërësisht të ardhshme, si diçka të ndryshme nga epoka e kishës (sipas teologjisë më të vjetër dispensacionale). Përkundrazi, ne duhet të kuptojmë se ka një lidhje të ngushtë mes mbretërisë së Perëndisë dhe kishës. Ndërkohë që kisha shpall lajmin e mirë të mbretërisë, njerëzit do të vijnë në kishë dhe do të përjetojnë bekimet e sundimit të Perëndisë në jetën e tyre. Kjo mbretëri e manifeston veten përmes kishës, dhe kësisoj, sundimi i ardhshëm i Perëndisë hyn në të tashmen (është “tashmë” këtu: “Mat.” 12:28; “Rom.” 14:17; dhe “ende jo” plotësisht këtu: “Mat.” 25:34; “1 Kor.” 6:9–10). Për rrjedhojë, ata të cilët besojnë në Krishtin, do të fillojnë të përjetojnë diçka se si do të jetë sundimi përfundimtar i mbretërisë së Perëndisë: ata do të njohin një masë fitoreje mbi mëkatin (Rom. 6:14; 14:17), mbi shtypjen demonike (Luka 10:17), si dhe mbi sëmundjet (Luka 10:9). Ata do të jetojnë në fuqinë e Frymës së Shenjtë (Mat. 12:28; Rom. 8:4–17; 14:17), i Cili është fuqia dinamike e mbretërisë së ardhshme. Si përfundim, Jezusi do të kthehet dhe sundimi i mbretërisë së Tij do të shtrihet mbi të tërë krijimin (1 Kor. 15:24–28).

B. “Shenjat” e kishës (karakteristikat dalluese)

1. Ka kisha të vërteta si dhe kisha të rreme. Çfarë e bën kishë një kishë? Çfarë ka të domosdoshme me qëllim për të patur një kishë? A është e mundur që një grup njerëzish të cilët pretendojnë të jenë të krishterë të jenë kaq të ndryshëm nga ajo që një kishë duhet të jetë saqë ata të mos quhen më kishë?

Në shekujt e parë të kishës së krishterë, pati pak polemika rreth asaj që ishte një kishë e vërtetë. Kishte vetëm një kishë mbarë-botërore, kishë e “dukshme” nëpër gjithë botën mbarë, dhe ajo ishte, sigurisht, kisha e vërtetë. Kjo kishë kishte peshkopë dhe klergji vendorë, si dhe ndërtesa kishtare të cilat të tërë mund t’i shikonin. Të gjithë heretikët të cilët gjendeshin në gabime të rënda doktrinarë, thjesht përjashtoheshin nga kisha.

Por në kohën e Reformimit u ngrit një pyetje tepër e rëndësishme: si mund ta dallojmë një kishë të vërtetë? A është Kisha Katolike Romake një kishë e vërtetë apo jo? Me qëllim që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, njerëzit duhet të vendosnin se cilat ishin “shenjat” e një kishe të vërtetë, cilat ishin ato veçori dalluese që na bëjnë ta njohim atë si një kishë të vërtetë. Shkrimi padyshim që flet për kisha të rreme. Pali thotë për tempujt paganë në Korint: “Gjërat, që flijojnë paganët, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë” (1 Kor. 10:20). Ai u thotë korintasve se “kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë” (1 Kor. 12:2). Këta tempuj paganë padyshim që ishin kisha të rreme apo asamble fetare të rreme. Për më tepër, Shkrimi flet për një asamble fetare e cila është në fakt një “sinagogë e Satanit” (Zbu. 2:9; 3:9). Këtu, Zoti Jezus i ringjallur duket se i referohet asambleve judaike të cilat pretendojnë se janë judenj por që në fakt nuk ishin judenj të vërtetë të cilët kishin besim shpëtues. Asambleja e tyre fetare nuk ishte një asamble e popullit të Krishtit por e atyre të cilët ende i takojnë mbretërisë së errësirës, mbretërisë së Satanit. Edhe kjo është padyshim një kishë e rreme.

