Pse ferri është thelbësor për Ungjillin

Jam i sigurt se u gëzuat kur mësuat që 9Marks i ka kushtuar një Revistë të tërë temës së ferrit. Në fakt, kjo është një temë si asnjë tjetër, e cila na bën që të largojmë vështrimin prej saj dhe të mendojmë për diçka krejt tjetër.

Për disa, tmerri i doktrinës së krishterë të ferrit—fakti që ferri është vendi i mundimit të vetëdijshëm dhe të përjetshëm, në të cilin dënohen armiqtë e Perëndisë—i ka bërë njerëzit që jo vetëm të largojnë sytë dhe mendjen nga kjo temë, por edhe ta mohojnë krejtësisht. “Sigurisht që ferri është një trillim, i cili përdoret për t’i shtypur njerëzit me frikë; një Perëndi dashurie nuk do ta lejonte kurrë që një vend i tillë të ekzistonte”, thonë ata. Është e sigurt që në këtë argument ekziston një fuqi emocionale. Askush dhe sigurisht që asnjë i krishterë nuk e pëlqen idenë e ferrit.

Në të njëjtën kohë, kjo doktrinë nuk është thjesht një model i anëve të botëkuptimit të krishterë, diçka që nuk ka rëndësi për strukturën e vetë besimit. Doktrina e ferrit nuk është as mbetje primitive, as e sikletshme dhe e panevojshme, të cilën e besojmë thjesht, sepse na është thënë se duhet ta besojmë.

Përkundrazi, doktrina dhe realiteti i ferrit, në fakt, e paraqet për ne lavdinë e ungjillit në një kontrast të fortë. Na ndihmon të kuptojmë se sa i madh është vërtet Perëndia, sa mëkatarë të mjerë jemi ne, dhe sa e mahnitshme dhe e patregueshme është që Ai të na tregojë hirin e tij. Për më tepër, realiteti i ferrit—nëse nuk e nxjerrim nga mendjet tona—mbi të gjitha do të na fokusojë te detyra e shpalljes së ungjillit ndaj atyre që janë në rrezik për ta kaluar përjetësinë atje.

Me këtë gjë në mendje, ja tek janë pesë deklarata biblike rreth ferrit, të cilat, nëse merren së bashku, demonstrojnë pse ferri është thelbësor për ungjillin.

PSE FERRI ËSHTË THELBËSOR PËR UNGJILLIN

1. Shkrimi na mëson se ekziston një vend real i quajtur ferr.

Nuk do ta theksoj së tepërmi këtë pikë. Të tjerë e kanë paraqitur këtë gjë me qartësi të kristaltë. Mjafton të themi se peshkopët e mesjetës nuk e shpikën doktrinën e ferrit si një mënyrë për t’i frikësuar skllevërit; ata e mësuan nga apostujt. Dhe apostujt vetë, nuk e shpikën që të frikësonin paganët; ata e morën nga Jezusi. Jezusi nuk e huazoi nga zoroastrianët për të trembur farisenjtë; Ai ishte Perëndi, kështu që e dinte që ishte e vërtetë, dhe ua tha këtë gjë. Përveç kësaj, realiteti i ferrit tashmë ishte zbuluar në Besëlidhjen e Vjetër.

Andaj nëse në nivelin më themelor shpallim që jemi të krishterë dhe që e besojmë se Bibla është fjala e Perëndisë, duhet të dallojmë se Bibla na e mëson realitetin e ferrit. E megjithatë ka më tepër se kaq.

2. Ferri na tregon sa i neveritshëm është vërtet mëkati ynë.

A keni dëgjuar ndonjëherë dikë që jep argumentin se asnjë mëkat njerëzor nuk mund të meritojë mundim të përjetshëm në ferr? Ky është një argument interesant, një argument që zbulon shumë gjëra rreth zemrës njerëzore. Si shpjegohet që kur njerëzit mendojnë për ferrin, gjithmonë dalin në përfundimin se Perëndia duhet ta ketë gabim dhe jo ata? Mund ta shihni se si kjo doktrinë zbulon zemrat tona: kur konsiderojmë mëkatin tonë, prirja jonë e parë gjithmonë është që ta minimizojmë, të protestojmë që nuk është dhe aq keq, dhe që Perëndia e ka gabim, kur thotë se meriton ndëshkim.

