General
Text

Kapitulli 35: Kthimi në besim (besimi dhe pendesa)

Lesson 37 Chapter 5 Module 7

Kthimi në besim (Besimi dhe Pendesa)

Çfarë është pendesa e vërtetë? Çfarë është besimi shpëtues? A munden njerëzit ta pranojnë Jezusin si Shpëtimtar dhe jo si Zot?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Dy kapitujt e fundit kanë shpjeguar se si Perëndia Vetë (përmes predikimit prej njerëzve të Fjalës) na drejton thirrjen e ungjillit dhe, përmes punës së Frymës së Shenjtë, na rigjeneron, duke na tejçuar jetë të re frymërore. Në këtë kapitull ne shqyrtojmë reagimin tonë ndaj thirrjes së ungjillit. Kthimin në besim ne mund ta përkufizojmë si më poshtë: Kthimi në besim është reagimi ynë me gatishmëri ndaj thirrjes së ungjillit, në të cilin ne me sinqeritet pendohemi për mëkatet dhe i besojmë Krishtit për shpëtimin.

Fjala kthim në vetvete do të thotë “rrotullim—këtu ajo përfaqëson një kthim frymëror, një kthim nga mëkati për tek Krishti. Kthimi i kurrizit ndaj mëkatit është quajtur pendesë ndërsa kthimi për tek Krishti, është quajtur besim. Ne mund të shikojmë tek secili prej këtyre elementëve të kthimit në besim, dhe nga një anë, nuk ka rëndësi se cilin diskutojmë të parën, sepse asnjëra nuk mund të ndodhë pa tjetrën, dhe ato duhet të ndodhin së bashku kur ndodh kthimi i vërtetë në besim. Për qëllimet e këtij kapitulli, ne do të shqyrtojmë së pari besimin shpëtues, dhe pastaj pendesën.

A. Një besim i vërtetë shpëtues përfshin njohurinë, aprovimin dhe besimin personal

1. Njohuria vetëm nuk mjafton. Besimi shpëtues personal, në mënyrën se si Shkrimi e kupton, përfshin më shumë sesa thjesht njohuri. Sigurisht është e domosdoshme që të kemi një farë njohurie se kush është Krishti dhe se çfarë ka bërë Ai sepse “si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” (Rom. 10:14). Por njohuria rreth fakteve të jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit për ne, nuk mjafton, sepse njerëzit mund të dinë fakte por të ngrenë krye kundër tyre ose të tregojnë mospëlqim ndaj tyre. Për shembull, Pali na thotë se shumë njerëz i dinë ligjet e Perëndisë por tregojnë mospëlqim ndaj tyre: “Ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e drejtë të Perëndisë, sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë” (Rom. 1:32). Madje edhe demonët e dinë se kush është Perëndia si dhe dinë fakte rreth jetës së Jezusit si dhe veprave shpëtuese, sepse Jakobi thotë: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). Por ajo njohuri padyshim që nuk nënkupton se demonët janë shpëtuar.

2. Njohuria dhe aprovimi nuk mjaftojnë. Për më tepër, thjesht të diturit e fakteve dhe aprovimi i tyre, apo pranimi që ato janë të vërteta, nuk mjafton. Nikodemi e dinte se Jezusi kishte ardhur nga Perëndia, sepse tha: “Mësues, ne e dimë se ti je mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat, që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të” (Gjoni 3:2). Nikodemi kishte bërë një vlerësim të fakteve të situatës, përfshi këtu mësimin e Jezusit dhe mrekullitë e Tij mbresëlënëse, dhe kishte nxjerrë një përfundim të saktë prej këtyre fakteve: Jezusi ishte një mësues i ardhur nga Perëndia. Gjithsesi vetëm kaq nuk do të thoshte se Nikodemi kishte besim shpëtues, sepse Ai gjithsesi duhej t’i besonte Krishtit për shpëtim. Ai ende duhej t’i “besonte Atij.” Mbreti Agripa përbën edhe një shembull të njohurisë dhe aprovimit por pa besimin shpëtues. Pali e kuptoi se mbreti Agripa i njihte, dhe me sa duket i shikonte me aprovim Shkrimet Hebraike (ato të cilat ne tani i quajmë Besëlidhje e Vjetër). Kur Pali ishte në gjyq përpara Agripës, ai tha: “O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson” (Veprat 26:27). Megjithëkëtë, Agripa nuk kishte besim shpëtues, sepse ai i tha Palit, “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë!” (Veprat 26:28).

3. Unë duhet të vendos që të varem tek Jezusi për shpëtimin tim personal. Përveç njohurisë rreth fakteve të ungjillit si dhe aprovimit të këtyre fakteve, me qëllim për t’u shpëtuar, unë duhet të marr vendimin për t’u mbështetur tek Jezusi për sa i takon shpëtimit tim. Në bërjen e kësaj, unë kaloj nga të qenurit një vëzhgues i interesuar i fakteve të shpëtimit si dhe i mësimeve të Biblës, tek të qenurit dikush i cili hyn në një marrëdhënie të re me Jezus Krishtin si një person i gjallë. Për rrjedhojë, ne mund ta përkufizojmë si më poshtë besimin shpëtues: Besimi shpëtues është besimi në Jezus Krishtin si një person i gjallë për faljen e mëkateve si dhe për jetë të përjetshme me Perëndinë.