Në një pjesë të madhe kishte njëmendësi mes Luterit dhe Kalvinit mbi çështjen e asaj që duhej të përcaktohej si një kishë e vërtetë. Deklarata luteriane e besimit, e cila është quajtur Rrëfimi i Augsburg-ut (1530), e përkufizoi kishën si “grigja e shenjtorëve në të cilën ungjilli jepet mësim siç duhet dhe ku sakramentet administrohen ashtu siç duhen” (Neni 7).[24]24 Në mënyrë të ngjashme, Xhon Kalvini (John Calvin) tha: “Kudo ku ne e shikojmë Fjalën e Perëndisë të predikuar dhe të dëgjuar në mënyrë të pastër, si dhe sakramentet e administruara në përputhje me caktimin prej Krishtit, atje nuk ka dyshim se ekziston një kishë e Perëndisë.”[25]25 Paçka se Kalvini foli për predikimin e pastër të Fjalës (ndërsa Rrëfimi Luterian foli për predikimin e duhur të ungjillit) dhe paçka se Kalvini tha se Fjala nuk duhet vetëm të predikohet por edhe të dëgjohet (ndërsa Rrëfimi i Augsburgut thjesht përmendi që duhej të mësohej siç duhet), kuptimi i tyre i shenjave dalluese të një kishe të vërtetë është mjaft i ngjashëm.[26]26 Në kontrast me pikëpamjen e Luterit apo Kalvinit në lidhje me shenjat e kishës, pozita e Katolikëve Romakë ka qenë se kisha e dukshme e cila rrodhi nga Pjetri dhe apostujt, është kisha e vërtetë.

Duket me vend që pikëpamjen e Luterit dhe Kalvinit mbi shenjat e një kishe të vërtetë, t’i marrim si të vlefshme ende sot. Pa dyshim që nëse nuk është duke u predikuar Fjala e Perëndisë por thjesht doktrina të rreme apo doktrina njerëzore, atëherë nuk ka kishë të vërtetë. Në disa raste, ne mund të hasim në vështirësi për sa i takon përcaktimit të se sa shumë doktrinë të gabuar mund të tolerohet përpara se një kishë të mos mund të konsiderohet më një kishë e vërtetë, por ka shumë raste të qarta ku ne mund të themi se një kishë e vërtetë nuk ekziston. Për shembull, Kisha e Jezus Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Fundit (Kisha Mormone) nuk i përmbahet asnjërës prej doktrinave kryesore të krishtera në lidhje me shpëtimin apo me personin e Perëndisë si dhe veprën e Krishtit. Ajo është qartësisht një kishë e rreme. Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët e Jehovait japin mësim shpëtimin përmes veprave, jo duke i besuar vetëm Jezus Krishtit. Ky është një devijim themelor doktrinar për shkak se nëse njerëzit besojnë mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait, ata thjesht nuk kanë për t’u shpëtuar. Kështu, Dëshmitarët e Jehovait duhen konsideruar gjithashtu si një kishë e rreme. Kur predikimi i një kishe e fashit mesazhin e ungjillit të shpëtimit vetëm përmes besimit prej pjesëtarëve të saj, aq sa mesazhi i ungjillit nuk shpallet qartë, e që ka kohë që nuk është shpallur, grupi i cili takohet atje nuk është kishë.

Shenja e dytë e kishës, administrimi i duhur i sakramenteve (pagëzimi dhe Darka e Zotit) me shumë mundësi është deklaruar në kundërshtim ndaj pikëpamjes Katolike Romake sipas të cilës besimi shpëtues erdhi përmes sakramenteve dhe për rrjedhojë, sakramentet u bënë “vepra” përmes të cilave ne fituam meritë për shpëtimin. Në këtë mënyrë, Kisha Katolike Romake po këmbëngulte në pagesën e jo tek dhënia mësim e besimit si mënyra e përftimit të shpëtimit.

