artikulli 1

Për shumë njerëz, doktrina e konvertimit apo kthimit në besim nuk duket aspak si diçka e bukur. Ata thonë që është shtrënguese: "Nuk do ta lejoj askënd të më detyrojë të pranoj besimin e tyre!" Ose ofenduese: "Kush je ti që të më thuash se ajo që besoj apo mënyra si jetoj është e gabuar?"

Sigurisht që në ato kuptime bukuria varet nga ai që e sheh. Gjëja më e rëndësishme rreth doktrinës nuk është nëse është e shëmtuar apo e bukur, por nëse është e rreme apo e vërtetë. Tani që kemi thënë këtë, doktrina e vërtetë e konvertimit të krishterë është thjesht e bukur.

Nga njëra anë, kthimi në besim është i bukur në të njëjtën mënyrë sikurse janë të bukura të gjitha llojet e shndërrimeve. Në shkollën fillore fëmijët studiojnë metamorfozën e vemjes në flutur apo atë të larvës në bretkosë. Në takimet e tyre, fëmijët mësojnë se si këto shndërrime ilustrojnë ndryshimin e një zemre njerëzore nga "e vdekur në mëkat" në "një krijesë të re." Një lule çel, një vezë çahet, një zog i vogël i hap krahët për herë të parë në fluturim. Secili prej këtyre shndërrimeve është i bukur në llojin e vet, por ato të gjitha janë gjithashtu njësoj të bukura. Në shumë cepa dhe skuta të krijimit, Perëndia ka ndërthurur zbulesën e lavdisë së Tij, e cila ushtrohet duke shndërruar vdekjen frymërore në jetë të përjetshme.

Një prej ligjeve të botës natyrore është që, gjërat e lëna me vetveten, nuk përparojnë, por degradojnë. Gjithçka vdes. Megjithatë, në vetë këtë sferë, Perëndia ka koduar bukurinë e shndërrimit në diçka më të mirë aty-këtu. A nuk janë të gjitha këto shenja treguese të mrekullisë së shpëtimit?

Në fakt, kthimi në besim është shumë më i madh se kaq. Është i bukur në thjeshtësinë (mendo Romakëve 10:9) dhe në ndërlikimin e vet (shih Efesianëve 2:1-10).

Por nuk mjafton të thuash që shpëtimi është i bukur. Le ta tregojmë.

 I BUKUR NË ORKESTRIMIN E VET

Konvertimi është i bukur në orkestrimin e vet. Ekziston një moment vendimtar i konvertimit: një moment në të cilin nuk po besojmë për shpëtim që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri, dhe momentin tjetër besojmë.

Vendimi fillestar për të besuar, për t'u kapur pas Krishtit me duart bosh të besimit, është çasti kur një mëkatar i paracaktuar, i cili po sheh punën e vet, mplekset në ordo salutis (rendin e shpëtimit). Shënjestra e Perëndisë ishte mbi të që nga përjetësia e shkuar, por tani erdhi koha e caktuar e thirrjes së efektshme. Udha e planifikuar e njeriut është ndërprerë sepse Perëndia drejton hapat e tij (Fjalët e Urta 16:9).

Në njëfarë kuptimi konvertimi është në të njëjtën kohë përmbushja e planit të Perëndisë dhe një pikë e caktuar në shtegun e tij. Ky është një çast vendimtar, por sa shumë qëllim ka pas këtij çasti! Skicën e këtij qëllimi e shohim te Romakëve 8:30: "Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi." Sytë tanë mund t'i shohin njerëzit që pendohen dhe rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin, por nuk mund ta shohin dot peshën e përjetshme të lavdisë që e ka paraprirë këtë moment dhe që rrjedh prej tij.