Ky përkufizim thekson se besimi shpëtues nuk është thjesht një besim në fakte, por një mirëbesim personal tek Jezusi, për sa i takon shpëtimit tim. Siç do ta shpjegojmë në kapitujt e mëposhtëm, ka edhe shumëçka tjetër të përfshirë në shpëtim sesa thjesht falja e mëkateve dhe jeta e përjetshme, por dikush i cili vjen tek Krishti, rrallë herë e kupton shtrirjen e bekimeve të shpëtimit që do të vijnë. Për më tepër, ne mundemi që me të drejtë të bëjmë një përmbledhje të dy shqetësimeve kryesore të një personi i cili i beson Krishtit për “faljen e mëkateve” dhe “jetën e përjetshme me Perëndinë.” Sigurisht që jeta e përjetshme me Perëndinë, përfshin çështje të tilla si deklarimi i drejtësisë përpara Perëndisë (pjesë e drejtësimit, siç shpjegohet në kapitullin tjetër), birësimi, shenjtërimi si dhe përlëvdimi, por këto gjëra mund të kuptohen në detaje më vonë. Gjëja kryesore për të cilën një jobesimtar që vjen tek Krishti është i preokupuar, është fakti që mëkati e ka ndarë atë nga përbashkësia me Perëndinë për të cilën jemi krijuar. Jobesimtari vjen tek Krishti duke kërkuar që mëkati dhe faji i tij/saj të hiqet, e që të hyjë në një marrëdhënie të mirëfilltë me Perëndinë e cila do të zgjasë përgjithnjë.

Ky përkufizim thekson besimin personal në Krishtin, jo thjesht besimin e fakteve rreth Krishtit për shkak se besimi shpëtues në Shkrim e përfshin këtë besim personal, fjala “mirëbesim” është një fjalë më e mirë për ta përdorur në kulturën bashkëkohore sesa fjala “besim” apo “bindje e brendshme.” Arsyeja për këtë është se ne mundet të “kemi bindje” se diçka është e vërtetë pa patur një përkushtim vetjak apo varësi në të. Unë mund të besoj se Kenberra është kryeqyteti i Australisë, apo se 7 shumëzim për 6 është e barabartë me 42, e të mos kem një përkushtim personal apo varësi në ndokënd kur thjesht i besoj këto fakte. Fjala besim nga ana tjetër, nganjëherë përdoret sot për t’iu referuar një përkushtimi pothuajse irracional ndaj diçkaje pavarësisht provave të forta për të kundërtën, një lloj vendimi irracional për të vendosur të besosh diçka për të cilën ne jemi mjaft të sigurt se nuk është e vërtetë! (Nëse skuadra jote e preferuar e futbollit, vazhdon të humbasë ndeshje, dikush mund të të inkurajojë që të “kesh besim” paçka se të tëra faktet të shtyjnë në drejtimin e kundërt.) Në këto dy kuptime të njohura, fjala “bindje e brendshme” si dhe fjala “besim” kanë një kuptim të kundërt me mesazhin biblik.[51]1

Fjala mirëbesim është më e afërt me idenë biblike, përderisa ne jemi të familjarizuar me besimin ndaj personave në jetën e përditshme. Sa më shumë që të fillojmë ta njohim një person, dhe sa më shumë të shikojmë tek ai person një vazhdë jete që përligj mirëbesimin tonë, aq më shumë do ta shikojmë veten si të aftë për t’i zënë besë atij personi se do të bëjë atë që ai apo ajo premton, apo se do të veprojë në mënyra mbi të cilat ne mund të bazohemi. Ky kuptim më i plotë i mirëbesimit personal, tregohet në një sërë pasazhesh të Shkrimit në të cilat besimi fillestar shpëtues trajtohet me terma shumë personalë, duke përdorur shpesh herë analogji të marra nga marrëdhëniet personale. Gjoni thotë: “ Të gjithëve atyre që e pranuan, ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12). Ashtu sikurse do të mirëpritnim një mysafir në shtëpitë tona, ashtu Gjoni flet për pranimin e Krishtit.

Gjoni 3:16 na thotë se “kushdo që beson në të, nuk do të humbasë, por do të ketë jetën e përjetshme.” Këtu Gjoni përdor një frazë befasuese kur nuk është se thjesht thotë: “kushdo që i beson” (d.m.th., beson se çfarë Ai thotë është e vërtetë dhe që mund t’i besohet), por më tepër, “kushdo që beson në të.” Fjala greqisht πιστεύω εἰς αὐτόν mundet që të përkthehet gjithashtu “besoj tek ai” me kuptimin e mirëbesimit apo bindjes që shkon tek prehja tek Jezusi si person. Leon Morris-i thotë: “Besimi, për Gjonin është një veprimtari që i nxjerr njerëzit nga vetja dhe i bën një me Krishtin.” Ai e kupton frazën greke πιστεύω εἰςsi një tregues i rëndësishëm që besimi i Besëlidhjes së Re, nuk është thjesht një pranim nga ana intelektuale, por që përfshin një “element personal mirëbesimi.”[52]2 Një shprehje e tillë qe e rrallë apo ndoshta joekzistente në greqishten laike të hasur jashtë Besëlidhjes së Re, por qe përshtatur mirë për të shprehur mirëbesimin vetjak në Krishtin që përfshihet në besimin shpëtues.