Por, ekziston edhe një arsye tjetër për përfshirjen e sakramenteve si shenja dalluese të kishës. Sapo një organizatë të fillojë të praktikojë pagëzimin dhe Darkën e Zotit, ajo është një organizatë e vazhdueshme si e tillë dhe është duke synuar të funksionojë si kishë. (Në shoqërinë moderne amerikane, një organizatë e cila fillon të takohet për adhurim dhe lutje si dhe mësime biblike të dielave në mëngjes, do të synonte gjithashtu në mënyrë të qartë që të funksiononte si kishë.)

Pagëzimi dhe Darka e Zotit shërbejnë gjithashtu si “mjete kontrolli të anëtarësisë” për kishën. Pagëzimi është mënyra e pranimit të njerëzve në kishë, dhe Darka e Zotit është mënyra për lejimin e njerëzve që të japin një shenjë të vazhdimit në anëtarësinë e kishës—kisha tregon se i konsideron të shpëtuar ata të cilët e marrin pagëzimin dhe Darkën e Zotit. Për rrjedhojë, këto veprimtari lënë të kuptohet atë që një kishë mendon rreth shpëtimit, dhe ato (sakramentet) janë renditur me të drejtë si një shenjë e kishës sot gjithashtu. Në kontrast me këtë, grupet të cilat nuk administrojnë pagëzimin dhe Darkën e Zotit, lënë të kuptohet se nuk po synojnë të funksionojnë si kishë. Dikush mund të qëndrojë në një cep rruge me një turmë të vogël dhe të ketë predikim dhe dëgjim të vërtetë të Fjalës, por njerëzit atje nuk do të ishin një kishë. Edhe një takim shtëpie studimi Bible në një lagje të caktuar, mund të ketë mësimin e vërtetë si dhe dëgjimin e Fjalës pa u bërë kishë. Por nëse pjesëtarët e një grupi vendor studimi Bible fillojnë t’i pagëzojnë të kthyerit e tyre në besim dhe rregullisht marrin pjesë në Darkën e Zotit, këto gjëra do të shënjonin një synim për të funksionuar si kishë dhe do të ishte e vështirë të thoje përse nuk duhet të konsiderohet si kishë në vetvete.[27]27

2. Kishat e vërteta dhe jo të vërteta sot. Në kuadër të pyetjeve të ngritura gjatë Reformimit, çfarë mund të thuhet për Kishën Katolike Romake sot? A është ajo një kishë e vërtetë? Këtu duket se ne nuk mundemi që thjesht të marrim një vendim në lidhje me Kishën Katolike Romake në tërësi, sepse ajo është shumë e larmishme. Të pyesësh nëse Kisha Katolike Romake është një kishë e vërtetë apo e pavërtetë sot, është njëfarësoj e ngjashme me pyetjen nëse kishat Protestante janë të vërteta apo të gënjeshtërta sot ndërkohë që ka një larmi të madhe mes tyre. Disa famulli Katolike Romake, pa dyshim që nuk kanë asnjë prej dy shenjave: nuk ka predikim të pastër të Fjalës dhe mesazhi ungjillor i shpëtimit nëpërmjet besimit vetëm në Krishtin, nuk njihet apo nuk pranohet nga njerëzit në famulli. Pjesëmarrja në sakramentet është konsideruar si një “vepër” e cila mund të fitojë merita para Perëndisë. Një grup i tillë njerëzit nuk përbëjnë një kishë të vërtetë të krishterë. Nga ana tjetër, ka shumë famulli Katolike Romake në pjesë të ndryshme të botës sot, ku prifti vendor, ka një njohuri të mirëfilltë shpëtuese të Krishtit si dhe një marrëdhënie vitale personale me Krishtin në lutje dhe në studimin e Biblës. Homilitë dhe mësimet private të tij të Biblës, theksojnë shumë besimin personal si dhe nevojën për një lexim dhe lutje individuale të Biblës. Mësimi i tij mbi sakramentet, thekson aspektet simbolike dhe përkujtimore shumë më tepër sesa kjo gjë flet për to si vepra të cilat meritojnë një farë injektimi hiri shpëtues nga Perëndia. Në një rast të tillë, paçka se do të na duhej të thoshim se ne gjithsesi kemi dallime të thella me mësimin e Katolicizmit Romak në disa doktrina,[28]28 gjithsesi, do të dukej se një kishë e tillë do të kishte një afërsi të mjaftueshme me dy shenjat dalluese të kishës saqë do të ishte e vështirë të mohonim që ajo në fakt është një kishë e vërtetë. Ajo do të dukej të ishte një grigjë e mirëfilltë besimtarësh në të cilën ungjilli jepet mësim (paçka se jo në mënyrë të pastër) dhe sakramentet administrohen shumë më tepër në rregull sesa në mënyrë të gabuar.

