artikulli 4

Më është ngulitur në mendje çasti kur ndjeva pamjaftueshmërinë e kuptimit tim për shenjtërimin. Ndodhi në një takim grupi të vogël tek po diskutonim dinamikën mes veprimeve tona dhe punës së Frymës në procesin e shenjtërimit. Sikurse shkojnë shpesh këto lloj bisedash, njerëzit po tregonin se çfarë i kishte ndihmuar ata të rriteshin—apo të paktën çfarë kishin mësuar në kishë për gjërat që i ndihmonin të rriteshin—si leximi i Biblës, lutja, etj. Në të njëjtën kohë, të gjithë këmbëngulnin në pozitën që Fryma e Shenjtë, në fakt, ishte Ai që kryente veprën e shenjtërimit. Më në fund një grua e sinqertë e tha troç: “Nuk e kuptoj, si rritem si e krishterë?”

T’ju jap pak sfond. Kjo grua e kishte ndjekur Jezusin për shumë vite, por kohët e fundit kishte ndier që rritja e saj kishte ndaluar. Ajo lexonte Biblën, lutej, merrte pjesë në çdo takim kishe të dielën, por gjithashtu ndiente hidhësi ndaj të tjerëve dhe thoshte gjëra për të cilat pendohej. E kuptoi që mëkati i saj e trishtonte Perëndinë. Dhe si rrjedhim, e dinte se nuk mund të rehatohej dhe thjesht të priste që Perëndia ta shenjtëronte, por po fillonte të kuptonte gjithashtu që shenjtërimi i saj nuk po shfaqej në raport të drejtpërdrejtë me përpjekjet e saj. Ajo po përleshej fort, por nuk po arrinte asgjë. Më herët, atë mbrëmje, kisha thënë se nëse u qasemi disiplinave frymërore si shkaku i drejtpërdrejtë i shenjtërimit tonë, atëherë fokusi zhvendoset nga ungjilli i Krishtit te vetja jonë dhe kjo është ajo që e minon rritjen tonë. E dallova që kjo ishte në përputhje me mënyrën se si ndihej ajo, edhe pse e frikësonte.

Megjithatë, nuk mund t’i përgjigjesha pyetjes së saj, për shkak se kuptimi im rreth shpëtimit ishte i copëzuar. Nuk e kuptoja tërësinë organike, ndaj proceset e ndryshme të përfshira—si drejtësimi dhe shenjtërimi—binin ndesh njëri me tjetrin. Murmurita diçka pa lidhje e më të gjatë, nga sa do të donin të pranishmit, dhe pastaj kaluam te pushimi me pije freskuese. Nuk ka asgjë më të mirë se keku me kakao për ta zbutur situatën e sikletshme.

PËRGJEGJËSIA E PASTORIT

Nuk mendoj se një i krishterë duhet të jetë në gjendje që ta shtjellojë qartë teologjinë e shenjtërimit, në mënyrë që të shenjtërohet, ashtu sikurse bashkëshortja dhe vajza ime e vogël nuk kanë nevojë të kuptojnë psikologjinë e lidhjes mes nënën dhe fëmijës, në mënyrë që të lidhen si duhet. Ne mund të ushqehemi në Krishtin dhe të rritemi si duhet, edhe nëse nuk e kuptojmë se si ndodh kjo gjë. Po sikur diçka të shkojë keq në procesin e lidhjes nënë-fëmijë, nëse vazhdoj me këtë analogji? Vërtet, shpresoj që dikush ta kuptojë mjaftueshëm këtë gjë sa për t’i ndihmuar.

Kjo është arsyeja pse pastorët kanë nevojë ta njohin teologjinë e tyre të shenjtërimit. Tani mund të mendoni: “A nuk është kjo puna e një këshilltari biblik?” Po, por pastorët—dhe këtu jam duke menduar në mënyrë të veçantë për ata që japin mësimin dhe predikimin kryesor) kanë përgjegjësinë të predikojnë një teologji të vërtetë shenjtërimi, në mënyrë që t’i çojnë njerëzit e tyre në drejtimin e duhur. Mendoni pak, nëse nuk po predikoni duke pasur parasysh shenjtërinë e njerëzve tuaj, çfarë jeni duke bërë? Sigurisht, nuk dëshironi që thjesht të edukoni, apo më keq akoma të argëtoni, ju dëshironi që njerëzit tuaj të transformohen. Por a keni një paradigmë se si ndodh kjo gjë? Nëse jo, si e dini që po i udhëhiqni në drejtimin e duhur?