Realiteti i ferrit qëndron si një mohim i madh ndaj vetëjustifikimit. Jo të krishterët gjithmonë do t’i shohin tmerret e ferrit si një akuzë ndaj Perëndisë, por si të krishterë që dinë se Perëndia është përsosmërisht i drejtë dhe i paanshëm, ne duhet të kuptojmë që tmerret e ferrit janë në fakt një akuzë kundër nesh. Mund të duam ta minimizojmë mëkatin tonë, ta justifikojmë apo të përpiqemi ta qetësojmë ndërgjegjen tonë me argumente, por fakti që Perëndia ka shpallur se ne meritojmë mundim të përjetshëm për ato mëkate, duhet të na kujtojë se ato nuk janë aspak të vogla. Ato janë jashtëzakonisht të liga.

3. Ferri na tregon sa palëkundshmërisht dhe paqortueshmërisht i drejtë është vërtet Perëndia

Përgjatë gjithë historisë, njerëzit janë tunduar të mendojnë për Perëndinë si një gjykatës i korruptuar, si dikush që lë mënjanë kërkesat e drejtësisë, thjesht sepse i pëlqen i pandehuri. Argumenti thotë: “Ne të gjithë jemi fëmijët e Perëndisë. Si mund të japë Perëndia një dënim kaq të tmerrshëm për disa prej fëmijëve të tij?” Përgjigjja për këtë pyetje është e thjeshtë: Perëndia nuk është një gjykatës i korruptuar. Ai është një gjykatës absolutisht i drejtë dhe i paanshëm.

Bibla e thekson herë pas here këtë gjë. Kur Perëndia ia zbuloi veten Moisiut, Ai shpalli se ishte i dhembshur dhe i dashur, por gjithashtu tha: “Megjithatë ai nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.” Psalmet shpallin: “Drejtësia dhe e vërteta janë themeli i fronit të tij.” Çfarë deklarate e mahnitshme! Nëse Perëndia do të vazhdojë të jetë Perëndi, nuk ka mundësi që thjesht ta lërë mënjanë drejtësinë dhe ta mbulojë mëkatin nën rrogoz. Ai duhet të merret me mëkatin—në mënyrë të prerë dhe me drejtësi gjykuese. Kur Perëndia do të gjykojë në fund, asnjë mëkat nuk do të marrë më tepër ndëshkim nga sa meriton. Po ashtu asnjë mëkat nuk do të marrë më pak ndëshkim nga sa meriton.

Bibla na thotë se ditën kur Perëndia do t’i dënojë armiqtë e Tij në ferr, tërë gjithësia do ta dallojë dhe pranojë se ajo që Ai ka vendosur, është paqortueshmërisht e drejtë dhe me vend. Isaia 5 e thekson këtë pikë me qartësi të mprehtë: “Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase.” Ky është një imazh grotesk, varri e hap gojën e tij për të gëlltitur banorët e Jerusalemit. Megjithëkëtë, përmes kësaj Isaia deklaron: “Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.” Në mënyrë të ngjashme, Romakëve 9:22 na thotë se përmes mundimeve të ferrit, Perëndia “do të tregojë zemërimin e Tij dhe do të bëjë të njohur fuqinë e Tij”, në mënyrë që Ai të mund “të bëjë të njohura pasuritë e hirit të Tij ndaj enëve të mëshirës”.

Mund të mos e kuptojmë dot plotësisht tani, por një ditë, vetë ferri do të shpallë lavdinë e Perëndisë. Do ta bëjë—edhe në tmerrin e tij—do të dëshmojë bashkë me psalmistin: “Drejtësia dhe e vërteta janë themeli i fronit të tij.”

4. Ferri tregon me të vërtetë sa i tmerrshëm ishte kryqi dhe sa madhështor është vërtet hiri i Perëndisë.

Romakëve 3 na thotë se Perëndia e paraqiti Jezusin si flijim shlyerje “për të demonstruar drejtësinë e Tij”. Ai e bëri këtë “për të treguar kështu drejtësinë e Tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë”.