Jezusi flet për “ardhjen tek Ai” në disa vende. Ai thotë: “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë” (Gjoni 6:37). Ai thotë gjithashtu: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Gjoni 7:37). Në një mënyrë të ngjashme, ai thotë: “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë” (Mat. 11:28–30). Në këto pasazhe kemi idenë e ardhjes tek Krishti dhe kërkimin për pranim, për të pirë ujë të gjallë si dhe për çlodhje dhe marrje udhëzimesh. Të tëra këto krijojnë një pamje tejet personale të asaj që përfshihet në besimin shpëtues. Autori i “Hebrenjve” gjithashtu na kërkon ta mendojmë Jezusin si të gjallë tani në qiell, gati për të na pranuar: “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Heb. 7:25). Jezusi paraqitet këtu (ashtu sikurse shpesh herë në Besëlidhjen e Re) si i gjallë në qiell, gjithnjë në gjendje për t’i ndihmuar ata të cilët vijnë tek Ai.

Teologu i reformuar J.I. Packer citon paragrafët e mëposhtëm nga Puritani britanik, shkrimtari Xhon Ouen (John Owen), që përshkruan ftesën e Krishtit për të reaguar me besim personal:

Kjo është njëfarësoj ajo që Ai të thotë tani: Përse do të vdesësh? Përse do të humbësh? Përse do të mos të tregohet dhembshuri për shpirtin tënd? A mund të durojë zemra jote dhe a mund të jenë të forta duart e tua, në ditën e zemërimit e cila po afrohet?...Më shiko dhe shpëtohu; eja tek Unë dhe unë do të t’i heq të tëra mëkatet e tua, pikëllimet, frikërat, barrat e do t’i jap çlodhje shpirtit tënd. Eja, unë të përgjërohem; lëri mënjanë të tëra zvarritjet, të tëra vonesat; mos shtyj për më vonë të merresh me Mua; përjetësia është tek pragu i derës...mos më urre e të vendosësh që më mirë të humbasësh sesa të pranosh shpëtimin prej Meje.

Këto, e të tjerat të ngjashme me këto, Zoti Krisht i deklaron në mënyrë të vazhdueshme, duke shpallur, kërkuar dhe nxitur frymën e mëkatarëve....Ai e bën këtë në predikimin e fjalës, njëlloj sikur të ishte pranë jush, sikur të kishte qëndruar mes jush, dhe sikur t’i kishte folur personalisht secilit prej jush....Ai ka caktuar shërbenjësit e ungjillit që të dalin përpara jush, e që të merren me ju si përfaqësues të Tij, duke shpallur si të Tijat ftesat të cilat ju bëhen në emrin e Tij. (2 Kor. 5:19–20)[53]3

Me këtë kuptim të besimit të vërtetë tek Besëlidhja e Re, tani ne mund të vlerësojmë se kur një person vjen për t’i besuar Krishtit, duhet të jenë të pranishme të tre elementët. Duhet të ketë një farë njohurie bazë apo kuptim të fakteve të ungjillit. Duhet të ketë gjithashtu aprovim, apo dakordësi me këto fakte. Një dakordësi e tillë përfshin një bindje se faktet e përmendura në ungjill, janë të vërteta, veçanërisht fakti që unë jam një mëkatar që ka nevojë për shpëtim dhe se vetëm Krishti ka paguar ndëshkimin për mëkatin tim si dhe më ofron shpëtim. Kjo përfshin gjithashtu një vetëdije se kam nevojë t’i besoj Krishtit për shpëtim, dhe se Ai është rruga e vetme për tek Perëndia, si dhe mjeti i vetëm i siguruar për shpëtimin tim. Ky aprovim i fakteve të ungjillit, do të përfshijë gjithashtu një dëshirë për t’u shpëtuar nëpërmjet Krishtit. Por e gjitha kjo gjithsesi nuk krahasohet me besimin e vërtetë shpëtues. Kjo vjen vetëm kur unë marr një vendim me vullnetin tim për t’u varur tek Krishti si Shpëtimtari im. Ky vendim personal për t’i besuar Krishtit, është diçka të cilën unë e bëj me zemrën time, me zemrën time që është faktori qendror i të tërë qenies time e që merr zotime për mua si një person i tërë.

4. Besimi duhet të rritet me rritjen e njohurisë tonë. Në ndryshim nga kuptimi i tanishëm laik i “besimit,” besimi i vërtetë i Besëlidhjes së Re nuk është diçka që forcohet nga padija apo nga besimi në kundërshtim me provat. Përkundrazi, besimi shpëtues është i përputhshëm me njohurinë si dhe kuptimin e vërtetë të fakteve. Pali thotë: “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Rom. 10:17). Kur njerëzit kanë njohuri të vërtetë rreth Krishtit, ata janë më shumë në gjendje që t’i besojnë Atij. Për më tepër, sa më shumë të dimë rreth Tij si dhe rreth karakterit të Perëndisë që është zbuluar plotësisht tek Ai, aq më plotësisht jemi në gjendje që t’i besojmë Atij. Kësisoj besimi nuk dobësohet nga njohuria, por përkundrazi, duhet të rritet me marrjen e më shumë njohurish të vërteta.

Në rastin e besimit shpëtues në Krishtin, njohuria e jonë ndaj Tij vjen duke besuar një dëshmi të besueshme rreth Tij. Këtu, dëshmia e besueshme që ne besojmë, janë fjalët e Shkrimit. Përderisa ato janë pikërisht fjalët e Perëndisë, ato janë tërësisht të besueshme dhe ne fitojmë njohuri të vërtetë të Krishtit përmes tyre. Kjo është arsyeja përse “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Rom. 10:17) Në jetën e përditshme, ne fillojmë të besojmë shumë gjëra kur dëgjojmë dëshmi nga një person, dëshmi të cilën e konsiderojmë të besueshme dhe të denjë për t’u marrë parasysh. Ky lloj vendimi është edhe më i justifikuar këtu, kur fjalët aktuale të Perëndisë na e sigurojnë atë dëshmi dhe ne e besojmë.