Për çdo hap të skicës së Romakëve 8:30 mund të shkruhen disa vëllime. Ka bukuri brenda bukurisë dhe kjo brenda bukurisë. Një farë sinapi besimi, e mbjellë në zemrën e thyer të një mëkatari të dëshpëruar, është pika kulmore e paranjohjes së këtij mëkatari nga Perëndia që para themelimit të tokës. Që në përjetësinë e shkuar, Perëndia, me anë të hirit të Tij, pa përtej ofendimit të përjetshëm të mëkatit të grumbulluar gjatë gjithë jetës së këtij individi, dhe e paracaktoi në dashuri për birësim si një bir të çmuar. Pastaj Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur që të siguronte shlyerjen e pamëkat për të, në mënyrë që ai të bëhej i drejtë përmes drejtësisë së Krishtit në momentin, kur Fryma do ta rilindte zemrën e tij të ngurtë. Kjo është thjesht marramendëse, apo jo? Akoma më marramendës është fakti që fara e besimit që të bën të drejtë rritet përmes besnikërisë së Atit dhe jep besimin që të shenjtëron, dhe kjo përmes veprës së Frymës deri në premtimin e përlëvdimit.
 

I BUKUR NË PREMTIMIN E TIJ

Konvertimi është i bukur në premtimin e tij. Oh, çfarë premtimi është ai! A nuk po flet për atë që vërtet e dëshirojmë ne të gjithë? Çfarë shpreson çdo mëkatar dhe çdo shenjtor çdo ditë? Gjithsecili dëshiron ndryshim. Gjithkush dëshiron të besojë se e liga do të kthehet në të mirë, që e gabuara do të kthehet në të drejtë. Ne të gjithë kemi idetë tona se si mund të realizohet kjo, por në thelb gjithsecili dëshiron të njëjtën gjë, jetën.

Perëndia ka vënë përjetësinë në zemrat e tyre (Predikuesi 3:11), dhe që nga ai çast e tutje çdo moment vetëdijeje është një shprehje adhurimi ndaj një perëndie apo një tjetri, shprehja e një dëshpërimi të brendshëm për realen, të vërtetën, të bukurën, për premtimin e asaj që është më e mirë dhe më e drejtë. Brus Marshall (Bruce Marshall) shkroi fjalët e famshme "Djaloshi që i bie ziles së bordellos pa vetëdije, është duke kërkuar Perëndinë."[1] Kjo është e vërtetë për të gjitha idhujtaritë tona, qoftë seksi apo përshpirtshmëria, por e vërteta gjithëpërfshirëse është që asnjë njeri, i lënë në kërkimin e tij, nuk kërkon Perëndinë (Romakëve 3:11). Ne dëshirojmë që perënditë tona të jenë Perëndi. Në fakt, ajo që kërkojmë gjendet tek Ai, tek Ai të cilin duam ta shmangim për shkak të ligësisë tonë.

Prandaj, ata që "gjejnë Perëndinë" në fakt janë ata që janë gjetur prej Tij. Fryma, Ngushëlluesi ynë, është duke “krehur” tokën në kërkim të atyre që mund t'i kthejë në jetë. Perëndia është i durueshëm me idhujtarët e tij, të cilët i ka paranjohur, dhe nuk dëshiron që ndonjë prej nesh të humbasë, por që të gjithë të vijmë në pendim. Fryma e Tij ndez dritat në zemrën tonë. Pranë hyrjes së varrit tonë Ai thërret: "Dil jashtë!" dhe e pabesueshmja bëhet e besueshme. Mund të jem ndryshe! Mund të shndërrohem! Mund të njoh Perëndinë dhe kështu të njoh jetën! Sikurse thotë edhe himni: "S'kam faj në jetë, vdekjen s'kam frikë, fuqia e Krishtit tek un' banon!"