A ka kisha të rreme përbrenda Protestantizmit? Nëse ne shikojmë përsëri dy shenjat dalluese të kishës, sipas gjykimit tim, më duket e përshtatshme të themi se shumë kisha liberale protestante janë në fakt kisha të rreme sot.[29]29 A është ungjilli i veprave-drejtësisë dhe mosbesimit në Shkrim që këto kisha japin mësim më shumë me gjasa për të shpëtuar njerëzit se ç’bëri mësimi Katolik Romak në kohën e Reformimit? Gjithashtu, në administrimin e tyre të sakramenteve pa mësimin e shëndoshë ndaj kujtdo që kalon pragun e derës me gjasa të japë siguri të shumta të rreme për mëkatarët e parigjeneruar siç bëri Katolicizmi Romak me përdorimin e sakramenteve në kohën e Reformimit? Atje ku ka një asamble njerëzish të cilët marrin emrin “të krishterë” por që në mënyrë të pandërprerë japin mësim që njerëzit nuk mund t’i besojnë Biblës së tyre, me të vërtetë një kishë pastori i të cilës dhe grigja rrallë herë e lexojnë Biblën e tyre apo luten në një mënyrë të kuptueshme, e që nuk besojnë apo ndoshta madje as nuk e kuptojnë ungjillin e shpëtimit me besim vetëm në Krishtin, atëherë, si mund të themi se kjo është një kishë e vërtetë?[30]30

C. Qëllimet e kishës

Ne mund t’i kuptojmë qëllimet e kishës në lidhje me shërbesën ndaj Perëndisë, shërbesën ndaj besimtarëve si dhe shërbesën ndaj botës.

1. Shërbesa ndaj Perëndisë: Adhurimi. Në marrëdhënie me Perëndinë, qëllimi i kishës është adhurimi i Tij. Pali e drejton kishën në Kolos që me “psalme, himne dhe këngë frymërore, t’i këndonin Zotit me hir në zemrat e tyre” (Kol. 3:16). Perëndia na ka paracaktuar e na ka caktuar në Krishtin që të jetojmë “për lëvdim të lavdisë së tij” (Efe. 1:12). Adhurimi në kishë, nuk është thjesht një përgatitje për diçka tjetër: ai është në vetvete përmbushja e qëllimit madhor të kishës me referencë ndaj Zotit të saj. Kjo është arsyeja përse Pali mund të pasojë me një nxitje që ne duhet të jemi “duke e shfrytëzuar kohën” me një urdhëresë për të qenë të mbushur me Frymën e që pastaj të jemi “duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën” tonë” (Efe. 5:16–19).

2. Shërbesa ndaj besimtarëve: Ushqimi shpirtëror. Sipas Shkrimit, kisha është e detyruar të ushqejë ata të cilët janë tashmë besimtarë, e të rrisë në pjekurinë e besimit. Pali thotë se qëllimi i tij nuk ishte thjesht çuarja e njerëzve në një besim fillestar shpëtues, por të “paraqesim çdo njeri të përsosur në Krishtin” (Kol. 1:28). Gjithashtu, ai i tha kishës në Efes, se Perëndia i dha kishës persona me dhunti “për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit” (Efe. 4:12–13). Po të mendojmë se i vetmi qëllim i yni me njerëzit është t’i sjellim ata në besimin fillestar shpëtues kjo është qartësisht në kundërshtim me modelin e Besëlidhjes së Vjetër. Qëllimi ynë si kishë, duhet të jetë t’i paraqesim Perëndisë çdo të krishterë “të përsosur në Krishtin” (Kol. 1:28).