Pse u desh që Jezusi të vdiste në kryq? Për shkak se kjo ishte e vetmja mënyrë që Perëndia me të drejtë të mos dërgonte çdo person në ferr. Jezusit iu desh të merrte atë që meritonim ne dhe kjo do të thotë se ai duroi ekuivalentin e ferrit kur u var në kryq. Kjo nuk do të thotë se Jezusi shkoi realisht në ferr, por do të thotë se gozhdët dhe gjembat ishin vetëm fillimi i vuajtjes së Jezusit. Thellësia e vërtetë e vuajtjes së Tij erdhi kur Perëndia derdhi zemërimin e Tij mbi Jezusin. Kur ra errësira, kjo nuk ishte thjesht se Perëndia po mbulonte vuajtjen e Birit të Tij, sikurse kanë thënë disa. Kjo ishte errësira e mallkimit të zemërimit të Perëndisë. Ishte errësira e ferrit dhe në atë moment Jezusi po duronte furinë e tij të plotë—furinë e zemërimit të Perëndisë të Plotfuqishëm.

Kur e kuptoni kryqin nën këtë dritë, ju filloni të kuptoni më mirë se sa i mahnitshëm është hiri i Perëndisë ndaj jush, nëse jeni i krishterë. Misioni i shpengimit që Jezusi ndërmori, përfshinte një përkushtim për të duruar zemërimin e Perëndisë në vendin tuaj, për të marrë ferrin që meritonit ju. Sa shfaqje e mahnitshme e dashurisë dhe mëshirës që është kjo! Gjithsesi, ju do ta shihni dhe do ta kuptoni qartë këtë shfaqje të dashurisë kur kuptoni, pranoni dhe dridheni para tmerreve të ferrit. 

5. Ferri i fokuson mendjet tona te detyra e shpalljes së ungjillit.

Nëse ferri është real dhe nëse njerëzit janë vërtet në rrezik që ta kalojnë përjetësinë atje, atëherë nuk ka detyrë më urgjente dhe të rëndësishme, sesa të bëni saktësisht atë që Jezusi u tha apostujve të Tij, para se Ai të ngjitej në qiell— t`i shpallni botës lajmin e mirë që falja e mëkateve ofrohet përmes Jezu Krishtit!

Mendoj se John Piper e ka thënë si duhet në një intervistë me “Koalicionin e Ungjillit”: “Është shumë e vështirë të heqësh dorë nga ungjilli, nëse beson se ekziston ferri, që pas kësaj jete ekziston një vuajtje e pafundme për ata që nuk besuan në ungjillin.” Ka lloj-lloj gjërash të mira që të krishterët bëjnë, dhe në fakt duhet t’i bëjnë! Megjithëkëtë, nëse ferri është i vërtetë, ia vlen të mbajmë në mendje—është me rëndësi jetike që të mbajmë në mendje—se e vetmja gjë të cilën mund ta bëjnë të krishterët dhe askush tjetër në botë veç tyre, është t’u thonë njerëzve se si mund t’u falet mëkati i tyre, si mund të evitojnë kalimin e përjetësisë në ferr.

PËRFUNDIM

Nuk ka dyshim që doktrina e ferrit është e tmerrshme. Kjo doktrinë është e tmerrshme, për shkak se realiteti është i tmerrshëm. E megjithëkëtë, kjo nuk është arsye për t’i larguar sytë tanë prej saj dhe për ta injoruar, dhe aq më pak për ta mohuar atë.

Ka njerëz që mendojnë se duke e mohuar, apo të paktën duke e injoruar këtë doktrinë në predikimin e tyre, në këtë mënyrë po e bëjnë Perëndinë më të lavdishëm apo më të dashur! Larg qoftë! Ajo që ata janë duke bërë në të vërtetë është që pa dashur po ia vjedhin lavdinë Shpëtimtarit Jezu Krisht, sikur ajo prej së cilës na shpëtoi... në fund të fundit nuk është aq e keqe.

Në fakt, natyra e tmerrshme e asaj nga e cila jemi shpëtuar, vetëm sa e intensifikon lavdinë e asaj në të cilën jemi shpëtuar. Jo vetëm kaq, por tek i shohim edhe më qartë tmerret e ferrit, shohim me më tepër dashuri, me më tepër mirënjohje dhe me një adhurim edhe më të madh drejt Atij që duroi atë ferr për ne dhe na shpëtoi.

Greg Gilbert është pastori kryesor i Kishës Baptiste Third Avenue në Louisville, Kentucky. E gjeni në Twitter në @greggilbert

Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/why-hell-integral-gospel/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ qendraignis.al

Similar posts

Si e formon Darka e Zotit kishën lokale
Çfarë është Ungjilli?
>