SI GABOJMË SHPESH

Rreziqet që e nxjerrin shenjtërimin nga binarët, janë shthurja dhe legalizmi. Legalizmi e sheh shenjtërimin si një punë që unë e bëj. Ndoshta bëj vepra për të fituar shpëtimin tim. Apo ndoshta i bëj që të fitoj më tepër favor nga Perëndia, por mendoj: “Sikur të mos bëja më X gjë ose të filloj të bëj Y gjë, do të jem në rregull.” Ky është legalizëm, për shkak se bindet për një marrëdhënie me Perëndinë, në vend që të bindet nga një marrëdhënie me Perëndinë.

Gabimi tjetër është shthurja dhe ata që e përqafojnë këtë gabim quhen antinomian (anti-kundër; nomos-ligj). Kjo buron nga përqendrimi i skajshëm tek ajo që tashmë është përmbushur prej Krishtit, saqë nuk ka më vend për punën tonë. Antinomianët dallojnë dështimin e tmerrshëm, që rrjedh nga keqzbatimi i përpjekjes sonë dhe (gabimisht) konkludojnë se duhet të pushojmë së bëri  çdo përpjekje.

Le të mendojmë se çfarë ndodh pa një paradigmë të qartë për shenjtërimin. Mund të jemi duke i inkurajuar njerëzit ta luftojnë legalizmin që kanë me shthurjen e tyre dhe shthurjen me legalizmin e tyre. Më kujtohet një grup studentësh, të cilët dëshironin që të pushoja së foluri për ungjillin, sepse kishin frikë se kjo do të minonte shtysën e tyre për shenjtëri. Njoh njerëz të tjerë, të cilët po të tregohen të sinqertë, ngushëllohen prej faktit që mëkatojnë, për shkak se kjo vërteton se nuk po bëhen legalistë. Megjithatë ky nuk është shenjtërimi biblik dhe nuk duhet të inkurajojmë këtë lloj të menduari.

Promovimi i pseudoshenjtërimit është më i lehtë nga sa mendoni. Kam dëgjuar pastorë të mirë që i theksojnë bashkësisë së tyre gjithçka që duhet të bëjnë, por nuk thonë asgjë rreth fuqisë për ta bërë këtë gjë. Kam dëgjuar predikime ku hiri është aq i shkëputur nga jeta e shenjtë, saqë pyetja e Palit: “A të mbetemi në mëkat që të teprojë hiri?” duket se merr një përgjigje afirmuese. Këto probleme korrigjohen me përqasjen ndaj një predikimi që e sheh Krishtin si qendrën e çdo teksti, por ne kemi nevojë për një teologji shenjtërimi, në mënyrë që të shkojmë një hap më tej dhe të pyesim: “Kur vijmë te Krishti, si e veshim Krishtin dhe si nuk i përmbushim epshet e mishit?”

Nuk jam duke thënë se çdo predikim kërkon një fjalim të gjatë rreth doktrinës së shenjtërimit. Kjo mund të shfaqet në një fjali, pasi kemi arritur të sjellim Krishtin në predikim. Apo ndoshta është e dukshme në atë që i thoni personit te dera, i cili mund jetë i shqetësuar apo paksa fodull. Ideja është kjo, nëse ‘veshja e Krishtit’ dhe ‘kërkimi i gjërave që janë lart’ janë urdhërime parësore që lidhen me shenjtërimin tonë, duhet ta dimë se çfarë do të thotë t’u bindemi atyre dhe kjo duhet të jetë e qartë në predikimin tonë.

SHENJTËRIMI NË KRISHTIN

Pra, një teologji e qartë shenjtërimi duhet të jetë në gjendje të theksojë nevojën për t’u rritur, pa minimizuar hirin. Gjithashtu, duhet të theksojë hirin, pa zvogëluar nevojën për t’u rritur.

Si e bëjmë këtë gjë? Këtu do t’ju jap vetëm një skicë të shkurtër. Synimi i vërtetë i këtij artikulli është që t’ju bëjë të studioni shenjtërimin. Hapi i parë është ta shihni shenjtërinë si të lidhur me shpëtimin. Kemi nevojë të pushojmë së foluri rreth të qenët i ‘shpëtuar’ dhe ‘i shenjtë’ sikur këto të dyja të ishin dy gjëra të ndryshme, të cilat mund të vendosen përballë njëra-tjetrës. Duhet të kemi kujdes nga citimi i Efesianëve 2:8-9: “Shpëtuar me anë të hirit nëpërmjet besimit pa vepra”; pa cituar gjithashtu edhe 2:10: “Ne në fakt jemi vepra e vepra e tij e krijuar për vepra të mira.” Shpëtimi përfshin shenjtërinë, jo si një kusht, por si pjesë të tij. Vini re: Bibla nuk na e tregon këtë tension mes hirit falas dhe veprave të mira.