B. Besimi dhe pendesa duhet të shkojnë bashkë

Pendesën ne mund ta përkufizojmë si më poshtë: Pendesa është një pikëllim i ndjerë me zemër për mëkatin e bërë, është një hedhje poshtë e tij, si dhe një përkushtim i sinqertë për ta braktisur atë si dhe për të ecur në bindje ndaj Krishtit.

Ky përkufizim tregon se pendesa është diçka e cila mund të ndodhë në një kohë specifike, dhe që nuk është e barasvlershme me demonstrimin e një ndryshimi në vazhdën e jetës së një personi. Pendesa, ashtu sikurse besimi, është një kuptim intelektual (që mëkati është i gabuar), një aprovim emocional i mësimeve të Shkrimit në lidhje me mëkatin (një pikëllim për mëkatin dhe urrejtje ndaj tij), dhe një vendim personal për t’u larguar prej tij (një hedhje poshtë e mëkatit si dhe një vendim i vullnetit për ta braktisur atë si dhe për të çuar një jetë në bindje ndaj Krishtit në vend të kësaj). Ne nuk mund të themi se dikush duhet që aktualisht ta jetojë atë jetë të ndryshuar përgjatë një periudhe kohe, përpara se pendesa të jetë diçka e mirëfilltë, ose përndryshe pendesa do të na kthehej në një lloj bindjeje që ne mund ta bënim për të merituar shpëtimin për veten tonë. Sigurisht që, pendesa e vërtetë do të rezultojë në një jetë të ndryshuar. Faktikisht, një person i penduar me të vërtetë, do të fillojë menjëherë të jetojë një jetë të ndryshuar, dhe atë jetë të ndryshuar ne mund ta quajmë fryt të pendimit. Por, ne nuk duhet të përpiqemi kurrë të kërkojmë që të ketë një periudhë kohore në të cilën personi aktualisht të jetojë një jetë të ndryshuar përpara se ne të japim sigurinë për falje. Pendesa është diçka që ndodh në zemër dhe që përfshin të tërë personin, i cili ka marrë një vendim për t’u larguar nga mëkati.

Është e rëndësishme që të kuptojmë se thjesht pikëllimi për veprimet e dikujt, apo edhe një brejtje e thellë e ndërgjegjes mbi veprimet e dikujt, nuk përbën një pendesë të mirëfilltë nëse ajo nuk shoqërohet nga një vendim i sinqertë për të braktisur mëkatin i cili po kryhet kundër Perëndisë. Pali predikoi për “pendimin te Perëndia dhe besimin në Zotin tonë, Jezu Krisht” (Veprat 20:21). Ai thotë se u gëzua për korintasit, “jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim.... Sepse trishtimi sipas Perëndisë, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriut nuk i vjen keq, por trishtimi i botës sjell vdekje” (2 Kor. 7:9–10). Një lloj pikëllimi sipas botës, mund të përfshijë një pikëllim të thellë për veprimet e personit vetë, dhe me shumë mundësi edhe frikë për ndëshkim, por jo një hedhje poshtë të mirëfilltë të mëkatit apo përkushtimin për ta braktisur atë në jetën e vet. “Hebrenjve” 12:17 na thotë se Esau qau për pasojat e veprimeve të tij, por nuk është se u pendua me të vërtetë. Për më tepër, siç e tregon edhe “2 Korintasve” 7:9–10, edhe pikëllimi i vërtetë i perëndishëm është thjesht një faktor i cili çon në pendesë të mirëfilltë, por një pikëllim i tillë, nuk është vetë vendimi i sinqertë i zemrës në praninë e Perëndisë që shkakton pendesë të mirëfilltë.

Shkrimi e vë pendesën dhe besimin së bashku, si aspekte të ndryshme të një akti të vetëm të ardhjes tek Krishti për shpëtim. Nuk është se një person fillimisht i kthen shpinën mëkatit dhe pastaj beson tek Krishti, apo se fillimisht beson tek Krishti dhe pastaj i kthen shpinën mëkatit, por përkundrazi që të dyja këto ndodhin njëkohësisht. Kur ne kthehemi tek Krishti për shpëtim nga mëkatet tona, ne njëkohësisht po u largohemi mëkateve prej të cilave i kërkojmë Krishtit të na shpëtojë. Nëse kjo gjë nuk do të ishte e vërtetë, kthimi ynë tek Krishti për shpëtim nga mëkati, si zor se do të ishte një kthim i mirëfilltë tek Ai apo besimit në Të.

Fakti që pendesa dhe besimi janë thjesht dy anë të ndryshme të së njëjtës monedhë, apo dy aspekte të ndryshme të së njëjtës ngjarje të kthimit në besim, mund të shikohet në figurën 35.1.