3. Shërbesa në Botë: Ungjillëzimi dhe Mëshira. Jezusi i tha dishepujve të Tij që ata duhet të “bënin dishepuj të gjitha kombet” (Mat. 28:19). Kjo vepër ungjillëzuese e deklarimit të ungjillit, është shërbesa parësore që kisha ka ndaj botës.[31]31 Megjithëkëtë, vepra shoqëruese e ungjillëzimit, është shoqëruar gjithashtu nga një shërbesë mëshire, një shërbesë e cila përfshin kujdesin për të varfrit dhe nevojtarët në emrin e Zotit. Paçka se theksi i Besëlidhjes së Re bie tek dhënia e ndihmës materiale ndaj atyre të cilët janë pjesë e kishës (Veprat 11:29; 2 Kor. 8:4; 1 Gjonit 3:17), ka ende një pohim se është gjë e rregullt të ndihmosh jobesimtarët, edhe nëse ata nuk reagojnë me mirënjohje apo pranim ndaj mesazhit të ungjillit. Jezusi na thotë:

Por ju t'i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Më të Lartit, sepse ai është dashamirës me mosmirënjohësit dhe të ligjtë. Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm. (Luka 6:35–36)

Qëllimi i shpjegimit që Jezusi bën, është që ne duhet të imitojmë Perëndinë duke qenë të mirësjellshëm me ata të cilët po tregohen mosmirënjohës dhe egoistë gjithashtu. Për më tepër, ne kemi shembullin e Jezusit i Cili nuk synoi të shëronte vetëm ata të cilët e pranuan Atë si Mesi. Përkundrazi, kur turma të mëdha erdhën tek Ai, “ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre” (Luka 4:40). Kjo duhet të na inkurajojë që veprat e mirësisë tona t’i kryejmë si dhe të lutemi për shërim si dhe për nevoja të tjera në jetën e jobesimtarëve ashtu si edhe të besimtarëve. Shërbesa të tilla të mëshirës ndaj botës mund të përfshijnë gjithashtu pjesëmarrjen në veprimtari qytetare apo në përpjekjen për të ndikuar tek politikat qeveritare, për t’i bërë ato më të përputhshme me parimet biblike morale. Në fushat ku ka padrejtësi sistematike të manifestuar në trajtimin e minoriteteve të varfra dhe/ose etnike apo fetare, kisha duhet të lutet gjithashtu, dhe (sipas mundësive) të ngrejë zërin kundër të tilla padrejtësive. Të tëra këto janë mënyra në të cilat kisha mund të plotësojë shërbesën e saj ungjillëzuese ndaj botës e që me të vërtetë të stolisë ungjillin që ajo shpall. Por shërbesa të tilla të mëshirës ndaj botës, nuk duhen bërë kurrë një zëvendësues për ungjillëzimin e mirëfilltë apo për fusha të tjera të shërbesës ndaj Perëndisë si dhe ndaj besimtarëve të përmendura më lart.

4. Mbajtja në drejtpeshim e këtyre qëllimeve. Sapo të kemi renditur këto tre qëllime për kishën, dikush mund të pyesë: Cili prej tyre është më i rëndësishëm? Ose, dikush tjetër mund të pyesë: A mundet që ne të shpërfillim një prej këtyre të trejave si më pak të rëndësishme sesa të tjerat?

