Përgjigjja
1. Teologjia biblike e mëson një të krishterë ta kuptojë historinë e tij ose të saj nën dritën e historisë së Perëndisë. Kur një i krishterë e kupton që Perëndia është sovran mbi të gjithë historinë dhe ka qenë duke hartuar një plan gjithëpërfshirës shpëtimi për mijëra vjet, kjo e ndihmon ta vendosë historinë e tij në perspektivë.
2. Teologjia biblike e mëson një të krishterë se nga vjen dhe se ku po shkon. Teologjia biblike bashkon të gjithë historinë e Biblës, nga krijimi fillestar te krijimi i ri. Kur një i krishterë e kupton që e ka filluar jetën në mëkat, si pjesa tjetër e njerëzimit, por tani po shkon drejt një përjetësie miqësie të gëzueshme me Perëndinë dhe popullin e Zotit, kjo do ta frymëzojë të ketë qëndresë, shpresë dhe gëzim në mes të betejave.
3. Teologjia biblike e mëson një të krishterë se si përputhen pjesët e Biblës. Nëse hyn në një libër në Bibël, pa e ditur se ku gjendet në historinë e shëlbimit, ka të ngjarë të hutohesh dhe të shkurajohesh. Por teologjia biblike i ndihmon të krishterët të kuptojnë se si bashkohet e gjithë Bibla, duke i ndriçuar për secilën pjesë individuale.
4. Teologjia biblike e mëson një të krishterë se si t’i zbatojë të gjitha pjesët e ndryshme të Biblës në jetën e tij ose të saj. Ç'lidhje kanë flijimet levitike me një të krishterë? Po pushtimi izraelit i Kanaanit? Apo mbretërimi i Davidit dhe Salomonit? Teologjia biblike i ndihmon të krishterët t’i kuptojnë të gjitha këto pjesë të Shkrimeve në dritën e veprës së Krishtit, për të cilën na tregojnë, si edhe i ndihmon ata të shohin lidhjen me jetën e tyre sot.