Si pastor, unë ndërveproj me shumë njerëz që përpiqen të kenë besim në vërtetësinë e konvertimit të tyre. Në mendjen e tyre, mëkati u rri afër dhe dështimet e tyre janë gjithmonë pranë. Shumicën e kohës unë konstatoj se këta janë vëllezër dhe motra besnikë që kanë nevojë për ngushëllim dhe siguri.
Por, në shumë nga kishat tona, është edhe një grup tjetër njerëzish akoma edhe më shqetësues: ata me besimin e vendosur, por të pabazuar, se janë vërtet të konvertuar. Ndoshta ju e njihni këtë lloj. Ata i dinë fjalët e duhura. Ata qëndrojnë larg nga mëkati skandaloz publik. Dhe ata janë njerëz të moralshëm, por nuk kanë asnjë fryt të vërtetë, asnjë provë brenda tyre po vepron që Fryma e Perëndisë, që i kthen në besim. Dhe shpesh ka një zonë të patrajtuar të mëkatit të fshehtë.
GJASHTË MËNYRA QË PASTORËT NXITIN SIGURINË E RREME
Këta njerëz janë të vështirë për t'u arritur—të duket sikur janë vaksinuar me Ungjillin. Ata mendojnë se e kanë tashmë atë që u nevojitet më shumë dhe si rrjedhojë nuk po kërkojnë asgjë më tepër. Dhe nëse kanë një zonë mëkati të fshehur, kanë kohë që e kanë pranuar këtë fakt.
Mjerisht, kishat tona janë të paktën pjesërisht fajtore për praninë e tyre në mesin tonë. Më lejo të sugjeroj gjashtë mënyra që ne pastorët mund të ndihmojmë padashur në nxitjen e sigurisë së rreme te njerëz si këta!
1. E supozojmë Ungjillin!
Është e lehtë të supozohet se njerëzit në kishat tona e kuptojnë dhe i besojnë Ungjillit. Tekefundit, ata janë të pranishëm në kishë të dielën në mëngjes. Por, në të vërtetë, shumë nga kishat tona e kanë marrë të mirëqenë mesazhin dhe sa e kupton bashkësia atë. Si rrjedhojë, kishat tona janë plot me njerëz që mund t’i kuptojnë disa nga sugjerimet e Ungjillit (p.sh., si të jesh një bashkëshort më i mirë; si ta menaxhosh zemërimin) dhe mund të bëjnë jetë të moralshme pa e përvetësuar Ungjillin për veten e tyre.
Kjo situatë sjell vdekje shpirtërore, sepse jetët e moralshme mund të jenë prova e besimit të dikujt në Ungjill, por ato mund të jenë edhe prova e vetëdrejtësisë dhe fariseizmit. Është më se e drejtë të theksojmë se besimi që shpëton, nuk është kurrë vetëm, që veprat gjithmonë e shoqërojnë besimin e vërtetë. Por ne së pari duhet të theksojmë se jemi të shpëtuar vetëm me anë të besimit dhe ta theksojmë këtë pa pushim, përndryshe veprat që do të shikosh, nuk do të jenë vepra të një shfajësimi shpëtues. Kur Ungjilli nuk bëhet i qartë, kur rruga për në parajsë dhe autostrada për në ferr nuk vihen në dukje në mënyrë të qartë nga predikuesi, atëherë njerëzit do të supozojnë se morali i tyre ose pjesëmarrja në kishë u jep arsye për të pasur siguri.
Me pak fjalë, mos prediko moralizëm! Kurrë! Gjithnjë prediko Ungjillin, çdo javë! Dhe pastaj, me treguesit e Ungjillit të përcaktuar mirë, prediko urdhërimet që domosdoshmërisht vijnë më pas!
2. U japim atyre një pamje sipërfaqësore të mëkatit!
Bibla na mëson se mëkati nuk është vetëm diçka që ne bëjmë, por është personi që jemi në gjendjen tonë të rënë. Shkrimet na mësojnë se të gjithë jemi të vdekur shpirtërisht (Efesianëve 2:1-2), skllevër të mëkatit (Gjoni 8:34), fajtorë për thyerjen e tërësisë së ligjit të Perëndisë (Jakobi 2:10) dhe të dënuar për të përjetuar zemërimin e drejtë të Perëndisë (Romakëve 1:18). Ne jemi mëkatarë të tejskajshëm.
Njerëzit me siguri të pabazuar te Perëndia shpesh e keqkuptojnë mëkatin. Nëse mëkati është thjesht çështje e sjelljeve të jashtme dhe të vëzhgueshme, atëherë me disa përpjekje dhe disiplinë ata mund t’i zgjidhin problemet e tyre. Por nëse mund t'i detyrojmë ata që të luftojnë rregullisht me anë të mësimeve biblike kundër mëkatit të tyre, atëherë do të detyrohen ta kuptojnë nevojën për rilindjen e re dhe një shpëtim që nuk vjen nga vetë ata.