Kësaj ne duhet t’i përgjigjemi duke thënë se të tri këto qëllime të kishës, urdhërohen nga Zoti në Shkrim; për rrjedhojë, të treja janë të rëndësishme e asnjë prej tyre nuk mund të lihet pas dore. Në fakt, një kishë e fortë do ketë shërbesa efikase në të tri këto fusha. Ne duhet të tregohemi syçelë ndaj çfarëdo përpjekjeje për ta reduktuar qëllimin e kishës tek vetëm një prej këtyre të trejave e të themi se kjo duhet të jetë fokusi ynë kryesor. Në fakt, përpjekje të tilla për ta bërë primare një prej këtyre qëllimeve, do të çojë gjithnjë në një farë lënieje pas dore të dy të tjerave. Një kishë e cila thekson vetëm adhurimin, do të përfundojë në mësime të pamjaftueshme biblike ndaj besimtarëve dhe pjesëtarët e saj do të mbeten të cektë në kuptimin e tyre të Shkrimit si dhe të papjekur në jetën e tyre të krishterë. Nëse ajo gjithashtu fillon të shpërfillë ungjillëzimin, kisha do të reshtë së rrituri dhe së ndikuari tek të tjerët. Ajo do të kthehet në një kishë të fryrë së brendshmi dhe si përfundim do të fillojë të thahet.

Një kishë e cila e vë ndërtimin e besimtarëve si një qëllim që merr përparësi mbi dy të tjerët, do ketë prirjen që të prodhojë të krishterë të cilët njohin një pjesë të mirë të doktrinës së Biblës, por kanë një tharje frymërore në jetën e tyre për shkak se ata njohin pak prej gëzimit të adhurimit të Perëndisë apo tregimit ndaj të tjerëve rreth Krishtit.

Por një kishë e cila e bën ungjillëzimin një prioritet të tillë saqë bën që dy qëllimet e tjera të shpërfillen, do të përfundojë gjithashtu me të krishterë jo të pjekur të cilët e vënë theksin tek rritja numerike por që kanë një dashuri të mirëfilltë gjithnjë e më të paktë për Perëndinë, të shprehur në adhurimin e tyre e gjithnjë e pak pjekuri doktrinare si dhe shenjtëri personale në jetën e tyre. Të tri këto qëllime duhen theksuar vazhdimisht në një kishë të shëndetshme.

Sidoqoftë, individët janë ndryshe nga kishat në vënien e një prioriteti relativ në një prej këtyre qëllimeve të kishës. Për shkak se ne jemi si një trup me dhunti dhe aftësi të ndryshme frymërore, është e drejtë për ne që të theksojmë më së shumti përmbushjen e atij qëllimi të kishës i cili tregohet më qartë tek dhuratat dhe interesat që Perëndia na ka dhënë. Padyshim që nuk ka detyrim për çdo besimtar që të përpiqet të japë ekzaktësisht një të tretën e kohës së tij apo të saj në kishë për të adhuruar, një të tretën për të ushqyer shpirtërisht besimtarët e tjerë, si dhe një të tretën për të ungjillëzuar apo për vepra mëshire. Dikush i cili ka dhuratat e ungjillëzimit duhet që padyshim të kalojë ca kohë në adhurim si dhe në kujdesin ndaj besimtarëve të tjerë. Por mund të përfundojë duke kaluar pjesën më të madhe të kohës së tij apo të saj në punën ungjillëzuese. Dikush i cili është një drejtues i talentuar adhurimi, mund të përfundojë duke ia kushtuar 90 përqind të kohës së tij në kishë për përgatitjen dhe drejtimin e adhurimit. Kjo është një përgjigje e përshtatshme ndaj dhuntive të larmishme që Perëndia na ka dhënë.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Kur e mendoni kishën si bashkësinë e padukshme të të tërë besimtarëve të vërtetë të të gjitha kohërave, si ndikon kjo tek mënyra se si e mendon veten si një i krishterë individual? Në komunitetin tek i cili jeton, a ka një unitet të dukshëm ndër besimtarët e mirëfilltë (d.m.th, a ka shumë prova të dukshme të natyrës së vërtetë të kishës së padukshme)? A thotë Besëlidhja e Re ndonjë gjë rreth madhësisë ideale për një kishë individuale?

