General
Text

Kapitulli 38: Shenjtërimi (Rritja në ngjashmëri me Krishtin)

Lesson 40 Chapter 8 Module 7

Shenjtërimi (Gjithnjë e më të ngjashëm me Krishtin)

Si bëheni më të pjekur si të krishterë? Cilat janë bekimet e rritjes së krishterë?

        

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Në kapitujt e mëparshëm janë diskutuar një sërë veprimesh të Perëndisë të cilat ndodhin në fillim të jetës tonë të krishterë: thirrja e ungjillit (që Perëndia na e drejton neve) rigjenerimi (përmes të cilit Perëndia na tejçon jetë të re), drejtësimi (nëpërmjet të cilit Perëndia na jep një qëndrim të drejtë ligjor përpara Tij), dhe birësim (në të cilin Perëndia na bën pjesëtarë të familjes së Tij). Ne kemi diskutuar gjithashtu kthimin në besim (në të cilin ne pendohemi nga mëkatet dhe i besojmë Krishtit për shpëtimin). Të tëra këto ngjarje ndodhin në fillim të jetës tonë të krishterë.[83]1

Por tani vijmë tek një pjesë e zbatimit të shpengimit që është një punë progresive që vazhdon përgjatë gjithë jetës tonë tokësore. Është gjithashtu një vepër në të cilën Perëndia dhe njeriu bashkëpunojnë ku secili luan role të caktuara. Kjo pjesë e zbatimit të shpengimit, quhet shenjtërim. Shenjtërimi është një vepër progresive e Perëndisë dhe e njeriut që na bën gjithnjë e më të lirë nga mëkati dhe më tepër si Krishti në jetën tonë faktike.

A. Dallimet mes drejtësimit dhe shenjtërimit

Tabela e mëposhtme specifikon një sërë dallimesh mes drejtësimit dhe shenjtërimit:

Drejtësimi

Shenjtërimi

Qëndrim ligjor

Gjendja e brendshme

Një herë e përgjithmonë

Vazhdon përgjatë gjithë jetës

Tërësisht vepër e Perëndisë

Ne bashkëpunojmë

I përsosur në këtë jetë

Jo i përsosur në këtë jetë

I njëjti tek të tërë të krishterët    

Më i madh tek disa sesa tek të tjerët

Ashtu sikurse e tregon kjo tabelë, shenjtërimi është diçka që vazhdon përgjatë gjithë jetës sonë të krishterë. Kursi i zakonshëm i jetës së një të krishteri, do të përfshijë një rritje të vazhdueshme në shenjtërim dhe është diçka që Besëlidhja e Re na inkurajon t’i kushtojmë përpjekjet dhe vëmendjen tonë.

B. Tre fazat e Shenjtërimit

1. Shenjtërimi ka një fillim të përcaktuar tek Rigjenerimi. Një ndryshim i qartë moral ndodh në jetën tonë në pikën e rigjenerimit, sepse Pali i referohet: “larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titit 3:5). Sapo ne të kemi rilindur, ne nuk mund të vazhdojmë të mëkatojmë rregullisht apo si një vazhdë në jetë (1 Gjonit 3:9), sepse fuqia e jetës së re frymërore përbrenda nesh, nuk na lë t’i përulemi një jete në mëkat.

Ky ndryshim fillestar moral, është faza e parë në shenjtërim. Nga kjo anë, ka ca mbivendosje mes rigjenerimit dhe shenjtërimit, sepse ky ndryshim moral është faktikisht një pjesë e rigjenerimit. Por kur ne e shikojmë nga pikë-vështrimi i ndryshimit moral përbrenda nesh, ne mund ta shikojmë gjithashtu si faza e parë e shenjtërimit. Pali hedh vështrimin prapa tek një ngjarje e përfunduar kur u thotë korintasve: “Por u latë, por u shenjtëruat, por u drejtësuat në emër të Zotit Jezus dhe nëpërmjet Frymës së Perëndisë tonë” (1 Kor. 6:11). Po kështu, tek “Veprat” 20:32 Pali mundet t’u referohet të krishterëve si “të gjithë të shenjtëruarve.”[84]2

Ky hap fillestar në shenjtërim, përfshin një shkëputje përfundimtare nga fuqia sunduese e mëkatit dhe prej dashurisë për të, në mënyrë që besimtari të mos jetë më i sunduar apo i dominuar nga mëkati e të mos ketë më dëshirë për të mëkatuar. Pali thotë: “Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus.... Sepse mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju” (Rom. 6:11, 14). Pali u thotë të krishterëve se “u çliruat nga mëkati” (Rom. 6:18). Në këtë kontekst, të jesh i vdekur ndaj mëkatit, apo të jesh i çliruar nga mëkati, është diçka e cila përfshin fuqinë për të kapërcyer veprime apo modele sjelljeje të mëkatshme në jetën e dikujt. Pali u thotë Romakëve që të mos e lënë mëkatin të “mbretërojë, pra… në trupin tuaj të vdekshëm,” dhe ai gjithashtu thotë: “As mos ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit si mjete padrejtësie, por i paraqisni veten tuaj Perëndisë” (Rom. 6:12–13). Të jesh i vdekur ndaj fuqisë mbretëruese të mëkatit, do të thotë se ne si të krishterë, në sajë të fuqisë së Frymës së Shenjtë si dhe jetës së ringjallur të Krishtit që punon përbrenda nesh, kemi fuqinë të ngadhënjejmë mbi tundimet si dhe joshjet e mëkatit. Mëkati nuk do të jetë më zotërues mbi ne siç ishte dikur përpara se të bëheshim të krishterë.

Praktikisht, kjo do të thotë se ne duhet të pohojmë dy gjëra si të vërteta. Nga njëra anë ne nuk do mundemi kurrë të themi: “Jam tërësisht i lirë nga mëkati,” sepse shenjtërimi ynë nuk do të përfundojë kurrë (shiko më poshtë). Por, nga ana tjetër, një i krishterë nuk duhet të thotë kurrë (për shembull): “Ky mëkat më ka mposhtur. Heq dorë. Kam patur një temperament të keq për tridhjeteshtatë vjet, e të atillë do ta kem derisa të vdes, dhe njerëzve thjesht do t’u duhet të më durojnë  kështu siç jam!” Të thuash këtë është njësoj si të thuash që mëkati ka fituar dominim. Kjo është si ta lejosh mëkatin të mbretërojë në trupat tanë. Do të thotë të pranosh humbjen. Do të thotë të mohosh të vërtetën e Shkrimit që na thotë: “Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë” (Rom. 6:11). Do të thotë të mohosh të vërtetën e Shkrimit që na thotë se “mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju” (Rom. 6:14).

