“Si mund ta gjej thelbin e një teksti biblik?”
Kjo është një pyetje që e dëgjoj shpesh nga drejtuesit e grupeve të vogla të studimeve të Biblës në kishën ku unë shërbej. Nuk do të kishte kënaqësi më të madhe sesa t'u them atyre (dhe juve) se kam një formulë magjike, që do t'i çojë nga teksti i tyre drejt e në thelbin e tij, ose më mirë akoma në zbatimin e tij.
Nuk e kam atë formulë magjike. Sidoqoftë, mendoj se janë një grusht gjërash që mund të përpiqesh t’i gjesh në tekstin tënd, pavarësisht se ku ndodhesh në Bibël, gjëra që do të të ndihmojnë të gjesh thelbin e tekstit.
1. STRUKTURA DHE THEKSI
Së pari, merr parasysh strukturën dhe theksin e pasazhit! Më pëlqen të filloj me strukturën ose me faktin si pasazhi im ndahet në seksione të ndryshme të vargjeve, që ndërlidhen së bashku.
Sigurisht, mënyra se si e zbërthejmë strukturën, do të varet pak nga lloji i tekstit. Nëse kam të bëj me një rrëfim, subjekti dhe personazhet janë të dobishëm. Unë do të kërkoj hyrjen, pikën kulmore dhe mbylljen. Nëse kam të bëj me një fjalim ose letër, do të kërkoj një rrjedhë idesh me një pikë logjike. Nëse kam të bëj me një poezi, do të përpiqem të identifikoj strofat e ndryshme dhe do të filloj t'i përmbledh ato.
Gjithashtu, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Biblës jam, unë gjithmonë, gjithmonë, kërkoj fjalë dhe ide të përsëritura. Një përkthim fjalë për fjalë do të të ndihmojë këtu. Pyetja diagnostikuese që dua të përdor është: “Si e ka organizuar autori këtë pasazh?” Dhe, pasi kam filluar të skicoj një strukturë, pyes veten se çfarë theksi po zbulon ajo.
2. KONTEKSTI
Së dyti, merr parasysh kontekstin! Asnjë pasazh i Biblës nuk qëndron vetëm. Përkundrazi, çdo tekst është pjesë e një argumenti, historie ose koleksioni pasazhesh që janë radhitur me qëllim nga autori.
Ato që gjenden para dhe pas pasazhit tim, janë të rëndësishme dhe do të më ndihmojnë të kuptoj se çfarë ka në pasazhin tim. Mund të më ndihmojnë për të kuptuar temën, që po trajton autori. Mund të më ndihmojnë të shoh një pjesë më të madhe në librin tim. Mund të më sigurojnë një korrigjim të dobishëm të diçkaje që kam lexuar gabim në pasazhin tim. Madje mund të më ndihmojnë të kuptoj situatën historike të audiencës së parë.
Konteksti është kyç. Dhe pyetja ime diagnostikuese është: “Pse autori e ka vendosur këtë pasazh këtu, në këtë pikë të librit?”
3. TEMA E LIBRIT
Duke pasur parasysh atë që sapo përmenda në lidhje me kontekstin, ka kuptim vetëm nëse shikon me vëmendje deri në fund dhe pyet për librin. Cila është agjenda e autorit me këtë libër?
Sigurisht, duhet pak punë për ta kuptuar vërtet temën e një libri të tërë. Sidoqoftë, mendoj se është një hap i rëndësishëm të ngresh pyetjen: “Si lidhet pasazhi im—dhe veçanërisht ajo veçanti që kam gjetur në strukturë—me këtë temën më të madhe të të tërë librit?”
4. REFLEKTIMI TEOLOGJIK
Te Luka 24:13-49, Jezusi na mëson se i gjithë Shkrimi tregon për vdekjen dhe ringjalljen e Tij dhe rezultatet e këtij Ungjilli janë pendimi dhe falja e mëkateve. Pa e kuptuar këtë, ne rrezikojmë ta interpretojmë një pasazh vetëm moralisht ose disi të ndarë nga Ungjilli.
Pra, është e rëndësishme të përdorësh të gjitha mjetet e teologjisë (veçanërisht teologjinë biblike) për të pyetur: “Si lidhet pasazhi im me ungjillin?” Sigurisht, ka shumë mënyra për ta bërë keqazi këtë zbatim. Pra, është e rëndësishme që të bëjmë lidhje të logjikshme midis tekstit tonë dhe Ungjillit.
5. SINTETIZO
Pasi të kesh mbaruar punë me strukturën, kontekstin, temën e librit dhe teologjinë, është koha të fillosh sintetizimin. Sido që ta quash këtë: pikë kryesore, temë e pasazhit ose ide e madhe, është e rëndësishme ta ndërmarrësh këtë hap përfundimtar. Pyetja që dua t’i bëj vetes është kjo: “Çfarë po përpiqet t'i mësojë autori audiencës së tij të parë?” Çfarë po thotë ai? Cila është pika e tij kryesore?
Mos e gënje veten: ky nuk është një proces i lehtë. Për mua, ky proces përkthehet në një ose dy orë përgatitje për një grup të vogël—dhe ndoshta 12 orë përgatitje për një predikim. Por, në varësi të kohës që ke, mendoj se është e dobishme të punosh në këtë mënyrë.
Sigurisht, pasi ta kesh dalluar idenë kryesore, të duhet ende të mendosh nëpërmjet zbatimit. Gjithsesi, për sa i përket punës në tekst, unë filloj me këto:
Si e ka organizuar autori këtë pasazh?
Pse autori e ka vendosur këtë pasazh këtu, në këtë pikë të librit?
Si lidhet pasazhi im me temën e të tërë librit?
Si lidhet pasazhi im me Ungjillin?
Çfarë po përpiqet t’i mësojë autori audiencës së tij të parë?
Për pak më shumë në lidhje me këtë proces, shih librin e David Helm, Expositional Preaching: How We Speak God’s Word Today (Crossway).
Robert Kinney është drejtori i Shërbesave në Simeon Trust, një shërbesë për trajnimin e predikuesve.