Ungjilli zbulon shpresën e vërtetë për mua dhe për këtë botë. Gjithë bukuria e krijimit, e arteve, e përpjekjes njerëzore për përparim dhe ndriçim përmblidhet dhe vërtetohet në Jezu Krishtin e mishëruar, të kryqëzuar, të varrosur, të ringjallur dhe të përlëvduar. Ashtu sikurse ringjallja e Tij është fryti i parë (1 e Korintasve 15:20-23), po kështu dhe kthimi ynë në besimin shpëtues është premtimi i kthimit në pavdekësi, që " të gjithë do të shndërrohemi" (1 e Korintasve 15:50-53).

 

I BUKUR NË MORINË E VEPRIMEVE TË TIJ

Kthimi në besim është i bukur në morinë e veprimeve të tij. Kthimi i njeriut në besimin shpëtues në Krishtin është i bukur në të gjitha momentet vendimtare që përfshin. Shumë veta në brezin tim dhe në breza të tjerë "u shpëtuan" ndërsa dolëm përpara në kishë, ngritëm dorën, apo përsëritëm një formë lutjeje. Në brezin tim, shumë nga ata që janë bërë pastorë nuk përdorin një përgjërim të tillë të veçantë për të ftuar njerëzit të reagojnë ndaj ungjillit. Të gjithë ne duhet të kemi kujdes dhe të sigurohemi që ungjilli biblik të predikohet në mënyra biblike. Por sa e mrekullueshme është që Perëndia përdor njerëz që gabojnë dhe që përdorin mjete të papërsosura për të administruar fuqinë e përsosur të lajmit të mirë të Jezu Krishtit!

Nuk jam (më) një i krishterë dispensacional që beson te rrëmbimi para mundimit të madh, por kthimi im ndodhi pasi Fryma i Shenjtë në urtësinë e Tij përdori një lloj “filmi të dobët nga vitet 1970” me tematikën e rrëmbimit të papritur të kishës, që të më zbuste zemrën dhe të dëshiroja Jezusin për falje dhe siguri. Nuk i përdor mjete të tilla sot, por jam mirënjohës që Perëndia nuk është hundëpërpjetë në mënyrat se si i kthen fëmijët e tij në jetë. Ai nuk mbahet me të madh. Fuqia e Tij përsoset në dobësinë tonë ungjillëzuese, madje edhe në predikimin dhe përgjërimin tonë të mangët. Është e mahnitshme të shohësh si punon Perëndia në të njëjtën kohë përmes dhe pavarësisht nga shërbesa jonë e ungjillit.

Të gjitha kthimet te Krishti ndodhin sepse më në fund e soditim atë si Krishtin tonë, që është flijimi për shpëtimin tonë. Një shembull i qartë është kthimi në besim i Saulit në rrugën për në Damask. Një moment shumë dramatik. Për të tjerët, jo dhe aq. Një fëmijë bën një lutje në takimin e fëmijëve. Një burrë del para kishës në fund të predikimit. Njoh dikë që tha se për tre vjet rresht kishte qenë në kishë çdo të diel, para se t'i shkreptinte përfundimisht mendimi "Prit, unë kam nevojë të shpëtohem! Unë kam nevojë ta besoj këtë!".

Në romanin e tij That Hideous Strength, C.S. Lewis, me mënyrën e tij të pashoqe, përmbledh intensitetin e kthimit në besim të një gruaje dhe faktin se sa i rëndomtë është ai:

Ajo çfarë e priste atje ishte serioze deri në pikën e pikëllimit dhe madje përtej saj. As formë as zë. Myku nën shkurre, myshku përgjatë shtegut, dhe muri i vogël kufizues me tulla nuk ndryshuan në mënyrë të dukshme, ama kishin ndryshuar. Ishte kaluar një cak. Ajo kish hyrë në një botë, te një Person apo në praninë e një Personi. Diçka pritëse, e duruar, e paepur e takoi pa pasur ndonjë vel mbrojtjeje ndërmjet...