Kjo shkëputje fillestare nga mëkati atëherë përfshin një riorientim të dëshirave tona, në mënyrë që të mos kemi më një dashuri mbizotëruese për mëkatin në jetën tonë. Pali e di se lexuesit e tij ishin më përpara skllevër të mëkatit (siç janë të tërë jobesimtarët), por ai thotë se ata nuk janë më të skllavëruar. “ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër formës së mësimit që iu është dhënë. Dhe, mbasi u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë” (Rom. 6:17–18). Ky ndryshim i dashurisë kryesore të personit dhe dëshirave primare shfaqet në fillim të shenjtërimit.[85]3

2. Shenjtërimi rritet përgjatë gjithë jetës. Edhe pse Besëlidhja e Re flet për një fillim të përcaktuar për sa i takon shenjtërimit, ajo gjithashtu e shikon atë si një proces i cili vazhdon përgjatë gjithë jetës tonë të krishterë. Ky është kuptimi primar në të cilin shenjtërimi përdoret në teologjinë sistematike si dhe në jetën e krishterë përgjithësisht sot.[86]4 Paçka se Pali thotë se lexuesit e Tij janë çliruar nga mëkati (Rom. 6:18) dhe se ata janë “të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë” (Rom. 6:11), ai gjithsesi e kupton se mëkati mbetet në jetën e tyre, kështu që ai u thotë që të mos e lënë të mbretërojë e të mos i nënshtrohen atij (Rom. 6:12–13). Për rrjedhojë, detyra e tyre si të krishterë, është që të shtojnë gjithnjë e më shumë shenjtërimin e tyre, njëlloj sikurse më përpara shtonin gjithnjë e më shumë mëkatet: “ashtu si i paraqitët gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani paraqitni gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim” (Rom. 6:19; fjalët “ashtu si... kështu tani” [Gr. ὥσπερ...οὕτως] nënkuptojnë se Pali dëshiron që ata ta bëjnë këtë në të njëjtën mënyrë: “ashtu si” po këta persona më përpara iu dhanë gjithnjë e më shumë mëkatit, “kështu tani” ata duhet t’i jepen gjithnjë e më shumë drejtësisë për shenjtërim).

Pali thotë se përgjatë gjithë jetës së krishterë “ne të gjithë... shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” (2 Kor. 3:18). Ne jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë si Krishti ndërkohë që vazhdojmë me jetën e krishterë. Për rrjedhojë, ai thotë: “duke harruar ato që kam lënë pas, dhe duke u zgjatur drejt atyre që kam përpara, po ndjek pas synimin, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus” (Fil. 3:13–14)—kjo është në një kontekst ku thuhet që Ai nuk është tashmë i përsosur por që Ai vazhdon të shtyjë përpara për të arritur të tëra qëllimet për të cilat Krishti e ka shpëtuar (vgj. 9–12).

Pali u thotë kolosianëve që ata nuk duhet të gënjejnë njëri tjetrin, përderisa ata kanë “veshur njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë, sipas shembullit të atij që e krijoi” (Kol. 3:10), duke treguar kësisoj që shenjtërimi madje përfshin një përngjasim gjithnjë e më të madh me Perëndinë në mendimet tona si dhe në fjalët dhe veprat tona. Autori i “Hebrenjve” u thotë lexuesve të vet që “...duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë” (Heb. 12:1), si dhe “Kërkoni ... shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Heb. 12:14). Jakobi i inkurajon dëgjuesit e vet duke u thënë: të “bëheni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” (Jakobi 1:22), ndërsa Pjetri u thotë lexuesve të vet: “jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj” (1 Pjetrit 1:15).

Nuk është e nevojshme që të renditim citime shtesë për shkak se një pjesë e mirë e Besëlidhjes së Re, merret me udhëzimin e besimtarëve në kisha të ndryshme për se si ata duhet të bëhen gjithnjë e më të ngjashëm me Krishtin. Të tëra nxitjet morale si dhe urdhëresat në letrat e Besëlidhjes së Re, gjejnë zbatim këtu për shkak se të tëra ato i nxitin besimtarët tek një aspekt apo një tjetër me rëndësi të madhe në jetën e tyre. Është pritshmëria e të tërë autorëve të Besëlidhjes së Re që shenjtërimi ynë do të rritet përgjatë gjithë jetës tonë të krishterë.

3. Shenjtërimi përmbyllet në momentin e vdekjes (për shpirtin tonë) dhe kur Zoti të kthehet (për trupin tonë). Për shkak se ka mëkat që ende mbetet në zemrat tona, edhe pse jemi bërë të krishterë (Rom. 6:12–13; 1 Gjonit 1:8), shenjtërimi ynë nuk do të përfundojë kurrë në këtë jetë (shiko më poshtë). Por sapo vdesim dhe shkojmë për të qenë me Zotin, atëherë shenjtërimi ynë nga një anë përfundon, sepse shpirti ynë çlirohet nga mëkati brendabanues dhe bëhet i përsosur. Autori i “Hebrenjve” thotë se kur ne hyjmë në praninë e Perëndisë për të adhuruar, ne hyjmë tek “frymërat e të drejtëve që u bënë të përsosur” (Heb. 12:23). Kjo është e vlefshme për shkak se është në pritshmërinë e faktit që “nuk do të hyjë në të asgjë e papastër” në praninë e Perëndisë, qyteti qiellor (Zbu. 21:27).

Sidoqoftë, kur ne vlerësojmë se shenjtërimi përfshin të tërë personin, përfshi këtu trupat tanë (shiko 2 Kor. 7:1; 1 Thes. 5:23), atëherë ne kuptojmë se shenjtërimi nuk do të plotësohet tërësisht derisa Zoti të kthehet dhe ne të marrim trupa të rinj të ringjallur. Ne presimin ardhjen e Zotit Jezus Krisht nga qielli, dhe Ai “do ta transformojë trupin tonë të përuljes, që të bëhet i një forme me trupin e tij të lavdisë” (Fil. 3:21). Pikërisht “në ardhjen e tij” (1 Kor. 15:23) ne do të bëhemi të gjallë me një trup të ringjallur, dhe pastaj “do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit” plotësisht (1 Kor. 15:49).[87]5

Procesin e shenjtërimit mund ta paraqesim me një diagram, si në figurën 38.1, duke treguar se përpara kthimit në besim jemi skllevër të mëkatit, (1) se ka një fillim të përcaktuar ndaj shenjtërimit në pikën e kthimit në besim, (2) që shenjtërimi duhet të rritet përgjatë gjithë jetës së krishterë, dhe (3) se shenjtërimi përsoset kur personi vdes. (Plotësimi i shenjtërimit kur ne marrim trupat e ringjallur nuk është përfshirë në këtë grafik thjesht për të ruajtur thjeshtësinë e tij.)

Shenjtëri e përsosur

Jo i krishterë

Kthimi në besim

Jeta e krishterë

Vdekja

Rritje në shenjtëri

Skllevër ndaj mëkatit

Figura 38.1: Procesi i Shenjtërimit

Unë kam treguar përparimin e shenjtërimit me një vijë të thyer tek ky grafik duke treguar se rritja në shenjtërim nuk është gjithnjë me një kah në këtë jetë, por se përparimi në shenjtërim shfaqet nganjëherë, ndërkohë që herë të tjera ne e kuptojmë se në një farë mënyre jemi duke shënuar disi regres. Në rastin ekstrem, një besimtar i cili përdor shumë pak mjetet e shenjtërimit, por që merr mësime të këqija, që i mungon një përbashkësi e mirë e krishterë dhe i kushton pak vëmendje fjalës së Perëndisë dhe lutjes, mund të kalojë shumë vite me shumë pak përparim në shenjtërim, por kjo padyshim që nuk është modeli normal apo ai i pritshmi i jetës së krishterë. Kjo në fakt është tejet jo normale.

