Një kishë lokale është një grup të krishterësh, të cilët mblidhen rregullisht në emrin e Krishtit që të afirmojnë zyrtarisht dhe të mbikëqyrin anëtarësinë e njëri-tjetrit në Jezu Krishtin dhe në mbretërinë e Tij, përmes predikimit dhe porosive të ungjillit. E di që ky përkufizim është paksa i ngatërruar, por vini re pesë pjesët e tij:
një grup të krishterësh;
mbledhje të rregullt;
ushtrimi i afirmimit dhe mbikëqyrjes nga e gjithë anëtarësia;
qëllimi është që zyrtarisht të përfaqësojnë Krishtin dhe sundimin e Tij mbi këtë tokë—ata mblidhen në emrin e Tij;
përdorimi i predikimit dhe porosive të ungjillit për këto qëllime.
Ashtu si shpallja e pastorit e bën një burrë dhe një grua çift të martuar, po kështu edhe katër pikat e fundit e transformojnë një grup të zakonshëm të krishterësh që kalojnë kohë së bashku, në një park—menjëherë!—në një kishë lokale.
Të mbledhurit është i rëndësishëm për një sërë arsyesh. Njëra është që ai është vendi ku ne të krishterët “dalim publikisht” për të shpallur besnikërinë tonë më të lartë. Kisha është baza apo ambasada, e cila i jep një paraqitje publike kombit të saj. Këtu ne përkulemi para mbretit tonë, vetëm se këtë gjë e quajmë adhurim. Faraonët e botës mund të na kundërshtojnë, por Perëndia i tërheq njerëzit e Tij nga kombet që ta adhurojnë Atë. Ai do ta formojë bashkësinë e Tij të madhërishme.
Mbledhja është gjithashtu konteksti, në të cilin mbreti ynë ushtron sundimin e Tij përmes predikimit, porosive dhe disiplinës. Predikimi i ungjillit shpjegon “ligjin” e kombit tonë. Ai deklaron emrin e mbretit tonë dhe shpjegon flijimin që Ai ofroi për t’u bërë mbreti ynë. Predikimi na mëson udhët e Tij dhe na ballafaqon me mosbindjen tonë. Gjithashtu na siguron për kthimin e Tij të afërt.
Përmes pagëzimit dhe Darkës së Zotit, kisha valëvit flamurin dhe vesh uniformën e ushtrisë së kombit tonë. Këto gjëra na bëjnë të dukshëm. Të pagëzohesh, do të thotë ta identifikosh veten me emrin e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, si dhe të identifikosh bashkimin tonë me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit (Mateu 28:19; Romakëve 6:3-5). Të marrësh Darkën e Zotit, do të thotë të shpallësh vdekjen e Tij dhe anëtarësinë tonë në trupin e Tij (1 e Korintasve 11:26-29, krahaso me Mateu 26:26-29). Perëndia dëshiron që populli i Tij të jetë i dallueshëm dhe i njohur. Ai dëshiron të ketë një vijë të qartë ndarëse mes kishës dhe botës.
Çfarë është kisha lokale? Është institucioni që Jezusi e krijoi dhe e autorizon që të shpallë ungjillin e mbretërisë, të afirmojë atë që e rrëfejnë ungjillin, të mbikëqyrë dishepullimin e tyre dhe të demaskojë mashtruesit. E gjithë kjo do të thotë se ne nuk “i bashkohemi” kishës, sikur i bashkohemi një klubi. Ne i nënshtrohemi asaj!
Ky artikull u shkëput nga libri Church Membership: How the World Knows Who Represents Jesus, nga Jonathan Leeman.
Jonathan Leeman (@JonathanLeeman) është redaktori i serisë së librave 9Marks si dhe i revistës 9Marks. Ai është gjithashtu autori i disa librave rreth kishës. Që nga momenti kur u thirr në shërbesë, Jonathan ka përfunduar një master nga Seminari Southern dhe një doktoraturë mbi Eklesiologjinë nga Universiteti i Uellsit. Ai jeton me bashkëshorten e tij dhe me katër vajzat e tyre në Cheverly, Maryland, ku edhe shërben si plak kishe në Kishën Baptiste Cheverly.https://www.9marks.org/article/what-is-a-local-church/