Përgjigjja
Në thelbin e tij, a ka të bëjë ungjilli me plotësimin e nevojave tona? A përmbush ai dëshirën tonë për kuptim? A e transformon shoqërinë? A na mëson të jetojmë jetë më të mirë? A i ngre të varfrit? A na bën të pasur dhe të shëndetshëm?
Të gjitha këto ide rreth ungjillit, kapen pas një problemi të perceptuar dhe thonë: “Ky është qëllimi i ungjillit!” A është ndonjëra prej këtyre gjërave vërtet qëllimi i ungjillit? A është ndonjëra prej këtyre gjërave problemi themelor që trajtohet prej ungjillit?
Bibla thotë: “Jo, asnjëra prej këtyre” nuk është gjëja thelbësore që trajtohet prej ungjillit. Shumë qartë, Bibla na mëson se problemi themelor i njerëzimit është mëkati ynë dhe zemërimi i Perëndisë kundër nesh për shkak të mëkatit tonë.
“Kush mund t’i rezistojë indinjatës së Tij dhe kush mund të durojë zjarrin e zemërimit të Tij? Tërbimi i Tij derdhet si zjarr dhe shkëmbinjtë janë prej Tij të thërrmuara” (Nahumi 1:6).
“Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18).
“Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes” (Efesianëve 5:6).
“Dhe mbretërit e dheut, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve, dhe u thoshin maleve dhe shkëmbinjve: ‘Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit, sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij; dhe kush mund të qëndrojë?’”
Problemi themelor që trajton ungjilli, është zemërimi i Perëndisë kundër mëkatit tonë. Jezusi vdiq në kryq si pajtim, si flijim që largon zemërimin e Perëndisë (Romakëve 3:25; 1 e Gjonit 2:2; 4:10), në mënyrë që ne të shpëtohemi përmes besimit në Të.