Cila është puna juaj si i krishterë? Nëse Perëndia do t`ju jepte një përshkrim pune për jetën e krishterë, çfarë do të shkruante në të?
Në thelb të punës së të krishterit është detyra e dishepullimit. Këtë gjë e lexojmë qartë në fjalët e Zotit tonë para se të ngjitej në qiell:
Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:18-20).
Çfarë do të thotë të bësh dishepuj? Një dishepull është një nxënës apo një ndjekës i Jezusit. Kur bëjmë dishepuj, po punojmë që t’i shohim njerëzit që nuk e ndjekin Jezusin, të nisin ta ndjekin Atë (konvertimi) dhe pastaj i mësojmë që ta ndjekin me besnikëri Jezusin në çdo fushë të jetës së tyre (pjekuria).
Shumë të krishterë e dëgjojnë këtë gjë dhe pastaj e vendosin në raftin e idealizmit. Sigurisht që dëshiroj t’i dishepulloj njerëzit, por në fakt nuk mundem. Ata ndihen sikur dishepullimi është përtej aftësive të tyre. A është e vërtetë? A është dishepullimi, diçka të cilën mund ta bëjnë vetëm pastorët, pleqtë e kishës apo “të pjekurit”? Apo është për gjithsecilin?
Ja cila është pika ime kryesore: bërja e dishepujve është krishterimi normal. Bërja e dishepujve është themelore për krishterimin. Sikurse të mësuarit për të numëruar dhe për të recituar alfabetin në sferën natyrore, vështirë se gjen ndonjë pjesë të jetës së krishterë që nuk preket nga bërja e dishepujve. Aq sa krishterimi është një komunitet besimi, aq është ai një besim që bën dishepuj.
Mund të ketë dhjetë apo dymbëdhjetë paradigma të ndryshme në qarkullim, kur dëgjon për dishepullimin. Disa njerëz këmbëngulin në leximin e një libri, takimet për kafe, konsumimin e një vakti së bashku, stërvitjen etj. Të gjitha këto mund të ndihmojnë në bërjen e dishepujve, por ato nuk janë parakushte dhe as thelbi i domosdoshëm i bërjes së dishepujve. Jezusi nuk na dha kurrë një program për të ndjekur, por në fakt na dha shembullin e Tij bashkë me një urdhërim të gjerë dhe që prek gjithçka, në mënyrë që ne ta bëjmë këtë gjë. Si rezultat, ne kemi si liri të madhe, ashtu dhe një barrë të madhe për bërjen e dishepujve.
Si duket bërja e dishepujve? Kur Jezusi na urdhëron të bëjmë dishepuj, Ai ka për qëllim që ne ta jetojmë jetën tonë në bindje ndaj Tij, në praninë e njerëzve të tjerë (besimtarë dhe jobesimtarë). Kjo e jetuar me qëllim përpiqet t’u tregojë të tjerëve vlerën dhe fuqinë e Krishtit. Me pak fjalë, ne i lejojmë njerëzit të hyjnë në jetën tonë dhe të shohin si e jetojmë besimin tonë të krishterë.
Më lejoni t’ju jap disa shembuj:
Dishepullimi ndodh kur një burrë dëshiron të martohet, por nuk ka një plan të qartë si ta arrijë këtë gjë. Ai pyet një vëlla tjetër për ndihmë dhe udhëzim. Ky vëlla e fton për drekë dhe i flet për disa parime biblike dhe praktike. Pastaj, vëllai merr përsipër të lutet për të, është në dispozicion për pyetje të tjera dhe për t’u takuar herë pas here, në mënyrë që të flasin për progresin që ka bërë.
Dishepullimi ndodh kur një nënë me dy fëmijë të vegjël i kthen një motre tjetër në kishë diçka që ia kishte marrë hua. Gjatë bisedës, nëna e re shpreh ndjenjat e saj për lodhjen dhe dështimin për të arritur standardin e perceptuar prej saj rreth mëmësisë. Gruaja tjetër e dëgjon, i kujton Shkrimin, lutet për të dhe pastaj vazhdon t’i qëndrojë përkrah për ta inkurajuar me ungjillin.
Dishepullimi ndodh kur një baba sjell në vëmendje një zonjushë me veshje të tillë që vështirë se ia mbulojnë trupin, dhe u thotë djemve të tij adoleshentë se ajo që po shohin, nuk është bukuri. Ai u shpjegon atyre se çfarë është bukuria dhe si lidhet ajo me karakterin dhe vullnetin e Perëndisë. Ai vazhdon t’u thotë, t’u tregojë dhe t’u theksojë bukurinë e vërtetë me të cilën kënaqet Perëndia (1 e Pjetrit 3:3-4).
Dishepullimi ndodh kur një vëlla vë re një vëlla tjetër që është dhënë shumë pas punës dhe po neglizhon familjen dhe shërbesën e tij. Ai i vjen përkrah vëllait të vet për t’i kujtuar thesarin e vërtetë dhe që zgjat përjetë, si dhe perspektivën e duhur rreth punës.
Dishepullimi ndodh kur një nënë është në park me fëmijën e saj. Në një moment të caktuar fëmija tregohet i padëgjuar dhe ajo me durim, me hir dhe me besnikëri e disiplinon fëmijën e saj. Ka shumë sy që po e vështrojnë. Kjo gjë iu bën përshtypje si grave besimtare, ashtu dhe atyre jobesimtare. Fillojnë bisedat dhe shumë shpejt fryti i Frymës tregon vlerën e pashoqe të Krishtit.
Dishepullimi ndodh kur një nënë i shkollon fëmijët e saj në shtëpi, shkëputet për një pushim dhe shkon në një kafene duke shpresuar të njohë shoqe të reja, gjë e cila do t’i hapë dyer për të ndarë ungjillin.
Dishepullimi ndodh kur një vajzë beqare ndien zhgënjimin e një vajze tjetër, për faktin që është beqare. Ajo vendos ta përkahë dhe ta inkurajojë në mirësinë e ungjillit.
Këto janë ndodhi të zakonshme të jetës së përditshme. Në fakt, i kam zgjedhur nga jeta normale e njerëzve në familjen e kishës tonë. Kjo punë e zakonshme është pikërisht ajo që e çon kishën përpara drejt pjekurisë dhe në të njëjtën kohë e mbron nga lundërthyerja frymërore.
Por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot”, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit. Sepse ne jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit. (Hebrenjve 3:13-14)
Dishepullimi duhet të jetë praktika normale e besimtarëve. Mund të thoni se krishterimi është më tepër se dishepullim, ama nuk është më pak. Ne jemi rojtari i vëllait tonë. Kjo është pjesë e përshkrimit të punës.
Erik Raymond është pastori kryesor në Kishën Redeemer Fellowship në Metro Boston. Ai dhe gruaja e tij, Christie, kanë gjashtë fëmijë. Ai shkruan në blogun Ordinary Pastor. E gjeni në Twitter në @erikraymond.