4. Shenjtërimi nuk përfundohet kurrë në këtë jetë. Në historinë e kishës ka patur gjithnjë disa të cilët, urdhëresa të tilla si ajo tek “Mateu” 5:48 (“Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj që është në qiej”) apo 2 Korintasve 7:1 (“le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë”) i kanë marrë me arsyetimin se përderisa është Perëndia Ai që na jep këto urdhëresa, Ai duhet që gjithashtu të na japë aftësinë për t’iu bindur atyre në mënyrë të përsosur. Për rrjedhojë, ata kanë dalë në përfundimin se është e mundshme për ne që të arrijmë një gjendje përsosmërie pa mëkat në këtë jetë. Për më tepër, ato tregojnë për lutjen e Palit ndaj thesalonikasve: “Por ai vetë, Perëndia i paqes, ju shenjtëroftë tërësisht” (1 Thes. 5:23), dhe nënkuptojnë se lutja e Palit mundet fare mirë të jetë përmbushur për disa të krishterë thesalonikas. Në fakt, Gjoni madje thotë: “Kush qëndron në të nuk mëkaton” (1 Gjonit 3:6)! A nuk tregojnë këto vargje për mundësinë e përsosmërisë së pamëkat në jetën e disa të krishterëve? Në këtë diskutim, unë do të përdor termin perfeksionizëm për t’iu referuar kësaj pikëpamjeje që përsosmëria e pamëkat është e mundshme në këtë jetë.

Parë më nga afër, këto pasazhe nuk mbështetin pozitën perfeksioniste. Së pari, thjesht nuk jepet mësim në Shkrime se kur Perëndia jep një urdhëresë, Ai jep gjithashtu aftësinë t’i bindemi në çdo rast.[88]6 Perëndia i urdhëron të gjithë njerëzit ngado që janë, t’u binden të tëra ligjeve të Tij morale dhe i mban ata përgjegjës për mos arritjen t’u binden atyre, edhe pse njerëzit të cilët nuk janë të shpenguar janë mëkatarë, dhe se si të tillë, janë të vdekur në shkelje dhe mëkate, dhe për rrjedhojë, nuk janë në gjendje që t’u binden urdhëresave të Perëndisë. Kur Jezusi na urdhëron që të jemi të përsosur ashtu sikurse Ati në qiell është i përsosur (Mat. 5:48), kjo gjë thjesht tregon se pastërtia absolute morale e Perëndisë, është standardi drejt të cilit ne duhet të synojmë si dhe standardi për të cilin Perëndia na mban përgjegjës. Fakti që ne nuk jemi në gjendje që ta arrijmë atë standard, nuk do të thotë se ai standard do të ulet; përkundrazi, do të thotë se ne kemi nevojë për hirin e Perëndisë si dhe për faljen e Tij për të fituar mbi mëkatin që mbetet tek ne. Po kështu, kur Pali i urdhëron të krishterët të përsosen në shenjtëri në frikën ndaj Zotit (2 Kor. 7:1), apo kur lutet që Perëndia t’i shenjtërojë plotësisht thesalonikasit (1 Thes. 5:23), ai po tregon drejt qëllimit që ai dëshiron që ata të arrijnë. Ai nuk nënkupton se ndonjë e arrin, por vetëm se ky është një standard i lartë moral të cilin Perëndia dëshiron që të gjithë besimtarët ta aspirojnë.

Deklarata e Gjonit sipas të cilës: “Kush qëndron në të nuk mëkaton” (1 Gjonit 3:6) nuk na mëson se disa prej nesh e arrijnë përsosmërinë, por shkak se foljet në kohën e tashme në greqisht, përkthehen më mirë me kuptimin e një veprimtarie të vazhduar e të bërë zakon: “Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur” (1 Gjonit 3:6) Kjo është e ngjashme me deklaratën e Gjonit pak vargje më lart: “Kush lindi prej Perëndisë nuk bën mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse ka lindur prej Perëndisë” (1 Gjonit 3:9). Po qe se këto vargje do të përdoreshin për të vërtetuar përsosmërinë e pamëkat, ato do duhej të vërtetonin këtë për të gjithë të krishterët, për shkak se ata flasin për atë që është e vërtetë për të gjithë ata të cilët janë lindur prej Perëndisë, si dhe për të tërë ata që e kanë parë Krishtin si dhe që e kanë njohur Atë.[89]7

Për rrjedhojë nuk duket se ka vargje bindëse në Shkrim të cilat të na mësojnë se është e mundshme për ndokënd që të jetë tërësisht pa mëkat në këtë jetë. Nga ana tjetër, ka pasazhe si në Besëlidhjen e Vjetër ashtu edhe në Besëlidhjen e Re të cilat na mësojnë qartësisht se ne nuk mund të jemi moralisht të përsosur në këtë jetë. Tek lutja e Salomonit me rastin e kushtimit të tempullit, ai thotë: “Kur të mëkatojnë kundër teje — sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton” (1 Mbretërve 8:46). Po kështu, lexojmë një pyetje retorike me një përgjigje të nënkuptuar negative tek “Fjalët e Urta” 20:9: “Kush mund të thotë: ‘Pastrova zemrën time, jam i pastër nga mëkati im’?” Gjithashtu lexojmë deklaratën e treguar shkoqur tek “Predikuesi” 7:20, “Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.”

Tek Besëlidhja e Re, shikojmë se Jezusi i urdhëron dishepujt e Vet që të luten: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot. Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë” (Mat. 6:11–12, përkthimi i autorit). Ashtu sikurse lutja për bukën e përditshme na siguron një model për një lutje e cila duhet përsëritur për çdo ditë, kështu edhe lutja për faljen e mëkateve përfshihet në atë lloj lutjeje që duhet të bëhet çdo ditë në jetën e një besimtari.

Siç e vumë re edhe më sipër, kur Pali flet për fuqinë e re mbi mëkatin që i jepet një të krishteri, ai nuk thotë se nuk do të ketë mëkat në jetën e të krishterit, por thjesht u thotë besimtarëve që të mos e lënë mëkatin të “mbretërojë” në trupat e tyre, e as të mos ia “paraqitin” gjymtyrët e tyre mëkatit (Rom. 6:12–13). Ai nuk thotë se ata nuk do të mëkatojnë, por thotë se mëkati nuk do të dominojë apo “do të zotërojë” mbi ta (Rom. 6:14). Pikërisht fakti që ai jep këto udhëzime, tregon që ai e kupton se mëkati do të vazhdojë të jetë i pranishëm në jetën e besimtarëve përgjatë gjithë kohës së tyre në tokë. Edhe Jakobi, vëllai i Zotit tonë gjente rastin që të thoshte: “të gjithë gabojmë në shumë gjëra” (Jakobi 3:2), dhe nëse Jakobi vetë mundet ta thotë këtë, atëherë ne padyshim që duhet të jemi të gatshëm që ta themi këtë gjithashtu. Së fundi, në të njëjtën letër në të cilën Gjoni deklaron kaq shpesh se një fëmijë i Perëndisë nuk do të vazhdojë në një vazhdë sjelljeje të mëkatshme, ai thotë gjithashtu: “Po të themi se nuk kemi mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne” (1 Gjonit 1:8). Këtu, Gjoni në mënyrë të qartë e përjashton mundësinë e të qenurit tërësisht i pamëkat në jetën tonë. Në fakt, ai thotë se cilido që pretendon se është i pamëkat, është thjesht duke mashtruar veten, dhe e vërteta nuk është tek ai.[90]8