Jo i Krishterë    Mëkati                                    Jezusi      

   “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh” (Mat. 11:28)

        PENDESË + BESIM

       KTHIM NË BESIM

Figura 35.1: Kthimi në besim është një veprim i vetëm i kthimit të shpinës ndaj mëkatit me pendesë, si dhe kthimi për tek Krishti me besim

Në këtë diagram, personi i cili në mënyrë të mirëfilltë kthehet tek Krishti për shpëtim, duhet që njëkohësisht të lëshojë mëkatin tek i cili ai apo ajo është kapur si dhe të largohet nga ai mëkat me qëllim që të kthehet tek Krishti. Kështu, as pendesa e as besimi nuk vjen i pari; ato duhet të vijnë së bashku. Xhon Mërrei (John Murray) flet për “besimin pendestar” si dhe për “pendesën besuese.”[54]4

Për rrjedhojë, është qartësisht në kundërshtim me provat e Besëlidhjes së Re po të flasim për mundësinë e të paturit besim të vërtetë shpëtues, pa patur pendesë për mëkatin. Është gjithashtu në kundërshtim me Besëlidhjen e Re po të flasim rreth mundësisë që dikush ta pranojë Krishtin “si Shpëtimtar” por jo “si Zot,” nëse kjo do të thotë thjesht një varësi tek Ai për shpëtimin, por jo përkushtimin tonë për ta braktisur mëkatin si dhe për t’u treguar të bindur ndaj Krishtit që nga ajo pikë e tutje.

Disa zëra të spikatur përbrenda ungjillorëve, kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me këtë pikë, duke argumentuar se një prezantim i ungjillit i cili kërkon pendesë si dhe besim, nuk është gjë tjetër veç predikim i shpëtimit nëpërmjet veprave. Ata argumentojnë se pikëpamja e mbrojtur në këtë kapitull, sipas të cilës pendesa dhe besimi duhet të shkojnë krah për krah, është një ungjill i rremë i “shpëtimit prej Jezusit si Zot.” Ata do të thonin se besimi shpëtues përfshin vetëm besimin tek Krishti si Shpëtimtar, dhe se nënshtrimi ndaj Tij si Zot, është një hap opsional i mëpastajshëm i cili nuk është i nevojshëm për shpëtim. Për shumë prej atyre të cilët japin mësim këtë pikëpamje, besimi shpëtues kërkon vetëm një përputhshmëri intelektuale me faktet e ungjillit.[55]5

Kur Jezusi i fton mëkatarët, “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh,” menjëherë pas kësaj, Ai shton: “Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë” (Mat. 11:28–29). Vajtja tek Ai përfshin marrjen e zgjedhës së Tij mbi ne, të qenurit të bindur ndaj drejtimit dhe udhëzimeve të Tij, të mësojmë prej Tij dhe të tregohemi të bindur ndaj Tij. Nëse nuk jemi të gatshëm që të bëjmë një përkushtim të tillë, atëherë nuk është se me të vërtetë e kemi vënë tek Ai besimin tonë.

Kur Shkrimi flet për besimin tek Perëndia apo në Krishtin, ai shpesh herë e lidh një mirëbesim të tillë me pendesën e mirëfilltë. Për Shembull, Isaia jep një dëshmi elokuente e cila është tipike për mesazhin e shumë prej profetëve të Besëlidhjes së Vjetër:

Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet,

e thirrni ndërsa është afër.

I pabesi le ta lërë rrugën e tij 

dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij

dhe le të kthehet te Zoti, që të ketë dhembshuri për të,

 te Perëndia ynë që fal bujarisht. (Isa. 55:6–7)

Këtu përmendet si pendesa nga mëkati ashtu edhe ardhja tek Perëndia për të gjetur falje. Në Besëlidhjen e Re, Pali e përmbledh shërbesën e tij të ungjillit si një që vazhdon “duke u dëshmuar judenjve dhe grekëve pendimin te Perëndia dhe besimin në Zotin tonë, Jezu Krisht” (Veprat 20:21). Autori i “Hebrenjve” përfshin si dy elementët e parë në një listë doktrinash elementare “pendimin nga veprat e vdekura” si dhe “besimin tek Perëndia” (Heb. 6:1).

Sigurisht që nganjëherë, është vetëm besimi që cilësohet si gjëja e nevojshme për ardhjen tek Krishti për shpëtim (shiko Gjoni 3:16; Veprat 16:31; Rom. 10:9; Efe. 2:8–9, etj.). Këto janë pasazhe të njohur dhe ne shpesh herë i theksojmë ato kur u shpjegojmë të tjerëve ungjillin. Por, ajo gjë të cilën ne shpesh herë nuk e kuptojmë, është fakti që ka shumë pasazhe të tjerë në të cilat përmendet vetëm pendesa, sepse është supozuar thjeshtë se pendesa e vërtetë do të përfshijë gjithashtu besimin në Krishtin për faljen e mëkateve. Autorët e Besëlidhjes së Re të cilët e kuptuan kaq mirë që pendesa e mirëfilltë si dhe besimi i mirëfilltë duhet të shkonin krah për krah saqë ata shpesh herë përmendën vetëm pendesën duke kuptuar se besimi do të përfshihej gjithashtu, sepse kthimi i shpinës nga mëkatet në një mënyrë të mirëfilltë, është i pamundur pa një kthim të mirëfilltë tek Perëndia. Për rrjedhojë, pak përpara se Jezusi të ngrihej në qiell, Ai u tha dishepujve të vet: “Sepse kështu është shkruar dhe kështu duhej të vuante Krishti dhe të ngjallej prej së vdekurish ditën e tretë, dhe të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjitha kombet” (Luka 24:46–47). Besimi shpëtues nënkuptohet në frazën “falja e mëkateve,” por nuk është përmendur shkoqur me emër.