3. I përgëzojmë anëtarët e kishës dhe i disiplinojmë me raste!
Anëtarësimi në një bashkësi lokale ka për qëllim t'u japë besimtarëve siguri për shpëtimin e tyre. Është një vulë e përbashkët e miratimit mbi pretendimin e dikujt për të qenë i krishterë. Kur një bashkësi shqyrton shpalljen e besimit dhe mënyrën e të jetuarit të dikujt dhe më pas e pagëzon atë person dhe e pranon në Darkën e Zotit, kisha po thotë: “Për aq sa na takon dhe me fuqinë dhe mençurinë që na dha Krishti, ti je njëri nga ne.” Në anën tjetër të medaljes, kur një kishë përjashton dikë, ata po e heqin atë vulë miratimi. Bashkësia po i thotë individit se veprimet e tij ose të saj kanë dëmtuar besueshmërinë e shpalljes së besimit të tyre dhe bazën e sigurisë së tyre.
Por kur një kishë është imorale me anëtarësinë e saj, kur lejon njerëzit që nuk marrin pjesë në kishë, ta mbajnë anëtarësinë e tyre, kjo nxit siguri të rreme. Sa njerëz do të shkojnë në ferr, ngaqë anëtarësia e tyre në kishë, e mbikëqyrur me përtesë, u dha besim të rremë?
4. I mësojmë ta bazojnë sigurinë e tyre në një veprim të jashtëm në të shkuarën!
Siç e kemi theksuar tashmë, Ungjilli kërkon një përgjigje nga ne. Kishave dhe programeve ungjillëzuese ndonjëherë u është dukur e dobishme të paraqesin një metodë që njerëzit të shprehin angazhimin e tyre të sapogjetur ndaj Krishtit. Disa u ofrojnë njerëzve mundësinë të thonë një "lutje shpëtimi". Të tjerët u ofrojnë mundësinë të shkojnë në kishë të dielën ose të plotësojnë një kartëkoment. Dhe ato veprime të jashtme mund të jenë vërtet një përgjigje e mirëfilltë ndaj veprës shpëtuese të Shpirtit.
Por ato mund të jenë edhe mashtruese. Është e mundur të bësh një lutje, të shkosh në kishë dhe të plotësosh një kartëkoment dhe përsëri të jesh i humbur tërësisht në mëkatet e tua. Pra, nëse i inkurajojmë njerëzit të kenë siguri bazuar në një lloj aktiviteti të jashtëm që mund të kryhet krejt i ndarë nga rilindja në Frymë, ne i vëmë ata në një rrezik të madh shpirtëror. Sa njerëz po sillen rreth e rrotull krejt të humbur, por të sigurt që po shkojnë në parajsë, sepse e bënë një herë lutjen e shpëtimit kur ishin fëmijë?
5. Nuk lidhim shfajësimin me shenjtërimin për njerëzit!
Në një përpjekje të mirëmotivuar për ta zmadhuar hirin falas të Zotit, është e mundur ta mësojmë të vërtetën e shfajësimit vetëm me anë të besimit, vetëm përmes Krishtit, pa i lidhur të gjitha pikat për dëgjuesit tanë. Por Shkrimi i Shenjtë na mëson se vepra shfajësuese e Krishtit gjithmonë do të prodhojë frytin e drejtësisë në jetën e besimtarëve, siç e thashë edhe më sipër (po të jap një shembull, shih logjikën te Romakëve 6:1-14).
Një ndasi midis shfajësimit dhe shenjtërimit është shumë e rrezikshme për besimtarët. Kjo minon të kuptuarit e nevojës për shenjtëri personale dhe motivimin e tyre për ta dashur Perëndinë me bindje. Por është dyfish e rrezikshme për ata që kanë siguri të rreme, sepse i inkurajon të mendojnë se është e mundur të jetojnë në rebelim të hapur kundër Perëndisë dhe përsëri të jenë të drejtë në sytë e Tij.
6. U mësojmë të shpërfillin paralajmërimet biblike!
Shkrimet janë plot paralajmërime të tmerrshme për ata që do ta përqafonin mëkatin dhe/ose do të largoheshin nga besimi (p.sh., Mateu 5:27-30, Hebrenjve 6:1-6). Në përpjekjet tona për ta mësuar qartë kujdesin sovran të Zotit për popullin e Tij, është e mundur ta minojmë forcën e këtyre paralajmërimeve duke krijuar përshtypjen se ato nuk vlejnë për besimtarët.
Por ato paralajmërime gjenden te Shkrimet për një qëllim. Ato janë të vërteta dhe janë një nga mënyrat e Perëndisë për të mos lejuar largimin e popullit të Tij. Një pastor i mençur do ta theksojë rëndësinë e mëkatit dhe braktisjes së besimit, dhe do t'i thërrasë të gjithë dëgjuesit e tij të qëndrojnë në besim.
Mike McKliney është shkrimtar dhe pastor i Kishës Baptiste Sterling Park në Sterling, Virxhinia.