Por, sapo të kemi dalë në përfundimin që shenjtërimi nuk do të arrihet kurrë në këtë jetë, ne duhet të ushtrojmë mençuri pastorale si dhe kujdes për mënyrën se si e përdorim këtë të vërtetë. Disa mund ta marrin këtë fakt e ta përdorin si një justifikim për të mos u përpjekur për shenjtëri apo për të shtuar shenjtërimin e tyre, një precedurë kjo ekzaktësisht e kundërt me dhjetëra urdhëresa të dhëna në Besëlidhjen e Re. Të tjerë mund të mendojnë rreth faktit që ne nuk mund të jemi të përsosur në këtë jetë, dhe humbasin shpresën e shënimit përparim në jetën e krishterë, një qëndrim ky i cili është gjithashtu i kundërt me mësimin e qartë të “Romakëve” 6 si dhe me pasazhe të tjera rreth fuqisë së ringjalljes së Krishtit në jetën tonë, që na bën të aftë për të ngadhënjyer mbi mëkatin. Për rrjedhojë, paçka se shenjtërimi nuk do të realizohet kurrë në këtë jetë, ne duhet që gjithashtu të theksojmë se ai nuk duhet të reshtë kurrë së shtuari në këtë jetë.

Për më tepër, ndërkohë që të krishterët bëhen më të pjekur, llojet e mëkatit që mbetet në jetën tonë, shpesh nuk janë edhe aq shumë mëkate të fjalëve apo të veprave të cilat janë të dukshme për së jashtmi nga të tjerët, por mëkate të brendshme të qëndrimeve dhe motiveve të zemrës, dëshira të tilla si krenaria dhe egoizmi, mungesa e kurajës apo besimit, mungesa e zellit në dashurinë ndaj Perëndisë me të tërë zemrën tonë si dhe ndaj fqinjëve tanë si vetveten, si dhe mos arritja për t’i besuar plotësisht Perëndisë për gjithçka që Ai premton në çdo situatë. Këto janë mëkate reale! Ato tregojnë se sa poshtë përsosmërisë morale të Krishtit që jemi.

Sidoqoftë, kuptimi i natyrës së këtyre mëkateve të cilat do të vazhdojnë edhe tek të krishterë më të pjekur, na ndihmon gjithashtu që të mbrohemi nga keqkuptimet kur themi se askush nuk do të jetë i përsosur dhe i lirë nga mëkati në këtë jetë. Padyshim që është e mundshme që shumë të krishterë të pjekur, shpesh herë gjatë ditës, janë të lirë nga veprime të vetëdijshme apo të qëllimshme mosbindjeje ndaj Perëndisë në fjalët apo veprat e tyre. Në fakt, nëse drejtuesit të krishterë i thuhet: “bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në frymë, në besim dhe në dëlirësi” (1 Tim. 4:12), atëherë shpesh herë do të jetë e vërtetë se jeta e tyre nuk do të përmbajë fjalë apo vepra të cilat të tjerët do t’i llogarisin si të fajshme. Por kjo është mjaft e shkëputur nga arritja e lirisë së plotë nga mëkati në motivet si dhe mendimet dhe qëllimet e zemrës tonë.

Xhon Mërrei vëren se kur profeti Isaia hyri në praninë e Perëndisë, ai mundi vetëm të klithë, “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, ZOTIN e ushtrive!” (Isa. 6:5). Gjithashtu, kur Jobi, drejtësia e të cilit më përpara qe përgëzuar në historinë rreth jetës së tij, hyri në praninë e Perëndisë së gjithëfuqishëm, ai mund të thoshte vetëm: “Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty, por tani syri im të sheh. Prandaj ndiej neveri ndaj vetes dhe pendohem në pluhur dhe hir” (Jobi 42:5–6). Mërei del në përfundimin nga këta shembuj si dhe nga dëshmia e shenjtorëve të tjerë përgjatë gjithë historisë së kishës:

Me të vërtetë që sa më i shenjtëruar personi, aq më i konformuar është ai me imazhin e Shpëtimtarit të Tij, aq më shumë ai duhet të përpiqet kundër çdo mungese konformiteti ndaj shenjtërisë së Perëndisë. Sa më i thellë të jetë kuptimi i tij për madhështinë e Perëndisë, aq më i madh është intensiteti i dashurisë së tij ndaj Perëndisë, aq më këmbëngulëse do të jetë dëshira e tij për arritjen e çmimit të thirrjes së lartë të Perëndisë në Krishtin Jezus, aq më të vetëdijshëm do të jemi për peshën e mëkatit që mbetet e aq më madhe do të jetë neveria e tij ndaj mëkatit....A nuk ishte ky efekti tek të gjithë njerëzit e Perëndisë ndërkohë që ata i afroheshin më shumë zbulesës së shenjtërisë së Perëndisë?[91]9

C. Perëndia dhe Njeriu bashkëpunojnë në shenjtërim

Disa (si Xhon Mërrei)[92]10 kundërshtojnë duke thënë se Perëndia dhe njeriu “bashkëpunojnë” në shenjtërim, për shkak se ata duan të këmbëngulin se vepra e Perëndisë është primare dhe vepra jonë në shenjtërim është vetëm dytësore (shiko Fil. 2:12–13). Megjithëkëtë, nëse e shpjegojmë natyrën e rolit të Perëndisë si dhe rolin tonë në shenjtërim në mënyrë të qartë, nuk duket e papërshtatshme që të themi se Perëndia dhe njeriu bashkëpunojnë në shenjtërim. Perëndia kryen në ne shenjtërimin dhe ne punojmë gjithashtu, dhe ne punojmë për të njëjtin qëllim. Ne nuk jemi duke thënë se kemi role të barabartë në shenjtërim apo se të dy punojmë në të njëjtën mënyrë, por thjesht se ne bashkëpunojmë me Perëndinë në mënyra të cilat janë të përshtatshme për statusin tonë si krijesa të Perëndisë. Gjithashtu, fakti që Shkrimi thekson rolin të cilin ne luajmë në shenjtërim (me të tëra urdhëresat morale të Besëlidhjes së Vjetër), e bën të përshtatshme të japim mësim që Perëndia na thërret të bashkëpunojmë me Të në këtë veprimtari.[93]11

1. Roli i Perëndisë në shenjtërim. Përderisa shenjtërimi është në radhë të parë vepër e Perëndisë, është e përshtatshme që Pali lutet: “Por ai vetë, Perëndia i paqes, ju shenjtëroftë tërësisht” (1 Thes. 5:23). Një rol specifik i Perëndisë Atë në këtë shenjtërim, është procesi i Tij i dishepullimit tonë si fëmijë të Tij (shiko Heb. 12:5–11). Pali u thotë Filipianëve: “Perëndia është ai që vepron në ju edhe vullnetin edhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Fil. 2:13), duke treguar kësisoj diçka të mënyrës në të cilën Perëndia i shenjtëron ata, si duke bërë që ata të dëshirojnë vullnetin e Tij, edhe duke u dhënë atyre fuqinë për ta bërë atë. Autori i “Hebrenjve” flet për rolin e Atit si dhe rolin e Birit në një uratë të njohur: “Dhe Perëndia i paqes... ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar në ju atë që është e pëlqyer përpara tij, përmes Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve.” (Heb. 13:20–21).