Predikimi i dokumentuar në librin e “Veprave” tregon të njëjtën model. Pas predikimit të Pjetrit në ditën e Rrëshajëve, turma pyeti: “Vëllezër, ç'duhet të bëjmë?” Pjetri u përgjigj, “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve” (Veprat 2:37–38).[56]6 Në predikimin e tij të dytë, Pjetri u foli dëgjuesve të Tij në një mënyrë të ngjashme, duke u thënë: “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja dhe që të vijë koha e flladit nga prania e Zotit” (Veprat 3:19). Më pas, kur apostujt ishin në gjyq përpara Sinedrit, Pjetri foli për Krishtin duke thënë: “Atë Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t'i dhënë Izraelit pendim dhe falje të mëkateve” (Veprat 5:31). Dhe kur Pali po predikonte në Areopag të Athinës ndaj një asambleje filozofësh grekë, ai tha: “Perëndia, pra, duke mos vënë re kohërat e padijes, tani i urdhëron të gjithë njerëzit kudo, që të pendohen” (Veprat 17:30). Në letrat e tij ai gjithashtu thotë: “Duke mos ditur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim.” (Rom. 2:4), dhe ai flet për një “pendim për shpëtim” (2 Kor. 7:10).

Ne shikojmë gjithashtu se kur Jezusi takohet me njerëz të ndryshëm, Ai u kërkon personalisht që të largohen nga mëkatet e tyre përpara se të vijnë ta ndjekin. Pavarësisht nëse është duke i folur drejtuesit të ri pasanik e po i kërkon atij që të lërë pasuritë e tij (Luka 18:18–30), duke ardhur në shtëpinë e Zakeut apo duke deklaruar që shpëtimi kishte ardhur tek ai atë ditë për shkak e Zaeku kishte dhënë gjysmën e të mirave të tij materiale ndaj të varfërve si dhe kishte paguar katërfish gjithçka që kishte vjedhur (Luka 19:1–10), apo nëse ishte duke folur me gruan tek pusi si dhe i kishte kërkuar asaj që të thërriste të shoqin (Gjoni 4:16), apo, duke folur me Nikodemin dhe kishte qortuar mosbesimin e tij si rabi që ishte si dhe krenarinë që kishte për njohurinë e vet (Gjoni 3:1–21), Jezusi, pa ndërprerë e vë dorën në atë pjesë të mëkatit që është më me ndikim në jetën e personit. Në fakt, ne mund të pyesim nëse ka ndonjë tjetër tek ungjijtë që erdhën me besim të sinqertë tek Krishti, pa u penduar për mëkatet e tij apo të saj.

Kur e kuptojmë se besimi i mirëfilltë shpëtues, duhet shoqëruar nga një pendesë e mirëfilltë për mëkatin, kjo gjë na ndihmon të kuptojmë arsyen përse ca predikime të ungjillit kanë rezultate të pamjaftueshme sot. Nëse nevoja për pendesë nuk përmendet, nganjëherë, mesazhi i ungjillit bëhet vetëm: “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” pa e përmendur aspak pendesën.[57]7 Por, ky version i holluar i ungjillit, nuk kërkon një përkushtim me tërë zemër ndaj Krishtit—përkushtimi ndaj Krishtit, nëse është i mirëfilltë, duhet të përmbajë një përkushtim për t’i kthyer shpinën mëkatit. Predikimi i nevojës për besim pa pendesë, është njëlloj si të predikosh vetëm gjysmën e ungjillit. Kjo do të çonte në mashtrimin e shumë vetëve, duke menduar se kanë dëgjuar ungjillin e krishterë, dhe e kanë provuar, por asgjë nuk ka ndodhur. Ata madje mund të thonë diçka të tillë si: “Unë e pranova vazhdimisht Krishtin si Shpëtimtar, por nuk funksionoi aspak.” Por në fakt ata nuk është se e pranuan ndonjëherë Krishtin si Shpëtimtar të tyre, sepse Ai vjen tek ne në madhështinë e Tij si dhe na fton që ta pranojmë Atë ashtu sikurse Ai është, ashtu sikurse Ai meriton të jetë, dhe kërkon të jetë, si Zoti absolut i jetës tonë gjithashtu.

Si përfundim, çfarë do të themi për praktikën e zakonshme të të kërkuarit ndaj njerëzve që të luten për të pranuar Krishtin si Shpëtimtarin dhe Zotin e tyre personal? Përderisa besimi personal në Krishtin duhet të përfshijë një vendim aktual të vullnetshëm, është shpesh herë shumë e dobishme që të shprehim atë vendim me fjalë të folura, dhe kjo në mënyrë shumë të natyrshme mund të marrë formën e një lutjeje drejtuar Krishtit, në të cilën ne i tregojmë për pikëllimin tonë për mëkatin, përkushtimin tonë për ta braktisur mëkatin, si dhe vendimin tonë aktualisht për t’i besuar Atij. Një lutje e tillë e folur, nuk është se në vetvete na shpëton, por qëndrimi i zemrës që ajo përfaqëson, përbën me të vërtetë një kthim të mirëfilltë në besim, dhe vendimi për ta folur atë lutje, shpesh mund të jetë ajo pikë në të cilën një person me të vërtetë i beson Krishtit.

C. Si besimi ashtu edhe pendesa vazhdojnë përgjatë gjithë jetës

Paçka se si besimin ashtu edhe pendesën fillestare ne i kemi konsideruar si dy aspekte të kthimit në besim në fillim të jetës së krishterë, është e rëndësishme që të kuptojmë se besimi dhe pendesa, nuk janë të kufizuara tek vetëm fillimi i jetës së krishterë. Përkundrazi ato janë qëndrime të zemrës të cilat vazhdojnë përgjatë gjithë jetës tonë si të krishterë. Jezusi i tha dishepujve të Tij që të luten për çdo ditë kështu: “Dhe na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë” (Mat. 6:12, përkthimi i autorit), një lutje e cila, po të bëhet me gjithë zemër, pa dyshim që do të përfshijë një pikëllim të përditshëm për mëkatin si dhe pendesë të mirëfilltë. Gjithashtu, Krishti i ringjallur i thotë kishës në Laodicea, “Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu” (Zbu. 3:19; kr. 2 Kor. 7:10).