Në këtë lartësi, thellësi dhe gjerësi, ideja e vogël e vetes, të cilën deri tani e kishte quajtur unë, ra dhe humbi në mënyrë të pakëndshme, në një humnerë pa fund, si një zog në një hapësirë pa ajër. Emri unë ishte emri i një qenieje, ekzistencën e së cilës ajo nuk e kishte vënë kurrë në dyshim, një qenie që ende nuk ekzistonte plotësisht, por që ishte e domosdoshme. Ishte një person (jo personi që kishte menduar), e megjithatë, ishte gjithashtu një gjë, një gjë e krijuar, e krijuar për t'i pëlqyer një Tjetri dhe në Të t'u pëlqente gjithë të tjerëve, një gjë që po bëhej tamam në atë moment, pa zgjedhjen e vet, në një formë që nuk e kishte ëndërruar kurrë. Bërja e saj vazhdoi mes një lloj shkëlqimi apo pikëllimi, apo mes të dyjave, prandaj ajo nuk mund ta dallonte nëse ishte në duart që po formonin apo në masën që po merrte formë...

Gjëja më e madhe që i kishte ndodhur ndonjëherë, me sa dukej kishte gjetur vend për veten në një moment kohe, madje tepër të shkurtër për t'u quajtur kohë. Dora e saj nuk kapi asgjë veçse një kujtim. Dhe ndërsa u mbyll, pa ndaluar qoftë dhe një moment, zërat e atyre që nuk njohin gëzim u ngjallën duke ulërirë dhe zhurmuar nga çdo cep i qenies së saj.

“Kujdes! Tërhiqu! Ruaj mendjen! Mos e jep veten!", - thoshin ata. Pastaj, në mënyrë edhe më të fshehtë, nga një cep tjetër u dëgjua: "Ke pasur një përjetim fetar. Kjo është shumë interesante. Jo të gjithë e përjetojnë këtë gjë. Tani do t'i kuptosh edhe më mirë poetët e Shekullit të Shtatëmbëdhjetë!"

…Por bedenat e saj tashmë ishin pushtuar dhe këto kundërsulme dolën të pasuksesshme. [2]

Demonët e kundërshtojnë, nganjëherë hapur, nganjëherë duke e ndryshuar kuptimin e përjetimit të saj. Por asgjë, as engjëjt dhe as demonët, nuk mund ta ndajë Xhenin nga dashuria e Perëndisë. Prandaj, në qetësinë e një kopshti anglez, sikurse dhe në lutjet gjithë pritje në altarin e shenjtërores apo në vetminë e një shpirti që po lexon Biblën fillikat në një kolltuk, aty zbret përjetësia.

Moria e mënyrave si Perëndia i kthen njerëzit e vdekur në jetë, është e bukur. Disa në një mënyrë të menjëhershme dallojnë realitete të reja marramendëse, të tjerë e kuptojnë nevojën e tyre me kalimin e kohës. Disa e dëgjojnë mesazhin për herë të parë dhe reagojnë me besim. Të tjerë dëgjojnë mesazhin gjithë jetën e tyre, por nuk kanë "veshë frymërorë për të dëgjuar", deri në një ditë afër fundit të rrugëtimit të tyre. Ky është art. Aty shohim Perëndinë, në larminë e pamasë të përjetimit njerëzor dhe në jetën e përditshme, në të rëndomtat dhe të jashtëzakonshmet, duke përsëritur ringjalljen sërish e sërish. Edhe kthimi në besim, më i zakonshëm nga të gjithë, është i jashtëzakonshëm. Engjëjt nuk kremtuan më pak për shprehjen e parë të besimit shpëtues të vajzës time në dhomën e saj para se të flinte gjumë disa vite më parë, nga sa kremtuan në kthimin në besim të Palit 2000 vjet më parë. Çdo konvertim është një mrekulli. Vizioni madhështor dhe i bekuar i Krishtit sjell vizione të bekuara të vetes tonë (2 e Korintasve 3:18).