Roli i Perëndisë Bir, Jezus Krishtit, në shenjtërim, është së pari që Ai fitoi shenjtërimin tonë për ne. Për rrjedhojë, Pali mund të thoshte se Perëndia e bëri Krishtin që të ishte “urtësi, drejtësi edhe shenjtërim dhe shpengim” (1 Kor. 1:30). Për më tepër, në procesin e shenjtërimit, Jezusi është gjithashtu shembulli ynë, sepse ne duhet të vrapojmë në garën e jetës “duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Heb. 12:2). Pjetri u thotë lexuesve të tij: “dhe Krishti vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ndiqni gjurmët e tij” (1 Pjetrit 2:21). Gjithashtu, Gjoni thotë: “Ai që thotë se rri në të, duhet të ecë edhe vetë ashtu si ka ecur ai” (1 Gjonit 2:6).

Por është veçanërisht Perëndia Frymë e Shenjtë që punon përbrenda nesh për të na ndryshuar dhe shenjtëruar, duke na dhënë një shenjtëri më të madhe në jetë. Pjetri flet për “shenjtërimit të Frymës” (1 Pjetrit 1:2, përkthimi i autorit), dhe Pali flet për “shenjtërimin e Frymës” (2 Thes. 2:13). Është Fryma e Shenjtë që prodhon tek ne “frytin e Frymës” (Gal. 5:22–23), ato tipare të karakterit të cilat janë pjesë e një shenjtërimi gjithnjë e më të madh. Nëse ne shtojmë shenjtërimin tonë, atëherë “ecim në Frymë” dhe “udhëhiqeni nga Fryma” (Gal. 5:16–18; kr. Rom. 8:14), d.m.th. se jemi gjithnjë e më tepër reagues ndaj dëshirave dhe nxitjeve të Frymës së Shenjtë në jetën dhe karakterin tonë. Fryma e Shenjtë është fryma e shenjtërisë, dhe Ai prodhon shenjtëri përbrenda nesh.[94]12

2. Roli ynë në shenjtërim. Roli që ne luajmë në shenjtërim është edhe pasiv në të cilin ne varemi tek Perëndia për të na shenjtëruar, ashtu edhe aktiv, në të cilin ne përpiqemi t’i bindemi Perëndisë, dhe ndërmarrim hapa të cilat do ta shtojnë shenjtërimin tonë. Ne tani duhet të shqyrtojmë të dy këto aspekte të rolit tonë në shenjtërim.

Së pari, ajo që mund të quhet rol “pasiv” që ne luajmë në shenjtërim, shikohet në tekstet të cilat na inkurajojnë t’i besojmë Perëndisë apo të lutemi dhe të kërkojmë që Ai të na shenjtërojë. Pali u thotë lexuesve të vet: “paraqisni veten tuaj Perëndisë, si të gjallë prej së vdekurish” (Rom. 6:13; kr. v. 19), dhe ai u thotë të krishterëve romakë: “paraqitni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë” (Rom. 12:1). Pali e kupton se ne jemi të varur nga puna e Frymës së Shenjtë për të shtuar shenjtërimin tonë, për shkak se ai thotë: “nëse me anë të Frymës i vrisni veprat e trupit, do të jetoni” (Rom. 8:13).

Fatkeqësisht, sot, ky rol “pasiv” në shenjtërim, kjo ide e dorëzimit ndaj Perëndisë dhe besimit në Të se do të punojë tek ne “vullnetin edhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Fil. 2:13), nganjëherë është theksuar me kaq forcë saqë është e vetmja gjë që u thuhet njerëzve rreth shtegut të shenjtërimit. Nganjëherë, fraza e mirënjohur “lëre të kalojë dhe lërja Perëndisë” jepet si një përmbledhje e mënyrës se si të jetojmë jetën e krishterë. Por ky është një shtrembërim tragjik i doktrinës së shenjtërimit, sepse flet vetëm për njërën gjysmë të rolit që duhet të luajmë ne, dhe, në vetvete, do t’i shtyjë të krishterët që të bëhen dembelë e të shpërfillin rolin aktiv që Shkrimi i urdhëron ata që të luajnë në shenjtërimin e tyre.

Ai rol aktiv që ne duhet të luajmë, është treguar nga “Romakëve” 8:13, ku Pali thotë: “nëse me anë të Frymës i vrisni veprat e trupit, do të jeton.” Këtu, Pali e pranon se është “me anë të Frymës” që ne jemi në gjendje që ta bëjmë këtë. Por ai gjithashtu thotë se jemi ne që duhet ta bëjmë! Nuk është Fryma e Shenjtë që urdhërohet të vrasë veprat e trupit, por të krishterët! Në mënyrë të ngjashme, Pali u thotë filipianëve: “Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikurse keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani, që jam larg, veproni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju edhe vullnetin edhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.” (Fil. 2:12–13). Pali i inkurajon ata që të binden edhe më shumë nga ç’u bindën kur ai ishte ndër ta. Ai thotë se bindja është mënyra në të cilën ata “vepronin për shpëtimin e tyre,” duke nënkuptuar me këtë se ata do të“vepronin” realizimin e mëtejshëm të dobive të shpëtimit në jetën e tyre të krishterë.[95]13 Filipianët duhet të punojnë me këtë rritje në shenjtërim, e këtë ta bëjnë me solemnitetit dhe përnderim (“me frikë e me dridhje”), sepse këtë ata janë duke e bërë në prani të Perëndisë Vetë. Por ka edhe më shumë: arsyeja përse ata duhet të punojnë e të presin që vepra e tyre të japë rezultate pozitive, është se “Perëndia është duke punuar brenda tyre—vepra e mëparshme dhe themelore e Perëndisë në shenjtërim do të thotë se vepra e atyre vetë është e fuqizuar nga Perëndia; për rrjedhojë, do t’ia vlejë dhe do të japë rezultate pozitive.

Ky rol aktiv ka shumë aspekte të cilat ne duhet t’i luajmë në shenjtërim. Neve na thuhet: “Kërkoni... shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Heb. 12:14); na thuhet gjithashtu: “hiqni dorë nga kurvëria” e kështu t’i bindemi vullnetit të Perëndisë, që është “shenjtërimi” ynë (1 Thes. 4:3). Gjoni thotë se ata të cilët shpresojnë të jenë si Krishti kur Ai të shfaqet, do të punojnë në mënyrë aktive me pastrimin në këtë jetë: “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:3). Pali u thotë Korintasve: “Arratisjuni kurvërisë” (1 Kor. 6:18), e që të mos kenë bashkësi me jobesimtarët (2 Kor. 6:14). Pastaj ai thotë: “le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Kor. 7:1). Kjo lloj përpjekjeje për bindje ndaj Perëndisë si dhe për shenjtëri, mund të përfshijë një përpjekje të madhe nga ana jonë, sepse Pjetri u thotë lexuesve të vet që të“tregojnë çdo zell” të rriten në tiparet e karakterit që janë në linjë me perëndishmërinë (2 Pjetrit 1:5). Shumë pasazhe specifike të Besëlidhjes së Re, inkurajojnë një vëmendje të detajuar ndaj aspekteve të ndryshme të shenjtërisë dhe perëndishmërisë në jetë (shiko Rom. 12:1–13:14; Efe. 4:17–6:20; Fil. 4:4–9; Kol. 3:5–4:6; 1 Pjetrit 2:11–5:11; etj.). Ne duhet që në mënyrë të vazhdueshme të ndërtojmë vazhda e zakone shenjtërie, sepse një masë pjekurie është ajo masë që të krishterët e pjekur “i kanë ndjesitë të stërvitura për të dalluar të mirën dhe të keqen” (Heb. 5:14).