Në lidhje me besimin, Pali na thotë: “Por tani mbeten besimi, shpresa, dashuria, këto të tria; po më e madhja ndër to është dashuria” (1 Kor. 13:13). Ai pa dyshim do të thotë se këto të treja mbeten përgjatë gjithë kësaj jete, por ai me shumë mundësi do të thotë edhe se ato do të mbeten për gjithë përjetësinë: nëse besimi është t’i zëmë besë Perëndisë që Ai do të sigurojë për të tëra nevojat tona, atëherë ky qëndrim nuk duhet të venitet kurrë, as edhe në epokën që do të vijë. Por, sido që të jetë, është sqaruar qartë që besimi vazhdon përgjatë gjithë kësaj jete. Pali gjithashtu thotë se jetën: “Që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” (Gal. 2:20).

Për rrjedhojë, paçka se është e vërtetë që besimi fillestar shpëtues dhe pendesa fillestare ndodhin vetëm një herë në jetën tonë, dhe kur ato ndodhin përbëjnë një kthim të vërtetë në besim, megjithëkëtë, qëndrimi i zemrës i pendesës dhe besimit, fillon vetëm me kthimin në besim. Po këto qëndrime duhet të vazhdojnë përgjatë gjithë kursit të jetës tonë të krishterë. Çdo ditë duhet të ketë një pendesë të ndjerë nga zemra për mëkatet që kemi kryer, dhe besimi në Krishtin për të siguruar për nevojat tona si dhe për të na fuqizuar që të jetojmë jetën e krishterë.

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A i ke besuar personalisht Krishtit, apo je ende në pikën e njohurisë intelektuale dhe aprovimit emocional të fakteve të shpëtimit pa i besuar personalisht Krishtit? Nëse ende nuk i ke besuar Krishtit, çfarë mendon se po të bën të ngurrosh?

2.     A të ndihmoi ky kapitull të mendosh për besimin në Krishtin me terma më personalë? Po qe kështu, si mund ta rrisë kjo gjë nivelin tënd të besimit? A mendon se mund të jetë më e lehtë për fëmijët e vegjël sesa për të rriturit që të mendojnë të besojnë në Krishtin ashtu sikurse kanë mirëbesim tek një person real i cili është i gjallë sot? Përse po apo përse jo? Çfarë të thotë kjo për mënyrën se si prindërit e krishterë duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre rreth Jezusit?

3.     Nëse njohuria juaj rreth Perëndisë është rritur përmes leximit të këtij libri, a është rritur besimi juaj bashkë me atë njohuri? Përse po ose përse jo? Nëse besimi juaj nuk është rritur bashkë me njohurinë tuaj, çfarë mund të bësh për ta inkurajuar besimin tënd që të rritet më shumë nga ç’është rritur tashmë?

4.     Në lidhje me marrëdhëniet njerëzore, a i beson një personi më shumë kur nuk e njeh edhe aq mirë atë person, apo pasi e ke njohur atë mjaft mirë (duke supozuar se personi është në thelb një person i besueshëm e tek i cili mund të mbështetesh)? Çfarë të thotë ai fakt për mënyrën se si besimi yt tek Perëndia mund të rritet? Çfarë gjërash mund të bësh gjatë ditës për ta njohur Perëndinë më mirë, si dhe për të njohur Jezusin dhe Frymën e Shenjtë më mirë?

5.     A ndjeve një pikëllim të sinqertë për mëkatin kur i besove për herë të parë Krishtit? A mund të përshkruash se si u ndjeve? A të çoi kjo në një përkushtim të mirëfilltë për të braktisur mëkatin? Sa kohë u desh përpara se të vëreje një ndryshim në mënyrën tënde të jetesës?

6.     A je penduar ndonjëherë me të vërtetë për mëkatin, apo mendon se të është dhënë mësim një ungjill i holluar i cili nuk përfshin pendesën? A mendon se është e mundshme që dikush në mënyrë të mirëfilltë t’i besojë Krishtit për faljen e mëkateve pa u penduar gjithashtu për mëkatet? A mendon se pendesa e mirëfilltë zakonisht përfshin vetëm një ndjenjë të sinqertë pikëllimi për mëkatin në përgjithësi, apo përfshin një pikëllim të mirëfilltë për mëkate specifike si dhe kthimin e shpinës ndaj atyre mëkateve specifike?

7.     A kanë mbetur besimi dhe pendesa një pjesë e vazhdueshme e jetës tënde të krishterë, apo këto qëndrime të zemrës janë dobësuar disi në jetën tënde? Cili ka qenë rezultati në jetën tënde të krishterë?