Pse jo?

Kjo pyetje më sjell te pika e dytë e përgjithshme: shpëtimi është bashkim me Krishtin. Fatkeqësisht, shpesh mendojmë për shpëtimin si një grumbull gjigant dhuratash individuale dhe të paketuara. Kemi dhurata, si ‘falja’, ‘Fryma’, ‘shpengimi’; thjesht për të përmendur disa. Problemi me këtë këndvështrim është se çdo dhuratë merr një ekzistencë të pavarur dhe theksimi i tepërt i një dhurate, shpesh konkurron me theksimin e tepërt të një dhurate tjetër. Për shembull, nëse po e shijoj dhuratën madhështore të faljes, a kam vërtet nevojë ta hap dhuratën e etiketuar ‘shenjtërimi’? Ose, nëse po përdor ‘shenjtërimin’, a duhet ta mbaj ende dhuratën e ‘drejtësisë së llogaritur’?

Në realitet, shpëtimi ka të bëjë me pranimin e Krishtit, i cili u bë për ne gjithçka që kemi nevojë për shpëtim. Ne jemi “në Krishtin, i cili u bë për ne urtësi nga Perëndia, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim”. Për shkak se çdo dhuratë vjen prej pranimit të Krishtit ato janë në harmoni të plotë. Faljen e mëkateve dhe drejtësinë e llogaritur i përdorim jo për t'u tërhequr dhe rehatuar, por në mënyrë që t'i afrohemi Krishtit dhe të gjejmë ndihmë për një jetë të shenjtë. Dhe kur jetojmë një jetë të shenjtë, nuk e injorojmë drejtësimin; përkundrazi, ndikohemi aq shumë nga shenjtëria e Perëndisë, saqë kemi një vlerësim më të madh për drejtësinë e llogaritur të Krishtit, gjë e cila është pozita jonë ligjore para Perëndisë. Edhe Fryma e lidh bashkë gjithë jetën e krishterë; i njëjti Frymë që ringjalli Jezusin prej së vdekuri ‘për drejtësimin tonë’ (Romakëve 4:25), i njëjti gjithashtu na bashkon me Krishtin, na mbush me fryt dhe i lutet Perëndisë për llogarinë tonë.

Me fjalë të tjera, rritja në një aspekt të shpëtimit tonë, në mënyrë të paevitueshme, na çon edhe më thellë në personin e Krishtit dhe në bashkimin tonë frymëror me Të, gjë e cila na lidh gjithashtu me çdo përfitim tjetër që kemi në Të. Ne kemi çdo bekim frymëror në Krishtin. Kur e shohim shpëtimin tonë si një paketë të plotë, nuk ka mundësi që ta vendosim një përfitim të caktuar mbi një tjetër. Si rrjedhim, nuk do ta luftojmë legalizmin tonë me shthurjen tonë. Do të luftojmë legalizmin dhe shthurjen tonë me Krishtin.

STUDIO SHENJTËRIMIN!

Jam mirënjohës për pyetjen e asaj gruaje, për shkak se më nxiti të studioja shenjtërimin. Nuk ka rëndësi se sa shumë kemi kuptuar nga kjo e vërtetë, ka ende më tepër që duhet të kuptojmë; dhe ka pafundësisht më tepër që duhet të përjetojmë. Edhe një paradigmë e thjeshtë për shenjtërimin: nëse është biblike, do të na ndihmojë t’i udhëheqim njerëzit tanë edhe më thellë në Krishtin dhe kështu, më thellë në shenjtëri.

Në qarqet ungjillore, ka një shtysë për të kuptuar drejtësimin. Kjo është gjë e mirë, por le të sigurohemi që nuk e kemi neglizhuar shenjtërimin.

Mike Christ është pastori i Kishës Baptiste Greenbelt në Greenbelt, Maryland. 

Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/dear-pastor-know-your-theology-of-sanctification/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ qendraignis.al

Similar posts

Si e formon Darka e Zotit kishën lokale
Pse ferri është thelbësor për Ungjillin
>