Besëlidhja e Re nuk sugjeron ndonjë rrugë të shkurtër përmes të cilës ne mund të rritemi në shenjtërim, por thjesht na inkurajon që në mënyrë të përsëritur t’ia japim veten mënyrave të vjetra e që u kanë rezistuar kohërave, të leximit të Biblës si dhe të përsiatjes (Ps. 1:2; Mat. 4:4; Gjoni 17:17), lutjes (Efe. 6:18; Fil. 4:6), adhurimit (Efe. 5:18–20), dëshmimit (Mat. 28:19–20), përbashkësisë së krishterë (Heb. 10:24–25), dhe vetë-disiplinës apo vetë-kontrollit (Gal. 5:23; Titit 1:8).

Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të rritemi si në mirëbesimin tonë pasiv tek Perëndia për të na shenjtëruar, ashtu edhe në përpjekjen tonë aktive për shenjtëri si dhe për bindje më të madhe në jetën tonë. Nëse ne e shpërfillim përpjekjen aktive për t’iu bindur Perëndisë, ne bëhemi të krishterë pasivë e përtacë. Nëse ne shpërfillim rolin pasiv të besimit tek Perëndia dhe dorëzimit ndaj Tij, ne bëhemi krenarë dhe tejet të bindur tek vetja jonë. Sido që të jetë, shenjtërimi ynë do të jetë tejet i mangët. Ne duhet të ruajmë besimin si dhe zellin për t’u bindur kurdoherë. Himni i lashtë me mençuri thotë: “Beso dhe bindu sepse nuk ka rrugë tjetër që të jesh i lumtur me Jezusin përveçse të besosh e të bindesh.”[96]14

Këtij diskutimi i duhet shtuar edhe një pikë tjetër për sa i takon rolit tonë në shenjtërim: shenjtërimi është zakonisht një proces i përbashkët në Besëlidhjen e Re. Ai është diçka që ndodh në komunitet. Ne këshillohemi që: “Të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Heb. 10:24–25). Së bashku, të krishterëve u thuhet: të “ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë” (1 Pjetrit 2:5); së bashku ata janë“komb i shenjtë” (1 Pjetrit 2:9); së bashku atyre u thuhet: “ngushëlloni njëri-tjetrin dhe ndërtoni njëri-tjetrin” (1 Thes. 5:11). Pali thotë: “të ecni denjësisht ndaj thirrjes që u thirrët” (Efe. 4:1) do të thotë të jetosh në një mënyrë të veçantë në komunitet—“ me gjithë përulësinë e zemërbutësinë, me zemërgjerësi, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri, duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.” (Efe. 4:2–3). Kur kjo gjë ndodh, trupi i Krishtit funksionon si një tërësi e unifikuar, ku secila pjesë “sipas masës së veprueshmërisë,” në atë mënyrë që shenjtërimi i përbashkët të mund të ndodhë ndërkohë që ai e “shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri” (Efe. 4:16; kr. 1 Kor. 12:12–26; Gal. 6:1–2). Është për t’u vënë re që fryti i Frymës përfshin shumë gjëra të cilat ndërtojnë komunitet (“dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëpërmbajtja,” Gal. 5:22–23), ndërkohë që “veprat e mishit” shkatërrojnë komunitetin (“kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindja, xhelozia, zemërimi, rivaliteti, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe të tjera të ngjashme me to,” Gal. 5:19–21).

D. Shenjtërimi ndikon tek i tërë personi

Shikojmë se shenjtërimi ndikon tek intelekti ynë si dhe tek njohuria jonë kur Pali thotë se kemi veshur natyrën e re “që përtërihet në njohurinë, sipas shembullit të atij që e krijoi” (Kol. 3:10). Ai lutet që filipianët të mund të shikojnë dashurinë e tyre “të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo perceptim” (Fil. 1:9). Gjithashtu, ai i nxit të krishterët e Romës duke u thënë: “transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj” (Rom. 12:2). Paçka se njohuria jonë e Perëndisë është më shumë sesa një njohuri thjesht intelektuale, padyshim që ajo ka edhe një përbërës intelektual, dhe Pali thotë se kjo njohuri e Perëndisë duhet të vazhdojë të rritet përgjatë gjithë jetës tonë: një jetë “e denjë për Zotin, që t'i pëlqeni në çdo gjë” është një jetë e cila është në mënyrë të vazhduar “duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kol. 1:10). Shenjtërimi i intelektit tonë do të përfshijë rritje në mençuri dhe njohuri ndërkohë që ne gjithnjë e më shumë, “të bëjmë rob çdo mendim që t'i bindet Krishtit” (2 Kor. 10:5) dhe gjejmë se mendimet tona janë gjithnjë e më shumë mendimet të cilat Perëndia Vetë tejçon tek ne në Fjalën e Tij.

Për më tepër, shtimi i shenjtërisë tonë do të ndikojë tek emocionet tona. Ne do të shikojmë gjithnjë e më shumë në jetën tonë emocione të tilla si: “dashuria, gëzimi, paqja, zemërgjerësia” (Gal. 5:22). Ne do të jemi gjithnjë e më shumë në gjendje që t’i bindemi urdhrit të Pjetrit që thotë  “hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit” (1 Pjetrit 2:11). Ne do ta shikojmë gjithnjë e më të vërtetë që ne nuk “e duam botën, as gjërat që janë në botë” (1 Gjonit 2:15), por që ne, ashtu sikurse Shpëtimtari ynë, gjejmë kënaqësi në bërjen e vullnetit të Perëndisë. Në një masë gjithnjë në rritje, ne do të bëhemi “të bindur me zemër” (Rom. 6:17), si dhe do të “heqim” emocionet negative të përfshira, me “hidhësi, inat, zemërim, e bërtitur dhe sharje bashkë me çdo mbrapshti” (Efe. 4:31).

Për më tepër, shenjtërimi do të ketë ndikim tek vullneti ynë, tek aftësia jonë vendim-marrëse për shkak se Perëndia është duke punuar në ne “vullnetin edhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij” (Fil. 2:13). Ndërkohë që ne shtojmë gjithnjë e më shumë shenjtërinë, vullneti ynë do të konformohet gjithnjë e më shumë me vullnetin e Atit qiellor.