2.     A do ta konsideroje kishën tek e cila je tani, një kishë të vërtetë? A ke qenë ndonjëherë pjesëtar i një kishe të cilën do ta mendoje si një kishë të rreme? A mendon se shkaktohet ndonjë dëm kur të krishterët ungjillorë vazhdojë të lënë përshtypjen se ata mendojnë se kishat liberale protestante janë kisha të vërteta të krishtera? Parë nga pikëpamja e gjykimit përfundimtar, çfarë e mire e çfarë dëmi mund të vijë nga mosarritja prej nesh e deklarimit që ne mendojmë se kishat jobesimtare janë kisha të rreme?

3.     A ka arritur ndonjë prej metaforave për kishën të të japë një vlerësim të ri për kishën në të cilën bën pjesë tani?

4.     Për cilin qëllim të kishës mendon se mund të kontribuosh me më shumë efikasitet? Për cilin prej qëllimeve të ka vënë Perëndia në zemër një dëshirë të fortë për ta përmbushur?

TERMA TË VEÇANTË

trupi i Krishtit

kisha

eklesia

kisha e padukshme

shenjat e kishës

kisha e dukshme

BIBLIOGRAFIA

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1992 Litton, 363–386

1930 Thomas, 265–280

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:259–287

1892–1894 Miley, 2:385–394

1940 Wiley, 3:103–117, 126–127

1960 Purkiser, 393–408

1983 Carter, 2:571–613

3. Baptiste

1767 Gill, 2:558–574

1887 Boyce, 1:418–422

1907 Strong, 887–994

1976–1983 Henry, 4:524–592

1983–1985 Erickson, 1025–1068

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 4:30–153

1949 Thiessen, 305–313, 326–332

1986 Ryrie, 391–404, 435–436

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 3:397–425

1934 Mueller, 541–556

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:1009–52 (4.1–2)

1861 Heppe, 657–670

1937–1966 Murray, CW 1:231–252; CW 2:321–336

1938 Berkhof, 555–578

1962 Buswell, 2:216–226; 1:418–424

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 3:15–157

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 270–324

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 2:565–730

Vepra të Tjera

Banks, Robert J. Ideja e Palit për Komunitetin: Kishat e Hershme Shtëpiake në Kontekstin e Tyre Historik (Paul’s Idea of Community: The Early House Churches in Their Historical Setting). Grand Rapids: Eerdmans, 1980.

Bannerman, James. Kisha e Krishtit (The Church of Christ). Cherry Hill, N.J.: Mack Publishing, 1972. (Botuar për herë të parë më 1869.)

Berkouwer, G.C. Kisha (The Church). Përkth. nga James E. Davidson. Grand Rapids: Eerdmans, 1976.

Bock, Darrell L., dhe Craig A. Blaising, red. Dispensacionalizëm Progresiv (Progressive Dispensationalism). Wheaton: Victor, 1993.

Carson, D.A., red. Interpretimi Biblik dhe Kisha: Teksti dhe Konteksti (Biblical Interpretation and the Church: Text and Context). Exeter: Paternoster, 1984.

_______. Kisha në Bibël dhe në Botë (The Church in the Bible and the World). Grand Rapids: Baker, and Exeter: Paternoster, 1987.

Clowney, Edmund. “Kisha (Church).” Tek FRT (NDT) fq. 140–143.

_______. Doktrina e Kishës (The Doctrine of the Church). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1969.

Feinberg, John S., red. Vazhdimësia dhe Ndërprerja: Pikëpamje mbi Marrëdhënien Mes Besëlidhjes së Vjetër dhe Asaj të Re (Continuity and Discontinuity: Perspectives on the Relationship Between the Old and New Testaments). Wheaton: Crossway, 1988.

Gaffin, Richard B. “Mbretëria e Perëndisë (Kingdom of God).” Tek FRT (NDT) fq. 367–369.