 

I BUKUR NË BURIMIN E TIJ

Kthimi në besim e ka të bukur burimin e tij. Për shkak se Krijuesi është i bukur, gjithë sa Ai bën është e bukur. Dhe për shkak të kësaj të vërtete jetësore, nuk është mjaftueshëm e vërtetë të themi që "bukuria varet nga ai që e sheh". Bukuria qëndron në mënyrë objektive në Hyjninë triun, pavarësisht nëse e shohin apo jo të vdekshmit. Davidi kërkon të banojë në shtëpinë e Zotit dhe të soditë bukurinë e Zotit (shih Psalmi 27:4), por edhe nëse Zoti nuk i përgjigjet lutjeve të tilla, bukuria e tij nuk pakësohet as edhe një thërrime.

Nga ana tjetër, bukuria e Perëndisë, e cila më shpesh quhet lavdia e tij, reflektohet, madje zmadhohet në shtimin e soditjes. Prandaj, një nga bukuritë e faktit që Perëndia ringjall njerëzit e vdekur në jetë të re është që ata vazhdojnë të reflektojnë bukurinë e tij në predikim, në këngë dhe në zemra të mbushura me mirënjohje (Kolosianëve 3:16). Pasi Pjetri dëshmoi vuajtjet dhe ringjalljen e Krishtit, ai ishte në gjendje t'i referohej vetes si "pjesëmarrës i lavdisë që ka për t'u zbuluar" (1 e Pjetrit 5:1). Prandaj, për t'iu përgjigjur thirrjes së ungjillit me besim shpëtues, në njëfarë mënyre do të thotë të marrësh atë bukuri dhe kështu ta madhërosh. Pali shkruan kështu te 2 e Thesalonikasve 2:14: "tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht."

Kthimi në besim është i bukur për shkak se Perëndia është i bukur. Ai është i bukur në madhërinë dhe madhështinë e lavdisë së Tij, në tërësinë e pamasë të cilësive dhe atributeve të tij. Mënyra si Bibla flet për bukurinë e Perëndisë është e bukur. Nga shenjtëria që paraqitet në tregimet e Pentatukut deri tek shkreptimat e penës së psalmistëve, te përgjigjja e Perëndisë ndaj Jobit, te mahnitjet e profetëve, te dëshmitarët e Ungjijve, te triumfet ngazëlluese dhe doksologjitë hyjnore të letrave, tek apokalipsi marramendës i Gjonit, Bibla është e bukur me bukurinë e qenësishme dhe gjithëpushtuese të Perëndisë.

Ky Perëndi, ky Perëndi i shenjtë, i mrekullueshëm dhe i pahulumtueshëm, na njeh, na do, na zgjedh, na thërret dhe na shpëton. "Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit." (2 e Korintasve 4:6). E gjithë bukuria e konvertimit (madje ka ende më tepër që do të zbulohet për gjithë përjetësinë), e ka burimin te bukuria e vetë Perëndisë dhe tejkalohet nga vetë ajo, lavdia e të cilit shtrihet pa kufizime për gjithë kohën, si dhe ndaj nesh, që ta shohim, ta njohim Jezusin dhe të shndërrohemi përjetë.

[1] Bruce Marshall, The World, The Flesh and Father Smith (Boston: Houghton Mifflin, 1945), 108.
[2] C.S. Lewis, That Hideous Strength (New York: Macmillan, 1970), 318-319.

 

Jared C. Wilson është ndihmësprofesor në Shërbesën Pastorale në Kolegjin Spurgeon, është shkrimtar në rezidencën e Seminarit Teologjik Baptist, dhe drejtor i Qendrës së Trajnimit Pastoral në Kishën Baptiste Liberty, të cilat gjenden në Kansas City, Missouri. Ai është autori i gati njëzet librave, përfshirë The Gospel-Driven Church.

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/new-heavens-and-new-earth/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ qendraignis.al

Similar posts

Si e formon Darka e Zotit kishën lokale
Pse ferri është thelbësor për Ungjillin
>