Shenjtërimi do të ndikojë gjithashtu tek fryma jonë, tek ajo pjesë jofizike e qenies tonë. Ne duhet që ta “pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Kor. 7:1), dhe Pali thotë se një preokupim për punët e Zotit do të thotë të preokupohesh për se si “të jesh i shenjtë edhe në trup edhe në frymë” (1 Kor. 7:34).[97]15

Së fundi, shenjtërimi ndikon tek trupat fizikë tanë. Pali thotë: “Por ai vetë, Perëndia i paqes, ju shenjtëroftë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krisht” (1 Thes. 5:23). Për më tepër, Pali i inkurajon korintasit duke u thënë që ta “pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Kor. 7:1; kr. 1 Kor. 7:34). Ndërkohë që ne bëhemi më të shenjtëruar në trupat tanë, trupat tanë bëhen gjithnjë e më shumë shërbëtorë të dobishëm për Perëndinë, gjithnjë e më shumë reagues ndaj vullnetit të Perëndisë si dhe dëshirave të Frymës së Shenjtë (kr. 1 Kor. 9:27).[98]16 Ne nuk do ta lëmë mëkatin të mbretërojë në trupat tanë (Rom. 6:12) e as do t’i lejojmë trupat tanë që të përfshihen në ndonjë mënyrë a tjetër në imoralitet (1 Kor. 6:13), por do t’i trajtojmë trupat tanë me kujdes e do të kuptojmë se ato janë mjeti përmes të cilit Fryma e Shenjtë punon përmes nesh në këtë jetë. Për rrjedhojë ato nuk duhen keqtrajtuar pa maturi apo në mënyrë të gabuar, por duhen bërë të dobishëm dhe të aftë për të reaguar ndaj vullnetit të Perëndisë: “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes? Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj” (1 Kor. 6:19–20).

E. Motivet për bindje ndaj Perëndisë në jetën e krishterë

Të krishterët nganjëherë nuk arrijnë që të kuptojnë gamën e gjerë të motiveve për bindje ndaj Perëndisë që gjendet tek Besëlidhja e Re. (1) Është e vërtetë që një dëshirë për të kënaqur Perëndinë si dhe për të shprehur dashurinë tonë ndaj Tij, është një motiv shumë i rëndësishëm për t’iu bindur Atij. Jezusi thotë: “Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia.” (Gjoni 14:15), dhe: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i mban, është ai që më do” (Gjoni 14:21; kr. 1 Gjonit 5:3). Por neve na janë dhënë edhe shumë motive të tjera: (2) nevoja për të mbajtur një ndërgjegje të pastër përpara Perëndisë (Rom. 13:5; 1 Tim. 1:5, 19; 2 Tim. 1:3; 1 Pjetrit 3:16); (3) dëshira për të qenë “një enë nderi” e që të kemi një efikasitet të shtuar në punën e mbretërisë (2 Tim. 2:20–21); (4) dëshira për të parë jobesimtarët që të vijnë tek Krishti përmes vëzhgimit të jetës tonë (1 Pjetrit 3:1–2, 15–16); (5) dëshira për të marrë bekime të tanishme nga Perëndia në jetën dhe shërbesat tona (1 Pjetrit 3:9–12); (6) dëshira për të shmangur pakënaqësinë dhe disiplinën e Perëndisë në jetën tonë (nganjëherë e quajtur “druajtja e Zoti”) (Vep. 5:11; 9:31; 2 Kor. 5:11; 7:1; Efe. 4:30; Fil. 2:12; 1 Tim. 5:20; Heb. 12:3–11; 1 Pjetrit 1:17; 2:17; kr. gjendjen e jobesimtarëve tek “Rom.” 3:18); (7) dëshira për të kërkuar një shpërblim më të madh qiellor (Mat. 6:19–21; Luka 19:17–19; 1 Kor. 3:12–15; 2 Kor. 5:9–10);[99]17 (8) dëshira për një ecje më të thellë me Perëndinë (Mat. 5:8; Gjoni 14:21; 1 Gjonit 1:6; 3:21–22; dhe në Besëlidhjen e Vjetër, Ps. 66:18; Isa. 59:2); (9) dëshira që engjëjt të përlëvdonin Perëndinë për bindjen tonë (1 Tim. 5:21; 1 Pjetrit 1:12); (10) dëshira për paqe (Fil. 4:9) dhe gëzim (Heb. 12:1–2) në jetën tonë; dhe (11) dëshira për të bërë atë që Perëndia na urdhëron, thjesht për shkak se urdhëresat e Tij janë të drejta, dhe ne gjejmë kënaqësi në bërjen e asaj që është e drejtë (Fil. 4:8; kr. Ps. 40:8).

F. Bukuria dhe Gëzimi i Shenjtërimit

Nuk do të ishte e drejtë që diskutimin tonë ta përfundonim pa i kushtuar vëmendje faktit që shenjtërimi na sjell gëzim të madh. Sa më tepër të ngjashëm të bëhemi me Krishtin, aq më shumë do të përjetojmë “gëzimin” dhe “paqen” të cilat janë pjesë e frytit të Frymës së Shenjtë (Gal. 5:22), dhe aq më tepër do t’i afrohemi llojit të jetës që do të kemi në qiell. Pali thotë se ndërkohë që ne bëhemi gjithnjë e më të bindur ndaj Perëndisë, “keni frytin tuaj që çon në shenjtërim dhe për fund jetën e përjetshme” (Rom. 6:22). Ai e kupton se ky është i njëjti burim i gëzimit tonë të vërtetë. “sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët dhe të pirët, por drejtësi dhe paqe dhe gëzim në Frymën e Shenjtë” (Rom. 14:17). Ndërkohë që ne bëhemi gjithnjë e më të shenjtë, ne bëhemi gjithnjë e më shumë në konformitet me imazhin e Krishtit si dhe gjithnjë e më shumë prej bukurisë së karakterit të Tij shikohet në jetën tonë. Ky është qëllimi i shenjtërimit të përsosur me të cilin ne shpresojmë dhe me zor presim e që do të jetë i yni kur Krishti të kthehet. “Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:3).

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A mund të mbash mend nga përvoja jote fillimin e saktë të shenjtërimit që ndodhi kur u bëre i krishterë? A ndjeve një shkëputje të qartë nga fuqia sunduese e dashurisë për mëkatin në jetën tënde? A beson me të vërtetë që edhe tani je i vdekur ndaj fuqisë sunduese si dhe dashurisë për mëkatin në jetën tënde? Si mundet kjo e vërtetë e jetës së krishterë të jetë ndihmuese për ty në fushat specifike të jetës tënde ku ke ende nevojë të rritesh në shenjtërim?

2.     Ndërkohë që hedh vështrimin pas tek vitet e fundit të kaluara të jetës tënde të krishterë, a mundet të shikosh një model të një rritjeje të qartë në shenjtërim? Cilat janë disa gjëra tek të cilat ke gjetur kënaqësi por të cilat nuk të interesojnë më? Cilat janë disa gjëra tek të cilat nuk ke patur interes por që tani paraqesin shumë interes për ju?

3.     Ndërkohë që je rritur e bërë më i pjekur dhe i shenjtë në jetën e krishterë, a je bërë më i vetëdijshëm për peshën e mëkatit që mbetet në zemrën tënde? Nëse jo, përse nuk ka qenë kështu? A mendon se do të ishte e dobishme nëse do të kishte një vetëdije më të madhe për mëkatin që mbetet në jetën tënde? Po qe se e ke patur këtë, çfarë ndryshimi do të bënte kjo gjë në jetën tënde?