Ladd, George Eldon. “Mbretëria dhe Kisha (The Kingdom and the Church).” Tek Një Teologji e Besëlidhjes së Re (A Theology of the New Testament). Grand Rapids: Eerdmans, 1974, fq. 105–119.

Martin, Ralph P. Familja dhe Bashkësia: Imazhet e Besëlidhjes së Re për Kishën (The Family and the Fellowship: New Testament Images of the Church). Grand Rapids: Eerdmans, 1979.

Omanson, R.L. “Kisha (Church, The).” Tek FUT (EDT) fq. 231–233.

Poythress, Vern. Si të Kuptojmë Dispensacionalistët (Understanding Dispensationalists). Grand Rapids: Zondervan, 1987.

Saucy, Robert. Çështja e Dispensacionalizmit Progresiv (The Case for Progressive Dispensationalism). Grand Rapids: Zondervan, 1993.

_______. Kisha në Programin e Perëndisë (The Church in God’s Program). Chicago: Moody, 1972.

Snyder, Howard A. Komuniteti i Mbretit (The Community of the King). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1977.

VanGemeren, Willem. Përparimi i Shpengimit (The Progress of Redemption). Grand Rapids: Zondervan, 1988.

Watson, David C. Unë Besoj tek Kisha (I Believe in the Church). Grand Rapids: Eerdmans, 1979.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Efesianëve” 4:11–13: Dhe ai dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë, të tjerë si barinj e mësues, për ndreqjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë tek uniteti i besimit dhe i njohjes së Birit të Perëndisë, te një burrë i përsosur, në masën e moshës së plotësisë së Krishtit.

HIMN

“THEMELI I VETËM I KISHËS (THE CHURCH’S ONE FOUNDATION)”

Për kishën, Jezus Krishti, Zoti i saj, themel i vetëm është;

me anë të ujit dhe Fjalës ajo është krijimi i Tij i ri i bërë:

Nga qielli Ai erdhi dhe kërkoi që ajo të ishte nusja e Tij e shenjtë;

Me gjakun e Vet e bleu, dhe që ajo të jetonte Ai vdiq Vetë.

Të zgjedhurit nga çdo komb, e megjithatë mbi mbarë botën një janë,

Një Zot, një besim, një lindje ata për normë shpëtimi kanë;

Merr nga një ushqim i shenjtë, një emër të shenjtë ajo bekon,

Drejt një shprese ajo rend dhe me çdo hir qëndron.

Paçka se me një habi përçmuese, njerëzit e shikojnë atë rëndë të munduar,

Të ndarë e të përçarë, nga herezitë e trazuar,

Megjithëkëtë, shenjtorët rojë po bëjnë, “Edhe për sa kohë?” thirrja e tyre ngrihet

Dhe shpejt pas natës së vajtimeve një mëngjes këngësh do gdhihet.

Kisha nuk do të humbë kurrë! Zoti i saj i dashur do ta mbrojë,

Për ta udhëhequr, mbështetur dhe ruajtur me dashuri, me të deri në fund do shkojë;

Paçka se disa e urrejnë, dhe në qerthullin e saj bij të rremë do ketë,

Ndaj armiqve dhe tradhtarëve, ajo me fitore do të jetë.

Në luftën e saj, në vështirësi, mundime dhe zallamahi,

Ajo pret për shijimin e paqes përgjithnji’

Derisa me shikimin e lavdishëm sytë e saj të dëshiruar të jenë bekuar,

Dhe kisha e madhe fitimtare, do jetë kisha në prehje duke qëndruar.

Megjithëkëtë, përbashkësi me Perëndinë, Tri në Një në tokë ajo ka,

Dhe përbashkësi mistike të ëmbël me ata të cilëve u është fituar prehja:

O ju të lumur dhe të shenjtë! Zoti na dhëntë hir që të mundemi të shkojmë,

Ashtu si ata, zemërbutë dhe të përulur, me Ty në lartësi të mund të banojmë.

Autori: Samuel J. Stone, 1866

Pen
>