TERMA TË VEÇANTË

besim

pendesë

mirëbesim

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 288–300

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1847 Finney, 364–382

1875–1876 Pope, 2:367–385

1940 Wiley, 2:357–378

1983 Carter, 1:496–499

3. Baptiste

1767 Gill, 2:131–141

1887 Boyce, 373–394

1907 Strong, 829–849

1917 Mullins, 368–385

1983–1985 Erickson, 933–942

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 3:371–393

1949 Thiessen, 264–270

1986 Ryrie, 324–327

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 2:422–503

1934 Mueller, 319–366

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:340–367, 423–428 (2.6–7, 9; 3.2–5), 542–684

1724–1758 Edwards, 2:578–596

1861 Heppe, 526–542

1871–1873 Hodge, 3:41–113

1878 Dabney, 600–612, 651–660

1887–1921 Warfield, BTS 375–403; SSW 1:267–282; SSW 2:655–659; BD 467–510

1889 Shedd, 2b:529–537

1937–1966 Murray, CW 2:235–274; RAA 106–116

1938 Berkhof, 480–509

1962 Buswell, 2:175–186

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 2:28–31

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 252–254

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:31–46

Vepra të Tjera

Berkouwer, G.C. Besimi dhe Drejtësimi (Faith and Justification). Përkth. nga Lewis B. Smedes. Grand Rapids: Eerdmans, 1954.

Boice, James Montgomery. Thirrja e Krishtit për Dishepullim (Christ’s Call to Discipleship). Chicago: Moody, 1986.

Chantry, Walter. Ungjilli i Sotëm: Autentik apo Sintetik? (Today’s Gospel: Authentic or Synthetic?) Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1970.

Hodges, Zane C. Absolutisht Falas! Një Përgjigje Biblike ndaj Shpëtimit Nga Krishti si Zot (Absolutely Free! A Biblical Reply to Lordship Salvation.) Dallas: Redencion Viva, and Grand Rapids: Zondervan, 1989.

_______. Ungjilli nën Rrethim: Një Studim i Besimit dhe Veprave (The Gospel Under Siege: A Study on Faith and Works.) Dallas: Redencion Viva, 1981.

Hoekema, Anthony A. I Shpëtuar me Hir (Saved by Grace). Grand Rapids: Eerdmans, and Exeter: Paternoster, 1989, fq. 113–151.

Kromminga, C.G. “Pendesa (Repentance).” Tek FUT ([58]EDT) fq. 936–937.

MacArthur, John F., Jr. Ungjilli Sipas Jezusit (The Gospel According to Jesus). Grand Rapids: Zondervan, 1988.

Machen, J. Gresham. Çfarë Është Besimi?. (What Is Faith?) Grand Rapids: Eerdmans, 1925.

Morris, Leon. “Besimi (Faith).” In [59]IBD. Vol. 1, fq. 496–498.

Murray, John. “Besimi dhe Pendesa (Faith and Repentance).” Tek Shpengimi i Realizuar dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 106–116.

_______. “Pendesa (Repentance).” Tek Fjalori i Ri i Biblës (The New Bible Dictionary). Red. nga J.D. Douglas. London: Tyndale Press, dhe Grand Rapids: Eerdmans, 1962, fq. 1083–1084.

Packer, J.I. “Ungjillorët dhe Rruga e Shpëtimit: Sfida të Reja ndaj Ungjillit—Ungjillëzimi dhe Drejtësimi nëpërmjet Besimit (Evangelicals and the Way of Salvation: New Challenges to the Gospel—Universalism and Justification by Faith).” Tek Pohime Ungjillore (Evangelical Affirmations). Red. nga Kenneth S. Kantzer dhe Carl F.H. Henry. Grand Rapids: Zondervan, 1990, fq. 107–136.

_______. Ungjillëzimi si dhe Sovraniteti i Perëndisë (Evangelism and the Sovereignty of God). London: Inter-Varsity Press, 1961.

_______. “Besimi (Faith).” Tek FUT (EDT) fq. 399–402.

Ryrie, Charles C. Shpëtim Kaq i Madh: Çfarë do të Thotë të Besosh në Jezus Krishtin (So Great Salvation: What It Means to Believe in Jesus Christ). Wheaton, Ill.: Scripture Press, 1989.

Watson, Thomas. Doktrina e Pendesës (The Doctrine of Repentance). Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1987.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Gjoni” 3:16: Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme.

HIMN

“ASHTU SI JAM (JUST AS I AM)”

Ashtu siç jam, pa asnjë justifikim

Përveç që gjaku Yt u derdh për mëkatin tim,

Dhe që Ti më kërkon që tek Ti të vij për shpëtim,

O Qengji i Perëndisë, unë vij, unë vij.

Ashtu siç jam, më nuk do të pres më gjatë

Për ta pastruar nga një njollë shpirtin tim të ngratë,

Tek Ai, gjaku i të Cilit mund të pastrojë çdo njollë e baltë,

O Qengji i Perëndisë, unë vij, unë vij.

Pikërisht siç jam, paçka se i lëkundur

Me shumë mëdyshje e dyshime mbushur,

Kërleshje të gjithanshme dhe prej frikës i tutur,

O Qengji i Perëndisë unë vij, unë vij.

I varfër, i ngratë, i verbër, kisha mbetur;

Shikim, pasuri, shërim për mendjen time kam gjetur,

Po, gjithçka që kam nevojë tek Ti e marr pareshtur,

O Qengji i Perëndisë unë vij, unë vij.

Ashtu sikurse jam! Ti do të më pranosh,

Do të më mirëpresësh, falësh, pastrosh, lehtësosh;

Sepse premtimin Tënd përse të mos e besosh,

O Qengji i Perëndisë unë vij, unë vij.

Ashtu siç jam! Dashuria Jote e parrëfyer

Çdo pengesë për mua ajo ka thyer;

Tani, për të qenë i Yti, me tjetër mos për të t’këmbyer,

O Qengji i Perëndisë unë vij, unë vij.

Autore: Charlotte Elliot, 1836

Pen
>