4.     Çfarë ndikimi do të kishte në jetën tënde po qe se do të kishe menduar më shumë rreth faktit që Fryma e Shenjtë është në mënyrë të vazhdueshme në punë tek ti për të shtuar shenjtërimin tënd? Në jetesën e jetës së Krishterë, a e ke ruajtur një baraspeshë mes rolit tënd pasiv dhe rolit tënd aktiv në shenjtërim, apo ke patur prirjen që të theksosh një aspekt më shumë se një tjetër, dhe përse? Çfarë do mund të bënit për ndrequr këtë mungesë pabarazie, nëse ka një të tillë në jetën tënde?

5.     A ke menduar më përpara që shenjtërimi ndikon tek intelekti yt dhe tek mënyra se si ti mendon? Cilat pjesë të intelektit tënd kane ende nevojë për rritje në shenjtëri? Në lidhje me emocionet e tua, në cilat fusha ti e di se Perëndisë i duhet ende të punojë për të shkaktuar një shenjtërim më të madh? A ka fusha apo aspekte të shenjtërimit që kanë nevojë të përmirësohen në lidhje me trupin tënd fizik dhe bindjen e tij ndaj qëllimeve të Perëndisë?

6.     A ka fusha ku ke patur vështirësi për vite me radhë për t’u rritur në shenjtërim por nuk ke patur përparim aspak në jetën tënde? A të ka ndihmuar ky kapitull të rifitosh shpresë për përparim në këto fusha? (Për të krishterët të cilët kanë dekurajime serioze për shkak të mungesës së përparimit në shenjtërim, është shumë e rëndësishme që të flasim personalisht me një pastor apo të krishterë tjetër të pjekur rreth kësaj situate, e jo ta lëmë të vazhdojë për një periudhë të gjatë kohore.)

7.     Në përgjithësi, a ka qenë ky kapitull një inkurajim apo dekurajim për ty në jetën tënde të krishterë?

TERMA TË VEÇANTË

perfeksionizëm

shenjtërim

përsosmëri e pamëkat

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 330–345

1930 Thomas, 199–209, 223–235

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1847 Finney, 423–481

1875–1876 Pope, 3:27–100

1892–1894 Miley, 2:355–384

1940 Wiley, 2:440–517; 3:7–102

1960 Purkiser, 305–92, 428–441

1983 Carter, 1:521–569

3. Baptiste

1767 Gill, 2:93–107, 141–151, 364–557

1887 Boyce, 409–425

1907 Strong, 869–881

1917 Mullins, 417–432

1983–1985 Erickson, 967–984

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 3:355–363; 6:162–298

1949 Thiessen, 283–289

1986 Ryrie, 300–306

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 3:3–86

1934 Mueller, 384–435

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:684–725, 833–849 (3.6–10, 19)

1724–1758 Edwards, 2:173–185

1861 Heppe, 565–580

1871–1873 Hodge, 3:213–465

1878 Dabney, 674–687

1887–1921 Warfield, SSW 2:325–328; Perf., 3–464

1889 Shedd, 2b:553–560

1937–1966 Murray, CW 2:277–317; RAA 141–151

1938 Berkhof, 527–544

1962 Buswell, 2:196–215

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 2:83–117, 411–445

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 254–269

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 2:903–1099

Vepra të Tjera

Alexander, Donald L., r[100]ed. Krishterim Shpirtëror: Pesë Pikëpamje të Shenjtërimit (Christian Spirituality: Five Views of Sanctification). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1988.

Berkouwer, G.C. Besim dhe Shenjtërim (Faith and Sanctification). Përkth. nga John Vriend. Grand Rapids: Eerdmans, 1952.

Bockmuehl, Klaus. “Shenjtërim (Sanctification).” Tek FRT ([101]NDT) fq. 613–616.

Chafer, Lewis Sperry. Ai që Është Frymëror (He That Is Spiritual). Bot. i rishikuar. Grand Rapids: Zondervan, 1967.

Coppedge, Allan. Parimet Biblike të Dishepullimit (The Biblical Principles of Discipleship). Grand Rapids: Francis Asbury Press, 1989.

Downs, Perry G. Mësime për Rritje Frymërore: Një Prezantim i Edukimit të Krishterë (Teaching for Spiritual Growth: An Introduction to Christian Education). Grand Rapids: Zondervan, 1994.

Hoekema, Anthony A. “Shenjtërim (Sanctification).” Tek I Shpëtuar nga Hiri (Saved by Grace). Grand Rapids: Eerdmans and Exeter: Paternoster, 1989, fq. 192–233.

Murray, John. “Shenjtërimi (Sanctification).” Tek Shpengimi i Realizuar dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 141–150.

Packer, J.I. Mbaje Hapin me Frymën (Keep in Step With the Spirit). Old Tappan, N.J.: Revell, 1984.

Prior, K. Rruga e Shenjtërisë (The Way of Holiness). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1967.

Ryle, J.C. Shenjtëria: Natyra, Pengesat, Vështirësitë dhe Rrënjët (Holiness: Its Nature, Hindrances, Difficulties and Roots). Westwood, N.J.: Revell, pa datë botimi.

White, R.E.O. “Shenjtërimi (Sanctification).” Tek FUT ([102]EDT) fq. 969–971.

Willard, Dallas. Fryma e Disiplinës: Të kuptojmë se si Perëndia Ndryshon Jetë (The Spirit of the Disciplines: Understanding How God Changes Lives). San Francisco: Harper and Row, 1988.

Ziesler, J.A. Kuptimi i Drejtësisë tek Pali (The Meaning of Righteousness in Paul). Cambridge: Cambridge University Press, 1972.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Romakëve” 6:11–14: Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'i bindeni atij në epshet e veta. As mos ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit si mjete padrejtësie, por i paraqisni veten tuaj Perëndisë, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie Perëndisë. Sepse mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir..

HIMN

“KALO KOHË PËR TË QENË I SHENJTË (TAKE TIME TO BE HOLY)”

Kalo kohë që të jesh i shenjtë, flit shpesh me Zotin;

Bano gjithnjë tek Ai, dhe lër fjalët e Tij të të ngopin.

Zër shokë fëmijët e Perëndisë; atë që është i dobët ndihmoje;

Mos harro në gjithçka bekimin e Tij kërkoje.

Kalo kohë që të jesh i shenjtë, bota nuk do t’ia di’;

Kalo shumë kohë vetëm me Jezusin në fshehtësi.

Duke shikuar tek Jezusi, si Ai do të bësh;

Për miqtë e tu, me sjelljen tënde ngjashmërinë me Të do të tregosh.

Kalo kohë që të jesh i shenjtë, lëre Atë që prijësi yt të jetë,

Dhe mos u turr përpara Tij, pavarësisht asaj që do të të gjejë;

Në gëzim apo në pikëllim, Zotin tënd vazhdo ende të ndjekësh,

Dhe duke shikuar tek Jezusi në Fjalën e Tij vazhdo të mbetesh.

Kalo kohë që të jesh i shenjtë, në frymën tënde ruaj qetësi;

Çdo mendim dhe çdo motiv vure nën kontrollin e Tij;

Kështu nga Fryma e Tij për tek burimet e dashurisë do të drejtohesh,

Dhe shumë shpejt që atje lart të shërbesh, i përshtatshëm do të bëhesh.

Autor: William D. Longstaff, 1887

Himn Alternativ: “Beso dhe Bindu (Trust and Obey)”

Pen
>