Përgjigjja
Kjo është një pyetje e vështirë për t'i dhënë përgjigje, sepse në lojë janë parimet konkurruese.
1. Matja e të mbinatyrshmes? Frytshmëria e të mbinatyrshmes nuk mund të matet gjithmonë.
2. Suksesi është i barabartë me besnikërinë. Një nga kriteret tona më të rëndësishme për matjen e suksesit duhet të jetë fakti nëse një burrë po e predikon ose jo me besnikëri Fjalën dhe a po jeton një jetë sipas Fjalës.
3. Jo vetëm njerëz të pranishëm! Numri i njerëzve që vijnë në kishë, nuk është faktori i vetëm që duhet marrë në konsideratë, por edhe sa anëtarë po rriten në shenjtëri, sa drejtues po ngrihen, sa anëtarë po shkojnë në mision etj. Faktorë të tillë janë shumë më të matshëm dhe më kompleksë dhe shpesh janë treguesit më të mirë të besnikërisë dhe suksesit të shërbesës së një burri.
4. Suksesi nuk është gjithmonë i dukshëm. Një shërbesë besnike dhe “e suksesshme” mund të mos shfaqë fryte të dukshme dhe të menjëhershme. Adoniram Judson nuk pa asnjë të shpëtuar në shtatë vjet. Për më tepër, përgjigjet fillestare mund të rezultojnë jashtëzakonisht mashtruese me kalimin e kohës (Mateu 13:1-23). Dhe sa “fryte” pa profeti Jeremia?
5. Por fryti i dukshëm duhet të merret parasysh. Zoti u jep dhunti të ndryshme njerëzve të ndryshëm. Është më se e mundur që një njeri të punojë me besnikëri në diçka që nuk e ka fare dhunti. Në një rast të tillë, do të ketë pak fryte të dukshme, të cilat duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit të planeve dhe mbështetjes së tij afatgjatë. Jo të gjithë të krishterët duhet t’i kërkojnë kishës që të japë një pjesë të të ardhurave për t’i mbështetur për shërbesë me kohë të plotë. Fryti i dukshëm është një pjesë e konsiderueshme e këtij vlerësimi.
6. Por cila është gjëja kryesore këtu? Sukses në shërbesë do të thotë së pari besnikëri, por përpjekja për ta vlerësuar me përulësi dhe me kujdes frytin e shërbesës së një burri duhet të luajë një rol mbështetës në matjen e suksesit në shërbesë.